ATV

Author: K.B.

  • Provuan me Konjufcën, Murati: Për 60 ditë ndoshta do të gjendej ndonjë emër konsensual për President

    Provuan me Konjufcën, Murati: Për 60 ditë ndoshta do të gjendej ndonjë emër konsensual për President

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmendi marrëveshje ndërkombëtare e ligje që do të kalonin në Kuvendin e shpërndarë tashmë me dekret të presidentes Vjosa Osmani.

    Ai thotë se gjatë 60 ditëve, sa sipas tij duhej pritur para se të shpërndahej Kuvendi, do të mund të gjendej “eventualisht edhe ndonjë emër konsensual për President, e ngërçi të zgjidhej pa pasoja për shtetin”.

    “Brenda 60 ditëve afat që parasheh Neni 82 i Kushtetutës, në Kuvend do të mund të votoheshin: – Marrëveshjet ndërkombëtare: 121 milionë euro ishin të parapara të votoheshin vetëm në seancën e së premtes që lamë pas. – Ligjet që janë në pakon e Planit të Rritjes me BE-në – miratimi të cilave do të lironte një pjesë të mjeteve nga 882 milionë eurot e Planit të Rritjes. – Rishikimi i Buxhetit. – Ligje e reforma të tjera me rëndësi jetike. – Ndryshimet Kushtetuese që Presidenti të zgjidhet nga vota direkte, madje duke i përcjellë edhe afatet sipas rregullores së punës së Kuvendit. – Eventualisht edhe ndonjë emër konsensual për President, e ngërçi të zgjidhej pa pasoja për shtetin”, shkroi Murati në një postim në Facebook.

    “Mirëpo në vend të këtyre, Kuvendi u shpërnda me dekret kundër-kushtetues, përmes të të cilit përfaqësuesve të popullit iu mohua e drejta të kryenin punën e tyre. Pse ky nxitim?”, shtoi ai.

    LVV-ja në orën e fundit të 5 marsit çoi në Kuvend dy kandidatë të saj për president të vendit: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun, të dy nga partia e kryeministrit Albin Kurti.

  • Liburn Aliu nxjerr postim: Ju urojmë lirim të shpejt shokëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë

    Liburn Aliu nxjerr postim: Ju urojmë lirim të shpejt shokëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë

    Liburn Aliu, prej që dha dorëheqje nga Qeveria dhe rrjedhimisht nga Vetëvendosje, nuk ka dhënë intervista, e as nuk ka bërë postime në rrjetet sociale. Sot, pas vizitës që ia bëri Fadil Fazliut, u uroi kthim në shtëpi “të gjithë shokëve” që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

    Ish-ministri i Infrastrukturës, tani drejtor i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, ka publikuar fotografi nga shtëpia e Fazliut krahas ish-ministrit të Diasporës Valon Murati.

    Në përshkrimin e fotografisë, Aliu shkruan:

    Në vizitë te Fadil Fazliu që sapo na erdhi nga Haga. I urojmë shëndet dhe lirim te plotë bashkë me shokët që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Lufta çlirimtare e popullit tonë është themeli i lirisë sonë dhe cdo sulm mbi të është sulm mbi të gjithë ne.

  • Afera e 1 milion eurove të fshehura në furgon – Çfarë ndodhi me tre të dyshuarit shqiptarë?

    Afera e 1 milion eurove të fshehura në furgon – Çfarë ndodhi me tre të dyshuarit shqiptarë?

    Tre shtetas të Shqipërisë, të arrestuar në rastin e sekuestrimit të rreth 1 milion eurove në pikën kufitare në Merdarë, aktualisht ndodhen në Shqipëri, pasi Gjykata e Prishtinës kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

    Bëhet fjalë për pjesëtarin e Policisë së Shqipërisë, Aurel Kaziu, si dhe dy persona të tjerë, Ardit Laskën e Edmir Ahmagjokajn, të cilët dyshohen në lidhje me një shumë parash – rreth 1 milion euro, të cilat Policia dhe Dogana e Kosovës i gjetën të fshehura në një pjesë të fshehur në një furgon që po vinte nga Gjermania në Kosovë dhe që kishte destinacion Shqipërinë.

    Betim Shala, avokati i policit të Shqipërisë, Aurel Kaziu, ka konfirmuar se klienti i tij është larguar nga Kosova pasi është liruar me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    “ Me aktvendim, lirimi ka qenë i pakushtëzuar, atij nuk i është konfiskuar asnjë dokument personal”- tha Shala për KALLXO.com.

    Sipas tij, mbrojtja ende nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe ka kthyer në rishqyrtim kërkesën për masë sigurie ndaj Kaziut dhe të dyshuarve të tjerë.

