ATV

Author: ATV

  • AVONET dorëzon padi ndaj Qeverisë në detyrë

    AVONET dorëzon padi ndaj Qeverisë në detyrë

    Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka njoftuar se sot, do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër vendimit të Qeverisë në detyrë, i cili ka të bëjë me miratimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

    Në komunikatën për media thuhet se së bashku me padinë do të dorëzohet edhe kërkesa për vendosjen e një mase të përkohshme sigurie, me qëllim që të pezullohet zbatimi i vendimit deri në marrjen e një vendimi nga gjykata.

    Dorëzimi i dokumenteve do të bëhet në Pallatin e Drejtësisë, në Departamentin për Çështje Administrative, duke filluar nga ora 10:30.

    Pas dorëzimit të padisë, drejtori ekzekutiv i AVONET-it, Kenan Gashi, do të mbajë një deklaratë për media, ku do të shpjegojë arsyet e kësaj nisme ligjore.

    Sipas njoftimit, qëllimi i padisë është të sigurohet respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i Ligjit për Qeverinë, si dhe i parimeve të ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit.

  • Sot fillon fushata zgjedhore e balotazhit, përfundon me hapjen e vendvotimeve të dielën

    Sot fillon fushata zgjedhore e balotazhit, përfundon me hapjen e vendvotimeve të dielën

    Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, e cila do të zgjasë deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit, më 9 nëntor, në orën 07:00.

    Fushata do të zgjasë gjashtë ditë dhe përfundon me hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve.

    Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të zhvillohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    Në nivel vendi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) udhëheq me numrin më të madh të garave në balotazh që do të mbahen më 9 nëntor, e pasuar nga LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe.

    LVV-ja, garon në 12 komuna në balotazh

    LDK-ja, garon në 9 komuna në balotazh

    PDK-ja, garon në 6 komuna në balotazh

    AAK-ja, garon në 5 komuna në balotazh

    Lista Serbe, garon në 1 komunë në balotazh në Kllokot.

    LVV-ja pa ballotazh ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa PDK-ja në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit. Pa balotazh, LDK-ja ka fituar në Istog dhe Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan.

    Gara është mbyllur që më 12 tetor edhe për Ramiz Lladrovcin në Drenas, si dhe për Nismën në Malishevë. Lista Serbe i ka fituar pa balotazh nëntë komuna me shumicë serbe.

  • Moti sot, ndryshe nga ditët “verore”që lamë pas

    Moti sot, ndryshe nga ditët “verore”që lamë pas

    Sot mbi vendin parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku gjatë ditës mund të ketë ndonjë reshje të izoluar, ndërsa në mbrëmje pritet depërtimi i një fronti të ftohtë nga veriperëndimi i kontinentit, duke sjellë intensifikim të reshjeve në rang vendi.

    Reshjet lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të cilat mund të shoqërohen me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, ndërsa në mbrëmje do të zhvendoset nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 20°C. Në mbrëmje ulje e ndjeshme e temperaturave si pasojë e frontit të ftohtë. /MeteoKosova

  • Kusari: Kosova po dështon të mbrojë gazetarët, të zbatohen obligimet ndërkombëtare e vendore

    Kusari: Kosova po dështon të mbrojë gazetarët, të zbatohen obligimet ndërkombëtare e vendore

    Në Ditën Ndërkombëtare kundër Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve, juristja e mediave Flutura Kusari ka bërë thirrje për veprime konkrete nga institucionet e Kosovës, duke theksuar se shteti nuk ka përmbushur obligimet e tij për garantimin e sigurisë së gazetarëve.

    Kusari ka kujtuar se Kosova është e detyruar të zbatojë Rekomandimin e Këshillit të Evropës CM/Rec(2016)4 për Sigurinë e Gazetarëve, përmes ndryshimeve ligjore dhe politike që lidhen me lirinë e shprehjes dhe të medias.

    Ajo ka theksuar tri masa urgjente që duhet të ndërmerren:Hartimi i një Plani Kombëtar për Sigurinë e Gazetarëve;

    Themelimi i një Trupi Kombëtar Koordinues për Sigurinë e Gazetarëve;

    Zbatimi i plotë i rekomandimeve ndërkombëtare në këtë fushë.

