ATV

Author: K.B.

  • Gjenden mbetje eshtërore në Rahovec, dyshohet për person të zhdukur nga lufta

    Gjenden mbetje eshtërore në Rahovec, dyshohet për person të zhdukur nga lufta

    Në komunën e Rahovecit janë gjetur mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

    Pas zbulimit, mbetjet eshtërore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë dhe analizës së ADN-së, me qëllim të identifikimit të viktimës.

    “Rahovec 1998-1999. NN. Lidhur me rastin njësia kompetente policore ka filluar gërmimet ku gjatë gërmimeve janë hasur pjesë eshtërore me prejardhje njerëzore të cilat dyshohet se i përkasin një individi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Mbetjet eshtërore janë dërguar në IML për autopsi dhe analizën e ADN-së”, thuhet në raportin e policisë.

  • Tre të arrestuar për sulmin ndaj një burri në Prishtinë

    Tre të arrestuar për sulmin ndaj një burri në Prishtinë

    Tre persona janë arrestuar në Prishtinë pasi që të njëjtit më 2 mars, dyshohet se kishin sulmuar një burrë.

    Policia njofton se tek njëri nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një paketim me marihuanë si dhe një Ipad.

    Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • BGNEWS: Ashtu si Vuçiqi, edhe Kremlini po e nxit hapur Serbinë kundër fqinjëve

    BGNEWS: Ashtu si Vuçiqi, edhe Kremlini po e nxit hapur Serbinë kundër fqinjëve

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka përsëritur narrativat e promovuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas saj, autoritetet në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci po hyjnë në fazën praktike të formimit të një blloku ushtarak supra-rajonal. Ky aleancim, tha Zakharova dje, sipas agjencisë BGNES, parashikon forcimin e kapaciteteve ushtarake, blerjet e përbashkëta të armëve dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

    Ky pretendim ka qarkulluar për një vit nga vetë presidenti serb Vuçiq, ndërsa mediat nën kontrollin e regjimit në Beograd herë pas here përfshijnë edhe Bullgarinë në “këtë aleancë antiserbe”.

    “Dua të rikujtoj se një vit më parë Zagrebi, Tirana dhe Prishtina nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak në fushën e sigurisë. Gjatë kësaj periudhe është miratuar një paketë e gjerë masash për formimin e një blloku subrajonal, dhe tani po nis faza praktike”, deklaroi Zakharova, raporton agjencia bullgare e lajmeve BGNEWS, transmeton Klankosova.

    Sipas saj, drejtimi kryesor i këtij bashkëpunimi është forcimi i kapaciteteve ushtarake dhe zhvillimi i aftësive mbrojtëse.

    “Pjesëmarrësit e kësaj trios planifikojnë të rrisin bashkëpunimin operacional mes ushtrive të tyre, të blejnë së bashku armë, dronë, sisteme mbrojtjeje ajrore, mjete kundërtanke e shumë të tjera. Ata synojnë gjithashtu të krijojnë kapacitete të veta ushtarako-industriale”, tha ajo, duke shtuar: “Theksi është në ringritjen e kompleksit ushtarako-industrial shqiptar dhe prodhimin e automjeteve të blinduara, predhave të artilerisë dhe armatimeve të tjera”.

    “Vëmendje e veçantë po i kushtohet luftimit të të ashtuquajturit ndikim të dëmshëm të vendeve të treta, nga të cilat supozohet të vijnë rreziqe, përfshirë kërcënimet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike. Njëkohësisht, po punohet në militarizimin e Prishtinës dhe integrimin e këtij entiteti të vetëshpallur në mekanizmat e NATO-s dhe iniciativat rajonale”, tha Zakharova, duke theksuar: “Veprime të tilla shkelin Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo nuk është vetëm përsëritje e një mantre, por ka edhe anën praktike të çështjes”.

    BGNEWS raporton se “kërcënimi nga ky aleancim” po promovohet personalisht nga presidenti serb Vuçiq, dhe mediat e kontrolluara nga regjimi i tij në Beograd shpesh i shtojnë edhe Bullgarinë “kësaj aleance antiserbe”.

