ATV

Author: ATV

  • Dështon seanca ndaj dy ish-policëve serbë të akuzuar për krime lufte

    Dështon seanca ndaj dy ish-policëve serbë të akuzuar për krime lufte

    Seanca gjyqësore në rastin ku dy ish-policët serbë Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq akuzohen për krime lufte ndaj popullatës civile, ka dështuar të mbahet.

    Avokati i të akuzuarit Dragan Milkoviq, Predrag Milkoviq, ka thënë se nuk e kanë pranuar deklaratën e dëshmitarit Naim Haliti, në gjuhën serbe.

    “Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer, para 10 minutash e kemi pranuar, na nevojitet kohë, më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet”, është shprehur ai.

    Prokurorja speciale, Florije Shamolli, ka thënë se e kanë dorëzuar me kohë deklaratën e përkthyer.

    “Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer por për shkak të disa pengesave të kompjuterëve, për të mos e zvarritur këtë procedurë është mirë që dëshmitari të merret në pyetje nga ana e prokurores ndërsa në një seancë tjetër të merret nga pala tjetër”, ka theksuar ajo.

    Avokati Predrag Milkoviq tha se nuk e sheh të udhës që dëshmitarë të merret në pyetje nga prokurorja dhe tha se mbrojtja kundërshton që dëshmitari të dëgjohet në seancën e së premtes.

    Kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala, tha se vlerëson nuk ka kushte që të vazhdohet me këtë proces gjyqësor të premten dhe se i jepet kohë mbrojtjes që të lexojë deklaratën e dëshmitarit.

    Miloviq dhe Kostiq akuzohen për krime lufte të kryera gjatë prillit dhe majit të vitit 1999, e që prokuroria synon t’i vërtetojë edhe nëpërmjet 14 dëshmitarëve që i ka propozuar.

    Ata që nga 20 shtatori i vitit 2023, ndodhen në paraburgim. Të dy janë deklaruar të pafajshëm.

  • Trump paralajmëron Izraelin: Mos aneksoni Bregun Perëndimor, ose humbni mbështetjen e SHBA-së

    Trump paralajmëron Izraelin: Mos aneksoni Bregun Perëndimor, ose humbni mbështetjen e SHBA-së

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha për revistën TIME se nuk do të lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor dhe paralajmëroi se nëse kjo ndodh, Izraeli do të humbasë mbështetjen amerikane.

    “Kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte,” tha Trump.

    Ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për të avancuar dy projektligje për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, por ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha të enjten se qeveria nuk do ta çojë votimin përpara në këtë fazë për të mbështetur planin shumëfazor të Trump për Gazën.

    Ndërtimi i vendbanimeve izraelite është zgjeruar që nga viti 2022, nën qeverinë e kryeministrit Netanyahu, e cila përfshin partnerë ultranacionalistë që kërkojnë aneksimin e Bregut Perëndimor dhe Gazës, raporton Reuters.

    Sekretari i Shtetit amerikan dhe ligjvënës të tjerë si Marco Rubio kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për aneksim do të rrezikonte marrëveshjen e armëpushimit dhe paqes në rajon.

    Ministria e Jashtme palestineze e dënoi vendimin e Knessetit, duke thënë se Izraeli nuk ka sovranitet mbi tokën palestineze.

  • Osmani në Berlin: E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE

    Osmani në Berlin: E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE

    Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Berlin, të enjten qëndroi në Aspen Institute. Osmani tha se aty foli për aspiratat e Kosovës dhe se një gjë mbetet e palëkundur, që e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE.

    “Në Aspen Institute në Berlin, fola për Kosovën tonë si një shtet që, në vetë thelbin e ndërtimit të së ardhmes, ka përqafuar reformën dhe zbatimin e saj si rrugën e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik. Por një gjë mbetet e palëkundur: e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike”, shkroi Osmani në Facebook.

    Presidentja Vjosa Osmani, gjendet në Gjermani, ku do të mbajë një fjalim në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Berlinit. Osmani para studentëve dë të flasë për mbrojtjen e demokracisë. Në këtë universitet po zhvillohet “Java e Takimeve me Personalitete Evropiane”.

