ATV

Author: K.B.

  • Pezullohet seanca në Hagë, mbrojtja do të shtrojë pyetje për dëshmitarin 07 të hënën

    Pezullohet seanca në Hagë, mbrojtja do të shtrojë pyetje për dëshmitarin 07 të hënën

    Me masa mbrojtëse, në Dhomat e Specializuara në Hagë, filloi dëshminë dëshmitari i parë i Prokurorisë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.

    Identiteti i dëshmitarit është i ditur vetëm për ata që janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

    Pyetjet për këtë dëshmitar i filloi Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori, Matt Halling, i cili pyetjet fillestare i bëri në seancë private për publikun.

    Ndërsa, mbrojtësja e Thaçit, Sofi Menegon, kërkoi nga gjykatësit që mbrojtësit pyetjet për dëshmitarin t’i bëjnë të hënën, për shkak se nuk janë të gatshëm për pyetjet.

    “Do të kërkoja që të filloja pyetjet për dëshmitarin të hënën. Ju kishit thënë në dosjen tuaj f705 paragrafi tetë, se në qoftë se ne nuk jemi të gatshëm për të bërë pyetje mund të kërkojmë që të shtyhet ky afat dhe do të vlerësonim nëse do të na jepni kohë pak më të gjerë për të përmirësuar këtë proces’, tha Menegon.

    Gjykatësi Kristofer Gosnel pezulloi seancën për ditën e sotshme, e cila do vazhdoj të hënën.

    “ Atëherë do të pezullojmë seancën e ditës së sotme”, tha ai.

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë janë dhënë deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

    Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.

    Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.

  • U shkarkua si ministër, Pirro Vengu: Ishte kënaqësi ta udhëhiqja këtë post

    U shkarkua si ministër, Pirro Vengu: Ishte kënaqësi ta udhëhiqja këtë post

    Ministri shqiptar në largim i Mbrojtjes, Piro Vengu tha se ishte privilegj të mbante postin një ditë pasi kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga kjo pozitë, duke e vendosur në vend të tij, Ermal Nufin.

    “Është vërtet kënaqësi që në këtë moment të tranzitimit të detyrës sime, të linim këtë shenj sot sëbashku me partnerët tanë amerikan. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, të porositur prej vitesh dhe pjesë e një bashkëpunimi të ngushte me SHBA. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qarëtësie strategjike”, tha ai, raporton Euronews.al.

    Vengu deklaroi mes tjerash se Shqipëria ka vendosur të investojë në ushtri në kohë paqeje.

    “ Dua të falënderoj partnerët amerikanë, që na japin një mbështetje domethënëse. Shqipëria ka vendosur që të investojë me plan buxhetor, ne po rrisim besueshmërinë, duke shkurajuar rreziqet me kapacitete reale. Shqipëria nuk armatoset për të sulmuar ndonjë vend, por për mbrojtjen e saj. Mbrojtja nuk është luks, por është kusht ekzistence për një shtet serioz, sidomos për procesin e integrimit europian”, u shpreh Vengu.

  • Sindikata e Policisë kërkon rikthimin e 6 zyrtarëve të suspenduar në Gjakovë

    Sindikata e Policisë kërkon rikthimin e 6 zyrtarëve të suspenduar në Gjakovë

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë ne Gjakovë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke e konsideruar këtë veprim si të ngutshëm dhe jo adekuat për rrethanat e rastit.

    Sindikata thekson se suspendime të tilla dëmtojnë rëndë institucionin e Policisë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, duke krijuar mungesë të fuqisë punëtore në stacionet policore, si dhe në cenimin e autoritetit dhe besueshmërisë së organit të sigurisë.

    “Pa dashur të ndërhyjë në kompetencat dhe pavarësinë institucionale të Inspektoratit Policor të Kosovës, Sindikata, duke u bazuar në audio incizimin e publikuar në media dhe pas analizimit të plotë të ngjarjes, ka vlerësuar se zyrtarët policorë të suspenduar kanë kryer detyrën e tyre me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.

