ATV

Author: N.T.

  • Laporta akuzon Florentinon: “Po flet për Negreira vetëm tani, sepse projektet tona dështuan”

    Laporta akuzon Florentinon: “Po flet për Negreira vetëm tani, sepse projektet tona dështuan”

    Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Florentino Pérez, duke ngritur dyshime mbi arsyet pse kreu i Real Madridit po flet tani për çështjen “Negreira”.

    “Nuk e kuptoj pse Florentino po flet papritur për Negreira, kur më parë nuk ka folur kurrë për këtë temë”, është shprehur Laporta. Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit lidhet drejtpërdrejt me prishjen e marrëdhënieve mes dy klubeve në nivel institucional.

    Laporta theksoi se vetëm një vit më parë, Barcelona dhe Real Madridi ishin të përfshirë së bashku në projekte të rëndësishme, përfshirë Superligën Evropiane. Megjithatë, situata ndryshoi kur ky projekt nuk pati sukses dhe Barcelona arriti një marrëveshje me UEFA-n.

    “Kur pa se kjo nuk funksionoi dhe se ne arritëm një marrëveshje me UEFA-n, ai ndryshoi qëndrim”, shtoi presidenti i Barcelonës, duke lënë të kuptohet se sulmet aktuale kanë më shumë prapavijë politike dhe strategjike sesa sportive.

    Deklaratat e Laportës pritet të ndezin edhe më shumë tensionet mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, në një moment delikat për futbollin evropian dhe të ardhmen e reformave në kompeticionet kontinentale.

  • Knicks triumfojnë në Las Vegas dhe fitojnë Kupën e NBA-së, Brunson shpallet MVP

    Knicks triumfojnë në Las Vegas dhe fitojnë Kupën e NBA-së, Brunson shpallet MVP

    Kupa e NBA-së ka përfunduar në duart e New York Knicks, të cilët më në fund do të kenë mundësinë të varin një banderolë të ri në tavanin e legjendarit Madison Square Garden, përkrah titullit historik të vitit 1973.

    Skuadra nga New York triumfoi në finale ndaj San Antonio Spurs me rezultat 124-113, pas një ndeshjeje plot ritëm, intensitet dhe kthesa. Knicks treguan karakter të madh, duke përmbysur një disavantazh prej 11 pikësh në mesin e çerekut të tretë, falë agresivitetit në mbrojtje dhe vendimeve të guximshme të trajnerit Brown.

    Çmimi MVP i finales, i përzgjedhur nga një panel prej 20 votuesish, iu nda liderit të Knicks, Jalen Brunson, i cili udhëhoqi ekipin në momentet vendimtare.

    Finalja nisi me një San Antonio energjik. Victor Wembanyama e filloi ndeshjen nga stoli edhe këtë herë, ndërsa Spurs prodhuan basketboll cilësor në minutat e para përmes dyshes Fox–Castle. Knicks u kundërpërgjigjën me një OG Anunoby dominant në të dyja anët e fushës, duke mbajtur ekipin në lojë.

    Wembanyama pati nevojë për kohë për t’u futur në ritëm, por Spurs gjetën momentin e tyre në çerekun e dytë falë gjuajtjeve nga distanca dhe një loje më të organizuar. Tekasanët ndërtuan një epërsi prej shtatë pikësh, por Knicks reaguan në fund të pjesës së parë, duke bërë që Spurs të shkonin në pushim vetëm me dy pikë epërsi.

    Në çerekun e tretë, Wembanyama u aktivizua më shumë dhe shënoi 12 pikë, duke ndihmuar Spurs të krijonin një avantazh maksimal prej 11 pikësh. Megjithatë, Knicks nuk u dorëzuan. Fizikaliteti i Mitchell Robinson nën kosh dhe energjia e jashtëzakonshme e Kolek i rikthyen njujorkezët në lojë.

    Momenti vendimtar erdhi në fillim të çerekut të katërt, kur Knicks realizuan një seri 11-1, duke marrë kontrollin e plotë të finales. Trajneri Brown i besoi rezervave edhe në momentet më të nxehta të ndeshjes, një vendim që rezultoi vendimtar, ndërsa Spurs humbën qartësinë në sulm.

    Në fund, Knicks menaxhuan epërsinë dhe ngritën Kupën e NBA-së në “T-Mobile Arena” në Las Vegas, duke shënuar një sukses të madh dhe duke hapur një kapitull të ri në historinë e klubit.

  • Luka Dončić në rolin e Babagjyshit, Superylli dhuron 103 dhurata për familjen e Lakers

    Luka Dončić në rolin e Babagjyshit, Superylli dhuron 103 dhurata për familjen e Lakers

    Luka Dončić ka treguar edhe një herë pse konsiderohet jo vetëm një nga basketbollistët më të mëdhenj të kohës, por edhe një nga më të dashurit kudo që luan. Superylli slloven ka marrë sërish rolin e “Babagjyshit të Vitit të Ri”, duke vazhduar traditën e tij të dhuratave për shokët e ekipit dhe stafin e klubit.