    Mediumi bullgar tha se menjëherë pas deklaratës së Zakharovës, ajo u shpërnda nga mediat proqeveritare serbe.

    Një reporter i BGNES kujton se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes më 18 mars 2025 në Tiranë. Nuk bëhet fjalë për një aleancë ushtarake, por për një deklaratë trilaterale bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet tre vendeve: Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Dokumenti u nënshkrua nga ministrat e mbrojtjes të tre shteteve gjatë këtij takimi në Tiranë.

    Deklarata parashikon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse me synimin për të rritur aftësitë ushtarake të secilit vend përmes bashkëpunimit dhe koordinimit, krijimin e kushteve për reagim më efektiv ndaj kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare dhe rajonale, si dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjive të përbashkëta.

    Ajo parashikon gjithashtu ushtrime të përbashkëta ushtarake, shkëmbim përvojash, trajnime dhe edukim të personelit, rritje të ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura dhe bashkëpunim në adresimin e kërcënimeve hibride. Tre vendet shkëmbejnë informacione për sulme kibernetike, dezinformata dhe kërcënime të tjera që mund të ndikojnë në siguri, dhe koordinojnë veprimet në situata që nuk janë domosdoshmërisht ushtarake, por që prekin stabilitetin.

    Deklarata shpreh synimin e përbashkët për integrim më të ngushtë në institucionet euroatlantike, përfshirë NATO, si dhe përkrahjen për pjesëmarrjen e Kosovës në programe si Partneriteti për Paqe, që do të forconte lidhjet e saj me Aleancën.

  • “Këtu qëndron e vërteta”, Dejona Mihali i nxjerr konkluzionet: Opozita do zgjedhje, VV nuk bën lojëra

    “Këtu qëndron e vërteta”, Dejona Mihali i nxjerr konkluzionet: Opozita do zgjedhje, VV nuk bën lojëra

    Dejona Mihali nga Lëvizja Vetëvendosje ka nxjerr konkluzat e saj për situatën politike.

    Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk bën kurrë lojëra me çështje politike.

    Ajo ka thënë se opozita nuk e ka në plan të qëndrojë në allë, rrjedhimisht po kërkon zgjedhje.

    Postimi i plotë i Mihalit:

    Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk bën kurrë lojra me çështjet politike. Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim.

    Sidoqë duket tani situata apo rreshtimi i aktorëve politikë, ajo çfarë është e sigurtë si drita e diellit është se ne nuk kemi ikur asnjëherë nga detyrat. Kur është dashur me protestu e kemi bërë.

    Kur është dashur front opozitar e kemi bërë jo njëherë por dy.

    Kur është dashur koalicion qeveritar e kemi bërë.

    Kur është dashur front i gjerë qytetar dhe qeverisje e mirë e kemi krijuar.

    Kur është dashur respektim i votës dhe vullnetit qytetar e kemi nxjerrë në plan të parë.

    Tani e dimë mirë se nuk mundemi ta marrin si të mirëqenë faktin se krejt opozita, e caktuar e tillë jo nga ne por nga qytetarët, nuk ka plan të qëndrojë në sallë të kuvendit për asnjë emër. E përsëris për asnjë emër.

    PDK ka kërkuar marrëveshje politike pa emër konkret vetëm me kriterin që emri të vi nga PDK dhe deputetët tanë ta votojnë. Kjo do të thotë qartë: zgjedhje.

    LDK qartë dhe publikisht nuk ka qendrim të unifikuar në grupin parlamentar. Mbi 4 deputetë kanë plane të tjera nga lidershipi i partisë. Si pasojë nuk është në gjendje të japë asnjë garanci për veprimet e veta si grup i plotë parlamentar.

    Kjo do të thotë: zgjedhje.

    AAK ka dashur si kandidat kryetarin aktual të partisë. Ia ka ofruar opozitës dhe as ai nuk ka marrë mbështetje. Për tjetërkënd nuk qendron në sallë. Kjo do të thotë: zgjedhje.

    Nuk është sekret që segmente të opozitës me në krye PDK duan zgjedhje. Ka mes tyre llogaritje se fitorja jonë ishte aksident nga data e zgjedhjeve jo vullnet i pastër qytetar.

