ATV

Author: ATV

  • Presidentja Osmani dekoron në Berlin politikane gjermane Marieluise Beck me Medaljen Presidenciale të Meritave

    Presidentja Osmani dekoron në Berlin politikane gjermane Marieluise Beck me Medaljen Presidenciale të Meritave

    Në një mbrëmje të veçantë në Berlin, e zhvilluar me pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në Gjermani, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar politikane dhe aktivisten e njohur gjermane Marieluise Beck me Medaljen Presidenciale të Meritave.

    Osmani vlerësoi Beck për “mbështetjen e saj të palëkundur ndaj popullit të Kosovës”, duke theksuar se ajo është “një grua që e bëri kauzën e Kosovës pjesë të ndërgjegjes evropiane”.

    Marieluise Beck është një nga zërat më të hershëm në politikën gjermane që ka mbrojtur të drejtat e popullit të Kosovës dhe ka mbështetur shtetndërtimin demokratik të vendit që nga vitet ’90. Si ish-deputete e Bundestagut dhe bashkëthemeluese e Qendrës për Liberalizëm dhe Demokraci (Zentrum Liberale Moderne), ajo ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

    Në ceremoninë e mbajtur, Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj mërgatës shqiptare në Gjermani për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit, duke theksuar se kontributi i tyre mbetet një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të Kosovës.

  • KQZ: Fushata zgjedhore për balotazhin nga 3 deri më 9 nëntor

    KQZ: Fushata zgjedhore për balotazhin nga 3 deri më 9 nëntor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që aktivitetet zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetarë të Komunave, do të jetë nga 3 deri më 9 nëntor 2025.

    Sipas vendimit të KQZ-së për miratimin e planit të aktiviteteve, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që garojnë në raundin e dytë, do të fillojë më 3 nëntor dhe do të përfundojë në orën 06:59 më 9 nëntor.

    Po sipas vendimit të KQZ-së, nga 26 deri më 29 tetor, është planifikuar që të bëhet dërgimi i fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar gjatë raundit të parë dhe që i takojnë komunave ku do të mbahet raundi i dytë.

    Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 27 tetor dhe do të përfundojë më 8 nëntor 2025.

    KQZ do t’i japë mundësi subjekteve politike që do të garojnë në raundin e dytë që të akreditojnë vëzhgues shtesë dhe të konfirmojnë vëzhguesit e akredituar.

    Kjo mund të bëhet nga data 28 tetor deri më 3 nëntor.

    Edhe mediat, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatike, do të duhet që të konfirmojnë vëzhguesit e tyre nga 31 tetori deri më 3 nëntor 2025.

    Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e rekomandimeve për përfshirjen në rezultatet përfundimtare të rezultateve që dolën pas rinumërimit të 16 kutive të votimit nga 12 vendvotime të ndryshme.

    Vendvotimet e rinumëruara me vendim të KQZ-së për shkak të evidentimit të mospërputhjeve, janë: Deçan (0105/03 – Kuvend Komunal); Gllogoc (0305/02, 0327/01, 0329/02 – Kuvend Komunal), Gjilan (0408/05, 0408/06 – Kryetar Komune dhe Kuvend Komunal), Lijan (1301/08 – Kuvend Komunal), Prishtinë (1904/04 – Kryetar Komune dhe Kuvend Komunal), Prizren (2034/04 – Kryetar Komune; 2034/01 | 2034/03 – Kuvend Komunal), Shtime (2207/01 – Kryetar Komune) dhe Suharekë (2404/01 – Kuvend Komunal).

    Gjithashtu, në mbledhje është bërë e ditur se personat që mbushin 18 vjet do të përfshihen në listën e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve.
    Ndërsa ata që mbushin 18 vjet dhe jetojnë jashtë Kosovës do të duhet të vijnë në Kosovë për të votuar.

    Po ashtu, personat që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës do të largohen drejtpërdrejt nga lista e rregullt e votuesve në Kosovë.

