ATV

Author: N.T.

  • Ekipi i meçit Joshua–Paul paralajmëron padi: Akuza për ndeshje të kurdisur do të ndiqen ligjërisht

    Ekipi i meçit Joshua–Paul paralajmëron padi: Akuza për ndeshje të kurdisur do të ndiqen ligjërisht

    Ekipi promovues që qëndron pas meçit të shumëpërfolur mes Anthony Joshua dhe Jake Paul ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve se ndeshja ishte e kurdisur, duke paralajmëruar veprime ligjore kundër çdo personi që vazhdon të përhapë akuza të tilla.

    Nakisa Bidarian, partner biznesi i Jake Paul dhe bashkëthemeluese e kompanisë Most Valuable Promotions, ka konfirmuar se janë angazhuar avokatë për të ndërhyrë ndaj pretendimeve që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale pas përfundimit të përballjes.

    Edhe pse akuzat për trukim kanë shoqëruar pothuajse çdo ndeshje të Jake Paul, me përjashtim të humbjes ndaj Tommy Fury, kjo është hera e parë që ekipi i tij njofton publikisht se do të ndërmarrë hapa konkretë ligjorë për t’i ndalur këto spekulime.

    Bidarian, gjatë një paraqitjeje në emisionin “The Ariel Helwani Show”, u shpreh qartë se pretendimet nuk do të tolerohen më. I pyetur nëse performanca e Paul, pavarësisht nokautit, mjaftonte për të heshtur teoritë konspirative, ai u përgjigj prerë:

    “Jo, jo tamam. Avokatët tanë po ndjekin në mënyrë aktive një numër njerëzish.”

    Jake Paul edhe më herët i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se manipulimi i ngjarjeve sportive profesionale në Shtetet e Bashkuara konsiderohet krim federal dhe ndëshkohet rëndë nga ligji.

    Kujtojmë se në meçin e zhvilluar të premten në Miami, dy herë ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, e nokautoi Jake Paul në raundin e gjashtë. Si pasojë e goditjeve, Paul pësoi thyerje të nofullës në dy vende dhe u desh të merrte trajtim mjekësor pas ndeshjes.

  • Raphinha dhe bashkëshortja e tij shpërndajnë gëzim në Brazil për festat e fundvitit

    Raphinha dhe bashkëshortja e tij shpërndajnë gëzim në Brazil për festat e fundvitit

    Futbollisti brazilian Raphinha, së bashku me bashkëshorten e tij Natalia, kanë dhënë një shembull të bukur humanizmi në prag të Krishtlindjeve, duke organizuar një aktivitet bamirësie në Brazil për familjet në nevojë.

    Çifti organizoi një ngjarje të veçantë ku u shpërndanë ushqime dhe dhurata për dhjetëra familje më pak fatlume, duke sjellë buzëqeshje dhe shpresë në shtëpitë e tyre gjatë kësaj periudhe festive. Atmosfera ishte e mbushur me emocione, ndërsa fëmijët dhe prindërit u pritën me ngrohtësi dhe dashuri.

    Ky veprim fisnik vlerësohet si një tjetër dëshmi se përtej fushës së blertë, Raphinha vazhdon të tregojë zemër të madhe edhe jashtë saj. Gjestet e tilla të solidaritetit janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme në botën e sportit, duke shërbyer si frymëzim për shumë të tjerë.

    Në prag të Krishtlindjeve, iniciativa e Raphinhës dhe Natalias përcjell një mesazh të fuqishëm: futbolli nuk është vetëm lojë dhe konkurrencë, por edhe humanizëm, ndihmë dhe dashuri për ata që kanë më shumë nevojë.

  • Rikthim spektakolar i Bostonit, Warriros përmbysin Magic

    Rikthim spektakolar i Bostonit, Warriros përmbysin Magic

    Boston Celtics regjistruan një fitore të madhe para tifozëve të tyre në TD Garden, duke mposhtur Indiana Pacers me rezultat 103:95, në një ndeshje ku dominimi i pjesës së dytë rezultoi vendimtar.