    Sipas Kusarit, në pesë vitet e fundit, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë ndryshim ligjor apo politikë shtetërore për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve — përkundrazi, numri i sulmeve ndaj tyre është rritur.

    “Shpresoj që sot gazetarët do t’ia kushtojnë 1-2 minuta kësaj tematike të rëndësishme”, ka shkruar ajo, duke apeluar për reflektim dhe veprim institucional për mbrojtjen e lirisë së shtypit në vend.

  • Rama i reagon edhe njëherë Kurtit: Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt s’e jep?

    Rama i reagon edhe njëherë Kurtit: Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt s’e jep?

    Kryetari i Prishtinës, dhe kandidati për një mandat tjetër nga rradhët e LDK-së, Përparim Rama, i është kthyer edhe njëherë deklaratës skandaloze të Kurtit, i cili la të kuptohet për qytetarët që të mos votojnë kandidatë për kryetar nga partitë e tjera, sepse nuk u lëshon buxhet.

    Rama e ka quajtur rrezik institucional qasjen e Kurtit, duke thënë se kjo është logjikë shkatërruese dhe se në këto kushte, Kurti nuk duhet të jetë kryeministër i Kosovës më.

    Postimi i plotë në “Facebook”:

  • AGK: Familjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë kanë pritur me dekada për drejtësi

    AGK: Familjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë kanë pritur me dekada për drejtësi

    Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund Pandëshkueshmërisë ndaj Krimeve kundër Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka kërkuar drejtësi për gazetarët e vrarë në vend dhe llogaridhënie nga institucionet e drejtësisë.

    Kryetari i bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka theksuar se familjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë prej dekadash po presin drejtësi, ndërsa mosndëshkimi vazhdon të pengojë lirinë e medias dhe punën e gazetarëve investigativë.

    “Pandëshkueshmëria dekurajon gazetarët që të vazhdojnë misionin e tyre për të zbuluar të vërtetën”, ka deklaruar Rexha, duke bërë thirrje për hetim të plotë dhe transparent të rasteve të pazgjidhura të vrasjeve të gazetarëve.

    AGK ka përsëritur angazhimin e saj për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale ndaj çdo sulmi që cenon lirinë e medias në Kosovë.

  • “Kërkuan dhjetëra miliona euro”, hajdutët e Luvrit tentuan shitjen e bizhuterive në Izrael?

    “Kërkuan dhjetëra miliona euro”, hajdutët e Luvrit tentuan shitjen e bizhuterive në Izrael?

    Një kompani sigurie izraelite thotë se është kontaktuar nga hajdutët që fshihen pas vjedhjes së xhevahireve në Luvër, duke i ofruar negociata sekrete për të shitur sendet e vjedhura nëpërmjet rrjetit të errët.

    Ajo thekson se hajdutët kërkuan dhjetëra milionë euro për xhevahiret e vjedhura.

    Tzvika Naveh, CEO i kompanisë, tha se kompania mori një mesazh të koduar përmes faqes së saj të internetit pesë ditë pas grabitjes së 19 tetorit nga një person që pretendonte se përfaqësonte hajdutët.

    “Ai na ofroi negociata në rrjetin e errët për të blerë xhevahiret e vjedhura, duke e kufizuar kontaktin në vetëm 24 orë”, vuri në dukje Naveh.

    “Kompania u angazhua në një seri bisedash të koduara me një përfaqësues të hajdutëve dhe mori indikacione se ai me të vërtetë zotëronte të paktën disa nga artikujt e vjedhur. Ata ishin në arrati dhe duhej të shpëtonin shpejt nga plaçka e tyre”, shtoi ai.

    Ai kontaktoi Luvrin nëpërmjet një ndërmjetësi dhe pretendon se Luvri nuk i ktheu përgjigje.

    “Ne humbëm besueshmërinë tek hajdutët dhe Luvri humbi një mundësi të vërtetë për të kthyer xhevahiret”, tha Naveh.

    Ai pohon se disa muaj më parë, në një intervistë me gazetën italiane Il Tempo, paralajmëroi për diskutime në rrjete që sugjeronin plane për të grabitur Luvrin./Telegrafi

  • A mund të anëtarësohet Kosova në BE? Ish-presidenti i KiE: Po, ka një mënyrë

    A mund të anëtarësohet Kosova në BE? Ish-presidenti i KiE: Po, ka një mënyrë

    Ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka zhvilluar një intervistë në “Inside Albania Podcast” me Alice Taylor ku foli lidhur me marrëdhënien e Kosovës dhe Serbisë dhe rrugës së tyre drejt BE-së.

