ATV

Author: ATV

  • Një objekt misterioz përplaset në Hënë – shkencëtarët zbulojnë detaje

    Një objekt misterioz përplaset në Hënë – shkencëtarët zbulojnë detaje

    Një objekt misterioz është regjistruar teksa vinte nga qielli dhe u përplas me fuqinë e tij në sipërfaqen e Hënës. Ekspertët dyshojnë se bëhet fjalë për një asteroid ose një shkëmb hapësinor, pasi Hëna nuk ka atmosferë që t’i digjte këto trupa para ndikimit.

    Goditje të tilla ndodhin gjithmonë me shpejtësi të plotë, duke lënë gjurmë të përhershme që mund të zgjasin për miliarda vjet. Megjithatë, përplasja e papritur ka ngjallur sërish pyetje intriguese: ishte thjesht një shkëmb hapësinor apo diçka më e mistershme që lundron në univers?

    Çfarë mendoni ju, a kemi të bëjmë me një fenomen të zakonshëm hapësinor, apo me diçka më shumë se kaq?

  • Konsumuan karamele me kanabis: 3-vjeçarja në gjendje të rëndë, 2 motrat kalojnë rrezikun

    Konsumuan karamele me kanabis: 3-vjeçarja në gjendje të rëndë, 2 motrat kalojnë rrezikun

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e djeshme në Korçë, ku tre motra të mitura, të moshave 3, 7 dhe 11 vjeç, janë paraqitur në gjendje të rënduar në repartin e Pediatrisë së Spitalit Rajonal, pasi dyshohet se kanë konsumuar karamele që përmbanin substanca narkotike të llojit kanabis, raporton JOQ.

    Shefi i repartit të Pediatrisë, dr. Robert Rado, ka konfirmuar sot se gjendja më e rëndë është ajo e vajzës 3-vjeçare, e cila për disa orë është mbajtur e intubuar dhe ndodhet nën vëzhgim të vazhdueshëm nga mjekët. Ndërkohë, motrat e saj, 7 dhe 11 vjeç, ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por kanë pasur simptoma të qarta të intoksikimit nga substanca narkotike.

    Sipas dr. Rados, ky është rasti i parë i këtij lloji në vend ku fëmijë kaq të vegjël preken nga konsumimi i produkteve që përmbajnë kanabis.

    “Vajza 10 vjeç në gjendje të mirë, vajza 7 vjeç me parametra normale. Vajza 3 vjeç në gjendje të rëndë për shkak të substancave që ndikojnë sistemin nervor. Karamelet kanë pasur përmbajtje kanabisi. Përdorja në mosha pediatrike është fatale. Në moshë të tillë nuk kemi pasur. Ishte rasti i parë. 3 vjeçarja ka dalë nga intubimi, ruan parametrat brenda normave. Këto substanca kanë efekt afatgjatë. Eleminohen deri në 15 ditë.

    Kanë konsumuar nga dy karamele. Analizat laboratorike do të tregojnë nivelin e narkotikëve në gjak”, tha mjeku pediatër.

    Mjekët paralajmërojnë për rrezikun serioz që këto substanca paraqesin për moshat pediatrike, veçanërisht kur konsumohen pa dijeni nga fëmijët.

    Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur origjinën e karameleve. Dyshohet se ato mund të jenë gjetur në ambientet publike pranë lagjes nr. 16 në Korçë. Autoritetet po këqyrin kamerat e sigurisë në bizneset e zonës për të kuptuar nëse fëmijët i kanë marrë ato aksidentalisht nga ndonjë kazan plehrash apo janë futur në kontakt me to në rrethana të tjera.

  • A e dini pse kafeja shkakton ankth tek disa njerëz?

    A e dini pse kafeja shkakton ankth tek disa njerëz?

    Për shumë njerëz, kafeja është burim energjie, një pushim i këndshëm ose një mënyrë për të krijuar një lidhje shoqërore. Megjithatë, konsumi i saj mund të shkaktojë ankth dhe nervozizëm tek disa persona.

    Dhe sipas një studimi, njerëzit që janë më të prirur të ndiejnë shqetësime të tilla janë ata që nuk pinë rregullisht kafe.

