ATV

Author: N.T.

  • Ferizaj, Dukagjini dhe Ballkani në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

    Ferizaj, Dukagjini dhe Ballkani në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

    Janë mësuar tre gjysmëfinalistët e parë të Kupa e Kosovës, pas zhvillimit të ndeshjeve çerekfinale, ku fitore siguruan FC Ferizaj, KF Dukagjini dhe FC Ballkani.

    Ferizaj triumfoi 2-0 në shtëpi ndaj KF Vushtrria, në një sfidë të kujdesshme gjatë pjesës së parë. Epërsia erdhi në minutën e 44-t pas një rivënie këndore, ku një ndërhyrje e dobët e portierit mysafir përfundoi me autogol. Në pjesën e dytë, vendasit siguruan kualifikimin me golin e Erjon Sadriut nga penalltia në minutën e 76-të.

    Bindës ishte edhe Dukagjini, që mposhti 3-0 KF Feronikeli 74. Dienit Isufi zhbllokoi rezultatin në minutën e 16-të, ndërsa Altin Mërlaku dyfishoi shifrat në të 38-ën me një goditje të bukur nga distanca. Në fund, Mërgim Pefqeli vulosi fitoren me golin e tretë, duke konfirmuar dominimin e plotë të skuadrës vendase.

    Ndërkohë, Ballkani fitoi 2-1 ndaj SC Gjilani. Therandasit e nisën fuqishëm takimin, duke shënuar dy herë në pjesën e parë me Bleart Tolajn (11’) dhe Geralb Smajlin (40’). Në fraksionin e dytë, Gjilani reagoi dhe ngushtoi shifrat me golin e Senad Jarovic në minutën e 71-të, por nuk arriti të shmangë eliminimin.

    Gjysmëfinalisti i katërt do të përcaktohet pas përballjes mes KF Malisheva dhe KF Llapi, duke kompletuar kështu katërshen që do të luftojë për trofeun e Kupës së Kosovës.

  • Granit Xhaka arrin 250 ndeshje në Premier League, moment historik për kapitenin e Sunderland

    Granit Xhaka arrin 250 ndeshje në Premier League, moment historik për kapitenin e Sunderland

    Granit Xhaka vazhdon të shkruajë histori në futbollin anglez. Kapiteni i Sunderland ka arritur një tjetër moment të rëndësishëm në karrierë, duke regjistruar paraqitjen e tij të 250-të në Premier League.

    Klubi e ka vlerësuar këtë arritje përmes një njoftimi zyrtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të mesfushorit ndër vite në elitën e futbollit anglez.

    Në 250 ndeshje në Premier League, Xhaka ka realizuar 18 gola dhe ka dhuruar 29 asistime, duke qenë një pikë referimi në mesfushë falë eksperiencës, lidershipit dhe ndikimit të tij në lojë.

    Jubileu i tij erdhi në fitoren minimale 1:0 të Sunderlandit në transfertë ndaj Leeds United. Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane u aktivizua nga minuta e 56-të, duke ndihmuar skuadrën të ruajë avantazhin dhe të marrë tri pikë të rëndësishme.

    Me këtë arritje, Xhaka konfirmon edhe një herë statusin e tij si një nga futbollistët më të qëndrueshëm dhe më me ndikim në kampionatin anglez gjatë dekadës së fundit.

  • Thunder e Lakers vazhdojnë me fitore, Pistons pësojn humbje

    Thunder e Lakers vazhdojnë me fitore, Pistons pësojn humbje

    Ndeshje të zjarrta janë zhvilluar edhe sot në kuadër të Ligës së Basketbollit Amerikan, NBA.

    Kampioni në fuqi si dhe lideri i Konferencës së Perëndimit, Oklahoma City Thunder, ka realizuar fitoren e tretë radhazi, pas tirumfit ndaj Chicago Bulls me rezultat 116-108.

    Edhe pse ylli i skuadrës Shai Gilgeous-Alexander mungojë në ndeshje për shkak të një problemi në muskujt e barkut, dëmtim që e mbajti jashtë parketit për pjesën më të madhe të muajit të kaluar, prap se prap pati paraqitje të mira edhe nga lojtaret e tjerë ku gjashtë prej tyre shënuan pikë dyshifrore.

    Kujtojmë që Bulls renditen në vendin e 12-të në Konferencën e Lindjes.