    Tutje në njoftimin e Sindikatës, thuhet se sipas të dhënave të bëra publike, zyrtarët policorë janë kërcënuar me jetë në vendin e tyre të punës, përkatësisht në stacionin policor, në prani të dëshmitarëve – zyrtarë policorë. Në audio incizim dëgjohet i dyshuari duke përcaktuar edhe kohën e mundshme të sulmit ndaj zyrtarëve policorë

    “Për këtë arsye, me të drejtë ai është trajtuar si i dyshuar për veprat penale të kërcënimit dhe pengimit të personit zyrtar në kryerje të detyrës, dhe me urdhër të prokurorit është caktuar masa e paraburgimit. Po ashtu, ekziston dyshimi se audio incizimi i publikuar është i shkëputur në pjesë dhe jo i plotë, i shkëputur nga i dyshimti. Ku Sipas legjislacionit në fuqi, asnjë audio incizim i paautorizuar dhe i pa urdhëruar nga organet kompetente nuk mund të konsiderohet provë ligjore ne asnjë rast e as ne raste konkret”.

    Andaj, Sindikata e Policisë së Kosovës i ka bërë thirrje Inspektoratit Policor që të rishqyrtojë vendimin dhe të mundësojë kthimin e menjëhershëm në detyrë të zyrtarëve policorë, pasi konsideron se ata në këtë rast kanë qenë viktima të kërcënimit me jetë nga i dyshuari dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

  • Mbrojtja e Smakajt: Ai është i pafajshëm, nuk ka folur me Zyrapin për dëshminë në Hagë

    Mbrojtja e Smakajt: Ai është i pafajshëm, nuk ka folur me Zyrapin për dëshminë në Hagë

    Avokati i Smakajt, Jonathan Rees, tha se klienti i tij asnjëherë nuk ka diskutuar me Bislim Zyrapin për dëshminë e tij në Hagë.

    “Smakaj, pavarësisht se ka qenë mik me Bislim Zyrapin dhe është takuar me të rregullisht, nuk ka pasur diskutime me Zyrapin lidhur me dëshminë e tij për çështjen 6 [për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit] dhe nuk i ka treguar asnjë dokument lidhur me të”, tha Rees.

    Sa i përket dokumentit që ZPS thotë se ai gjeti në veturë Smakajt, mbrojtja e tij tha se nuk ka asnjë dëshmi se ky dokument ishte në veturën e Smakajt dhe as kush e solli aty, duke mohuar se ishte marrë nga Smakaj në Hagë.

    Ai madje tha se ZPS nuk ka dhënë dëshmi se kush e ka printuar këtë dokument të titulluar “për avokatët” në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • Policia bastis pronat e vëllait të Milo Gjukanoviqit në qendër të Podgoricës

    Policia bastis pronat e vëllait të Milo Gjukanoviqit në qendër të Podgoricës

    Policia ka rrethuar një ndërtesë në qendër të Podgoricës, ku banon biznesmeni Aco Gjukanoviq.

    Në të njëjtën ndërtesë, ndodhet edhe një degë e “Prva Banka”, në pronësi të tij.

    Sipas raportimeve të mediumit “Vijesti”, inspektorët pritet të kryejnë kontroll në pronat e Aco Gjukanoviqit, vëllait të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit shumëvjeçar të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

    Një pjesë e rrugës është mbyllur për qarkullim.

    Qendra për Gazetari Hulumtuese e Malit të Zi kishte raportuar në shtator të vitit 2023 se Aco ishte zhvendosur në Luksemburg menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2020, ku kishte nisur projekte të reja biznesi.

  • Kryetari i Sindikatës jep detaje për vdekjen tragjike të punëtorit të KEK-ut

    Kryetari i Sindikatës jep detaje për vdekjen tragjike të punëtorit të KEK-ut

    Kryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Xhelal Jashari, në një intervistë për Ekonomia Online, ka treguar se Migjen Sadiku, 55-vjeç, punëtor në KEK, i cili humbi jetën sot në vendin e tij të punës, punonte në departamentin e sigurisë fizike.

    Lajmin fillimisht e morën për një incident në Termocentralin Kosova B, dhe më pas kuptuan se bëhej fjalë për një ngjarje tragjike që i mori jetën kolegut të tyre.

