ATV

Author: K.B.

  • Hoti kritikon Qeverinë: Ligji për çmimet tavan s’është zgjidhje për inflacionin

    Hoti kritikon Qeverinë: Ligji për çmimet tavan s’është zgjidhje për inflacionin

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka renditur vërejtjet e FMN-së nga misioni dyjavor mbikëqyrës në Kosovë, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, që nuk po fokusohet në këto çështje, por po merret me ligjin për çmimet tavan.

    Sipas tij, kjo nuk është zgjidhje për problemin e inflacionit dhe se rritja e çmimeve nuk mund të kufizohet me ligje, transmeton Klankosova.tv

    “Në vend që qeveria e re të fokusohet në këto çështje që i ka ngritur FMN-ja, puna e parë që po bëjnë është përgatitja e ligjit për vendosjen e çmimeve tavan në produkte të caktuara.

    Kjo nuk është zgjidhja për problemin e inflacionit dhe rënien e fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve. Historia ka treguar shumë qartë se, përveç për produktet dhe shërbimet që ofrohen në tregje të monopolizuara, siç është energjia, uji, transporti hekurudhor e të ngjashme, rritja e çmimeve të mallrave të tjera nuk mund të kufizohet me ligje.” – ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, ekzekutivi nuk ka marrë asnjë masë të duhur në pesë vitet e qeverisjes, prandaj thotë që importi dhe inflacioni janë rritur sistematikisht.

    “Çmimet mund të mbahen të moderuara duke ulur kostot e prodhimit, kostot e transportit dhe tatimet mbi ato produkte.

    Mbi të gjitha, çmimet mund të mbahen të moderuara duke zbatuar politika industriale që mbështesin prodhuesit vendorë në prodhimin e atyre produkteve. Asnjëra nga këto masa nuk është ndërmarrë në pesë vitet e fundit; si rezultat, importi dhe inflacioni janë rritur në vazhdimësi.”

    Hoti po ashtu se nuk pret reflektim nga Qeveria Kurti.

  • 50 raste dhune në familje u trajtuan gjatë një jave nga Zyra për Ndihmë të Viktimave

    50 raste dhune në familje u trajtuan gjatë një jave nga Zyra për Ndihmë të Viktimave

    Gjatë javës së fundit, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar gjithsej 58 raste, ku pjesa më e madhe, 50 prej tyre, kanë qenë lidhur me dhunë në familje.

    Përveç kësaj, janë trajtuar edhe 3 raste dhunimi, 1 rast sulm seksual, 1 rast ngacmimi seksual, një tentativë vrasjeje, një rast bashkëjetese nën moshën 16 vjeç, dhe një rast shkelje e urdhrit të mbrojtjes (UM).

    Gjatë kësaj periudhe, janë parashtruar gjithsej 11 Kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje (KUM) në gjykatë dhe 10 Kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje Emergjente (KUME), përveç dy KUME-ve të përkohshëm dhe një kërkese për ndryshim të UM-së. Po ashtu, janë aprovuar 21 aktvendime, janë mbajtur 85 seanca gjyqësore dhe 16 seanca në prokurori, ndërsa viktimat kanë marrë gjithsej 71 këshilla juridike.

    Nga rastet e trajtuara janë dhënë 10 aktgjykime dënuese, 2 aktgjykime liruese dhe 1 aktgjykim refuzues. Për më tepër, Zyra ka përfaqësuar 3 raste në polici dhe ka bërë 8 referime në Qendrën për Punë Sociale, si dhe është pranuar një kërkesë për kompensim nga fondi i viktimave dhe një deklaratë mbi dëmin.

  • Artan Grubi është dërguar në burgun e Shuto Orizares

    Artan Grubi është dërguar në burgun e Shuto Orizares

    Artan Grubi, i cili u ndalua këtë mëngjes në pikën kufitare të Bllacës pasi vendosi të kthehej në vend, është transferuar në burun e Shuto Orizares, konfirmojnë nga MPB për “TV24”.

    Grubi u transferua në njësinë e paraburgimit në Shuto Orizares sepse iu dha dënimi me 30 ditë paraburgim në mungesë, ndërsa ishte në arrati.

    Prokuroria Publike në Shkup thotë se do të informojë shtesë se si do të vazhdojë me procedurën, përkatësisht kur do të paraqitet para prokurorit publik.

    Grubi, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajramin, dyshohet për përvetësim në Lotarinë Shtetërore për blerjen e aparateve VLT.

  • Arton Hoti, veterani i UÇK-së nderohet me çmimin “Ambasador i Paqes”

    Arton Hoti, veterani i UÇK-së nderohet me çmimin “Ambasador i Paqes”

    Invalidi i luftës, Arton Hoti është nderuar me çmimin “Ambasadori i Paqes” nga Federata Universale e Paqes në Shqipëri.

    Hoti, tha se këtë çmim e priti me shumë emocione.