     

    Kur jemi tek lidertë, lideri I Konferencës së Lindjes, Detorit Pistons, ka pësuar humbje nga Cleveland Cavaliers me rezultat 113-109.

    Jaylo Tyson udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores me 22 pikë, derisa te skuadra humbëse u dallua Jalen Duren me 24 pikë e 14 kërcime.

    Kujtojmë që Cavaliers renditen në vendin e katërt në Konferencën e Lindjes dhe kjo ishte fitorja e dytë radhazi.

     

    Fitoren e tretë radhazi njësoj si Thunder, e arriti edhe Los Angeles Lakers, që fituan 110-101 ndaj New Orleans Pelicans.

    Të gjithë titullarët e Lakers realizuan mbi 10 pikë, ndërsa spikati Luka Dončić me 27 pikë e 10 kërcime.

    Te Pelicanes paraqitje të mirë kishte Zion Williamson me 24 pikë por që nuk mjaftuan për fitore.

    Lakers renditen në vendin e gjashtë në Konferencën e Perëndimit derisa Pelicanes në poziten e 13-të.

  • Galatasaray dënohet nga UEFA me 40 mijë euro dhe pa tifozë në ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve

    Galatasaray dënohet nga UEFA me 40 mijë euro dhe pa tifozë në ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve

    Galatasaray  ka konfirmuar se është ndëshkuar nga UEFA pas incidenteve të shkaktuara nga tifozët në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Juventus FC, e zhvilluar më 25 shkurt 2026 në Itali.

    Sipas vendimit të Bordit Disiplinor të UEFA-s, klubi turk është gjobitur me 40 mijë euro dhe është dënuar që ndeshjen e ardhshme si mysafir në Ligën e Kampionëve ta zhvillojë pa praninë e tifozëve të tij.

    Sanksioni lidhet me sjelljen e tifozëve në stadiumin e Juventusit, ndonëse në njoftimin zyrtar nuk janë bërë publike detaje të hollësishme mbi incidentet.

    Në deklaratën e publikuar, Galatasaray thekson:

    “Për shkak të incidenteve me tifozët që ndodhën gjatë ndeshjes sonë të Ligës së Kampionëve kundër Juventusit, të luajtur jashtë fushe më 25 shkurt 2026, Bordi Disiplinor i UEFA-s ka vendosur një gjobë prej 40,000 eurosh për klubin tonë si dhe sanksionin që ndeshja jonë e ardhshme jashtë fushe të luhet pa spektatorë.”

    Klubi ka bërë të ditur se do ta apelojë këtë vendim në Organin e Ankesave të UEFA-s, duke e cilësuar njoftimin si informim për opinionin publik.

    Ndeshja e radhës jashtë fushe për kampionët e Turqisë është sfida e kthimit në fazën e 1/8-tës së Ligës së Kampionëve ndaj Liverpool FC, që do të zhvillohet në Anfield. Nëse dënimi mbetet në fuqi, Galatasaray do të jetë pa mbështetjen e tifozëve të tij në këtë përballje vendimtare.

  • FC Drenica rikthehet në “Bajram Aliu”, ndeshja ndaj Dukagjinit do të luhet në Skenderaj

    FC Drenica rikthehet në “Bajram Aliu”, ndeshja ndaj Dukagjinit do të luhet në Skenderaj

    Pas një periudhe të gjatë pritjeje, FC Drenica rikthehet të luajë në shtëpinë e saj, në Skenderaj. Klubi ka njoftuar se, pavarësisht kushteve jo të plota infrastrukturore, ka arritur ta bëjë të mundur zhvillimin e ndeshjeve si vendas në stadiumin e qytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, kushtet për organizimin e ndeshjeve ende nuk janë krijuar në standardin e duhur, por me angazhim maksimal është bërë e mundur aftësimi i përkohshëm i fushës së lojës. Megjithatë, drejtuesit theksojnë se rikthimi në stadium do të shoqërohet edhe me një mesazh proteste për gjendjen e infrastrukturës sportive.

    Drenica do të zbresë në fushë jo vetëm për pikë, por edhe për të ngritur zërin për kushtet në të cilat ndodhet stadiumi. Klubi ka ftuar të gjithë qytetarët e Skenderajt dhe tifozët nga mbarë Drenica që të jenë të pranishëm dhe të mbështesin ekipin në këtë përballje të rëndësishme.

