ATV

Author: Samir Dalipi

  • Gazetarët luftojnë për të drejtat e të gjithëve, por të drejtat e tyre janë lënë anash

    Gazetarët luftojnë për të drejtat e të gjithëve, por të drejtat e tyre janë lënë anash

    Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, Kosova është renditur në vendin e 84-të, duke shënuar një përmirësim prej 15 pozitash krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2025, vendi kishte pësuar rënie, duke u pozicionuar në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete të përfshira në këtë raport global.

    Në kontekstin e këtij raporti dhe shënimit të 3 majit – Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit – në emisionin “LIBERO” u diskutua për gjendjen e mediave në Kosovë dhe rolin e tyre në një shoqëri demokratike.

    Profesori universitar Gëzim Qerimi vlerësoi punën e mediave në vend, duke theksuar sfidat e shumta me të cilat ato përballen. Ai u shpreh se, pavarësisht kushteve të vështira, “…Mediat në Kosovë janë duke e luajtur rolin e tyre jashtëzakonisht mirë…”, ndërsa shtoi se tregu i vogël dhe pagat e ulëta mbeten problem serioz. Sipas tij, gazetarët angazhohen për të drejtat e shoqërisë, por fatkeqësisht nuk i kanë të rregulluara të drejtat e tyre.

    Gazetari Florent Zeqaj theksoi se motivimi për gazetari në Kosovë rrallëherë lidhet me përfitime financiare. Ai potencoi se shumica e gazetarëve e kanë zgjedhur këtë profesion nga vullneti dhe pasioni, duke e cilësuar atë si një përkushtim të vështirë dhe sfidues. “…Shpesh, kur e analizon punën dhe përkushtimin në raport me pagesën, të vjen keq për atë që ke kaluar…”, tha ai.

    Ndërkohë, gazetari hulumtues, Kreshnik Gashi, e vendosi situatën në një kontekst më të gjerë global. Ai theksoi se raporti i Reporterëve pa Kufij tregon për një përkeqësim të përgjithshëm të kushteve të gazetarisë në mbarë botën. Sipas tij, “…degradimi dhe ambienti në të cilin gazetarët punojnë është duke shku drejt të keqes…”, duke shtuar se gazetarët po përballen me një realitet gjithnjë e më sfidues dhe me kufizime në ushtrimin e profesionit të tyre.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Nëse në një familje 5 anëtarëshe, 3 ose 4 persona janë me syze, ku është problemi?

    Nëse në një familje 5 anëtarëshe, 3 ose 4 persona janë me syze, ku është problemi?

    Në një familje me pesë anëtarë, fakti që tre ose katër prej tyre mbajnë syze nuk duhet parë domosdoshmërisht si problem shqetësues, por më tepër si një tregues i zakonshëm i nevojës për korrigjim të shikimit — sidomos në një kohë kur përdorimi i pajisjeve digjitale është rritur ndjeshëm.

    Oftalmologu Ilir Osmani, në emisionin “LIBERO” këtë çështje nuk e pa si madhore, megjithëse theksoi se identifikimi i hershëm i problemeve me shikimin sipas tij, është thelbësor për zhvillimin e shëndetshëm të tyre. Një nga rekomandimet kryesore është që fëmijët t’i nënshtrohen kontrollit të syve që në moshë të hershme, rreth 3-4 vjeç, një praktikë e zakonshme në shumë vende evropiane.

    Ky proces i njohur si “screening” (kontrolli skrining) ndihmon në zbulimin e hershëm të problemeve me dioptrinë dhe mundëson trajtimin e tyre në kohë. Nëse një problem me shikimin identifikohet dhe korrigjohet herët me syze, fëmija ka shumë më tepër gjasa të zhvillohet normalisht, pa pasoja afatgjata.

    Nga ana tjetër, neglizhimi i këtyre kontrolleve deri në moshën 7-8 vjeç mund të çojë në vështirësi të vazhdueshme në shikim, të cilat mund të shoqërojnë individin gjatë gjithë jetës, sipas Doktor Ilir Osmanit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ilir Osmanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Pse po keqkuptohet feminizmi?

    Pse po keqkuptohet feminizmi?

