ATV

Author: K.B.

  • Ish-gruaja e Bill Gates reagon pas ai u përmend në dosjen Epstein

    Ish-gruaja e Bill Gates reagon pas ai u përmend në dosjen Epstein

    Filantropja miliardere Melinda French Gates ka thënë se përmendja e ish-bashkëshortit të saj Bill Gates në dokumentet e reja të lidhura me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein është një kujtesë e “kohërave të dhimbshme në martesë”.

    Duke folur për një podcast të NPR, ajo tha se ndjente “trishtim të madh” për viktimat e Epstein dhe se njerëzit e përmendur në dosje, përfshirë ish-bashkëshortin e saj, duhet të mbahen përgjegjës, raporton BBC .

    “Jam shumë i lumtur që jam larg gjithë asaj ndyrësie”, tha French Gates. Çifti u divorcua në vitin 2021 pas 27 vitesh martesë.

    “Personalisht, është e vështirë për mua sa herë që këto detaje dalin në sipërfaqe sepse më kthejnë pas në disa kohë shumë, shumë të dhimbshme në martesën time”, tha ajo në podkastin “Wild Card”.

    Ajo shtoi: “Çfarëdo pyetjeje që mbetet pa përgjigje – dhe as nuk mund ta imagjinoj se çfarë janë të gjitha – ato janë pyetje për ata njerëz, përfshirë ish-burrin tim. Ata duhet t’u përgjigjen këtyre gjërave, jo unë.”

    Çfarë fshihet në dokumentet e Epstein?

    Dosjet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmbajnë pretendimin e Epstein se Bill Gates u infektua me një sëmundje seksualisht të transmetueshme. Epstein duket se ka hartuar dy email-e më 18 korrik 2013, por nuk është e qartë nëse ato i janë dërguar ndonjëherë Gates.

    Të dyja u dërguan nga llogaria e email-it të Epstein dhe u kthyen në të njëjtën llogari, me adresën e lidhur me Gates të padukshme dhe mesazhet e pafirmosura. Një email u shkrua si dorëheqje nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates, duke u ankuar se iu desh të merrte ilaçe për Bill-in “për t’u përballur me pasojat e marrëdhënieve seksuale me gra ruse”.

    Në të dytin, i cili fillon me “i dashur Bill”, Epstein ankohet se Gates i dha fund miqësisë së tyre dhe bën pretendime të mëtejshme se Gates u përpoq ta fshihte infeksionin seksualisht të transmetueshëm, ndër të tjera, nga gruaja e tij e atëhershme, Melinda.

    Përgjigja e Gates: “Absolutisht absurde”

    Një zëdhënës i Bill Gates i quajti pretendimet “absolutisht absurde”. “Këto pretendime, që vijnë nga një gënjeshtar i provuar dhe i deklaruar, janë absolutisht absurde dhe plotësisht të pavërteta”, tha ai.

    Asnjë viktimë e Epstein nuk e ka akuzuar Bill Gates për abuzim, dhe përmendja e emrit të tij në dokumente nuk nënkupton ndonjë aktivitet kriminal.

  • Ambasada e Zvicrës në Prishtinë njofton se e ka ndërruar adresën, detaje se ku mund ta gjeni

    Ambasada e Zvicrës në Prishtinë njofton se e ka ndërruar adresën, detaje se ku mund ta gjeni

    Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka njoftuar se ka ndryshuar lokacion.

    Ambasada tani ndodhet në rrugën Besa Imami 6, 10000, Prishtina.

    Përmes një njoftimi, është shpjeguar në detaje se se si mund të arrihet deri te objekti.

    “Jemi zhvendosur! Adresë e re: Rr. Besa Imami nr. 6, 10000, Prishtina Rruga është e re dhe mund të mos shfaqet në të gjitha hartat. “Besa Imami” kthehet nga Rruga Robert Doll menjëherë pas Raiffeisen Bank (Nr. 99) drejt kompleksit “Beni Dona”. Ambasada është 100 metra përpara në të djathtë. Për ta bërë vizitën tuaj edhe më të lehtë, mund të na gjeni në Google Maps”, thuhet në njoftim.

