ATV

Author: K.B.

  • Fjalimi i Trumpit do të mbahet mend në historinë e SHBA-së për një arsye – nata kur u thye rekordi i Clintonit

    Fjalimi i Trumpit do të mbahet mend në historinë e SHBA-së për një arsye – nata kur u thye rekordi i Clintonit

    Presidenti amerikan, Donald Trump mbajti të martën në mbrëmje, sipas kohës amerikane, një fjalim për “Gjendjen e Kombit” dhe rezultoi se ai ishte njëkohësisht edhe fjalimi më i gjatë në historinë e SHBA-së.

    Fjalimi i Trumpit të martën zgjati rreth 1 orë e 48 minuta, duke e bërë atë fjalimin më të gjatë para Kongresit në të paktën 60 vitet e fundit.

    Me këtë ai theu rekordin që e kishte vendosur vetë vitin e kaluar, kur foli për 1 orë e 39 minuta në atë që teknikisht nuk ishte fjalim për Gjendjen e Kombit. Para kësaj, rekordin e mbante ish-presidenti Bill Clinton për fjalimin e tij mbi Gjendjen e Kombit në vitin 2000, i cili zgjati 1 orë e 28 minuta.

    Fjalimi më i shkurtër në 60 vitet e fundit ishte ai i ish-presidentit, Richard Nixon për Gjendjen e Kombit në vitin 1972, i cili zgjati vetëm 28 minuta.

    Kohëzgjatja e fjalimit përfshinte pauza të gjata për duartrokitje, ndërprerje, përshëndetje të të ftuarve dhe brohoritje për përfaqësuesen amerikane të hokejit në akull për meshkuj, fituese e medaljes së artë olimpike.

    Fjalimi për Gjendjen e Kombit i jep presidentit mundësinë të vendosë ose të riorganizojë agjendën kombëtare, ndërsa ai i Trumpit vjen në një moment kur shumica e amerikanëve thonë se vendi është në gjendje më të keqe sesa ishte një vit më parë, sipas sondazhit më të fundit nga NPR/PBS News/Marist College.

    Fjalimi televiziv para Kongresit në orarin kryesor, i dyti i tij brenda 13 muajve nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, i ofroi Trumpit mundësinë të bindë votuesit që të mbajnë kolegët e tij republikanë në pushtet.

    Sondazhi i Reuters/Ipsos tregoi se gjashtë nga dhjetë amerikanë, përfshirë 30 për qind të republikanëve, mendojnë se Trump (79) është bërë i paparashikueshëm me kalimin e moshës. Vetëm 40 për qind e të anketuarve e miratojnë performancën e tij në detyrë, krahasuar me 58 për qind që nuk e miratojnë.

  • Hill: Nuk kam njohuri për ndonjë krim të kryer nga Hashim Thaçi

    Hill: Nuk kam njohuri për ndonjë krim të kryer nga Hashim Thaçi

    Ambasadori amerikan Christopher Hill ka folur për UÇK-në, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, duke sqaruar rolin e tij në këtë çështje.

    Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, Hill tha se prokuroria kishte për qëllim të vërtetonte përgjegjësinë komanduese të Thaçit dhe të lidhte atë me çdo krim të mundshëm të kryer gjatë konfliktit në Kosovë.

    “Ashnjëherë nuk pashë një shembull të tillë. Nuk jam në dijeni të asnjë rasti konkret kundër Thaçit. Prandaj ndjeva se duhej të shkoja në Hagë dhe të rrëfeja atë që dija. Ju them qartë, nuk kam njohuri për asnjë krim të kryer nga z. Thaçi, dhe për këtë shkova”, tha ambasadori

    Deklarata e Hill vjen ndërsa vazhdon procesi gjyqësor në Hagë, duke ngjallur interes dhe debate për përgjegjësinë e udhëheqësve politikë gjatë luftës në Kosovë.

  • Shqipëria formalizon angazhimin në Bordin e Paqes, ua dërgon amerikanëve dokumentin që vërteton ratifikimin e marrëveshjes

    Shqipëria formalizon angazhimin në Bordin e Paqes, ua dërgon amerikanëve dokumentin që vërteton ratifikimin e marrëveshjes

    Shqipëria ka depozituar pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dokumentin zyrtar që vërteton ratifikimin e “Marrëveshjes për pranimin e Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes”.

    Bëhet fjalë për Instrumentin e Ratifikimit, i cili përbën aktin formal që dëshmon se procedurat kushtetuese në vend janë përmbyllur dhe se marrëveshja ka marrë fuqi të plotë juridike nga pala shqiptare.

    Ambasada e Shqipërisë në SHBA, ka publikuar edhe dokumentin e ratifikimit, të nënshkruar nga Ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme, Elisa Spiropali.

