ATV

Author: K.B.

  • Arrestohet në Prishtinë 40-vjeçari i dënuar me 3 vjet burgim për disa vepra penale

    Arrestohet në Prishtinë 40-vjeçari i dënuar me 3 vjet burgim për disa vepra penale

    Policia e Prishtinës ka njoftuar se ka arrestuar një person i cili ishte në kërkim, i dënuar për disa vepra të ndryshme penale.

    Sipas njoftimit, arrestimi është realizuar mbrëmë, pas disa veprimeve hetimore dhe operative të zhvilluara nga zyrtarët policorë, të cilët arritën të arrestojnë personin I.Q., 40 vjeç.

    “Personi i arrestuar ishte dënuar për veprat penale: ‘Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve’, ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit me burgim”, thuhet në njoftim.

  • Si erdhi deri te dështimi i seancës për zgjedhjen e Presidentit

    Si erdhi deri te dështimi i seancës për zgjedhjen e Presidentit

    Kuvendi i Kosovës ka mbajtur mbrëmjen e së enjtes seancë të jashtëzakonshme lidhur me amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit nga populli, të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.

    Seanca që nisi pas orës 20:00 u shoqërua me deklarata të ndryshme nga përfaqësues të partive politike, ndërsa përfundimisht u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për votim.

    Para nisjes së seancës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e cilësoi të vonshme kërkesën për ndryshime kushtetuese.

    “Kërkesa për ndryshime është e vonshme, këto ndryshime që kanë kaluar edhe nëpër filltrat e Gjykatës Kushtetuese kanë një kohë të gjatë”, deklaroi Zemaj, raporton Klankosova.tv.

    Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, arsyetoi mbështetjen e kësaj partie për amendamentet, duke theksuar se zgjedhja e Presidentit nga populli do të rriste legjitimitetin demokratik.

    “Kur qytetarët votojnë për presidentin, ata ndihen më të përfshirë në procesin politik dhe kjo e rritë interesimin për demokracinë dhe zgjedhjet në përgjithësi”, deklaroi Nagavci gjatë seancës.

    Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, u shpreh se në parim janë për zgjedhjen e Presidentit nga populli, por theksoi se një proces i tillë duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën.

    “Sonte kam pritur që, në fakt jo sonte, po shumë më herët që Kosova ta ketë të zgjedhur Presidenten apo Presidentin dhe jo të vijmë në këtë situatë që në orët e fundit të mandatit, deputetët e Kuvendit të sfidohen me një seancë të jashtëzakonshme, pa material dhe të flasim për plotësim-ndryshimin, apo amandamentimin e aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Kosovës. Pra, në parim jemi për, por kjo kërkon një trajtim në përputhje me rregulloret, me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ai.

    Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se LDK-ja i mbështet në parim amendamentet për zgjedhjen e Presidentit nga qytetarët.

    “Janë në frymë me bindjen tonë ideologjike, presidenti i Kosovës duhet të zgjedhet nga qytetarët drejpërdrejt. Ta përsëris edhe një herë LDK i mbështet dhe i voton”, deklaroi Abdixhiku.

    Nga e njëjta parti, deputetja Hykmete Bajrami tha gjatë seancës se çështja më e rëndësishme për vendin është shmangia e zgjedhjeve të reja.

    “Sot nuk ka rend të ditës më të rëndësishëm se mos me i çu qytetarët në zgjedhje prapë dhe kush po i çon në zgjedhje, po i çoni ju që i keni marrë 51 për qind të votave dhe i keni sjellë në rend të ditës amandamente kushtetuese, të cilat assesi nuk e evitojnë çuarjen e vendit në zgjedhje”, tha Bajrami, së cilës më pas kryeparlamentarja ia ndali fjalën.

    Më pas, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se në orën 22:00 do të zhvillohej një tjetër seancë.

    Por edhe seanca e dytë u ndërpre pasi nuk pati kuorum për votim, sepse në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë.

    Pas seancës reagoi edhe deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, i cili tha se partia e tij nuk mori pjesë në këtë proces, duke e cilësuar seancën si improvizim.

    “U thirr për të bërë një improvizim, u shfrytëzua për të bërë disa deklarata politike, gjoja për të ndërruar Kushtetutën, proces ky i cili s’mund të ndodh në pikë të natës dhe nuk mund të ndodh në rrethana kur nuk ka diskutim paraprak. Pamë një improvizim të skajshëm, një tendencë për të shpërndarë një mjegull tek qytetarët e Kosovës”, tha ai.

