ATV

Author: ATV

  • “Pilates nuk është vetëm për gra” – Historia e Erletit që solli disiplinën e trupit dhe mendjes në Kosovë

    “Pilates nuk është vetëm për gra” – Historia e Erletit që solli disiplinën e trupit dhe mendjes në Kosovë

    Në një kohë kur aktivitetet fizike po marrin forma e qasje të reja, një ndër emrat që po e çon përpara kulturën e pilatesit në Kosovë është Erlet Muçolli, trajner dhe bashkëthemelues i një prej studiove më të njohura të kësaj disipline në vend. Bashkë me bashkëshorten e tij, Krenaren, ata kanë krijuar një hapësirë që nuk është vetëm për stërvitje — por për ekuilibër trupor e mendor.

    “Përkundrazi nga sa mendojnë shumëkush, pilates nuk të lodh — të jep energji. Pas seancave, adrenalina të rritet, trupi qetësohet dhe gjen balancën”, tregon Erleti.

    Nga dashuria për sportin te zbulimi i pilatesit

    Që në fëmijëri, Erleti ishte i lidhur me sportin. “Kam qenë gjithmonë aktiv, kam dashur çdo lloj sporti. Në vitet ‘90, futbolli e basketbolli ishin kryesorët, por me kalimin e kohës llojet e aktiviteteve u shtuan. Megjithatë, një dëmtim në gju më detyroi të kërkoja forma të tjera për ta ruajtur trupin në lëvizje pa e lodhur.”

    Gjatë studimeve për fizioterapi, ai nisi të kërkonte mënyra për ta lidhur rehabilitimin me sportin aktiv. Ishte pikërisht atëherë kur bashkëshortja e tij, Krenarja, që studionte jashtë vendit, i sugjeroi të njihte pilatesin.

    “Në fillim ishte diçka e re për ne. Në Kosovë nuk dihej pothuajse asgjë për pilatesin, prandaj e nisa duke hulumtuar, provuar vetë dhe pastaj duke ndërtuar programet e para për klientë.”

    Kur pilates u pa si “sport për gra”

    Në vitet e para, thotë Erleti, sfida më e madhe ishte perceptimi. “Shumë njerëz e shihnin pilatesin si sport të lehtë ose si diçka vetëm për gra. Madje edhe sot, disa burra hezitojnë të vijnë në klasë sepse mendojnë se do të jenë të vetmit meshkuj në grup.”

    Por, për të ndryshuar këtë mendim, ai e përdor shembullin e sportistëve më të mëdhenj në botë:

    “Pilates e bëjnë edhe Cristiano Ronaldo apo Sylvester Stallone. Është ushtrim që forcon muskujt e thellë, ndihmon në qëndrimin e trupit dhe është perfekt për çdo moshë e gjini. Unë u them burrave: provoje një herë, pastaj gjyko vetë.”

    Ushtrim për trupin, terapi për mendjen

    Në studion që e drejton me Krenaren, çdo klasë përshtatet sipas nevojave të secilit. “Trupi i secilit është ndryshe, prandaj edhe ushtrimi duhet të jetë ndryshe. E rëndësishme është që klientët të kuptojnë që kjo nuk është vetëm stërvitje fizike, por një mënyrë për ta qetësuar mendjen, për ta rregulluar frymëmarrjen dhe për ta rritur fokusin.”

    Për Erletin, puna me njerëz është edhe sfidë, edhe motivim. “Jo të gjithë kanë të njëjtin vullnet. Por kur i sheh që përmirësohen nga java në javë, ajo është shpërblimi më i madh.”

    Partnerë në jetë dhe në punë

    Bashkë me Krenaren, Erleti ndan çdo ditë punën, pasionin dhe përkushtimin ndaj klientëve.

    “Thonë mos e sill punën në shtëpi, por për ne është ndryshe. Flasim për çdo ditë, për çdo klasë, për çdo klient. Sepse kur punon me partnerin që të kupton edhe pa folur, çdo gjë ecën më lehtë.”

    Sfida më e madhe: pandemia

    Për çiftin, periudha e pandemisë ishte një provë e vërtetë. “Atëherë vendosëm ta zgjerojmë studion, edhe pse të gjithë po mbylleshin. Ishte rrezik, por doli të ishte vendimi më i mirë që kemi marrë. Investuam në ventilim, hapësira të sigurta dhe krijuam një ambient të përsosur për ushtrime. Që prej asaj kohe, kërkesa vetëm është rritur.”, tregoi Erleti.

  • ShBA-ja sanksionon dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës, “Rosneft” dhe “Lukoil”

    ShBA-ja sanksionon dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës, “Rosneft” dhe “Lukoil”

    Administrata Trump vendosi të mërkurën sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, ndërsa i bëri thirrje Moskës të bjerë dakord për një armëpushim të menjëhershëm në luftën me Ukrainën.

