ATV

Author: ATV

  • Presidenti turk Erdogan niset për në SHBA, thotë se do t’i diskutojë “masakrat” e Gazës në OKB

    Presidenti turk Erdogan niset për në SHBA, thotë se do t’i diskutojë “masakrat” e Gazës në OKB

    Presidenti turk, RecepTayyip Erdogan, ka thënë të dielën se do të ngrejë temën e “masakrave” të Izraelit në Rripin e Gazës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe ka shprehur shpresën se njohja më e gjerë e Palestinës do të përshpejtonte përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.

    Duke folur me gazetarët para se të nisej për në Nju Jork, Erdogan ka thënë se do të diskutojë bashkëpunimin në tregti dhe industrinë e mbrojtjes me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe se do të takohej gjithashtu me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, gjatë udhëtimit të tij.

    Më 22 shtator, Kombet e Bashkuara do të rifillojnë Konferencën Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë për Zgjidhjen Paqësore të Çështjes së Palestinës dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete, të bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite.

    Konferenca do të riafirmojë angazhimet ndërkombëtare ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe do të kërkojë të mobilizojë mbështetje për zbatimin e saj.

  • Shqiptarja nga Kosova dënohet në Zvicër për mashtrim, shtatë burrave dhe një gruaje ua mori gati 1 milion franga

    Shqiptarja nga Kosova dënohet në Zvicër për mashtrim, shtatë burrave dhe një gruaje ua mori gati 1 milion franga

    Një grua 39-vjeçare me shtetësi zvicerano-kosovare është dënuar me katër vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Qarkut në Baden, pasi mashtroi shtatë burra dhe një grua duke u marrë pothuajse 1 milion franga zvicerane.

    Sipas aktakuzës, ajo përdori gënjeshtra të qëllimshme për të marrë para, duke u justifikuar me paga të rreme ose nevoja urgjente, dhe premtonte se do t’i kthente shumat.

    Paratë i shpenzoi për lojëra fati, si dhe për artikuj luksi, përfshirë një orë Rolex, të cilën e raportoi si të vjedhur pasi e kishte lënë peng.“Kemi mbetur të habitur që keni arritur të merrni kaq shumë para. Është e pabesueshme,” u shpreh kryetari i trupit gjykues, sipas Aargauer Zeitung.

    Rasti është një tjetër shembull që tregon se Zvicra vazhdon të jetë e prekshme ndaj rasteve të mashtrimit individual.

  • Aksident me fatalitet në Gjakovë, vetura del nga rruga dhe përfundon në një restorant

    Aksident me fatalitet në Gjakovë, vetura del nga rruga dhe përfundon në një restorant

    Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën Wesley Clark në Gjakovë, rreth orës 23:16.

    Sipas informacioneve zyrtare, viktima mashkull kosovar, ka qenë duke drejtuar automjetin e tij me targa vendore kur në një moment ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka dalë jashtë rrugës.

    Automjeti ka goditur një rrethojë metalike dhe ka përfunduar brenda hapësirës së një restoranti, ku si pasojë e përplasjes shoferi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e këtij aksidenti tragjik.

  • Çitaku: Zgjedhjet e reja të pashmangshme, pritet të mbahen në fund të vitit 2025

    Çitaku: Zgjedhjet e reja të pashmangshme, pritet të mbahen në fund të vitit 2025

    Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka deklaruar se zgjedhjet e reja parlamentare janë të pashmangshme dhe sipas saj mund të mbahen kah fundi i vitit 2025.

    Në një intervistë për KosovaPress, Çitaku tha se kriza aktuale politike nuk mund të zgjidhet ndryshe, por paraprakisht duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për hapat që duhen ndërmarrë nga Kuvendi i Kosovës. Ajo shtoi se teknikisht është e pamundur që zgjedhjet të mbahen para përfundimit të balotazhit të zgjedhjeve lokale të tetorit.

    “Zgjedhjet e reja parlamentare janë bërë të pashmangshme. Është humbur shumë kohë. Zoti Kurti i ka humbur Kosovës jo vetëm këto muaj pa institucione, por edhe vite të tëra, duke vendosur popullizmin para qeverisjes së përgjegjshme dhe duke zgjedhur konfrontimin në vend të koordinimit me aleatët”, tha Çitaku.

    Kosova vazhdon të mos ketë institucione funksionale edhe tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke u ndaluar deputetëve të ndërmarrin hapa për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit.

    Çitaku gjithashtu komentoi edhe procesin e konstituimit të Kuvendit, duke kujtuar se pavarësisht zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve, posti i nënkryetarit nga komuniteti serb mbeti vakant. Ajo tha se rregullorja e miratuar nga legjislatura e kaluar – kur Vetëvendosje kishte shumicën – parashikon votimin në pako të nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë, dhe se kjo nuk nënkupton kushtëzim apo veto të Listës Serbe.