  • “Ishte një ëndërr, tani një realitet”, Messi flet pas rinovimit me Inter Miami

    “Ishte një ëndërr, tani një realitet”, Messi flet pas rinovimit me Inter Miami

    Fansat e futbollit, mbi të gjithë ato të Leo Messi-t, kanë një arsye të fortë për të festuar. “Pleshti” jo vetëm që nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli, por së fundmi legjenda argjentinase rinovoi kontratën e tij me Inter Miami deri në 2028. Me këtë firmë Messi vërtetoi se do të qëndrojë në futbollin aktiv të paktën edhe 3 vite të tjera, minimaliosht do të luajë futboll deri në moshën 41-vjeçare. Messi nuk e fshehu gëzimin për këtë firmë të re me klubin nga Los Angelos:

    “Jam me të vërtetë i lumtur që do të vijojë të jem pjesë e këtij projekti, fillimisht ishte një ëndërr, por tani është bërë një realitet i bukur. Që kur kam ardhur në Miami, kam qenë shumë i lumtur, pra jam i kënaqur që do të vijoj të luaj këtu”, u shpreh Lionel Messi.

    Ylli argjentinas është kthyer në një embleme jo vetëm për klubin e Inter Miami ku në 82 ndeshje ka shënuar 71 gola dhe ka dhuruar 37 asiste, por ka rritur jashtëzakonisht shumë edhe imazhin e MLS.

    I lumtur për rinovimin me Leo Messin u shfaq edhe David Beckham, CEO dhe pronari i Inter Miami: “Ideja jonë ka qenë ajo që të sillnim në skuadër dhe në qytet lojtarin më të mirë në botë, dhe bëmë pikërisht këtë. Jam i lumtur që Messi do të vijojë të jetë pjesë e ekipit tonë”, u shpreh Beckham.

  • Turqi/ Hetim për “spiunazh” ndaj Imamoglu-s, policia bastis live televizionin opozitar dhe arreston kryeredaktorin

    Turqi/ Hetim për “spiunazh” ndaj Imamoglu-s, policia bastis live televizionin opozitar dhe arreston kryeredaktorin

    Prokurorët turq kanë nisur një hetim për “spiunazh” ndaj Ekrem Imamoglut, ish-kryebashkiak i Stambollit dhe kandidat për kryetar të partisë opozitare CHP, siç u bë e ditur të premten (24 tetor).

    Edhe drejtori i fushatës elektorale të Imamoglut, Necati Özkan, po hetohet për të njëjtën akuzë, ndërsa kryeredaktori i kanalit televiziv TELE1, Merdan Yanardag, është arrestuar në kuadër të së njëjtës çështje.

    Imamoglu, i cili është në paraburgim dhe pret gjykimin për çështje të tjera, si dhe Ozkan, kanë marrë urdhër të paraqiten në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit për të dhënë dëshmitë e tyre.

    Bastisja në televizionin TELE1 zgjati rreth një orë dhe drejtori i përgjithshëm i lajmeve të stacionit, Merdan Yanardag, u arrestua.
    Gazetari Gohan Kayıs, prezantues i emisionit të mëngjesit , transmetoi drejtpërdrejt operacionin, duke informuar shikuesit se ekipet e policisë kishin qenë në stacion që nga orët e para të mëngjesit. Ai tha se rreth 50 anëtarë të TEM morën pjesë në operacion.

    Kayıs tha se e pyeti udhëheqësin e ekipit nëse Merdan Yanardag ishte informuar për operacionin dhe ai u përgjigj:
    “Nuk mund ta kontaktoni.”

    Gazetari shtoi se, bazuar në këtë përgjigje, ai supozoi se Yanardag ishte marrë tashmë në paraburgim.
    Pak më vonë, Zyra e Prokurorit njoftoi zyrtarisht se drejtori i përgjithshëm i lajmeve të TELE1, Merdan Yanardag , u arrestua këtë mëngjes si pjesë e operacionit. Sipas Hurryiet , personi i arrestuar akuzohet për spiunazh për kryetarin e ndaluar të Stambollit, Ekrem Imamoglu dhe shërbimet e huaja.

    Të njëjtat burime theksojnë se policia po kërkon prova se Imamoglu, së bashku me drejtorin e lajmeve të TELE1 dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja, u përpoqën të ndryshonin të dhënat e zgjedhjeve lokale të vitit 2019.

    Avokati i Yanardag, Bilgütay Haki Durna , duke folur për TELE1, tha se deri më tani nuk është informuar për dosjen e çështjes.
    “Kam parë vetëm njoftimin e Prokurorisë. Fatkeqësisht, në vendin tonë, akuzat serioze shpesh bëhen pa prova të mjaftueshme dhe njerëzit privohen nga liria e tyre pa bazë. Do të shkoj në stacionin e policisë për të pasur qasje në dosje”, tha ai.