    Kafeina dhe nervozizmi

    Kafeina mund të shkaktojë një rritje të perceptimit duke stimuluar trurin. Ky efekt e bën një person më të vetëdijshëm për gjërat që mund ta bezdisin, duke rritur kështu nervozizmin. Gjithashtu, kur dikush që është mësuar të konsumojë sasi të mëdha kafeine, përpiqet të heqë dorë ose të reduktojë sasinë e saj, mund të vihet re një rritje e nervozizmit.

    Kafeina dhe ankthi

    Ankthi është një ndjenjë shqetësimi. I njëjti proces kimik në tru që shkakton rritjen e vigjilencës mund të rrisë ankthin duke ju bërë më të vetëdijshëm për të gjitha rezultatet e mundshme negative në një situatë. Megjithatë ndikimi që kafeina ka tek ankthi dhe nervozizmi janë individuale. Njerëzit që nuk konsumojnë rregullisht kafeinë ose që përjetojnë shpesh momente ankthi dhe nervozizmi edhe nëse nuk pinë kafe, priren të kenë një përgjigje më të fortë ndaj efekteve të kafesë. Në këtë rast ekspertët rekomandojnë heqjen dorë gradualisht nga kafeina me hapa të ngadaltë por të qëndrueshëm. Në vend të kafesë ju mund të pini çajra të ndryshëm.

  • Një shqiptare triumfon në garën ndërkombëtare “Speaker Slam”, në Gjermani

    Një shqiptare triumfon në garën ndërkombëtare “Speaker Slam”, në Gjermani

    Dr. Alida Dauti Ramaj triumfoi me temën : “Infermierët janë diamantet e jetës së tyre dhe të sistemit shëndetësor”

    Në Gjermani u zhvillua një nga garat më prestigjioze të të folurit publik në botë, “Speaker Slam”, ku morën pjesë përfaqësues nga 22 shtete të ndryshme. Në këtë skenë ndërkombëtare, Dr. Alida Dauti Ramaj, shqiptare e lindur dhe e rritur në Shqipëri, me formim akademik në Gjermani dhe Zvicër, u shpall fituese me një fjalim që u veçua për mesazhin e tij vizionar dhe fuqinë emocionale.

    “Speaker Slam” është një kompeticion unik, i cili i jep çdo folësi vetëm 240 sekonda kohë për të përcjellë historinë dhe mesazhin e tij. Mes dhjetëra performancave të mbushura me energji e ide novatore, fjalimi i Dr. Ramajt u dallua për qartësinë e vizionit dhe thirrjen e saj të drejtpërdrejtë në mbështetje të një prej profesioneve më jetike: infermierisë.

    Me temën “Infermierët meritojnë të jenë diamant i jetës së tyre dhe i sistemit shëndetësor”, ajo theksoi se fuqizimi i infermierëve nis nga ndërgjegjësimi i tyre për vlerat personale:
    “Vetëm kur një infermier përdor pikat e tij të forta dhe talentet individuale, ai mund të ndërtojë një jetë të sigurt, të pavarur dhe të suksesshme. Vetëm atëherë bëhet burim force, jo vetëm për veten, por edhe për mijëra pacientë.”

    Pjesëmarrja e saj, e realizuar përmes një udhëtimi të posaçëm nga Zvicra drejt Gjermanisë, ishte një dëshmi e përkushtimit dhe e besimit në fuqinë transformuese të fjalës publike. Sipas saj, kjo fitore nuk përfaqëson thjesht një arritje personale, por është një mesazh universal për infermierët shqiptarë në çdo cep të botës: të kujdesen fillimisht për veten, në mënyrë që të kenë kapacitetin të shërojnë të tjerët dhe të jenë shtylla e sistemit shëndetësor.

    Përveçse fituese në këtë skenë prestigjioze, Dr. Alida Dauti Ramaj është autore e librave “Unë jam ëndrra ime” dhe “Macja me emrin Paraja”. Ajo ka krijuar dy instrumente inovative për zhvillim personal: “Fletorja e Sukseseve”, e cila synon forcimin e vetëbesimit, dhe “Fabrika e Shanseve”, një udhërrëfyes praktik drejt arritjes së objektivave të përditshme.

  • ABC pezullon pa afat emisionin e Jimmy Kimmel pas komenteve të tij për Charlie Kirk

    ABC pezullon pa afat emisionin e Jimmy Kimmel pas komenteve të tij për Charlie Kirk

    Disney’s ABC ka hequr nga transmetimi emisionin e natës vonë të Jimmy Kimmel, pa afat, mes polemikave për komentet e tij të fundit lidhur me vrasësin e dyshuar të Charlie Kirk.