    Sipas Bell Hooks dhe përpjekjes së saj për të treguar se çka është feminizmi në një përkufizim të thjeshtë, ajo thotë “Feminizmi është lëvizja që synon t’i japë fund seksizmit, shfrytëzimit dhe shtypjes seksuale”… Hooks sqaron se lëvizja nuk ka të bëjë me të qenit kundër burrave DHE se problemi kryesor është seksizmi!

    Duke e cituar Hooks, Resul Sinani në emisionin “LIBERO” e pyeti aktivisten feministe Adelina Tërshanin në lidhje me paqartësinë, fragmentimet ose keqkuptimet në raport me feminizmin në Kosovë. Ajo theksoi rëndësinë e kuptimit të drejtë të konceptit të feminizmit dhe pranimin e formave të ndryshme të aktivizmit.

    “…Na duhet me e kuptu çka në të vërtetë nënkupton feminizmi, jo me e pa qata çka po dojna me e pa. Në rregull, ty nuk po të pëlqen mënyra qysh Adelina Tërshani e bën aktivizmin feminist, thjesht mos u identifiko me të. Ky është problemi që gratë prej fillimit mendohen si grup homogjen (ato duhet me mendu njëjt, duhet me vepru njëjt), jo jo, edhe feminizmi edhe aktivizmi feminist bëhet në mënyra të ndryshme…”, theksoi Tërshani.

    Në thelb, diskutimi rikthen vëmendjen te ajo që Bell Hooks e ka theksuar prej kohësh: feminizmi nuk është një qëndrim kundër burrave, por një përpjekje për të çrrënjosur seksizmin në të gjitha format e tij. Siç u nënvizua edhe në bisedën në studio, sfida kryesore në Kosovë mbetet kuptimi i drejtë i këtij koncepti dhe pranimi se aktivizmi feminist nuk ka një formë të vetme. Pranimi i diversitetit të zërave dhe qasjeve brenda feminizmit është thelbësor për ta bërë këtë lëvizje më gjithëpërfshirëse, më të kuptueshme dhe më efektive në adresimin e padrejtësive shoqërore.

    *Shënim: Bell Hooks vlerësohet si një prej zërave më të rëndësishëm në mendimin feminist bashkëkohor dhe e trajton feminizmin si një lëvizje për drejtësi sociale që nuk ka të bëjë vetëm me gratë, por me çlirimin e të gjithëve nga sistemet shtypëse.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Adelina Tërshanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Refuzoi pozitën dhe pagën e lartë për shëndetin mendor – rrëfimi i Naile Demës që prek shumë njerëz

    Refuzoi pozitën dhe pagën e lartë për shëndetin mendor – rrëfimi i Naile Demës që prek shumë njerëz

    Naile Dema Selmani ka marrë një vendim të guximshëm: i tha “jo” një pozite të rëndësishme dhe me pagë të lartë, duke zgjedhur veten dhe shëndetin e saj mendor.

    Për herë të parë, në emisionin “LIBERO”, ajo foli hapur për presionin që shoqëria sipas saj ua vendos (sidomos) grave – për të qenë gjithmonë të forta, të palodhura dhe pa ankesa.

    “…Jemi një pjesë shumë e madhe e njerëzve, sidomos e grave, prej të cilave pritjet janë me qenë të forta, të pa za… mendova që ka ardhë momenti me i thanë stop kësaj mendësie, sepse po na dëmton jashtëzakonisht shumë në shëndetin mendor…”, u shpreh ajo.

    Selmani tregoi se kishte arritur në një pikë ku trupi i saj nisi të reagojë, duke e detyruar të ndalet. Ajo përmendi edhe disa analiza shëndetësore, përfshirë gjendje prediabeti, që i konfirmuan se duhej të ndryshonte ritmin e jetës.

    “…Kur nuk e dëgjon trurin, fillon me të fol trupi…”, theksoi ajo.

