ATV

Author: N.T.

  • Cristiano Ronaldo dhe Georgina bëhen pronarë të vilave superluksoze në një nga resortet më ekskluzive në botë

    Cristiano Ronaldo dhe Georgina bëhen pronarë të vilave superluksoze në një nga resortet më ekskluzive në botë

    Red Sea Global (RSG), kompania zhvilluese e projekteve të turizmit rigjenerues The Red Sea dhe AMAALA, ka konfirmuar se superylli i futbollit Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij Georgina Rodriguez kanë investuar në prona luksoze në Nujuma, një Ritz-Carlton Reserve Residence ekskluzive.

    Banesat e tyre janë pjesë e koleksionit prestigjioz The Red Sea Residences, i cili përfshin shtëpi ultra-luksoze të markuara, të vendosura në një nga destinacionet ishullore më elitare dhe private në botë.

    Nujuma, e pozicionuar rreth 26 kilometra larg bregdetit dhe e aksesueshme vetëm përmes varkave çarter ose hidroavionëve, ofron një nivel privatësie dhe qetësie që shumë pak resorte globale mund ta ofrojnë. Ky destinacion unik përfaqëson kulmin e luksit modern të ndërthurur me natyrën e paprekur.

    Resorti përbëhet nga vetëm 19 vila ultra-private, të ndërtuara mbi rërë të bardhë të pacënuar dhe të rrethuara nga ujëra kristal të pastër. Arkitektura e sofistikuar dhe shërbimi i personalizuar kombinohen për të krijuar një përvojë të rrallë jetese dhe pushimi, në harmoni të plotë me mjedisin natyror.

    Në rang global, ekzistojnë vetëm tetë Ritz-Carlton Reserves, një markë që u jep emrin vetëm pronave më ekskluzive dhe më të jashtëzakonshme në botë. Nujuma është pjesë e projektit ambicioz The Red Sea, i cili synon të vendosë standarde të reja në turizmin rigjenerues.

    RSG ka theksuar se objektivi i tij shkon përtej qëndrueshmërisë tradicionale, me synimin që deri në vitin 2040 të arrihet një përfitim neto prej 30 për qind për ekosistemet lokale, përmes ruajtjes, përmirësimit dhe pasurimit të habitateve natyrore biologjikisht të larmishme.

  • Fenerbahçe triumfon në fundin dramatik ndaj Barcelonës në Euroligë

    Fenerbahçe triumfon në fundin dramatik ndaj Barcelonës në Euroligë

    Fenerbahçe ka shënuar një fitore tejet të rëndësishme dhe dramatike ndaj Barcelonës, duke triumfuar me rezultat minimal 72-71, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Euroligës.

    Takimi nisi më mirë për katalanasit, të cilët morën epërsinë në periodën e parë. Megjithatë, shumë shpejt Fenerbahçe reagoi dhe arriti ta përmbysë rezultatin, falë lojës së mirë kolektive dhe pikëve vendimtare të Horton-Tucker, duke ruajtur një avantazh të vogël.

    Në periodën e dytë, vendasit rritën ndjeshëm ritmin, me Biberovic që shpërtheu në sulm. Ai realizoi pesë kosha radhazi dhe e çoi epërsinë e Fenerbahçes në dhjetë pikë (35-25). Barcelona reagoi menjëherë, duke realizuar një seri 8-0 dhe e mbylli pjesën e parë vetëm dy pikë prapa.

    Perioda e tretë u karakterizua nga ekuilibri i plotë mes dy skuadrave, me barazime të shpeshta në rezultat. Te Barcelona u ndje lodhja nga ndeshjet e fundit, si dhe mungesa e dy lojtarëve të rëndësishëm, Shengelia dhe Clyburn.

    Në çerekun e fundit, Brizuela mori përgjegjësinë për Barcelonën dhe dy herë i dha ekipit të tij epërsi prej pesë pikësh. Megjithatë, Fenerbahçe reagoi sërish në momentet vendimtare, duke shënuar në mënyrë kolektive. Brizuela, me 19 pikë, e mbajti Barcelonën në lojë, por dy trepikësha të rëndësishëm në fund nga Biberovic dhe Hall e kthyen avantazhin në anën e vendasve.

    Barcelona kaloi sërish në epërsi me dy gjuajtje të lira të Veselyt (69-71), por drama nuk kishte përfunduar. Në sekondat e fundit, Cale shkaktoi faull ndaj Baldwin, i cili u tregua i saktë nga vija e gjuajtjeve të lira, duke realizuar të tria tentativat dhe duke e çuar rezultatin në 72-71 për Fenerbahçen.

