ATV

Author: K.B.

  • Sondazh: 61 përqind e ukrainasve i besojnë Zelensky-t

    Sondazh: 61 përqind e ukrainasve i besojnë Zelensky-t

    Shumica e ukrainasve, 61 përqind, kanë besim tek Presidenti Volodymyr Zelensky, sipas rezultateve të një sondazhi kombëtar të opinionit publik të kryer nga 23 deri më 29 janar, duke treguar se besimi i publikut tek udhëheqësi ukrainas është kryesisht i qëndrueshëm pavarësisht luftës.

    Rezultatet u publikuan nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë i Kievit (KIIS), i cili kreu një sondazh telefonik në territorin e kontrolluar nga autoritetet nga 23 deri më 29 janar, raporton Kyiv Post.

    Sipas rezultateve të sondazhit, 61 përqind e të anketuarve thanë se i besojnë Zelenskit, ndërsa 33 përqind thanë se nuk i besojnë atij. Ndër ata që shprehën besim, 25 përqind thanë se kishin besim të plotë tek presidenti, dhe një 36 përqind shtesë thanë se “kryesisht i besojnë” atij.

    Në të njëjtën kohë, 17 përqind e të anketuarve deklaruan se nuk i besojnë fare Zelenskit, ndërsa 16 përqind thanë se “kryesisht nuk i besojnë atij”.

    KIIS tha në një njoftim për shtyp se vlerësimi i besimit të presidentit mbeti kryesisht i pandryshuar krahasuar me mesin e janarit, duke treguar stabilitet në ndjenjën publike dhe jo një ndryshim të papritur në qëndrime.

    Si pjesë e anketës, KIIS kreu gjithashtu një eksperiment për të testuar sinqeritetin e përgjigjeve të të anketuarve.

    Gjysma e të anketuarve u pyetën drejtpërdrejt nëse i besonin presidentit, ndërsa gjysma tjetër u anketua duke përdorur atë që sociologët e quajnë metoda e “njohjes së qëllimshme”, e projektuar për të zvogëluar ndikimin e përgjigjeve të dëshirueshme shoqërisht.

    Duke përdorur këtë qasje indirekte, pjesa e të anketuarve që shprehën besim tek presidenti ra në 53 përqind, krahasuar me 61 përqind të regjistruar në anketën e drejtpërdrejtë.

    KIIS tha se kjo mospërputhje sugjeron që nivelet aktuale të besimit mund të jenë disi më të ulëta se ato të treguara nga metodat standarde të anketimit, megjithëse ato janë ende mbi gjysmën e popullsisë së përgjithshme.

  • Kryeministri i parë i Palestinës ishte shqiptar

    Kryeministri i parë i Palestinës ishte shqiptar

    Një fakt historik pak i njohur për publikun e gjerë është se kryeministri i parë i një qeverie palestineze ishte Ahmed Hilmi Pasha, një figurë politike me rrënjë nga administrata osmane dhe me rol kyç në ngjarjet e vitit 1948.

    Ahmed Hilmi Abd al-Baqi Pasha u emërua më 22 shtator 1948 si kryeministër i Qeverisë së Përgjithshme të Palestinës, e njohur edhe si All-Palestine Government, e formuar në Rripin e Gazës pas shpërthimit të luftës arabo-izraelite dhe shpalljes së shtetit të Izraelit.

    Kjo qeveri u krijua me mbështetjen e Ligës Arabe dhe kishte për synim të përfaqësonte politikisht palestinezët në një periudhë tejet të trazuar historike. Megjithëse autoriteti i saj ishte i kufizuar dhe nuk u njoh ndërkombëtarisht si shtet i pavarur, ajo shënon përpjekjen e parë formale për vetëqeverisje palestineze.

    Ahmed Hilmi Pasha ishte më parë administrator i lartë osman, përfshirë edhe postin e guvernatorit të Jerusalemit, një pozitë me rëndësi të veçantë në Perandorinë Osmane. Pas rënies së Perandorisë, ai mbeti aktiv në jetën politike arabe dhe palestineze.

    Ai ndërroi jetë në vitin 1963 dhe u varros në Jerusalem, duke mbetur një figurë simbolike në historinë politike të Palestinës, edhe pse emri i tij shpesh anashkalohet në debatet moderne.