    Edhe avokati Fitim Bunjaku, i cili përfaqëson Edmir Ahmagjokajn, tha se klienti i tij aktualisht ndodhet në Shqipëri.

    “Kjo për arsye se Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Departamentit Special për caktimin e masës së paraburgimit dhe tre të dyshuarit janë mbrojtur në liri. Sa i përket konfiskimit të dokumentit të udhëtimit, nuk jam në dijeni nëse i njëjti i është konfiskuar. Megjithatë, sipas informatave që posedoj, telefoni i klientit tim është konfiskuar”- tha avokati Bunjaku.

    Ai shtoi se deri më tani, në cilësinë e mbrojtësit të Ahmagjokajt, nuk ka pranuar zyrtarisht ndonjë vendim nga Gjykata e shkallës së dytë.

    “ Përveç kësaj, jam informuar përmes portaleve se Gjykata e shkallës së dytë e ka kthyer lëndën në rivendosje”- shton ai tutje.

    Ndërkohë, avokatja e Ardit Laskës, Adelina Imeri-Hasani, konfirmoi se klienti i saj ndodhet në Shqipëri, në vendin ku jeton.

    “Dokumentet janë konfiskuar”- tha shkurt avokatja Imeri-Hasani.

    Avokatët kanë bërë të ditur se në rast se Gjykata merr vendime të reja në lidhje me këtë rast, klientët e tyre do të udhëzohen që t’i respektojnë ato.

    Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e e Gjykatës Themelore dhe e ka kthyer në rivendosje procesin për paraburgim në rastin e tre shtetasve të Shqipërisë, të cilëve u janë gjetur 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni në Merdarë, në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.

    Lënda është kthyer sërish në Gjykatën Themelore që të vendoset edhe një herë rreth kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

    Më 27.02.2026, Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim për t’ia refuzuar Prokurorisë Speciale kërkesën që t’i dërgojë në paraburgim për një muaj tre të dyshuarit e këtij rasti me arsyetimin se nuk është prezantuar asnjë provë se ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepra penale.

    Të dyshuarit në këtë rast janë Aurel Kaziu, pjesëtar i Policisë së Shqipërisë, dhe Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj. Tre të dyshuarit janë shtetas të Shqipërisë. Kjo shumë parash është zbuluar nga doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës në një furgon që po hynte nga Serbia në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdarë më 24.02.2026.

    “Anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L dhe çështja kthehet në rivendosje”- thuhet në komunikatën e Gjykatës të Apelit më 06.03.2026.

    Sipas Gjykatës së Apelit, vendimi i Gjykatës Themelore është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e shkelje që lidhen me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale.

    Sipas Apelit, Themelorja nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim se nuk ekziston dyshimi i bazuar.

    Tutje në njoftimin e Apelit thuhet se Themelorja me vendimin e saj të paqartë dhe në disa pjesë kontradiktor, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi çfarë baze ka arritur në përfundimin se të pandehurit nuk kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen nga PSRK.

    “ Kolegji i Apelit ka gjetur se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje që ndërlidhet me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale, për shkak se gjykata e shkallës së parë, me rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim lidhur me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar. Po ashtu, arsyetimi i aktvendimit të ankimuar rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor. Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën e të cilave ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale Shpërlarja e parave dhe nuk ka bazë për caktimin e masës së paraburgimit kundër tyre, për shkak se nuk ka bërë një vlerësim të plotë të materialeve që gjenden në shkresat e lëndës në raport me elementet e veprës penale për të cilën dyshohen, andaj Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e ankimuar sepse i njëjti nuk mund të qëndrojë juridikisht si i tillë”- thuhet në njoftimin e Apelit.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 25.02.2026 kishte paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

    PSRK në këtë rast përfaqësohet nga prokurorja Shenaj Berisha. Kurse gjyqtar në procedurën paraprake është gjyqtari i Departamentit Special, Leon Përlaska.

    Lidhur me këtë vendim ka dalë me reagim edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila tha se e mirëpresin këtë vendim të Gjykatës së Apelit me të cilin rasti është kthyer në rivendosje.

  • Lideri i ri i Iranit pritet të jetë djali i Ajatollah Khameneit

    Lideri i ri i Iranit pritet të jetë djali i Ajatollah Khameneit

    Irani ka lënë të kuptohet se ka zgjedhur djalin e Ajatollah Ali Khameneit të vrarë si pasardhës të tij.

    “Emri i Khameneit si udhëheqës i Iranit do të vazhdojë”, ka deklaruar një anëtar i asamblesë së ekspertëve.

    Ajatollah Ali Khamenei u vra në sulmet e para SHBA-Izrael ndaj Iranit të shtunën.

    Djali i tij, Mojtaba Khamenei, një klerik 56-vjeçar i cili nuk ka mbajtur kurrë një post qeveritar, ka qenë një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar atë.