    Presidenti Donald Trump kishte sinjalizuar për javë të tëra se mund të vendoste sanksione kundër Rusisë për vazhdimin e luftës, por nuk kishte arritur të merrte masa të mëdha ndëshkuese deri të mërkurën. Njoftimi erdhi një ditë pasi Trump tha se një takim i planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.

    “Çdo herë që flas me Vladimirin, zhvilloj biseda të mira dhe pastaj ato nuk çojnë askund. Ato thjesht nuk shkojnë askund”, tha Presidenti Donald Trump, pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte për të diskutuar negociatat e paqes.

    Në komentet në Zyrën Ovale, Trump shpjegoi se “ndjeu se kishte ardhur koha” për sanksionet, duke vënë në dukje se “priti shumë kohë” për t’i vendosur ato. Megjithatë, presidenti amerikan tha se shpreson që “ato nuk do të zgjasin shumë”, sepse lufta do të mbarojë.

    Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha në një deklaratë të mërkurën se ishte “koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”.

    “Duke pasur parasysh refuzimin e Presidentit Putin për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Thesari po vendos sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinën e luftës së Kremlinit”, tha ai.

    Sanksionet goditën Rosneft dhe Lukoil dhe dhjetëra degë të tyre. Mbretëria e Bashkuar shënjestroi dy kompanitë e naftës javën e kaluar dhe Bashkimi Evropian ra dakord për një paketë tjetër sanksionesh të mërkurën.

    Opozita bllokoi marrëveshjen me Bankën Botërore, tani ankohet për vonesën e Planit të Rritjes nga BE
    Read more

  • BE-ja miraton paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    BE-ja miraton paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    Vendet e BE-së kanë miratuar zyrtarisht të enjten paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin një ndalim të importeve të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG).

    27 shtetet anëtare e kanë miratuar paketën të mërkurën në mbrëmje, pasi Sllovakia hoqi bllokimin e saj.

    “Është një paketë e rëndësishme që synon rrjedhat kryesore të të ardhurave ruse përmes masave të reja energjetike, financiare dhe tregtare”, ka thënë presidenca daneze e BE-së.

    Ndalimi i LNG-së do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh dhe kontratat afatgjata nga 1 janari 2027. Ndalimi i plotë do të ndodhë një vit më parë se plani i Komisionit për t’i dhënë fund varësisë së bllokut nga lëndët djegëse fosile ruse.

    Masat në paketë përfshijnë gjithashtu një mekanizëm të ri për të kufizuar lëvizjen e diplomatëve rusë brenda BE-së, thuhet në deklaratë.

    “Synon bankat ruse, bursat e kriptomonedhave, subjektet në Indi dhe Kinë, ndër të tjera”, ka thënë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në një postim në X.

    “BE-ja po frenon lëvizjet e diplomatëve rusë për të kundërshtuar përpjekjet e destabilizimit. Është gjithnjë e më e vështirë për Putinin të financojë këtë luftë”, ka shtuar ajo.

    Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, ka thënë se ndalimi i importeve të LNG-së është një hap i rëndësishëm drejt një heqjeje të plotë graduale të energjisë ruse në BE.

  • Kurti dhe Haddad flasin për forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë

    Kurti dhe Haddad flasin për forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad.

    Takimi u zhvillua në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër.

    Përmes një postimi në “X”, Kurti ka bërë të ditur se në takim është biseduar për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale si dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    “U takova me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Londër. Diskutuam forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë, sigurinë, zhvillimet rajonale dhe integrimin në BE. Jam mirënjohës për mbështetjen e Francës si një anëtare kyçe e BE-së dhe për vlerat tona të përbashkëta që udhëheqin partneritetin tonë,” ka shkruar Kurti.

    Samiti i Procesit të Berlinit po zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, ku po diskutohen bashkëpunimi rajonal, integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik i rajonit.

  • Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku dhe pedagogu shqiptar

    Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku dhe pedagogu shqiptar

    Një mjek shqiptar në Kanada ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me makinë.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë Ambasada e Shqipërisë në Kanada, teksa ambasadorja Artemis Kosta Malo, ka ngushëlluar familjarët e të ndjerit.

    Agron Alija shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios.
    “Me dhimbje të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Agron Alija. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Agron Alija për këtë humbje të pazëvendësueshme.

    Dr. Agron Alija ishte një figurë emblemë e komunitetit shqiptar në Kanada, një profesionist i përkushtuar në fushën e mjekësisë dhe një njeri me shpirt fisnik që kontribuoi me dashuri, përkushtim dhe integritet në shërbim të njerëzve dhe komunitetit veçanërisht në Hamilton dhe London, aty ku edhe shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios.

    Humbja e tij la një boshllëk të madh jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë ata që patën fatin ta njihnin e ta vlerësonin. Në këto momente të vështira, shpreh gjithë mbështetjen time dhe uroj forcë dhe durim familjes së Dr. Alija për të përballuar këtë humbje. U prehsh në paqe, Dr. Alija. Kujtimi për ty do të qëndrojë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona, me respekt, mirënjohje dhe mall të thellë për njeriun fisnik, mjekun e përkushtuar dhe mikun e dashur që ishe”, shkruan ambasadorja shqiptare.

