ATV

Author: ATV

  • NATO forcon praninë në Baltik pas inkursioneve me dronë

    NATO forcon praninë në Baltik pas inkursioneve me dronë

    NATO ka “rritur vigjilencën” në Baltik, pasi Kopenhaga raportoi për një inkursion me dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës, tha një zëdhënës i aleancës ushtarake perëndimore.

    Masat e shtuara përfshijnë “disa platforma të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit dhe të paktën një fregatë kundërajrore” në rajonin në perëndim të Rusisë, tha zëdhënësi i NATO-s, Martin O’Donnell, gjatë një konference për media.

    O’Donnell tha se udhëheqja e NATO-s “ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësit danezë” lidhur me incidentet me dronë, që janë të fundit në një sërë shkeljesh të hapësirave ajrore të shteteve anëtare të aleancës.

    Shfaqjet misterioze të dronëve në Danimarkë dhe Norvegji që nga e hëna kanë detyruar autoritetet të mbyllin disa aeroporte. Danimarka ka lënë të kuptohet se pas dronëve mund të jetë e përfshirë Rusia.

    Disa shtete të NATO-s kanë thënë se avionët luftarakë dhe dronët rusë kanë shkelur hapësirat e tyre ajrore në Evropë gjatë javëve të fundit, duke e akuzuar Moskën se po e teston aleancën.

    Por, të enjten Moska mohoi çdo sugjerim se ajo qëndronte pas këtyre incidenteve me dronë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më 27 shtator paralajmëroi NATO-n se do të rrezikonte që të përballej me një “përgjigje vendimtare” nëse do të shfaqte “çfarëdo agresioni ndaj shtetit tim”./REL

  • Dy persona kapen në flagrancë duke tentuar të vjedhin tri tyrbe në Rahovec

    Dy persona kapen në flagrancë duke tentuar të vjedhin tri tyrbe në Rahovec

    Një incident i rëndë është shënuar gjatë natës në Rahovec.

    Me datë 28.09.2025, rreth orës 00:50, dy persona janë kapur në flagrancë nga sigurimi i Qendrës së Regjistrimit Civil, pasi kishin tentuar të kryejnë vjedhje në një objekt pranë vendit të punës së dëshmitarit, në rrugën “Sheh Mihedini”.

    Nga shikimi i kamerave të sigurisë është zbuluar se të njëjtit kishin tentuar të kryejnë vjedhje me mjete të forta edhe në tri objekte fetare (tyrbe) që gjenden në varrezat e qytetit, në rrugën “Fahri Fazliu” në Rahovec.

    Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të arrestuarit janë: L. M. rreth 25-vjeçar, I.H. rreth 15-vjeçar – i mitur.

    Pas intervistimit, në konsultim me Prokurorin e Departamentit të Përgjithshëm dhe atë për të mitur, është vendosur që L.M. të ndalohet për 48 orë, ndërsa i mituri të ndalohet për 24 orë.

    Rasti është duke u hetuar nga Sektori i Hetimeve, raporton Sinjali.

  • Vetëm 10% i shohin të gjitha: A mund t’i gjeni 13 kafshët në foto për 17 sekonda?

    Vetëm 10% i shohin të gjitha: A mund t’i gjeni 13 kafshët në foto për 17 sekonda?

    Fotografia e publikuar më poshtë është një iluzion optik, brenda të cilit janë fshehur 13 kafshë që mund t’i vërejnë vetëm ata me shikim të mprehtë.

    Madje thuhet se vetëm 10 për qind e njerëzve, arrijnë që brenda 17 sekondave t’i gjejnë të gjitha kafshët në fotografi

    Kafshët që me gjasë do t’i gjeni menjëherë janë elefanti, gomari, qeni, macja dhe miu. Por nëse shikoni më me vëmendje do të vëreni gjarprin e fshehur në bishtin e elefantit.

    Aty gjendet edhe një insekt, por kjo sfidë është e vështirë për faktin se janë vetëm 17 sekonda kohë për t’i gjetur të gjitha kafshët.

    Psikologët nga Universiteti i Glasgow, kanë bërë të ditur se iluzionet optike përmirësojnë shikimin dhe ju mundëson t’i gjeni edhe shkronjat më të vogla.