    Sipas tij anëtarësimi në BE është rruga më e mirë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe për uljen e tensioneve.

    “Unë me sinqeritet ndjej se mjeti më i fortë është anëtarësimi në BE. Dhe nëse duam që Kosova dhe Serbia te jenë të guximshme në nivel të brendshëm, sepse e di që si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, ekziston nevoja për t’i bindur qytetarët se zgjedhjet që po bëhen janë zgjedhjet më te mira për ta, mendoj se mënyra më e mirë për t’i bindur njerëzit për ta.

    Mendoj se mënyra më e mirë për t’i bindur njerëzit është qё ata udhëheqës dhe ato shoqëri ta kenë ketë perspektive anëtarësimi. Sepse ky anëtarësimi, sipas meje, është mënyra më e mirë për të zbutur tensionet, për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të zhvilluar një agjendë më pozitive të orientuar drejt së ardhmes”, u shpreh Michel.

  • Aksion policor në Prishtinë, u privatizuan prona të AKP e më pas iu shitën personave të tjerë

    Aksion policor në Prishtinë, u privatizuan prona të AKP e më pas iu shitën personave të tjerë

    Një aksion policor është zhvilluar nga policia për një rast që ndërlidhet me falsifikim të dokumenteve, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim e armëmbajtje pa leje.

    Sipas njoftimit të policisë, një person është arrestuar më 01.11.2025, pasi që i njëjti dyshohet se gjatë periudhës 2021-2024, ka kryer vepra penale duke përfshirë dyshime se janë falsifikuar dokumente, lidhur me pronat e përfshira që kanë qenë nën menagjimin e AKP-së.

    Tutje sipas njoftimit të policisë, këto prona i dyshuari në bashkëkryerje me persona tjerë kanë arritur që t’i falsifikojnë dokumentet që në procedura për bartje dhe legalizim i kanë bartur nga prona shtetërore në pronësi private.

    E pasi i kanë bartur këto prona në pronësi private, policia ka njoftuar se të njëjtit pastaj i kanë shitur duke mashtruar blerësit dhe nga këto para kanë përfituar shuma të mëdha financiare.

    Gjithashtu pas arrestimit, policia ka njoftuar edhe se ka bastisur disa objekte.“Janë bërë kontrolla në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme që kanë lidhje me falsifikime si dhe pajisje që janë përdorë për falsifikimin e dokumenteve”- thuhet në njoftimin e policisë në raportin policor të datës 02.11.2025.

    Gjatë operacionit policor është konfiskuar një pistoletë me 103 fishek, një telefon celular, një orë dore rolex dhe një zingjir dore rolex.

    I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • 36 vjet nga rënia heroike e dy heronjve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia

    36 vjet nga rënia heroike e dy heronjve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia

    Sot mbushen 36 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të kombit Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia nga komuna e Podujevës.

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bën homazhe në nderim të 36-vjetorit të rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.

    Ndryshe më 2 nëntor 1989, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, pas një beteje të pabarabartë me forcat e pushtuesit serb, ranë heroikisht dy bijtë më të mirë të Kosovës – Fahriu dhe Afrimi.

    Fahri Fazliu lindi në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981, 1988 dhe 1989, dhe gjatë gjithë jetës së tij mbeti i përkushtuar në veprimtarinë çlirimtare për lirinë e atdheut, duke vepruar me përkushtim në çdo vend ku kishte mundësi.

    Afrim Zhitia lindi në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, u inkuadrua në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 u arrestua bashkë me shokët dhe u dënua me 8 vjet burg për veprimtarinë e tij atdhetare.

    Më 2 nëntor 1989, forcat e UDB-së serbe dhe ushtria e serbise, rrethuan shtëpinë ku gjendeshin Afrimi dhe Fahriu në Bregun e Diellit. Luftimet filluan në orën 12:45 dhe zgjatën deri në ora 19:00.

    Në atë betejë të pabarabartë ranë heroikisht Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, duke hyrë përgjithmonë në pavdekësinë kombëtare.