  • Shtetasi i huaj ndërron jetë në “Aeroportin Adem Jashari”

    Shtetasi i huaj ndërron jetë në “Aeroportin Adem Jashari”

    Një shtetas zviceran ka ndërruar jetë në “Aeroportin Adem Jashari” teksa po priste udhëtimin e tij për në Zvicër.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, shtetasit të huaj i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, por pavarësisht ndihmës mjekësore ai ka ndërruar jetë.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Aeroporti Adem Jashari, Lipjan 22.10.2025 – 21:00. Është raportuar se një mashkull shtetas zviceran, i cili ka qenë duke pritur për të udhëtuar për në Zvicër, i është keqësuar gjendja shëndetësore i është ofruar ndihma mjekësore, por pastaj ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2156 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 37 aksidente trafiku me dëme materiale, 21 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 15 persona, 10 janë dërguar në mbajtje, kurse një person është në vuajtje.

  • Presidentja udhëton drejt Gjermanisë, mban sot një fjalim në Universitetin e Berlinit

    Presidentja udhëton drejt Gjermanisë, mban sot një fjalim në Universitetin e Berlinit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nisur drejt Gjermanisë, ku do të mbajë sot një fjalim në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Berlinit.
    E para e vendit do të dalë përballë studentëve për të folur për mbrojtjen e demokracisë.
    Ngjarja është paralajmëruar të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme studentësh, meqë në universitet është duke u zhvilluar Java e Takimeve me Personalitete Evropiane.

    Kjo ndalesë e Osmanit është në vazhdën e takimeve të shumta që ajo do të zhvillojë, në vizitën e saj zyrtare në Gjermani.

  • Koalicion me LVV-në, Haziri: LDK nuk ka ndryshuar qëndrim, do të mbetemi në opozitë

    Koalicion me LVV-në, Haziri: LDK nuk ka ndryshuar qëndrim, do të mbetemi në opozitë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrimin politik në lidhje me një bashkëqeverisje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Haziri tha se LDK ka mbajtur një qëndrim të qartë që nga 9 shkurti: të garojë për fitore në zgjedhje dhe, në rast të kundërt, të qëndrojë në opozitë.
    “LDK nuk ka ndryshuar qëndrim politik. Që nga 9 shkurti, e kemi bërë të qartë se hyjmë në garë për të fituar dhe, nëse nuk fitojmë, qëndrojmë në opozitë. Edhe pas 9 shkurtit, pas ofertave për bashkëpunim institucional nga VV-ja, ne e kemi konfirmuar qëndrimin tonë”, tha Haziri.

  • Një Rolex i vitit 1953 shitet për mbi 5 milionë euro në ankand

    Një Rolex i vitit 1953 shitet për mbi 5 milionë euro në ankand

    Një shembull jashtëzakonisht i rrallë i Rolex-it, me referencë 6062, është shitur për një shumë marramendëse prej 5.33 milionë euro në ankandin e shtëpisë Monaco Legend fundjavën që lamë pas.

    Me këtë çmim rekord, ora është pozicionuar si Rolex-i i tretë më i shtrenjtë që është shitur ndonjëherë në një ankand, raporton Hypebeast.

    Bëhet fjalë për një orë automatike me faza të hënës dhe kalendar të trefishtë, e prodhuar rreth vitit 1953, me kuti prej ari të verdhë 18 karatësh.

    Ky model përfaqëson një moment të rëndësishëm në historinë e markës Rolex, kur kompania arriti të ndërthurë një mekanizëm kompleks me kalendar të plotë dhe me kutinë e famshme Oyster, të njohur për qëndrueshmërinë dhe papërshkueshmërinë nga uji.

    Modeli 6062 është një ndër orët më të rralla të prodhuara nga Rolex gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, me vetëm rreth 350 njësi të prodhuara. Variantet me dial të zi dhe indekse diamanti kanë fituar status legjendar në mesin e koleksionistëve, ndërsa versionet me tregues yjesh (stelline) dhe shembulli i njohur Bao Dai janë ndër më të çmuarit.

    Ora që u shit – një nga pak ekzemplarët me këtë konfigurim unik të dial-it dhe diamanteve – konsiderohet një nga versionet më të dëshiruara të referencës 6062.

    Ky shembull i veçantë ka edhe një histori të gjatë dhe të dokumentuar. Ai ishte pjesë e ankandit të koleksionit Mondani, të organizuar nga Antiquorum në vitin 2006, dhe është përfshirë në disa prej botimeve më të rëndësishme që trajtojnë orët vintage të Rolex-it.

    Rikthimi i kësaj ore në treg pas shumë vitesh pronësie private, në gjendje të shkëlqyer dhe me rrip origjinal prej ari 18 karatësh, e bëri atë objektin më të kërkuar të ankandit, duke ngjallur interes të jashtëzakonshëm nga koleksionistët e njohur në mbarë botën.