  • Fero ironizon me Mozzik pas këngës së re “Diss”: Paramendo Albin Kurti duke munduar t’i bëj kurthe Mozzikut

    Fero ironizon me Mozzik pas këngës së re “Diss”: Paramendo Albin Kurti duke munduar t’i bëj kurthe Mozzikut

    Rap-artisti nga Ferizaj, Mozzik, ka sjell më 5 shkurt një ‘EP’ me gjithsej pesë këngë.

    Në njërën prej tyre të titulluar “Diss”, i ka bërë një ‘diss’ vetes, por ka përfshirë edhe emra të tjerë të estradës e po ashtu edhe nga politika.

    Në mesin e tyre ka përmendur edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas një rasti që kishte vitin e kaluar.

    Ndërkohë që për këtë u bë një reagim edhe nga Feronit Shabani apo siç njihet për publikun Fero.

    I njëjti ironizon me të për Kurtin në një postim të shpërndarë në InstaStory.

    “Paramendo Albin Kurti duke munduar t’i bëj kurthe Mozzikut”, ka shkruar ai.

    Fero pak më parë së bashku me S4MM në një këngë të re i bënë ‘diss’ Mozzikut.

  • Ambasadori italian e uron Abdixhikun që u rikonfirmua në krye të LDK, diskutime edhe për urgjencën e formimit të institucioneve

    Ambasadori italian e uron Abdixhikun që u rikonfirmua në krye të LDK, diskutime edhe për urgjencën e formimit të institucioneve

    Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, është takuar sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në zyrat qendrore të LDK-së në Prishtinë.

    Gjatë takimit, ambasadori Antonini e ka uruar Abdixhikun për rikonfirmimin e tij në krye të LDK-së.

    “Sapo u takova me kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, për ta uruar për rikonfirmimin e tij si lider i partisë,” ka deklaruar ambasadori Antonini.

    “Diskutuam për situatën aktuale politike në Kosovë, qëndrimet e LDK-së lidhur me zhvillimet e fundit, si dhe për nevojën urgjente për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja”.

    Ambasadori theksoi se stabiliteti politik është kyç për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. “Formimi i shpejtë i institucioneve të reja është thelbësor për garantimin e stabilitetit politik, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe avancimin e mirëqenies së qytetarëve,” u shpreh ai.

  • Kosova me gjashtë xhudistë në Paris Grand Slam 2026

    Kosova me gjashtë xhudistë në Paris Grand Slam 2026

    Spektakli botëror i xhudos zhvillohet më 7 dhe 8 shkurt në Francë, me pjesëmarrjen e 499 garuesve nga 80 shtete, ku Kosova synon sërish podiumin.

    Paris Grand Slam 2026 do të mbahet më 07 dhe 08 shkurt në Paris të Francës, duke shënuar një nga ngjarjet më prestigjioze të xhudos në kalendarin ndërkombëtar.

    Kjo garë tradicionale mbledh 499 garues nga 80 shtete e 6 kontinente dhe ndiqet çdo vit nga mijëra shikues në sallë dhe përmes transmetimeve globale.

    Kosova do të jetë e përfaqësuar me gjashtë xhudistë elitarë, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga kombëtaret më të forta në arenën ndërkombëtare të xhudos.

    Ngjyrat e shtetit tonë do t’i mbrojnë Erza Muminoviq (-48 kg), Distria Krasniqi (-52 kg), Fatjona Kasapi (-52 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg).

    Vëmendja kryesore pritet të jetë te Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, emra të dëshmuar në skenën botërore, por edhe te gjenerata e re që po kërkon të bëjë hapin e madh në një garë të nivelit Grand Slam. Paris Grand Slam ofron pikë të rëndësishme për renditjen botërore dhe kualifikimet olimpike, duke e bërë çdo ndeshje vendimtare.

    Ekipi i Kosovës do të udhëhiqet nga Kryemjeshtri Driton Kuka, arkitekti i sukseseve historike të xhudos kosovare, së bashku me trajneren Majlinda Kelmendi. Kombinimi i përvojës, disiplinës dhe mentalitetit fitues mbetet arma kryesore e Kosovës në këtë arenë elitare.

    Paris Grand Slam 2026 është një tjetër test i madh për xhudistët tanë, por edhe një mundësi reale për medalje dhe afirmim të mëtejshëm të Kosovës në skenën botërore të sportit.