    Durna theksoi gjithashtu se “është e pamundur të vihet në dyshim identiteti patriotik i Merdan Yanardag” dhe shtoi:
    “Në vendin tonë, njerëzit detyrohen të provojnë se nuk janë fajtorë”. Në përfundim, ai vuri në dukje se foli me familjen e gazetarit pasi përfundoi hetimi. “Familja e tij, ashtu si ai, mbetet e qetë dhe dinjitoze. Ata ishin të përgatitur për një mundësi të tillë për shkak të punës së tij. Ata janë moralisht të fortë dhe ne do të vazhdojmë së bashku në procesin ligjor”, tha ai.

  • Pamje prekëse nga Kharkivi – policia ukrainase shpëton fëmijët pas sulmit me dron rus në kopsht

    Pamje prekëse nga Kharkivi – policia ukrainase shpëton fëmijët pas sulmit me dron rus në kopsht

    Policia ukrainase ka publikuar pamje prekëse që tregojnë momentet kur fëmijët u shpëtuan pas një sulmi rus ndaj një kopshti fëmijësh në qytetin e Kharkivit.

    Sipas autoriteteve, sulmi u krye me dron dhe ndodhi në orët e paradites, në një kohë kur fëmijët ndodheshin brenda ndërtesës duke marrë pjesë në aktivitetet e tyre të përditshme.

    Në momentin e shpërthimit, në kopsht ishin gjithsej 48 fëmijë. Falë reagimit të shpejtë dhe përgjegjësisë së mësuesve, të cilët nuk e injoruan alarmimin për sulm ajror, u arrit që të gjithë fëmijët të dërgoheshin me shpejtësi në strehim, duke shmangur një tragjedi të madhe.

    Pamjet e publikuara nga policia, të marra nga kamerat e trupit të oficerëve, tregojnë momentet e para pas goditjes – tymi, rrënojat dhe punën e palodhur të forcave të emergjencës që po kërkonin të siguronin zonën dhe të ndihmonin personelin e kopshtit.

    Sipas njoftimit zyrtar, askush nga fëmijët nuk është plagosur rëndë, megjithëse disa prej tyre kanë pësuar tronditje psikologjike.

    Autoritetet vendore e kanë cilësuar këtë ngjarje si një shembull të guximit dhe përkushtimit të mësuesve dhe forcave të shpëtimit, të cilët, përmes veprimit të tyre të shpejtë, shpëtuan dhjetëra jetë të pafajshme.

    Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Ukrainë dhe jashtë saj, duke theksuar edhe një herë rrezikun e vazhdueshëm që civilët – dhe veçanërisht fëmijët – përballen çdo ditë në zonat pranë vijës së frontit./Telegrafi

  • Kamberi në ShBA: Standardet për serbët në Kosovë të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi

    Kamberi në ShBA: Standardet për serbët në Kosovë të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi

    Një delegacion i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të udhëhequr nga deputeti Shaip Kamberi, kanë zhvilluar një takim me Kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata thanë se biseduan gjerësisht “për gjendjen reale në Luginën e Preshevës, përtej narrativave zyrtare të Beogradit” dhe treguan se po kërkojnë barazi – të njëjtat standarde që Serbia i kërkon për serbët në Kosovë”.

    Sipas njoftimit të Kamberit, në këtë bisedë, ata kanë shprehur pozitën e vështirë të shqiptarëve atje dhe kanë kërkuar mundësinë e angazhimit të ShBA-së për mbështetje.

    “Hapur folëm pozitën e vështirë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Militarizimin e zonës e moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, që nga Marrëveshjen Kornizë të vitit 2001. Pasivizimin e adresave, që po përdoret si mjet administrativ për fshirjen e shqiptarëve nga regjistrat civilë, si dhe diskriminimin dhe margjinalizimin sistematik në institucione publike, arsim dhe punësim.

    Në takim kërkova edhe mundësinë e angazhimi më intensiv të Shteteve të Bashkuara në Luginën e Preshevës, përmes mbështetjes institucionale, monitorimit të situatës dhe përfshirjes më të drejtpërdrejtë në çështjet e të drejtave të njeriut.

    Theksova se Lugina e Preshevës kërkon barazi – të njëjtat standarde që Serbia i kërkon për serbët në Kosovë duhet të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi.”

  • Grabitja me armë në autostradë, dyshohet se shoferit të postës ia kapën rreth 10 mijë euro

    Grabitja me armë në autostradë, dyshohet se shoferit të postës ia kapën rreth 10 mijë euro

    Një plaçkitje e armatosur raportohet se ka ndodhur gjatë ditës së sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të fshatit Duhël.