    Kjo vjen pas raportimeve të mëparshme që sugjeronin se ishte zgjedhur një udhëheqës i ri suprem, por ende pa konfirmim zyrtar.

    Një këshill udhëheqës prej tre personash u formua për të qeverisur vendin në një bazë të përkohshme menjëherë pas vdekjes së udhëheqësit suprem.

    Ai përfshinte:

    Masoud Pezeshkian, presidenti i Iranit;

    Gholamhossein Mohseni Ejei , kreu i gjyqësorit i linjës;

    Alireza Arafi , jurist dhe kreu i Basij, një forcë paraushtarake vullnetare.

    Udhëheqësi suprem zgjidhet nga “asambleja e ekspertëve”, një trup prej 88 dijetarësh islamikë të zgjedhur të gjithë për besnikërinë e tyre ndaj regjimit.

  • Hoxhaj Kurtit pas deklaratës së Rashiq: Për hatër të kujt i more vendimet tjera të rënda për Kosovën

    Hoxhaj Kurtit pas deklaratës së Rashiq: Për hatër të kujt i more vendimet tjera të rënda për Kosovën

    Ish-ministri i jashtëm, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratës së Nenad Rashiq, i cili tha publikisht se kryeministri ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit për hatër të tij.

    Në një status në Facebook, Hoxhaj tha se një deklaratë e tillë tregon logjikën me të cilën po merren vendime për territorin e shtetit.

    “Nenad Rashiq tha publikisht se Albin Kurti, për hatër të tij, ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit. Një deklaratë e tillë tregon thelbin e një politike me logjikë feudale, ku territori i shtetit trajtohet si pronë për t’u dhënë ‘për hatër’”, shkroi Hoxhaj.

    Ai ngriti pyetje edhe për vendime të tjera që, sipas tij, janë marrë në dëm të Kosovës.

    “Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, për hatër të kujt janë marrë edhe vendime të tjera të rënda për Kosovën?”, theksoi ai.

    Sipas Hoxhajt, dilema të tilla lidhen edhe me marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë gjatë vitit 2023.

    “Për hatër të kujt u pranua vetëmenaxhimi në marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit më 2023? Për hatër të kujt u rikthye në qendër Rezoluta 1244 dhe mekanizma arbitrazhi që hapin rrugë për ekstraterritorialitet? Dhe për hatër të kujt u pranua që pasaportat e Serbisë për qytetarët e Kosovës të mund të përdoren për lëvizje pa viza në BE?”, shkroi ai.

    Në fund, Hoxhaj theksoi se territori i Kosovës nuk mund të trajtohet si pronë personale nga askush.

    “Kosova nuk është pronë e askujt për t’u falur sipas hatrit. Është shtet dhe duhet të trajtohet si e tillë”, përfundoi ai.

  • Këshilltari i Kurtit “i flet” Kushtetueses: Nëse nuk i urdhëroni deputetët…vendimet s’do të kenë më peshë

    Këshilltari i Kurtit “i flet” Kushtetueses: Nëse nuk i urdhëroni deputetët…vendimet s’do të kenë më peshë

    Jeton Zulfaj nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se gjykata nuk ka pyetur për lirinë e deputetëve, por ka Ka lëshuar urdhra që deputetët të jenë prezentë në seancë dhe të votojnë.

    Ai ka thënë se gjykata duhet të kthejë seancën për President aty ku ka mbetur.

    Nëse nuk e bën, sips Zulfaj vendimet e Gjykatës nuk do të kenë më peshë.

    Postimi i plotë:

    Për ata që po thonë se mandati i deputetëve është i lirë.

    Sigurisht, POR gjykata nuk ka pyetur për këtë liri vitin që shkoi. Ka lëshuar urdhra që deputetët të jenë prezentë në seancë dhe të votojnë.

    Njëjtë duhet të veprojë edhe në këtë rast.

    Në fakt, nëse gjykata nuk e kthen vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit aty ku ka mbetur, duke i urdhëruar deputetët të jenë prezent në seancë dhe të votojnë “për”, “kundër” apo “abstenojnë”, në përputhje me vendimet e mëparshme të saj, atëherë vendimet e saj nuk do të ketë më peshë.

  • Deklarata e Rashiqit për tokën që iu transferua Manastirit të Deçanit, Haradinaj: Nëse Kurti s’e demanton, më shumë se tradhti kombëtare

    Deklarata e Rashiqit për tokën që iu transferua Manastirit të Deçanit, Haradinaj: Nëse Kurti s’e demanton, më shumë se tradhti kombëtare

    Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron”më shumë se tradhti kombëtare”, nëse është e vërtetë ajo që tha ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.

    “Nëse Kurti nuk e demanton, kjo përbën më shumë se tradhti kombëtare”, shkroi ai në një postim në Facebook.