    Në lidhje me zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Çitaku shprehu bindjen se PDK-ja do të ruajë komunat që aktualisht udhëheq, duke paralajmëruar edhe fitore në komuna të tjera, përfshirë Prishtinën.

    Ajo u bëri thirrje të rinjve të ndjekin me vëmendje dëshminë e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

  • Kronika zgjedhore: Dita 8 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 8 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e tetë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Zbulohet plantacion i kanabisit në Dumnicë të Podujevës – 4 të arrestuar

    Zbulohet plantacion i kanabisit në Dumnicë të Podujevës – 4 të arrestuar

    Një rast i kultivimit të bimëve narkotike është zbuluar pasditen e së shtunës në fshatin Dumnicë e Poshtme të Podujevës.

    Gazeta Sinjali raporton se rreth orës 17:30, policia në bashkëpunim me DHTN Prishtinë dhe Prokurorin e Shtetit ka bastisur pronën e M. B rreth 52-vjeçar, ku ka hasur në një sipërfaqe prej rreth 1 hektari të mbjellë me misër dhe bimë të kanabisit.

    Në vendin e ngjarjes janë arrestuar katër persona: M. B. rreth 52-vjeçar dhe i biri D. B. rreth 26-vjeçar, si dhe dy shtetas të Shqipërisë, Xh. Xh rreth 33-vjeçar dhe K.S. rreth 16-vjeçar. Njëri prej tyre, Xh, u kap duke fjetur në ara dhe tentoi të ikte, por u arrestua dhe u dërgua në QKMF Podujevë për trajtim të lëndimeve të lehta.

    Të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa për të miturin ka qenë i pranishëm edhe punëtori social.

    Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, tre të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri me vendim të Prokurores për të Mitur, është ndaluar për 24 orë.

    Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

  • Vdes në moshë të re piloti shqiptar në Francë

    Vdes në moshë të re piloti shqiptar në Francë

    Ka vdekur në moshë të re, Ajet Gashi nga Barani i Pjeës.

    I ndjeri ishte pilot i suksesshëm në aviacionin në Francë.

    Varrimi i tij do të bëhet të dielën, më 21 shtator 2025, pas namazit të drekës, në Varrezat e Zllatarit, Lagjja Mat, në Prishtinë.

    Në njoftim thuhet se pamja do të mbahet të hënën, më 22 shtator 2025, në Hotel Grand, Prishtinë, nga ora 09:00 deri në 17:00.

  • Operacion policor në tri lokacione në Vushtrri – arrestohen katër persona

    Operacion policor në tri lokacione në Vushtrri – arrestohen katër persona

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri për kontrollin e shtëpive të katër (4) personave të dyshuar, ku që nga orët e hershme të mëngjesit janë kontrolluar gjithsej tri (3) lokacione, dy (2) në fshatin Ropicë të Vushtrrisë dhe një (1) lokacioni në qytetin e Vushtrrisë.

    Nga ky operacion policor janë arrestuar tre (3) persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “Detyrimi”, si dhe një (1) person i cili ka qenë në arrati për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor“ dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria“.
    Me vendim të prokurorit, katër (4) të pandehurit ndalohen për 48 orë, ndërkaq operacioni është duke vazhduar.

  • Osmani e nis vizitën në SHBA në takim me mërgatën

    Osmani e nis vizitën në SHBA në takim me mërgatën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur vizitën në SHBA me një takim me mërgatën tonë në Waterbury, Connecticut.

    E para e vendit ka falëndëruar për mikpritjen dhe dashurinë që mbajnë gjithmonë për vendlindjen.

    “Mirënjohje të veçantë për Shoqatën “Hasan Prishtina” dhe për bashkëkombësit tanë për pjesëmarrjen”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

  • Moti sot, temperaturat shkojnë deri në 31 gradë

    Moti sot, temperaturat shkojnë deri në 31 gradë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot stabil, i nxehtë dhe me diell. Temperaturat nuk pritet të kenë ndonjë ndryshim të madh. Minimalja parashihet të jetë 11 gradë Celsius, kurse maksimalja pritet të arrijë deri në 31 gradë Celsius.

    Në Shqipëri dhe rajon sot pritet të mbajë mot me diell, i nxehtë dhe stabil. Temperaturat do të vazhdojnë të jenë verore në gati të gjitha viset, ndërsa në zonat më të nxehta pak mbi 30 gradë Celsius.

    Fillimi i javës së re pritet të karakterizohet me mot të kthjellët, stabil dhe të nxehtë veror. Për reshje atmosferike as që bëhet fjalë.