ATV

Author: N.T.

  • Sigal Prishtina përballë sfidave, Maloku: Klubi nuk do të shuhet, do të ringrihet më i fortë

    Sigal Prishtina përballë sfidave, Maloku: Klubi nuk do të shuhet, do të ringrihet më i fortë

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtina, Luan Maloku, reagoi publikisht për situatën aktuale në klub, duke folur hapur për sfidat financiare dhe procesin në Gjykatwn e Arbitrazhit të Basketbollit, por edhe për të dhënë një mesazh shprese për tifozët dhe komunitetin sportiv.

    Para një numri të madh gazetarësh, Maloku nisi fjalimin me një deklaratë që tërhoqi menjëherë vëmendjen:

    “Po e shoh këtë zyrë sot më të mbushur se kurrë me media. Ndoshta keni ardhur për të dëgjuar lajmin e keq, që klubi po shuhet. Por unë jam këtu për t’ju dhënë lajmin e mirë.”

    Ai pranoi se Sigal Prishtina po përballet me një periudhë të vështirë, përfshirë sfidat financiare dhe çështjet në gjykatë, por theksoi se brenda klubit ekziston një unitet dhe vendosmëri e jashtëzakonshme.

    “Edhe pse kemi shumë probleme, duke përfshirë faktin që jemi në BAT, ju garantoj se ky klub është më i bashkuar se kurrë. Brenda nesh ka më shumë vendosmëri, më shumë besim dhe më shumë vullnet për të ecur përpara,” deklaroi Maloku.

    Drejtori i përgjithshëm i klubi të trofeshëm kosovar theksoi se as sfidat ligjore, as ato financiare nuk do ta ndalojnë klubin nga rruga e suksesit:

    “Sigal Prishtina nuk do të shuhet. Përkundrazi, do të ringrihet edhe më e fortë. Ne do të ecim përpara drejt sukseseve, ashtu siç e kërkon historia dhe pesha e këtij emri.”

    Deklarata e Malokut vjen në një moment delikat për klubin, por mesazhi ishte i qartë: sfidat aktuale janë të përkohshme dhe Sigal Prishtina synon të kthehet fuqishëm në arenën e basketbollit vendor, duke mbajtur gjallë emrin dhe traditën e tij të pasur me trofe.

    Klubi mbetet i përkushtuar për të ruajtur unitetin e skuadrës, për të përballuar vështirësitë dhe për të ofruar performanca të larta në garat e ardhshme, duke dërguar një mesazh optimizmi për tifozët bardhekaltër.

  • Komëbtarja e Kosovës në konkurrencen e fermave, nis kualifikimet për Botërorin 2027

    Komëbtarja e Kosovës në konkurrencen e fermave, nis kualifikimet për Botërorin 2027

    Sami Sermaxhaj, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës për vajza, ka bërë publike listën e futbollisteve të ftuara për dy ndeshjet e para të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror 2027.

    Dardanet do të nisin aventurën e re në Ligën C, Grupin C2, ku përballë do të kenë Kroacinë, Gjibraltarit dhe Bullgarinë. Këto dy ndeshje janë vendimtare për të nisur sezonin me ritëm pozitiv dhe për të konsoliduar formacionin para fazave të mëtejshme të kualifikimeve.

    Ndeshja e parë do të zhvillohet më 3 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Kosova do të presë Gjibraltarin. Për Dardanet, kjo sfidë përbën një mundësi për të marrë një start të fortë dhe për të dhuruar spektakël për tifozët vendas.

    Vetëm katër ditë më vonë, më 7 mars, Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë drejt Kroacisë për të përballuar skuadrën e këtij vendi në stadiumin “Branko Čavlović-Cavlek” në Karlovac. Kjo ndeshje pritet të jetë më e vështirë, por një mundësi e shkëlqyer për vajzat kosovare të tregojnë karakter dhe potencial në arenën ndërkombëtare.

    Ky cikël kualifikues shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Kombëtares së Kosovës për vajza drejt Botërorit të 2027-s, duke i dhënë mundësi stafit teknik të testojë formacionin dhe të forcojë skuadrën për sfidat e ardhshme.

  • Florent Hadergjonaj shkëlqen në Superligën Turke me gol dhe futet në formacionin e javës së 23-të

    Florent Hadergjonaj shkëlqen në Superligën Turke me gol dhe futet në formacionin e javës së 23-të

    Florent Hadergjonaj po vazhdon të lërë gjurmë në elitën e futbollit turk, duke treguar se forma e tij e lartë nuk është e rastësishme.

