ATV

Author: K.B.

  • Donald Trump thotë se anëtarët e Bordit të Paqes i kanë premtuar 5 miliardë euro për rindërtimin e Gazës

    Donald Trump thotë se anëtarët e Bordit të Paqes i kanë premtuar 5 miliardë euro për rindërtimin e Gazës

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se shtetet anëtare të Bordit të Paqes në takimin e së enjtes në Uashington do ta shpallin njoftimin për donacione prej më shumë se 5 miliardë dollarësh për rindërtim dhe për përpjekjet humanitare në Gaza.

    Në një postim në Truth Social të dielën, Trump shkroi se shtetet anëtare kanë angazhuar gjithashtu mijëra personel për një forcë stabilizimi të autorizuar nga OKB-ja dhe policinë lokale në enklavën palestineze.

    Presidenti i SHBA-së tha se mbledhja e së enjtes, takimi i parë zyrtar i grupit, do të zhvillohet në Institutin e Paqes Donald J. Trump, të cilin Departamenti i Shtetit së fundmi e riemërtoi sipas presidentit. Pritet të marrin pjesë delegacione nga më shumë se 20 vende, përfshirë krerë shtetesh.

    Krijimi i bordit u mbështet nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si pjesë e planit të administratës Trump për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe grupit islamist palestinez Hamas në Gaza.

    Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për planin vitin e kaluar me një armëpushim që hyri zyrtarisht në fuqi në tetor, megjithëse të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën vazhdimisht për shkelje të armëpushimit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, më shumë se 590 palestinezë janë vrarë nga trupat izraelite në territor që nga fillimi i armëpushimit. Izraeli ka thënë se katër nga ushtarët e tij janë vrarë nga militantët palestinezë në të njëjtën periudhë.

  • Oraret dhe agjenda e autobusëve nga komunat për marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Oraret dhe agjenda e autobusëve nga komunat për marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    “ Liria ka Emër”, njofton oraret dhe vendet e nisjes së autobusëve nga komunat e Kosovës për pjesëmarrje në marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.

    Platforma “Liria ka Emër” thekson se ka koordinuar organizimin e transportit në bashkëpunim me përfaqësues lokalë, me qëllim që çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në marsh të ketë mundësi të sigurt dhe të organizuar për të udhëtuar drejt kryeqytetit.

    Agjenda për secilën komunë, përfshirë vendin e saktë të nisjes dhe orarin përkatës, është e paraqitur më poshtë (bashkëngjitur).

    Qytetarët ftohen që të jenë në vendin e nisjes së paku 15 minuta para orarit të caktuar.

  • Miratohet marrëveshja për milionat e Planit të Rritjes

    Miratohet marrëveshja për milionat e Planit të Rritjes

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar Planin e Rritjes me 104 vota për, asnjë kundër dhe 6 abstenim.

    Projektligjin e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, në foltoren e Kuvendit.

    “Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, i cili mund të them se është alokimi më i lartë në raport me bruto produktin vendor nga të gjitha shtetet, pa është rreth 8% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës. Kjo mbështetje financiare vjen në formën 1/3 si grant, ndërsa pjesa tjetër në formë të kredisë. Në këtë aspekt janë dy marrëveshje në kuadër të Planit të Rritjes dhe më pas në një pikë tjetër do të kemi edhe ratifikimin e kredisë”.

    Kosova ka mbetur e fundit në rajon në miratimin e Planit të Rritjes dhe fondet e saj kishin mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së gjatë të institucioneve të Kosovës.

    Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet europiane.

  • Besnik Tahiri e propozon veten për anëtar të pesë komisioneve, shpërthejnë të qeshurat në Kuvend

    Besnik Tahiri e propozon veten për anëtar të pesë komisioneve, shpërthejnë të qeshurat në Kuvend

    Një moment qesharak ka ndodhur gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

    Në sallë shpërthyen të qeshurat pasi Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, e propozoi veten për anëtar të pesë komisioneve.

    Komisionet në të cilat e propozoi veten janë:

    -Komisioni për të drejtat dhe interesin e komuniteteve dhe kthim

    -Komisioni për Legjislacion, Mandate Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundërkorrupsion

    -Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji

    -Komisioni për Ekonomi

    -Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike

    Për komisionet tjera u propozuan Albana Bytyqi, Time Kadriaj dhe Bekë Berisha.

  • Prezantohet droni i parë i prodhuar nga Ukraina dhe Gjermania bashkë

    Prezantohet droni i parë i prodhuar nga Ukraina dhe Gjermania bashkë

    Volodymyr Zelensky ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

    Përpara takimit të tij të mundshëm me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, presidenti i Ukrainës mori dronin e parë të prodhuar bashkërisht nga Ukraina dhe Gjermania në margjinat e këtij eventi, si pjesë e një sipërmarrjeje të re ushtarake midis dy vendeve.

    “Ukraina ka punuar prej kohësh për të hapur linja bashkëprodhimi në Evropë. Dhe sot – kjo linjë është funksionale. Së pari në Gjermani. Ky është një rezultat i vërtetë”, tha Zelensky.

    Ndryshe, shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka folur në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

    “Rusia po përparon në Ukrainë vetëm me ritmin e një kërmilli dhe po pëson humbje marramendëse ndërsa e bën këtë”, tha Rutte.

    “Gjatë viteve të ardhshme ne do të ndërtojmë gjithnjë e më shumë një NATO të udhëhequr më shumë nga Evropa, por në të njëjtën kohë me SHBA-në absolutisht të ankoruar në organizatë”, shtoi ai.