    Sipas informacioneve të “Gazeta Nacionale”, cak i grabitjes ka qenë një automjet transportues që kryen shërbime postare, derisa bazuar në burime të gazetës, dyshohet se shoferit iu janë grabitur rreth 10 mijë euro, transmeton Klankosova.tv.

    Burime të Gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se grabitësit fillimisht kanë qëlluar me armë zjarri pjesën e pasme të automjetit dhe pasi kanë arritur ta ndalojnë, nga shoferi kanë kërkuar të hollat nën kërcënimin e armës.

    Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe tashmë janë duke kryer hetimet rreth rastit.

    Klankosova.tv ka tentuar të kontaktojë me organet e rendit, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

  • India teston “mbjelljen e reve” në Delhi për të pastruar ajrin në qytetin më të ndotur të botës

    India teston “mbjelljen e reve” në Delhi për të pastruar ajrin në qytetin më të ndotur të botës

    Qeveria rajonale e Delhi-t po teston një eksperiment me “mbjelljen e reve” për të shkaktuar shi artificial, në përpjekje për të pastruar ajrin në qytetin më të ndotur të botës.

    Partia Bharatiya Janata (BJP) ka propozuar këtë metodë për të kontrolluar ndotjen që kur mori qeverisjen rajonale këtë vit, raporton The Guardian. Mbjellja e reve përdor avionë ose dronë për të shtuar grimca joduri argjendi në retë, duke nxitur grumbullimin e pikave të ujit dhe reshje më të dendura.

    Pas disa muajsh moti të paparashikueshëm, qeveria vendosi ta zbatojë skemën pas rritjes së ndotjes pas festivalit Diwali. Fluturimi provë u zhvillua të enjten, dhe kryeministrja Rekha Gupta tha se, në kushte të favorshme, Delhi mund të ketë shi artificial më 29 tetor, transmeton Thguardian.

    Ekspertët paralajmërojnë se efekti shpesh është i vogël dhe nuk adreson shkaqet kryesore të ndotjes. Profesorët Shahzad Gani dhe Krishna AchutaRao e quajtën planin një “trik”, krahasues me “kullat e smogut” të mëparshme, dhe vunë në dukje mungesën e studimeve mbi efektet afatgjata të kimikateve të përdorura mbi shëndetin dhe bujqësinë.

    Delhi është qyteti më i ndotur i botës për më shumë se një dekadë, dhe dimrit nivelet e PM2.5 dhe PM10 shpesh tejkalojnë ato të famshme në ‘airpocalypse’ të Pekinit në 2013.

  • Trump: Do t’i vrasim njerëzit që sjellin drogë në vendin tonë

    Trump: Do t’i vrasim njerëzit që sjellin drogë në vendin tonë

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se sulmet e SHBA-së ndaj të ashtuquajturve narko-terroristë nuk kërkojnë deklaratë lufte dhe ka njoftuar se seria e fundit e bombardimeve të anijeve në Karaibe dhe Paqësor do të pasohet nga sulme në tokë.

    Ai theksoi se Kongresi do të informohet për operacionet.

    “Epo, nuk mendoj se domosdoshmërisht do të kërkojmë një deklaratë lufte”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, raporton AP.

    “Mendoj se do t’i vrasim njerëzit që sjellin drogë në vendin tonë. Dakord? Do t’i vrasim”, tha Trump.

  • Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Llapashticë të Epërme

    Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Llapashticë të Epërme

    Policia e Kosovës ka arrestuar A.H., i dyshuari për vrasjen e 44-vjeçarit B.S., që ndodhi më 6 shtator të këtij viti në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ishte shpallur në kërkim që nga dita e ngjarjes, ndërsa arrestimi i tij është realizuar sot në Prishtinë, pas një operacioni të suksesshëm të Njësitit të Stacionit Policor Veriu, në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit.

    “Sot nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, më konkretisht nga zyrtarë të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, është lokalizuar dhe arrestuar një person i dyshuar që ishte në kërkim për vrasje. Rasti kishte ndodhur më 6 shtator 2025, në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës”, thuhet në njoftimin e policisë.

    “Njësitet policore kanë ndërmarrë një operacion në Prishtinë, i cili ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar: A.H, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ishte i shpallur në kërkim nën dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën në fjalë. Veprimet e mëtejme lidhur me personin e dyshuar do të merren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet tutje në njoftim.

    Policia ka bërë të ditur se hetimet rreth rastit po vazhdojnë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.