ATV

Author: ATV

  • SHBA: Amendament në Kongres me prioritet anëtarësimin e Kosovës në NATO

    SHBA: Amendament në Kongres me prioritet anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kongresisti amerikan propozon amendament për ta bërë anëtarësimin e Kosovës në NATO prioritet të SHBA-së

    Kongresisti republikan Brian Mast ka paraqitur një amendament në Kongresin amerikan, i cili synon ta vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës së Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Kjo nismë, e mbështetur edhe nga kongresisti Keith Self, është cilësuar nga organizata “Albanians for America” si ndër zhvillimet më të rëndësishme për rajonin që nga viti 2002.

    Amendamenti përfshin disa pika kyçe, si: prioritet në emërimin e ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit, mbështetje të qartë për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në NATO, si dhe rekomandime për forcimin e sigurisë energjetike rajonale – përfshirë zgjerimin e rrjeteve të tubacioneve në Kroaci dhe zëvendësimin e energjisë ruse me burime alternative.

    Gjithashtu, nisma parasheh mbështetje për implementimin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në Kosovë, inkurajimin e Shqipërisë dhe Kosovës për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s. Një element tjetër është vazhdimi i programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare, duke përfshirë pajisje moderne inspektimi në pikën kufitare të Merdarit me Serbinë për të parandaluar trafikun e armëve të paligjshme.

    Organizata “Albanians for America” e ka përshëndetur këtë hap, duke e quajtur “historik” dhe duke theksuar se për herë të parë pas dy dekadash, Kosova dhe Ballkani Perëndimor po vendosen në prioritet të politikës amerikane.

    Amendamenti është pjesë e një procesi ligjor që duhet të shqyrtohet nga komisionet përkatëse dhe më pas të votohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Vetëm pas miratimit në të dyja dhomat, ai mund të hyjë në fuqi si pjesë e ligjit ose udhëzimit zyrtar të politikës së SHBA-së.

  • FSK vlerësohet për performancën në SATMO-n e Amerikës

    FSK vlerësohet për performancën në SATMO-n e Amerikës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së ShBA-së (SATMO), kolonel Thomas Melton.

    Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit u vlerësuan të arriturat e deritanishme të ushtrisë kosovare dhe performanca e lartë e pjesëtarëve gjatë aktiviteteve të përbashkëta me ekipet e SATMO-s.

    Bisedimet përfshinë edhe mbështetjen e vazhdueshme të ekipeve amerikane në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesin e validimit të njësive të FSK-së, si pjesë e planit të zhvillimit të forcës.

    “Gjithashtu u diskutua për planin trevjeçar të aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen në të ardhmen, ku roli i ekipeve të SATMO-s është i jashtëzakonshëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja të FSK-së”, thuhet në njoftim.

    Në përmbyllje, u theksua rëndësia e madhe e mbështetjes nga ekipet trajnuese të SATMO-s për avancimin e profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

  • Kurti: Shqetësuese shkelja e hapësirës ajrore nga Rusia, Kosova mbështet Estoninë

    Kurti: Shqetësuese shkelja e hapësirës ajrore nga Rusia, Kosova mbështet Estoninë

    Tre avionë luftarakë rusë, MiG-31, kanë hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë më 19 shtator, disa orë pasi Komisioni Evropian propozoi paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Shumë liderë europianë dënuan këto akte të Rusisë dhe prapa me reagim nuk mbeti as kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    “Lajmi për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia është shumë shqetësues. Kosova solidarizohet me Estoninë gjatë kësaj kohe”, ka shkruar Kurti në X.

    Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ish-kryeministre estoneze, akuzoi Moskën për një “provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe tha se shkelja e fundit ruse e kufijve lindorë të NATO-s “përshkallëzon më tej tensionet në rajon”.

    Estonia ka kërkuar zyrtarisht një konsultim sipas Nenit 4 të NATO-s.

    Ky mekanizëm i lejon çdo vendi anëtar të paraqesë zyrtarisht një çështje për shqyrtim nga organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, Këshilli i Atlantikut të Veriut, për të diskutuar hapat e mëtejshëm me aleatët.

    Konsultimet zhvillohen kur “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria” e ndonjë prej vendeve anëtare është e kërcënuar.

    Ky nen nuk duhet ngatërruar me Nenin 5, gur-themelin e aleancës, i cili përcakton se një sulm i armatosur ndaj një anëtari të NATO-s konsiderohet si akt dhune ndaj të gjithë anëtarëve dhe kërkon ndihmë për vendin e prekur.

    Diskutimet e nisura nga Neni 4 mund të “çojnë potencialisht në një vendim ose veprim të përbashkët”, sipas NATO-s, por rezultatet varen nga konsensusi mes vendeve anëtare.

    Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, ka deklaruar se Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar më në detaje incidentin.

  • Macron: Franca do ta njohë shtetin e Palestinës të hënën në Nju Jork

    Macron: Franca do ta njohë shtetin e Palestinës të hënën në Nju Jork

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar se vendi i tij do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës të hënën, gjatë një takimi në Nju Jork.

    Përmes një postimi në platformën X, Macron tha se ka biseduar me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin që çoi në arrestimin e njërit prej organizatorëve kryesorë të sulmit terrorist në Rue des Rosiers, në Paris.

    “Ne ramë dakord të punojmë për të siguruar ekstradimin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur. Duke marrë parasysh urgjencën e jashtëzakonshme të situatës në Gaza dhe në territoret palestineze, i përsërita Presidentit Abbas synimin tim për ta njohur Shtetin e Palestinës të hënën në Nju Jork”, ka shkruar Macron.

