ATV

Author: K.B.

  • Besart Jashari emërohet zv/ministër në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

    Besart Jashari emërohet zv/ministër në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Besart Jasharin në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

    Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi zyrtar nga Zyra e Kryeministrit.

    Në njoftim thuhet se Kurti e uroi Jasharin për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

  • Tërmet në Turqi me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter

    Tërmet në Turqi me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter

    Një tërmet me magnitudë 4.8 të shkallës rihter është regjistruar mëngjesin e sotëm pranë qytetit Merkezefendi në Turkey.

    Sipas të dhënave sizmologjike, lëkundja kishte një thellësi prej rreth 3.8 kilometrash. Epiqendra e tërmetit ndodhej rreth 27 kilometra në veri-veriperëndim të Merkezefendi dhe 14 kilometra në veri të qytetit Sarayköy.

    Sipas të dhënave paraprake, tërmeti është ndjerë në disa zona përreth. Deri tani nuk ka raportime për dëme apo të lënduar, ndërsa autoritetet dhe institucionet sizmologjike po vazhdojnë monitorimin e situatës.

  • Kurti sot merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas

    Kurti sot merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi, me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”.

    Kjo është organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

    Sipas njoftimit, ngjarja do të nis në ora 10:00.

  • Të shtëna me armë në shtëpinë e Rihannës në Beverly Hills, arrestohet një grua

    Të shtëna me armë në shtëpinë e Rihannës në Beverly Hills, arrestohet një grua

    Mediat lokale raportojnë se ylli i popit nuk është lënduar pasi u qëlluan rreth 10 të shtëna nga një automjet përballë rrugës, shkruan The Guardian.

    Një grua dyshohet se qëlloi disa herë në shtëpinë e Rihannës në Beverly Hills të dielën dhe një plumb përshkoi një mur të shtëpisë, raportuan mediet lokale.

    Los Angeles Times dhe NBC4, duke cituar një zëdhënës të policisë së Los Angeles, raportuan se autoritetet iu përgjigjën të shtënave në orën 13:21 të së dielës dhe arrestuan një të dyshuar 30-vjeçare.

    Policia e Los Angelesit dhe një përfaqësues i Rihannës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

    Rihanna ishte në shtëpi, por nuk u raportuan të lënduar, tha Los Angeles Times, duke cituar një burim.

    Gazeta citoi transmetimet e radios së policisë se rreth 10 të shtëna ishin qëlluar nga një automjet përballë portës së pronës.

  • Gjashtë mjekë specialistë i bashkohen Spitalit të Përgjithshëm në Pejë

    Gjashtë mjekë specialistë i bashkohen Spitalit të Përgjithshëm në Pejë

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë është përforcuar me gjashtë mjekë të rinj specialistë, të cilët kanë nisur zyrtarisht punën me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët.

    Sipas njoftimit të spitalit, ekipit mjekësor i janë bashkuar Linda Carrabregu, specialiste e gjinekologjisë, Kaltrine Camaj Blakaj, specialiste e oftalmologjisë, Melos Kelmendi, specialist i otorinolaringologjisë (ORL), si dhe tre specialistë të pulmonologjisë: Rilind Imeraj, Kushtrim Mulaj dhe Valmir Muhaxheri.

    Mjekët e rinj janë pritur nga drejtori ekzekutiv i spitalit, Fahri Hasani, dhe drejtori mjekësor, Shkumbin Berisha, të cilët u kanë uruar mirëseardhje dhe suksese në detyrën e tyre.

    Sipas drejtuesve të institucionit shëndetësor, angazhimi i specialistëve të rinj pritet të ndikojë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët që marrin trajtim në këtë institucion.

    Nga dita e sotme, gjashtë mjekët specialistë kanë filluar zyrtarisht punën në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

  • Dron i paautorizuar kapet nga njësitë policore në Muqibabë

    Dron i paautorizuar kapet nga njësitë policore në Muqibabë

    Një dron i paidentifikuar është vërejtur në një zonë pyjore në fshatin Muqibabë, duke bërë që rasti të raportohet tek autoritetet policore.

    Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja është raportuar më 8 mars rreth orës 19:20. Pas pranimit të informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar situatën.

    Gjatë kontrollit në terren, policia ka arritur ta gjejë dronin dhe ta konfiskojë atë. Për rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë.

    “Është raportuar se në pyll është vërejtur një dron i paidentifikuar. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë konfiskuar dronin, si dhe është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Rama: Sot marrim vendimin për Belinda Ballukun

    Rama: Sot marrim vendimin për Belinda Ballukun

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur e sot Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet për të diskutuar kërkesën e prokurorit për kufizimin e lirisë Belinda Ballukut.

    Kështu ka njoftuar kryeministri shqiptar përmes një postimi në kanalin e tij zyrtar në X, transmeton Klankosova.tv.

    “Sot në 10.00 do të jemi LIVE në Grupin Parlamentar për marrjen e qëndrimit ndaj kërkesës së prokurorit për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut”, ka shkruar ai.

  • 8 mars “i dhunshëm” në Fushë Kosovë, një burrë rrahu dy gra

    8 mars “i dhunshëm” në Fushë Kosovë, një burrë rrahu dy gra

    Një burrë është arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht dy gra.

    Rasti ka ndodhur më 8 mars rreth orës 15:35, transmeton Klankosova.tv.

    Policia ka bërë të ditur se nuk raportohet për të lënduar ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

    Rasti është iniciuar si “dhunë në familje”.