  • A keni tension të lartë të gjakut? Mund ta ulni atë natyrshëm me këto fruta

    A keni tension të lartë të gjakut? Mund ta ulni atë natyrshëm me këto fruta

    Një dietë e ekuilibruar e pasur me fruta mund të ndihmojë ndjeshëm në uljen e tensionit të gjakut dhe të mbështesë rrjedhën e shëndetshme të gjakut. Njerëzit me hipertension, ose presion të lartë të gjakut, mund të përfitojnë nga konsumimi i rregullt i boronicave, bananeve, shalqirit dhe frutave të tjera që përmbajnë fibra, vitamina, minerale dhe përbërës bimorë thelbësorë për shëndetin e zemrës, shkruan Health.

    Bananet
    Bananet janë një burim i shkëlqyer i kaliumit, një mineral që ndihmon në kontrollin e tensionit të gjakut. Marrja e pamjaftueshme e kaliumit mund të kontribuojë në zhvillimin e hipertensionit me kalimin e kohës. Marrja e rekomanduar ditore për burrat është 3,400 miligramë dhe për gratë, 2,600 miligramë. Një banane mesatare ofron rreth 375 miligramë kalium. Një studim i vitit 2019 tregoi se konsumi ditor i bananeve të gjelbra të gatuara uli tensionin sistolik (të sipërm) të gjakut tek njerëzit me prediabet dhe diabet, raporton Index.hr.

    Boronicat
    Boronicat janë të pasura me antioksidantë, veçanërisht antocianina, të cilat mbrojnë qelizat nga dëmtimi. Antocianinat stimulojnë enët e gjakut për të prodhuar oksid nitrik, një përbërës që i relakson ato dhe përmirëson rrjedhën e gjakut. Një studim i vitit 2015 zbuloi se konsumi i përditshëm i boronicave uli presionin e gjakut tek gratë në postmenopauzë, të cilat janë në rrezik të shtuar për sëmundje të zemrës. Manaferrat, mjedrat, qershitë dhe luleshtrydhet gjithashtu përmbajnë komponime të ngjashme.

    Kivi
    Kivi është i njohur për përmbajtjen e tij të lartë të vitaminës C, e cila një përmbledhje kërkimore e vitit 2020 zbuloi se mund të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut. Një kivi i verdhë (SunGold) përmban rreth 133 përqind të marrjes së rekomanduar ditore të vitaminës C. Në një studim, pjesëmarrëset që hëngrën tre kivi në ditë për dy muaj kishin presion më të ulët të gjakut sesa ato që hëngrën një mollë në ditë.

    Shalqiri
    Shalqiri përmban aminoacidin L-citrulinë, të cilin trupi e shndërron në L-argininë. Ky aminoacid ndihmon në prodhimin e oksidit nitrik, i cili relakson enët e gjakut. Ndërsa disa kërkime sugjerojnë se suplementet e shalqirit mund të ulin presionin e gjakut, një studim i vogël i vitit 2021 nuk gjeti ndryshim tek gratë që pinin lëng shalqiri. Nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar efektin.

    Grejpfruti
    Një filxhan grejpfrut ofron sasi të konsiderueshme kaliumi dhe vitamine C. Ndërsa lëngu i grejpfrutit vetëm nuk e uli tensionin e gjakut në një studim, kombinimi i tij me lëngun e panxharit tregoi një efekt më të fortë sesa lëngu i panxharit vetëm. Është e rëndësishme të theksohet se grejpfruti mund të ndërhyjë në veprimin e disa ilaçeve për tensionin e lartë të gjakut dhe kolesterolin, prandaj konsultohuni me mjekun tuaj para se ta konsumoni.

    Rrushi
    Rrushi përmban polifenole, përbërës të dobishëm bimorë që ndihmojnë në ruajtjen e tensionit të shëndetshëm të gjakut. Një përmbledhje e hulumtimeve ka treguar se konsumimi i polifenoleve nga rrushi mund të kontribuojë në uljen e tensionit të gjakut. Një studim zbuloi se lëngu i rrushit uli tensionin e gjakut gjatë natës tek pjesëmarrësit, duke sugjeruar kontroll më të mirë të tensionit të gjakut gjatë gjumit, sipas Health.

