ATV

Author: K.B.

  • Me 33 vota për miratohet buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2026

    Me 33 vota për miratohet buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2026

    Në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka kaluar buxheti për vitin fiskal 2026.

    Buxheti është miratuar me 33 vota për, 8 ishin kundër dhe abstenime nuk kishte. Buxheti është miratuar edhe me votat e PDK-së.

    Lëvizja Vetëvendosja paraprakisht deklaroi se nuk do ta votojë këtë buxhet.

    Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli tha se ky projektbuxhet është i orientuar në nevojat reale të qytetarëve. Ajo shpjegoi se buxheti është i ndarë në pesë kategori ekonomike: në kategorinë e pagave dhe mëditjeve janë 48.3 milionë euro, kategoria e mallrave dhe shërbimeve kap vlerën prej 32 milionë, shpenzimet e komunalive 3 milionë e gjysmë, subvencione dhe transfere 6.8 milionë dhe investimet kapitale 60 milionë e 800 mijë.

    “Ky buxhet është i orientuar tërësisht në nevojat reale të qytetarëve. Buxheti është i ndarë në pesë kategori ekonomike: në kategorinë e pagave dhe mëditjeve janë 48.3 milionë euro, kategoria e mallrave dhe shërbimeve kap vlerën prej 32 milionë shpenzimet e komunalive 3 milionë e gjysmë, subvencione dhe transfere 6.8 milionë dhe investimet kapitale 60 milionë e 800 mijë. Ky buxhet është i përcaktuar në versionin e transformimit te kryeqytetit. Ndër projektet më të mëdha që do të vazhdohen ose do të mbyllen në këtë vit fiskal është projekti i Xhorxh Bushit, rruga A, nënkalimi Agim Ramadani, Unaza e Brendshme, Ishulli Urban e të tjera”, tha ajo.

  • Lobi serb në SHBA sulmon Ramush Haradinajn: Duhet të jetë në burg, jo te Lutjet e Mëngjesit

    Lobi serb në SHBA sulmon Ramush Haradinajn: Duhet të jetë në burg, jo te Lutjet e Mëngjesit

    Prania e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Lutjet e Mëngjesit në SHBA ka irrituar lobin serb në këtë vend.

    Organizata lobuese serbe “Serbian National Defense”, me seli në Chicago, përmes një postimi publik në rrjetin social X ka sulmuar rëndë Haradinajn.

    Për rolin e Haradinajt në UÇK, organizata e etiketon atë me akuza të rënda dhe të pabaza, duke përmendur trafikim organesh e të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë në Shqipëri. Kjo organizatë madje i parashtroi një kërkesë institucioneve amerikane që Haradinaj të jetë në burg, e jo në lutjet e mëngjesit.

    Gjatë qëndrimit në Uashington, Haradinaj zhvilloi takime në Capitol Hill, ku mbajti edhe një fjalim në Kongresin Amerikan në kuadër të Forumit Ndërparlamentar të Sigurisë, ndërsa AAK tha se ai pritet të vazhdojë me takime në Pentagon.

  • PDK thotë se do ta votojë buxhetin e Prishtinës

    PDK thotë se do ta votojë buxhetin e Prishtinës

    Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të votojë pro buxhetin për vitin 2026 të Komunës së Prishtinës.

    Asambleisti i PDK’së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka thënë se do ta votojnë buxhetin me arsyen që të mos mbetet kjo “mollë sherri” mes partive dhe që kryeqyteti të mos bllokohet edhe për një vit në aspektin financiar.

    “PDK në Prishtinë ka me votu buxhetin. Por, ka me votu me arsyen e vetme që mos me mbetë buxheti mollë sherri mes dy subjekteve nesër në buxhetin e ri…me u blloku Prishtina edhe për një vit në aspektin financiar”, ka deklaruar Retkoceri në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.

    Ai tha se buxheti nuk është i vetëm një partie, teksa përmendi edhe limitet kohore.

