ATV

Author: N.T.

  • Sturm Graz me trajner të ri, Atdhe Nuhiu drejt një hapi të madh në karrierë

    Sturm Graz me trajner të ri, Atdhe Nuhiu drejt një hapi të madh në karrierë

    Fabio Ingolitsch është emëruar zyrtarisht trajner i ri i kampionit në fuqi të Austrisë, Sturm Graz, duke hapur një kapitull të ri për klubin austriak në prag të pjesës së dytë të sezonit.

    Sipas mediave austriake, Ingolitsch pritet ta marrë me vete edhe ndihmëstrajnerin e tij nga Altachu, Atdhe Nuhiun. Ky i fundit shihet si pjesë e stafit teknik të ri, duke e bërë këtë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

    Trajneri i ri do ta nisë zyrtarisht punën te Sturm Graz të premten, ndërsa debutimi i tij në stolin e kampionëve austriakë do të jetë më 22 janar, në ndeshjen e fazës së Ligës së Evropës ndaj Feyenoordit.

    Atdhe Nuhiu, 36-vjeçar, ka nisur karrierën e tij si ndihmëstrajner te Altachu në vitin 2024 dhe aktualisht është gjithashtu ndihmës i përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda. Si futbollist, Nuhiu ka qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në 19 ndeshje, gjatë periudhës 2017–2021.

    Angazhimi i mundshëm te Sturm Graz do të përfaqësonte një hap të madh përpara në karrierën e Nuhiut, duke qenë pjesë e stafit të një prej klubeve më të mëdha dhe më të suksesshme në futbollin austriak.

  • Ter Stegen drejt largimit? Girona futet seriozisht në garë për portierin gjerman

    Ter Stegen drejt largimit? Girona futet seriozisht në garë për portierin gjerman

    E ardhmja e Marc-André ter Stegen mund të marrë një kthesë të papritur gjatë afatit kalimtar të janarit. Portieri gjerman i Barcelonës është shfaqur si një objektiv konkret për huazim nga Girona.

    Sipas burimeve pranë klubit katalanas, ter Stegen është në listën e dëshirave të Gironës, ndërsa raportohet se janë gjithsej tre klube të interesuara për shërbimet e tij në formë huazimi. Vetë Girona ka konfirmuar interesimin, duke e konsideruar portierin si një përforcim madhor për pjesën e dytë të sezonit.

    Trajneri i Gironës, Michel, nuk e ka fshehur entuziazmin për këtë mundësi, duke deklaruar: “Do të më pëlqente shumë ta kisha ter Stegen me ne. Ai është një portier i klasit botëror.”

    Megjithatë, realizimi i marrëveshjes varet nga miratimi i rregullave të Fair Play Financiar të La Ligës, që mund të jenë faktori vendimtar për këtë transferim të bujshëm. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e portierit gjerman.

  • Thunder vazhdon të jetë lider në Perëndim, Raptors e Warriors këndellen me fitore

    Thunder vazhdon të jetë lider në Perëndim, Raptors e Warriors këndellen me fitore

    Një natë spektakolare është zhvilluar në parketet e NBA-së, ku u luajtën plot 11 ndeshje dhe vëmendja kryesore u përqendrua te superylli i Oklahoma City Thunder, Shai Gilgeous-Alexander.

    Lideri i Thunder vazhdoi formën e jashtëzakonshme, duke treguar edhe një herë pse ishte figura kyçe në rrugëtimin drejt titullit sezonin e kaluar. Oklahoma shënoi plot 140 pikë dhe triumfoi ndaj Atlanta Hawks me rezultatin 140:129.

    Gilgeous-Alexander ishte i pandalshëm, duke regjistruar 39 pikë, gjashtë asistime dhe pesë ribaunde, në një ndeshje që mbeti e hapur deri në minutat e fundit. Një minutë para fundit, Atlanta ishte vetëm dy posedime larg barazimit, por Oklahoma tregoi qetësi dhe siguroi fitoren e 28-të në 33 ndeshje të zhvilluara këtë sezon.

     

    Shumica e skuadrave favorite e justifikuan epitetin, edhe pse nuk munguan disa surpriza të vogla.

    Toronto Raptors triumfuan ngushtë ndaj Orlando Magic me shifrat 107:106.

    Jamal Shead udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores me 19 pikë, katër kërcime e pesë asistime,, derisa kontribut dha edhe Brandon Ingram 17 sosh.

    Te skuadra humbëse më efikaset ishin, Anthony Black me 27 pikë dhe Paolo Banchero me triple-double prej 23 pikëve, 15 kërcimeve dhe 10 asistimeve.

    Raptors janë në vendin e katërt në Konferencën e Lindjes derisa Magic një pozitë më poshtë.

     

    Golden State Warriors janë këndellur me fitore pasi munden Brooklyn Nets me rezultat 120-107.