  • Një burrë në Prishtinë rrihet nga gjashtë persona, shtrihet në spital

    Një burrë në Prishtinë rrihet nga gjashtë persona, shtrihet në spital

    Një burrë dyshohet se gjatë mbrëmjes të së dielës është sulmuar nga gjashtë persona në rrugën “Astrit Rrushi” në Prishtinë.

    Policia ka bërë të ditur se viktima ka pësuar lëndime dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor.

    Një i dyshuar është arrestuar, derisa te banesa e të njëjtit janë sekuestruar një armë zjarri me leje të shenjëtarisë, disa thika, 151 fishekë të llojeve të ndryshme, dy karikatorë dhe pjesë shtesë për armë si dhe tri leje për armë.

    Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

  • Nga 1 marsi ka filluar deklarimi i pasurisë, mbi 10 mijë zyrtarë i nënshtrohen procesit

    Nga 1 marsi ka filluar deklarimi i pasurisë, mbi 10 mijë zyrtarë i nënshtrohen procesit

    Nga 1 marsi ka nisur zyrtarisht afati ligjor për deklarimin e pasurisë për vitin kalendarik 2025, një obligim që përfshin mijëra bartës të funksioneve publike në vend.

    Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit shprehen se respektimi i këtij afati është thelbësor për transparencën dhe llogaridhënien në institucionet publike, ndërsa paralajmërojnë masa ndëshkuese për ata që nuk e përmbushin detyrimin brenda kohës së përcaktuar.

    Afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 përfundon më 31 mars 2026, kështu kanë bërë të ditur për “Front Online” nga APK-ja.

    “Afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 (1 janar – 31 dhjetor 2025) ka filluar më 1 mars 2026 dhe përfundon më 31 mars 2026, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigje.

    Nga APK bëhet e ditur se nuk ka pasur ndryshime në legjislacionin që rregullon kategoritë e zyrtarëve të obliguar për deklarim.

    “Gjatë viteve të fundit nuk ka pasur ndryshime në legjislacionin përkatës që rregullon kategoritë e subjekteve deklaruese. Rrjedhimisht, lista e pozitave që i nënshtrohen deklarimit mbetet e njëjtë me vitin paraprak 2025 dhe nuk ka kategori apo pozita të reja të shtuara”, thuhet në përgjigjen e APK-së.

    Sipas Agjencisë, lista e zyrtarëve që obligohen të deklarojnë pasurinë nuk përcaktohet me vendime administrative por bazohet në ligjin në fuqi.

    “Kategoritë e subjekteve deklaruese përcaktohen ekskluzivisht në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, ndërsa çdo zgjerim eventual i kësaj liste mund të bëhet përmes ndryshimeve apo plotësim-ndryshimeve ligjore, sipas procedurave të parapara”.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se për ciklin aktual të deklarimit vjetor të pasurisë për vitin 2025, numri i përgjithshëm i subjekteve që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor është 10,340.

    “Numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor për këtë cikël deklarimi është 10340”, thuhet në përgjigje.

    Në mesin e subjekteve deklaruese për deklarimin e pasurisë janë edhe mjekët dhe profesorët.

    Sipas Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, këto kategori janë të përfshira në regjistrin e subjekteve deklaruese dhe i nënshtrohen të njëjtit afat ligjor për deklarim.

    Në përgjigjen e APK-së dhënë “Front Online”, thuhet se numri aktual i mjekëve dhe profesorëve të regjistruar si subjekte deklaruese është 1,360.

    “Këto kategori, mjekët dhe profesorët tashmë janë të përfshirë si subjekte deklaruese bazuar në legjislacionin në fuqi. Ata i nënshtrohen të njëjtit afat ligjor për deklarim vjetor, pra periudhës 1-31 mars 2026. Numri aktual i tyre në regjistrin e subjekteve deklaruese është 1360”, thuhet në përgjigje.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka bërë të ditur se vitin e kaluar ka ndërmarrë masa ndaj subjekteve deklaruese që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarimin e pasurisë brenda afatit të përcaktuar.

    Sipas Agjencisë, gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar gjithsej 135 gjoba.

    Ndërkaq, për vonesa mbi 15 ditë, 16 raste janë referuar në organet kompetente.

    “Në rastet kur subjektet deklaruese nuk kanë përmbushur obligimin ligjor brenda afatit të përcaktuar, Agjencia ka ndërmarrë veprimet e parapara me ligj. Për vonesa deri në 15 ditë janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore. Gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar 135 gjoba për këtë kategori shkeljesh. Për vonesa mbi 15 ditë dhe varësisht natyrës së shkeljes në përputhje me legjislacionin në fuqi 16 raste janë përcjellë edhe në organet kompetente – prokurori”, thuhet në përgjigje.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) vazhdon në mënyrë të rregullt procedurat administrative dhe verifikimet për zyrtarët publikë, përfshirë edhe rastet që lidhen me mosdeklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë.

    Sipas Agjencisë, APK ka referuar 61 informata dhe 17 kallëzime penale në prokurori dhe institucione të tjera të ndjekjes për shkelje të ndryshme në këtë fushë.

    “Agjencia zhvillon në mënyrë të vazhdueshme procedura administrative dhe verifikime, përfshirë raste që mund të jenë në trajtim për mosdeklarim apo deklarim të pasaktë. Në çdo rast kur gjatë procedurës konstatohet dyshim i bazuar për vepër penale, çështja referohet në institucionet kompetente të drejtësisë. Gjatë vitit të kaluar nga Agjencia për raste të ndryshme janë referuar 61 informata dhe 17 kallëzime penale në prokurori dhe institucione të tjera të ndjekjes”, thuhet në përgjigjen e APK-së