  • 82 vjet nga Maskara e Tiranës

    82 vjet nga Maskara e Tiranës

    Sot shënohet 82-vjetori i masakrës së Tiranës, ku mendohet se u pushkatuan 84 antifashistë dhe 400 të tjerë u mbyllën në kampet e përqendrimit.

    Operacioni i 4 shkurtit, i quajtur Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 sipas numrit të gazetës “Bashkimi” që doli një vit pas ngjarjes, në kohën e regjimit komunist, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që komunistët u kishin bërë figurave politike.

    Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë ka mbetur një enigmë në lidhje me motivin dhe numrin e të vrarëve dhe ende nuk ka një shpjegim të qartë zyrtar nga shteti shqiptar për këtë ngjarje por sipas këtyre fakteve ka ndodhur një masakër e vërtetë ndaj komunistëve të cilët kishin ngritur krye ndaj pushtetit të Mbretit Zog në Shqipëri.

  • Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka prishur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ishte liruar nga akuzua për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend. Apeli e ktheu rastin në rigjykim.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka parashtruar prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për pjesën liruese dhe atë për shkak të
    vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarin ta shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe t’i shqiptojë dënim në proporcion me peshën e veprës penale ose aktgjykimi të anulohet dhe rasti të kthehet në rigjykim.

    Përgjigje në ankesën e prokurorit ka ushtruar mbrojtësja e të akuzuarit Konjufca, avokatja Arbnora Zeqiri, me propozim që ankesa e prokurorit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

    Kurse, prokurori i Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e prokurorit, aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet
    dhe i akuzuari ta shpallet fajtor ose rasti të kthehet në rigjykim.

    “Me aprovimin e ankesës së Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.464/17, datë 26.02.2024, përkitazi me veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 par.1 të KPRK-së, anulohet dhe lënda i kthehet të njëjtës gjykatë për rigjykim dhe vendim”, thuhet në vendimin e Apelit të marrë më 27 shkurt 2025.

    Sipas kolegjit të Apelit, ankesa e prokurorit është e bazuar dhe vlerëson se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë edhe në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e që lidhen edhe me vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të Ligjit Penal, shkelje këto të karakterit absolut që detyrimisht kushtëzojnë anulimin e këtij aktgjykimi.

    Po ashtu, Apeli vlerëson se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale që lidhen edhe me bazën ankimore- vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike, sepse sipas shkresave të lëndës, rezulton se, në rastin konkret gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar drejt dhe në mënyrë të plotë provat e administruara.

    “Gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar nuk ka paraqitur drejtë se cilave prova ia fal besimin apo të cilave nuk ia fal besimin e po ashtu se cilat prova të administruara i konsideron të vërtetuara e cilat të pavërtetuara, nuk ka bërë në mënyrë të drejtë krahasimin e këtyre provave njëra me tjetrën dhe në lidhmëri njëra me tjetrën dhe se arsyetimi i dhënë në këtë drejtim nga gjykata e shkallës së parë është jo i drejtë dhe jo i plotë”, thuhet në vendim.

    Sipas Apelit, Themelorja në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar numëron provat e administruara, por nuk i argumenton bindshëm se pse
    e ka liruar të akuzuarin nga vepra penale e cila i vihet në barrë me anë të aktit akuzues.

    “Po sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate, përfundimin e gjykatës së shkallës së parë “se Prokuroria, përmes dëshmitarëve të propozuar, nuk e ka provuar gjendjen faktike të përshkruar si në dispozitivin I të këtij aktgjykimi, duke mos arritur të vërtetojë lidhjen kauzale dhe veprimet e pretenduara inkriminuese të ndërmarra nga i akuzuari. Mungesa e vërtetimit për sekuestrimin po ashtu, nuk vërteton vlerën provuese dhe arsyetimin dhe pretendimet e prokurorisë se provat e larta cekura janë sekuestruar në mënyrën dhe aspektin provues që do të provonin se i akuzuari ka lidhje kauzale dhe përgjegjësi penale për gjendjen faktike, siç është në akuzë. Mungesa e vërtetimit për sekuestrim po ashtu konkludon edhe në pamundësinë e provave të administruara dhe shkresave të lëndës për të argumentuar se çfarë është sekuestruar në lidhje me përgjegjësinë penale dhe veprimet inkriminuese të akuzuarit”, thuhet në vendim.