    “Më kanë përzgjedhur, i falënderoj shumë. E çmoj shumë. Ky titull është i dedikuar për familjen time, për të gjithë dëshmorët, bashkëluftëtarët e mi që kanë rënë për lirinë e Kosovës, është i dedikuar për të gjithë ata invalidë dhe veteranë të UÇK-së”, tha Hoti në Klan Kosova.

    Nga ana tjetër, Hoti foli edhe për procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    “Edhe fëmijët tashmë e dinë se ata janë të pafajshëm. Shpresoj për gjykim të drejtë”, u shpreh veterani.

  • U shpall njeriu më i pasur i Italisë, por nuk e njeh thuajse askush

    U shpall njeriu më i pasur i Italisë, por nuk e njeh thuajse askush

    Andrea Pignataro është sot njeriu më i pasur në Itali, por mbetet një nga figurat më të rezervuara të financës evropiane.

    Sipas renditjes në kohë reale të Forbes, pasuria e tij ka arritur në 42.8 miliardë dollarë, duke lënë pas për herë të parë pas më shumë se katër vitesh Giovanni Ferrero, trashëgimtarin e perandorisë Ferrero.

    I lindur në Bolonjë në vitin 1970 dhe me rezidencë në St. Moritz, Pignataro është themeluesi i Ion Group-it, një gjigant global në fushën e softuerëve financiarë.

    I diplomuar për ekonomi në Bolonjë dhe me doktoraturë në matematikë në Imperial College London, ai e nisi karrierën si broker në Salomon Brothers, përpara se në vitin 1999 të krijonte Ion, kompani e specializuar në fintech dhe automatizimin e proceseve financiare.

    Sot, platformat e Ion përdoren nga banka qendrore, institucione financiare dhe korporata të mëdha ndërkombëtare. Kompania ka blerë dhjetëra biznese, përfshirë Dealogic dhe Fidessa, duke ndërtuar një perandori që operon kryesisht larg vëmendjes publike. Për këtë arsye, Pignataro shpesh quhet “Bloomberg-u italian”, në krahasim me Michael Bloomberg.

    Megjithëse jeton jashtë Italisë, ai ka investuar miliarda euro në ekonominë italiane vitet e fundit, duke blerë kompani si Cerved, Cedacri dhe Prelios. Emri i tij u përfshi edhe në një hetim fiskal në Itali, i cili u mbyll në vitin 2025 pas një marrëveshjeje me autoritetet tatimore dhe arkivimit të çështjes nga gjykata.

    Diskret, i apasionuar pas lundrimit me vela dhe investimeve afatgjata, Pignataro përfaqëson modelin e miliarderit modern që ndërton pasuri përmes algoritmeve dhe teknologjisë, larg dritave të skenës, por në qendër të financës globale.

  • Getoar Mjeku emërohet sërish zëvendësministër i Ekonomisë

    Getoar Mjeku emërohet sërish zëvendësministër i Ekonomisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Getoar Mjekun në pozitën e zëvendësministrit të parë të Ekonomisë., njofton Zyra e Kryeministrit.

    Emërimi i Mjekut u bë të premten me 20 shkurt.

    “Z. Mjeku e ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit të Ekonomisë edhe gjatë mandatit të kaluar.

    Kryeministri Kurti e uroi z. Mjeku për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të tij.”, thuhet në njoftim.

  • Këto pjesë në Mitrovicë mund të mbesin pa ujë përkohësisht sot

    Këto pjesë në Mitrovicë mund të mbesin pa ujë përkohësisht sot

    Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar për intervenime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, ku për pasojë furnizimi me ujë të pijshëm në disa zona mund të ndërpritet përkohësisht.

    Më poshtë i gjeni pjesët ku do të realizohen punimet.

    Punimet në rrjetin e ujësjellësit:

    Rr. “Mustaf Shyti”

    Rr. “Mehmet Selaci”

    Rr. “Ulqini”

    Fshati Lushtë

    Fshati Shipol

    Punimet në rrjetin e kanalizimit:

    Rr. “Kalabria”

    Rr. “Anke Spaiq”

    Rr. “Lugina e Diellit”

    Fshati Koshtovë.

  • Kopshti Zoologjik i Shkupit ndan përjetimet e Delfinës, histori tejet e ngjashme me majmunin Punch

    Kopshti Zoologjik i Shkupit ndan përjetimet e Delfinës, histori tejet e ngjashme me majmunin Punch

    Historia e Delfinës nga Kopshti Zoologjik i Shkupit na kujton majmunin Punch nga Japonia. Të dy u braktisën nga nëna e tyre dhe rritën me kujdesin e përkushtuar të stafit të kopshti zoologjik, i cili iu dha dashuri, siguri dhe lodra që i bënin të ndiheshin të mbrojtur.

    Nga Kopshti Zoologjik në Shkup njoftojnë se edhe Delfina u braktis nga nëna, dhe se tani mori një kukull lodër, njëjtë si majmuni Punch në Japoni. Shtojnë se Delfina tani po adaptohet me vëllain e saj Miki, ndërsa Punch u bë ylli i zoologjikut japonez. Të dy tregojnë fuqinë e kujdesit dhe dashurisë njerëzore për të ndryshuar jetën e kafshëve të braktisura.

