ATV

Author: K.B.

  • Anëtari i LDK-së flet për zgjedhje të reja në prill: Vetëm ato e ndalin Albin Kurtin

    Anëtari i LDK-së flet për zgjedhje të reja në prill: Vetëm ato e ndalin Albin Kurtin

    Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Bajram Gecaj beson se autonomia për veriun e Kosovës, sipas Marrëveshjes së Ohrit të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, është e paevitueshme.

    Për këtë shkak, ai thotë se Kurti duhet të hiqet nga pushteti dhe se zgjedhjet e mundshme në muajin prill të këtij viti janë e vetmja rrugë për të arritur këtë qëllim.

    Sipas Gecajt, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 e ndryshon rrënjësisht rendin kushtetues të vendit.

    “Me përgjegjësi të plotë e them se me Albin Kurtin, edhe katër vite në qeverisje, autonomia për veriun është e sigurt, por me një perspektivë reale dhe të rrezikshme të ndarjes faktike, e më pas edhe formale të veriut”, ka shkruar Gecaj në një postim në Facebook të mërkurën.

    Tutje, ai ka thënë se “vetëm zgjedhjet e prillit mund ta ndalin përshkallëzimin e rolit dëmtues të Albin Kurtit.”

    Postimi i plotë:

    AUTONOMI E SIGURT PËR VERIUN …

    Qeveria Mustafa trashëgoi Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar nga ish Kryeministri Thaçi në vitin 2013. Megjithatë, ajo marrëveshje u zbut maksimalisht, brenda kufijve të së mundshmes, me marrëveshjen e vitit 2015. Në atë proces u vendosën filtra të fuqishëm mbrojtës për Kosovën: letra e Përfaqësueses së Lartë Mogherini, kontrolli i Gjykatës Kushtetuese dhe kërkesa eksplicite që çdo zbatim të bëhej në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, ne ishim të bindur se marrëveshja e riformuluar nuk e dëmtonte shtetin, dhe ishim të gatshëm të fillonim zbatimin. Por pala serbe ishte ajo që e refuzonte, sepse nuk u konvenonte.

    Kjo ndodhi sepse në ekip kishte profesionistë të vërtetë, njerëz që nuk mashtroheshin lehtë dhe që kishin përvojë të gjatë në ligj, diplomaci dhe dialog ndërkombëtar.

    Profesori Enver Hasani, eksperti më i shquar kushtetues që ka Kosova, paralajmëron qartë: “Marrëveshja e Ohrit me planin e zbatimit do të prodhojë një rend paralel kushtetues. Ne i themi ‘Kushtetutë materiale’, e cila rregullon materien kushtetuese njësoj si Kushtetuta Formale e votuar në Kuvend, por pa ndjekur procedurat kushtetuese.”

    Ky është thelbi i rrezikut.

    Pse po ndodh kjo? Sepse populistët joprofesionistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë besuar se mund ta mashtrojnë komunitetin ndërkombëtar, ashtu siç e mashtruan elektoratin e vet, duke e lënë kështu Kosovën pa mburojë e me “kopil te dera.”

    Me përgjegjësi të plotë e them se me Albin Kurtin, edhe katër vite në qeverisje, autonomia për veriun është e sigurt, por me një perspektivë reale dhe të rrezikshme të ndarjes faktike, e më pas edhe formale të veriut.

    Edhe Lulzim Peci, tashmë një analist i dëshmuar ndër vite, ka plotësisht të drejtë kur thotë se “Marrëveshja e Brukselit, deshëm apo nuk deshëm ne ta pranojmë, aty është një pikë që kryeministri ynë e ka pranuar: vetëqeverisja e komunitetit serb në Kosovë.”

    Ironia është tronditëse. Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj dikur e “kallën” Kosovën për një marrëveshje që nuk do ta dëmtonte as për një milimetër rendin kushtetues dhe integritetin territorial të shtetit.

    Ndërsa sot? Çfarë kemi bërë ne për të kundërshtuar një marrëveshje që e ndryshon rrënjësisht rendin kushtetues të Kosovës?

    Asgjë. Heshtje. Dorëzim. Dhe rrezik historik.