    Në aksionin e fundit të ndeshjes, Kevin Punter tentoi depërtimin vendimtar për Barcelonën, por u ndal nga mbrojtja, duke bërë që fitorja t’i takojë Fenerbahçes në një mbrëmje plot emocione.

  • Rashford flet hapur për presionin te Barcelona: “Është ajo që dua si lojtar”

    Rashford flet hapur për presionin te Barcelona: “Është ajo që dua si lojtar”

    Marcus Rashford ka reaguar ndaj diskutimeve për presionin që e shoqëron në klubin e tij aktual, duke theksuar se për të, kjo nuk është aspak diçka negative, por një element i domosdoshëm për rritjen dhe motivimin personal.

    Sulmuesi anglez ka deklaruar se ndjenja e përgjegjësisë dhe kërkesat e larta janë pikërisht ato që e shtyjnë të japë maksimumin në fushë. Sipas tij, ai nuk e sheh veten në një ambient ku mungojnë pritshmëritë dhe objektivat e mëdha.

    “Ka presion këtu, por nuk është një lloj presioni negativ. Është presioni që çdo lojtar dëshiron, ai që unë gjithmonë e kam kërkuar. Nuk dua të jem në një vend ku nuk kërkohen gola të rëndësishëm dhe rezultate të mëdha”, është shprehur Rashford.

    Ai shtoi se është shumë më e vështirë të mbetet i motivuar në një klub ku ambiciet nuk janë maksimale, ndërsa theksoi se aktualisht ndodhet në ambientin ideal për të vazhduar rrugëtimin e tij si futbollist.

    “Jam në vendin dhe mjedisin e duhur për të vazhduar zhvillimin tim. Çdo ditë përpiqem të jap më të mirën dhe ta ndihmoj ekipin të fitojë. Për të ardhmen, do të shohim se çfarë do të ndodhë verën e ardhshme”, përfundoi ai.

    Deklarata e Rashford pritet të shuajë spekulimet rreth pakënaqësisë së tij, duke konfirmuar përkushtimin dhe ambicien për të vazhduar të konkurrojë në nivelin më të lartë.

  • Kenan Yildiz në qendër të projektit të ri të Juventusit, rinovimi mbetet çështje kyçe

    Kenan Yildiz në qendër të projektit të ri të Juventusit, rinovimi mbetet çështje kyçe

    Rrugëtimi i Kenan Yildiz te Juventusi duket se po hyn në një fazë të re dhe vendimtare. Sulmuesi turk është shndërruar tashmë në një nga asetet më të çmuara të bardhezinjve, duke u konsideruar jo vetëm e tashmja, por edhe e ardhmja e klubit.

    Situata e numrit 10 është në krye të prioriteteve të drejtorit sportiv Marco Ottolini, i cili po punon për të siguruar vazhdimësinë e talentit të ri në Torino. Edhe pse Yildiz ka tërhequr interesim nga disa klube të mëdha evropiane, te Juventusi janë të vetëdijshëm se mbajtja e tij është jetike për projektin afatgjatë.

    Negociatat për rinovimin e kontratës nuk kanë ngecur për shkak të çështjeve financiare, pasi palët gjithmonë kanë gjetur gjuhë të përbashkët në këtë aspekt. Ajo që kërkon Yildiz është qartësi për të ardhmen sportive të klubit dhe drejtimin që do të marrë projekti bardhezi.

    Pikërisht për këtë arsye, bisedimet janë shtyrë për në pranverë, ku diskutimet do të bazohen në objektiva konkretë dhe garanci sportive. Yildiz dëshiron të jetë një figurë qendrore e Juventusit të ri, një simbol i epokës së ardhshme, duke ndjekur gjurmët e legjendës Alessandro Del Piero, por brenda një ambienti konkurrues që synon fitimin e trofeve në Itali dhe në Evropë.

    Diskutimet e fundit mes palëve janë zhvilluar në periudhën kur Juventusi mori vendimin për të ndarë rrugët me Igor Tudor, ndërsa ardhja e Luciano Spallettit ka sjellë optimizëm të ri, si në renditjen e kampionatit, ashtu edhe në perceptimin e klubit në përgjithësi.

