ATV

Author: Samir Dalipi

  • Vdekja e 59-vjeçarit në vendin e punës në Ferizaj, ndalohet për 48 orë një i dyshuar

    Vdekja e 59-vjeçarit në vendin e punës në Ferizaj, ndalohet për 48 orë një i dyshuar

    Një person është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në lidhje me rastin tragjik ku një 59-vjeçar humbi jetën pasi ra nga një objekt në ndërtim në Ferizaj.

    Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari me iniciale N.E. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Remzi Hoxha”, ku viktima dyshohet se ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim, ndërsa ekipet emergjente, pas daljes në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar vdekjen e tij.

    “Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person i dyshuar me iniciale N.E., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit për veprën penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Prokurori i shtetit ka udhëzuar Policia e Kosovës dhe Inspektoratin e Punës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

    Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprimet e mëtejme ndaj të dyshuarit.

  • Komuna e Prishtinës ndëshkon “Ujësjellësin”, Rama: Ndërhyrjet e paautorizuara lanë në gjendje të pasigurt rrugët

    Komuna e Prishtinës ndëshkon “Ujësjellësin”, Rama: Ndërhyrjet e paautorizuara lanë në gjendje të pasigurt rrugët

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj “Ujësjellësit” për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në infrastrukturën rrugore.

    Sipas Ramës, këto ndërhyrje kanë rezultuar me lënien e rrugëve në gjendje të mjerueshme dhe të pasigurt për qytetarët.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se sipas procedurave në fuqi, çdo intervenim duhet të lajmërohet paraprakisht në komunë, në mënyrë që të
    sigurohet zona e punimeve dhe të bëhet sanimi i menjëhershëm i asfaltit dhe trotuareve pas përfundimit të tyre.

    “Megjithëse ujësjellësi është paralajmëruar disa herë për respektimin e këtyre procedurave, praktika ka vazhduar, duke detyruar Inspeksionin e Komunës të shqiptojë gjoba në dy raste të ndara”, ka shkruar ai.

  • “S’ka Hoxhë që s’kam marrë mësime prej tij” – Eman Rrahmani rrëfen rrënjët e besimit dhe edukatës fetare, e falënderon nënën

    “S’ka Hoxhë që s’kam marrë mësime prej tij” – Eman Rrahmani rrëfen rrënjët e besimit dhe edukatës fetare, e falënderon nënën

    Deputeti Eman Rrahmani ka folur hapur për përkushtimin e tij ndaj fesë dhe ndikimin vendimtar që ka pasur familja në formimin e tij shpirtëror. Në emisionin “LIBERO”, ai theksoi se bazat e edukatës fetare i ka marrë që në fëmijëri, falë nënës së tij.

    “S’ka hoxhë prej të cilit s’kam marrë mësime,” u shpreh Rrahmani, duke nënvizuar se rrugëtimi i tij fetar është ndërtuar si nga mësimet e dijetarëve fetarë, ashtu edhe nga edukimi i hershëm familjar.

    Ai veçoi rolin e nënës si thelbësor në këtë proces, duke thënë: “Unë edukatën fetare, mësimet fetare dhe gjithçka që kam, e kam pikërisht prej nanës. Mua si fëmijë më ka eduku në frymë fetare – çka është e lejueshme dhe çka nuk është, çka është e dashur për Zotin, për nanën, për prindin, për secilin.”

    Rrahmani shtoi se nga kjo edukatë ka mësuar parimet bazë të drejtësisë dhe të së mirës, duke e konsideruar këtë trashëgimi si themelin e karakterit dhe bindjeve të tij.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Eman Rrahmanit, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • “Nga një foto për dokumente te 300 selfie në WC” – Gani Ibërdemaj flet për fotografinë moderne

    “Nga një foto për dokumente te 300 selfie në WC” – Gani Ibërdemaj flet për fotografinë moderne

    Fotografi Gani Ibërdemaj në emisionin “LIBERO” ka ndarë një reflektim mbi transformimin drastik të artit të fotografisë ndër vite, duke krahasuar disiplinën e dikurshme me realitetin e sotëm digjital.