  • Franca lëshon urdhërarrest për Bashar al-Assadin për krime kundër njerëzimit

    Franca lëshon urdhërarrest për Bashar al-Assadin për krime kundër njerëzimit

    Franca ka lëshuar një urdhër të ri ndërkombëtar arresti për presidentin e rrëzuar sirian Bashar al-Assad, duke e mbajtur përgjegjës për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës civile në Siri.

    Urdhërarresti, i nënshkruar më 29 korrik, e lidh Assadin me sulmet kimike të vitit 2013, të cilat goditën Adra dhe Douma më 5 gusht, ku u plagosën rreth 450 persona, si dhe Ghoutën Lindore më 21 gusht, ku sipas inteligjencës amerikane, gazi helmues vrau mbi 1,000 civilë.

    Ky është urdhërarresti i tretë që autoritetet franceze lëshojnë ndaj Assadit.

    Më herët, gjykatat franceze kishin vepruar për bombardimin e një qendre shtypi në Homs (2012) – ku u vranë gazetarja amerikane Marie Colvin dhe fotografi francez Remi Ochlik – si dhe për bombardimin e Deraa-s (2017), ku u vranë civilë.

    Assad, që kishte udhëhequr Sirinë për gati 25 vjet, iku në Rusi në dhjetor të kaluar, duke i dhënë fund regjimit të partisë Baath, në pushtet që nga viti 1963.

    Në janar u formua administrata e presidentit të përkohshëm Ahmad Sharaa.

  • Tre burra nigerianë arrestohen në Algjeri, tentuan të fluturonin për në Dubai të maskuar si gra arabe

    Tre burra nigerianë arrestohen në Algjeri, tentuan të fluturonin për në Dubai të maskuar si gra arabe

    Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në një aeroport të Algjerisë, ku tre burra nigerianë janë arrestuar teksa përpiqeshin të udhëtonin për në Dubai, të veshur si gra arabe.

    Ata kishin veshur rroba tradicionale, hixhabe dhe grim, në tentativë për t’u paraqitur si pasagjere femra. Autoritetet e sigurisë në aeroport u dyshuan për pamjen dhe sjelljen e tyre, dhe pas një kontrolli më të detajuar zbuluan identitetin e vërtetë të burrave.

    Arsyet e këtij maskimi mbeten ende të paqarta, por rasti është bërë viral në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta dhe habi në publik.

  • Mbarëvajtja e zgjedhjeve shihet në BE si mundësi për heqjen e masave

    Mbarëvajtja e zgjedhjeve shihet në BE si mundësi për heqjen e masave

    Mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë shihet në Bashkimin Evropian si një hap i mirë drejt mundësisë së heqjes së masave të vendosura që nga viti 2023.

    Duke iu referuar vizitës së fundit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë, një zëdhënës i BE-së ka theksuar se ajo është inkurajuar nga raundi i parë paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.

    “Ky ishte një sinjal i rëndësishëm i deeskalimit në veri, që do të merret në konsideratë në kontekstin e heqjes së mëtejshme të masave,” ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së në një përgjigje me shkrim për RTK-në.

    Javën e kaluar, gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, von der Leyen pati – siç thuhet – diskutime konstruktive si me Presidenten Vjosa Osmani, ashtu edhe me Kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas të njëjtit burim, Bashkimi Evropian pret që edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të zhvillohet në të njëjtën mënyrë, si dhe një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale.

  • Elezi: Në balotazh të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar për rundin e parë

    Elezi: Në balotazh të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar për rundin e parë

    Për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave, i cili pritet të mbahet më 9 nëntor, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës. Votimi përmes postës do të organizohet vetëm për ata shtetas që janë regjistruar nga 23 korriku deri më 29 gusht.

    Sipas të dhënave jopërfundimtare, rundi i dytë do të zhvillohet në 18 komuna, ndërsa numri i votuesve jashtë Kosovës të këtyre komunave është 29,712.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se votuesit e regjistruar tashmë do të marrin përmes postës pakon me fletëvotim. Detyrë e tyre është të dërgojnë fletëvotimin në kutitë postare të vendosura në 22 shtete, përfshirë Australi, Gjermani, SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Kanada, Shqipëri e Kosovë.

