ATV

Author: N.T.

  • Mbrëmje vendimtare në Champions League, katër bileta për 1/8 e finales

    Mbrëmje vendimtare në Champions League, katër bileta për 1/8 e finales

    Ndeshjet kthyese të fazës play-off të UEFA Champions League zhvillohen sonte, me përballje të forta në Itali, Spanjë dhe Francë, aty ku do të vendosen skuadrat e fundit që sigurojnë kalimin në 1/8-tën e finales. Diferencat janë të ngushta dhe çdo detaj pritet të jetë vendimtar.

    Në Bergamo, Atalanta BC kërkon një përmbysje të vështirë ndaj Borussia Dortmund, pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë. Italianët do të tentojnë të shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe intensitetin e lojës së tyre, ndërsa gjermanët mbështeten te eksperienca evropiane dhe kundërsulmet e shpejta.

    Në Torino, Juventus përballet me një mision pothuajse të pamundur kundër Galatasaray, pas disfatës së thellë 5-2 në takimin e parë. “Zonja e Vjetër” ka nevojë për një mbrëmje perfekte për të rikthyer shpresat, ndërsa turqit synojnë të administrojnë avantazhin dhe të godasin në momentet kyçe.

    Në Paris zhvillohet një derbi francez me aromë Evrope, ku Paris Saint-Germain pret AS Monaco. PSG ka fituar 3-2 në transfertë dhe kërkon të menaxhojë me qetësi avantazhin, por Monaco mbetet një kundërshtar i rrezikshëm që mund të befasojë në çdo moment.

    Ndërkohë në “Santiago Bernabéu”, Real Madrid pret SL Benfica pas fitores minimale 1-0 në Lisbonë. Madrilenët janë favoritë, por diferenca prej vetëm një goli e mban plotësisht të hapur këtë përballje klasike të kompeticionit.

    Një mbrëmje e madhe evropiane është në horizont, me katër duele që premtojnë emocione, tension dhe dramë deri në minutën e fundit. Vetëm katër skuadra do të vazhdojnë rrugëtimin mes 16 më të mirëve të kontinentit.

  • Hansi Flick feston 61-vjetorin, një karrierë e mbushur me trofe dhe suksese në futboll

    Hansi Flick feston 61-vjetorin, një karrierë e mbushur me trofe dhe suksese në futboll

    Trajneri i Barcelona, Hansi Flick, feston sot 61-vjetorin e lindjes, duke u përkujtuar si një nga trajnerët më të suksesshëm dhe më të respektuar në futbollin botëror.

    Gjatë karrierës së tij, Flick ka fituar një sërë trofesh prestigjiozë, përfshirë: 1 herë Kampion i Botës, 1 herë Champions League, UEFA Super Cup 1 herë, 2 Bundesliga, 1 La Liga, 1 FIFA Club World Cup, 2 Spanish Super Cup dhe German Super Cup 1 herë.

    Flick njihet për qasjen e tij të disiplinuar, taktikat e mençura dhe aftësinë për të motivuar skuadrat, që nga Bayern Munich te kombëtarja gjermane dhe tani te Barcelona.

    Në ditëlindjen e tij të 61-të, fansat dhe komuniteti i futbollit e uruan për karrierën e jashtëzakonshme dhe ndikimin e tij në sport.

    Ky është momenti për të reflektuar mbi një udhëtim të gjatë suksesh në futboll, që e ka vendosur Hansi Flick ndër trajnerët më të mirë në botë sot.

  • Mbappé me shqetësim gjuri para ndeshjes vendimtare me Benfica, Real Madrid me avantazh minimal 1‑0

    Mbappé me shqetësim gjuri para ndeshjes vendimtare me Benfica, Real Madrid me avantazh minimal 1‑0

    Kylian Mbappé ka pasur një problem fizik gjatë stërvitjes të martën, duke u detyruar të ndërpresë seancën për shkak të shqetësimeve me gjurin e majtë, raporton L’Équipe. Ai mbetet jo në 100% gati për ndeshjen e Champions League kundër S.L. Benfica që zhvillohet nesër në mbrëmje, megjithatë stafi teknik shpreson ta ketë të gatshëm për këtë sfidë kyçe.

    Ky është një shqetësim i rëndësishëm për skuadrën e Real Madrid, pasi ndeshja e kthimit zhvillohet në “Santiago Bernabéu” me avantazhin minimal prej 1‑0, pas fitores në ndeshjen e parë në Lisbonë me golin e Vinícius Júnior.