    Dhe përsëritja e zgjedhjeve e ul votën e qytetarëve për ne.

    Kjo llogaritje nuk ia lejon atyre asnjë formë të bashkëpunimit për të vepruar lidhur me kandidaturën e Presidentit. Pra, asnjë përfillje të kushtetutës dhe detyrimit minimal politik e qytetar që duhet të jenë në seancë.

    Këtu qëndron e vërteta. Në pyetje nuk ka qenë asnjëherë emri konkret, pra kandidatura por pozicioni i tyre.

    Këdo që do të kishte kandiduar Lëvizja VETËVENDOSJE! do të etiketohej “noter”, “zgjatim”, “kapje e të gjithave pushteteve”, “vegël e Kurtit”.

    Këndo që nuk do e kandidonte Lëvizja do ta vlerësonin si “viktima” e radhës.

    Në këtë situatë duhet ta dallojmë qartë se tema nuk është kandidatura në vetvete por lufta për ta hequr qafe shumicën dominante të VETËVENDOSJE!s. Dhe kthimi tek avazi i vjetër qoftë dhe me emra të rinj.

    Pra, fluksi opozitar ka këtë qasje: fito sado shumë por ku të mundemi të pengojmë qoftë dhe me rrezikun e bllokadës shtetërore. Kështu edhe i jepet “mësim” popullit që po e voton Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

    Rruga përpara është të respektojmë vullnetin qytetar, pra Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Kryeministrin Albin Kurti

  • Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit

    Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit

    Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Deri më tani është propozuar vetëm një kandidat për president, ai është Glauk Konjufca.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dje ka bërë të ditur se Konjufca është propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të grupit multietnik.

    “Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhjen e presidentit nuk mund të ketë pa së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026. Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe të shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, tha Haxhiu në konferencë për media.

    Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pika kushtetuese që flet për afatin e zgjedhjes së presidentit dhe për përfundimin e mandatit kushtetues është Neni 86. Në Pikën 2 të këtij neni thuhet: “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual.”

    Ndërkaq, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës më 4 prill 2021 nga Kuvendi i Kosovës. Ajo mori votat në raundin e tretë të votimit nga deputetët e Kuvendit për një mandat 5‑vjeçar.

  • Kriza për Presidentin, AARC: Urgjentisht t’u jepet fund axhendave të ngushta të partive dhe rivaliteteve personale

    Kriza për Presidentin, AARC: Urgjentisht t’u jepet fund axhendave të ngushta të partive dhe rivaliteteve personale

    Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, me një komunikatë drejtuar mediave shpreh shqetësim të thellë për krizën e vazhdueshme institucionale në Kosovë, e cila ka vazhduar për më shumë se një vit.

    “Pamundësia e partive politike për të vendosur interesat kombëtare të vendit mbi axhendat e ngushta partiake dhe rivalitetet personale ka zgjatur paralizën politike në një kohë kur Kosova duhet të forcojë institucionet e saj demokratike dhe pozicionin ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

    AARC vlerëson se “Kosova ka arritur përparim të konsiderueshëm që nga pavarësia përmes sakrificës, vendosmërisë dhe partneriteteve të forta me Shtetet e Bashkuara dhe botën demokratike. Ky përparim nuk duhet të rrezikohet nga loja politike e zjarrit ose dobësimi i institucioneve shtetërore”.

    “Në mjedisin global gjithnjë e më të pasigurt të sotëm, Kosova duhet të tregojë se është një partner i fortë, i përgjegjshëm dhe i besueshëm për aleatët e saj. Udhëheqësit politikë kanë detyrë të sigurojnë funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe të përparësojnë interesin kombëtar mbi konsideratat partiake”, thuhet tutje në reagim.

    “Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane u bën thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve në Kosovë të veprojnë me urgjencë dhe me burrë shteti për t’i dhënë fund ngërçit aktual dhe për të rivendosur stabilitetin dhe funksionalitetin që meritojnë qytetarët e Kosovës”, përfundon reagimi.