    Takimi nisi më mirë për mysafirët nga Indiana, të cilët hynë në parket me ritëm të lartë dhe e mbyllën çerekun e parë me epërsi prej nëntë pikësh. Pacers vazhduan të kontrollonin lojën edhe në çerekun e dytë, duke e thelluar avantazhin dhe shkuan në pushim me shifrat bindëse 61:43. Në një moment, diferenca arriti deri në 20 pikë, duke lënë të kuptohej një mbrëmje e vështirë për vendasit.

    Por pjesa e dytë solli një tjetër fytyrë të Bostonit. Celtics reaguan fuqishëm në çerekun e tretë, duke rritur agresivitetin në mbrojtje dhe efikasitetin në sulm, çka bëri që diferenca të ulej në vetëm tetë pikë. Në periodën e fundit, skuadra e drejtuar nga Joe Mazzulla e mori plotësisht kontrollin e ndeshjes, përmbysi rezultatin dhe pa ndonjë dramë të madhe në fund, siguroi një fitore të merituar.

    Ylli i mbrëmjes për Bostonin ishte Jaylen Brown, i cili shkëlqeu me 31 pikë, ndërsa Derrick White dha kontribut të rëndësishëm me 19 pikë. Në anën tjetër, për Indiana Pacers më i dalluari ishte Pascal Siakam me 25 pikë, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

    Me këtë triumf, Boston Celtics konsolidojnë pozitën e tretë në renditjen e Konferencës Lindore të NBA-së, me bilanc 18 fitore dhe 11 humbje. Ndërkohë, Indiana Pacers vazhdojnë të përballen me vështirësi këtë sezon, duke u renditur në vendin e 14-të me vetëm gjashtë fitore dhe 23 humbje.

     

    Golden State Warriors ka shënuar fitoren e dytë radhazi pasi mposhti Orlando Magic me rezultat 120-97.

    Më meritoret për këtë fitore ishin, Stephen Curry me 26 pikë e gjashtë asistime dhe Moses Moody me 20 sosh.

    Te skuadra humbëse u dalluan Paolo Banchero me 21 pikë, 12 kërcime e shtatë asistime dhe Desmond Bane me 20 të tjera.

    Warriros gjenden në vendin e tetë në Konferencën e Perëndimit derisa Magic në poziten e gjashtë në Lindje.

  • Sot 27 vjet më parë, Zidane fitoj Topin e Artë dhe hyri përjetësisht në histori

    Sot 27 vjet më parë, Zidane fitoj Topin e Artë dhe hyri përjetësisht në histori

    Në këtë ditë, 27 vjet më parë, një nga mesfushorët më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë futbolli botëror, Zinedine Zidane, u kurorëzua me çmimin më prestigjioz individual, Topin e Artë.

    Legjenda franceze fitoi këtë çmim në vitin 1998, një vit magjik për të dhe për kombëtaren e Francës, të cilën e udhëhoqi drejt triumfit në Kupën e Botës. Me elegancën e tij në fushë, teknikën e jashtëzakonshme dhe inteligjencën taktike, Zidane u shndërrua në simbol të klasit dhe madhështisë në futboll.

    “Zizou” nuk ishte thjesht një futbollist i madh, por një artist i lojës, që magjepste tifozët me çdo prekje të topit. Performancat e tij vendimtare në momentet më të rëndësishme e bënë atë një figurë ikonike të sportit, duke lënë një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë breza të tërë.

    Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, emri i Zinedine Zidane mbetet sinonim i elegancës, lidershipit dhe futbollit të pastër, ndërsa Topi i Artë i vitit 1998 është dëshmi e përjetshme e madhështisë së tij.

  • Jake Paul provokon pas humbjes nga Joshua, postim luksi menjëherë pas daljes nga spitali

    Jake Paul provokon pas humbjes nga Joshua, postim luksi menjëherë pas daljes nga spitali

    Boksieri amerikan dhe YouTuber-i i njohur Jake Paul ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, vetëm pak kohë pasi u lirua nga spitali ku po merrte trajtim pas humbjes me nokaut ndaj Anthony Joshua.

