ATV

Author: ATV

  • Ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për balotazh

    Ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për balotazh

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

    Kjo periudhë e votimit, e cila zgjat nga 27 tetori deri më 8 nëntor 2025, vlen vetëm për 29,712 shtetas të Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).

    Këta votues i takojnë komunave që, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).

    KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë.

    Në përputhje me Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ ka përgatitur dhe dërguar pakot me fletëvotime për secilin votues të regjistruar. Çdo zarf përmban fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin me informacione për plotësimin e fletëvotimit dhe procesin e votimit me postë, si dhe zarfin kthyes me shirit mbyllës.

    Votuesit duhet që pakon me fletëvotim ta dërgojnë në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e rasteve, adresa e kutisë postare është shënuar paraprakisht nga KQZ, ndërsa në rastet kur mungon, votuesi duhet ta plotësojë vetë me adresën e kutisë postare përkatëse.

    Procesi i dërgimit të pakove ka filluar në disa shtete, dhe shërbimet postare do t’i dorëzojnë ato tek votuesit në adresat e tyre të regjistruara.

    Kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

  • Në Kosovë gjatë këtij viti 1.640 raste të reja me kancer

    Në Kosovë gjatë këtij viti 1.640 raste të reja me kancer

    Është rritur dukshëm numri i të prekurve nga kanceri në Kosovë.

    Në nëntëmujorin e këtij viti janë regjistruar mbi 1 mijë raste të reja të kancerit, kryesisht kancer i gjirit dhe mushkërive.

    Kështu ka bërë të ditur për Front Online, drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi.

    “Gjatë nëntë mujorit të këtij viti, në regjistrin klinik të Klinikes së Onkologjisë janë regjistruar rreth 1.640 raste të reja me kancer, numër pothuajse i njëjtë me vitin 2024. Dominimi vërehet te kanceri i gjirit tek femrat dhe ai i mushkërive dhe kolorektali tek meshkujt”, u shpreh Kurtishi.

    Ai tregon se mosha më e prekur është ajo ndërmjet 50-60 vjeç.

    “Grupmoshat më të prekura janë ato 50–60 vjeç, edhe pse ka tendencë të rritjes së rasteve të reja të grupmoshat nga 40-50 vjeç si të femrat edhe tek meshkujt”, potencoi Kurtishi.

    “Për nëntëmujorin e këtij viti një referim ka qenë për trajtim jashtë vendit”, ka thënë drejtori i Klinikës së Onkologjisë.

    Ai gjithashtu ka thënë se klinika që ai udhëheqë ka furnizim të barnave me kapacitet prej 80%.

    “Klinika e Onkologjisë ka një furnizim prej gati 83%, përjashtuar barnat pa autorizim marketingu dhe disa produkte që janë në procedurë prokurimi, si dhe disa të tjera për të cilat nuk ka pasur ofertues, sipas njoftimit nga SHSKUK”, ka thënë Kurtishi.

    Tutje, ai ka bërë të ditur se lajm pozitiv është përfshirja e disa barnave te reja për trajtimin e disa sëmundjeve.

    “Risi është muaj është furnizimi i Klinikës me barnat për trajtimin e melanomës malinje të avancuar, konkretisht me barnat BRAF-inhibitorë, si pjesë e listës esenciale të barnave (LBE). Klinika është fornizuar edhe barnat CD4-inhibitorë, për trajtimin e formave të avancuara dhe metastatike të kancerit të gjirit ER+, PGR+, HER2neu-negativ”, njoftoi Kurtishi.

  • Arrestohet prokurori në Prizren nën dyshimin për “marrje ryshfeti”

    Arrestohet prokurori në Prizren nën dyshimin për “marrje ryshfeti”

    Beqë Shala, prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti”.

    Ai është arrestuar të hënën, ka njoftuar Prokuroria.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës. Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Shifra shqetësuese: 86 të vdekur për nëntë muaj në aksidente trafiku, prej tyre 47 kanë qenë shoferë

    Shifra shqetësuese: 86 të vdekur për nëntë muaj në aksidente trafiku, prej tyre 47 kanë qenë shoferë

    86 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku në periudhën janar-shtator 2025. Prej tyre, 47 kanë qenë shoferë.