    Sipas njoftimit, depozitimi i këtij dokumenti pranë autoriteteve amerikane shënon finalizimin e angazhimit të ndërmarrë nga Shqipëria në këtë iniciativë, duke konsoliduar rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    “Ky hap formalizon përfundimisht angazhimin tonë në këtë iniciativë të rëndësishme dhe përfaqëson një tjetër moment domethënës në thellimin e rolit të Shqipërisë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”

    Autoritetet shqiptare e konsiderojnë këtë hap si një moment domethënës në forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në thellimin e angazhimit të vendit në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

  • 1 milion euro në veturë, kontrolli në kufi dhe arrestimi i të dyshuarve – gjithçka nga rasti i shpëlarjes së parave

    1 milion euro në veturë, kontrolli në kufi dhe arrestimi i të dyshuarve – gjithçka nga rasti i shpëlarjes së parave

    Një milion euro në veturë dhe të padeklaruara në kufi, ku i përfshirë ishte edhe një polic i Shqipërisë u zbuluan të martën nga Dogana e Kosovës.

    Rasti u zbulua në pikëkalimin kufitar “Merdar”, gjatë një kontrolli të detajuar të kryer nga zyrtarët doganorë.

    Sipas njoftimit zyrtar, automjeti ishte selektuar për kontroll në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.

    Dogana bëri të ditur se automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacione për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.

    “Pas indikacioneve të para nga skaneri, është kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, thuhet në njoftim.

    Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.

    Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro.

    Dogana e Kosovës theksoi se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare.

    Një milion euro në automjet, tre persona ndalohen për 48 orë – dyshohen për “Shpëlarje parash”

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), tre persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”.

    Të dyshuarit, Ardit Laska, polic në radhët e Policisë së Shtetit në Shqipëri, Ahmet Kaziu dhe Etnik Ahmaxhokaj, janë ndaluar gjatë një kontrolli të kryer në pikëkalimin kufitar Merdar, në kuadër të një operacioni të përbashkët të Policisë dhe Doganës së Kosovës.

    Automjeti i dyshuar është ndaluar gjatë hyrjes në Kosovë, dhe brenda tij janë gjetur dhe sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash.

    Edhe nga Prokuroria Speciale thonë se sipas vlerësimeve fillestare, shuma e dyshuar arrin në rreth një milion euro.

    Prokuroria po punon ngushtë me Policinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, duke respektuar procedurat në fuqi.

    Hetimet e mëtejshme pritet të zbulojnë origjinën e parave dhe rrjetin e mundshëm të përfshirjes në veprimtari kriminale.

  • S’ka armë bërthamore, ministri i Iranit thotë se marrëveshja me ShBA-në është e arritshme

    S’ka armë bërthamore, ministri i Iranit thotë se marrëveshja me ShBA-në është e arritshme

    Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se një marrëveshje me ShBA-në për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit është brenda arritjes, përpara raundit të ri të bisedimeve që pritet të mbahet në Gjenevë.

    Araghchi theksoi se Irani në asnjë rrethanë nuk do të zhvillojë armë bërthamore, por kërkon të drejtën për teknologji bërthamore paqësore, raport0n AlJazeera.

    Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në fjalimin e tij në Uashington se preferon zgjidhjen diplomatike, por paralajmëroi se nuk do të lejojë Iranin të sigurojë armë bërthamore.

    Ai akuzoi Teheranin se po përpiqet të rindërtojë programin e tij pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025.

    Zhvillimet diplomatike vijnë në një kohë kur SHBA ka shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa Garda Revolucionare e Iranit ka zhvilluar stërvitje ushtarake në jug të vendit.

    Pavarësisht tensioneve, të dyja palët kanë lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje, ndërsa situata mbetet e brishtë si në planin rajonal ashtu edhe në atë të brendshëm në Iran.

  • Komandanti i KFOR-it: Nuk ka vendim për reduktim të trupave amerikane në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it: Nuk ka vendim për reduktim të trupave amerikane në Kosovë

    Komandanti i forcës paqeruajtëse KFOR, gjeneral majori Özkan Ulutaş, ka bërë të qartë se NATO nuk ka marrë vendim për të reduktuar trupat amerikane në Kosovë dhe do të ruajë praninë e saj të përhershme në pjesën veriore të vendit.

    Në një intervistë për RTV21, gjenerali Ulutaş ka theksuar se KFOR vazhdon të kërkojë llogaridhënie për sulmet ndaj forcave paqeruajtëse në Banjskë në vitin 2023, duke insistuar që kryerësit e sulmeve të përballen me drejtësinë.

