ATV

Author: K.B.

  • Pas 28 vjetësh burg në Gjermani, krimineli serb i luftës do të gjykohet edhe në Bosnje

    Pas 28 vjetësh burg në Gjermani, krimineli serb i luftës do të gjykohet edhe në Bosnje

    Pas 28 vjetësh burg në Gjermani, krimineli serb i luftës do të gjykohet edhe në Bosnje
    I dënuari nga Haga, serbi nga Bosnja dhe Hercegovina, Dragoljub Kunarac, është dorëzuar para autoriteteve të Bosnjë e Hercegovinës, ku do të gjykohet sërish për krime lufte ndaj civilëve boshnjakë në Bosnjën Lindore, pasi sapo ka përfunduar dënimin që i ishte shqiptuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal.

    Ai ka vuajtur dënimin prej 28 vjetësh burg në Gjermani për disa raste të përdhunimeve në vitin 1992, të cilat i kishte dënuar Tribunali i Hagës.

    Kunarac do të përballet me gjykim para organeve të drejtësisë së BeH për akuza të reja lidhur me krime lufte të kryera në pjesën lindore të vendit. Prokuroria e BeH e akuzon Kunaracin për krime lufte të kryera në vitin 1992 në rajonin e Foçës, duke përfshirë vrasjen e të paktën gjashtë civilëve të kombësisë boshnjake, për të cilat nuk ka përgjigjur para Tribunalit të Hagës.

    Ai gjithashtu akuzohet për tortura, deportim të civilëve boshnjakë dhe shkatërrim prone, përfshirë djegien e shtëpive, shkruan index.hr.

    Krimet u kryen si pjesë e persekutimit dhe pastrimit etnik të popullsisë boshnjake dhe Kunarac ishte komandant i njësisë speciale “Zhaga” të Ushtrisë së Republikës Serbe.

    Kunarac, në fakt, ishte dënuar në vitin 2002 para Tribunalit të Hagës me 28 vjet burg për krimet e kryera në Foçë në vitin 1992, kur si komandant i njësisë speciale të Ushtrisë së Republikës Serbe mori pjesë në shumë krime ndaj popullsisë civile boshnjake. Kunarac u bë i pari i akuzuari i dënuar nga Tribunali i Hagës për përdhunim dhe torturim të grave boshnjake.

    Përveç përdhunimit, Kunarac ishte përgjegjës edhe për krime të tjera në Foçë, duke përfshirë djegien e shtëpive dhe pronave, si dhe deportimin e popullsisë boshnjake.

    Sipas aktakuzës, njësia e tij ishte kyçe në kryerjen e veprimeve kriminale në këtë rajon, dhe shumë viktima ishin civilë që u torturuan, përdhunuan dhe u vranë në mënyrë brutale.

  • Sa shpesh duhet t’i lani xhinset?

    Sa shpesh duhet t’i lani xhinset?

    Ndërsa disa rroba duhet të lahen patjetër pas një përdorimi, disa të tjera mund të vishen disa herë para se të futen në shportën e rrobave — dhe kjo zakonisht vlen për xhinset.

    Megjithatë, edhe pse nuk i lani çdo ditë, pyetja se sa shpesh duhen larë xhinset mbetet dilemë për shumë njerëz.

    Për të gjetur një përgjigje, u realizua një sondazh në Instagram. Nga 6,575 persona që morën pjesë:

    57% i lajnë xhinset pas çdo dy ose tre veshjesh;

    29% i lajnë vetëm kur është e domosdoshme;

    13% i lajnë pas çdo veshjeje;

    2% nuk i lajnë kurrë.

    Megjithëse është një temë që ndan mendimet, ekspertët thonë se ekziston një rregull i përgjithshëm për të vendosur sa shpesh duhet larë xhinset.

    Sa shpesh duhen larë xhinset?

    Në përgjithësi, rekomandohet që xhinset të lahen rreth çdo 10 veshjesh.

    “Shumica e njerëzve i lajnë xhinset shumë shpesh — në fakt, mjafton t’i lani çdo nëntë ose dhjetë veshje, përveç rasteve kur janë dukshëm të pista,” thotë Patric Richardson, themelues i The Laundry Evangelist. “Larja e shpeshtë i dëmton fibrat përmes fërkimit.”

    Kjo mund të shkaktojë zbehjen e ngjyrës dhe konsumimin e parakohshëm të materialit.

    Kur duhet t’i lani më shpesh?

    Në kushte ideale, xhinset do të laheshin vetëm pas disa përdorimesh. Por disa faktorë kërkojnë larje më të shpeshtë.