    Ai kujtoi se në të kaluarën çdo fotografi kishte peshë dhe kosto:
    “…Na, për dokumente, e kemi fotografu dikë vetëm një herë. Vetëm nëse e kemi vërejt që i ka mbyll sytë, e kemi bë edhe një tjetër. Sepse filmi, zhvillimi dhe letra kushtonin…”, u shpreh ai.

    Sipas Ibërdemajt, sot fotografia është bërë e pakufizuar dhe shpesh pa kriter. Ai kritikon fenomenin e fotografimit të tepërt, sidomos me telefona mobilë:
    “…Sot vajzat tona e kanë shndërru çdo WC e banjo hoteli në studio fotografie. Marrin telefonin dhe bëjnë 200-300 fotografi pa harxhu asgjë…”

    Fotografi thekson se dikur suksesi në këtë profesion varej nga njohja e teknikave dhe rregullave bazë, ndërsa sot teknologjia e ka lehtësuar gjithçka, por edhe e ka zbehur vlerën e mjeshtërisë:
    “Atëherë ose ke ditë me fotografu, ose s’ke ditë. Çdo profesion i ka rregullat e veta. Nëse nuk i ke ditë, kot je mundu.”

    Rrrjetet sociale dhe teknologjia a e kanë ndryshuar raportin e njerëzve me fotografinë – nga një art i menduar mirë, në një aktivitet të përditshëm masiv?

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Gani Ibërdemajt, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • “Gjeta elemente të skizofrenisë”, neuropsikiatri Sami Rexhepi tregon një përvojë personale gjatë studimeve

    “Gjeta elemente të skizofrenisë”, neuropsikiatri Sami Rexhepi tregon një përvojë personale gjatë studimeve

    Neuropsikiatri Sami Rexhepi në emisionin “LIBERO” derisa diskutohej për “Hipokondrinë Online” – ka ndarë një përvojë personale duke përmendur se gjatë periudhës së studimeve kishte vërejtur elemente të skizofrenisë te vetja.

    Ai shpjegoi se shpesh njerëzit që lexojnë informacione sipërfaqësore për sëmundje të ndryshme mund të krijojnë perceptime të gabuara për gjendjen e tyre shëndetësore, një fenomen që në mjekësi njihet si “sindromi i studentit të mjekësisë”.

    Sipas Rexhepit, dallimi qëndron te thellësia e njohurive dhe përvoja profesionale. “E lexon një informatë, e ka sipërfaqësore, nuk është njësoj sikur unë që i kam kaluar 22 vjet shkollim, edhe e kuptoj një zinxhir apo reaksion si zhvillohet, jo vetëm një reaksion të fundit”, u shpreh ai.

    Duke ilustruar këtë fenomen, ai shtoi se edhe vetë kishte kaluar nëpër një fazë të tillë: “E kujtoj, unë kam gjetur elemente të skizofrenisë te vetja derisa nuk e kam dhënë provimin – ajo është shumë normale”.

    Termat e përdorur:

    “Skizofrenia është një çrregullim serioz i shëndetit mendor që ndikon në mënyrën si një person mendon, ndjen dhe sillet”

    “Hipokondria Online është një gjendje ku një person kërkon në mënyrë të tepruar informacione për simptoma shëndetësore në internet dhe si rezultat përjeton rritje të ankthit, shpesh duke besuar se ka sëmundje serioze pa bazë mjekësore”

    Për ta dëgjuar diskutimin rreth kësaj teme, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • “Erdhi pacienti me 20 diagnoza”, çka është Hipokondria Online?

    “Erdhi pacienti me 20 diagnoza”, çka është Hipokondria Online?

    Fenomeni i vetë-diagnostikimit përmes internetit, i njohur si “Hipokondria Online”, po bëhet gjithnjë e më shqetësues, sidomos te të rinjtë që kërkojnë përgjigje të shpejta për simptomat e tyre në Google dhe ChatGPT. Kjo temë u diskutua në emisionin “LIBERO” dhe neuropsikiatri Sami Rexhepi dha një pasqyrë të qartë mbi rreziqet që sjell ky fenomen.

    Ai tregoi raste konkrete nga praktika e tij, ku pacientët paraqiten me një listë të gjatë diagnozash të marra nga interneti.