    Numri i votuesve jashtë Kosovës për komunat e rundit të dytë është si më poshtë: Gjakovë (3,150), Gjilan (2,066), Dragash (2,776), Kaçanik (1,149), Klinë (2,229), Fushë Kosovë (490), Mitrovicë e Jugut (1,186), Obiliq (221), Rahovec (1,902), Pejë (1,897), Prishtinë (1,715), Prizren (2,866), Suharekë (3,325), Viti (1,980), Vushtrri (1,020), Junik (1,344), Mamushë (357) dhe Kllokot (39).

  • Dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim mësuesi që akuzohej se ngacmoi nxënëset në Vushtrri

    Dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim mësuesi që akuzohej se ngacmoi nxënëset në Vushtrri

    Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të martën ka shpallur aktgjykimin ndaj ish mësimdhënësit Faik Kadriu që akuzohej se ka ngacmuar seksualisht nxënëset në Vushtrri.

    Gjykata në Mitroivcë ka thënë për Express se Kadriu është dënuar më 1 vit e 4 muaj burgim për veprat penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Ngacmim seksual”.

    “Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, me datë 21.10.2025 ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të pandehurit F.K., duke i shqiptuar denim unik për burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 4 (katër ) muaj, për kryerjen e veprave penale: “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së“, “Ngacmim seksual” nga neni 183 par.3 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së.”, thuhet në përgjigje.

  • KFOR-i deklarohet për takimet e Ulutashit me Begajn dhe Kingjin

    KFOR-i deklarohet për takimet e Ulutashit me Begajn dhe Kingjin

    KFOR-i është deklaruar për takimet e të së mërkurës të komandantit Ozkan Ulutash me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji në Tiranë.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, në këto takime u bisedua situata e sigurisë në Kosovë dhe stabiliteti rajonal.

    “Ata diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. Gjeneralmajor Ulutash rikonfirmoi angazhimin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Ai përshëndeti gjithashtu kontributet e gjata të Shqipërisë në KFOR dhe profesionalizmin e shfaqur nga personeli shqiptar në mbështetje të veprimtarive të përditshme të misionit”, thuhet në njoftim.

  • Ish-futbollisti shqiptar bëhet viral me një foto: Zbulohet e vërteta pas postimit

    Ish-futbollisti shqiptar bëhet viral me një foto: Zbulohet e vërteta pas postimit

    Mbi 13 milion njerëz në mbarë botën kanë parë një postim të ish-futbollistit shqiptar Qëndrim Kameraj, i cili shfaqet në dy foto: njëra në fushë me Cristiano Ronaldon dhe tjetra në një kantier ndërtimi. Postimi u bë viral dhe ngriti shumë pyetje mbi situatën aktuale të tij.

    Ekskluzivisht për mediat, Kameraj shpjegoi se fotografia në kantier nuk tregon një punë të përhershme:

    “Unë nuk punoj në kantier. Postimi ishte thjesht për hajgare. Firmën time e drejtoj për të ofruar punëtorë kur ka nevojë,” tha ai.

    Kameraj shtoi se reagimet e njerëzve ishin kryesisht pozitive dhe inkurajuese:

    “Shumë njerëz më shkruan mesazhe motivuese. Nuk e prisja që postimi të shkonte kaq viral,” tha ai.

    Ai folur edhe për karrierën e tij në futboll, ku ka kaluar në Akademinë e Juventusit dhe ka pasur fatin të stërvitet me Cristiano Ronaldon:

    “Kur më ka ardhur mesazhi nga menaxheri se do të stërvitesha me Ronaldon, ishte emocion i madh. Stërvitja ishte e fortë dhe shumë serioze,” tregoi Kameraj.

    Megjithatë, lëndimet e përsëritura e kanë detyruar të tërhiqet nga futbolli aktiv:

    “Kam pësuar tre herë këputje të ligamentit, por jam duke bërë terapi dhe mendoj për të ardhmen si trajner,” tha ai.

    Qëndrim Kameraj dërgon një mesazh motivues për të rinjtë me pasion për futbollin:

    “Mos e humbni shpresën, punoni shumë dhe besoni në veten tuaj. Edhe kur gjërat shkojnë keq, duhet të vazhdoni.”