    “Nëse i përdorni xhinset për punë të rënda, ose nëse i vishni shpesh në mot të ngrohtë dhe me lagështi, ka të ngjarë t’ju duhet t’i lani më shpesh,” thotë Morgan LaLonde, menaxhere marke për lavanderinë në Whirlpool.

    Gjithashtu, xhinset duhet të lahen menjëherë sapo të vini re njolla apo papastërti.

    Sa shpesh duhet larë xhinset e papërpunuara (raw denim)?

    Xhinsi i papërpunuar është ai që nuk ka kaluar procese paraprake larjeje apo tkurrjeje gjatë prodhimit. Nëse keni xhinse të tilla, duhet t’i lani vetëm kur është absolutisht e nevojshme.

    “ Kjo i jep mundësi materialit të fortë të përshtatet me trupin tuaj (gjë që nuk ndodh me xhinset e trajtuara artificialisht) dhe të fillojë të krijojë një patinë natyrale,” thotë Tony Patella, bashkëthemelues i Tellason.

    “Aspak nuk i laj për katër deri në gjashtë muajt e parë, pastaj i laj çdo disa muaj pas kësaj.”

    A duhet t’i fusni xhinset në ngrirje?

    Disa njerëz zgjedhin t’i fusin xhinset në frigorifer në vend që t’i lajnë, me idenë se temperaturat e ulëta do të vrasin bakteret dhe aromat e pakëndshme. Megjithatë, sipas Richardson, ngrirësit shtëpiakë nuk janë mjaftueshëm të ftohtë për ta bërë këtë efektivisht.

    Për më tepër, është jo higjienike të mbani xhinse të pista pranë ushqimeve dhe pijeve.

    Si të zgjasni jetën e xhinseve?

    Moslarja e shpeshtë është mënyra më e mirë për të ruajtur cilësinë e xhinseve, por ka edhe disa këshilla të tjera të rëndësishme:

    Shmangni përdorimin e ujit të nxehtë gjatë larjes për të ruajtur ngjyrën dhe formën;

    Sigurohuni që të gjitha kopsat dhe zinxhirët të jenë të mbyllur për të shmangur dëmtimin;

    Lajini xhinset nga ana e brendshme (kthyer përmbys);

    Ndiqni gjithmonë udhëzimet e larjes në etiketën e produktit, pasi jo të gjitha xhinset janë njësoj.

    Duke ndjekur këto këshilla, xhinset tuaja do të zgjasin më shumë dhe do të ruajnë pamjen e tyre për një kohë më të gjatë.

  • Prisheni agjërimin me hurma, OBSH jep këshilla se si të shmangni urthin në iftar

    Prisheni agjërimin me hurma, OBSH jep këshilla se si të shmangni urthin në iftar

    Ramazani është një muaj i shenjtë gjatë të cilit njerëzit agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, dhe një ditë e gjatë pa ushqim apo ujë mund t’ju bëjë natyrshëm shumë të uritur në iftar.

    Për sa i përket agjërimit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ndarë disa këshilla të thjeshta, për ata që agjërojnë, dhe në veçanti se si ta shmangni urthin gjatë iftarit.

    Përmes një postimi në Instagram, ata renditen këto këshilla, të cilat do të mund t’ju ndihmojnë.

    -Prisheni agjërimin me ushqime që treten lehtë, si hurmat, dhe më pas bëni një pushim prej 10 minutash.

    -Mos e teproni me ushqimin;

    Shmangni ushqimet e skuqura thellë, me shumë vaj dhe me yndyrë, pasi mund të shkaktojnë refluks acid dhe simptoma të tretjes së keqe.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by World Health Organization (@who)

  • Pas Iftarit, Eman Rrahmani përsërit qëndrimin e tij për Kodin Civil!

    Pas Iftarit, Eman Rrahmani përsërit qëndrimin e tij për Kodin Civil!

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka deklaruar se është pranuar agjenda legjislative nga Qeveria, ku mes të tjerash parashihet të votohet projekt kodi civil, projektligji për gjendjen civile, si dhe ai për shëndetin riprodhues.

    “ Këto janë ligjet që ua kthyem mbrapsht në legjislaturën e kaluar.

    Sot, po rikthehen sërish në agjendën legjislative të vitit 2026.

    Pra, prioritet kryesor i Qeverisë Kurti III për vitin 2026 janë pikërisht ligjet që u kundërshtuan më parë dhe që nuk kaluan në Kuvend” shkroi Rrahmani.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    Kodi Civil!

    Si deputetë, sot kemi pranuar Agjendën Legjislative nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

    Këto janë prioritetet e Qeverisë Kurti III për vitin 2026:

    1. Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës, ku parashihet martesa burrë me burrë dhe grua me grua, pritet të vijë në Kuvend për votim më 30.10.2026.