    Si gjithmonë edhe këtë natë shkëlqeu ylli I skudarës së “luftëtareve” Stephen Curry, pasi realizoi 27 pikë e pesë asistime, derisa parzqitje të mirë kishte edhe Jimmy Butler me 21 sosh.

    Përkunder performancës së mirë të Michael Porter Jr. me 27 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, nuk mjaftuan për fitore.

    Warriors renditen në poziten e tetë në Perëndim derisa Nets në vendin e  13 në Lindje.

  • Viti i artë i Ousmane Dembélé: dominim total në futbollin evropian dhe botëror

    Viti i artë i Ousmane Dembélé: dominim total në futbollin evropian dhe botëror

    Ousmane Dembélé po përjeton sezonin më të suksesshëm të karrierës së tij, duke u shndërruar në një nga figurat qendrore të futbollit botëror në vitin 2025. Sulmuesi francez ka qenë protagonist absolut në çdo kompeticion ku ka marrë pjesë, duke mbledhur një koleksion mbresëlënës trofesh dhe çmimesh individuale.

    Në nivel skuadre, Dembélé ka fituar të gjitha trofetë kryesore të mundshme: Ligue 1, Coupe de France, French Supercup, UEFA Champions League, UEFA Super Cup dhe FIFA Intercontinental Cup, duke kompletuar një sezon historik dhe pothuajse perfekt.

    Paralelisht me sukseset kolektive, francezi ka dominuar edhe në aspektin individual. Ai është shpallur fitues i Topit të Artë (Ballon d’Or), The Best FIFA Men’s Player, si dhe Men’s Player of the Year nga Globe Soccer Awards. Po ashtu, Dembélé është vlerësuar si Lojtari më i mirë në botë nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit dhe Lojtari i Vitit në Ligue 1.

    Forma e jashtëzakonshme e tij është reflektuar edhe në statistika, duke e bërë bashkë-shënuesin më të mirë të Ligue 1, si dhe Lojtarin e Sezonit në UEFA Champions League. Për më tepër, ai është përfshirë në The Athletic European Men’s Team of the Season, një tjetër dëshmi e ndikimit të tij në elitën e futbollit evropian.

    Me një vit të mbushur me arritje historike, Ousmane Dembélé ka konfirmuar statusin e tij si një nga lojtarët më të mirë të brezit aktual. Nëse vazhdon me këtë ritëm, vitrina e trofeve mund të mos mjaftojë për të gjitha sukseset që e presin.

  • Lamine Yamal shkëlqen në Globe Soccer Awards, fiton tre çmime prestigjioze

    Lamine Yamal shkëlqen në Globe Soccer Awards, fiton tre çmime prestigjioze

    Ylli i ri i Barcelonës dhe i Kombëtares spanjoll, Lamine Yamal, ishte një nga protagonistët kryesorë të ceremonisë prestigjioze Globe Soccer Awards, e mbajtur mbrëmjen e kaluar në Dubai, ku u shpërblye me plot tre çmime të rëndësishme.

    Talenti 17-vjeçar u nderua me çmimin Best Forward Award, duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme dhe ndikimin e tij në nivel elitar. Po ashtu, Yamal fitoi edhe çmimin LaLiga Best U23 Award, si lojtari më i mirë i ri i kampionatit spanjoll.

    Kulmi i mbrëmjes për të ishte marrja e Diego Armando Maradona Award, një vlerësim special që u jepet lojtarëve me talent dhe ndikim të veçantë në fushë, duke e vendosur atë në një shoqëri shumë ekskluzive.

    Me këto arritje, Lamine Yamal vazhdon të dëshmojë se është një nga emrat më premtues të futbollit botëror, duke ngritur pritshmëritë për një të ardhme të ndritur.

  • Pistons ndalen nga Clippers, Lakers e Blazers shënojn fitore

    Pistons ndalen nga Clippers, Lakers e Blazers shënojn fitore

    Los Angeles Clippers triumfuan ndaj liderit të Konferencës së Lindjes, Detroit Pistons me rezultatin 112:99, në një ndeshje ku Kawhi Leonard ishte absolutisht i pandalshëm, duke realizuar pothuajse gjysmën e pikëve të skuadrës vendase.

    Me këtë sukses, Clippers regjistruan fitoren e katërt radhazi, ndërsa Leonard vendosi edhe një rekord personal në karrierë. Ai e mbylli ndeshjen me plot 55 pikë, 11 kërcime dhe dy asistime, duke qenë protagonisti kryesor i përballjes. James Harden kontribuoi me 28 pikë, shtatë asistime dhe katër kërcime, ndërsa Nicolas Batum shtoi 12 pikë dhe katër ribaunde.