    Ai e cilësoi këtë hap si pjesë të një plani gjithëpërfshirës paqeje për rajonin, që synon përmbushjen e aspiratave të të dyja palëve – izraelite dhe palestineze – për siguri dhe stabilitet.

    Sipas Macron, Abbas ka rikonfirmuar përkushtimin e tij për të ndërmarrë reformat e nevojshme që synojnë rinovimin e qeverisjes palestineze dhe përballjen me sfidat për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm.

    “Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrah autoriteteve palestineze në këtë rrugëtim dhe do të sigurohemi që angazhimet e marra të përmbushen, për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, ka theksuar Macron në deklaratën e 19 shtatorit 2025.

  • Alban Skënderaj sjell koncertin madhështor në Prishtinë

    Alban Skënderaj sjell koncertin madhështor në Prishtinë

    Alban Skënderaj ka rritur pritshmëritë e fansave me një njoftim të ri për rikthimin e turit “MOTIV”.

    Përmes një postimi në Instagram, ai bëri të ditur se turneu do të zhvillohet së shpejti në Kosovë, Greqi dhe Angli, sipas këtij renditjeje.

    “Me emocion të madh ju njoftoj se ‘MOTIV’ vjen së shpejti në Kosovë, Greqi dhe Angli. Premtoj se do të jenë tre nga koncertet më të bukura të karrierës sime! Datat do të publikohen shumë shpejt!”, ka shkruar Skënderaj.

    Koncerti i fundit i këtij turi u mbajt në Milano më 14 maj dhe u prit me entuziazëm nga publiku shqiptar dhe jo vetëm. Fansat tashmë presin datat dhe qytetet specifike, ndërsa këngëtari premton se fazat e reja të turit do të sjellin emocione të veçanta.

  • 24 orëshi i Policisë: 38 aksidente trafiku dhe mbi dy mijë gjoba të shqiptuara

    24 orëshi i Policisë: 38 aksidente trafiku dhe mbi dy mijë gjoba të shqiptuara

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në vendin tonë. Si një ndër masat më të zakonshme parandaluese, policia po vazhdon të shqiptojë gjoba ndaj shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit.

    Statistikat e fundit tregojnë se vetëm gjatë kësaj periudhe janë lëshuar mijëra gjoba. Nga ana tjetër, policia njofton se nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet, por janë regjistruar 25 aksidente me të lënduar dhe 38 me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2571 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 22 persona, prej të cilëve 12 ka dërguar në mbajtje.

  • Kronika zgjedhore: Dita 7 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 7 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e shtatë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Dua Lipa rrëmben vëmendjen me paraqitjen e saj në Nju Jork

    Dua Lipa rrëmben vëmendjen me paraqitjen e saj në Nju Jork

    Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, u pa të enjten duke shëtitur në New York me një paraqitje plot ngjyra.
    Ajo kishte veshur një fund të gjatë portokalli nga Gucci, të kombinuar me një bluzë të shkurtër gri që zbulonte barkun e saj të tonifikuar.

    Artistja 30-vjeçare kompletoi stilin veror me taka të larta ngjyrë argjendi dhe një çantë të vogël në të njëjtën ngjyrë, ndërsa pamjen e zbukuroi me aksesorë të shumtë si byzylykë të mëdhenj, vathë të rrumbullakët dhe unaza argjendi.

    Dua ndodhet në SHBA për turneun e saj Radical Optimism Tour, i cili përfshin edhe disa dyqane të përkohshme në gjashtë qytete. Turneu do të mbyllet më 16 tetor në Seattle.

  • Nxirret trupi i pajetë i 57-vjeçarit nga Kosova që ra në lumin Moraça

    Nxirret trupi i pajetë i 57-vjeçarit nga Kosova që ra në lumin Moraça

    Një shtetas i Kosovës, A.M., 57 vjeç, ka humbur jetën në një aksident trafiku në Mal të Zi.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në qytetin Bezdan, në rrugën Podgoricë–Kolashin, kur kamioni që ai po drejtonte me targa të Kosovës doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Moraça.

    Ekipet e shpëtimit arritën ta nxjerrin trupin e viktimës të premten.

    Sipas Zyrës së Prokurorit Themelor, me urdhër të prokurorit trupi është dërguar për autopsi në Departamentin e Patologjisë të Qendrës Klinike.

    Shkaku i aksidentit pritet të përcaktohet gjatë hetimeve.

    Policia njoftoi për aksidentin rreth orës 22:00, mes tuneleve 11 dhe 12. Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve të natës, ekipet nuk mundën ta nxirrnin menjëherë kamionin nga lumi.

  • Qeveria miraton 904 mijë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente dhe izolimin e shtëpive

    Qeveria miraton 904 mijë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente dhe izolimin e shtëpive

    Qeveria e Kosovës ka miratuar bartjen e 904 mijë eurove nga Pako për përballje me krizën energjetike, pasi më parë kishte pranuar mjetet nga Bashkimi Evropian për ta përmbyllur me sukses disbursimin e fondeve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023).

    Ministrja Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli njoftoi se me ndarjen e këtyre mjeteve do të bëhet disbursimi i subvencioneve për pajisje efiçiente ngrohëse nga thirrja e fundit, që tashmë janë trajtuar dhe miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe trajtimi i listës së pritjes së thirrjes së fundit për izolim të shtëpive nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

    Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё do të ndërmarrin hapat e mëtejmë për këto procese në kohën më të shkurtër të mundshme.

    Prej vitit 2022, fillimisht përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë e tutje me mbështetje të Bashkimit Evropian, janë përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës në mbarë vendin.

    Ministria e Ekonomisë, falënderon Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe besimin që e bën të mundur realizimin e programeve të tilla, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.