    Edhe pse kontrata e Yildiz është e vlefshme deri në vitin 2029, të dyja palët kanë vendosur të marrin kohën e nevojshme për reflektim. Çështja e rinovimit pritet të rikthehet në tavolinë drejt fundit të sezonit, rreth ditëlindjes së tij.

    Më 4 maj, Kenan Yildiz do të festojë 21-vjetorin, një moment simbolik që pritet të shënojë edhe kalimin e tij nga një talent premtues në një lider të konsoliduar të Juventusit.

  • Elvira Dushku vazhdon mandatin katërvjeçar në krye të administratës së FBK-së

    Elvira Dushku vazhdon mandatin katërvjeçar në krye të administratës së FBK-së

    Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka reaguar pas vendimit të Bordit të FBK-së për t’ia vazhduar mandatin edhe për një periudhë të re katërvjeçare.

    Dushku ka theksuar se angazhimi i saj në këtë pozitë, që nga viti 2017, ka qenë një proces i vazhdueshëm pune dhe përkushtimi, i ndërtuar mbi rezultate konkrete, bashkëpunim të ndërsjellë dhe zhvillim institucional. Ajo e ka cilësuar besimin e ripërtërirë si një përgjegjësi shtesë për të vazhduar me fokus të qartë dhe vizion afatgjatë.

    “Lidershipi në sport kërkon vizion, profesionalizëm dhe vendimmarrje të përgjegjshme. Kjo pozitë ka qenë dhe mbetet një hapësirë për të kontribuar me integritet, për të forcuar qeverisjen sportive dhe për të ndërtuar struktura funksionale dhe të qëndrueshme”, është shprehur Dushku.

    Ajo ka shtuar se synimi i saj është që vajzat dhe të rinjtë ta shohin udhëheqjen në sport si një proces të natyrshëm profesional, të bazuar në ambicie, përgjegjësi dhe përkushtim, duke inkurajuar brezat e rinj të besojnë në meritokraci dhe punë të ndershme.

    Në fund, Dushku ka theksuar se sukseset e arritura janë rezultat i një pune ekipore, duke riafirmuar përkushtimin e saj për ndërtimin e një sporti modern, transparent dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.

  • NBA, Grizzlies mposhtin Jazz, Thunder e Lakers ndalen me humbje

    NBA, Grizzlies mposhtin Jazz, Thunder e Lakers ndalen me humbje

    Mengjesin e sotëm në NBA, kishte spektakël të vërtetë, me plot 14 ndeshje të zhvilluara dhe disa rezultate që bënë bujë në parketet amerikane.

    Një nga fitoret më të rëndësishme të natës u regjistrua nga Memphis Grizzlies, të cilët triumfuan në transfertë ndaj Utah Jazz me rezultat 137:128, duke ndalur formën pozitive të vendasve dhe konfirmuar ambiciet e tyre për këtë sezon.

    Santi Adlama udhëhoqi skuadren e tijë drejt fitores me 37 pikë e shtatë kërcime, derisa te skuadra humbëse u dalluan Kyle Filipowski me 25 pikë e 13 kërcime dhe Keyonte George me 24 sosh.

    Grizzlies renditen në vendin e nëntë në Konferencën e Perëndimit derisa Jazz në vendin e 12.

     

    Lideri I Konferencës së Perëndimit, Oklahoma City Thunder, ka pësuar humbje nga San Antonio Spurs me shifrat 130-110.

    Më efikaset në këtë fitore ishin Keldon Johnson me 25 pikë, Stephon Castle me 24 dhe Harrison barnes me 20 sosh.

    Nga ana tjetër Shai Gilgeuse-Alexander shënoj 33 pikë e tetë assitime por nuk mjaftuan për fitore.

    Kujtojumë që Spurs renditen në vendin e dytë në Perqndim dhe kjo fitore ishte e shtata radhazi për ta.

     

    Phoenix Suns treguan forcën e tyre duke dominuar LA Lakers me rezultat të thellë 132:108.

    Dillon Brooks me 25 pikë dhe Devin Booker me 21 pikë e 11 assitime ishin të më meritorët e kësaj fitoreje.

    Ndërkaq te Lakers nuk mjaftuan 23 pikët e gjashtë asistime e Lebron James.

    Suns renditen në vendin e shtatë në Perëndim derisa Lakers në poziten e katërt.

  • Drita – Prishtina, duel i madh për kreun: mbyllet sezoni vjeshtor në Gjilan

    Drita – Prishtina, duel i madh për kreun: mbyllet sezoni vjeshtor në Gjilan

    Elita e futbollit të Kosovës është në ankth të kryendeshjes së mbetur të javës së 13-të, ku përballë njëra-tjetrës do të dalin dy nga skuadrat më të mëdha të vendit – kampioni në fuqi Drita dhe fituesi i Kupës së Kosovës, Prishtina.

    Përballja do të zhvillohet nesër (e mërkurë) me fillim nga ora 13:00, në stadiumin ndihmës në Gjilan, dhe pritet të ofrojë spektakël, emocione dhe shumë rëndësi në garën për kreun e tabelës.

    Drita hyn në këtë duel me synimin e qartë për të marrë tri pikë, të cilat do ta afronin ndjeshëm me vendet e para, ndërsa Prishtina kërkon fitore për t’u barazuar me liderin aktual të kampionatit, Ballkanin e Therandës.

    Aktualisht, tabela e renditjes kryesohet nga Ballkani me 33 pikë, pasuar nga Prishtina me 30, Dukagjini me 29, Malisheva me 27, ndërsa Drita dhe Gjilani ndajnë nga 26 pikë secila.

    Nga klubi kryeqytetas kanë konfirmuar zyrtarisht zhvillimin e kësaj ndeshjeje, duke theksuar se ajo do të shënojë edhe përfundimin e sezonit vjeshtor.

    “Ndeshjen e mbetur të javës së 13-të ndaj FC Dritës do ta zhvillojmë të mërkurën, më 24 dhjetor, me fillim nga ora 13:00, në stadiumin ndihmës në Gjilan. Me këtë ndeshje mbyllim sezonin vjeshtor”, thuhet në njoftimin e FC Prishtinës.

    Dueli në Gjilan pritet të jetë vendimtar për renditjen në krye dhe një mbyllje dinjitoze e pjesës së parë të sezonit në Superligën e Kosovës.

  • Zyrtare: Lyon huazon Endrick nga Real Madrid, talenti brazilian nis aventurë të re në Ligue 1

    Zyrtare: Lyon huazon Endrick nga Real Madrid, talenti brazilian nis aventurë të re në Ligue 1

    Olympique Lyon ka kompletuar zyrtarisht huazimin e sulmuesit të talentuar brazilian Endrick nga Real Madrid. 19-vjeçari do të luajë për klubin francez deri në fund të sezonit, në një marrëveshje që nuk përfshin opsion blerjeje.

    Sipas kushteve të marrëveshjes, Lyon do të mbulojë një pjesë të pagës së lojtarit, ndërsa Real Madrid do të përfitojë kompensim financiar shtesë në rast se Endrick nuk arrin të zhvillojë të paktën 25 paraqitje gjatë huazimit. Shuma e këtij kompensimi do të varet edhe nga numri i ndeshjeve që Lyon do të luajë në garat e kupës dhe në Ligën e Evropës.

    Endrick do të mbajë fanellën me numrin 9 te Lyon, por nuk do të jetë menjëherë në dispozicion të trajnerit. Rregulloret në Francë parashikojnë që një lojtar të presë katër ditë nga regjistrimi zyrtar i marrëveshjes përpara se të debutojë, çka do të thotë se ai do të mungojë në përballjen ndaj Monacos më 3 janar, pasi kontrata nuk mund të regjistrohet para 1 janarit.

    Talenti brazilian ka vendosur të pranojë ofertën e Lyon pas mungesës së minutave të rregullta te Real Madrid, duke besuar se kjo lëvizje do t’i ndihmojë jo vetëm zhvillimin personal, por edhe rritjen e shanseve për t’u përfshirë në përfaqësuesen e Brazilit për Kupën e Botës së vitit të ardhshëm.

    Real Madrid e kishte shtyrë vendimin për të ardhmen e Endrick gjatë këtij sezoni, por me kalimin e kohës u bë e qartë se ai nuk ishte pjesë e planeve të trajnerit Xabi Alonso. Gjatë këtij edicioni, Endrick ka regjistruar vetëm tri paraqitje: një si zëvendësues në La Liga, një në Ligën e Kampionëve dhe një si titullar në fitoren ndaj CF Talavera në rundin e 32-të të Kupës së Mbretit.

    Në sezonin 2024/2025, nën drejtimin e Carlo Ancelottit, tashmë përzgjedhës i Brazilit, Endrick pati më shumë hapësira, duke zhvilluar 22 ndeshje në La Liga, megjithëse vetëm tri prej tyre si titullar.