    Te Detroit Pistons, më i dalluari ishte Cade Cunningham me 27 pikë, nëntë asistime dhe pesë kërcime. Jalen Duren regjistroi një “double-double” me 18 pikë dhe 14 kërcime, duke shtuar edhe dy asistime, ndërsa Ivey e përfundoi ndeshjen me 11 pikë, tre kërcime dhe tre asistime.

    Clippers renditen në vendin e 13 në Konferencën e Perëndimit.

     

    Ndërkohë, Luka Dončić shkëlqeu në fitoren bindëse të LA Lakers ndaj Sacramento Kings, 125:101, duke shënuar 34 pikë, shtatë asistime dhe pesë kërcime, derisa kontribut dha edhe LeBron James që ishte vendimtar me 24 pikë, pesë asistime dhe tre kërcime.

    Te skuadra humbës më efikasi ishte DeMar DeRozan me 22 pikë.

    Kujtojmë që Lakers renditen në vendin e katërt në Perëndim derisa Kings në poziten e 14.

     

    Portland Trail Blazers janë këndellur me fitore pasi munden Boston Celtics me rezultat 114-108.

    Shaedon Sharpe udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores me 26 pikë, derisa kontribut dhan edhe Deni Avdija me 24 pikë, shtatë kërcime e 10 asistime Toumani Camara me 20 sosh.

    Nga ana tjetër Jaylen Brown ishte fantastik me 37 pikë por që nuk mjaftuan për fitore.

    Blazers renditen në vendin e 10 në Perëndim derisa Celtics në poziten e tretë në Lindje.

  • Presidenti i Fenerbahçes, Steven Sadettin Saran, shoqërohet në paraburgim në kuadër të një hetimi për drogë

    Presidenti i Fenerbahçes, Steven Sadettin Saran, shoqërohet në paraburgim në kuadër të një hetimi për drogë

    Biznesmeni i njohur turk dhe presidenti i Klubit Sportiv Fenerbahçe, Steven Sadettin Saran, është shoqëruar në paraburgim mbrëmjen e sotme në kuadër të një hetimi që lidhet me lëndë narkotike, kanë bërë të ditur autoritetet turke.

    Në një deklaratë zyrtare, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit njoftoi se Saran po hetohet nën dyshimet për përdorim dhe lehtësim të përdorimit të substancave narkotike. Sipas prokurorisë, rezultatet e testeve të kryera më herët gjatë ditës kanë rezultuar pozitive pas një kontrolli të realizuar gjatë fundjavës.

    Raportimet mediatike bëjnë të ditur se në një mostër floku të marrë nga Saran është konstatuar prania e kokainës, ndërsa në analizat e gjakut, urinës dhe thonjve nuk është gjetur asnjë substancë narkotike.

    Pas publikimit të rezultateve, Saran reagoi me një deklaratë me shkrim, ku mohoi kategorikisht përdorimin e drogës. Ai u shpreh se nuk e ka përdorur dhe as nuk ka qenë ndonjëherë në kontakt me substancën në fjalë, duke kërkuar që testet të përsëriten në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Po ashtu, Saran deklaroi se është i gatshëm t’u nënshtrohet analizave shtesë edhe në institucione ndërkombëtare të pavarura, rezultatet e të cilave, sipas tij, do t’i bëjë publike. Ai ngriti shqetësime serioze edhe për rrjedhjen e informacionit nga dosja hetimore, pavarësisht urdhrit për konfidencialitet.

    Sipas Saranit, publikimi i detajeve nga një dosje e supozuar sekrete në disa media njëkohësisht dhe në mënyrë të koordinuar përbën një shkelje serioze. “Jam i bindur se e vërteta do të dalë në pah dhe se procesi do të përfundojë në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me parimet e shtetit ligjor”, u shpreh ai.

    Shtëpia e Steven Sadettin Saran është kontrolluar më 19 dhjetor, në kuadër të një hetimi më të gjerë për drogë, që përfshin disa persona publikë, përfshirë gazetarë, figura të njohura të rrjeteve sociale dhe biznesmenë.

  • KF Llapi dhe Kushtrim Shabani ndajnë rrugët me mirëkuptim pas një bashkëpunimi të gjatë

    KF Llapi dhe Kushtrim Shabani ndajnë rrugët me mirëkuptim pas një bashkëpunimi të gjatë

    KF Llapi ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje të përbashkët me mesfushorin Kushtrim Shabani për ndërprerjen e bashkëpunimit mes palëve.

    Vendimi është marrë në frymë mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë, edhe pse klubi kishte paraparë ta llogariste Shabanin si pjesë të rëndësishme të projektit për vazhdimësinë. Megjithatë, drejtuesit e Llapit kanë respektuar dëshirën e futbollistit për të ndryshuar ambient dhe për të hapur një kapitull të ri në karrierën e tij.