    Ndeshja do të zhvillohet ndaj KF Dukagjini, ditën e diel, më 8 mars 2026, nga ora 13:00, në stadiumin Stadiumi Bajram Aliu në Skenderaj.

    Klubi pret një mbështetje masive nga tifozët për ta kthyer këtë ndeshje në një festë sportive, por edhe në një mesazh të qartë për përmirësimin e kushteve infrastrukturore.

  • Kristjan Asllani synon të qëndrojë te Beşiktaş, por çmimi i Interit mbetet sfidë

    Kristjan Asllani synon të qëndrojë te Beşiktaş, por çmimi i Interit mbetet sfidë

    Kristjan Asllani ka lënë pas aventurën në Serie A për të nisur një kapitull të ri në Turqi, duke u transferuar te Beşiktaş.

    Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka marrë minuta të rëndësishme që prej mbërritjes së tij, duke u aktivizuar në katër ndeshje me skuadrën e re dhe duke treguar përshtatje të shpejtë në futbollin turk.

    Drejtuesit e klubit nga Stambolli e konsiderojnë Asllanin një element me potencial të madh dhe një investim për të ardhmen. Në fund të sezonit, kur përfundon edhe huazimi i tij, Beşiktaş pritet të tentojë blerjen përfundimtare të kartonit.

    Megjithatë, pengesa kryesore mbetet shuma e kërkuar për transferimin. Mesfushori është në pronësi të Inter, që ka vendosur një klauzolë prej 11 milionë eurosh. Klubi turk nuk duket i gatshëm të paguajë këtë shumë dhe synon të hapë negociata me zikaltërit për të ulur çmimin.

    Tashmë mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe nëse Asllani do të vazhdojë të jetë pjesë e Beşiktaş edhe në sezonin e ardhshëm.

  • Derbi Peja–Trepça kryeson javën e 22-të në ProCredit Superligë

    Derbi Peja–Trepça kryeson javën e 22-të në ProCredit Superligë

    ProCredit Superliga e Kosovës rikthehet me ndeshje të zjarrta në kuadër të javës së 22-të, ku spikat derbi mes rivalëve tradicionalë, GO+ Peja dhe Trepça.

    Pejanët, që numërojnë 10 fitore dhe 11 humbje, synojnë të befasojnë liderin e kampionatit. Në anën tjetër, Trepça kryeson renditjen me 18 fitore dhe vetëm tri humbje, duke hyrë në këtë përballje si favorite, por derbit gjithmonë sjellin emocione dhe surpriza.

    Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën me fillim të orës 19:30.

     

    Në po të njëjtën ditë dhe kohë, një tjetër sfidë e rëndësishme zhvillohet mes Rahoveci 029 dhe Bora.

    Rahovecasit ndodhen në vendin e tetë me shtatë fitore, ndërsa Bora mban pozitën e tretë me 11 fitore e 10 humbje, duke kërkuar pikë të vlefshme për fazën përfundimtare të sezonit.

     

    Të enjten, parketi do të jetë arenë e duelimit mes Bashkimi dhe Vëllaznimi. Prizrenasit kanë regjistruar 11 fitore e shtatë humbje dhe synojnë të forcojnë pozitën në tabelë, ndërsa kuqezinjtë me tetë fitore kërkojnë rikthimin te rezultatet pozitive.

     

    Java mbyllet me përballjen e balancuar mes Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli. Të dy skuadrat kanë nga tetë fitore e 13 humbje dhe synojnë të dalin nga seria e rezultateve jo të qëndrueshme.

    Edhe këto dy ndeshje po ashtu luhen më fillim të orës 19:30.

    Pra pritet të jetë një javë që premton spektakël, rivalitet dhe emocione në elitën e basketbollit kosovar.

  • Aro Muric hero i Sassuolos, portieri kosovar dominon javën në Serie A

    Aro Muric hero i Sassuolos, portieri kosovar dominon javën në Serie A

    Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, ka dhuruar një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme në Serie A, duke qenë protagonist në fitoren 2-1 të Sassuolo ndaj Atalanta.

    27-vjeçari ishte vendimtar me gjashtë pritje të rëndësishme, duke i mohuar disa raste të pastra skuadrës nga Bergamo dhe duke mbajtur ekipin e tij në avantazh deri në fund. Siguria e tij në portë dhe reagimet vendimtare bënë diferencën në këtë përballje.