    Si pjesë e këtij vendimi, ajo zbuloi se ka lënë punën në Radio Dukagjin, ku për një vit kishte mbajtur pozitën e drejtoreshës së informimit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Naile Dema Selmanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Biznesmeni Baliu: Ma shumë angazhohem për me pastru natyrën se te 12 biznese që i kam

    Biznesmeni Baliu: Ma shumë angazhohem për me pastru natyrën se te 12 biznese që i kam

    Biznesmeni Bali Baliu ka zgjedhur një rrugë të pazakontë krahas angazhimeve të tij të shumta në botën e biznesit. Edhe pse menaxhon rreth 10 deri në 12 kompani, ai thotë se përkushtimi më i madh i tij nuk lidhet me fitimin, por me mbrojtjen e natyrës.

    Baliu në emisionin “LIBERO” tregoi se ka marrë një hap konkret për të kontribuar në mjedis: ai ka punësuar një punëtor dhe i ka siguruar pajisjet e nevojshme, përfshirë edhe kombin, për pastrimin e zonës së Shalës së Bajgorës. Megjithatë, nuk ndalet vetëm me kaq —edhe ai del në terren dhe pastron natyrën.

    “Është pak investim, por ma shumë më flen kjo. Ma shumë më knaq kjo që e bëj se krejt bizneset e tjera që i kam. Ma shumë angazhohem për pastërtinë e Shalës së Bajgorës se për 12 biznese, sepse e bëj me pasion dhe knaqna kur e shoh natyrën e pastër”, është shprehur Baliu.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Bali Baliut, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Vajzat janë detyru me e testu virgjërinë”, Dr.Fejza flet për absurditetin që u lejua me ligj në Kosovë

    “Vajzat janë detyru me e testu virgjërinë”, Dr.Fejza flet për absurditetin që u lejua me ligj në Kosovë

    Testimi i virgjërisë, ka qenë dikur i lejuar me ligj në Kosovë, duke shkaktuar pasoja të rënda psikologjike dhe sociale. Kështu u shpreh doktori dhe seksologu Hajrullah Fejza në emisionin “LIBERO” ku tregoi se pikërisht këtë temë e ka trajtuar në doktoratën e tij.

    Sipas tij, gjetjet nga hulumtimi janë tronditëse dhe dëshmojnë vuajtjet e shumta që kanë përjetuar vajzat si pasojë e kësaj praktike. “Është tmerr çka ka ndodh… është me u ulë e me qajt për gratë dhe vajzat tona”, theksoi ai, duke përmendur presionin e madh që u bëhej për të dëshmuar virgjërinë, shpesh edhe përmes kërkimit të njollave të gjakut në natën e parë të martesës.

    Fejza nënvizoi se kjo praktikë tashmë është ndaluar me ligj dhe nuk aplikohet më për qëllime personale apo për të kënaqur kërkesat e familjarëve apo partnerëve. Sipas tij, ndalimi i testimit të virgjërisë është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së dinjitetit dhe të drejtave të grave.

    Megjithatë, ai sqaroi se në raste të veçanta, procedura të caktuara mund të kryhen vetëm me urdhër të gjykatës, duke theksuar se kjo çështje tashmë konsiderohet një kapitull i mbyllur në shoqërinë kosovare.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Hajrullah Fejzës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Vaksinat NUK shkaktojnë autizëm” – Të gjithë prindërit duhet ta largojnë këtë keqkuptim, është vetëm MIT

    “Vaksinat NUK shkaktojnë autizëm” – Të gjithë prindërit duhet ta largojnë këtë keqkuptim, është vetëm MIT

    Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në mënyrën se si një person komunikon, ndërvepron me të tjerët dhe përjeton botën përreth. Ai është pjesë e spektrit të gjerë të zhvillimit, që do të thotë se shfaqet në forma dhe nivele të ndryshme tek individë të ndryshëm, duke përfshirë sfida në komunikim social, sjellje të përsëritura dhe interesa të kufizuara, por edhe aftësi dhe potenciale unike.

    Megjithatë, rreth autizmit vazhdojnë të ekzistojnë shumë keqkuptime dhe mite të përhapura. Ndër më të zakonshmet janë pretendimet e pabazuara se vaksinat shkaktojnë autizëm apo se ai është rezultat i prindërimit të dobët. Këto ide janë hedhur poshtë nga kërkimet shkencore!