    Mbrojtësi kosovar ka shfaqur edhe një herë klas dhe ndikim të madh në Superligën e Turqisë, duke shënuar një gol në ndeshjen ku skuadra e tij, Alanyaspor, u mund 1-2 nga Başakşehir.

    Pavarësisht humbjes, paraqitja e Hadergjonajt u vlerësua nga ekspertët si e jashtëzakonshme dhe tregoi rëndësinë e tij në formacion.

    Ky është një moment i shkëlqyer në karrierën e 31-vjeçarit, i cili po kalon një periudhë fantastike në të dyja frontet, kampionat dhe Kupë e Turqisë.

    Nga fillimi i sezonit, Hadergjonaj ka shënuar gjithsej shtatë gola dhe ka dhuruar pesë asistime, një statistikë e jashtëzakonshme për një mbrojtës, që dëshmon për aftësitë e tij sulmuese dhe ndikimin që ka në lojën e skuadrës.

    Formën e tij të lartë e ka vlerësuar edhe platforma e njohur për statistikat e futbollit, SofaScore, e cila e ka futur Hadergjonajn në formacionin e javës së 23-të në Superligën e Turqisë.

    Mbrojtësi i reprezentacionit të Kosovës u vlerësua me notën 8,3, duke treguar se edhe në humbje, performanca e tij individuale mbetet e jashtëzakonshme dhe një pikë referimi për skuadrën.

    Ky sezon duket se po shënon një kulm të ri në karrierën e Hadergjonajt, i cili me kombinimin e eksperiencës, forcës fizike dhe teknikës po tregon se mund të jetë një nga mbrojtësit më të rrezikshëm dhe të vlefshëm në Superligën turke.

    Për tifozët e Alanyaspor dhe admiruesit e futbollit kosovar, ai mbetet një nga figurat më të spikatura dhe një shembull i shkëlqyer i përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Në vazhdim, mbetet për t’u parë se si Hadergjonaj do të ndikojë në ndeshjet vendimtare të kampionatit dhe Kupës, duke mbajtur ritmin e tij të lartë dhe duke u konfirmuar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe një nga liderët e të rinjve që ndjekin karrierën e tij me admirim.

  • Nis Kupa e Kosovës në volejboll, raundi i parë hap garën për trofe në edicionin 2025/26

    Nis Kupa e Kosovës në volejboll, raundi i parë hap garën për trofe në edicionin 2025/26

    Kupa e Kosovës në volejboll rikthehet në skenë me nisjen e raundit të parë për edicionin 2025/26, duke hapur një kapitull të ri garash në sezonin aktual. Për skuadrat e elitës, ky kompeticion përfaqëson një tjetër mundësi për trofe, në një format ku çdo ndeshje është eliminatore dhe gabimet paguhen shtrenjtë.

    Takimet e para do të zhvillohen më 24 dhe 25 shkurt, në të dyja konkurrencat – meshkuj dhe femra, me përballje që pritet të sjellin rivalitet të fortë dhe emocione në palestra.

    Në konkurrencën e meshkujve, Ulpiana do të përballet me Skënderbeun në “Palestrën e Re” në Lipjan. Të dyja skuadrat synojnë ta nisin me fitore rrugëtimin në Kupë, duke parë këtë kompeticion si mundësi reale për sukses këtë sezon.

    Ndërkohë, te femrat do të zhvillohen dy takime interesante. Prishtina Elite pret Skenderajn në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në një duel ku vendaset synojnë të shfrytëzojnë përparësinë e terrenit. Në anën tjetër, Feniksi dhe Vëllaznimi do të përballen në Kamenicë, në një sfidë që pritet të jetë e balancuar dhe me intensitet të lartë.

    Me formatin eliminator që nuk lejon hapësirë për gabime, raundi i parë i Kupës së Kosovës pritet të ofrojë ndeshje të forta dhe surpriza, duke e bërë këtë fazë një nga më të ndjekurat nga tifozët e volejbollit vendor.

  • Ruben Silva Richards shpallet “Ylli i Javës” pas dy golave vendimtare ndaj FC Ballkani

    Ruben Silva Richards shpallet “Ylli i Javës” pas dy golave vendimtare ndaj FC Ballkani

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar traditën e ndarjes së çmimit “Ylli i Javës”, vlerësim që i takon futbollistit më të spikatur të xhiros në elitën e futbollit kosovar.

    Për javën e 21-të të këtij sezoni, ky çmim i është akorduar sulmuesit të FC Ferizaj, Ruben Silva Richards, i cili ishte protagonist absolut në fitoren 2:1 ndaj FC Ballkani. Richards realizoi dy gola vendimtarë, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të arta përballë kampionëve.

