ATV

Author: ATV

  • Lajm i mirë për shqiptarët: Lumi Vjosa zyrtarisht në UNESCO

    Lajm i mirë për shqiptarët: Lumi Vjosa zyrtarisht në UNESCO

    Lumi i Vjosës është përfshirë zyrtarisht në listën e pasurive të mbrojtura nga UNESCO. Lajmin e ka dhënë sot në mëngjes Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e cila e konsideron një krenari për gjithë shqiptarët, dhe kurorëzim i ëndërruar i një pune katër vjeçare në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

    Nuk mund të ishte më e bukur kjo e shtunë se sa me lajmin që vjen UNESCO duke kurorëzuar siç e ëndërronim një punë 4-vjeçare, ku Vjosa është përfshirë zyrtarisht në programin “Njeriu dhe Biosfera”, duke u bërë pjesë e listës së trashëgimisë botërore.

    Lajmi i bukur për të gjithë Shqiptarët u dha nga Kina, në Kongresin Botëror mbi Rezervat e Biosferës, ku jam shumë e lumtur që flamurin shqiptar atje e ngrenë disa prej kryetarëve të bashkive buzë Vjosës dhe Drejtuesja e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, që jetojnë çdo ditë pranë lumit dhe kujdesen për të. Mirënjohje me gjithë zemër skuadrës së Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me të cilët bëmë një punë shumë intensive dhe voluminoze, si edhe ekspertëve të UNESCO-s, Drejtoreshës së Përgjithshme Audrey Azoulay me të cilën vizituam të gjithë luginën e Vjosës në vitin 2023, duke krijuar një tjetër krenari botërore për gjithë Shqiptarët!”, shkruan Mirela Kumbaro, duke publikuar edhe dokumentin e nënshkruar sot nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO Audrey Azoulay.

    Ky vendim u mor në Kongresin Botëror mbi Rezervat e Biosferës dhe Këshillit Ndërkombëtar të Koordinimit të programit “Njeriu dhe Biosfera”.

  • Çeku i reagon Ramës, kërkon ‘ballafaqim’ për Prishtinën pa kandidatët tjerë

    Çeku i reagon Ramës, kërkon ‘ballafaqim’ për Prishtinën pa kandidatët tjerë

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, tha se në debat e ka ftuar vetëm kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Rama, i cili edhe në këto zgjedhje lokale është në garë për një mandat të dytë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Çeku e akuzoi Ramën se në ftesën e tij për t’u përballur të gjithë kandidatët që janë në garë për kryeqytetin në një debat televiziv, po tenton të fshihet pas tyre.

    “Kryetar Rama, jam i sigurt që e ke kuptuar fort mirë ftesën time. Është mirë të mos fshihesh pas kandidatëve të tjerë. Unë të ftova për debat ku jemi vetëm ne të dy dhe moderatori. Ke qeverisë katër vjet me Prishtinën, më ke akuzuar për bllokadë. Ky është momenti i së vërtetës. Le të ballafaqohemi, le t’i shpalosim platformat tona. Këtë ia kemi borxh për borxh qytetarëve të Prishtinës. Të lutem edhe një herë, caktoje ditën, zgjidhe studion, aty do të jem”, ka thënë Çeku në një video drejtuar Ramës.

    Më herët, Rama i ka ftuar të gjithë kandidatët në debat.

    Madje, Rama e ka caktuar edhe datën. Ka thënë se më 6 tetor, do të ishte ideale.

    “Absolutisht po, jam gati. Të gjithë së bashku, po e bëjmë, caktojmë këtu, po i sfidoj të gjithë. Patjetër që po. Me datën 6, i ftoj të gjithë kandidatët për kryetar të debatojmë”, kishte thënë Rama, raporton Gazeta Express.

  • Kurti në SHBA, i shoqëruar nga bashkëshortja viziton memorialin e 11 Shtatorit

    Kurti në SHBA, i shoqëruar nga bashkëshortja viziton memorialin e 11 Shtatorit

    Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Përmes një postimi në platformën ‘X’, Kurti ka njoftuar se gjatë vizitës në SHBA, ka bërë homazhe te memorialin e 11 shtatorit, duke shkruar se përkujtimi i kësaj date është gjithmonë një përvojë e dhimbshme.