    Ndërkohë, tek vonë kryeparlamentarja Haxhiu njoftoi se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

    “Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, ka shkruar ajo në Facebook.

    E njëherësh kandidatë për postin e presidentit janë Glauk Konjufca i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe deputetja po ashtu nga VV-ja, Fatmire Kollçaku, të cilën e bëri të ditur deputeti i LDK-së, Besian Mustafa në profilin e tij në Facebook.

  • Kjo është kërkesa e VV-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me presidentin

    Kjo është kërkesa e VV-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me presidentin

    Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit.

    Në seancën e së enjtes për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm.

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen po qe se plotësohen kushtet.

    “Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.

    Pas kësaj, Haxhiu ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

    “Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë e kam njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar Haxhiu në Facebook.

  • Pacolli: Pse prapë zgjedhje, pse kjo tallje?

    Pacolli: Pse prapë zgjedhje, pse kjo tallje?

    Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka shtruar pyetje se pse duhet prapë të ketë zgjedhje dhe pse kjo tallje me qytetarët, pa çka ka përmendur kur ai kishte bindjen e tij në 2007-ën se presidentit duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli.

    Ai thotë se kur fati i presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturit “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës.

    Postimi i plotë:

    Pse prap zgjedhje?

    Pse kjo tallje?

    Ideja për zgjedhjen e Presidentit të vendit drejtpërdrejt nga populli ka qenë BINDJA IME që nga viti 2007. Mua atëherë askush nuk më mbështeti. Nese shiqoni në retrospektivë, e shifni se kolegët e mi të atëhershëm ( disa nga ata edhe sot janë deputet ), me akuzoni se “ po du me imponuar sisteme të lindjës” Qe tani ku jemi!

    Në një sistem demokratik të mirëfilltë, posti i Presidentit duhet të jetë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe jo rezultat i marrëveshjeve të mbyllura ndërmjet partive politike. Kur Presidenti zgjidhet nga qytetarët, ai merr një legjitimitet të drejtpërdrejtë demokratik dhe përfaqëson gjithë popullin, jo vetëm interesat e një shumice të përkohshme parlamentare.

    Sot, kur fati i Presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturit “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës. Në vend që të jetë figurë unifikuese dhe garant i Kushtetutës, Presidenti shpesh shihet si produkt i pazareve politike, marrëveshjeve të fshehta dhe interesave të ngushta partiake. Kjo jo vetëm që e dobëson autoritetin moral të këtij institucioni, por gjithashtu e largon atë nga qytetarët që ai duhet të përfaqësojë.

    Është paradoksale që institucioni që duhet të simbolizojë unitetin e kombit të varet nga votat e një grupi të kufizuar deputetësh, të cilët ( nuk logjikojnë ) dhe janë të lidhur ngushtë me kërkesat dhe interesat e udhëheqjeve të partive të tyre.

    Në këto rrethana, zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti mund të shndërrohet lehtësisht në një proces formal, ku rezultati dihet paraprakisht dhe ku mungon çdo element i vullnetit të drejtpërdrejtë qytetar.

    Për më tepër, një praktikë e tillë rrezikon ta degradojë institucionin e Presidentit në një post simbolik pa peshë reale morale dhe demokratike. Kur qytetarët nuk kanë mundësi të shprehin drejtpërdrejt vullnetin e tyre për këtë figurë të rëndësishme shtetërore, krijohet një ndjenjë distancimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.

    Prandaj, nëse duam që Presidenti të jetë vërtet përfaqësues i unitetit kombëtar dhe garant i Kushtetutës e jo kukëll, mënyra më e drejtë dhe më demokratike është që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Vetëm kështu ky institucion mund të fitojë legjitimitetin e plotë demokratik dhe të çlirohet nga varësia ndaj kalkulimeve të ngushta partiake.

    Ndryshe, vazhdimi i praktikës aktuale rrezikon ta kthejë procesin e zgjedhjes së Presidentit në një farsë politike, ku institucioni që duhet të jetë mbi partitë në fakt mbetet peng i tyre.

  • Epopeja e UÇK-së: Krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Prekaz

    Epopeja e UÇK-së: Krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Prekaz

    Sot shënohet dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, e cila njihet si Dita e Dëshmorëve.