    Sipas Apelit, ky përfundim i Themelores është jo i drejtë dhe jo i plotë ngase në këtë çështje penale përpos dëshmive të dëshmitarëve kemi edhe provat tjera materiale e po ashtu edhe vetë pohimin e të akuzuarit në deklarimin e tij në Prokurori ku ndër të tjera ka deklaruar
    se atë ditë e ka përdorur gazin lotsjellës, por ka deklaruar se gazin lotsjellës nuk e konsideron që është armë.

    Apeli thekson se në ketë çështje penale përpos deklarimit të akuzuarit në Prokurori, kemi edhe deklaratat e dëshmitarëve, provat tjera materiale e sidomos procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 10 gusht 2016, ku ndër tjera konstatohet se “Gjatë zhvillimi të diskutimeve, kryetari i GP të LVV-së, z. Glauk Konjufca hodhi gaz lotsjellës në sallën C-301. Për shkak të pamundësisë për të vazhduar, kryetari e ndërpreu mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”.

    “Nga të gjitha të lartcekurat, gjykata e shkallës së parë ka dështuar që ta vërtetoj në mënyrë të drejtë dhe posaçërisht të plotë gjendjen faktike e më vërtetimin jo të drejtë dhe jo të plotë të gjendjes faktike në rastin konkret është shkelur edhe ligji penal në favor të të akuzuarit. Të gjitha këto shkelje sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate janë të karakterit absolut, që detyrimisht kushtëzojnë anulimin e këtij aktgjykimi”, thuhet në vendim.

  • Thaçi intervistohet në Hgaë nga gazetari gjerman, Michael Martens

    Thaçi intervistohet në Hgaë nga gazetari gjerman, Michael Martens

    Gazetari gjerman Michael Martens ka njoftuar se ka realizuar një intervistë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, e cila ende nuk është publikuar.

    Këtë e ka konfirmuar ai përmes një bashkëbisedimi në komente në platformën X.

    Në njoftimin e tij, Martens përmend edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, si dhe presidentin amerikan Donald Trump, por pa dhënë më shumë detaje.

    Gazetari gjerman edhe më herët ka folur për gjykimin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    “Gjyqi i fundit i madh për krime lufte në Ballkan po i afrohet fundit. Argumentet përmbyllëse në çështjen kundër ish-udhëheqësit të guerilëve (dhe më vonë president i Kosovës së pavarur), Hashim Thaçi, janë paraparë të mbahen më 9–13 shkurt 2026. Cilido qoftë aktgjykimi, ai do të prekë edhe NATO-n”, kishte shkruar Martens.

  • Vetëm 32 të dënuar me burgim për keqpërdorim të votave krahas qindra aktakuzave

    Vetëm 32 të dënuar me burgim për keqpërdorim të votave krahas qindra aktakuzave

    Vetëm në javët e fundit dhjetëra komisionerë, por edhe anëtarë të partive politike janë dërguar në paraburgim si të dyshuar për keqpërdorim të votës. Disa për dallavere gjatë numërimit të votave dhe procesimit të tyre e të tjerë për dhënie e marrje të ryshfetit.

    Të dhënat nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, tregojnë se për njerëzit që kanë bërë dallavere me vota, ndëshkimi përgjatë viteve ka qenë shumë i butë.

    Të dhënat për aktakuzat e ngritura në vitin 2011 për shkelësit e ligjit në raport me votën dhe zgjedhjet tregojnë kështu:

    15 persona përfunduan në burg, 11 u dënuan me kusht, 1 person u dënua me gjobë, ndërkaq në 8 raste të tjera, 5 persona janë dënuar me gjobë, ndërsa për 3 raste ende nuk ka epilog.

    Aktakuzat e ngritura në vitin 2012, për dallaveret me vota nuk e dërguan asnjë person në burg. 1 person u dënuar me kusht, ndërkaq për 28 raste nuk ka epilog përfundimtar, ashtu siç përfunduan edhe 5 aktakuza të ngritura në vitin 2013.