    Në emisionin “LIBERO” u diskutua lidhur me këtë çështje dhe për sa i takon lidhjes së pretenduar mes vaksinave dhe autizmit, psikologia Dafina Daka theksoi se ky keqkuptim ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimet e shumë prindërve… Sipas saj, hezitimi për vaksinim apo shtyrja e tij pas moshës dyvjeçare i ekspozon fëmijët ndaj sëmundjeve serioze si fruthi, i cili mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin.

    “Ky keqkuptim i ka nxitur shumë prindër të rinj që të mos i vaksinojnë foshnjat e tyre, ose ta shtyjnë vaksinimin. Kjo i rrezikon drejtpërdrejt nga sëmundje të rënda. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se shkenca asnjëherë nuk ka vërtetuar që vaksinat shkaktojnë autizëm. Kjo ka qenë vetëm një teori e pavërtetuar”, theksoi Daka.

    Vlen ta përmendin se sipas OBSH-së, nuk ka lidhje shkencore mes vaksinave dhe autizmit (meta-analizë e 2025) – Një rishikim i gjerë i të dhënave (mbi 1.2 milion fëmijë) nuk gjeti asnjë rritje rreziku për autizëm nga vaksinat ose përbërësit e tyre.

    Ndërkohë edhe për sa i takon keqkuptimit se autizmi shkaktohet nga prindërimi i keq, OBSH ka shpjeguar se autizmi nuk shkaktohet nga mënyra e rritjes së fëmijës… DHE në lidhje me këtë logopedia Reita Shabani sqaroi natyrën e autizmit, duke kundërshtuar bindjet e gabuara që lidhen me faktorë të jashtëm si prindërimi.

    “…Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor dhe nuk ka të bëjë me mënyrën e rritjes apo faktorë të tillë njerëzorë…”, u shpreh ajo.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Personat me autizëm a ndiejnë emocione? E shpjegon psikologia nga Tirana, Jonida Ponari

    Personat me autizëm a ndiejnë emocione? E shpjegon psikologia nga Tirana, Jonida Ponari

    Një nga keqkuptimet më të përhapura rreth autizmit lidhet me perceptimin se personat në spektër nuk ndiejnë emocione. Sipas psikologes nga Tirana, Jonida Ponari, kjo nuk është e vërtetë.

    Ajo në emisionin “LIBERO” theksoi se fëmijët apo individët me autizëm i përjetojnë emocionet plotësisht, madje shpeshherë me një intensitet më të lartë sesa personat neurotipikë. “Ndryshon vetëm mënyra e përpunimit dhe e shprehjes së emocioneve”, shpjegoi Ponari. Sipas saj, vështirësia qëndron në faktin se ata nuk arrijnë gjithmonë të identifikojnë fillimisht emocionin, ta shprehin qartë dhe më pas ta kanalizojnë në mënyrën e duhur.

    Psikologia shtoi se kjo sfidë në menaxhimin emocional mund të çojë në keqkuptime nga ana e të tjerëve, duke krijuar perceptimin e gabuar se mungon ndjeshmëria emocionale.

    E pyetur për aftësitë njohëse, Ponari theksoi se shumë individë me autizëm kanë një kujtesë të jashtëzakonshme dhe aftësi të lartë për përqendrim. “Kanë një hiperfokus të theksuar, sidomos në fushat që ata kanë interes”, u shpreh ajo.

    Sipas saj, ky potencial shpesh mund të shndërrohet në një avantazh të madh, nëse mbështetet dhe zhvillohet në mënyrën e duhur nga familja dhe specialistët.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Pse ka më shumë arkatare (gra) në markete sesa arkatarë (burra)?

    Pse ka më shumë arkatare (gra) në markete sesa arkatarë (burra)?

    Në shumë vende, përfshirë edhe rajonin tonë, roli i arkatares në supermarkete dhe dyqane dominohet nga gratë. Ky fenomen nuk është rastësor, por lidhet me faktorë historikë, ekonomikë dhe kulturorë që kanë formësuar tregun e punës.

    Disa prej arsyeve:

    1. Ndarja gjinore e punës

    Një nga arsyet kryesore është ajo që në sociologji quhet “ndarje gjinore e punës”. Disa profesione perceptohen si “punë për gra” dhe të tjera si “punë për burra”.