  • Ekspertët: Apple Watch duhet t’u jepet pacientëve me probleme të ritmit të zemrës

    Ekspertët: Apple Watch duhet t’u jepet pacientëve me probleme të ritmit të zemrës

    Ekspertët kërkojnë që orët inteligjente Apple të bëhen të disponueshme për pacientët e NHS me një çrregullim të zakonshëm të ritmit të zemrës.

    Kjo kërkesë vjen pas një studimi të rëndësishëm të publikuar javën e kaluar nga studiuesit e Spitalit Barts në Londër, i cili zbuloi se dhënia e orës pacientëve zvogëlon ndjeshëm shtrimet e paplanifikuara në spital, përmirëson cilësinë e jetës së pacientëve dhe kap më shumë ngjarje potencialisht fatale të zemrës sesa kujdesi standard.

    Studiuesit analizuan të dhënat e gati 200 pacientëve me fibrilacion atrial – një gjendje që shkakton rrahje të shpejta dhe jo të rregullta të zemrës, dhe mund të çojë në goditje në tru ose dështim të zemrës.

    Studimet e mëparshme tregojnë se deri në 50% e pacientëve të trajtuar për këtë gjendje mund të shfaqin simptoma përsëri. Aktualisht, pacientët monitorohen vetëm në tre, gjashtë dhe 12 muaj pas trajtimit dhe pastaj mund t’u ofrohet pajisje për të monitoruar zemrën për një periudhë 24-orëshe.

    Në këtë provë, pacientëve u dhanë Apple Watch për të monitoruar zemrën gjatë një viti pas trajtimit. Studiuesit gjetën se numri i vizitave të paplanifikuara në spital u përgjysmua për pacientët që përdornin orën.

    Gjithashtu, pacientët me pajisjen shfaqën nivele më të larta të simptomave të përsëritura, çka tregon se ora përmirëson kapjen dhe shpejtësinë e identifikimit të gjendjes. Kjo ndodh sepse pacientët mund të monitorojnë vetë gjendjen e tyre; mesatarisht, pacientët realizuan 170 ECG – regjistrime të aktivitetit elektrik të zemrës – gjatë periudhës njëvjeçare.

    Dr. Nikhil Ahluwalia, kardiolog në Spitalin Barts dhe autori kryesor i studimit, tha:

    “Duke i dhënë pacientëve fuqinë për të monitoruar gjendjen e tyre në shtëpi, ne kemi arritur të reduktojmë vizitat e paplanifikuara në spital dhe të kapim simptomat që përsëriten më shpejt.

    Me Apple Watch kaluam nga një ‘fotografi’ e shkurtër e zemrës në një ‘video’ gjatë gjithë vitit.

    Pa këtë pajisje, për të ofruar këtë nivel kujdesi do të duheshin procedura invazive për të implantuar një pajisje nën lëkurë.”

    Studiuesit shtojnë se një tjetër përfitim i përdorimit të orës si pjesë e kujdesit pas trajtimit është që ajo siguron qasje të barabartë në kujdes kardiologjik në të gjithë vendin.

    “Një pacientja nga Cornwall, para provës klinike, shtrihesh në spital çdo gjashtë javë,” thotë Dr. Ahluwalia.

    “Për këtë arsye ajo hoqi dorë nga stili i saj shumë aktiv i jetës dhe jetonte me frikën e rikthimit të simptomave. Në këtë provë, treguam se mund të menaxhonte gjendjen në shtëpi dhe të vendoste kur vizita në urgjencë ishte e nevojshme. Ajo u kthye në stilin e saj aktiv të jetës dhe menaxhoi gjendjen me ilaçe.”

    Ekipi i kërkuesve thotë se Apple Watch do të ishte një mjet ekonomik për NHS. “Çmimi i një pajisjeje është i krahasueshëm me një vlerësim të vetëm në spital,” thotë Dr. Ahluwalia. “Ka një arsye të fortë për ta futur në përdorim në NHS.”

    Të dhënat e fundit nga British Heart Foundation tregojnë se numri i njerëzve me fibrilacion atrial në Mbretërinë e Bashkuar është rritur 50% gjatë një dekade. Aktualisht rreth 1.5 milion njerëz – një në 45 – jetojnë me këtë gjendje.