    “Jimmy Kimmel Live do të ndërpritet pa afat,” tha një zëdhënës i ABC, duke mos dhënë detaje të tjera. Përfaqësuesi i Kimmel nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

    Njoftimi i papritur erdhi të mërkurën në mbrëmje.

    Kompania Nexstar tha se “kundërshton fuqishëm komentet e fundit të Kimmel lidhur me vrasjen e Charlie Kirk” dhe se do ta zëvendësojë emisionin me programe të tjera në tregjet ku operon me stacionet e lidhura me ABC.

    Ndërkohë, kryetari i Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), i afërt me Trump, të mërkurën kërcënoi se do të “marrë masa” kundër Disney dhe ABC për komentet e fundit të Jimmy Kimmel mbi vrasësin e dyshuar të Charlie Kirk.

    Çfarë tha Jimmy Kimmel?

    Ai tha se aleatët e Presidentit Donald Trump po përpiqeshin që “bandës MAGA” t’i atribuohen vlera politike nga vrasja, duke bërë gjithçka për të marrë përfitime politike nga rasti.

    Po ashtu, ai kritikoi reagimin e Trump ndaj incidentit, duke thënë se nuk ishte reaguar me unitet, siç kishte bërë ndonjëherë presidentë të tjerë.

    Këto komente ishin “ofenduese dhe të pandjeshme”, veçanërisht në një kohë me tensione politike kombëtare.

  • Gjykata refuzon kërkesën për arrest shtëpiak ndaj katër zyrtarëve policorë

    Gjykata refuzon kërkesën për arrest shtëpiak ndaj katër zyrtarëve policorë

    Gjykata Themelore në Mitrovicë njofton se ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj katër zyrtarëve policorë të dyshuar për veprën penale “Manipulimi me prova”.

    Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve Q.K., B.M., L.T. dhe F.A. për veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
    “Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, kundërshtimeve dhe argumenteve të paraqitura nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, si dhe analizimit të të gjitha shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se nuk ka nevojë për caktimin e ndonjë mase”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

    Në komunikatë shtohet se “me lënien në liri të të pandehurve do të arrihet qëllimi i sigurimit të pranisë së tyre në procedurë dhe kjo nuk do të ndikojë në pengimin apo vonimin e zhvillimit të suksesshëm të çështjes penale”.

  • 26 vjet nga themelimi i TMK-së

    26 vjet nga themelimi i TMK-së

    Sot bëhen 26 vjet nga themelimi i TMK-së, ku sipas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë, ishte paraparë çarmatimi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transformimi i saj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

    Me hyrjen e trupave ushtarake të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë në vitin 1999 filloi edhe transformimi i UÇK-së, duke përfunduar në vitin 2000.

    Udhëheqës i parë i TMK-së u emërua Gjeneral-lejtnant, Agim Çeku. Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet.

    TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit, që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.

    Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradi, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TKM-së, dhe krijimi i një force të re.

    “Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës. Ato do të shpërndahen 1 vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje”, shkruhej në Planin e Ahtisaarit.

    Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj. Më 21 janar 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

    Para shtatë vitesh FSK është shndërruar në ushtri të Kosovës, kurse Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes.

  • Elshani: Qytetarët pa dokumente të Kosovës së shpejti do të duhet të paraqiten në polici me të hyrë në Kosovë

    Elshani: Qytetarët pa dokumente të Kosovës së shpejti do të duhet të paraqiten në polici me të hyrë në Kosovë

    Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se Ligji për të Huajt ka qenë gjithmonë në fuqi në Kosovë, por se zbatimi i tij do të fillojë së shpejti për pjesën që ka të bëjë me detyrimin për t’u paraqitur në stacionet e policisë brenda tre ditëve nga hyrja në Kosovë, për të bërë të ditur se ku po qëndrojnë.

    Të huajt në këtë rast përfshijnë serbët pa dokumente të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

    “Policia do t’i informojë qytetarët se kur raportimi do të jetë i detyrueshëm”, tha Elshani të enjten për Kosovo-Online.