    Trajneri i Realit, Álvaro Arbeloa, ka komentuar optimist për gjendjen e liderit ofensiv, duke theksuar se Mbappé është duke bërë përpjekje maksimale për të qenë në dispozicion dhe që ka mentalitetin e duhur për të vendosur ndeshjen, edhe pse nuk është plotësisht i rikuperuar.

    Ky duel padyshim është një nga momentet kryesore të sezonit për “Los Blancos”, pasi një gol i vetëm mban eliminatorët shumë të hapur për fazat e ardhshme të Champions League. Për tifozët dhe ekipin, rikthimi i Mbappé do të jetë një lajm i mirë, por forma e tij fizike do të jetë një faktor kyç për suksesin e Real Madridit në këtë përballje dramatike.

  • Driton Kuka reagon pas zbulimit të pagës së Jordan Davis te Sigal Prishtina, 25 mijë euro në muaj ndezin debat

    Driton Kuka reagon pas zbulimit të pagës së Jordan Davis te Sigal Prishtina, 25 mijë euro në muaj ndezin debat

    Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, drejtuesit e Sigal Prishtina folën hapur për sfidat financiare dhe problemet me të cilat po përballet klubi këtë periudhë.

    Drejtori i klubit, Luan Maloku, konfirmoi se gjatë sezonit të kaluar, basketbollisti amerikan Jordan Davis përfitonte një pagë mujore prej 25 mijë eurosh. Kjo shifër ka tronditur opinionin sportiv në Kosovë dhe ka nxitur reagime nga figura të njohura publike.

    “700 mijë euro u zhdukën për 30 ditë”,  kjo deklaratë e klubit ka ndezur debatet, ndërsa Maloku theksoi se megjithë vështirësitë financiare, Sigal Prishtina nuk rrezikon të shuhen dhe do të vazhdojë aktivitetin e tij.

    Reagimi më i zëshëm erdhi nga trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, i cili shprehu habinë e tij për nivelin e pagave:

    “A është kjo e vërtetë, miq? Nëse po, këto janë para të taksapaguesve tanë. Diku po kërkoni qime në vezë, ndërsa kjo qenka e lejuar,” shkroi Kuka në një status në Facebook.

    Sipas të dhënave nga Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Sigal Prishtina kishte realizuar gjatë vitit të kaluar të hyra rreth 1.2 milionë euro nga sponsorizimet, shumica e të cilave lidhen me fonde publike.

    Ky zhvillim ka hapur një debat të gjerë mbi transparencën dhe menaxhimin financiar të klubeve sportive në Kosovë, duke vënë në pah tensionet mes shpenzimeve të larta për lojtarët e huaj dhe pritshmërive të publikut dhe tifozëve.

  • Prestianni stërvitet në Bernabeu pavarësisht suspendimit për shkak të akuzave për fyerje raciste ndaj Vinícius Jr.

    Prestianni stërvitet në Bernabeu pavarësisht suspendimit për shkak të akuzave për fyerje raciste ndaj Vinícius Jr.

    Gianluca Prestianni, sulmuesi i S.L. Benfica, po stërvitet te fusha e Real Madrid “Santiago Bernabéu” pavarësisht se është suspenduar nga UEFA për ndeshjen e kthimit të Champions League, ndeshje që zhvillohet të mërkurën.

    Kjo vjen pas një vendimi provizor të organit disiplinor të UEFA-s, ndërsa hetimi mbi incidentin e fundit mbetet në zhvillim dhe është në pritje të një vendimi përfundimtar.

    Prestianni u ndëshkua me një suspension një ndeshjeje pasi u akuzua se kishte bërë komente me përmbajtje raciste ndaj brazilianit Vinicius Junior gjatë ndeshjes së parë të play‑off‑it të Champions League mes Benfica dhe Real Madrid. Incidenti ndodhi pas një goli të Vinicius, me protokollin anti‑racizëm të aktivizuar dhe ndeshjen e ndaluar për disa minuta ndërsa UEFA filloi hetimet.

    Pavarësisht se nuk do të luajë ndeshjen përcaktuese në Madrid për shkak të suspendimit, Prestianni udhëtoi me skuadrën drejt kryeqytetit spanjoll, me klubin që mbetet në mbështetje të lojtarit ndërsa procesi disiplinor vazhdon. UEFA ka bërë të qartë se masa e përkohshme është pa paragjykim ndaj rezultatit përfundimtar të hetimit, dhe nëse Prestianni gjendet fajtor për racizëm, ai mund të përballet me një dënim më të gjatë ndeshjesh sipas rregulloreve të organizatës.

    Ky zhvillim ka ngritur debate të reja në futbollin europian mbi mënyrën e trajtimit të incidenteve me përmbajtje diskriminuese dhe procedurat e disiplinës gjatë hetimeve që vazhdojnë.