    I njohur prej vitesh për gjestet e tij bujare, Dončić edhe këtë vit nuk bëri përjashtim, por këtë herë shkoi edhe më larg. Ai shpërndau plot 103 dhurata, praktikisht për të gjithë ata që janë pjesë e organizatës së Los Angeles Lakers, duke përfshirë lojtarë, trajnerë dhe punonjës që zakonisht qëndrojnë larg vëmendjes së publikut.

    Dhuratat nuk ishin aspak simbolike. Siç konfirmoi trajneri i Lakers, JJ Redick, të gjithë përfituesit morën biçikleta elektrike të cilësisë së lartë, një gjest që u prit me entuziazëm nga i gjithë ekipi.

    “Është e vërtetë. Të gjithë morën dhurata, mendoj se ishin 103 gjithsej. Morëm biçikleta elektrike shumë cilësore. Mezi pres të ngas përgjatë bregdetit. Ishte një gjest vërtet i bukur dhe të gjithë u kënaqën”, u shpreh Redick.

    Trajneri i Lakers theksoi gjithashtu anën humanitare të Dončićit, duke kujtuar se ai ka ndihmuar financiarisht komunitetin që në ditët e para pas mbërritjes në Los Angeles, veçanërisht pas fatkeqësive natyrore, duke vazhduar një traditë që e ka ndjekur gjatë gjithë karrierës.

    Biçikletat elektrike të dhuruara janë nga marka Pedal Electric, me tërheqje në të gjitha rrotat dhe me një çmim rreth 3,300 euro për copë, çka do të thotë se Dončić ka shpenzuar rreth 340 mijë euro për këtë gjest bujar.

    Një veprim që edhe një herë dëshmon se Luka Dončić nuk është vetëm lider në parket, por edhe jashtë tij.

  • Ancelotti nuk e votoi Mbappén për “The Best”, Dembélé zgjedhja e parë e italianit

    Ancelotti nuk e votoi Mbappén për “The Best”, Dembélé zgjedhja e parë e italianit

    Carlo Ancelotti ka zbuluar preferencat e tij në votimin për çmimin prestigjioz FIFA “The Best”, duke mos e renditur Kylian Mbappén në vendin e parë, pavarësisht statusit të tij si një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.

    Trajneri italian i dha votën maksimale sulmuesit të Paris Saint-Germain, Ousmane Dembélé, i cili u rendit i pari në listën e Ancelottit. Në vendin e dytë, tekniku i Real Madridit zgjodhi brazilianin Raphinha, ndërsa Mbappé u pozicionua vetëm i treti.

    Ky votim ka tërhequr vëmendje të madhe në opinionin sportiv, veçanërisht për faktin se Mbappé është një nga figurat kryesore të futbollit modern dhe shpesh konsiderohet favorit në gara individuale. Megjithatë, Ancelotti duket se ka vlerësuar më shumë paraqitjet dhe ndikimin e Dembélés dhe Raphinhës gjatë sezonit.

    Zgjedhjet e trajnerëve dhe kapitenëve të Kombwtareve janë pjesë kyçe e procesit të përzgjedhjes për çmimin “The Best”, duke reflektuar këndvështrime profesionale mbi performancat e lojtarëve gjatë vitit.

  • PSG dominon formacionin ideal “The Best FIFA Men’s 11 2025” me gjashtë lojtarë

    PSG dominon formacionin ideal “The Best FIFA Men’s 11 2025” me gjashtë lojtarë

    Paris Saint-Germain ka lënë gjurmë të thella në formacionin prestigjioz “The Best FIFA Men’s 11 2025”, duke u përfaqësuar me plot gjashtë futbollistë pas një sezoni historik. Lojtarët parisienë ishin kyç në triumfin e klubit në Ligën e Kampionëve dhe në rrugëtimin deri në finalen e Kupës së Botës për Klube FIFA, sukses që u reflektua edhe në përzgjedhjen e ekipit më të mirë të vitit.

    Në portë është përzgjedhur Gianluigi Donnarumma, i cili ndërkohë ka kaluar te Manchester City. Mbrojtja dhe mesfusha plotësohen nga emra të njohur të PSG-së si Achraf Hakimi, Willian Pacho, Nuno Mendes dhe Vitinha, ndërsa në sulm vendin e tij e ka siguruar ylli francez Ousmane Dembélé. Me këtë numër përfaqësuesish, PSG kryeson bindshëm listën e klubeve në formacionin ideal të vitit.