    “Vizita në memorial sot ishte veçanërisht prekëse. Është e vështirë të kuptosh se si një qytet kaq i gjallë dhe me ritëm të shpejtë u godit nga një shkatërrim kaq i madh. Ky memorial nderon jo vetëm aktet e pashprehshme të trimërisë së njerëzve që shpëtuan njëri-tjetrin, por edhe humbjen e jashtëzakonshme: gati 3,000 jetë të humbura dhe dhjetëra mijëra që vazhdojnë të vuajnë nga sëmundje të lidhura me këtë ngjarje. Megjithatë, ai qëndron gjithashtu si një kujtesë e qëndrueshmërisë, unitetit dhe shpirtit të Nju Jorkut dhe Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Kurti.

  • “Vjehrri im, Presidenti Richard Nixon, ishte kushëri i nëntë me Mbretin Leka I të Shqipërisë”

    “Vjehrri im, Presidenti Richard Nixon, ishte kushëri i nëntë me Mbretin Leka I të Shqipërisë”

    Një nga figurat më interesante të Partisë Republikane të Shtetit të New York-ut foli në Darkën e Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC).

    Edward F Cox tha, në fillim të fjalës së tij, se sillte për AARC dhe shqiptarët e Amerikës përshëndetjet më të ngrohta nga Presidenti Donald J Trump, të cilin e përshkroi si “një mbështetës i fuqishëm i shqiptaro-amerikanëve që ka qendruar fort për lirinë dhe demokracinë”.

    “Jam krenar gjithashtu që sjell me vete një lidhje personale me historinë e Shqipërisë. Vjehrri im, Presidenti Richard Nixon, ishte kushëri i nëntë me Mbretin Leka I të Shqipërisë”, tha ai.

    “Presidenti Nixon ia kushtoi jetën e tij mbrojtjes së demokracisë në mbarë botën, sidomos në Evropën Lindore. Ai e kuptoi që fuqia dhe begatia e Amerikës ishin të lidhura ngushtë me përparimin e lirisë jashtë vendit”, tha ai, raporton illyria.com.

    “Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë në shekuj në krahun e duhur të lirisë. Në fakt, shqiptarët janë ndër popujt më proamerikanë në botë. Ata e dinë – thellë në historinë dhe përvojën e tyre – çfarë do të thotë që të luftosh për liri dhe të gëzosh demokracinë.

    E pamë këtë në mënyrën më të gjallë në luftën për pavarësinë e Kosovës. Shqiptaro-amerikanët luajtën një rol kaq shumë jetik për këtë kauzë dhe u mbështetën nga të gjithë krahët politikë këtu në Shtetet e Bashkuara – nga udhëheqës si Presidenti Bill Clinton dhe Senatori Bob Dole. Përkushtimi dypartiak për lirinë e Kosovës vijon dhe po vazhdon nën Presidentin Trump.

    Sot, ne gëzojmë që Shqipëria është anëtare e NATO-s, e sigurt nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara. Shqipëria është një vend i bukur, me kulturë dhe trashëgimi të pasur dhe jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah si aleatë.

    Por, është po aq e rëndësishme këtu në New York, ndjehemi krenarë për kontributet e shqiptaro-amerikanëve në çdo fushë – biznes, kulturë, shërbim publik, dhe jetën komunitare”, tha ai.

    “Suksesi juaj është suksesi i New York-ut, dhe arritjet tuaja janë një dëshmi e ëndrrës amerikane.

    Jam veçanërisht i kënaqur që ndodhem këtu me mikun tim të vjetër, Christopher Hyland. Për shumë vite Christopher ka luajtur një rol të veçantë në përparimin e kauzës së pavarësisë së Kosovës dhe vazhdon të jetë një mbështetës i palodhur për lirinë dhe begatinë e shqiptarëve sot.

    Dhe jam krenar që numërohem si një mik i Vehbi Bajramit, botues dhe kontraktor këtu në New York. Vehbiu është përfaqësues nga më të mirët e ëndrrës amerikane – një njeri që ka ndërtuar suksesin përmes punës së palodhur, integritetit, dhe shërbimit ndaj komunitetit të tij.

    Së bashku, lidhjet mes amerikanëve dhe shqiptarëve janë të forta, të rrënjosura në vlerat e përbashkëta dhe një dashuri e njëjtë për lirinë. Jam i nderuar që po festoj këtë miqësi me ju sot dhe jam i gatshëm të punojmë edhe më tej së bashku për të siguruar që të bëhet edhe më e fuqishme në vitet që do të vijnë.

