Në ditën e dymbëdhjetë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.
Author: ATV
-

Kronika zgjedhore: Dita 12 e fushatës zgjedhore
-

Sveçla: Serbia përmes dronëve është duke shkelur hapësirën tonë ajrore
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se kohët e fundit Serbia ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës. Në një intervistë në KTV, ai tha se herë pas here ka lëvizje të paautorizuara përmes dronëve që qarkullojnë mbi territorin kosovar.
Ai u pyet nëse këto lëvizje kanë ndikuar në vendimin e KFOR-it për shpalljen e zonës operacionale të KEK-ut si “zonë e ndaluar për fluturime”, por nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Sveçla tha se gjithmonë identifikohet infrastruktura kritike dhe ndërmerren hapa për ta mbrojtur atë.
“Ne në vazhdimësi kërcënohemi nga Serbia. Kohët e fundit ka pasur lëvizje të paautorizuara përmes dronëve që shkelin hapësirën tonë ajrore,” tha ai.
Ministri bëri me dije se janë regjistruar disa raste të dronëve serbë mbi Kosovë, të cilat po hetohen në bashkëpunim me KFOR-in dhe shërbimet partnere. Ai shtoi se për momentin nuk ka arsye për shqetësim për publikun, pasi të gjitha institucionet janë në krye të detyrës.
Sveçla nënvizoi se Serbia mund të kërcënojë potencialisht vetëm dy vende në rajon: Bosnjën dhe Kosovën, ndërsa vendet fqinje që janë pjesë e NATO-s nuk mund të cenohen. Ai tha se aksionet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike janë të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë dhe synojnë parandalimin e kërcënimeve ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Ministri gjithashtu foli për institucionet paralele në veri, duke theksuar se përveç shëndetësisë dhe arsimit, ato janë mbyllur gjithandej Kosovës. Ai shtoi se aksionet e ndërmarra janë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe kanë për qëllim ruajtjen e rendit dhe ligjit.
Në lidhje me zgjedhjet lokale dhe Listën Serbe, Sveçla tha se pavarësisht fituesit, të gjithë të zgjedhurit janë të obliguar të respektojnë ligjet e Kosovës.
“Për ne është e rëndësishme që në çdo centimetër të territorit të Kosovës të mbizotërojë rendi dhe ligji. Askush nuk është imun ndaj ligjit dhe institucionet përkatëse do të veprojnë ndaj çdo shkelësi,” përfundoi ministri.
-

Presidentja Osmani takon Sekretarin e Shtetit të SHBA Marco Rubio
Presidentja Vjosa Osmani, ka takuar sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio.
Ajo ka njoftuar se me të ka zhvilluar një bisedë, siç e ka quajtur, përmbajtjesore, duke mos dhënë më shumë detaje rreth takimit apo temave që kanë diskutuar.
“Me Sekretarin Rubio, një bisedë përmbajtësore mbrëmë në kuadër të pritjes së organizuar nga Presidenti Trump”, ka shkruar presidentja Osmani në faqen e saj në Facebook.
-

Video reportazh: Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë
Sot, më 24 shtator shënohen dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ngjarja më e rëndë e sigurisë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Në këtë sulm mbeti i vrarë heroikisht rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Grupi paramilitar serb kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës, duke përdorur armatim të rëndë dhe duke vendosur barrikada në fshat. Pas përleshjeve disaorëshe, policia eliminoi disa prej sulmuesve dhe arrestoi të tjerë, ndërsa një pjesë u tërhoq drejt Serbisë.
Sot, dy vjet më vonë, Banjskë është nën kontroll të plotë të policisë së Kosovës, ndërsa rruga kryesore e fshatit mban emrin e heroit Afrim Bunjaku.
Gazetari Driton Sadiku, sjell një reportazh nga Banjska.
-