  • Zbulohen pagat milionëshe te Sigal Prishtina, 25 mijë euro në muaj për Jordan Davis

    Zbulohen pagat milionëshe te Sigal Prishtina, 25 mijë euro në muaj për Jordan Davis

    Në një konferencë për shtyp të mbajtur të martën, drejtuesit e KB Prishtina kanë bërë publike disa nga shifrat më të larta të pagave të sezonit të kaluar, duke ndezur debat mbi financat në basketbollin kosovar.

    Sipas zyrtarëve të klubit, ish-lojtari amerikan Jordan Davis përfitonte 25 mijë euro në muaj gjatë kohës sa ishte pjesë e skuadrës prishtinase. Gjatë sezonit, ai regjistroi mesatarisht 11.8 pikë për ndeshje, 4.4 kërcime dhe 2.2 asistime me fanellën bardhekaltër.

    Drejtori i klubit, Luan Maloku, përmendi gjithashtu edhe pagën e ish-qendrës Rasid Mahalbasic, e cila sipas tij arrinte në 20 mijë në muaj, pa specifikuar valutën. Ndërkohë, ish-trajneri spanjoll Paco Olmos kishte nënshkruar kontratë me vlerë 20 mijë dollarë në muaj.

    Deklaratat erdhën në një moment tensionesh brenda klubit, ku u përmend edhe një periudhë e turbullt organizative që, sipas Malokut, nisi në muajin korrik me ndryshimet në strukturat drejtuese. Ai theksoi se problemet financiare dhe menaxheriale ndikuan ndjeshëm në situatën aktuale.

    Sipas të dhënave nga Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit, klubi kishte realizuar rreth 1.2 milionë euro të hyra nga sponsorizimet gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, shifrat e pagave të bëra publike kanë hapur diskutime mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve dhe nivelin e shpenzimeve në basketbollin vendor, ku pjesa më e madhe e buxhetit përqendrohet te lojtarët e huaj.

    Zbulimet e fundit pritet të ndikojnë në debatin publik për transparencën dhe qëndrueshmërinë financiare të klubeve sportive në Kosovë.

  • Michael Carrick rikthen lavdinë në “Old Trafford”, Manchester United dominon rivalët me 16 pikë në 8 ndeshje

    Michael Carrick rikthen lavdinë në “Old Trafford”, Manchester United dominon rivalët me 16 pikë në 8 ndeshje

    Manchester United po shfaq një fytyrë krejt tjetër këtë sezon nën drejtimin e Michael Carrick, duke regjistruar një seri rezultatesh mbresëlënëse që e konfirmojnë trajnerin si një gjetje shumë të mirë për klubin.

    Në tetë ndeshje të zhvilluara, “Djajtë e Kuq” kanë grumbulluar 16 pikë, me fitore të rëndësishme përballë rivalëve direktë. United mposhti 3-0 Manchester City në derbin e qytetit, triumfoi 3-2 ndaj Arsenal dhe siguroi një tjetër sukses dramatik 3-2 kundër Fulham.

    Seria pozitive vazhdoi me fitoren 2-0 ndaj Tottenham Hotspur, barazimin 1-1 përballë West Ham United dhe suksesin minimal 1-0 kundër Everton.

    Skuadra ka treguar organizim taktik, disiplinë dhe efikasitet në momentet kyçe – elementë që kanë munguar në sezonet e fundit. Nën drejtimin e Carrick, United duket më kompakt dhe më i qartë në identitetin e lojës, duke rikthyer entuziazmin te tifozët.

    Me 16 pikë në 8 ndeshje dhe fitore ndaj kundërshtarëve të fortë, projekti i ri në “Old Trafford” po shihet si një hap i qëlluar dhe një sinjal i fortë për ambiciet e klubit në vazhdim të sezonit.

  • João Félix shpërthen te Al Nassr, 30 gola e asiste në 33 ndeshje, rriten interesimet nga Europa

    João Félix shpërthen te Al Nassr, 30 gola e asiste në 33 ndeshje, rriten interesimet nga Europa

    Sulmuesi portugez Joao Felix po kalon një sezon mbresëlënës me fanellën e Al Nassr, duke arritur në kuotën e 30 kontributeve direkte në gola në të gjitha garat.

    Në 33 ndeshje të zhvilluara deri tani, Félix ka realizuar 19 gola dhe ka dhënë 11 asiste, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës. Forma e tij e shkëlqyer ka rikthyer diskutimet mbi të ardhmen e tij dhe mundësinë e një rikthimi në futbollin europian.