  • Pacolli mesazh deputetëve: Mos e çoni Kosovën në zgjedhje të reja

    Pacolli mesazh deputetëve: Mos e çoni Kosovën në zgjedhje të reja

    Afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës përfundon sot, ndërsa skena politike mbetet e ndarë rreth emrit që do të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

    Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar të mërkurën zyrtarisht emrin e Glauk Konjufca për president, duke e çuar procesin në një fazë vendimtare para skadimit të afatit kushtetues.

    Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta votojnë asnjë kandidat pa një marrëveshje të gjerë politike mes partive parlamentare.

    LVV ka theksuar se është e gatshme për garë demokratike në Kuvend dhe ka kërkuar nga LDK dhe PDK që të propozojnë një emër, në mënyrë që të krijohen kushtet për thirrjen e seancës dhe zhvillimin e votimit për presidentin.

    Lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ka folur për “Front Online” ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.

    Pacolli u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendi i Kosovës që të tregohen të përgjegjshëm në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe të shmangin dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

    Ai tha se shpreson që përfaqësuesit e popullit të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit politik.

    “Shpresoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës të jenë të vetëdijshëm dhe të mos lejojnë që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje. Do të ishte e udhës që ata të bisedojnë dhe të zgjedhin kandidatin të cilin do ta votojnë”, u shpreh Pacolli.

    I pyetur se a do dëshironte të ishte kandidat për President, Pacolli bëri të qartë se nuk është më pjesë aktive e politikës, duke shtuar se është ndarë nga kjo fushë.

    “Jo, unë jam ndarë nga politika dhe kështu është më mirë. Sigurisht, kontributin tim do t’ia jap Kosovës edhe në këtë mënyrë”, ka deklaruar Pacolli.

  • Numri i të vdekurve në Iran shkon në më shumë se 1,100

    Numri i të vdekurve në Iran shkon në më shumë se 1,100

    Të paktën 1,114 civilë në Iran janë vrarë që nga fillimi i luftës të shtunën, sipas Human Rights Activists News Agency (HRANA), me bazë në SHBA, raporton CNN.

    Në këtë shifër përfshihen 183 fëmijë, shumica prej tyre nën moshën 10 vjeç, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga HRANA të enjten. Organizata ende po punon për të verifikuar më shumë se 900 vdekje të raportuara.

    Disa nga sulmet më të fundit gjatë ditës së kaluar thuhet se kanë goditur objekte civile të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare humanitare, shtoi HRANA –– përfshirë një shkollë të mesme dhe disa objekte mjekësore dhe klinika.

    Numri i viktimave për këtë konflikt të fundit tani po i afrohet numrit total të viktimave të luftës 12-ditore të verës së kaluar midis Iranit, Izraelit dhe SHBA-së – të cilën HRANA vlerëson se ka vrarë 1,190 persona në Iran.

    Kreu i Organizatës Kombëtare të Emergjencave të Iranit tha se deri më tani mund të jenë plagosur deri në 6,000 persona.

    Dhjetëra persona, përfshirë gjashtë trupa amerikane, janë vrarë gjithashtu në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme nga sulmet hakmarrëse të Teheranit, sipas autoriteteve lokale.

  • Epopeja e UÇK-së: 28 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

    Epopeja e UÇK-së: 28 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

    Sot mbushen 28 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari nga Prekazi, një nga ngjarjet më të më të lavdishme të historisë së re të Kosovës.

    Kjo datë shënon fillimin e Epopesë së UÇK-së, që përfaqëson sakrificën sublime për liri dhe dinjitet kombëtar, e cila në fund kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e Jasharëve.

    Në përballje të pabarabartë, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u bërë simbol i pathyeshmërisë dhe i vendosmërisë për çlirim.

    Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

    Në këtë ditë të shënuar do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, si dhe po ashtu mbledhje solemne nga Qeveria e Kosovës.

  • Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë.

    Sot vazhdon dëshminë dëshmitari i tretë i ZPS-së, Christofer Kelly, i cili aktualisht është kontraktor me kohë të pjesshme i ZPS-së, hetime kriminalistike digjitale.

    Christopher Kelly i cili është zyrtar i Prokurorisë dhe merret me hetimin e forenzikës digjitale, dje ka pohuar se gjatë ekzaminimeve nuk ka identifikuar ndonjë komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës- Remit.

    Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.

    Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025.

    Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.

    Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.