Përleshje në Komunën e Prishtinës, sulmohet Fehmi Kupina – tre persona shoqërohen nga Policia
Një incident i dhunshëm ka ndodhur sot në ambientet e Komunës së Prishtinës, pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së Kuvendit Komunal, ku në agjendë ishte tentimi për votimin e buxhetit të kryeqytetit.
Sipas burimeve të Paparacit, viktimë e këtij sulmi ka qenë kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, i cili dyshohet se është goditur në kokë me një shishe nga Sami Salihu, djali i ish-zyrtarit komunal Fehim Salihu.
Kupina ka pësuar lëndime në kokë dhe është shoqëruar me autoambulancë për trajtim mjekësor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, ka konfirmuar se tre persona të përfshirë në incident janë shoqëruar për intervistim. “Policia ka arritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar tre persona, të cilët ishin të përfshirë në rast. Aktualisht po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Pllana.
Fehmi Kupina, dikur pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktualisht është kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit me iniciativën Lidhja për Prishtinën.
-

Kos: BE-ja pret formimin e qeverisë së re në Kosovë për rifillim të dialogut
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar se angazhimi i Brukselit me Kosovën për dialogun me Serbinë ka qenë më i kufizuar muajt e fundit, pasi po pritet formimi i qeverisë së re në Prishtinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet kusht thelbësor për të dyja vendet në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Ne jemi të përfshirë vazhdimisht me Serbinë për këtë çështje, ndërsa me Kosovën më pak muajt e fundit, sepse ende jemi në pritje të formimit të një qeverie të re. Por kjo mbetet një nga prioritetet e procesit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kos gjatë intervistës në Sarajevë.
Kosova dhe Serbia janë në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011, por zbatimi i marrëveshjeve të arritura ka mbetur i pjesshëm. Që nga shtatori i vitit 2023, nuk është mbajtur asnjë rund politik i dialogut mes liderëve të dy vendeve, ndërsa takimet e fundit në nivel kryenegociatorësh nuk kanë sjellë rezultate konkrete.
Pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, Kosova ende nuk ka formuar një ekzekutiv të ri dhe aktualisht po udhëhiqet nga një qeveri në detyrë.
Marta Kos po zhvillon një vizitë treditore në Bosnje e Hercegovinë, ku ka takuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe të rinj. Në intervistë, ajo foli edhe për situatën në Republikën Sërpska, duke theksuar se ky entitet është i domosdoshëm për të ardhmen e Bosnje e Hercegovinës dhe se qytetarët e tij meritojnë perspektivë më të mirë.
-

Shuhet ylli i kinematografisë italiane Claudia Cardinale
Claudia Cardinale konsiderohet si ikona e kinematografisë së Italisë dhe një aktore që ka shkëlqyer në filma të ikonave Felini dhe Visconti. Cardinale angazhohej fort për të drejtat e gruas.
Gjithçka nisi në Tunizi. Në një konkurs bukurie në vitet 1950 në kryeqytetin Tuniz, Claudia Cardinale u kurorëzua si italiania më e bukur e Tunizisë. Deri atëherë ajo kishte marrë pjesë edhe si figurante me shoqet e gjimnazit në një film me metrazh të shkrutër. Ajo kishte luajtur edhe një rol dytësor krah aktorit të madh Omar Sharif.
Udhëtimi në Venecia hap rrugën e karrierës
Çmimi i bukurisë me shpërblimin pjesëmarrje në Festivalin e Filmit në Venecia do të ndryshonte kryekëput jetën e bukuroshes në kulmin e rinisë: Në Venecia zuri udhë një karrierë artisitke që vazhdoi me dekada dhe e ngjiti atë deri në skenat e Hollywood-it krahas yjeve të kinematografisë botërore.
“La Cardinale”, siç e quajnin shpesh atë bashkë me Sophia Loren dhe Gina Lollobrigida kanë krijuar emblemën treshe të divave të filmit të viteve 1960. Ndonëse Cardinale krahasuar me dy koleget e saj në nivel ndërkombëtar mbeti më pak e njohur, ajo ofronte të gjitha tiparet dhe vlerat e një ylli botëror: talentin, aureolën e fuqishme dhe karrierën në Hollywood. Cardinale ka shkëlqyer ne rolet tek filmat si „Tetë e gjysmë (Otto e mezzo) të Federico Fellinit dhe „Leopardi” i Viscontit.
Luftëtare e pamposhtur për të drejtat e gruas
Si aktiviste për të drejtat e gruas Cardinale ka qenë edhe ambasadore Unesco-s. Në një intervistë ajo u jep këtë këshillë të rinjve: „janë kohë të pasigurta për ne të gjithë dhe veçanërisht vajzave u këshilloj: Mbroni dinjitetin tuaj. Gjithmonë, në çdo kohë dhe në çfarëdolloj rrethanash.”
Claudia Cardinale (Claude Josephine Rose Cardinale) lindi më 15 prill 1938 në Tuniz. Prindërit e saj ishin me origjinë nga Sicilia.
Më 23 shtator 2025 në moshën 87 vjeçare Claudia Cardinale u nda nga jeta. Ministri italian i Kulturës Alessandro Giuli e vlerësoi atë si një ndër artistet më të mëdha italiane të të gjitha kohërave.
Cardinale nderuar edhe me Medaljen e Nderit të Republikës së Italisë.
-