    Pas eksperiencave të mëparshme në kampionate elitare, 24-vjeçari duket se ka rigjetur vazhdimësinë dhe besimin në Arabinë Saudite, ku ka marrë rol qendror në projektin e klubit. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve, të cilët pyesin nëse vera e ardhshme mund ta rikthejë në një nga ligat më të forta të Europës.

    Me statistika të tilla dhe në një moshë ideale për pjekuri sportive, mbetet për t’u parë nëse ndonjë klub europian do të bëjë lëvizjen për ta transferuar sulmuesin portugez gjatë merkatos së verës.

  • Bayern i vendos kusht Luis Díaz: Mëso gjermanisht ose përballu me gjobë deri në 50 mijë euro

    Bayern i vendos kusht Luis Díaz: Mëso gjermanisht ose përballu me gjobë deri në 50 mijë euro

    Sulmuesi kolumbian Luis Diaz ka një klauzolë të veçantë në kontratën e tij me Bayern Munich, e cila e detyron të mësojë gjuhën gjermane.

    Sipas raportimit të BILD, lojtari duhet të ndjekë 2-3 seanca mësimore në javë dhe vlerësohet rregullisht nga brenda klubit për të demonstruar progresin e tij në gjuhë.

    Klauzola nuk është thjesht formale. Në rast se Díaz nuk respekton detyrimin ose nuk tregon përparim të mjaftueshëm, klubi bavarez ka të drejtë ta ndëshkojë financiarisht, duke i zbritur nga paga një shumë që varion nga 5.000 deri në 50.000 euro.

    Kjo masë tregon rëndësinë që kampionët e Gjermanisë i kushtojnë integrimit kulturor dhe komunikimit brenda skuadrës. Mësimi i gjuhës konsiderohet thelbësor për përshtatjen më të shpejtë të lojtarëve të huaj, si brenda fushës ashtu edhe jashtë saj.

    Rasti i Díaz ka ngjallur reagime të shumta në mediat sportive, duke u parë si një shembull i disiplinës dhe profesionalizmit që kërkon klubi gjerman nga futbollistët e tij.

  • Flick vendos rregullin më të rreptë në historinë e Barcelonës, vonesat mund të kushtojnë deri 40,000 euro

    Flick vendos rregullin më të rreptë në historinë e Barcelonës, vonesat mund të kushtojnë deri 40,000 euro

    Trajneri i Barcelona, Hansi Flick, ka vendosur një rregull të ri disiplinor, më të rreptin në historinë e klubit, që parashikon gjobën më të madhe deri më tani. Ky vendim është pjesë e politikës së disiplinës së ashpër që gjermani ka zbatuar që nga momenti kur mori drejtimin e skuadrës verën e vitit 2024.

    Pas 25 xhirove të zhvilluara në La Liga, Barcelona ka rikuperuar vendin e parë në tabelë. Fitorja e fundit ndaj Levantes, me gola nga Marc Bernal, Frenkie De Jong dhe Fermin Lopez, i dha katalunasve mundësinë të përfitonin nga humbja e Real Madrid kundër Osasunës dhe të riktheheshin në krye.

    Flick ka treguar që në fillim se këmbëngul në disiplinë dhe saktësi të lartë. Që nga mbërritja e tij, ai ka prezantuar dhjetë rregulla të rrepta për lojtarët, me fokus të veçantë tek respektimi i orarit dhe profesionalizmi. Një shembull i kësaj ishte ndëshkimi i mbrojtësit Jules Kounde në mars të vitit të kaluar për vonesë, që u konsiderua një mesazh i qartë për gjithë skuadrën.

    Së fundmi, masat u ashpërsuan edhe më shumë. Siç konfirmoi mesfushori Pedri në një intervistë për televizionin spanjoll: “Sa i përket saktësisë, i kemi ndryshuar pak rregullat. Nëse vonohesh, paguan një gjobë.”

    Sipas rregullores së re, një vonesë prej dhjetë minutash në ditën e ndeshjes do të përkthehej në një gjobë deri në 40,000 euro, shuma më e lartë e vendosur ndonjëherë në klub. Ferran Torres gjithashtu komentoi masën e re me humor, duke shtuar se: “Nuk mund ta imagjinoj sa do të kushtonte një vonesë prej 20 minutash.”

    Ky rregull tregon qartë qasjen e Flick ndaj profesionalizmit në Barcelonë, duke theksuar rëndësinë e disiplinës, saktësisë dhe respektit ndaj skuadrës dhe kohës, në një periudhë kur klubi synon të mbajë kryesimin në La Liga dhe të arrijë suksese në nivel europian.