ATV

Author: K.B.

  • Blero romantiku, në dhomën e gjumit Eronitës i bën këtë befasi!

    Blero romantiku, në dhomën e gjumit Eronitës i bën këtë befasi!

    Këngëtari i njohur Blero dhe Eronita kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë ditë më parë.

    Çifti tani po jeton ditët më të mira krah njëri- tjetrit.

    Është Eronita, ajo e cila me anë të një paraqitje ka zbuluar se si po kujdeset këngëtari për gjendjen e saj.

    Blero i ka servuar asaj një pjatë me fruta.

    Kujtojmë se për Eronitën u përfol se është në pritje të ëmbël dhe së shpejti pritet të bëhet nënë për herë të parë.

  • Ndërpritet koalicioni LDK-Guxo në Mitrovicë

    Ndërpritet koalicioni LDK-Guxo në Mitrovicë

    Anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë këtë të mërkurë kanë pranuar një mesazh se koalicioni i tyre me Listën Guxo në këtë komunë, është ndërperë shkruan Klankosova.tv.

    “Të nderuar anëtarë të Kryesisë, Ju njoftoj se në mbledhjen e Kryesisë së Degës, të mbajtur më 02.02.2026 në ora 19:45, me shumicë votash është marrë vendimi për ndërprerjen e koalicionit me Listën GUXO. Ky është vendim kolegjial dhe zyrtar i Kryesisë së Degës, i marrë në përputhje të plotë me Statutin dhe rregullat e LDK-së. Si çdo vendim i Kryesisë, edhe ky vendim është obligativ për të gjithë ne dhe duhet të respektohet e zbatohet nga secili anëtar, në funksion të unitetit, seriozitetit dhe dinjitetit të Degës sonë. Ju falënderoj për bashkëpunimin dhe korrektësinë tuaj”, thuhet në mesazhin e dërguar anëtarëve të LDK-së në Mitrovicë.

    Ndryshe gjatë së martës u zhvillua një takim mes Faton Pecit dhe Gëzim Plakollit, por që mbeti në pikëpyetje nëse ata dy kishin biseduar rreth koalicionit mes dy partive.

  • KEK thotë se që nga 19 dhjetori operuan në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi

    KEK thotë se që nga 19 dhjetori operuan në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) thotë se nga 19 dhjetori kanë operuar në regjim të jashtëzakonshëm të prodhimit, duke mbajtur sipas tyre 3 blloqe të “TC Kosova A” paralelisht në operim për plot 31 ditë.

    Më poshtë sjellim komunikatën e plot të KEK:

    KEK NË REGJIM OPERIMI TË JASHTËZAKONSHËM – MBI NJË MUAJ ME 3 NJËSI TË KOSOVËS A NË OPERIM NJËKOHËSISHT

    Që nga 19 dhjetori, Korporata Energjetike e Kosovës ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur 3 blloqe të TC Kosova A paralelisht në operim për plot 31 ditë, si vijon:

    Dhjetor: → 9 ditë

    Janar:

    01–07 janar → 7 ditë

    15–16 janar → 2 ditë

    21–31 janar → 11 ditë

    Shkurt:

    01–02 shkurt → 2 ditë

    Totali: 31 ditë operim me 3 njësi të Kosovës A në punë njëkohësisht

    Ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend.

    OPERIMI ME 4 NJËSI – STANDARDI I PASLUFTËS

    Është shumë me rëndësi të theksohet:

    Standardi operativ i KEK që nga paslufta ka qenë operimi me 4 njësi gjeneruese

    (2 njësi nga Kosova A + 2 njësi nga Kosova B)

    Një njësi ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë, për siguri të sistemit dhe reagim emergjent.

    GJENDJA E JASHTËZAKONSHME: OPERIM ME 5 NJËSI

    Për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike, nga 19 dhjetori KEK ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm duke arritur me sukses të operoje me 5 njësi gjeneruese për 30 ditë në punë njëkohësisht, duke përfshirë:

    · 3 njësi nga Kosova A

    · 2 njësi nga Kosova B

    Ky është një operim mbi standardin normal, që kërkon:

    · angazhim teknik maksimal

    · mirëmbajtje të përshpejtuar

    · mobilizim të vazhdueshëm të stafit

    NJËSIA A5 RIKTHEHET BRENDA PAK DITËSH

    Bazuar në planifikimet aktuale: Njësia A5 pritet të rikthehet në operim brenda disa ditëve, duke iu bashkuar 4 njësive aktuale gjeneruese.

    Kjo do të mundësojë vazhdimin e operimit të jashtëzakonshëm me 5 njësi aktive, në funksion të stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në vend.

    NJË PËRPJEKJE KOLOSALE QË MERITON VLERËSIM

    Ky regjim operimi nuk është thjesht statistikë teknike.