    Avokado
    Avokado është i pasur me kalium dhe vitaminë E. Një avokado përmban pothuajse 1,000 miligramë kalium dhe 28 përqind të vlerës ditore të vitaminës E. Një studim me më shumë se 67,000 gra zbuloi se ato që hanin pesë ose më shumë racione avokado në javë kishin një rrezik 17 përqind më të ulët për të zhvilluar tension të lartë të gjakut. Gjysma e një avokadoje llogaritet si një racion.

    Shega
    Shega njihet për vetitë e saj antioksiduese dhe anti-inflamatore që mbështesin rrjedhjen e shëndetshme të gjakut. Hulumtimet sugjerojnë se shega ndihmon qelizat e enëve të gjakut të funksionojnë më mirë.

  • VW ndërpret prodhimin e veturave elektrike në dy fabrika në Gjermani

    VW ndërpret prodhimin e veturave elektrike në dy fabrika në Gjermani

    Volkswagen do të ndërpresë prodhimin në dy nga fabrika në Gjermani për shkak të kërkesës së dobët për veturat elektrike.

    Prodhuesi gjerman do të ndalojë operimin për shtatë ditë në mes të tetorit në Dresden, si dhe në fabrikën e veturave elektrike në Zwickau, e cila prodhon gjashtë modele elektrike për VW, Audi dhe Cupra.

    Gjithashtu planifikohet shkurtimi i javës së punës me një ditë në fabrikën e tretë në Osnabruck.

    Ky vendim, nga kompania që shihet si simbol i fuqisë ekonomike të Gjermanisë dhe motor i ekonomisë së BE-së, konsiderohet goditje për synimet e bllokut që kontinenti të kalojë në vetura elektrike brenda dhjetë vjetëve të ardhshme.

    Mbyllje po shqyrtohen edhe për fabrikën e katërt në Emden, e cila prodhon modelet ID.4 dhe ID.7.

    Edhe Stellantis, kompania që prodhon Fiatin dhe Peugeotin, ka njoftuar ndërprerje të prodhimit në disa fabrika evropiane për arsye të ngjashme me VW.

    Shitjet e veturave elektrike ranë muajin e kaluar, ndërsa kërkesa për modelet hibride me bateri u rrit.

    Të dhënat nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve tregojnë se, ndonëse adoptimi i veturave elektrike është i lartë në Norvegji, në pjesë të tjera të Evropës po ecën ngadalë. Në Evropën Jugore, ku infrastruktura e karikimit është e dobët, kërkesa është veçanërisht e ulët.

    Në total, vetëm 16% e shitjeve të reja të veturave janë elektrike, sipas shoqatës. Përqindja e hibrideve është 37%.

    Ndërkohë, markat kineze po hyjnë fuqishëm në tregun evropian, me shitjet e BYD që u rritën me gati 250% në tetë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

  • Si të zgjasni aromën e parfumit tuaj sa më gjatë

    Si të zgjasni aromën e parfumit tuaj sa më gjatë

    Nëse do të kategorizonim gratë sipas mënyrës se si zgjedhin parfumin, ndoshta do t’i ndanim në dy grupe, ato që zgjedhin një aromë për gjithë jetën dhe ato që preferojnë të ndryshojnë erë çdo sezon apo edhe çdo ditë.

    Megjithatë, pavarësisht në cilën kategori bëni pjesë, një gjë është e sigurt, të gjithë duam që parfumi ynë të zgjasë sa më shumë dhe të mos “zhduket” pas pak kohe.

    Disa aroma janë më intensive dhe zgjasin gjatë me vetëm një sprucim, ndërsa të tjera kanë nevojë për pak ndihmë që të qëndrojnë më gjatë. Dhe ja ku jemi ne për t’jua ofruar këtë ndihmë.

    1.Aplikoni parfumin në pikat e pulsit

    Pikat e pulsit, si pas veshëve, në qafë dhe në kyçet e duarve, janë vendet ideale për të aplikuar parfumin. Aty, temperatura e trupit ndihmon në avullimin gradual të aromës, duke e bërë atë të zgjasë më shumë.