  • Cila orë e ditës është më efektive kur bëhet kimioterapia

    Cila orë e ditës është më efektive kur bëhet kimioterapia

    Ora e ditës kur jepet kimioterapia mund të luajë një rol të rëndësishëm në efektivitetin e saj, sipas një studimi të ri klinik të pacientëve me kancer të mushkërive në fazë të avancuar. Gjetjet tregojnë se trajtimi që fillon më herët gjatë ditës konkretisht para orës 3 të pasdites shoqërohet me rezultate më të mira krahasuar me administrimin e tij më vonë.

    Studimi, një provë e fazës 3 e rastësishme që përfshin 210 pacientë, u botua në Nature Medicine dhe bazohet në të dhëna që tregojnë se ritmet cirkadiane, “ora biologjike” e brendshme e trupit, ndikojnë në funksionin e sistemit imunitar dhe përgjigjen e tij ndaj trajtimeve.

    Çfarë tregoi studimi?

    Studiuesit, të udhëhequr nga Yongchang Zhang, i ndanë pacientët me kancer të mushkërive me qeliza jo të vogla në fazë të avancuar – të cilët nuk kishin marrë ndonjë trajtim të mëparshëm në dy grupe. Grupi i parë mori imunokimioterapi para orës 15:00, ndërsa grupi i dytë e mori atë pas orës 15:00, për katër ciklet e para të trajtimit.

    Pas një ndjekjeje mesatare prej gati 29 muajsh, pacientët që morën trajtim më parë përjetuan:

    -pothuajse dyfishi i kohës pa përkeqësim të sëmundjes (11.3 muaj kundrejt 5.7),
    -mbijetesë më e gjatë e përgjithshme (28 muaj kundrejt 16.8),
    -shkallë më të larta përgjigjeje ndaj trajtimit (69.5% kundrejt 56.2%).

    Është e rëndësishme të theksohet se nuk u regjistruan ndryshime në ngjarjet anësore të lidhura me imunitetin, duke sugjeruar që përfitimi nuk shoqërohet me toksicitet të shtuar.

    Pse koha mund të ketë rëndësi

    Analiza të mëtejshme treguan se pacientët në grupin e mëngjesit kishin limfocite T CD8+ më aktive në gjakun e tyre – qeliza që janë çelësi i përgjigjes imune kundër kancerit. Ky zbulim përforcon idenë se sistemi imunitar reagon ndryshe ndaj trajtimit në varësi të kohës së ditës .

    Indikacione të ngjashme janë gjetur në të kaluarën nga studime retrospektive në forma të tjera të kancerit, por deri më tani të dhënat nga provat klinike të rastësishme kanë munguar.

    Kufizimet dhe hapat e mëtejshëm

    Vetë studiuesit theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të konfirmuar përfitimet afatgjata, si dhe për të hetuar mekanizmat e saktë biologjikë. Përveç kësaj, të gjithë pjesëmarrësit në studim ishin nga Kina, gjë që kufizon përgjithësueshmërinë e rezultateve.

    Nëse gjetjet konfirmohen në popullata të tjera, rregullimi i kohës së kimioterapisë mund të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe me kosto të ulët për të përmirësuar trajtimin e kancerit pa ndryshuar ilaçet ose protokollet e trajtimit. Një kujtesë se në mjekësi, nuk është vetëm ajo që jep që ka rëndësi, por edhe kur.

  • Alarm i rëndësishëm për përdoruesit e iPhone: Spyware i ri mund të vjedhë të dhëna pa asnjë klikim

    Alarm i rëndësishëm për përdoruesit e iPhone: Spyware i ri mund të vjedhë të dhëna pa asnjë klikim

    Apple ka paralajmëruar përdoruesit e iPhone se janë në rrezik nga “sulme spyware mercenare” që mund të vjedhin të dhëna pa asnjë klikim nga viktima, madje pa hapur ndonjë link të dyshimtë.

    Sipas kompanisë, rreziku vjen kryesisht nga përdoruesit që nuk kanë azhurnuar telefonët e tyre në versionin më të ri të sistemit iOS 26.

    Ky përditësim përmban përmirësime të avancuara të sigurisë që mbrojnë nga dobësitë që hakerët kanë përdorur në sulmet reale. Konkretisht, ata kanë shfrytëzuar dobësi të fshehura në pjesën e iPhone që menaxhon shfletimin në internet, të quajtur WebKit.

    WebKit është motori që përdoret nga Safari dhe aplikacione të tjera të iPhone. Dobësitë në versionet e vjetra të sistemit lejonin hakerët të ekzekutonin kod të dëmshëm vetëm duke e mashtruar telefonin për të hapur përmbajtje web të korruptuar.