Maqedonci: Qëllimi i SHBA-së në Kosovë është parandalimi i konflikteve
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka komentuar mbi deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump në OKB.
Maqedonci ka thënë se nuk ka pasur mundësi ta ndjekë këtë deklaratë për shkak të angazhimeve në një samit të ministrave të mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.
“Deklaratën e Trump-it në OKB nuk kam mundur ta dëgjoj, tash po e dëgjoj nga ju. Normalisht kam pasur takime në kuadër të Ministerialit të ministrave të mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, që nuk ma ka lejuar koha ta ndjek me detaje këtë deklarim,” tha ai.
Megjithatë, Maqedonci theksoi rolin historik të SHBA-ve në parandalimin e konflikteve.“Është për t’u theksuar se Shtetet e Bashkuara, në dimension global dhe gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së tyre, kanë parandaluar konflikte dhe janë të përkushtuar në parandalimin e konflikteve të ndryshme,” u shpreh ministri.
Ai nënvizoi se prania e SHBA-ve në Kosovë është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
“Prezenca e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka pikërisht atë qëllim: të kontribuojnë në stabilitetin e rajonit dhe të parandalojnë çdo rrezik të mundshëm për Republikën e Kosovës. Po ashtu, kemi arritje të përbashkëta që dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj Kosovës së tanishme,” tha Maqedonci.
-

Moti edhe sot me diell – temperaturat deri në 30°C
Sot mbi vendin tonë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, të cilat vonë pasdite, sidomos në mbrëmje, pritet të dendësohen.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here prite të jetë e fuqishme, veçanërisht në regjionin e Gjakovës, me shpejtësi prej 10-45 km/h, raporton MeteoKosova.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 11 deri në 15°C, ndërsa ato maksimale prej 28 deri në 30°C
-

E pazakontë: 13-vjeçari fluturon nga Kabuli në Delhi në rrotën e avionit
Një ngjarje tronditëse është raportuar nga autoritetet indiane, ku një djalë 13-vjeçar nga Afganistani u zbulua pasi kishte përshkuar një udhëtim të rrezikshëm nga Kabuli në Delhi, i fshehur në pjesën e gomave të uljes së një aeroplani të linjës ajrore Kam Air.
Adoleshenti, me origjinë nga qyteti Kunduz në Afganistanin verior, u gjet duke bredhur në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Delhit të hënën, menjëherë pas uljes së avionit. Ai u ndalua nga personeli i sigurisë dhe u mor në pyetje për disa orë përpara se të deportohej sërish drejt Kabulit me të njëjtin fluturim.
Sipas burimeve zyrtare, djali u shpreh se e ndërmori udhëtimin nga “kurioziteti”, ndërsa raporti i gazetës Indian Express tregon se ai kishte qëllim të shkonte në Iran dhe nuk ishte në dijeni që avioni ishte nisur për në Indi.
Rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë ajrore dhe gjendjen e të rinjve afganë që përpiqen të largohen nga vendi përmes çdo rruge të mundshme.