    Falë performancës mbresëlënëse, Muric u vlerësua me notën 9.5 nga SofaScore, nota më e lartë e ndeshjes dhe njëkohësisht më e larta e javës në elitën e futbollit italian.

    Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vënë re, pasi Muric u përfshi edhe në formacionin e javës në Serie A. Në këtë formacion bëjnë pjesë edhe emra të njohur si Luis Henrique dhe Federico Dimarco nga Inter, si dhe De Roon, Luka Modric, Thorstvedt, Berardi, Davis e Rodriguez.

    Muric po konfirmon formën e lartë këtë sezon, duke u shndërruar në një nga pikat më të forta të Sassuolos dhe një nga portierët më në formë në kampionatin italian.

  • Më 4 dhe 5 mars turneu i volejbollit në Skenderaj në nderim të Epopesë së UÇK-së

    Më 4 dhe 5 mars turneu i volejbollit në Skenderaj në nderim të Epopesë së UÇK-së

    Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopeja e UÇK-së, më 4 dhe 5 mars do të organizohet turneu tradicional në volejboll, një ngjarje që ndërthur sportin me kujtesën dhe respektin për historinë.

    Turneu do të mbahet në Skenderaj, me nikoqir klubin KV Skenderaj, dhe zhvillohet me mbështetjen e Federata e Volejbollit të Kosovës.

    Sipas organizatorëve, ky aktivitet është më shumë se një garë sportive, duke synuar bashkimin e sportistëve dhe qytetarëve përmes volejbollit.

    Në këtë edicion marrin pjesë gjashtë skuadra nga Kosova dhe Shqipëria:

    KV Partizani (Tiranë), KV Teuta (Durrës), KV Ferizaj, KV Drita, KV Fushë Kosova dhe KV Skenderaj (organizator).

    Turneu nis të mërkurën, më 4 mars, me hapjen zyrtare në orën 11:00, ndërsa ndeshjet fillojnë në orën 12:00. Të enjten, më 5 mars, në orën 11:00, ekipet do të bëjnë homazhe në Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, ndërsa nga ora 13:00 do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja.

    Ky turne tashmë është pjesë e kalendarit tradicional sportiv që shënon Epopenë e UÇK-së, duke përcjellë mesazhin se sporti bashkon, ndërsa kujtesa forcon.

  • Finalissima në pikëpyetje, Londra dhe Miami alternativa nëse Katari tërhiqet për arsye sigurie

    Finalissima në pikëpyetje, Londra dhe Miami alternativa nëse Katari tërhiqet për arsye sigurie

    Tensionet politike në Lindjen e Mesme kanë krijuar pasiguri edhe në botën e futbollit. Organizatorët e Finalissimas, CONMEBOL dhe UEFA, po monitorojnë nga afër situatën në Katar, pasi raportohet se raketa të lëshuara nga Irani kanë kaluar mbi hapësirën ajrore të këtij shteti.

    Për shkak të rreziqeve të mundshme, po shqyrtohet mundësia që Finalissima të zhvendoset në një vend tjetër, në mënyrë që ndeshja të zhvillohet pavarësisht situatës.

    Vendimi është i rëndësishëm jo vetëm për arsye sigurie, por edhe për shkak të kalendarit të ngjeshur të kombëtareve, pasi në mars zhvillohen ndeshje të rëndësishme kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

    Dy qytetet që përmenden si alternativat kryesore janë Londra dhe Miami.

    Londra shihet si opsion më i sigurt dhe më praktik, pasi shumica e lojtarëve të Argjentinës dhe Spanjës luajnë në Evropë, duke e bërë organizimin më të lehtë. Po ashtu, në Londër u zhvillua edhe Finalissima e vitit 2022, ku Argjentina mposhti Italinë 3-0.

    Nga ana tjetër, Miami ka përvojë në organizimin e eventeve të mëdha sportive. Stadiumi Hard Rock do të presë disa ndeshje të Kupës së Botës 2026 dhe ka organizuar edhe finalen e Copa America 2024. Megjithatë, distanca e largët dhe situata e përgjithshme e sigurisë mbeten shqetësime.

    Aktualisht, Katari nuk është përjashtuar zyrtarisht si vend organizator, por alternativa të tjera po analizohen seriozisht. Vendimi përfundimtar do të varet nga zhvillimet e sigurisë në rajon.