    Ky lloj sulmi quhet “zero-click” (pa klikim) sepse nuk kërkon që viktimat të hapin email të dyshimtë ose të klikojnë ndonjë link keqdashës.

    Apple ka konfirmuar në faqet e saj të mbështetjes se këto dobësi janë shfrytëzuar në fushata spyware shumë të sofistikuara, kryesisht ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve.

    Por kompania paralajmëroi se këto sulme mercenare janë globale dhe të vazhdueshme, që do të thotë se rreth një miliard përdorues iPhone që nuk përdorin iOS 26 janë të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, përfshirë ato që nuk mund të parashikohen.

    Si të mbroheni: Apple rekomandon të shkarkoni versionin iOS 26 ose 26.2 dhe të rinisni menjëherë iPhone-in për të eleminuar ndonjë malware të fshehur. Lënia e telefonit me version të vjetër do të thotë që përdoruesit humbasin të gjitha përmirësimet e sigurisë, pasi Apple nuk ofron më azhurnime për versionet më të vjetra.

    Kjo përfshin edhe iOS 18, i cili u lançua në shtator 2024 dhe ishte përditësimi i fundit para iOS 26.

    Apple paralajmëroi: “Kostoja ekstreme, sofistikimi dhe natyra globale e sulmeve spyware mercenare i bëjnë ato disa nga kërcënimet më të avancuara dixhitale ekzistuese sot.”

    Kompania nuk ka zbuluar emra të grupeve të caktuara hakerësh, por theksoi se sulmuesit janë jashtëzakonisht mirëfinancuar dhe ndonjëherë i mashtrojnë viktimat duke u dërguar mesazhe të rreme që duken si njoftime urgjente nga Apple.

    Apple sqaron: “Njoftimet e kërcënimit nuk do t’ju kërkojnë kurrë të klikoni linke, të hapni skedarë, të instaloni aplikacione ose të jepni fjalëkalimin ose kodin e verifikimit të Apple Account tuaj.”

    Hakerët kanë shfrytëzuar dobësi të fshehura në sistemin iPhone, të njohura si zero-day exploits, që i lejon kriminelët të njohin dobësitë përpara se Apple të mund të japë një fix. Kjo u mundëson dërgimin e mesazheve ose linkeve të dizajnuara për të aktivizuar dobësinë automatikisht, pa pasur nevojë për klikim nga përdoruesi.

    Spyware instalohet në sfond, duke u dhënë hakerëve kontroll të plotë për të ekzekutuar komanda, për të fshehur aktivitetin dhe për t’u dukur si një aplikacion normal. Kjo u mundëson atyre të vjedhin mesazhe, email, foto, video, të regjistrojnë thirrje, fjalëkalime ose të dhëna lokacioni në kohë reale.

    Përditësimet iOS 26 dhe 26.2 fuqizojnë sigurinë e iPhone duke korrigjuar dobësitë e fshehura zero-day në WebKit dhe Kernel, si dhe duke rregulluar problemet me FaceTime, Messages, Photos, Apple App Store dhe Screen Time.

    Megjithatë, deri në janar 2026, vetëm 16% e përdoruesve të iPhone kanë shkarkuar ndonjë version të iOS 26, sipas Malwarebytes Labs.

    Apple gjithashtu thekson se telefonët më të vjetër se iPhone 11 nuk janë kompatibël me iOS 26, duke përfshirë modele si iPhone XR, XS, XS Max, X, 8 dhe më të vjetër.

  • Tronditet Greqia, oficeri i lartë i shiste Kinës të dhënat e NATO-s

    Tronditet Greqia, oficeri i lartë i shiste Kinës të dhënat e NATO-s

    Një skandal spiunazhi ka tronditur Forcat e Armatosura Greke, duke ngritur alarmin për sigurinë kombëtare dhe atë të NATO-s. Një oficer i lartë i Forcave Ajrore Greke, rreth 50 vjeç, u arrestua mëngjesin e sotëm brenda njësisë ku shërbente, i dyshuar për mbledhje dhe transmetim të informacioneve sekrete ushtarake tek një vend i tretë, konkretisht Kina.

    Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, oficeri kishte akses në plane të klasifikuara të NATO-s, të cilat konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare dhe aleancën euroatlantike. Burime pranë Shtabit të Përgjithshëm bëjnë me dije se ai po vepronte në emër të një shteti të huaj dhe u arrestua pak para se të dorëzonte një sasi të konsiderueshme të dhënash të ndjeshme.