    Pjesë e “The Best 11” janë edhe fituesi i Topit të Artë të Kupës së Botës për Klube, Cole Palmer, si dhe talenti i jashtëzakonshëm spanjoll Lamine Yamal, i cili vazhdon të mahnisë botën e futbollit pavarësisht moshës së re.

  • Ousmane Dembélé, Lojtari më i Mirë i FIFA-s 2025 pas një sezoni magjik me PSG

    Ousmane Dembélé, Lojtari më i Mirë i FIFA-s 2025 pas një sezoni magjik me PSG

    Ylli i Paris Saint-Germain dhe i kombëtares së Francës, Ousmane Dembélé, është shpallur “Lojtari më i Mirë” për meshkuj nga FIFA për vitin 2025, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm në karrierën e tij.

    Sulmuesi francez ishte një nga figurat kyçe të suksesit historik të PSG-së, duke udhëhequr ekipin drejt triumfit të parë në Ligën e Kampionëve. Gjatë fushatës europiane, Dembélé shkëlqeu me tetë gola dhe gjashtë asistime, duke qenë vendimtar në momentet më të rëndësishme.

    Forma e tij brilante vazhdoi edhe në garat vendase, ku u shpall MVP i sezonit 2024/25 si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në Ligue 1, ndërsa PSG kompletoi tripletën historike. Me shpejtësinë, kreativitetin dhe ndikimin e tij vendimtar, 28-vjeçari u shndërrua në liderin ofensiv të skuadrës parisiene.

    Dembélé luajti rol të rëndësishëm edhe në arenën ndërkombëtare, duke ndihmuar PSG-në të arrinte për herë të parë në finalen e Kupës së Botës për Klube, ndërsa me kombëtaren franceze kontribuoi në sukseset e sezonit.

  • Luis Enrique shpallet Trajneri më i Mirë i FIFA-s pas sezonit historik me PSG

    Luis Enrique shpallet Trajneri më i Mirë i FIFA-s pas sezonit historik me PSG

    Luis Enrique është shpallur “Trajneri më i Mirë” për meshkuj nga FIFA, si vlerësim për një sezon të jashtëzakonshëm në krye të Paris Saint-Germain.

    Trajneri spanjoll e udhëhoqi klubin parisien drejt historisë, duke fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve. PSG triumfoi në mënyrë spektakolare në finale, duke mposhtur Interin me rezultatin e thellë 5-0.

    Dominimi i skuadrës së Luis Enrique nuk u ndal vetëm në Evropë. PSG sundoi edhe në garat vendase, duke fituar Ligue 1, Kupën e Francës dhe Superkupën e Francës, duke kompletuar një sezon pothuajse perfekt.

    Paraqitje mbresëlënëse u shënuan edhe në arenën ndërkombëtare. Edhe pse u mposhtën në finale të Kupës së Botës për Klube, parizienët zhvilluan një rrugëtim të jashtëzakonshëm, me fitore të mëdha ndaj gjigantëve si Bayern Munich dhe Real Madrid.

    Arritjet kryesore të Luis Enrique me PSG: Fitues i Ligës së Kampionëve, fitues i Ligue 1, fitues i Kupës së Francës, fitues i Superkupës së Francës, Nënkampion i Kupës së Botës për Klube, po ashtu edhe “Trajneri i Vitit” në Ligue 1 nga UNFP.

  • Montiel lë pas Yamal dhe Rice, fiton çmimin “FIFA Puskas 2025”

    Montiel lë pas Yamal dhe Rice, fiton çmimin “FIFA Puskas 2025”

    Sulmuesi i Independiente, Santiago Montiel, është shpallur fitues i çmimit prestigjioz “FIFA Puskas 2025”, falë një goli spektakolar të realizuar me gërshërë nga distanca, që mahniti botën e futbollit.

    25-vjeçari u nderua në ceremoninë “FIFA The Best”, e mbajtur  në Doha të Katarit, ku u vlerësua realizimi më estetik dhe më i bukur i sezonit. Fituesi u përcaktua përmes një kombinimi të votave të tifozëve dhe vlerësimit të një paneli ekspertësh të FIFA-s.

    Goli fitues u shënua më 11 maj 2025, gjatë një ndeshjeje kampionati kundër Independiente Rivadavia, e zhvilluar në stadiumin “Libertadores de América”. Në një moment kur rezultati ishte 0-0, një top i larguar pas një goditjeje nga këndi përfundoi pak jashtë zonës, aty ku Montiel reagoi në mënyrë të jashtëzakonshme.

    Me një akt të rrallë guximi dhe teknike, sulmuesi argjentinas u hodh në ajër dhe ekzekutoi një goditje akrobatike me gërshërë, duke e dërguar topin në cepin e sipërm të portës nga mbi 20 metra distancë.