    “Kam pasur raste kur pacienti më ka ardhur me 20 diagnoza nga Google dhe më ka pyetur se cilën prej tyre e ka…”, u shpreh Rexhepi. Sipas tij, këta persona shpesh lexojnë shumë informacione të fragmentuara, duke i lidhur gabimisht simptomat me sëmundje të ndryshme.

    Megjithatë, në shumë raste, rezulton se pacientët janë plotësisht të shëndetshëm fizikisht. Problemi, sipas neuropsikiatrit, qëndron në gjendjen psikologjike dhe mungesën e balancës me vetveten. “Kur e humbim këtë barazpeshë, fillojmë të humbasim edhe vetëbesimin, e bashkë me të edhe vetëvlerësimin,” theksoi ai.

    Rexhepi paralajmëroi se informacioni i marrë online shpesh është sipërfaqësor dhe nuk mund të zëvendësojë dijen profesionale që kërkon vite të tëra studimi dhe përvoje. Ai e krahasoi këtë fenomen me të ashtuquajturin “sindrom i studentit të mjekësisë”, ku edhe vetë studentët, gjatë studimeve, mund të mendojnë se kanë simptoma të sëmundjeve që po mësojnë.

    Në fund, Rexhepi theksoi se personat që përjetojnë ankth nga vetë-diagnostikimi duhet të kërkojnë ndihmë profesionale, duke shmangur interpretimet e gabuara që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre mendor.

    Vlen ta potencojmë se “Hipokondria Online” është një gjendje ku një person kërkon në mënyrë të tepruar informacione për simptoma shëndetësore në internet dhe si rezultat përjeton rritje të ankthit, shpesh duke besuar se ka sëmundje serioze pa bazë mjekësore.

    Sipas National Health Service, kjo sjellje lidhet me ankthin për shëndetin dhe përkeqësohet nga përdorimi i tepërt i burimeve online. Ndërsa Mayo Clinic e përshkruan si një formë të ankthit shëndetësor ku individët interpretojnë gabimisht simptomat e zakonshme si shenja të sëmundjeve të rënda.

    Për ta dëgjuar diskutimin rreth kësaj teme, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Valmir Aziri përballë Resul Sinanit në Pyetësorin R

    Valmir Aziri përballë Resul Sinanit në Pyetësorin R

    Këto janë 15 përgjigjet e Valmir Azirit në Pyetësorin R me Resul Sinanin:

    Cili është ushqimi që sa herë e ha ta kujton fëmijërinë?

    Uhhh. Tërhana.

    Çfarë mendon kur e sheh veten në pasqyrë?

    Ehhh. Shpesh i them: I miri ti (në kontekst me shaka)… Kur e shohim veten në pasqyrë në kontekst filozofik, asnjëherë nuk e shohim vetveten, pra shohim reflektimin tonë. Dhe si zakonisht, njerëzit të cilët kanë hatërmbetje në veten nuk janë rehat. Sipas filozofisë, ai i cili është rehat me veten (pra në vetmi) e ka arritur nivelin më të lartë të vetëdijes. Dhe unë, si zakonisht, e kam tejkaluar atë fazë të jetës dhe jam rehat me veten, nuk kam ndonjë dialog shumë të rëndë për ta shprehur.

    Cila është kafsha nga e cila frikësohesh më së shumti?

    Njeriu. Atë çfarë mund të bëjë njeriu për njeriun, nuk e bën kafsha për kafshën. Këtë e kam të sprovuar në jetë.

    Pse mendon se vuajnë njerëzit e drejtë?

    …Sepse njerëzit e tjerë të drejt nuk bëjnë as lëvizjen më të vogël për ta luftuar errësirën, dhe kjo mjafton që errësira të predominojë dritën.

    Po të kishit mundësinë që ta zgjedhni vetëm njërën, cilën: logjikën apo emocionin?

    Logjikën. Emocioni është pjesë e veprimit tonë logjik. Mënyra se si i përceptojmë gjërat në kontekst logjik e krijon edhe emocionin.

    Cili është vendi ku mendja jote e gjen qetësinë?

    Qetësinë e gjej kur jam në male. Rrallë dal, por atje e gjej qetësinë.