    Në vitin 2014, sipas të dhënave të KGJK-së, 5 persona u dënuan me kusht, ndërsa 3 raste mbetën pa epilog.

    Viti 2015 solli shumë aktakuza por pak ndëshkime. 56 të pandehur për keqpërdorim të votës nuk e morën kurrë ndëshkimin, sepse rastet mbetën pa epilog. 15 të akuzuar tjerë u dënuan me kusht, një person përfundoi prapa grilave, ndërkaq në një rast tjetër ndaj 5 të pandehurve, u ngritën vetëm 2 aktakuza, të cilat kurrë nuk morën epilog nga Gjykatat.

    Në vitin 2016 ishin vetëm dy aktakuza ndaj dy personave, njëri u dënua me kusht e tjetri mbeti në sirtarët e gjykatës pa epilog.

    Një vit pas, më 2017 sipas të dhënave të KGJK-së, 13 aktakuzat e ngritura nga Prokuroritë përfunduan prap në sirtarët e gjykatave, pa epilog.

    Edhe aktakuzat e ngritura më 2018, prodhuan pak dënime, nga 11 të akuzuar në disa raste, 10 u dënuan me kusht, 9 aktakuza tjera nuk morën kurrë epilog, dy u dënuan me gjobë dhe një dënim me kusht. 12 persona u dërguan në burg.

    63 aktakuza të ngritura në vitin 2019 prodhuan 20 raste pa epilog, 36 dënime me kusht, 5 dënime me gjobë, dhe 5 aktgjykime me burgim.

    Edhe aktakuzat e vitit 2020 e kanë pothuajse të njëjtën mesatare, 10 mbetën pa epilog, në 3 raste keqpërdoruesit e votës u dënuan me gjobë, 3 përfunduar në burg, ndërkaq 26 të tjerë u dënuan me kusht.

    Viti 2021 ishte i ngjeshur për Prokuroritë, por 83 të akuzuar nuk e morën kurrë ndëshkimin nga Gjykatat, 88 u dënuan me kusht, 7 persona u dënuan me gjobë, 2 persona përfunduan në burg.

    Edhe në vitet pasuese, gjendja është pothuajse e njëjtë – më shumë raste të dënimeve me kusht e më pak me burgim derisa shumica vazhduan të jenë pa epilog, sipas të dhënave të KGJK-së.

    Sipas këtyre të dhënave, nga viti 2011 deri vitin e kaluar, 2025 – vetëm 32 person përfunduan me dënim me burgim nga qindra raste të aktakuzave të ngritura – por edhe prej tyre nuk janë të gjitha të plotfuqishme.

    Kapitulli 18 i Kodit Penal të Kosovës ku janë të radhitura veprat penale kundër të drejtë së votimit, parasheh dënime nga 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

  • “Më dërgo foto me kualitet të mirë” – Shqiptarët në dosjen e famëkeqit Epstein

    “Më dërgo foto me kualitet të mirë” – Shqiptarët në dosjen e famëkeqit Epstein

    “Të lutem më dërgo tri foto me kualitet të mirë dhe rezymenë” – Kështu i shkruante Jeffey Epstein vajzës nga Tirana. Egerta Terziu.

    Kjo është zbuluar pas publikimit të tre milionë materialeve nga dosja e trashë e Epstein, të dënuarit për pedofili dhe po hetohej për trafikim seksual të të miturave.

    Sipas hetimeve, ai rekrutonte vajza të mitura dhe i shfrytëzonte seksualisht.

    Në materialet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, dalin emra shqiptarësh.

    Fillimisht janë publikuar komunikimet e vajzës nga Tirana, e cila po aplikonte për pozitën e asistentes personale.

    Emaili është dërguar në marsin e vitit 2017, ku ajo shprehte interes për punën dhe e pyeste Epsteinin nëse do të ishte problem që ajo nuk jetonte në SHBA.

    Në komunikimin e mëvonshëm thuhet se vajza ishte 21–22 vjeç, jetonte në Paris, ndërkohë që në CV rezultonte se ndodhej në Tiranë.

    Përveç CV-së dhe fotove, në listën e bashkëngjitjeve rezulton se ajo ka dërguar edhe një video aplikimi.