    Ky realizim i dha fitoren 1-0 Independientes dhe u cilësua menjëherë si një “gol përjetësie”, duke u krahasuar me disa nga golat më legjendarë në historinë e futbollit.

    Në garën për çmimin “Puskas”, goli i Montiel la pas konkurrencë të fortë nga emra të njohur si talenti i Barcelonës Lamine Yamal, mesfushori i Arsenalit Declan Rice, si dhe mbrojtësi i Persija Jakarta, Rizky Ridho.

  • Shoqata e Gjyqtarëve në Spanjë përgjigjet ndaj akuzave të Florentino Perez

    Shoqata e Gjyqtarëve në Spanjë përgjigjet ndaj akuzave të Florentino Perez

    Shoqata Spanjolle e Gjyqtarëve të Futbollit ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Real Madrid, Florentino Perez, lidhur me supozuarin korrupsion midis gjyqtarëve dhe hetimin e “rastit Negreira”.

    Në një konferencë për shtyp, Perez kritikoi ashpër autoritetet e futbollit spanjoll, duke thënë se Real Madridi ka mbetur i vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe duke akuzuar La Ligën dhe RFEF për sjellje të papranueshme. Ai kritikoi gjithashtu gjyqtarin Pablo Gonzalez Fuertes, përgjegjës për VAR në ndeshjen kundër Alaves, duke pretenduar se kërcënoi klubin dhe nuk jep penalizime për faullet ndaj Vinicius dhe Rodrygo.

    Pas këtyre komenteve, Shoqata Spanjolle e Gjyqtarëve publikoi një komunikatë zyrtare ku shpreh qartë kundërshtimin ndaj akuzave të Perez:

    Shoqata thekson se gjyqtarët veprojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale, pa qenë pjesë e ndonjë skeme apo bashkëpunimi me klube apo zyrtarë.

    Në “rastin Negreira”, asnjë gjyqtar nuk është mbajtur përgjegjës gjatë hetimit. Akuzat e përgjithësuara sipas shoqatës shkaktojnë dëme të panevojshme në reputacionin e gjyqtarëve dhe integritetin e futbollit spanjoll.

    AESAF shpreh mbështetje për Pablo Gonzalez Fuertes dhe të gjithë gjyqtarët në Spanjë, duke theksuar se puna e tyre profesionale dhe personale meriton respekt.

    Shoqata e mohon gjithashtu pretendimin se gjyqtarët kanë kërcënuar Real Madridin për finalen e Kupës së Spanjës 2024/25, duke e quajtur atë gënjeshtër.

    Komunikata thekson se në futboll, fitoret dhe humbjet vendosen në fushë, dhe nuk duhet të përdoren akuzat ndaj gjyqtarëve si justifikim për rezultatet sportive.

    Ky reagim i AESAF vjen pas një vale kritike të Florentino Perez, duke bërë që debati mbi integritetin e gjyqtarëve në Spanjë të rikthehet sërish në qendër të medias sportive.

  • Karim Adeyemi mund të largohet nga Borussia Dortmund, vendim i ndikuar nga Loredana Zefi

    Karim Adeyemi mund të largohet nga Borussia Dortmund, vendim i ndikuar nga Loredana Zefi

    Sulmuesi gjerman Karim Adeyemi i ka bërë të ditur Borussia Dortmund se dëshiron të largohet nga klubi. Ky vendim ka krijuar menjëherë bujë në mediat sportive dhe ka nxitur spekulime për të ardhmen e talentit gjerman.

    Sipas mediave gjermane, motivi pas këtij vendimi është personal: e dashura e tij, këngëtarja kosovare Loredana Zefi, dëshiron të jetojë në një qytet më të madh evropian, dhe jo në Dortmund. Ky faktor ka ndikuar drejtpërdrejt te Adeyemi, i cili tani po shqyrton mundësitë e një largimi.

    Për të përgatitur një transferim të mundshëm, Adeyemi ka ndryshuar agjent dhe ka nisur të rinegociojë kontratën e tij me Dortmundin. Sulmuesi, i cili është nën kontratë deri në vitin 2027, ka një vlerë tregu prej 60 milionë eurosh.

    Në të kaluarën, Adeyemi është lidhur me disa gjigantë evropianë, duke përfshirë Barcelona, Manchester United dhe Juventus, dhe një largim nga Bundesliga mund t’i hapë rrugën një transferimi madhor.

    E ardhmja e talentit gjerman pritet të vendoset gjatë afatit të ardhshëm të transferimeve, dhe mediat sportive vazhdojnë të monitorojnë çdo lëvizje të mundshme të sulmuesit. Ndërkohë, fansat e Borussia Dortmund dhe tifozët e klubit evropian po ndjekin me kujdes zhvillimet, duke spekuluar për destinacionin e mundshëm të Adeyemit.