    Sipas një raporti të International Labour Organization, gratë janë të përqendruara në sektorë si: shitje dhe shërbim ndaj klientit; kujdes dhe edukim; administratë bazë… Sipas studimit sektori i shitjes me pakicë (retail) ka një përqindje shumë të lartë të punësimit të grave në nivel global.

    1. Stereotipet për komunikimin dhe “punët emocionale”

    Punët si arkatare kërkojnë: komunikim të vazhdueshëm me klientët; durim dhe menaxhim emocionesh; sjellje të qetë dhe të sjellshme. Shoqëria shpesh i lidh këto cilësi me gratë. Një studim nga Harvard Business Review mbi “emotional labor” tregon se gratë priren të vendosen më shpesh në role që kërkojnë menaxhim emocional.

    1. Pagat dhe fleksibiliteti i punës

    Punët e arkës zakonisht: paguhen relativisht më pak; kanë orare fleksibël ose me turne.

    Këto karakteristika shpesh i bëjnë këto role më tërheqëse (ose më të disponueshme) për gra, sidomos në shoqëri ku ato mbajnë ende pjesën më të madhe të përgjegjësive familjare. Sipas OECD: gratë kanë më shumë gjasa të punojnë në punë me kohë të pjesshme; ato janë më të përfaqësuara në sektorë me paga më të ulëta.

    1. Diskriminimi i heshtur në punësim

    Edhe pse jo gjithmonë i dukshëm, punëdhënësit mund të kenë preferenca të pavetëdijshme: gratë konsiderohen “më të përshtatshme” për shërbim klienti; burrat orientohen drejt punëve fizike ose teknike!  Një studim i European Institute for Gender Equality tregon se stereotipet ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e punësimit.

    1. Faktorë historikë

    Në shumë vende, gratë hynë masivisht në sektorin e shitjes gjatë shekullit XX, kur: ekonomia e shërbimeve u rrit; punët “front-desk” u feminizuan! Ky trend vazhdon edhe sot. Dominimi i grave si arkatare nuk është rastësi, por rezultat i një kombinimi faktorësh:

    – stereotipe gjinore

    – struktura e tregut të punës

    – diferenca në paga dhe mundësi

    – pritshmëri kulturore

    Megjithatë, sipas studimeve ky realitet po ndryshon gradualisht. Në shumë vende, rolet po bëhen më të balancuara, ndërsa vetëdija për barazi gjinore po rritet.

  • Uliks Gjonaj nga Kosova në majat e trajnimeve ushtarake dhe policore ndërkombëtare

    Uliks Gjonaj nga Kosova në majat e trajnimeve ushtarake dhe policore ndërkombëtare

    Një histori suksesi që fillon në Prishtinë dhe arrin kulmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë, është ajo e Uliks Gjonajt – një kosovar që sot trajnon ushtarë dhe policë në nivelet më të larta profesionale.

    Gjonaj në emisionin “LIBERO” në rubrikën “Historia jote frymëzon” rrëfeu se rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Ai fillimisht studioi për dy vite në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, por në vitin 2004 vendosi të emigrojë në SHBA, ku gjithçka nisi nga e para.

    “Kam punuar në një spital në New York. Aty u njoha me disa policë dhe pikërisht aty filloi dëshira ime për t’u futur në fushën e sigurisë”, tregoi ai.

    Ambicia e tij nuk u ndal me kaq. Një nga ëndrrat kryesore ishte të trajnohej në Izrael, një vend i njohur globalisht për ekspertizën në siguri dhe trajnim ushtarak. Pas disa muajsh trajnime intensive atje, Gjonaj arriti të fitojë titullin e instruktorit – një hap vendimtar në karrierën e tij.

    Sot, ai mban një nga pozitat më të larta në këtë fushë: është “instruktor i instruktorëve”, duke trajnuar profesionistë të sigurisë nga policia dhe ushtria, si në Amerikë ashtu edhe në Evropë.

    Historia e Uliks Gjonajt është një dëshmi e qartë se me përkushtim, sakrificë dhe vizion, suksesi mund të arrihet edhe larg vendlindjes, duke u shndërruar në një ambasador të vlerave dhe profesionalizmit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

    Linku i videos në Facebook!