    Policia njofton se nga 75 aksidente me fatalitet për nëntë muajt e parë të 2025-ës, 29 kanë qenë vetaksidente.

    “Sipas analizave të deritanishme nga tetëdhjetegjashtë (86) persona që kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor për periudhën “Janar-Shtator 2025”, sipas pjesëmarrësve: dyzeteshtatë (47) apo 54.6 %, kanë qenë shoferë. Nga shtatëdhjetepesë (75) aksidente fatale për periudhën “Janar-Shtator 2025”, sipas tipit të aksidentit: njëzetenëntë (29) aksidente fatale apo 38.6 %, kanë qenë vet aksident”, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

    Hoxha apeloi për kujdes në trafik sidomos kur ka reshje shiu dhe zvogëlim të dukshmërisë në rrugë.

    “Andaj, kërkojmë kujdes dhe vigjilencë të shtuar nga të gjithë shoferët e automjeteve, gjithashtu kërkohet përshtatje dhe respektim i kufizimeve të shpejtësisë në rrugë të të gjitha niveleve kur kemi reshje shiu dhe zvogëlim të dukshmërisë në rrugë. Përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës është e domosdoshme për një siguri më të madhe gjatë vozitjes dhe evitim të aksidenteve rrugore që shpesh po rezultojnë me pasoja fatale”, shtoi Hoxha. /BetimipërDrejtësi

  • Gjysmë milioni euro nën hetim, Albina Nura jep dëshmi për rastin e BE-së në Kosovë

    Gjysmë milioni euro nën hetim, Albina Nura jep dëshmi për rastin e BE-së në Kosovë

    Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka nisur seanca gjyqësore në rastin ndaj ish-zyrtares së Bashkimit Evropian në Kosovë, Albina Nura.

    Në këtë seancë, po jep dëshminë e saj vetë e akuzuara Nura, e cila ka sqaruar procedurat që, sipas saj, janë ndjekur në rastin e nënshkrimit të amendamenteve të kontratave.

    “Sipas kontratës, unë e kam pasur të detyruar të lajmëroja vetëm punët me pagesë, pra nëse kam pasur punë me pagesë jashtë orarit të punës. As në kontratën time nuk më është kërkuar të raportoja investime të mia dhe të familjes sime. Nuk ka të bëjë ‘pragu’ me investimet e mia, vlen vetëm për implementimin e buxheteve të implementuara të BE-së”, ka thënë Nura.

    Ajo ka shtuar se të gjitha transaksionet financiare janë bërë në mënyrë të ligjshme dhe të dokumentuar: “Qysh e kam dëshmuar, edhe kur jam pyetur në hetuesi, edhe kur i kam dorëzuar transferet bankare në 2020, secili transfer është bërë me kontrata, të gjitha janë te noteri. Nuk ka kurgjë në ato transfere që nuk mbështetet se janë bërë nga unë dhe burri im. Shumë prej atyre financimeve për të cilat më kanë pyetur edhe hetuesit, të gjitha janë në regjistrin e kredive dhe janë pjesë e këtij folderi”.

    Sipas Nurës, të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me rregullat institucionale të Bashkimit Evropian dhe nuk ka pasur asnjë veprim të kundërligjshëm nga ana e saj.

    Albina Nura akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se i ka shkaktuar dëm prej rreth 500 mijë eurosh buxhetit të BE-së, me ç’rast dyshohet për veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt interesi”.

  • Shtyhet seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”

    Shtyhet seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”

    Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”, ku Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq ishte paraparë të dilnin sot para trupit gjykues me fillim nga ora 09:30.

    Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se arsyeja e shtyrjes është se Gjykata e Shkupit nuk mund të sigurojë lidhjen me video-konferencë për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë, për shkak se pajisjet nuk janë funksionale.

    Në njoftimin e Gjykatës thuhet:

    “Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special njofton se është anuluar seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.S, D.M. dhe V.T., pasi përmes emailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës është njoftuar se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Gjykata e Shkupit, ka njoftuar se nuk kanë mundësi që të bëjnë lidhjen me video-konferencë për datën 27 tetor 2025, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë”.