    “Dhe Delfina jonë sot mori një lodër orangutan. A e mbani mend historinë e majmunit të vogël gibon që katër vite më parë u hodh nga nëna e tij dhe ra në liqen? Pas shpëtimit të jetës së saj, Delfina u rrit nga kujdestarja jonë e kafshëve, Zera, e cila i kushtoi gjithë kohën e saj të punës dhe të lirë 24/7 kësaj vogëlusheje të bukur. Tani, së bashku me vëllain e saj më të vogël, Miki, po adaptohen në jetën e pavarur, dhe Kopshti Zoologjik i Shkupit është një nga pak institucionet në botë që ka arritur t’i bashkojë dhe t’i adaptojë këta dy gibona. Shumë nga vizitorët tanë mbeten të mahnitur nga historia e këtyre dy giboneve të vogla, nga përkushtimi dhe sakrifica e Zeras, por edhe nga ndihma e të tjerëve që punojnë për kujdesin e këtyre majmunëve njerëzorë, dhe kështu kjo lodër është dhuratë nga një vizitore e rregullt e jonë. Sigurisht, Miki dhe Delfina gjatë kësaj periudhe kanë marrë rregullisht dhurata dhe lodra edhe nga ekipi ynë”, thonë nga Kopshti Zoologjik./TV21

  • Si bëhet nijeti për të agjëruar?

    Si bëhet nijeti për të agjëruar?

    Një ndër kushtet e rëndësishme të agjërimit është edhe nijeti, sepse agjërimi është adhurim, i cili për t’u llogaritur i saktë dhe i vlefshëm, duhet të ketë edhe nijetin (qëllimin).

    Për agjërimin e Ramazanit, nijeti mund të bëhet nga mbrëmja (akshami), por normalisht, më mirë është sikur të bëhet pas ngrënies së syfyrit. Mirëpo, në qoftë se një person nuk arrin të zgjohet në syfyr dhe dita ka zbardhur, ai ka të drejtë që nijetin ta bëjë deri në drekë, nëse nuk ka bërë ndonjë veprim që e prish agjërimin.

    Personi që nuk dëshiron të ngrihet në syfyr, nijetin duhet ta bëjë paraprakisht në mbrëmje dhe kështu nuk ka nevojë të zgjohet (në syfyr) vetëm sa për ta bërë nijetin. Edhe vetëm zgjimi për të ngrënë syfyr, është, në vete, nijet dhe konsiderohet i saktë dhe i mjaftueshëm.

    Nijeti i agjërimit vetëm me zemër është më se i mjaftueshëm, por, në qoftë se ai shoqërohet edhe me gjuhë, atëherë është edhe më i vlefshëm. Prandaj, agjëruesi është mirë ta bëjë nijetin edhe me zemër edhe me gjuhë, duke thënë: “Vendosa që ta agjëroj ditën e nesërme të Ramazanit.”, kur e bën nijet në mbrëmje, ndërsa nëse e bën në syfyr, imsak, atëherë thotë: “ditën e sotme”. Këtë e bën për çdo ditë të Ramazanit, por ka mundësi edhe në fillim të muajit të bekuar ta bëjë nijetin për tërë muajin e Ramazanit.

    Ndërkaq, për agjërimin e ditëve të mbetura të Ramazanit, të agjërimit kefaret, të prishur dhe atij të premtuar (i përcaktuar në kohë), për të gjitha këto nijeti bëhet natën, para se të kalojë koha e imsakut (periudhë e shkurtër kohe prej vetëm disa minutash, para se të fillojë agjërimi).

  • BAFTA Film Awards: ‘One Battle After Another’ triumfon me gjashtë çmime

    BAFTA Film Awards: ‘One Battle After Another’ triumfon me gjashtë çmime

    Filmi One Battle After Another ka dominuar ndarjen e çmimeve BAFTA Film Awards, duke fituar gjashtë trofe, përfshirë çmimin për filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë për Paul Thomas Anderson.

    Thrilleri me elemente komedie të zezë, që trajton historinë e një grupi revolucionarësh në përplasje me shtetin, u vlerësua gjithashtu për skenarin e adaptuar, kinematografinë, montazhin dhe për rolin dytësor të Sean Penn si oficer ushtarak.

    Në garë për çmimin kryesor ishin edhe Hamnet dhe Sinners. Ky i fundit, me 16 nominime për Oscar, fitoi çmimin për skenarin origjinal për Ryan Coogler, aktoren dytësore më të mirë për Wunmi Mosaku dhe kolonën zanore më të mirë.

    Çmimin për aktorin më të mirë e fitoi Robert Aramayo për rolin në filmin I Swear, duke lënë pas emra si Timothée Chalamet dhe Leonardo DiCaprio. Ndërsa Jessie Buckley u shpall aktorja më e mirë për interpretimin në Hamnet, nën regjinë e Chloe Zhao.

    Çmimi për dokumentarin më të mirë shkoi për Mr Nobody Against Putin, ndërsa në ceremoni morën pjesë si të ftuar nderi Prince William dhe Catherine, Princess of Wales.