    Emra të tjerësh të politikanëve në dosjen Epstein u përmendën nga një konsulle nderi e Kosovës në Tajlandë.

    Emri i ish-ministrit të Jashtëm dhe biznesmenit, Behgjet Pacolli kishte filluar të qarkullonte në emailat e Epstein në vitin 2012.

    Princesha e Tajlandës, Mom Luan Raxhadarasri që më vonë ishte angazhuar nga Pacolli si konsulle nderi e Kosovës në Tajlandë, nëpërmjet një personi, i kishte kërkuar Epstein që të shikonte linkun në YouTube se kush ishte Behgjet Pacolli.

    Princesha në komunikimet e vitit 2012 kishte përmendur edhe presidentin e Kosovës, periudhë që përkonte me mandatin e Atifete Jahjagës. Kjo princeshë njihet si përkrahëse e madhe e presidentit rus, Vladimir Putin.

    Sipas materialeve të bëra publike, bëhet fjalë për një email të dërguar nga një person i identifikuar vetëm si “Daniel”, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

    Në mesazh përmendet një takim i mundshëm në New York, në kuadër të aktiviteteve të Kombeve të Bashkuara.

    Në email thuhet se një princeshë nga Tajlanda do të ndodhej në New York së bashku me presidenten e Kosovës dhe shprehej interes për një takim, nëse koha do ta lejonte.

    Atifete Jahjaga i ka mohuar raportimet për lidhjen e saj me dosjen “Epstein”, duke thënë se ajo nuk ka pasur asnjëherë njohje apo takim të cfarëdo lloj kontaktit me Jeffery Epstein.

    Ajo thotë se në email për të cilën raportohet kur përmendet presidentit i Kosovës, nuk është e qartë se cili dhe nuk përmendet kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.

  • Të premten protestohet para KEDS e Qeverisë kundër shtrenjtimit të rrymës

    Të premten protestohet para KEDS e Qeverisë kundër shtrenjtimit të rrymës

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 13:00, pranë ndërtesës së KEDS-it dhe do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Në njoftimin e tyre për media, organizatorët kritikojnë rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët. Sipas tyre, KEDS-i ka kërkuar rritje të vazhdueshme të çmimeve, të cilat janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në kurriz të mirëqenies së qytetarëve.

    “Qytetarët e Kosovës sot nuk paguajnë vetëm koston reale të rrymës, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e KEDS-it, vetëm për të garantuar fitime gjithnjë e më të mëdha për këtë kompani”, thuhet në deklaratë.

    Organizatat përmendin gjithashtu ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë dimrit dhe rritjen e kostos së jetesës si pasoja direkte të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ato rikujtojnë rritjen prej 16.1% të miratuar vitin e kaluar dhe paralajmërimin për një tjetër rritje rreth 20% këtë vit, të cilën e konsiderojnë “zhvatje të hapur ndaj qytetarëve”.

    Sipas deklaratës, KEDS-i vazhdon të përfitojë nga energjia e prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke e blerë atë me çmime të ulëta dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumëfish më të larta. Organizatorët e protestës theksojnë se kjo situatë po thellon varfërinë dhe po dëmton rëndë interesin publik.

    Në kuadër të protestës, organizatat paraqesin dy kërkesa kryesore: refuzimin e menjëhershëm dhe pa ekuivok të kërkesës së KEDS-it për rritje të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nisjen e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike, kërkesë kjo e mbështetur edhe nga sindikatat.

    “Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Vetëm së bashku mund ta ndalim këtë hajninë shumëvjeçare dhe ta rikthejmë energjinë elektrike në shërbim të popullit”, thuhet ne komunikatë.

    Njoftimi i plotë:

    Të ndëruara media,

    Ju njoftojmë se këtë të premte, një grup aktivistësh/esh, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta nisë nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it dhe përfundon te Qeveria e Republikës së Kosovës.

    Ju ftojmë ta përcjellni.

    Më poshtë mund ta gjeni deklaratën tonë, së bashku me vegëzën e protestës:

    Që nga viti 2022 faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë.

    Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit.