    “Ne si PDK kemi kërku në vazhdimësi transparencë, dëgjime publike, planifikim më të mirë. Sot për në më të rëndësishme janë parimet për buxhetin, sesa kërkesat. Çështja e buxhetit ka hyrë në limitet kohore. Në momentin qëpo flasim, as niveli qendror s’ka buxhet. Nuk mundemi ne në këtë situatë kur dy forca politike për muaj të tërë janë përplase më veti, me vazhdu me marr pozicionim për buxhetin për inate politike”, shtoi Retkoceri.

    VV ndërkohë ka thënë se nuk e voton buxhetin.

  • Në Paris, gratë me stil s’e bëjnë kurrë këtë gabim kur vishen për një mbrëmje jashtë

    Në Paris, gratë me stil s’e bëjnë kurrë këtë gabim kur vishen për një mbrëmje jashtë

    Parizianet janë mjeshtre të veshjes për çdo rast, por askund nuk shkëlqen më shumë stili i tyre sesa gjatë një daljeje në mbrëmje.

    Ndryshe nga qytete si New York-u apo Los Angeles-i, ku një bar të shtunën në mbrëmje mund të të surprizojë me gjithçka, nga taka ekstreme te veshje shumë të guximshme, Parisi ndjek një tjetër filozofi.

    Atje, të dalësh në mbrëmje nuk do të thotë ta teprosh. Nuk ka nevojë për veshje shumë formale, funde shumë të shkurtra apo kombinime që bërtasin “po dal unë sonte”. Gratë elegante të Parisit zgjedhin të kundërtën: thjeshtësi, vetëbesim dhe një elegancë që duket krejt e pasforcuar.

    Një shembull perfekt i këtij stili ishte Margot Robbie, e cila u pa në Paris gjatë një mbrëmjeje me miqtë. Edhe pse ndodhej në qytet për premierën e filmit të ri, veshja e saj ishte larg madhështisë së tapetit të kuq. Dhe pikërisht kjo e bëri veshjen aq pariziene.

    Aktorja australiane kishte zgjedhur një bluzë të zezë me zinxhir të shkurtër dhe xhinse blu të çelëta me palë. Kombinimin e plotësoi me çizme të zeza deri te kyçi dhe një çantë të madhe Birkin. Asgjë e tepruar, asgjë që të binte menjëherë në sy. Një zgjedhje e qetë, e sigurt, që përshtatet në mënyrë perfekte me rrugët e Parisit.

    Kjo është pikërisht arsyeja pse funksionon: në Paris, një dalje në mbrëmje nuk është një event formal, por thjesht një vazhdim i ditës, një tjetër mundësi për të treguar stilin personal pa u përpjekur shumë.

    Si ta kopjosh këtë pamje

    Lajmi i mirë? Me shumë gjasa i ke të gjitha në dollapin tënd.

    – Zgjidh xhinse blu të çelëta me prerje të lirshme (edhe më mirë nëse mund t’i palosësh pak poshtë).

    – Shto një bluzë apo triko të zezë, sa më të thjeshtë.

    – Çizme të zeza deri te kyçi dhe një çantë e madhe lëkure janë mbyllja perfekte.

  • Fillon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Fillon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Ka nisur seanca e jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet dhe votohet buxheti për vitin 2026.

    Pika e vetme e rendit të ditës është propozim-vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2026.

    “Në bazë të nenit 44.4 te Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale “Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës” nr. 28/15, qershor 2008, e njoftojmë publikun se me datën 6.2.2026, në ora 10:00, në Sallën e madhe të mbledhjeve në Objektin e vjetër të Komunës, mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kryeqytetit, me një pikë të rendit të ditës: 1. Propozim-vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2026″, është bërë e ditur në njoftim.

    Buxheti më herët nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin Komunal, duke lënë Prishtinën pa buxhet të miratuar.