    2. Projektligji për Gjendjen Civile, ku parashihet ndryshimi i gjinisë çdo 10 vjet – pra 10 vjet bëhesh grua, 10 vjet bëhesh burrë dhe kështu me radhë – pritet të vijë në Kuvend për votim më 30.06.2026.

    3. Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, ku parashihet që gratë të lindin pa burra dhe këtyre fëmijëve t’u ndalohet të dinë kë e kanë baba, pritet të vijë në Kuvend për votim më 01.10.2026.

    Këto janë ligjet që ua kthyem mbrapsht në legjislaturën e kaluar.

    Sot, po rikthehen sërish në agjendën legjislative të vitit 2026.

    Pra, prioritet kryesor i Qeverisë Kurti III për vitin 2026 janë pikërisht ligjet që u kundërshtuan më parë dhe që nuk kaluan në Kuvend.

  • Driton Kuka çuditet me pagat e basketbollistëve në Kosovë, ka një mesazh për këtë situatë

    Driton Kuka çuditet me pagat e basketbollistëve në Kosovë, ka një mesazh për këtë situatë

    Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot (e martë) gjatë ditës, drejtuesit e klubit të basketbollit Sigal Prishtina, folën për problemet nëpër të cilat po kalon klubi prishtinas.

    Ndër të tjerash drejtori i klubit Luan Maloku, konfirmoi se sezonin e kaluar basketbollisti amerikan Jordan Davis, kishte marrë pagë prej 25 mijë eurosh.

    Këto shifra kanë tronditur opinonin sportiv në Kosovë, ku tashmë nuk kanë munguar as reagimet nga figurat e njohura publike.

    Njëri ndër personat që reagoi ishte edhe trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, i cili mbeti i befasuar nga këto shifra të publikuara.

    “A është kjo e vërtetë, miq? Nëse po, këto janë para të taksapaguesve tanë. Diku po kërkoni qime në vezë, ndërsa kjo qenka e lejuar”, ka shkruar Kuka në statusin e tij në Facebook.

  • “I mëshoi thikë pas shpine”, dëshmitari tregon çfarë pa ditën kur ndodhi vrasja në Zllakuqan

    “I mëshoi thikë pas shpine”, dëshmitari tregon çfarë pa ditën kur ndodhi vrasja në Zllakuqan

    Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Skender Krasniqi për vrasjen e F.Z., u dëgjua dëshmitari Ilir Zani, i cili tha se nuk kishin probleme me të akuzuarin, ndërkaq tregoi se si kishte ndodhur ngjarja në ditën kritike.

    Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Menduhi Kastrati, dëshmitari deklaroi se kishte qenë bashkë me tani të ndjerin kur kishte ndodhur ngjarja.

    Sipas Zanit, me tani të ndjerin kishin shkuar tek shtëpia e të akuzuarit për të lajmëruar se djali i tij T., kishte therur me thikë djalin e tani të ndjerit F.Z., ndërsa i akuzuari ishte përgjigjur se nuk dinte asgjë.

    “ I kemi thënë që T., e ka therë A., ky tha s’di kurgja edhe jemi nisë teposhtë”, tha dëshmitari Zani.

    Lidhur me momentin kritik, dëshmitari tha se me viktimën ishte në distancë rreth dhjetë metra, ndërsa e kishte parë të akuzuarin duke e goditur me thikë.

    “Edhe veç e kam pa që ky, i ka mëshu thikë mas shpine, pa i pas borxh, pa pas kurgjo”, tha Ilir Zani.

    Dëshmitari Zani theksoi se ishte nisur në shtëpi ku kishte marrë kamionetën dhe bashkë me D.K., i cili i kishte ndihmuar, e kishin dërguar të ndjerin në ambulantë në Magure.

    Sipas planifikimit të Gjykatës, në këtë seancë pritej të dëgjohen edhe dëshmitarët Beqir Krasniqi dhe Krenare Krasniqi, mirëpo për shkak të përfundimit të orarit të punës së kësaj Gjykate, seanca e sotme u ndërpre.

    Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.

    Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.

    Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.

    Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.

    Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Kurti i mbledh në takim ambasadorët e huaj, i njofton për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete

    Kurti i mbledh në takim ambasadorët e huaj, i njofton për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete

    Kryeministri Albin Kurti ka mbledhur sot në një takim të përbashkët ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete, shkruan Reporteri.net.

    Kurti i ka informuar ata mbi fushatën e MPB’së rreth këtyre ligjeve.

    Në njoftimin e ZKM’së thuhet se Kurti i njoftoi ata me punën e Ministrisë së Brendshme “në informimin sa më të drejtë të të gjithë qytetarëve, fushatës, dhe aktiviteteve tjera të ndërmarra në këtë drejtim në mënyrë që zbatimi i plotë, i cili fillon me datën 15 mars 2026, të ketë paraprakisht informimin e drejtë, të saktë dhe të duhur për çdo të huaj ashtu që ata të jenë të njohur me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre”.

    Ky është takimi i dytë i këtij formati prej se ka filluar zbatimi gradual i Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete.

    Faza e parë e zbatimit të këtyre ligjeve ka nisur me 16 janar. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë.

    Pas hyrjes në fuqi të Ligjit, Ministria e Punëve të Brendshme kishte dalë më një njoftim lidhur me shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë.

    MPB kishte thënë se me rastin e hyrjes në Kosovë, të huajt duhet të posedojnë dokument të vlefshëm udhëtimi, të posedojnë vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, të respektojnë qëllimin apo afatin e qëndrimit, të lajmërojnë adresën e qëndrimit në afat prej ditës nga dita e hyrjes dhe të kenë mjete të mjaftueshme për jetesë.

    Me rast të qëndrimit afatshkurtër, Ministria ka sqaruar se të huajt mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda periudhës 180 ditësh pa vizë dhe se nuk lejohet puna gjatë kësaj periudhe pa leje.

    “Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim”, thuhet në njoftim.

    Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi, MPB ka bërë me dije se kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;

    “Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë”, duke theksuar se puna pa leje është e ndaluar.

    Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.

    Sa i përket qëndrimit për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.

    “Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë”, thuhet në njoftim.

    Ministria ka paralajmëruar pasoja në rast shkeljeje, si:

    – anulimin e lejeqëndrimit,

    – shqiptimin e gjobës,– urdhërimin e largimit dhe

    – ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, ishte theksuar në njoftim.

  • Pas takoi Kurtin e Konjufcën , Sorensen shkon në Beograd, nesër i takon Vuçiqin e Petkoviqin

    Pas takoi Kurtin e Konjufcën , Sorensen shkon në Beograd, nesër i takon Vuçiqin e Petkoviqin

    Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, do të takohet nesër me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Takimi do të nis në orën 8 e 30 të mëngjesit, siç bën të ditur zyra për media e presidencës serbe.

    Përveç Vuçiqit, Sorensen do të takohet edhe me kreun e ekipit negociator serb, Petar Petkovic.

    Emisari i BE-së ka realizuar edhe një vizitë në Kosovë ku është takuar me krerët e shtetit pas krijimit të institucioneve të reja.

  • Spiropali takon edhe Kurtin, Osmanin dhe opozitën – në agjendë edhe mbledhja e dy qeverive

    Spiropali takon edhe Kurtin, Osmanin dhe opozitën – në agjendë edhe mbledhja e dy qeverive

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali do të zhvillojë ditën e nesërme, të mërkurën një vizitë zyrtare në Kosovë ku do të pritet nga krerët më të lartë të shtetit.

    Gjatë kësaj vizite në Prishtinë, Spiropali do të pritet fillmisht nga homologu i saj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca.

    Më tej, ministrja do të pritet në takime të veçanta nga presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe nga kryeministri Albin Kurti.

    Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.

    Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjetike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.

    Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.

  • “Shpëlarje e parave”, tre të dyshuarve që u kapën me 1 milion euro në Merdar masë ndalimi 48 orësh

    “Shpëlarje e parave”, tre të dyshuarve që u kapën me 1 milion euro në Merdar masë ndalimi 48 orësh

    Ditën e sotme, Dogana e Kosovës, ka njoftuar se janë kapur rreth 1 milion euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar Merdare.

    Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe sistemi prokurorial, nga ku është bërë e ditur se, lidhur me rastin, me urdhër të prokurorisë speciale të Kosovës, janë ndaluar për 48 orë, tre persona të dyshuar për veprën penale “shpëlarja e parave”, përcjell Express.

    Në njoftim bëhet e ditur edhe se, prokuroria së bashku me Policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, për zbardhjen e plotë të rastit.

    Njoftimi:

    Prishtinë, 24 shkurt 2026- Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës janë ndaluar për 48 orë, tre persona të dyshuar për veprën penale “shpëlarja e parave”.

    Të dyshuarit A.L.,A.K., dhe E.A janë ndaluar në pikëkalim kufitar në Merdar, pasi gjatë një kontrolli të përbashkët të realizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në një automjet që drejtohej nga njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një shumë e madhe parash.

    Sipas vlerësimeve fillestare, dyshohet se shuma arrin në një milion euro.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, për zbardhjen e plotë të rastit.