    Kushtrim Shabani ka qenë një figurë e rëndësishme e skuadrës ndër vite, duke kontribuar vazhdimisht me paraqitjet e tij dhe profesionalizmin në fushë. Kohët e fundit, ai shënoi edhe një moment të veçantë në karrierë, duke regjistruar 200 paraqitje zyrtare me fanellën e KF Llapit, një dëshmi e përkushtimit dhe lidhjes së fortë me klubin.

    Në njoftimin e tij, KF Llapi e falënderon Shabanin për kontributin e çmuar dhe i uron shumë suksese në rrugëtimin e radhës profesional.

  • Real Madridi ndez rrjetet për Krishtlindje me fotografinë ikonike të trofeve

    Real Madridi ndez rrjetet për Krishtlindje me fotografinë ikonike të trofeve

    Real Madridi ka zgjedhur një mënyrë tejet simbolike dhe madhështore për të uruar Krishtlindjet, duke publikuar një fotografi që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe është cilësuar nga tifozët si një nga imazhet më “të nxehta” të vitit.

    Në foto shihen presidenti Florentino Pérez dhe trajneri Xabi Alonso, të pozicionuar përpara një galerie mbresëlënëse trofesh që përfaqësojnë historinë e lavdishme të klubit mbretëror. Pas tyre dallohen qartë trofetë më prestigjiozë të fituar ndër vite, përfshirë Ligën e Kampionëve, titujt kampionë të Spanjës dhe trofe të tjerë madhorë që e kanë bërë Real Madridin klubin më të suksesshëm në historinë e futbollit.

    Imazhi përcjell një mesazh të qartë force, tradite dhe dominimi, duke kujtuar botës se Real Madridi nuk feston vetëm festat, por edhe historinë dhe ambicien e përhershme për fitore. Prania e Pérez dhe Alonsos në të njëjtën kornizë simbolizon vazhdimësinë mes së kaluarës së lavdishme dhe projektit për të ardhmen.

    Postimi i klubit u shoqërua me urime festive, por mbi të gjitha me një kujtesë të heshtur për rivalët: trofetë flasin vetë. Për tifozët madrilenë, kjo foto ishte më shumë se një urim Krishtlindjesh – ishte një deklaratë krenarie dhe madhështie.

  • Anduena Rifati jep dorëheqje nga pozita e vëzhgueses në FBK

    Anduena Rifati jep dorëheqje nga pozita e vëzhgueses në FBK

    Ish-basketbollistja Anduena Rifati ka dhënë dorëheqje nga pozita e vëzhgueses në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), vendim të cilin e ka bërë të ditur përmes një letre zyrtare drejtuar institucionit, e cila njëkohësisht është dërguar edhe në redaksinë tonë.

    Në letrën e saj, Rifati thekson se dorëheqja vjen pas një reflektimi të gjatë dhe të qetë, duke renditur disa arsye që, sipas saj, e kanë shtyrë drejt këtij vendimi. Ajo shprehet se gjatë edicionit 2025/26 është ndier e injoruar dhe e neglizhuar nga Komisioni i Nominimeve, pa asnjë sqarim apo vlerësim të drejtë për kontributin e saj.

    Mes tjerash, Rifati ngre shqetësime edhe për mungesën e mbështetjes institucionale për përfshirjen gjinore në strukturat e FBK-së, duke theksuar se si femër, integrimi dhe avancimi profesional i saj ka qenë i kufizuar. Ajo kritikon gjithashtu zbehjen e parimit të meritokracisë, duke vënë në dyshim kriteret mbi të cilat bëhen delegimet dhe vlerësimet.

    Në letrën e dorëheqjes, Anduena Rifati nënvizon përvojën e saj të pasur në basketboll, duke përfshirë rolin si basketbolliste aktive, reprezentuese e Kosovës, gjyqtare dhe së fundmi si vëzhguese. Ajo thekson se vjen nga një familje basketbolliste dhe se njohuritë për lojën i ka ndërtuar që herët, të përforcuara ndër vite me përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm.

    Sipas saj, pavarësisht këtij bagazhi profesional dhe njerëzor, kontributi i saj nuk ka qenë i mjaftueshëm për t’u vlerësuar në mënyrë të drejtë apo për të qenë pjesë e proceseve të avancimit profesional. Rifati shpreh zhgënjim edhe ndaj, siç e quan ajo, një klime të “antivlerave”, selektimeve të preferuara dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje.

    Si kulm të gjithë situatës, ajo përmend edhe mungesën e ftesës nga FBK-ja për ceremoninë e shpalljes së laureatëve të fundvitit, duke e cilësuar këtë si një tjetër shenjë mospërfilljeje institucionale.

    Deri më tani, Federata e Basketbollit të Kosovës nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me dorëheqjen dhe pretendimet e ngritura nga Anduena Rifati.