  • Osmani me vizitë pune në Riad, pritet me nderime ushtarake

    Osmani me vizitë pune në Riad, pritet me nderime ushtarake

    Presidentja Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake në vizitën e saj në Arabinë Saudite.

    Ajo po qëndron në Riad, pas ftesës që ka marrë nga princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman dhe do të marrë pjesë në Future Investment Initiative (FII).

    “Ky forum, i njohur si një nga ngjarjet më prestigjioze globale për investime dhe inovacion, mbledh udhëheqës botërorë, drejtues të korporatave më të mëdha ndërkombëtare, investitorë, dhe ekspertë të teknologjisë e politikave publike, për të diskutuar idetë dhe strategjitë që do të formësojnë ekonominë dhe shoqëritë e së ardhmes”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Çmimet e naftës bien globalisht, Rexhepi: Do të bie edhe në Kosovë

    Çmimet e naftës bien globalisht, Rexhepi: Do të bie edhe në Kosovë

    Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare po tregojnë shenja stabilizimi dhe rënieje gjatë këtij viti, pas një periudhe të gjatë luhatjesh si pasojë e agresionit rus në Ukrainë dhe sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë.

    Ekonomisti Sejdi Rexhepi, në një intervistë për Ekonomia Online, shpjegon se zhvillimet e fundit janë rezultat i faktorëve globalë që lidhen me kërkesën, ofertën dhe dinamikat gjeopolitike.

    “Çmimet janë reflektim i kërkesës së tregjeve ndërkombëtare dhe produkteve të saj. Në periudhën pas agresionit rus, çmimet u rritën ndjeshëm, por prodhuesit e tjerë arritën ta kompensonin mungesën e furnizimit nga Rusia, duke e balancuar tregun global,” tha Rexhepi.

    Sipas tij, vitet 2024 dhe 2025 po karakterizohen nga një fazë stabilizimi të çmimeve dhe një tendencë e lehtë rënieje, që lidhet me disa zhvillime të rëndësishme ekonomike dhe teknologjike.

    “Në veçanti gjatë vitit 2024 vërehet një tendencë stabilizimi me prirje rënieje. Kjo ndodh për shkak të rritjes së ofertës, por edhe për shkak të krizave politike dhe tregtare që kanë ngadalësuar ritmin e kërkesës. Një faktor tjetër është kalimi drejt burimeve alternative të energjisë, sidomos në industrinë e automobilave në tregjet kineze, evropiane dhe amerikane,” theksoi ai.

    Në këtë drejtim, Rexhepi shton se ulja e kërkesës për produkte të naftës është ndikuar dukshëm nga zgjerimi i përdorimit të automjeteve elektrike, që po zvogëlon nevojën për energji nga derivatet e naftës.

    Ai thekson se edhe Kosova do të ndjejë ndikimin e këtyre zhvillimeve, por paralajmëron se duhet monitorim i vazhdueshëm institucional për të siguruar që çmimet në tregun lokal të pasqyrojnë realisht rënien globale.

    “Kosova është pjesë e tregut ndërkombëtar dhe furnizohet sipas çmimeve botërore. Megjithatë, ndryshimet nuk reflektohen menjëherë për shkak të rezervave ekzistuese që tregtarët kanë blerë më herët me çmime më të larta. Nëse pas një periudhe të arsyeshme nuk vërehet rënie, atëherë institucionet duhet të ndërhyjnë për të parandaluar mbajtjen e qëllimshme të çmimeve të larta,” tha ekonomisti.

    Sipas Rexhepit, tregu i naftës po hyn në një periudhë më të qëndrueshme, por transparenca dhe ndërhyrja e institucioneve janë thelbësore për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet e mundshme.

  • Rasti “Banjska”, tre të akuzuarit sërish sot para trupit gjykues

    Rasti “Banjska”, tre të akuzuarit sërish sot para trupit gjykues

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot do të vazhdojë seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”.

    Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, do të dalin sërish para trupit me fillim nga ora 09:30.

    Ata, përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.

  • 10 vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    10 vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Kosova ka nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

    Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Marrëveshja për Stabilizim-Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

    Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në Strasburg.