  • Pas këngës “Diss”, ish-menaxheri hedh akuza të rënda në drejtim të Mozzikut

    Pas këngës “Diss”, ish-menaxheri hedh akuza të rënda në drejtim të Mozzikut

    Kënga e re e Mozzikut “Diss”, përveç vetes, ka përfshirë edhe shumë personazhe të tjerë.

    Në mesin e tyre edhe ish-menaxherin e tij, Met Elshanin, në kohën kur ishte pjesë e “On Records”.

    “E ke pasur një menaxher s’po ia di emrin diçka Elshan, t’i merrke 70 për qind e ty t’u doke tamam”, thotë në një pjesë të projektit.

    E për këtë mori një reagim në rrjete sociale nga ish-menaxheri, i cili hodhi akuza të mëdha për të.

    Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

    “Është sinqerisht qesharake se si disa njerëz mund të jenë kaq mosrespektues dhe prapë të mendojnë se meritojnë ende një vend në jetën time.

    Mjaft me broçkulla. Gënjeshtrat e tua të kanë çuar pikërisht aty ku je tani.

    Çdo grimcë dhimbjeje mendore dhe fizike që ke pasur – dhe që ende ke – e ke shkaktuar vetë.

    Gënjeshtra, tradhti, luajtja e rolit të viktimës.

    E vërteta tashmë ka dalë në shesh. Madje e ke pranuar vetë.

    T’i vjedhësh kursimet e jetës një gruaje të moshuar dhe pastaj të përpiqesh t’ia hedhësh fajin ish-bashkëshortes?

    Ti dhe gruaja jote e dini shumë mirë çfarë keni bërë.

    E shtytë atë grua të moshuar drejt mendimeve vetëvrasëse dhe ende do të luash rolin e njeriut të mirë”.

  • Hamza: Rambujeja ishte momenti kur Kosova zgjodhi anën e drejtë të historisë

    Hamza: Rambujeja ishte momenti kur Kosova zgjodhi anën e drejtë të historisë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar sot 27-vjetorin e fillimit të Konferencës së Rambujesë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare në historinë moderne të Kosovës.

    Në një status të publikuar me këtë rast, Kryetari Hamza ka theksuar se në Rambuje Kosova për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten, duke u rreshtuar qartë në anën e paqes, lirisë dhe vlerave perëndimore, nën udhëheqjen e Hashim Thaçit.

    “Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Kryetari Hamza.

    Ai ka shtuar se kjo rrugë drejt lirisë dhe shtetndërtimit nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e heronjve dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.

    “Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit”, ka theksuar kreu i PDK-së.

    Në fund të reagimit të tij, Hamza ka nënvizuar se perspektiva euroatlantike e Kosovës lidhet ngushtë edhe me drejtësinë për ish-krerët e luftës që po mbahen në Hagë.

    “E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka përfunduar Kryetari Hamza.

  • KE: Kosova mbetet e kualifikuar për 882 milionë eurot, por kërkohet ratifikim i shpejtë

    KE: Kosova mbetet e kualifikuar për 882 milionë eurot, por kërkohet ratifikim i shpejtë

    Kosova ndodhet në pritje të përmbylljes së procesit paszgjedhor, hap ky i domosdoshëm për konstituimin e Kuvendit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që presin prej më shumë se një viti. Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes ka mbetur pa u votuar, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh. Aktualisht, sytë janë nga Gjykata Supreme, e cila po shqyrton gjashtë ankesa lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit; menjëherë pas vendimit të saj, pritet t’i hapet rrugë certifikimit të rezultateve që e çon Kosovën drejt formimit të institucioneve të reja.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, Komisioni Europian konfirmoi se, edhe pse Kosova është vonuar në ratifikim, ajo ende mbetet e kualifikuar për t’i përfituar fondet. “Kosova mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro financime në kuadër të Planit të Rritjes, subjekt i hyrjes në fuqi të marrëveshjeve që lidhen me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes, si dhe i përmbushjes së të gjitha kushteve të tjera për pagesë”- tha një zëdhënës i Komisionit.

    Komisioni Europian theksoi se për shkak të vonesës në formimin e institucioneve, marrëveshjet përkatëse nuk janë ende në fuqi. “Pa ratifikimin e këtyre marrëveshjeve, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesë për pagesë në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes”- shkruan në përgjigje.

    Poashtu, edhe njëherë potencuan se Kosova ishte ndër partnerët e parë të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e saj të Reformave, siç kërkohet nga Plani i Rritjes i BE-së, e cila u miratua nga Komisioni Evropian në tetor të vitit 2024.Ky institucion europian rikujtoi se Instrumenti i Reformës dhe Rritjes është një instrument me afat të kufizuar kohor, i miratuar për periudhën 2024-2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, për të mirën e popullatës së saj.

    Në kushte normale, deri tash Kosova do duhej t’i përfitonte 61 milionë eurot e para. Përndryshe, Kosova deri në vitin 2027 është paraparë që nga kjo paketë mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesën tjetër në formë kredie me kushte të favorshme. Plani i Rritjes nxit përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësim në BE, duke sjellë përpara disa nga përfitimet e tij përpara integrimit të plotë në BE. Kjo nga ana tjetër duhet të përshpejtojë ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre. Kjo paketë, vlen për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

  • Valdete Daka thotë se Vjosa Osmani “do shkatërrimin e KQZ’së”

    Valdete Daka thotë se Vjosa Osmani “do shkatërrimin e KQZ’së”

    sh-Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se shkarkimi i saj nga ana e Presidentes Vjosa Osmani “ka qenë cenim i rendit kushtetues”.

    Sipas Dakës, qëllimi ka qenë shkatërrimi i KQZ-së.

    “Natyrisht që tash ndoshta nga kjo perspektivë dhe nga krejt kjo që po ndodh këto ditë me KQZ-në dhe me zgjedhjet, sidomos me këto dy proceset e fundit, vërehet se cila ka qenë intenca e shkarkimit tim. Ajo ka qenë që KQZ-ja, thjesht ta them vrazhd të shkatërrohet”, tha ajo.

    Ajo thotë se askush nuk i di arsyet e shkarkimit të saj.

    “Në fakt askush nuk e di për çka jam shkarku. Ndoshta vetëm Presidentja e di atë dhe ata të cilët i kanë sugjeru shkarkimin tim. Dhe natyrisht që, është cenu edhe rendi kushtetues sepse KQZ-ja është organ i pavarur kushtetues dhe është prekur pavarësia e atij organi. Sepse një kryetar i KQZ-së mund të shkarkohet ashtu vetëm si e parasheh Kushtetuta dhe jo ashtu si jam shkarku unë”, ka deklaruar Daka për “VOX Kosova”.

    Daka ka thënë se marrëdhënia e saj me Osmanin ka qenë zyrtare dhe se me të ka diskutuar vetëm për zgjedhjet.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kishte shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më 14 qershor 2021.

    Ky vendim, erdhi me arsyetimin se kryesuesja e KQZ-së, Valdeta Daka, gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni.

  • Sa shpenzuan partitë politike për tre muaj? KQZ publikon shifrat

    Sa shpenzuan partitë politike për tre muaj? KQZ publikon shifrat

    Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar shpenzimet tremujore (tetor-dhjetor 2025) të subjeketeve politike sipas rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson listën e shpenzimeve, me rreth 1 milion e 263 mijë euro të shpenzuara gjatë kësaj periudhe tremujore.

    Ndërsa, në vend të dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka shpenzuar rreth 280 mijë e 822 euro.

     

     

    Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka raportuar shpenzime në vlerë prej rreth 224 mijë e 859 euro për periudhën tetor–dhjetor 2025.

    Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka raportuar shpenzime 70 mijë euro gjatë kësaj periudhe raportuese.

    KQZ ka bërë të ditur se publikimi i këtyre të dhënave bëhet në kuadër të transparencës dhe monitorimit të financimit të subjekteve politike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.