    Paul u ndal në raundin e pestë të duelit të zhvilluar të premten mbrëma, në një ndeshje ku Joshua dominoi bindshëm me një seri goditjesh të forta, duke e mbyllur përballjen në mënyrë spektakolare. Pas ndeshjes, Paul u diagnostikua me thyerje të nofullës dhe qëndroi për një periudhë nën kujdes mjekësor.

    Menjëherë pas daljes nga spitali, 27-vjeçari publikoi një postim që u cilësua si provokues nga shumë ndjekës. Ai ndau një fotografi nga një avion privat, i rrethuar nga tufa parash, çanta luksoze të markës Louis Vuitton dhe simbole të tjera të jetesës së shtrenjtë, duke treguar se humbja në ring nuk e kishte zbehur aspak stilin e tij ekstravagant.

    Postimi u shoqërua me një mesazh motivues, ku Paul theksonte rëndësinë e besimit dhe këmbënguljes, pavarësisht dështimeve:

    “Ëndrra amerikane. Filloni ëndrrën tuaj sot. Besoni në të. Nëse bini, mësoni. Nëse bini, mos u ndalni.”

    Ky reagim ndau opinionin sportiv dhe ndjekësit e tij. Një pjesë e fansave e përgëzuan për mentalitetin pozitiv dhe mënyrën se si po e përballon humbjen, ndërsa të tjerë e kritikuan ashpër për arrogancë dhe mungesë modestie pas një disfate të rëndë.

    Sa i përket bilanceve sportive, Anthony Joshua e përmirësoi rekordin e tij në 29 fitore dhe katër humbje, ndërsa Jake Paul tani numëron 12 fitore dhe dy humbje. Sipas raportimeve, të dy boksierët përfituan të njëjtën shumë financiare nga kjo përballje, rreth 78 milionë euro bruto, ose afërsisht 63 milionë euro neto pas zbritjeve.

  • Magjia e Krishtlindjeve në Sevilla, tifozët e Real Betis dhurojnë lodra për fëmijët në nevojë

    Magjia e Krishtlindjeve në Sevilla, tifozët e Real Betis dhurojnë lodra për fëmijët në nevojë

    Një nga momentet më të bukura dhe më prekëse të vitit në botën e futbollit u regjistrua mbrëmë në Spanjë, gjatë ndeshjes së Real Betis.

    Siç ndodh çdo vit, tifozët e skuadrës nga Sevilla dhuruan një spektakël solidariteti, duke hedhur mijëra lodra prej pellushi në fushën e lojës për fëmijët më pak fatlumë.

    Stadiumi u mbush me emocione dhe ngjyra, teksa pas sinjalit të gjyqtarit, tribuna të tëra u bashkuan në këtë traditë të veçantë bamirësie, që tashmë është shndërruar në simbol të Krishtlindjeve në Sevilla.

    Lodrat e mbledhura do të dhurohen për fëmijët në nevojë, duke u sjellë atyre buzëqeshje dhe gëzim gjatë festave të fundvitit.

    Kjo nismë humanitare e tifozëve të Real Betis vlerësohet gjerësisht si një nga shembujt më të bukur të solidaritetit në futboll, duke treguar se përtej rivalitetit dhe rezultatit sportiv, futbolli ka fuqinë të bashkojë dhe të japë shpresë.

    Tradita e Krishtlindjeve në Sevilla vazhdon të dëshmojë se zemra e futbollit rreh edhe për ata që kanë më shumë nevojë.

  • Broja rikthehet te goli pas dy vitesh dhe shpëton Burnleyn në minutat e fundit

    Broja rikthehet te goli pas dy vitesh dhe shpëton Burnleyn në minutat e fundit

    Sulmuesi shqiptar Armando Broja ka qenë vendimtar për Burnleyn, duke i dhënë fund një serie të gjatë pa gol dhe duke siguruar një pikë të çmuar në barazimin 1-1 ndaj Bournemouth në Ligën Premier.

    Broja u shndërrua në heroin e skuadrës së tij duke realizuar golin e barazimit në çastet e fundit të ndeshjes, një gol që jo vetëm i shmangu humbjen Burnleyt, por kishte edhe peshë të madhe personale për sulmuesin kuqezi. Ky ishte goli i tij i parë pas afro dy vitesh, duke shënuar një moment të rëndësishëm rikthimi.