    2.Qasje personale në aplikim

    Nëse jeni shpesh në kontakt të afërt me të tjerët, provoni të spërkatni parfumin në duar, bërryla, gjoks dhe në pjesën e pasme të qafës. Këto pika janë perfekte për të krijuar një “nënshkrim” të personalizuar të aromës, veçanërisht gjatë përqafimeve apo kontakteve të ngushta.

    3.Spërkatje në flokë dhe rroba
    Materialet dhe flokët mbajnë më gjatë aromën, pasi nuk janë aq të ngrohta sa lëkura. Nëse parfumi juaj avullohet shpejt për shkak të nxehtësisë, provoni ta spërkatni lehtë në jakë ose në skajet e veshjeve. Kujdes: gjithmonë testoni fillimisht në një zonë të vogël dhe të fshehur të rrobës për të shmangur njollat e mundshme.

    4.Aplikim mbi lëkurë të hidratuar

    Për të ndihmuar aromën të zgjasë më shumë, aplikojeni mbi lëkurë të mirë-hidratuar. Lagështia krijon një shtresë mbrojtëse që ngadalëson avullimin e parfumit dhe përforcon qëndrueshmërinë e tij.

    5.Zgjidhni aroma me nota që zgjasin

    Aromat që përmbajnë nota druri apo ambre kanë tendencën të qëndrojnë më gjatë në lëkurë. Nëse kërkoni një parfum që reziston për orë të tëra, orientohuni drejt aromave me këto nota të qëndrueshme.

  • Kurti në New York: Ideali i vëllezërve Bytyqi, udhërrëfyes për të ecur përpara

    Kurti në New York: Ideali i vëllezërve Bytyqi, udhërrëfyes për të ecur përpara

    Kryeministri në detyrë, Albi Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit e Mehmetit, në New York.

    Në një njoftim të Kryeministrisë të shtunën në mbrëmje, Kurti është cituar të ketë thënë se ideali i vëllezërve që u vranë 26 vjet më parë nga forcat serbe, është udhërrëfyes për të ecur përpara.

    “Duke i kujtuar e përkujtuar dëshmorët e kombit, në këtë rast vëllezërit Bytyqi, ne ia përkujtojmë vetes sonë se sa i lartë ishte çmimi që kemi paguar për lirinë që e gëzojmë dhe popullin që kemi, por njëkohësisht edhe ideali i tyre na shërben si udhërrëfyes për të ecur përpara, në mënyrë që të arrijmë atë çfarë ata e kanë dashur e për të cilën janë flijuar. Yllin, Agronin dhe Mehmetin do t’i kujtojmë përgjithmonë dhe brezi ynë ka për detyrë që këtë ta bëjnë edhe brezat pas nesh”, u shpreh ai.

    Vëllezërit Bytyqi ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të njësitit të vullnetarëve “Atlantiku”. Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, tre vëllezërit shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbi, që po shkonte drejt Kralevës. Gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

    Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, SHBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim.

  • Të paktën 39 të vdekur pas një përleshje në një tubim politik në Indi

    Të paktën 39 të vdekur pas një përleshje në një tubim politik në Indi

    Të paktën 39 persona kanë vdekur, përfshirë fëmijë, në një përplasje gjatë një tubimi politik në shtetin jugor indian të Tamil Nadu-së, thanë zyrtarët e shtetit.

    Dhjetëra mijëra njerëz ishin mbledhur të shtunën në një aktivitet fushate për aktorin e shndërruar në politikan Vijay, në distriktin jugor Karur.

    Mediat lokale raportuan se u vonua me disa orë. Pamjet e transmetuara në televizion treguan njerëz që po humbnin ndjenjat në turmat e mbushura me njerëz.

    Kryeministri i Tamil Nadu-së, MK Stalin, u tha gazetarëve në Karur se 39 persona kishin vdekur, ndërsa 51 të tjerë po merrnin trajtim.

    Ai tha se numri i të vdekurve përfshinte të paktën 17 gra, 13 burra dhe nëntë fëmijë.