    Vetëm zgjedhjet e prillit mund ta ndalin përshkallëzimin e rolit dëmtues të Albin Kurtit.

  • Peci tallet keq me degën e LDK-së në Mitrovicë: Me 3% nuk punon as iPhone

    Peci tallet keq me degën e LDK-së në Mitrovicë: Me 3% nuk punon as iPhone

    Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit në Mitrovicë të Jugut është prishur.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Ai në reagimin e tij ka përmendur emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, që siç ka thënë është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.

    Në anën tjerër, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka bërë një reagim tallës në lidhje me këtë çështje.

    “Me 3% nuk punon as iPhone-i”, ka shkruar ai.

  • LDK e konfirmon prishjen e koalicionit me Pecin në Mitrovicë, shkak emërimi i drejtorit për Kulturë

    LDK e konfirmon prishjen e koalicionit me Pecin në Mitrovicë, shkak emërimi i drejtorit për Kulturë

    Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit në Mitrovicë të Jugut është prishur.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Ai në reagimin e tij ka përmendur emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, që siç ka thënë është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë.

    Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, ka shkruar Plakolli.

  • Epstein dëshironte të blinte “Vilën e Titos”, Lajçak i shpjegoi se vendet e ish-Jugosllavisë nuk do të bien kurrë dakord

    Epstein dëshironte të blinte “Vilën e Titos”, Lajçak i shpjegoi se vendet e ish-Jugosllavisë nuk do të bien kurrë dakord

    Dokumentet e reja për Jeffrey Epsteinin, të publikuara nga Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregojnë se financieri kishte dëshirë të blinte ndërtesën e ish-ambasadës së Jugosllavisë në New York, e njohur si “Vila e Titos”.

    Ndër dokumentet e reja, të publikuara disa ditë më parë, gjendet një email që Epstein kishte marrë me 26 fotografi të kësaj vile, si dhe një prerje nga New York Post me titullin “për 50 milionë dollarë mund të bëheni pronar i vilës së fundit nga epoka e artë e Manhatanit”.

    Më 10 dhjetor 2018, Epstein mori një email nga këshilltari financiar David Mitchell, i cili e informonte se në këtë ndërtesë kishte ndodhur një zjarr dhe se ndoshta ishte momenti i duhur për të dërguar një ofertë, raporton klix..ba.

    Më pas, financieri dërgoi një lidhje të New York Post në dy adresa emaili, ku përmendej zjarri, dhe ata e informuan se ndërtesa tani duhet të ishte dukshëm më e lirë.

    Megjithatë, Epstein në fund nuk e bleu vilën. Ajo u shit katër vjet më vonë për 50 milionë dollarë, ndërsa Serbisë i takuan 40 për qind e shumës, në bazë të Aneksit B të Marrëveshjes për suksesionin e pasurisë së ish-RSFJ-së jashtë vendit. Shtetit tonë i takuan 7.5 milionë dollarë.

    Interesant është fakti se, gjatë përpjekjes për ta blerë këtë ndërtesë, Epstein kontaktoi edhe ish-Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Miroslav Lajçak.

    Ishte data 25 tetor 2017 kur Epstein i dërgoi një SMS Lajçakut se “shkova ta shoh ish-ambasadën jugosllave. Më thanë se është në shitje, por se të pesë qeveritë duhet të bien dakord, ajo serbe dhe të tjerat. Interesante”.

    Lajçak iu përgjigj se “kurrë nuk do të bien dakord. Që nga viti 2001 po përpiqen të merren vesh për ndarjen e pasurisë dhe fundi nuk duket. Për gjithçka që lidhet me ish-Jugosllavinë ose shtetet pasardhëse aktuale, duhet të konsultohesh me mua, i njoh deri në thelb”.

    Kujtojmë se Lajçak përmendet shpesh në dosjet për Epsteinin dhe se disa ditë më parë, për këtë arsye, ai dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, Robert Fico.

  • I dha Epsteinit të dhëna qeveritare, autoritetet britanike nisin hetim ndaj Mandelson

    I dha Epsteinit të dhëna qeveritare, autoritetet britanike nisin hetim ndaj Mandelson

    Policia Metropolitane e Londrës ka nisur një hetim penal ndaj Peter Mandelson, ish-ministër i qeverisë laburiste dhe ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, për dyshime për sjellje të keqe në ushtrimin e detyrës publike.