    Faleminderit dhe Zoti e bekoftë komunitetin shqiptaro-amerikan, si dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

  • Kronika zgjedhore: Dita 14 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 14 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e katërmbëdhjetë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Gjenden mbetje mortore në Bjeshkët e Strellcit, dyshohet se janë të viktimave nga lufta

    Gjenden mbetje mortore në Bjeshkët e Strellcit, dyshohet se janë të viktimave nga lufta

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në lokacionin Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht u përkasin viktimave të luftës e të cilat ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.

    Sipas njoftimit, informatat janë pranuar nga qytetarë dhe më pas janë adresuar te Sektori i Policisë për Personat e Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe me IML-në, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it.

    “Me urdhër të Prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së”.

    “Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar ndaj zbardhjes së fatit të çdo personi të zhdukur dhe vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. U bëjmë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion të mundshëm që ndihmon në këtë proces”, thuhet në njoftim.

    Tutje, KQPZh tha se për çdo zhvillim të ri, publiku do të informohet menjëherë pas përfundimit të procedurave përkatëse.

  • Kronika zgjedhore: Dita 13 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 13 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e trembëdhjetë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me Kaja Kallas

    Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me Kaja Kallas

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

    Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet më të fundit në Republikën e Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e integrimit evropian të vendit.

    Presidentja Osmani ritheksoi se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet ndër prioritetet më të larta shtetërore.

    Ajo shprehu shqetësimin për masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si të padrejta dhe të dëmshme për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.

    Presidentja theksoi domosdoshmërinë e heqjes së këtyre masave, në mënyrë që të mos cenohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

    “Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka theksuar ajo.

    Presidentja Osmani, konfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë.

  • Begaj në OKB kërkon njohjen dhe vendin e Kosovës në Asamble

    Begaj në OKB kërkon njohjen dhe vendin e Kosovës në Asamble

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalimin e tij në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, vuri theksin te roli i Kosovës si kontribuuese e paqes dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dëshmuar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe vlerave demokratike.

    “Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Begaj.

    Ai kërkoi gjithashtu respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, integrimin e tyre, përdorimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e identitetit e kulturës së tyre.

    Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria promovon aktivisht dialogun, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin rajonal si rruga e vetme drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm. “Vizioni ynë është integrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ruajtja e vlerave demokratike. E ardhmja e rajonit tonë qëndron te bashkëpunimi, jo konflikti,” tha ai.

    Në vijim, Kreu i Shtetit kujtoi udhëtimin e Shqipërisë nga izolimi tek integrimi euroatlantik dhe theksoi përkushtimin për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në BE në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.

    Begaj nënvizoi gjithashtu përparimet e Shqipërisë në energjinë e pastër, mbrojtjen nga ndryshimet klimatike, transformimin digjital, arsimin, shëndetësinë dhe barazinë gjinore, duke e konsideruar gjithëpërfshirjen si rrugën e vetme drejt zhvillimit të qëndrueshëm, shkruan RTKlive.

    Ai kujtoi angazhimin e Shqipërisë në “Paktin për të Ardhmen” dhe theksoi se është koha që fjalët të kthehen në vepra për paqen, sigurinë, klimën, bashkëpunimin digjital dhe të drejtat e njeriut. “Shqipëria do të japë shembullin duke e përfshirë Paktin në Rishikimin tonë Vullnetar Kombëtar,” theksoi presidenti Begaj.

  • Plagoset një i mitur në Malishevë pas një mosmarrëveshjeje me dy të tjerë

    Plagoset një i mitur në Malishevë pas një mosmarrëveshjeje me dy të tjerë

    Një i mitur është plagosur me armë zjarri të mërkurën në fshatin Kijevë të Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje me dy të mitur të tjerë.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Rreth orës 15:45, në fshatin Kijevë të Malishevës, një i mitur është plagosur me armë zjarri pas një mosmarrëveshjeje me dy të mitur të tjerë. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Policia ka arrestuar dy të dyshuarit dhe ka sekuestruar një armë zjarri, ndërsa me autorizim të prokurorit po ndërmerren veprimet e mëtejme hetimore.”, ka deklaruar Elezaj.