    Endrick iu bashkua Real Madridit nga Palmeiras në dhjetor të vitit 2022, por nënshkroi zyrtarisht kontratën në korrik 2024, sapo mbushi moshën e lejuar. Deri tani, ai ka zhvilluar 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet për “Los Blancos”, duke shënuar shtatë gola dhe një asistim.

  • Messi, ‘Maravilla’ Martínez dhe De Arrascaeta në garë për titullin “Mbret i Amerikës”

    Messi, ‘Maravilla’ Martínez dhe De Arrascaeta në garë për titullin “Mbret i Amerikës”

    Lionel Messi, Adrián “Maravilla” Martínez dhe Giorgian De Arrascaeta janë tre futbollistët që kanë marrë më së shumti vota në sondazhin tradicional “América le Responde a El País”, duke u shndërruar në kandidatët kryesorë për çmimin prestigjioz “Mbret i Amerikës”.

    Fituesi i këtij çmimi do të shpallet më 31 dhjetor nga gazeta uruguajane “El País”, e cila njëkohësisht do të bëjë publik edhe emrat e lojtares dhe trajnerit më të mirë të vitit në Amerikën Latine.

    Lionel Messi, kampion i MLS-së me Inter Miami, synon të fitojë për herë të parë këtë vlerësim individual, që deri tani i ka munguar në karrierën e tij të pasur. Në edicionin e kaluar, ylli argjentinas u rendit i pesti me 14 vota, pas Luiz Henrique, Jefferson Savarino, Juan Fernando Quintero dhe Thiago Almada. Përveç suksesit me klubin, Messi ka siguruar edhe kualifikimin në Kupën e Botës 2026 me kombëtaren e Argjentinës.

    Në garë është edhe Adrián “Maravilla” Martínez, i cili vjen pas një sezoni të shkëlqyer me Racing Club. Sulmuesi argjentinas fitoi “Recopa Sudamericana”, arriti në gjysmëfinale të “Copa Libertadores” dhe në finale të “Torneo Clausura”, ndërsa spikati edhe me gola vendimtarë, duke qenë një nga realizuesit më të mirë të “Libertadores”.

    Ndërkohë, uruguajani Giorgian De Arrascaeta përmbylli një vit të jashtëzakonshëm me Flamengon, ku fitoi “Copa Libertadores” dhe Kampionatin Brazilian. Mesfushori kreativ u shpall lojtari më i mirë i turneut dhe ishte njëkohësisht golashënuesi dhe asistuesi kryesor i ekipit. Ai gjithashtu siguroi kualifikimin për Botërorin 2026 me Uruguain.

    Çmimi “Mbret i Amerikës” jepet nga “El País” që nga viti 1986 dhe konsiderohet një nga vlerësimet më prestigjioze në futbollin e Amerikës Latine. Futbollisti që e ka fituar më së shumti këtë çmim është Carlos Tévez me tri herë, ndërsa legjenda të tjera si Valderrama, Verón, Neymar, Romário, Riquelme dhe Ronaldinho e kanë fituar një ose dy herë.

    Po më 31 dhjetor do të shpallet edhe trajneri më i mirë i vitit, ku kandidatët kryesorë janë Filipe Luís, Gustavo Alfaro dhe Gustavo Costas.

  • Golden Eagle Ylli ndahet me Larry Thomas, klubi falënderon basketbollistin për kontributin

    Golden Eagle Ylli ndahet me Larry Thomas, klubi falënderon basketbollistin për kontributin

    Basketbollisti Larry Thomas nuk do të jetë më pjesë e Golden Eagle Yllit, pasi palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme.

    Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar të klubit nga Theranda, i cili ka shprehur mirënjohje për kontributin e lojtarit gjatë periudhës së qëndrimit të tij në skuadër.

    “Me marrëveshje të dyanshme kemi vendosur të shkëpusim bashkëpunimin me lojtarin Larry Thomas. E falënderojmë për kontributin dhe i urojmë shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij”, thuhet në komunikatën e klubit.

    Ndarja vjen në një periudhë jo të lehtë për Golden Eagle Yllin, i cili po kalon një edicion të vështirë në elitën e basketbollit të Kosovës. Pas 13 ndeshjeve të zhvilluara, skuadra renditet në vendin e shtatë në tabelë me 17 pikë dhe po kërkon stabilitet për pjesën e mbetur të sezonit.

    Klubi pritet të analizojë situatën dhe të ndërmarrë hapa të rinj për të përmirësuar rezultatet në vazhdim të kampionatit.