    Hetimi lidhet me akuza se ai ka përcjellë informacion qeveritar të ndjeshëm ndaj tregut te financuesi amerikan Jeffrey Epstein gjatë vitit 2009, kur Mandelson ishte sekretar biznesi në qeverinë e Gordon Brown.

    Hetimi u hap pas publikimit të miliona dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ku email-e të supozuara tregojnë diskutime mbi masa ekonomike gjatë krizës financiare globale, përfshirë taksën mbi bonuset e bankierëve dhe një paketë shpëtimi të BE-së.

    Dokumentet sugjerojnë gjithashtu pagesa financiare nga Epstein drejt Mandelson, të cilat Mandelson i ka mohuar ose ka thënë se nuk i kujton.

    Mandelson nuk ka komentuar publikisht, por ka mohuar çdo veprim kriminal dhe ka deklaruar se nuk ka përfituar financiarisht.

    Ai ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve, megjithëse do të ruajë titullin e fisnikut për jetë, i cili mund t’i hiqet vetëm me ligj të veçantë.

    Qeveria britanike ka thënë se po bashkëpunon plotësisht me policinë dhe po shqyrton legjislacionin për heqjen e titullit të tij.

    Kryeministri Sir Keir Starmer e quajti çështjen “të turpshme”, ndërsa opozita po kërkon publikimin e dokumenteve dhe hetime të mëtejshme mbi procesin e emërimit të Mandelson si ambasador.

  • Emocionet e gjysmëfinales, sonte dy ndeshjet e para të Kupës së Kosovës

    Emocionet e gjysmëfinales, sonte dy ndeshjet e para të Kupës së Kosovës

    Koha është për gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në basketboll që premtojnë spektakël.

    Pas sfidave shumë interesante në çerekfinale, katër skuadrat më të mira premtojnë angazhim maksimal e spektakël të basketbollit.

    Gjysmëfinalja e parë do të jetë ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës, dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës, që e duan finalen dhe trofeun e çmuar të basketbollit të Kosovës. Prizrenasit në çerekfinale eliminuan GO+ Pejën, kurse prishtinasit eliminuan Vëllaznimin.

    Trepça-Bora po ashtu do të jetë një përballje interesante, me mitrovicasit që synojnë të mbrojnë trofeun, si dhe me prishtinasit që synojnë finalen e parë të Kupës. Mitrovicasit në çerekfinale eliminuan Golden Eagle Yllin, kurse kryeqytetasit eliminuan Rahoveci 029.

    Ashtu si në çerekfinale, edhe në gjysmëfinale zhvillohen nga dy ndeshje, vajtje-ardhje dhe skuadra më e mirë nga dy takimet kalon në finale.

    Edicionin e kaluar Trepça kishte mundur Bashkimin në finale 85:79.

    Gjysmëfinalet e Kupës

    E mërkurë

    18:45 Bashkimi – Sigal Prishtina

    18:45 Trepça – Bora

  • Pesë raste të dhunës në familje raportohen për një ditë në Polici

    Pesë raste të dhunës në familje raportohen për një ditë në Polici

    Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici brenda 24 orëve, e ku në njërin rast që ka ndodhur në Gjakovë është në kërkim policor.

    DHUNË NË FAMILJE

    Prishtinë/ 02.02.2026 Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i huaj, nën dyshimin se ka ushtuar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    · Klinë/ 03.02.2026 – 17:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    · Pejë/ 03.02.2026 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    · Gjakovë /03.02.2026-10:30. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin për kryerje të veprës penale të lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari dhe viktima kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit personi i dyshuar është dërguar në mbajtje.

    · Gjakovë/ 03.02.2026 – 17:00. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Lidhur me rastin i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

  • Venezuelë: Mijëra protestues kërkojnë lirimin e Maduros dhe gruas së tij nga ShBA

    Venezuelë: Mijëra protestues kërkojnë lirimin e Maduros dhe gruas së tij nga ShBA

    Mijëra persona marshuan në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, duke kërkuar lirimin e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, një muaj pas arrestimit të tyre nga forcat amerikane gjatë një operacioni ushtarak.