    Është rezultat i punës së pandërprerë të rreth 4,000 punonjësve të KEK, të cilët:

    · punojnë në kushte të ngarkesës maksimale

    · mbajnë në operim kapacitete të vjetra por jetike për vendin

    · sigurojnë stabilitet energjetik në periudha kritike

    Ky është një angazhim i jashtëzakonshëm kombëtar që meriton vlerësim real dhe publik.

    KEK vazhdon të qëndrojë në krye të detyrës, duke garantuar prodhimin vendor dhe sigurinë energjetike të Republikës së Kosovës.

  • Haradinaj në ShBA kërkon mbështetjen për anëtarësim në NATO

    Haradinaj në ShBA kërkon mbështetjen për anëtarësim në NATO

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë vizitës së tij në Kongresin Amerikan, ka kërkuar mbështetjen e presidentit të Amerikës, Donald Trump për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    Haradinaj këtë qështje e ka adresuar në një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions.

    “Gjatë vizitës në Kongresin Amerikan, kam kërkuar mbështetjen e Presidentit Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Këtë çështje e kam adresuar në një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions”, ka shkruar Haradinaj.

  • Arrestohen dy persona për falsifikim të dokumenteve në Prizren

    Arrestohen dy persona për falsifikim të dokumenteve në Prizren

    Dy persona janë arrestuar në Prizren për falsifikim të dokumenteve.

    Sipas Policisë së Kosovës të arrestuarit një burrë dhe një grua kanë tentuar që një personi tjetër t’i mundësojnë pajisjen në mënyrë të kundërligjshme me dokumente.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër kosovare, pasi që të njëjtit në cilësinë e dëshmitarëve kanë tentuar ti mundësojnë personit të tretë pajisjen kundërligjshëm me dokumente identifikuese. Në cilësinë e provave materiale, janë konfiskuar dy letërnjoftima të RKS-së të dyshuar si të falsifikuar, një letërnjoftim i Kroacisë i dyshuar si i falsifikuar, dhe një telefon”, thuhet në raportin 24- orësh.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • PDK nuk e voton Vjosa Osmanin, thotë Bekim Haxhiu

    PDK nuk e voton Vjosa Osmanin, thotë Bekim Haxhiu

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, e cila pritet të mbahet në mars. Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e zgjedhjes së një kandidati që përfaqëson qytetarët dhe jo partitë politike.

    “Unë mendoj që kjo çështje do të zgjidhet me një konsensus për një kandidat që është përfaqësues i qytetarëve dhe jo një kandidat që i shërben një partie politike ose një individi,” ka thënë Haxhiu.

    Ai ka kritikuar presidenten aktuale, Vjosa Osmani, duke theksuar se gjatë mandatit të saj ka shërbyer vetëm Qeverisë së Albin Kurtit dhe LVV-së, pa trajtim të barabartë për qytetarët dhe subjektet e tjera politike.

    “Vjosa Osmani nuk e meriton të marrë një mandat të ri sepse ka dëshmuar që i ka shërbyer vetëm Albin Kurtit dhe LVV-së gjatë kësaj periudhe. Ajo nuk ka pasur guximin të kthejë asnjë ligj antikushtetues qeverisë Kurti. Të gjitha ligjet i ka nënshkruar pa rezistencë,” ka shtuar Haxhiu.

    Haxhiu ka theksuar gjithashtu se si juriste, Osmani nuk ka mbrojtur integritetin e institucioneve dhe kushtetutshmërinë. “Dikush që nuk i mbron institucionet dhe kushtetutshmërinë në këtë vend nuk e meriton të jetë president,” ka thënë ai, duke paralajmëruar se PDK nuk do ta votojë për një mandat të ri.

  • KRU “Prishtina” intervenon në disa zona kyçe të kryeqytetit

    KRU “Prishtina” intervenon në disa zona kyçe të kryeqytetit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se në disa zona të kryeqytetit sot do të ketë intervenime nga ekipet e mirëmbajtjes.

    Ekipet në terren do të ndërhyjnë me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së furnizimit me ujë.

    Intervenimi do të bëhet në këto zona: rruga “Shaqir Igrishta”, rruga B, rruga C, rruga “Halil Ali Ademaj”, rruga “Ilir Konushevci”, rruga “Agim Ramadani”, rruga “Shefqet Shkupi”, rruga “Rexhep Krasniqi”, rruga “Jala” në fshatin Bardhosh, si dhe rruga “Njësiti Buna” në Besi.

    Gjatë intervenimit mund të ketë reduktime të ujit

  • Zbulohet testamenti i Jeffrey Epstein, e nënshkroi atë dy ditë para vdekjes

    Zbulohet testamenti i Jeffrey Epstein, e nënshkroi atë dy ditë para vdekjes

    Muaj para arrestimit të tij me akuzat për trafikim qeniesh njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual, Jeffrey Epstein la të kuptohej se më në fund po planifikonte të vendosej në një vend të sigurt.