  • Musliu viziton gruan e ish-presidentit Thaçi për 8 Mars: Kujtuam sakrificat dhe guximin e grave shqiptare

    Musliu viziton gruan e ish-presidentit Thaçi për 8 Mars: Kujtuam sakrificat dhe guximin e grave shqiptare

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka vizituar Lumnije Thaçin, bashkëshorten e ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Musliu tha “në këtë ditë të veçantë kujtuam së bashku sakrificat, guximin dhe qëndresën e grave shqiptare ndër breza”.

    Ajo shkruan se “gruaja shqiptare mbetet gjithmonë simbol i forcës, guximit intelektualitetit dhe dashurisë për atdheun, e tillë është edhe zonja Lumnije Thaçi”.

    Postimi i saj i plotë:

    Sot në 8 Mars, ditën ndërkombëtare të gruas, vizitova zonjën Lumnije Thaçi, bashkëshorten e presidentit Thaçi i cili padrejtësisht po mbahet i burgosur në Hagë.

    Në këtë ditë të veçantë kujtuam së bashku sakrificat, guximin dhe qëndresën e grave shqiptare ndër breza.

    Pavarësisht sfidave ekonomike, shoqërore dhe dhunës me të cilën shpesh janë përballur, ato kanë mbetur gjithmonë shtylla e familjes, bashkëshorte të devotshme, nëna të përkushtuara dhe partnere të palëkundura në përpjekjet kombëtare.

    Historia dhe tradita jonë dëshmojnë se gruaja shqiptare ka qenë gjithmonë e respektuar dhe e vlerësuar, madje edhe në kohë lufte e rezistence. Prandaj sot, kërkesa e saj për barazi dhe trajtim dinjitoz nuk është lëmoshë, por një e drejtë legjitime që shoqëria jonë duhet ta njohë dhe ta mbrojë.

    Në këtë ditë simbolike nderojmë të gjitha gratë që kanë kontribuar për familjen, komunitetin dhe lirinë e kombit. Fuqizimi, arsimimi dhe barazia e tyre janë detyrë e përhershme e secilit prej nesh.

    Gruaja shqiptare mbetet gjithmonë simbol i forcës, guximit intelektualitetit dhe dashurisë për atdheun, e tillë është edhe zonja Lumnije Thaçi. 🌸

  • OVL-UÇK reagon pas deklaratave të Rashiqit: Fytyra e vërtetë e këtij pushteti

    OVL-UÇK reagon pas deklaratave të Rashiqit: Fytyra e vërtetë e këtij pushteti

    Organizata e Vetëranëve të Luftë së UÇK-së ka reaguar pas deklarimeve të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, se kryeministri Albin Kurti i fali 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, hatri i tij.

    OVL-UÇK-ja në reagim ka thënë se kjo tregon fytyrën e vërtetë të pushtetit të Kurtit dhe thonë se kundërshtojnë ashpër çdo lojë me pronën dhe territorin e Kosovës.

    “Deklaratat e një ministri se kryeministri i Kosovës i ka falur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit “për hatër të tij”, tregojnë fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, ideologjinë e tyre antikombëtare dhe orientimin e tyre kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Duke ndjekur këto zhvillime të padëgjuara më parë, Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së shprehin kundërshtim të ashpër ndaj lojërave me pronën dhe territorin e Kosovës, që ky pushtet po i bën në shërbim të kapriçove dhe favoreve personale”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së në Facebook.

    Gjithashtu në reagim thuhet se çdo tentativë për ta relativizuar këtë skandal, e ofendon sakrificën e popullit dhe të rënëve për liri.

  • “Për shkak të Rashiqit”, Deliu: Kaq serioze paska qenë për Kurtin gjithë ajo dramë politike për Manastirin e Deçanit

    “Për shkak të Rashiqit”, Deliu: Kaq serioze paska qenë për Kurtin gjithë ajo dramë politike për Manastirin e Deçanit

    Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu reagoi gjithashtu pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me mënyrën se si u mor vendimi për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastiri i Deçanit.

    Ajo tha se për vite me radhë janë dëgjuar akuza për “tradhti” në lidhje me çështjen e tokës së manastirit, ndërsa tani, sipas saj, del se vendimi është marrë thjesht.

    “Për vite dëgjuam akuza për ‘tradhti’ për tokën e Manastirit të Deçanit. Sot ministri Nenad Rashiq tregon se si u mor vendimi: Albin Kurti i kishte thënë ‘Do ta bëjmë, por ta dish, për shkakun tënd’. Ajo që dikur përdorej për dramë politike, në pushtet u bë një vendim i thjeshtë”, shkroi ajo në një postim në Facebook

    “Kaq serioze paska qenë gjithë ajo dramë politike”, shtoi Deliu.