    Ai shtoi se KFOR nuk ka qenë i përfshirë në asnjë negociatë të pretenduar për largimin e sulmuesve dhe se misioni i tij ka qenë rivendosja e sigurisë në zonë.

    Gjeneral Ulutaş tha se situata në veri të Kosovës mbetet stabile, por e brishtë, duke përmendur zbulimin e armëve dhe municioneve si shkak për vigjilencë të vazhdueshme.

    Tutje theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës mund të kryejë misione në veri vetëm me lejen e komandantit të KFOR-it dhe se prania e forcave paqeruajtëse mbi urën kryesore në lumin Ibër do të vazhdojë, me patrullime të rregullta në zonë.

    Gjenerali gjithashtu përmendi mbështetjen e NATO-s ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve.

    Ai mohoi spekulimet për reduktim të trupave amerikane, duke theksuar se aktualisht nuk ka ndryshime të rëndësishme në përbërjen e KFOR-it.

    Gjeneral Ulutaş ripërsëriti se SHBA-ja, me rreth 600 trupa në mision, vazhdon të luajë rol kryesor në sigurimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit rajonal, përfshirë koordinimin me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    Në përfundim, komandanti i KFOR-it nënvizoi se misioni i NATO-s mbetet i përqendruar në sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbështet dialogun politik si rrugë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

  • Kryediplomatja shqiptare viziton sot Kosovën, pritet nga krerët e shtetit

    Kryediplomatja shqiptare viziton sot Kosovën, pritet nga krerët e shtetit

    Ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me krerët më të lartë të institucioneve shtetërore.

    Vizita nis në orën 10:00 me një takim me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë. Pas përfundimit të takimit, palët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

    Më pas, në orën 12:00, ministrja Spiropali do të pritet në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në kabinetin e kryetares.

    Në vazhdim të agjendës, në orën 12:30, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do ta presë ministren shqiptare.

    Kjo vizitë pritet të thellojë më tej bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, me fokus në koordinimin e politikës së jashtme, proceset integruese evropiane dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

  • Mblidhet KQZ-ja, pritet të ndahen qindra-mijëra euro për partitë parlamentare

    Mblidhet KQZ-ja, pritet të ndahen qindra-mijëra euro për partitë parlamentare

    Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite do të jetë shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

    Në mbledhjet e kaluara, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, ndarja e këtyre mjeteve ishte bërë problem në këtë institucion, pasi që pjesë e vendimit për përfitim të qindra-mijëra eurove ishte edhe Lista Serbe.

    Në pikat tjera të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i rekomandimeve nga mësimet e nxëna për zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet parlamentare 2025.

  • OVL-UÇK mban sot konferencë për media

    OVL-UÇK mban sot konferencë për media

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirru për sot një konferencë për media.

    Sipas njoftimi, konferenca do të mbahet të mërkurën prej orës 11:00, në zyrat e OVL UÇK-së në Prishtinë.

    Kjo organizatë ka bojkotuar pjesëmarrjen në Këshillin Organizativ për Epopenë e UÇK-së

    Në Këshillin Shtetëror për 28 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, i mbajtur të martën, është propozuar që të enjten në mbledhjen e radhës t’u dërgohet edhe një ftesë shoqatave të dala nga lufta, pasi që është ngritur si çështje nga nënkryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

    Rreth kësaj ftese të dytë për OVL-UÇK-në, nënkryetari i saj, Gazmend Syla tha për KosovaPress se nuk do të marrin pjesë për shkak se qasja që kanë pasur, nuk ka lënë rrugë për bashkëpunim.

  • Mot kryesisht me diell sot

    Mot kryesisht me diell sot

    Ditën e mërkurë në vend parashihet të mbretëroj mot më stabil, me intervale më të shpesha dhe më të gjata me diell.

    Pasdite priten zhvillime të vransirave lokale, por se nuk paraqiten mundësi për të reshura. Temperaturat minimale në mëngjes zbresin në -1C e 2C, derisa ato maksimale shkojnë deri në 10C e 12C.

    Frynë erë veriperëndimore e lehtë dhe mesatare 3-8m/s.

    Mot kryesisht me kthjellime e diell parashihet ditëve vijuese, përgjatë së enjtes dhe nga fundjava. Temperaturat minimale zbresin në 0C e -1C, derisa maksimalet shkojnë deri në 9C e 10C, të enjten, e më pas shënojnë rritje deri në 13C e 15C, deri në fundjavë.

    Ditën e diel kalojnë më shpesh vransira, por ende nuk priten mundësi për të reshura. Të enjten frynë erë verilindore, e lehtë dhe mesatare 3-8m/s. Nga dita e premtë frynë erë kryesisht jugore e jugperëndimore.