    Një shënim i shkruar me dorë në një dokument financiar, i nënshkruar vetëm dy ditë para vetëvrasjes së tij në burg, zbulon se ai i dha të dashurës së tij të atëhershme, Karyna Shuliak, një unazë diamanti 32.73 karatësh “për qëllim martese”.

    Pas vdekjes së tij, Epstein planifikoi t’i linte të fejuarës së tij 100 milionë dollarë dhe të gjitha pasuritë e tij të patundshme, duke përfshirë një rezidencë në Manhattan, një apartament në Paris, një fermë në New Mexico dhe dy ishuj privatë në Ishujt Virgjër të SHBA-së.

    Këto detaje u përcaktuan në një dokument të njohur si “Fondacioni 1953”, në të cilin miliarderi me lidhje të forta renditi se kush do të trashëgonte pasuritë e tij, të cilat atëherë vlerësoheshin në 630 milionë dollarë.

    Ai e nënshkroi dokumentin më 8 gusht 2019, ndërsa ishte në paraburgim në Manhattan për akuza federale për trafikim qeniesh njerëzore, dhe ai u finalizua më vonë atë muaj.

    Edhe pse ekzistenca e tij u përmend në një testament të disponueshëm publikisht dhe në çështjet gjyqësore që lidheshin me pasurinë e tij, përmbajtja e tij mbeti sekret për vite me radhë pas vdekjes së tij. “Fondacioni 1953” zëvendësoi një dokument të mëparshëm të planifikimit financiar nga janari i atij viti. Versionet e redaktuara të të dy dokumenteve u publikuan si pjesë e një koleksioni të dokumenteve të Epstein sipas Aktit të Transparencës.

    Së bashku, dokumentet nga të dy fondacionet ofrojnë informacion mbi rrethin e ngushtë të financierit, përfshirë Shuliak, si dhe marrëdhënien e tij me ish-të dashurën e tij Eva Andersson Dubin dhe vajzën e saj të madhe. Asgjë në dokumente nuk sugjeron ndonjë sjellje të keqe nga ndonjëri prej individëve, shumë prej të cilëve janë identifikuar më parë si bashkëpunëtorë të Epstein dhe i kanë dënuar publikisht veprimet e tij.

    Që nga shtatori i vitit 2025, raporti i fundit i disponueshëm publikisht, pasuria e Epstein vlente rreth 127 milionë dollarë. Që nga vdekja e tij, ajo është rënduar nga paditë dhe negociatat me kreditorët. Programi i kompensimit u ka paguar 125 milionë dollarë më shumë se 100 viktimave dhe qindra milionë dollarë janë shpenzuar për taksa, zgjidhje dhe shpenzime të tjera.

    Karyna Shuliak, dentiste me profesion, është përfituesja më e madhe e “Fondacionit 1953”. Ajo është gjithashtu personi i fundit jashtë një burgu në Manhattan që dihet se ka folur me Epstein. Mbrëmjen para vdekjes së tij, ai kaloi 20 minuta në një bisedë telefonike të paregjistruar me të, sipas të dhënave të Byrosë Federale të Burgjeve. Shuliak nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

  • Prokuroria në Pejë nis hetime për dyshime në numërimin e votave, intervistohen komisionerët

    Prokuroria në Pejë nis hetime për dyshime në numërimin e votave, intervistohen komisionerët

    Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

    Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi i parë për nisjen e hetimeve është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar prej saj, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës.

    “Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Po ashtu, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave përgjegjës.

    “Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik lidhur me të gjitha zhvillimet e mëtejshme në këtë proces”, thuhet më tej në njoftim.

    Hetimet janë ende në fazën fillestare dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me subjektet apo numrin e personave të përfshirë.

  • ‘Diella’ fiton çmimin e parë për përdorimin e inteligjencës artificiale

    ‘Diella’ fiton çmimin e parë për përdorimin e inteligjencës artificiale

    Ministrja e parë e krijuar me inteligjencën artificiale, “Diella”, është vlerësuar me çmimin “Future Fit Seal – Global Edition Award” në samitin e Qeverive Botërore që u mbajt në Dubai.

    Ajo u vlerësua për modelin inovativ të qeverisjes digjitale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike, një nismë që rrit transparencën, efikasitetin dhe përmirëson shërbimet për qytetarët.

    Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se ky është një vlerësim ndërkombëtar për Shqipërinë dhe një hap më afër modernizimit të administratës publike, duke përdorur teknologjinë për të përmbushur nevojat e qytetarëve.

    Shqipëria u bë vendi i parë në botë që ka një ministre me Inteligjencë Artificiale në mandatin e ri qeverisës, “Rama 4”. “Diella” është vlerësuar edhe nga vendet ndërkombëtare duke e cilësuar si një vizion që ofron shërbime publike më të shpejta dhe më gjithëpërfshirëse.