    Për t’i informuar ata, shton ai, ka filluar të shpërndahet një broshurë, përkatësisht “Udhëzuesi për Hyrjen, Lëvizjen, Qëndrimin dhe Punësimin e të Huajve në Republikën e Kosovës”.

    Nëse policia identifikon persona që nuk e kanë përmbushur këtë detyrim, pohon Elshani më tej, të dhënat e tyre do t’i dërgohen policisë kufitare, e cila është përgjegjëse për lëshimin e gjobave.

    Në rastin kur dikush vjen nga Serbia në Kosovë me autobus për të vizituar kishat ose ndonjë vend tjetër, shton ai, policia merr informacion përmes komandës në Prishtinë dhe më pas nuk është problem të qëndrojë në Kosovë për një javë, dhe kur dikush vjen individualisht në një hotel, atëherë, sipas tij, është detyrim i pronarit të hotelit të informojë policinë brenda dy ditësh.

    “Por njerëzit që jetojnë dhe punojnë këtu duhet të raportojnë në polici ku do të marrin një formular. Kjo nuk është ndonjë problem i madh për t’u bërë”, tha zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin verior.

    Ai shpjegon se lejet afatshkurtra, të përkohshme, si dhe të përhershme lëshohen për qëndrim në Kosovë.

  • Rohde: Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, por disa shtete të BE-së janë ende skeptike

    Rohde: Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, por disa shtete të BE-së janë ende skeptike

    Ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur rreth sanksioneve ndaj Kosovës.

    “Thuhet se veprimet shqetësuese vendosin sanksione në Kosovë, për shkak të obligimeve. Sepse nëse jo, ndodhin shtrëngime në raporte, dhe kjo do të thotë se gjendja nuk është në rregull. Por kjo s’do të thotë se Gjermania nuk është partner i ngushtë me Kosovës, sepse jemi dhe do të jemi”, tha ai.I pyetur se a po trajtohet “fer” Kosova lidhur me masat e BE-së ndaj saj, Rohde thotë se sanksionet janë targetuar tek njerëzit e gabuar.
    Megjithëse, sipas tij, të njëjtat nuk po hiqen për shkak se disa vende në Bashkimin Evropian janë ende skeptikë.“E dini, mund ta lexoni në çdo deklaratë, se bëjmë apel për ndjekje penale të Milan Radoiçiqit, por kjo nuk ka ndodhur, dhe ndoshta kjo është ndër arsyet pse nuk përparojnë bisedimet BE-Serbi. Ne duam që sundimi i ligjit të zbatohet”, tha ambasadori në largim.
    “Masat, dua të them se Gjermania, pozita jonë është dhe mbetet që masat duhet të hiqen, sepse ato i kanë targetuar njerëzit e gabuar. [Pse nuk po hiqen?] Sepse janë disa vende në BE që janë skeptike, ato janë dashur të hiqen vitin e kaluar, dhe përsëri ka pasur disa masa kundër institucioneve”, tha tutje Rohde.

  • Talebanët ndalojnë librat e shkruara nga gratë në universitete

    Talebanët ndalojnë librat e shkruara nga gratë në universitete

    Qeveria talebane në Afganistan ka ndërmarrë një tjetër hap drastik drejt kufizimit të të drejtave dhe arsimit, duke ndaluar përdorimin e librave të shkruar nga gratë në sistemin universitar.

    Sipas raportimeve nga BBC, vendimi përfshin ndalimin e rreth 140 librave të autorëve femra, mes tyre edhe tituj shkencorë si “Siguria në Laboratorin Kimik”.

    Në total, 680 libra janë përjashtuar nga programet mësimore për shkak të përmbajtjes që konsiderohet “në kundërshtim me Sheriatin” dhe “politikën e talebanëve”. Për më tepër, universiteteve iu ndalua të japin mësim në 18 lëndë të ndryshme, përfshirë të drejtat e njeriut dhe temat mbi ngacmimin seksual.

    Një zyrtar taleban u shpreh se këto materiale ishin “kundër vlerave islame”, ndërsa kritikët e shohin këtë si një tjetër hap drejt fshirjes së grave nga sfera publike dhe edukative në vend.

    Që nga rikthimi në pushtet në vitin 2021, talebanët kanë vendosur kufizime të rënda ndaj grave dhe vajzave, duke përfshirë ndalimin e shkollimit pas klasës së gjashtë dhe përjashtimin e tyre nga universitetet dhe shumica e vendeve të punës.