    Vlerësimi u bë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, ndërsa pas pranimit të çmimit, Richards u shpreh i lumtur dhe falënderues për ekipin.

    Sulmuesi vlerësoi gjithashtu nivelin e Superligës së Kosovës, duke e cilësuar si një kampionat me cilësi dhe organizim të mirë. Ai theksoi se është pritur ngrohtësisht nga bashkëlojtarët dhe ambienti në klub, ndërsa çmimin ia dedikoi kapitenit të ndeshjes, Mexhit Neziri, për kontributin dhe lidershipin e treguar në fushë.

    Me paraqitjen e tij vendimtare, Richards jo vetëm që i dha fitoren Ferizajt, por konfirmoi edhe formën e lartë personale në këtë fazë të kampionatit.

  • Ndeshja të zjarrta në Champions League, katër bileta për 1/8 e finales vendosen sonte

    Ndeshja të zjarrta në Champions League, katër bileta për 1/8 e finales vendosen sonte

    Mbrëmja e sotme sjell verdiktet e para të mëdha në fazën play-off të UEFA Champions League. Katër ndeshje kthyese do të vendosin skuadrat që do të prenë biletën për në 1/8 e finales, në një natë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën mes festës dhe zhgënjimit.

    Në “San Siro”, Inter Milan përballet me surprizën norvegjeze FK Bodø/Glimt. Pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë, zikaltërit janë të detyruar të reagojnë dhe të tregojnë peshën e përvojës evropiane për të përmbysur rezultatin. Nga ana tjetër, Bodø/Glimt synon të vazhdojë rrugëtimin historik dhe të shkruajë një tjetër kapitull të artë në këtë edicion.

    Në Madrid, Atlético Madrid pret Club Brugge pas barazimit spektakolar 3-3 në takimin e parë. Spanjollët do të mbështeten në eksperiencën e ndeshjeve me eliminim direkt dhe atmosferën e zjarrtë në shtëpi, ndërsa belgët kërkojnë të shfrytëzojnë organizimin dhe shpejtësinë në kundërsulm për të befasuar sërish.

    Në Gjermani, Bayer Leverkusen hyn me avantazhin e fitores 2-0 ndaj Olympiacos. Gjermanët konsiderohen favoritë për ta mbyllur çështjen e kualifikimit, por skuadra greke njihet për karakterin luftarak dhe për faktin se nuk dorëzohet lehtë, duke e mbajtur përballjen të hapur deri në fund.

    Ndërkohë në Angli, Neëcastle United pret Qarabağ FK me një epërsi komode 6-1 nga ndeshja e parë. Për “Magpies” sfida duket më shumë si formalitet, por Qarabag ka dëshmuar se di të luftojë deri në sekondat e fundit dhe do të kërkojë të largohet me dinjitet nga kompeticioni.

    Katër stadiume, katër histori të ndryshme dhe vetëm një synim i përbashkët: një vend mes 16 më të mirëve të Evropës. Emocionet janë të garantuara, ndërsa mbrëmja do të japë përgjigjet përfundimtare.

  • Mallorca shkarkon Jagoba Arrasate, ndërsa Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë me rekorde në La Liga

    Mallorca shkarkon Jagoba Arrasate, ndërsa Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë me rekorde në La Liga

    RCD Mallorca ka zyrtarizuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Jagoba Arrasate, pas një periudhe me rezultate të luhatshme në këtë sezon të La Liga.

    Vendimi i klubit vjen në një moment delikat të kampionatit, me synimin për të hapur një kapitull të ri dhe për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll. Drejtuesit e Mallorcas theksuan se ndryshimi në pankinë shihet si një hap i nevojshëm për të rikthyer stabilitetin dhe për të rritur konkurrueshmërinë në javët vendimtare të sezonit.

    Në komunikatën zyrtare, klubi falënderoi Arrasaten dhe stafin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë periudhës në krye të skuadrës, duke u uruar suksese në sfidat e ardhshme.

    Pavarësisht luhatjeve kolektive, një nga pikat më të ndritura të këtij edicioni ka qenë forma e shkëlqyer e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi. Nën drejtimin e Arrasates, ai ka realizuar 16 gola këtë sezon dhe ka arritur shifrën e 50 golave në La Liga me fanellën e Mallorcas.

    Muriqi tashmë renditet si golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit në kampionat, duke lënë pas shumë emra të njohur. Rekordi vazhdon të mbahet nga Samuel Eto’o me 54 gola të shënuar për Mallorcan në La Liga.