    Me këtë rast, krerët e shtetit dhe përfaqësues institucionalë do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Homazhet do të nisin nga ora 10:00, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.

    Po ashtu, në kuadër të kësaj dite përkujtimore, homazhe do të bëjnë edhe përfaqësuesit komunalë në komplekset memoriale të dëshmorëve nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

  • Sot mot me diell dhe vranësira të pakta, temperaturat deri në 17°C

    Sot mot me diell dhe vranësira të pakta, temperaturat deri në 17°C

    Të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta gjatë ditës, kryesisht në pjesë të Rrafshit të Kosovës, ndërsa në orët e mëngjesit lokalisht vranësira të ulëta nëpër lugina dhe ultësira.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 7-28 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 0 deri në 2°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 17°C. /MeteoKosova

  • Nagavci e fajëson opozitën, pret që Gjykata të vendos në favor të kërkesës së tyre

    Nagavci e fajëson opozitën, pret që Gjykata të vendos në favor të kërkesës së tyre

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se tendenca e dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK është ta dërgojë vendin në zgjedhje.

    Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, Nagavci para gazetarëve ka thënë se qasja e këtyre partive opozitare dëshmon qëllimin për ta pamundësuar zgjedhjen e presidentit.

    “Qasja e tyre vetëm e dëshmon edhe një herë tendencën e këtyre partive që të pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe të dërgojnë vendin në zgjedhje. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet tona, deputetët nuk ishin këtu përkundër obligimit. Nuk kishim asnjë njoftim nga ta, por me vetëdije nuk morën pjesë në votim për presidentin”, ka thënë ajo.

    Ajo më tej ka përmendur, siç e ka quajtur, gatishmërinë e Vetëvendosjes që të japë nënshkrimet për kandidatë që mund të vijnë nga partitë opozitare.

    “Ishim të gjithë dëshmitarë se deputetët e opozitës nuk morën pjesë në seancën e ftuar dhe nuk dhanë asnjë nënshkrim apo propozim në lidhje me një president konsensual. LVV-ja ka qenë e gatshme të mbështesë, gjegjësisht të japë nënshkrimet për kandidatët që mund të vinin nga LDK-ja apo PDK-ja, përtej kësaj paraprakisht pamë edhe seancën ku proceduam ndryshimet amendamentuese për Kushtetutën në mënyrë që presidenti të mund të zgjidhej me votat direkt nga populli. Jemi në një situatë ku si VV e kemi bërë të qartë se mund të ofrojmë nënshkrimet tona”, ka theksuar ajo.

    Sa i përket kërkesës që i bënë Gjykatës Kushtetuese që ta pezullojë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit për shkak të mospjesëmarrjes në votim të deputetëve nga opozita, Nagavci ka thënë se beson se përgjigja do të jetë në favor të kërkesës së tyre.

    “Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese që tani, do të kërkojmë nga gjykata që të marrë masa dhe të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e jona sepse besojmë që deputetët që nuk kanë marrë pjesë në votim e që e kanë pamundësuar kuorumin, kanë bërë shkelje kushtetuese. Besojmë që përgjigja të jetë në favor të kërkesës sonë”, ka deklaruar ajo./Koha.net

  • Haxhiu i kërkon Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë afatin për zgjedhjen e presidentit

    Haxhiu i kërkon Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë afatin për zgjedhjen e presidentit

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit.

    Njoftimi i plotë:

    Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.

    Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu.

  • Ndërpritet seanca për zgjedhjen e Presidentit – nuk ka kuorum

    Ndërpritet seanca për zgjedhjen e Presidentit – nuk ka kuorum

    Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit.

    66 deputetë ishin prezentë në këtë seancë.

    “Nuk ka kuorum, unë iu bëra thirrja deputetëve që të marrin pjesë”, tha Haxhiu.

    80 deputetë duhet të jenë në sallë për të nisur votimin e raundit të parë.

  • Seanca për Presidentin, veç deputetët e VV’së dhe aleatëve të saj në sallë, sillen kutitë e votimit

    Seanca për Presidentin, veç deputetët e VV’së dhe aleatëve të saj në sallë, sillen kutitë e votimit

    Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun si kandidatë për President.

    Në seancën e Kuvendit janë sjellë kutitë e votimit

    Opozita nuk është duke marrë pjesë në seancë, duke kundërshtuar zgjedhjen e një Presidenti partiak.