    Një kompensim prej një milion rupish (11,300 dollarë; 8,400 paund) do t’u ofrohet familjeve të të ndjerëve, shtoi Stalini, dhe do të ketë një hetim për incidentin.

    Një burrë, anëtarët e familjes së të cilit ishin në ngjarje, foli për agjencinë indiane të lajmeve ANI nga jashtë një spitali.

    “Dy fëmijët e vëllait tim ishin atje. Dy djem. I madhi vdiq, i vogli mungon. Të afërmit e mi, kunata ime, janë në kujdes intensiv. Çfarë duhet të bëj?” tha ai.

    Në një deklaratë online, Vijay tha se zemra e tij ishte “e thyer” dhe se ai ishte në “dhimbje dhe pikëllim të padurueshëm dhe të papërshkrueshëm”.

    Ai u dërgoi “ngushëllimet e tij më të thella” familjeve të atyre që vdiqën dhe lutje për një “shërim të shpejtë” atyre në spital.

    Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, në një postim në X, tha se incidenti ishte “i pafat” dhe “thellësisht trishtues”.

    Përplasjet vdekjeprurëse nuk janë të rralla në Indi dhe vetëm këtë vit ka pasur disa incidente të ngjashme tragjike, duke përfshirë ato në festivalin e famshëm hindu Kumbh Mela dhe jashtë një stadiumi kriketi.

  • Rritet besueshmëria në Policinë e Kosovës

    Rritet besueshmëria në Policinë e Kosovës

    Nga paraqitja e rastit deri te reagimi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, asaj i duhen disa minuta për të arritur në vendin e ngjarjes.

    “Stacioni Policor në Ferizaj ka kohën e reagimit më të shpejtë nga të gjitha stacionet e tjera në nivel Kosove ku koha e reagimit është 13.7 minuta dhe me të pranuar çdo informacion nga qytetarët në stacionin policor menjëherë reagohet patrullat dalin në teren dhe i përgjigjen rastit”, ka thënë Kapiten Nehat Suma -Shef i Operativës në Policës së Kosovës në Ferizaj.

    Ditë më parë, falë reagimit të shpejtë të policisë është arritur të ndalohet një tentim-vetëvrasjeje.

    “Sapo kemi marrë informacionin e kemi përcjellë tek patrullat e cila ka qenë në terren edhe fal intervenimit shumë të shpejtë tyre kemi arritur me kohë atje të depërtoj në lokal edhe është arritur që të shpëtohet jeta e një vajze nga zyrtarët e stacionit policor të Ferizajt”, ka thënë toger Reshat Hyseni.

    Veprimet dhe reagimet e shpejta të policisë në rastet e raportuara po e rrisin besueshmërinë tek ky institucion

    “Besoj që ka pasur ndikim shumë të madh pozitiv në ngritjen e imazhit të Policisë së Kosovës edhe rritjen e besueshmërisë tek zyrtarët policor anembanë Kosovës”, ka thënë Kapiten Nehat Suma -Shef i Operativës në Policës së Kosovës në Ferizaj.

    Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që çdo rast të dyshimtë apo të rrezikshëm ta raportojë sa më parë./rtk

  • Bastiset shtëpia e një personi në Mitrovicë, kapen armë e fishekë

    Bastiset shtëpia e një personi në Mitrovicë, kapen armë e fishekë

    Policia në Mitrovicë ka bastisur shtëpinë e një personi në rrugën “Bislim Bajgora”, me ç’rast ka sekuestruar armë dhe fishekë.

    Sipas raportit 24 orësh, për armën i dyshuari posedonte leje vetëm për përdorim në poligon. I njëjti pas intervistimit është liruar.

    “Njësitë policore, gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit m/k, kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me dy karikatorë dhe 36 fishekë të kalibrit 9×19 mm. Për këtë armë, i dyshuari posedon leje vetëm për përdorim në poligon. Me urdhër të prokurorit, është bastisur edhe shtëpia e tij, ku është gjetur dhe sekuestruar një karikator tjetër me 24 fishekë të njëjtit kalibër. Pas intervistimit, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit”, thotë policia.