  • Real Madrid dhe Barcelona vihen pas Rodri, verë vendimtare për Manchester City

    Real Madrid dhe Barcelona vihen pas Rodri, verë vendimtare për Manchester City

    Afati kalimtar i verës pritet të sjellë tension dhe lëvizje të mëdha në “Etihad Stadium”, teksa Manchester City përballet me sfidën për ta mbajtur në radhët e veta një nga shtyllat kryesore të skuadrës, Rodri.

    Sipas raportimeve të mediumit gjerman Bild, mesfushori spanjoll ka hyrë seriozisht në radarët e dy gjigantëve të La Liga, Real Madrid dhe Barcelona. Të dy klubet thuhet se po përgatisin oferta të konsiderueshme financiare për ta bindur 29-vjeçarin që të rikthehet në Spanjë.

    Rodri ka qenë figurë kyçe në sukseset e Cityt në vitet e fundit, duke kontrolluar ritmin e lojës në mesfushë dhe duke dhënë kontribut vendimtar në trofetë e fituar në arenën vendore dhe evropiane. Kontrata e tij me kampionët e Anglisë është e vlefshme deri më 30 qershor 2027, çka i jep klubit anglez një avantazh të rëndësishëm në çdo negociatë të mundshme.

    Megjithatë, interesimi në rritje nga Spanja pritet të rrisë presionin mbi drejtuesit e Cityt, të cilët mund të detyrohen t’i ofrojnë kushte të reja dhe përmirësime kontraktuale për ta bindur mesfushorin të vazhdojë projektin në Manchester.

    Me verën që afrohet dhe spekulimet që shtohen, e ardhmja e Rodrit mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos evropiane.

  • Kosova publikon listën për duelin me Slovakia në parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029

    Kosova publikon listën për duelin me Slovakia në parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029

    Federata e Basketbollit të Kosovës ka publikuar listën e zgjeruar të lojtarëve të ftuar për ndeshjen e dytë parakualifikuese drejt FIBA EuroBasket 2029, nën drejtimin e përzgjedhësit Bujar Loci.

    Në këtë grumbullim janë përfshirë: Valon Bunjaku, Divine Myles, Musab Mala, Jon Ismajli, Mikaile Tmusic, Erjon Kastrati, Arian Qallaku, Muhamedali Janjeva, Samir Zekiqi, Bardh Istrefi, Gëzim Morina, Dardan Kapiti dhe Lis Shoshi – një kombinim i përvojës dhe energjisë së re që synon të vazhdojë paraqitjet pozitive të përfaqësueses.

    Ndërkohë, pjesë e ftesave nga shtabi teknik kanë qenë edhe Dardan Berisha, Drilon Hajrizi dhe Meriton Ismaili, por ata nuk do të jenë në dispozicion për këtë përballje. Pas vlerësimit nga stafi mjekësor, është vendosur që lojtarët të vazhdojnë procesin e rikuperimit, pasi nuk janë ende në gjendje optimale për paraqitje.

    Kosova do të përballet me Slovakia më 27 shkurt 2026, nga ora 19:00, në palestrën sportive “Sezai Surroi” në Prizren, në kuadër të parakualifikimeve për EuroBasket 2029, në një ndeshje me rëndësi të madhe për rrugëtimin evropian të Dardanëve.

  • UEFA pezullon përkohësisht Gianluca Prestianni pas akuzave për abuzim racist ndaj Vinícius Júnior

    UEFA pezullon përkohësisht Gianluca Prestianni pas akuzave për abuzim racist ndaj Vinícius Júnior

    UEFA ka konfirmuar pezullimin e përkohshëm të Gianluca Prestianni, në kuadër të një hetimi disiplinor që lidhet me pretendimet për abuzim racist ndaj Vinícius Júnior.

    Incidenti dyshohet të ketë ndodhur gjatë ndeshjes së parë mes Benfica dhe Real Madrid, e zhvilluar në Lisbonë, ku mbrojtësi i skuadrës portugeze akuzohet për komente me përmbajtje raciste në drejtim të sulmuesit brazilian.

    Sipas raportimeve, Vinícius Júnior e ka denoncuar menjëherë rastin te arbitri i takimit, duke bërë që të aktivizohet protokolli zyrtar i UEFA-s kundër racizmit. Si pasojë, ndeshja u ndërpre për rreth dhjetë minuta, ndërsa zyrtarët zbatuan procedurat e parashikuara nga rregullorja për situata të tilla, përpara se loja të rifillonte.

    Si rrjedhojë e pezullimit të përkohshëm, Prestianni nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e kthimit që zhvillohet të mërkurën në mbrëmje.

    UEFA ka bërë të ditur se hetimet janë ende në proces dhe se vendimi përfundimtar disiplinor do të merret pas një shqyrtimi të plotë të të gjitha provave dhe raporteve zyrtare.