    KEDS-i vazhdon t’i mbledhë frytet e punës së punëtorëve/eve të KEK-ut që punojnë natë e ditë për ta prodhuar rrymën të cilën e blen shumë lirë e neve na e shet shumëfish. Përveç që vazhdon ta shfrytëzojë asetin publik dhe punën e dinjitetin e punëtorëve/eve të KEK-ut, KEDS-i, i ndihmuar vazhdimisht nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej.

    Ky paralajmërim që vjen në formë kërcënimi periodik është haptazi zhvatje ndaj nesh. Të revoltuar/a dhe të vendosur/a ta mbrojmë veten dhe mirëqenien tonë kundër privatit dhe argatëve të tij shtetërorë, ne organizohemi dhe kundërshtojmë deri në fitore. Andaj, ne thërasim për protestë për këtë të premte, në ora 13:00 përballë zyreve të KEDS, që një zë të thërrasim për ndalimin e kësaj hajnije shumë-vjeçare. Duke e njoftë se etja e KEDS ndaj parave të qytetarëve/eve nuk do të shuhet vetvetiu ne kërkojmë që:

    Të refuzohet, pa asnjë paqartësi, kërkesa e KEDS për rritje të çmimeve.
    Të fillojë procesi i rikthimit të KEDS në duar të publikut.
    (kërkesa të sindikatës)
    Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Së bashku, ne mund ta ndalim hajninë e KEDS, dhe të rikthejmë atë në duar të popullit të Kosovës!

  • Kosovarja kërkon drejtësi për gjyshin që i vdiq në aksident trafiku në Zvicër

    Kosovarja kërkon drejtësi për gjyshin që i vdiq në aksident trafiku në Zvicër

    “ Nuk kam fjalë kur një jetë njeriu e vlerësojnë me 800 franga”. Lejla Halilaj dhe familjarët tjerë kanë nisur një peticion.

    Feta Halilaj, 83 vjeç, vdiq në një aksident trafiku në nëntor të vitit 2023 – shoferi fajtor u gjobit me 800 franga. Mbesa e tij, Lejla Halilaj, dhe familja e saj janë të zhgënjyera me këtë dënim kaq të butë dhe tani po luftojnë për një dënim më të ashpër.

    Në një ditë nëntori të vitit 2023, në Horgen (ZH) ndodhi një aksident trafiku me pasoja fatale, transmeton albifo.ch. Pranë stacionit të autobusëve në Gehren, një burrë 83-vjeçar nga Kosova, Fetah Halilaj, u godit nga një furgon dhe u hodh disa metra – ai vdiq në vendngjarje nga plagët e rënda që mori.

    Por nuk ishte vetëm vdekja e papritur e të dashurit të tyre që preku thellë familjen. Ata kanë kaluar një kohë të vështirë pas aksidentit. Sepse: “Makina e shoferit pësoi dëme të cilat edhe vetëm ato duhet të kishin rezultuar në një gjobë më të lartë”, thotë Lejla Halilaj për blick.ch. Ajo tregon fotot që vërtetojnë se shoferi kishte mjete të montuara në kapakun e makinës së tij – një lopatë, një sëpatë dhe një kazmë. Ajo shton se ai “duket se po ngiste më shpejt se 50 km/orë e lejuar”.

    Pjesa më e keqe, sipas mbesës, është se “shoferi po përdorte celularin ndërsa ngiste”. Sipas Tages-Anzeiger, ai e kishte përdorur atë menjëherë para aksidentit. Në orën 11:50 të paradites, ai dërgoi një mesazh me tekst. Katërmbëdhjetë sekonda më vonë, ai bëri një pamje (screenshot) të ekranit të mesazhit. Pastaj, edhe 17 sekonda më vonë, ai telefonoi numrin e urgjencës së policisë pasi goditi 83-vjeçarin.

    Tronditja ishte e madhe kur javën e kaluar u shpall vendimi në Gjykatën e Qarkut Horgen. Shoferi mori një gjobë me kusht prej 180 tarifash ditore prej 30 frangash zvicerane secila, si dhe një gjobë prej 800 frangash zvicerane, transmeton albinfo.ch. Familja e viktimës është e indinjuar dhe e zhgënjyer: “Kjo ishte një shuplakë në fytyrë – mbetëm pa fjalë”, thotë mbesa dhe djali i të ndjerit, Lejla Halilaj dhe dhe i biri, Zeqë Halilaj.