    Protesta, e quajtur Gran Marcha, u organizua me thirrjen e qeverisë dhe u shoqërua nga slogane në mbështetje të presidentit të ndaluar. Demonstruesit mbanin pankarta dhe veshje që kërkonin kthimin e çiftit nga një burg në ShBA.

    Në tubim foli edhe djali i presidentit, Nicolas Maduro Guerra, deputet në Asamblenë Kombëtare, i cili e cilësoi arrestimin si shkelje të sovranitetit të vendit dhe të së drejtës ndërkombëtare.

    Mediat lokale raportuan se protesta ishte pjesë e një dite globale veprimi, me aktivitete solidariteti edhe në vende të tjera të botës.

    Ndërkohë, presidentja e përkohshme Delcy Rodriguez ka ndërmarrë hapa për afrimin me Uashingtonin, përfshirë lirimin e qindra të burgosurve politikë dhe hapjen e sektorit të hidrokarbureve për investime private. Megjithatë, kërkesat për një ligj amnistie ende nuk janë shqyrtuar nga parlamenti.

  • Bastisje në Leposaviq – gjenden armë, pjesë të uniformave dhe flamuj të Serbisë

    Bastisje në Leposaviq – gjenden armë, pjesë të uniformave dhe flamuj të Serbisë

    Policia e Kosovës ka bastisur në një shtëpi të pa banuar në Leposaviq.

    Në atë shtëpi ka gjetur dhe sekuestruar: dy armë të gjata, 151 fishekë, disa pjesë përcjellëse të armëve, pjesë të uniformave, si dhe 7 flamuj të Serbisë.

    Policia po e heton rastin.

    “ARMËMBAJTJE PA LEJE Leposaviq/03.02.2026 – 21:15. Njësiti policor ka bërë bastisje në një shtëpi të pa banuar në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar: dy armë të gjata, 151 fishekë, disa pjesë përcjellëse të armëve, pjesë të uniformave, si dhe 7 flamuj të Serbisë. Rasti është duke u hetuar.”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • A është prishur koalicioni me Faton Pecin? Flet Gëzim Plakolli i LDK-së

    A është prishur koalicioni me Faton Pecin? Flet Gëzim Plakolli i LDK-së

    Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Jugut duket se është në prag të lëkundjes.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka deklaruar se deri më tani nuk ka pasur zyrtarisht prishje të koalicionit, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që diçka e tillë të ndodhë gjatë ditës.

    “Ende nuk ka diçka konkrete, por besoj se gjatë ditës mund të ndodhë diçka. Në momentin që ndodh, do ta keni prononcimin tim në llogarinë time në Facebook”, ka thënë shkurt Plakolli për Indeksonline.

    Ndërkohë, anëtarët e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, këtë të mërkurë, kanë pranuar një mesazh ku thuhet se koalicioni me Listën GUXO në këtë komunë është ndërprerë.

    Mesazhi, i publikuar nga Klan Kosova, u është dërguar anëtarëve të kryesisë së Degës së LDK-së dhe në të thuhet:

    “Të nderuar anëtarë të Kryesisë,

    Ju njoftoj se në mbledhjen e kryesisë së degës, të mbajtur më 02.02.2026 në ora 19:45, me shumicë votash është marrë vendimi për ndërprerjen e koalicionit me Listën GUXO.

    Ky është vendim kolegjial dhe zyrtar i kryesisë së degës, i marrë në përputhje të plotë me statutin dhe rregullat e LDK-së.

    Si çdo vendim i kryesisë, edhe ky vendim është obligativ për të gjithë ne dhe duhet të respektohet e zbatohet nga secili anëtar, në funksion të unitetit, seriozitetit dhe dinjitetit të degës sonë.

    Ju falënderoj për bashkëpunimin dhe korrektësinë tuaj.”

    Ndryshe, gjatë ditës së martë është zhvilluar një takim mes ministrit Faton Peci dhe kryetarit të degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, por mbetet e paqartë nëse në këtë takim është diskutuar konkretisht për koalicionin mes dy subjekteve politike.