    Oficeri shërbente në Grupin e 128-të të Trajnimit të Telekomunikacionit dhe Elektronikës të Forcave Ajrore, në zonën e Kavouri, një pozicion kyç që i garantonte akses të drejtpërdrejtë në informacione konfidenciale. Ai akuzohet për veprën e rëndë penale të “mbledhjes dhe transmetimit të informacioneve sekrete me rëndësi ushtarake tek palët e treta”, një shkelje e rëndë e Kodit Penal Ushtarak.

    Hetimet tregojnë se oficeri ishte vënë nën mbikëqyrje të rreptë nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Greke (NIS), në bashkëpunim me personel ushtarak të specializuar në kundërzbulim, për të paktën një muaj. Gjatë kësaj periudhe janë mbledhur prova të konsideruara shumë të forta, që çuan në ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.

  • Trazirë në Arabi: Ronaldo fiton 585 000 euro në ditë, por bojkoton ndeshjen e dytë radhazi tek Al Nassri

    Trazirë në Arabi: Ronaldo fiton 585 000 euro në ditë, por bojkoton ndeshjen e dytë radhazi tek Al Nassri

    Cristiano Ronaldo do të humbasë një ndeshje të dytë radhazi për Al Nassr, dhe gjithçka tregon se protesta e tij, gjoja, e heshtur, vazhdon.

    Ish-ylli i Manchester United, i cili festoi ditëlindjen e 41-të të enjten, nuk luajti në ndeshjen e fundit të klubit të tij, dhe sipas raportimeve nga Arabia Saudite, ai është i pakënaqur me mbështetjen që Al Nassr merr nga autoritetet saudite, veçanërisht krahasuar me disa nga rivalët e tij në Pro League.

    Kishte shpresa se portugezi do t’i kishte dhënë fund bojkotit pasi postoi një foto të tij duke u stërvitur në rrjetet sociale të mërkurën, por tani duket se ai do të humbasë edhe derbin e madh të premten kundër Al Ittihad, kampionëve aktualë, një ndeshje që konsiderohet vendimtare në garën për titull.

    Sipas informacionit të disponueshëm, Ronaldo fiton rreth 585,000 euro në ditë në Al Nassr, dhe klubi aktualisht është në vendin e dytë në tabelë, katër pikë pas liderëve Al Hilal.

    Ai thuhet se është veçanërisht i zemëruar për faktin se Al Hilal, rivali më i madh i ekipit të tij, solli Karim Benzeman nga Al Ittihad. Benzema shënoi një tregolësh në debutimin e tij për Al Hilal në një fitore 6-0 ndaj Al Akhdoud.

    Ronaldo beson se klubi i tij, i cili ende nuk e ka fituar titullin e ligës së Arabisë Saudite, nuk merr të njëjtin nivel mbështetjeje institucionale dhe financiare si Al Hilal dhe dy klubet e tjera në pronësi të fondit shtetëror të investimeve (PIF).

    Portugezi ka 18 muaj të mbetur në kontratën e tij, e cila përfshin një klauzolë lirimi prej rreth 50 milionë eurosh. Megjithatë, mbetet pyetja se sa klube do të ishin të gatshme të paguanin atë shumë për 41-vjeçarin, veçanërisht duke pasur parasysh pagën e tij të lartë.

    Edhe pse MLS lejon një numër të caktuar lojtarësh të shtrenjtë, shumica e klubeve do ta kishin të vështirë t’i afroheshin kërkesave financiare të Ronaldos. Gjithashtu, sipas burimeve pranë lojtarit, një rikthim te Manchester United është jashtë diskutimit.

    Liga Profesionale Saudite nuk pranoi të komentonte për rastin, megjithëse burimet thonë se zyrtarët janë të hutuar nga zhvillimet. Gjithashtu u theksua se transferimi i Benzemasë nuk u financua nga PIF, por nga një investitor privat, dhe se Al Nassr mund të ndjekë një model të ngjashëm nëse gjen mbështetjen e duhur.

    Qëndrimi i ligës është që fondet të shpërndahen në mënyrë të barabartë midis klubeve të PIF, dhe vlen të përmendet se Al Nassr ka shpenzuar tashmë rreth 117 milionë euro për përforcime këtë sezon.