    Pas ndeshjes, Broja nuk harroi të vlerësonte rolin e bashkëlojtarit Marcus, i cili i shërbeu një asistim ideal. Ai theksoi se e kishte lexuar mirë lëvizjen dhe cilësinë e pasimit, duke e quajtur asistin vendimtar dhe shumë të saktë.

    “E pashë Marcusin me topin dhe e dija se ai ka aftësi të jashtëzakonshme për të gjetur bashkëlojtarët. Pasimi ishte perfekt dhe unë duhej vetëm të krijoja pak hapësirë për të finalizuar”, u shpreh Broja, duke shtuar se ishte jashtëzakonisht i lumtur ta shihte topin në rrjetë.

    Sulmuesi shqiptar theksoi se ky gol i ka dhënë motivim shtesë për vazhdimin e sezonit dhe shpreson të kontribuojë edhe me më shumë gola në ndeshjet e ardhshme.

    Ndërkohë, Burnley vazhdon betejën e vështirë për mbijetesë në Ligën Premier. Skuadra aktualisht ndodhet gjashtë pikë larg zonës së sigurt, që mbahet nga Nottingham Forest, ndërsa çdo pikë mbetet jetike në javët në vijim.

  • NBA: Brunson udhëheq Knicks drejt fitores, dramë edhe në ndeshjet tjera!

    NBA: Brunson udhëheq Knicks drejt fitores, dramë edhe në ndeshjet tjera!

    Ylli i New York Knicks, Jalen Brunson, zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme natën e kaluar në NBA, duke udhëhequr skuadrën e tij drejt një fitoreje të madhe 132:125 ndaj Miami Heat.

    Brunson ishte lojtari dominant i ndeshjes, duke e mbyllur takimin si shënuesi më i mirë me plot 47 pikë, të shoqëruara edhe me tetë asistime. Ai tregoi efikasitet të lartë në gjuajtje, duke realizuar 9 nga 13 tentativa për dy pikë dhe 6 nga 13 për tre pikë, ndërsa ishte i pagabueshëm nga vija e gjuajtjeve të lira me 11 nga 11.

    Kontribut të rëndësishëm për Knicks dha edhe Mikal Bridges me 24 pikë, ndërsa te Miami Heat u dallua Kel’el Ëare, i cili regjistroi një “double-double” mbresëlënës me 28 pikë dhe 19 kërcime.

    Knicks renditen në vendin  e dytë në Konferencën e Lindjes, derisa Heat në poziten e tetë.

     

    Spektakël i vërtetë u pa edhe në përballjen dramatike mes Atlanta Hawks dhe Chicago Bulls, një ndeshje ku u shënuan mbi 300 pikë në total. Chicago arriti të triumfojë në transfertë me rezultat 152:150, pas një fundi tejet emocionues.

    Te Atlanta, më të dalluarit ishin Jalen Johnson dhe Trae Young, por performancat e tyre nuk mjaftuan për fitore. Johnson ishte shumë pranë një “triple-double”, duke regjistruar 36 pikë, 11 kërcime dhe nëntë asistime, ndërsa Young kontribuoi me 35 pikë dhe nëntë asistime.

    Në anën tjetër, heroi i Chicagos ishte talenti lituanez Matas Buzelis me 28 pikë, ndërsa Coby White shtoi edhe 21 të tjera.

    Bulls renditen në vendin e 10 në Lindjes derisa Hawks një pozitë më lartë.

     

    Dramë u zhvillua edhe në përballjen mes Sacramento Kings dhe Houston Rockets. Kings arritën fitore pas kohës shtesë me rezultatin minimal 125:124, falë një gjuajtjeje vendimtare për tre pikë nga Dennis Schröder, vetëm tre sekonda para përfundimit të ndeshjes.

    Përndryshe Shcroder gjatë gjith ndeshjes kishte 24 pikë, shtatë kërcime dhe 10 asistime, derisa kontribut në këtë fitore dhanë edhe DeMar DeRozan me 27 pikë e nëtë asistime dhe Keegan Murray me 26 sosh.