    Filmi apo Serial?

    Film. Tema trajtohet më shpejt, konsumohet më shpejt. Në kohën e tashme nuk kemi shumë mundësi për të ndarë orë të mjaftueshme për të ndjekur serialet… edhe ideja që ndonjëherë serialet, jo çdo herë, i kemi të gjitha episodet në një vend (pra duhet të presim javë), hiqet interesi dhe bie intensiteti.

    Aroma e preferuar?

    Jorgovani dhe busoleku. Gjyshja, zakonisht, mbillte edhe jorgovanin edhe busolekët, dhe me furkën e vet duke tjerrë leshin, i binte me dorë busolekës që të lëshonte sa më shumë aromë. Gjithë bashqes, aq sa ishte 30-40 metra katrorë, i vinte era jorgovan dhe busolek, dhe ajo më ka mbetur në mendje si erë e preferuar.

    Nëse do të duhej patjetër: Udhëtim drejt së ardhmes apo të shkuarës?

    Të kaluarën thuhet se nuk e ndryshon as Zoti, kështu që më mirë të pretendojmë diçka të ndryshojmë për të ardhmen. Duke u bazuar që e kaluara më nuk ekziston dhe as e ardhmja në njëfarë forme nuk ekziston, pra është “momenti” ai që e jetojmë dhe marrim veprime të cilat e determinojnë në njëfarë forme të ardhmen. Unë mendoj që duhet të fokusohemi më shumë në të ardhmen, sepse ngelja në të kaluarën ka pasoja shumë të rënda.

    Nëse në këtë moment të jetës (që je tani), takon dikë që po ndihet krejtësisht siç po ndihesh TI, çfarë do t’i thoje?

    Ka një thënie të Winston Churchill që e kam si motiv jete. Pra, kur ballafaqohem me momente ku të sprovohet (si thonë) edhe besimi, thotë: “Nëse je duke ecur nëpër ferr, vazhdo të ecësh”… Kjo është thënia që ia them çdo njeriut… Ne të cilët kemi fëmijë që përjetojnë sprova, jemi si një lloj komuniteti i heshtur – takohemi, bashkëbisedojmë, i shkruajmë njëri-tjetrit mesazhe për t’i dhënë kurajo. Çdo herë e them këtë: “keep going” (vazhdo).

    Qentë apo macet?

    Macet. Kam pasur mace edhe të mijat. E shfrytëzoj rastin publikisht të them që nusja është bërë sebep për t’i larguar… Por macet do t’i kisha zgjedhur çdo herë!

    Cila është një ves, të cilin do ta hiqje përgjithmonë nga jeta jote?

    Naivitetin (hahaha). Ndonjëherë, në disa situata, jam sjellë shumë naiv, por që më ka dalë për mirë. Jo që unë kam qenë ai që e ka sjellë punën deri aty që të më del për mirë, por rrethanat.

    Ëndrra më e çuditshme që e ke parë?

    Tentoj ëndrrat t’i harroj, pasi që ëndrrat e mia jo çdo herë janë të këndshme. Dihet, truri ripërpunon dhe në momentet e rigjenerimit të vet na sjell ato emocione që ne tentojmë t’i ndrydhim dhe janë ëndrra të përditshme (për tema të përditshme), por nuk kam ndonjë ëndërr specifike që do e kisha ndarë.

    Nëse do të dëgjoje vetëm një këngë për gjithë pjesën tjetër të jetës, cila do të ishte ajo këngë?

    A bën me i zgjedh dy? (hahaha)… Unë nuk e di ku është ai grup sot… Kam një këngë që e kam dëgjuar në rininë time. Kam qenë udhëheqës emisionesh në rininë time (në vitet e ’90-ta) dhe është grupi 7me7, kënga “Qielli”… Ndërsa, kënga e dytë është “Kashmir” nga Led Zeppelin… është beyond time.

    Çfarë jam duke e menduar unë tani?