    “Para disa orësh kemi marrë informacion për një incident në Korporatën Energjetike të Kosovës, në Termocentralin Kosova B, ku, sipas organeve policore dhe ekipeve mjekësore, është konfirmuar se punëtori Migjen Sadiku ka ndërruar jetë në vendin e punës.

  • Gashi i AVONET pyet Presidenten: Pse ende nuk e ke nënshkruar buxhetin e Kosovës?

    Gashi i AVONET pyet Presidenten: Pse ende nuk e ke nënshkruar buxhetin e Kosovës?

    Presidentja e Vjosa Osmani ende nuk e ka nënshkruar Ligjin për Buxhetin e Kosovës, duke shkaktuar pasiguri institucionale dhe ekonomike në vend. Udhëheqësi i OJQ-së AVONET, Kenan Gashi, ka ngritur shqetësimin për pasojat që po sjell kjo vonesë.

    Sipas Gashit, Kosova po kalon një periudhë me sfida të shumta politike dhe tensione të brendshme, ndërsa përplasjet mes pozitës dhe opozitës e kanë vështirësuar miratimin e buxhetit në Kuvend. Megjithëse dokumenti financiar është votuar me vështirësi, ai ende nuk ka hyrë në fuqi për shkak të mungesës së dekretimit nga ana e Presidentes.

    “Cila është pengesa apo arsyeja e mosnënshkrimit? A kemi të bëjmë me çështje procedurale, dilema kushtetuese apo kalkulime politike?”, ka pyetur Gashi, duke theksuar se çdo ditë vonesë prodhon pasoja konkrete për funksionimin e shtetit.

    Sipas tij, organizatat buxhetore, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, po përballen me mungesë fondesh për mbulimin e obligimeve financiare, pagesat ndaj operatorëve ekonomikë dhe inicimin e procedurave të reja të prokurimit publik.

  • Vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm në rastin e vrasjes së rëndë të Marigona Osmanit

    Vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm në rastin e vrasjes së rëndë të Marigona Osmanit

    Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vendosur lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale vrasja e rëndë.

    Në njoftim thuhet se në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit.

    “Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë”, thuhet në njoftim.

    Duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarit, Kolegji i Gjykatës Supreme konstaton se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen.

    Kolegji gjyqësor vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, duke përfshirë edhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima.

    “Nga këto prova është konstatuar se viktima, Marigona Osmani ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, Kolegji Gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vlerësuar raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Ndaj, është konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, gjë që mbështetë kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

    Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

    Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme konstaton se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe i vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

  • Berisha thumbon Osmanin: Gara për President të Kosovës është e hapur, ja kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

    Berisha thumbon Osmanin: Gara për President të Kosovës është e hapur, ja kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

    Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, thotë se çdo kandidat për president duhet të ketë integritet, të flasë shqip rrjedhshëm, të jetë afër popullit dhe të respektojë traditën.

    Ai thekson se kandidati nuk duhet të marrë përgjegjësi për nënshkrimet e Zajednicës, të caktojë datë të drejtë për zgjedhje dhe të mos veprojë si noter.

    Sipas Berishës, këto kushte garantojnë një garë të drejtë dhe një figurë presidenciale të besueshme.

  • Policia e Kosovës: Lajmet në mediat serbe për të shtëna në brezin kufitar, janë dezinformatë

    Policia e Kosovës: Lajmet në mediat serbe për të shtëna në brezin kufitar, janë dezinformatë

    Policia e Kosovës ka sqaruar se raportimet e fundit, kryesisht në mediat serbe, sipas të cilave persona të maskuar shqiptarë kanë vendosur pengesa dhe kanë qëlluar ndaj Policisë serbe në zonën Madljika, nuk përputhen me të dhënat zyrtare.

    PK njofton se ka verifikuar të gjitha informacionet përmes masave institucionale dhe nuk ka gjetur asnjë incident të tillë në territorin e Kosovës. Po ashtu, për veprimet e marra është njoftuar edhe KFOR-i, dhe patrullimet e përbashkëta në brezin kufitar vazhdojnë normalisht.