    Te skuadra humbëse u dalluan Alperen Sengun me 28 pikë dhe Kevin Durant me 24 sosh.

    Kujtojmë që Kings gjenden në vendin e 14 në Konferencën e Perëndimit derisa Rockets në poziten e gjashtë.

  • Gol, asist dhe notë e lartë, Muslija dominon në Bundesliga 2

    Gol, asist dhe notë e lartë, Muslija dominon në Bundesliga 2

    Florent Muslija ka qenë protagonisti kryesor në fitoren e rëndësishme të Fortuna Düsseldorfit gjatë fundjavës në Bundesliga 2, duke treguar edhe një herë formën e tij të shkëlqyer.

    Skuadra bardhekuqe triumfoi me rezultat 2-1 ndaj Greuther Fürth, ndërsa reprezentuesi i Kosovës ishte lojtari më meritor për këto tri pikë të arta. Muslija kontribuoi drejtpërdrejt në të dy golat e ekipit të tij, duke regjistruar një asistim dhe një gol.

    Në minutën e 24-të të takimit, mesfushori kosovar dha një asistim të saktë për Cederic Itten, i cili realizoi golin e epërsisë 1-0. Performanca e Muslijës vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku në minutën e 65-të ai u shfaq vendimtar duke shënuar vetë golin e dytë për Fortuna Düsseldorf, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij.

    Për paraqitjen e jashtëzakonshme, Muslija u vlerësua me notën 8.6 nga SofaScore, që ishte një nga notat më të larta të xhiros në Bundesliga 2, duke u tejkaluar vetëm nga portieri Kristof, i cili mori notën 9.

    Falë kësaj paraqitjeje, ylli dardan u përfshi edhe në formacionin më të mirë të xhiros së 17-të në Bundesliga 2, duke konfirmuar rëndësinë e tij për ekipin dhe formën pozitive që po kalon këtë sezon.

  • Zyrtare: Lindon Emërllahu largohet nga CFR Cluj, transferohet te Polissya Zhytomyr

    Zyrtare: Lindon Emërllahu largohet nga CFR Cluj, transferohet te Polissya Zhytomyr

    Presidenti i CFR Clujit, Iuliu Mureșan, ka konfirmuar zyrtarisht shitjen e mesfushorit kosovar Lindon Emërllahu te klubi ukrainas Polissya Zhytomyr. Transferimi pritet të formalizohet brenda pak orësh, pasi lojtari aktualisht ndodhet në Ukrainë duke kryer testet mjekësore.

    Sipas Mureșanit, marrëveshja është shumë e favorshme për klubin rumun, i cili do të përfitojë rreth 1.5 milionë euro, ndërsa ka siguruar edhe 15 për qind nga shitja e ardhshme e futbollistit.

    “Emërllahu është në Ukrainë që nga e mërkura. Ai duhet të kalojë testet mjekësore dhe gjithçka është e qartë. Nuk flas për çmimin, por mund të them se është një biznes me përfitim për CFR-në, krahasuar me atë që kemi investuar dhe atë që po përfitojmë tani. Kemi mbajtur edhe përqindje për të ardhmen, të njëjtën 15%”, ka deklaruar Mureșan për gsp.ro.

    Emërllahu kishte tërhequr interes edhe nga FCSB në të kaluarën, por transferimi nuk u realizua për shkak të mosmarrëveshjeve rreth çmimit.

    Mesfushori kosovar ka pasur paraqitje solide këtë sezon, me 17 ndeshje dhe katër gola, si dhe pesë paraqitje në kualifikimet evropiane, përfshirë tri në Ligën e Evropës dhe dy në Ligën e Konferencës. Në total, ai regjistroi 41 paraqitje me CFR Clujin, duke shënuar gjashtë gola dhe dhuruar tri asistime në të gjitha garat.

    Ish-lojtari i Ballkanit ka edhe 12 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, ndërsa transferimi në Ukrainë shihet si një hap i rëndësishëm në vazhdimësinë e karrierës së tij profesionale.