  • Supremja ua ndërpret paraburgimin 9 të dyshuarve për manipulim me vota, lirohet edhe djali i deputetit Nait Hasani

    Supremja ua ndërpret paraburgimin 9 të dyshuarve për manipulim me vota, lirohet edhe djali i deputetit Nait Hasani

    Gjykata Supreme ua ka ndërprerë masën e paraburgimit nëntë të dyshuarve për falsifikim të rezultateve të votimit në Prizren. Në mesin e të të liruarve është edhe Art Hasani, djali i deputetit të PDK’së, Nait Hasanit, i cili ishte arrestuar në një aksion të Prokurorisë së Prizrenit më 23 janar.

    Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Supremja ka bërë me dije se ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve në çështjen penale ndaj B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., dhe I.P., duke ndryshuar vendimet e shkallëve më të ulëta dhe duke ndërprerë masën e paraburgimit për të gjithë të pandehurit.

    “Të njëjtit janë liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në njoftim.

    Vendimi i Supremes vjen pas shqyrtimit të kërkesave të ushtruara kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe atij të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të cilat kishin caktuar dhe vërtetuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

    “Po ashtu, Gjykata Supreme, me aktgjykimin Pml.nr.95/2026, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit H.P., duke ia ndërprerë masën e paraburgimit, për veprën penale falsifikimi i rezultatit të votimit, dhe duke e liruar të njëjtin për t’u mbrojtur në liri.

    Gjykata Supreme, vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për ndërprerjen e masës së paraburgimit, duke garantuar respektimin e parimit të ligjshmërisë dhe të drejtave procedurale të të pandehurve”, thuhet në njoftim.

  • Munguan në seancën konstituive, Uran Ismaili dhe Afërdita Hajrizi betohen sot si deputetë

    Munguan në seancën konstituive, Uran Ismaili dhe Afërdita Hajrizi betohen sot si deputetë

    Dy deputetët që munguan në seancën konstituive, Uran Ismaili dhe Afërdita Hajrizi, kanë dhënë sot betimin e tyre.

    Teksti i betimit u lexua nga Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

    Kuvendi i Kosovës u konstitua të mërkurën, ku atë ditë betimin e dhanë të 118 deputetët që ishin në sallë.

    Pas konstituimit të Kuvendit, u thirr edhe seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re, ku me 66 vota u votua Kurti 3.

  • Me rreth 45 minuta vonesë, nis seanca për buxhetin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Me rreth 45 minuta vonesë, nis seanca për buxhetin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Me rreth 45 minuta vonesë, ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimin e parë të Projektbuxhetit për vitinn 2026.

    Seanca ishte paraparë të niste në orën 15:00, por që filloi në orën 15:40.

    Pika e parë e rendit të ditës është plotësimi i vendimit për përbërjen e komisioneve parlamentare.

    Pastaj do të shqyrtohen marrëveshjet ndërkombëtare, ku e para është ajo përmes së cilës hapet rruga për përfitimin e mjeteve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

    Pika e fundit është ajo për Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.

  • Kongresisti republikan Self: Besim jashtëzakonisht i fortë në udhëheqjen e Presidentes Osmani

    Kongresisti republikan Self: Besim jashtëzakonisht i fortë në udhëheqjen e Presidentes Osmani

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë mbështetje të fuqishme nga ana e Kryetarit të Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresisti republikan Keith Self.

    “Dua të nënvizoj besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kongresisti Self në letrën mbështetëse.

    Duke theksuar momentin vendimtar nëpër të cilin po kalon Kosova, ai ka dhënë mbështetje të plotë për vazhdimësinë e këtij vizioni të Presidentes duke potencuar se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.

    Në këtë mesazh të nivelit të lartë, rikonfirmohet qartë se nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë normat demokratike, parimet kushtetuese dhe sundimin e ligjit, elemente thelbësore për konsolidimin e shtetit dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar.

    Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj.

    Kjo mbështetje e qartë nga një prej figurave kyçe të politikës së jashtme në Kongresin amerikan përbën një konfirmim të fuqishëm të besimit në lidershipin e Presidentes Osmani dhe në drejtimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

  • ​Ish-luftëtari i lirisë proteston çdo ditë para BE-së: Drejtësi për çlirimtarët në Hagë

    ​Ish-luftëtari i lirisë proteston çdo ditë para BE-së: Drejtësi për çlirimtarët në Hagë

    Gjykimi i katër ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçit , Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale, veçanërisht pas kërkesës së Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burgim, po ngjall pakënaqësi ndër qytetarë dhe ish-bashkëluftëtarë të tyre në Kosovë.

    Veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku, po proteston i vetëm tek objekti i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë. Thotë se do të protestojë përditë deri në lirimin e krerëve të UÇK-së.

    Ai kërkon që faktori ndërkombëtar të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e quan gjykatë politike.

    “Kjo është një protestë e imja që po vazhdon çdo ditë deri në lirimin e çlirimtarëve në Hagë. Gjykata në Hagë është gjykatë kriminale, edhe gjykatë serbe… Këto aktakuza Serbia i ka ngritur në gjykatë. Drejtësi, jo politikë! Ne kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë që gjenden në Hagë të pafajshëm… Është e padrejtë, sepse këta janë çlirimtarë. Ne nuk kemi shkuar në Beograd të luftojmë, por ne e kemi mbrojtur Kosovën me çfarë kemi pasur mundësi: me aleatët tanë, me Amerikën, me shtetet e tjera, me Gjermaninë e të gjithë ata që na kanë ndihmuar. Domethënë, ne kemi qenë vullnetarë, ne nuk kemi shkuar në Beograd që të luftojmë… Ata duhet të lirohen sa më shpejt… Ata nuk kanë bërë krime dhe kërkoj lirimin e tyre sa më shpejt, sepse nëse prokuroria ka një qëllim, le ta dijë mirë që Ballkani nuk do të ketë rehati”, tha Pllashniku.