    Ata kanë apeluar urdhrin e dënimit dhe tani po nisin një peticion online, me një qëllim të qartë: drejtësi

    Lejla thotë: “Ne prisnim të paktën një dënim me burg.” Familja nuk po kërkon para nga i akuzuari, por duam që ai të marrë një dënim të drejtë.

    Me urdhër ndëshkimi me gjobë të shkurtër, i akuzuari fillimisht mori një gjobë prej 1,000 frangash më 14 prill 2025 – kjo tani është ulur në 800 franga. Edhe pse gjykata e dënoi shoferin edhe me një gjobë prej 5,400 frangash, kjo është caktuar për një periudhë prove dyvjeçare.

    Me peticionin në fjalë ata po kërkojnë ligje më të rrepta në lidhje me aksidentet fatale.

    Lidhur me peticionin, Lejla Halilaj i është drejtuar edhe redaksisë së albinfo.ch me një letër, ku ajo, veç tjerash, shkruan:

    “Po ju shkruaj si e afërme e gjyshit tim, i cili në vitin 2023 u përplas për vdekje nga një makinë në një kalim për këmbësorë në Horgen. Ngjarja nuk na ka tronditur vetëm ne si familje, por ka lënë edhe një plagë të thellë në komunitetin tonë. Autori i aksidentit mori një dënim shumë të lehtë, i cili sipas mendimit tonë nuk është në përputhje me tragjedinë dhe humbjen e anëtarit tonë të dashur të familjes. Për këtë arsye, duam të tërheqim vëmendjen mbi këtë rast dhe kërkojmë drejtësi për gjyshin tonë. Për këtë qëllim, kemi nisur një peticion, të cilin dëshirojmë ta dorëzojmë tek publiku dhe autoritetet:

    “Ne duam të parandalojmë që diçka e tillë të ndodhë përsëri.” Peticioni kërkon një rishikim dhe përshtatje të rregulloreve ligjore në të drejtën e trafikut dhe atë penale. Në veçanti, ai kërkon vlerësime ligjore më të rrepta dhe më uniforme në aksidentet fatale të trafikut, thonë familjarët që kanë nisur peticionin.

    “Peticioni nuk drejtohet kundër asnjë individi, thekson mbesa dhe iniciatorja. Është vendosur një objektiv prej 3,000 nënshkrimesh”.

    Ajo tashmë ka marrë shumë përgjigje dhe shprehje mbështetjeje nga qytetarët. Të gjithë po i inkurajojnë ata dhe po u thonë të mos dorëzohen. “Jemi mirënjohës për mbështetjen e çdonjërit.”/Albinfo

  • Kryesisht vranët sot, maksimalja 12 gradë

    Kryesisht vranët sot, maksimalja 12 gradë

    Mot kryesisht me vransira dhe me erë po parashihet ditën e mërkurë. Më vonë gjatë mbrëmjes aty këtu priten mundësi për riga shiu. Frynë erë juglindore mesatarisht e fuqishme dhe fuqishme 7-14m/s, relieveve malore me hove mbi 20m/s (70km/h). Temperaturat minimale zbresin në 3C e 4C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 10C e 12C.

    Vransirat dominojnë ditën e enjtë, megjithëse herë pas here shfaqen intervale të shkurta me diell. Të premtën, pas mëngjesit me kthjellime dhe kushte për mjegull ultësirave, ditën vransirat shtohen dhe priten reshje të dobëta shiu. Temperaturat shënojnë rritje deri në 12C, të enjtën.

    Për të shtunën parashihen më shpesh intervale me diell, por me kalime të vransirave, paraqiten kushte për riga lokale shiu. Maksimalet, parashihet të shkojnë deri në 12C e 14C. Të dielen, sërish më shumë vransira dhe mundësi për shi kohëpaskohe. Minimalet ditëve vijuese luhaten ndërmjet 2C e 5C, njofton Mendimi për Motin.