    O si ta heqë qafe Valmirin? (hahaha)

    Për ta dëgjuar (shikuar) Pyetësorin R mund të klikoni në linkun e mëposhtëm (duke filluar nga minuta 37:10):

     

  • Nëna e mbuloi me flamur për të fshehur varfërinë: rrëfimi tronditës i këngëtares, Dafina Morinës

    Nëna e mbuloi me flamur për të fshehur varfërinë: rrëfimi tronditës i këngëtares, Dafina Morinës

    Këngëtarja Dafina Morina ka ndarë në emisionin “LIBERO” një kujtim të fuqishëm nga fëmijëria e saj, duke potencuar historinë e sakrificave dhe fillimeve të vështira.

    Ajo kujtoi performancën e saj të parë live para një audience të madhe, ku kishte kënduar këngën “A vritet pafajësia”. Përmes një fotografie që e ruan me shumë vlerë, Dafina tregoi realitetin e asaj kohe, ku kushtet ekonomike ishin tepër të rënda.

    “Pantollat i kam pasë pothuajse të grisura…Nëna për mos me m’qu në koncert pa tesha të mira, më ka mbulu me flamur…”, u shpreh Dafina.

    Përtej dhimbjes së kujtimit, këngëtarja theksoi edhe anën e bukur të rrugëtimit të saj: suksesin që ka arritur sot, falë sakrificës dhe përkushtimit të prindërve.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dafina Morinës, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Investoi çdo cent në këngën e re, Rilind Alimani rrëfen sakrificën për sukses

    Investoi çdo cent në këngën e re, Rilind Alimani rrëfen sakrificën për sukses

    Këngëtari Rilind Alimani ka ndarë në emisionin “LIBERO” emocionet e tij pas publikimit të këngës së fundit “Edhe Malet”. Ai tregon se pjesa më e madhe e projektit u financua nga xhepi i tij: “…I kam shti të gjitha paratë që i kisha në xhep, ngela me disa të holla (sa për kafe), por shumicën – komplet në projekt i kisha…”, theksoi ai.

    Rilindi tregoi se kënga është krijuar me gjithë shpirt dhe përkushtim bashkë me ekipin e tij, duke përfshirë elemente të ndryshme që e bëjnë unik projektin. Suksesi i papritur i këngës e ka surprizuar edhe vetë artistin: “…Thashë okej do bëhet viral, por jo deri në këtë nivel…”

    Kjo këngë tashmë ka kapur zemrat e publikut dhe po rritet me shpejtësi në rrjetet sociale (sidomos në TikTok).

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Rilind Alimanit, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • La Gjermaninë dhe u kthye në luftë bashkë me familjen – Dafina Morina e rrëfen sakrificën e babait të saj, invalidit të luftës

    La Gjermaninë dhe u kthye në luftë bashkë me familjen – Dafina Morina e rrëfen sakrificën e babait të saj, invalidit të luftës

    Këngëtarja Dafina Morima ka realizuar një këngë kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke zbuluar një histori personale të fuqishme që lidhet drejtpërdrejt me luftën.

    Në rrëfimin e saj në emisionin “LIBERO”, ajo tregoi se familja e saj jetonte në Gjermani, por gjithçka ndryshoi kur shpërthyen trazirat në Kosovë. Babai i saj mori një vendim të rëndësishëm – të linte jetën jashtë vendit dhe të kthehej për të luftuar për atdheun.

    “…Unë kam lindur në Gjermani, dhe dy vite pas u bën trazirat në Kosovë edhe babi vendosi komplet me na kthy në Kosovë për me ardhë ai me luftu… e ka marrë pushkën edhe ka dalë bashkë me shokët me luftu…”, potencoi Morina.

    Ajo zbuloi se në atë kohë nëna e saj ishte shtatzënë, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për familjen.

    Sot, babai i saj është invalid i luftës, i plagosur gjatë betejave, por fatmirësisht i mbijetoi asaj periudhe të vështirë.

    “…Babi është invalid i luftës, është i plagosun në luftë, falë Zotit është gjallë… te na këngët patriotike, UÇK, lidhja me Kosovën është shumë e madhe…”, deklaroi këngëtarja.

    Me këtë këngë, Dafina jo vetëm që sjell art, por edhe një mesazh të fortë për sakrificën, identitetin dhe lidhjen e thellë me atdheun.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dafina Morinës, klikoni linkun e mëposhtëm: