ATV

Author: K.B.

  • “2025-ta vit i humbur”, çfarë thuhet në draft-raportin e Terras për Kosovën

    “2025-ta vit i humbur”, çfarë thuhet në draft-raportin e Terras për Kosovën

    Tashmë është publikuar draft-raporti i raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras. Ky draft-raport përfshin zhvillimet politike, sundimin e ligjit, ekonominë, korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës për vitin 2025.

    Në këtë raport, Terras e ka parë vitin që lamë pas si vit të humbur për Kosovën, pasi që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nuk u arrit të funksionalizohej as Kuvendi e as Qeveria.

    “Megjithëse të tria zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë në vitin 2025 – dy parlamentare dhe një lokale – u zhvilluan në mënyrë paqësore dhe të rregullt, procesi normal politik u ndërpre rëndë. Si rezultat, disa reforma politike dhe ekonomike pësuan ngecje dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk mundi të zbatohej”, thuhet në raport.

    Ai ka thënë se Kosova ka bërë përparime të dukshme në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore, por pavarësisht këtyre, sipas Terras sfidat vazhdojnë të mbesin në reformën për drejtësi, liri të mediave, efikasiteti i administratës publike dhe digjitalizim të shërbimeve publike.

    Terras në këtë draft raport ka thënë se angazhimi i vazhdueshëm për reforma gjithëpërfshirëse dhe qeverisje gjithëpërfshirëse është thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian.

    Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

    “Në thelb, dialogu ishte pothuajse i pezulluar gjatë vitit 2025. Kjo ndodhi edhe për shkak se Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe autoritet, dhe negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë. Komisioni Evropian, si dhe Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, duhet patjetër të bëjnë gjithçka për të siguruar që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë me energji të re. Prandaj, zgjatja e mandatit të Përfaqësuesit Special, Peter Sörensen, deri në shkurt 2028, është shumë e mirëpritur”, thuhet në këtë draft-raport.

    Për zgjerimin e BE-së, ai ka thënë se është një nga historitë më të rëndësishme të suksesit të BE-së dhe sipas tij, ai duhet të vazhdoj pasi qëllimi më i gjerë gjeopolitik i zgjerimit është eliminimi i të ashtuquajturave “zona gri” nga harta e Evropës.

    “Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës duhet ta rrisin gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u përballur me aktorë globalë autoritarë konkurrues. Si Rusia ashtu edhe Kina kanë treguar se kanë interesa shumë të qarta në Ballkanin Perëndimor. Integrimi evropian i Kosovës është një proces i dyanshëm. Që Kosova të realizojë reformat e nevojshme, është e nevojshme edhe ndihma nga Bashkimi Evropian. Liberalizimi i vizave ka forcuar më tej kontaktet mes njerëzve dhe perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në draft-raport.

    Në lidhje me masat ndëshkuese që BE i ka vendosur Kosovës në vitin 2023, ai ka thënë se ndikuan shumë negativisht në përparimin e Kosovës drejt Evropës.

    “Edhe pse masat e BE-së kanë filluar gradualisht të lehtësohen, ndikimi i tyre në shoqëri mbetet shumë shqetësues. Veçanërisht të prekura nga këto masa janë organizata të ndryshme të shoqërisë civile, pakicat kombëtare, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat kanë marrë mbështetje të rëndësishme operative nga programet e BE-së. Masat gjithashtu mund të kenë një ndikim negativ në besueshmërinë e Bashkimit Evropian tek popullsia e Kosovës. Edhe pse mbështetja për Bashkimin Evropian ka mbetur shumë e lartë, ekziston rreziku që ajo të ulet si rezultat i këtyre masave”, thuhet më tutje në raport.

    Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) do të shqyrtojë draft-raportet për disa vende kandidate të Bashkimit Evropian (BE) gjatë një takimi të planifikuar për 16 dhe 17 mars. Raportet u përgatitën nga raportuesit përkatës të institucionit.

    Pas një shkëmbimi pikëpamjesh me Komisioneren për Zgjerim Marta Kos të martën, anëtarët e komisionit do të diskutojnë detajet e draft-raporteve në lidhje me Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën, Ukrainën, Moldavinë e Serbinë të nesërmen.

    Draft-raporti i AFET për Kosovën përgatitet nga raportuesi Riho Terras. Dokumenti analizon zhvillimet politike, sundimin e ligjit, ekonominë, korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    Ai vlerëson progresin e Kosovës në raport me BE-në; përfshin kritika, rekomandime dhe vërejtje për institucionet e Kosovës; propozon qëndrimin politik të Parlamentit Evropian për Kosovën.

    Pas publikimit të këtij draft-raporti, i njëjti prezantohet në PE nga eurodeputeti Terras.

    Më pas, deputetët e komitetit paraqesin amendamente (ndryshime). Komiteti AFET voton raportin, dhe raporti i miratuar shkon për votim në seancë plenare të Parlamentit Evropian

    Vetëm pas këtyre hapave ai bëhet rezolutë zyrtare e Parlamentit Evropian.

  • OBSH e alarmuar për shiun toksik pas sulmeve në fabrikat e karburantit në Iran: Mund të ketë efekte afatgjata

    OBSH e alarmuar për shiun toksik pas sulmeve në fabrikat e karburantit në Iran: Mund të ketë efekte afatgjata

    Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH po paralajmëron se reshjet e kontaminuara që vijnë nga ndotja e emetuar nga sulmet në Iran mund të paraqesin rreziqe për shëndetin.

    Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier tha se objektet e naftës që po goditen po shkaktojnë zjarre dhe po ngrenë shqetësime serioze për cilësinë e ajrit.

    Vendet e magazinimit të karburantit, përfshirë depon e naftës Shahran në Teheran, janë goditur nga sulmet ajrore, duke lëshuar re të dendura tymi të zi në ajër. Ndotja i shtyu autoritetet iraniane t’u këshillojnë qytetarëve të qëndrojnë brenda fundjavën e kaluar.

    Kur reshjet përzihen me ndotësit në ajër, shiu i ndotur bie në tokë. Reshjet mund të bëhen acidike kur uji reagon me gazra të tillë si dioksidi i squfurit dhe oksidet e azotit.

    “Shiu i zi dhe shiu acidik që vjen me të është me të vërtetë një rrezik për popullsinë”, tha Lindmeier.

    Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane paralajmëroi për djegie kimike në lëkurë dhe dëmtime serioze të mushkërive nga reshjet acidike pas sulmit në depon e naftës Shahran të Iranit. Ajo u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë brenda gjatë dhe pas reshjeve pas shpërthimeve të naftës.

    Irani gjithashtu po përballet me një krizë të rëndë uji dhe banorët kanë pritur me padurim reshjet e shiut aq të nevojshme. Shiu acid ose shiu i zi kërcënon të dëmtojë ujërat nga të cilat mbështeten iranianët.

    “Impiantet e naftës në Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë goditur gjithashtu, duke ngritur shqetësime për ndotje më të gjerë rajonale, e cila mund të ketë efekte afatgjata,” tha Lindmeier.

  • Një autobus përfshihet nga zjarri në Zvicër, gjashtë të vdekur

    Një autobus përfshihet nga zjarri në Zvicër, gjashtë të vdekur

    Një autobus i transportit publik në Zvicër u përfshi nga flakët, duke lënë të vdekur gjashtë persona dhe duke plagosur të paktën katër të tjerë, tha policia të martën në mbrëmje.

    Tre persona të plagosur janë në gjendje kritike, njoftoi policia e kantonit të Friborgut. Gjatë operacionit të shpëtimit, u plagos edhe një ndihmës mjekësor.

    Incidenti ndodhi në qytetin Kerzers, në perëndim të kryeqytetit Bernë.

    Gazeta zvicerane Blick citoi një dëshmitar të ketë thënë se një burrë në autobus u lye me benzinë ​​dhe i vuri flakën vetes. Policia tha se zjarri u shkaktua nga aktiviteti njerëzor.

    Zjarrfikësit shuan zjarrin, por autobusi u shkatërrua plotësisht. Pamjet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë automjetin të përfshirë plotësisht nga flakët dhe tymi i dendur.

  • Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi sërish para gjykatës

    Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi sërish para gjykatës

    Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do paraqitet sot në sallën e gjyqit me fillim nga ora 09:30.

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Krasniqi do të përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës, që sipas saj, ai i ka shkaktuar KEK-ut dëm prej 3 milionë eurosh për shkak të tregtimit të energjisë elektrike me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane”, e cila nuk ka qenë e licensuar në Kosovë.

    Ndërkohë, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm disa herë para trupit gjykues.

  • Merkel vlerësohet me Urdhërin Evropian të Meritës

    Merkel vlerësohet me Urdhërin Evropian të Meritës

    Ish-Kancelarja Angela Merkel është ndër të parat që nderohet me Urdhërin e ri Evropian të Meritës akorduar nga Parlamenti Evropian. Çmimi njeh, ndër të tjera, kontributin e saj në integrimin evropian.

    Ish-kancelarja gjermane Angela Merkeldo të vlerësohet me urdhërin më të lartë evropian të meritës. Ajo i bashkohet radhëve të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ish-Presidentit polak Lech Walesa. Sipas Parlamentit Evropian, urdhëri, i prezantuar për herë të parë vitin e kaluar, nderon individë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në integrimin evropian ose në promovimin e vlerave evropiane. Është çmimi i parë evropian i këtij lloji që jepet nga një institucion i BE-së.

    Çmim me disa nivele

    Merkel, Zelensky dhe Walesa marrin nderimin më të lartë. Çmime të tjera u takojnë kryesisht ish-presidentëve dhe kryeministrave të vendeve të BE-së, ose, për shembull, ish-kreut të Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet. Personalitete nga sporti dhe kultura gjithashtu nderohen me Urdhërin e Meritës.

    Gjatë kohës së saj si kancelare nga viti 2005 deri në vitin 2021, Merkel vlerësohej si menaxherja e krizave të Evropës. Ajo mori pjesë në më shumë se 100 samite të krerëve të shteteve dhe qeverive dhe mbikëqyri, ndër të tjera, krizën financiare, Brexit dhe pandeminë e koronavirusit.

  • 45 vjet nga demonstrata studentore e 11 marsit

    45 vjet nga demonstrata studentore e 11 marsit

    Sot bëhen 45 vjet nga organizimi i demonstratës studentore, e cila është protesta e parë që u shtyp me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave.

    Me datën 4 mars të vitit 1981 studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981.

    Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.

    Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës, duke u vendos në tërë territorin u vendos gjendja e jashtëzakonshme, e më vonë edhe shtetrrethimi.

    Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të vitit, shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia. /kp

  • Arabia Saudite kap 7 raketa balistike dhe 7 dronë, 6 synonin bazën ajrore Princ Sultan

    Arabia Saudite kap 7 raketa balistike dhe 7 dronë, 6 synonin bazën ajrore Princ Sultan

    Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite njoftoi të mërkurën në mëngjes se kishte kapur shtatë raketa balistike të lëshuara nga Irani, përfshirë gjashtë që synonin bazën ajrore Princ Sultan, ku ndodhen forcat amerikane, pranë kryeqytetit Riad.

    “Gjashtë raketa balistike të lëshuara drejt bazës Princ Sultan u kapën dhe u shkatërruan”, tha fillimisht ministria, duke shtuar se u kap edhe një raketë e shtatë që drejtohej për në pjesën “lindore” të vendit, si dhe dy dronë të drejtuar për në Haftar al-Batin, pranë kufirit me Kuvajtin, dhe pesë të tjerë të drejtuar për në provincën Al-Kharj.

  • Moti sot kryesisht me diell, temperatura deri në 18 gradë celsius

    Moti sot kryesisht me diell, temperatura deri në 18 gradë celsius

    Moti sot në vendin tonë pritet të jetë kryesisht me diell.

    Sipas njoftimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale të ditës do të lëvizin nga 0 deri në 2 gradë Celsius, derisa ato maksimalet nga 15 në 18 gradë Celsius.

    Ndërsa era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-7m/s.

  • Sateliti i NASA-s pritet të bjerë në Tokë pas mesnate, rreziku për njerëzit shumë i ulët

    Sateliti i NASA-s pritet të bjerë në Tokë pas mesnate, rreziku për njerëzit shumë i ulët

    Sipas vlerësimeve, mundësia që ndonjë person të goditet nga mbetjet është jashtëzakonisht e ulët.

    Sipas Forcës Hapësinore të SHBA-së, sateliti është një nga dy anijet binjake të lëshuara në vitin 2012 për të studiuar rripat e rrezatimit Van Allen, zona me grimca të ngarkuara që bllokohen nga fusha magnetike e Tokës.

    Sateliti peshon rreth 600 kilogramë, por pritet që të shpërbëhet pothuajse plotësisht gjatë hyrjes në atmosferën e Tokës, e cila parashikohet të ndodhë rreth 00:45 të së mërkurës (ora e Shqipërisë).

    Megjithatë, ekziston një mundësi e vogël që disa pjesë të mbijetojnë gjatë rikthimit në atmosferë. Forca Hapësinore amerikane e vlerëson probabilitetin e lëndimit të një personi në rreth 1 në 4.200.

    Rënia e mbetjeve nga hapësira nuk është një fenomen i pazakontë. Siç thekson edhe “The Guardian”, gjasat që dikush të goditet janë shumë të ulëta, pasi rreth 71% e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga ujë. Deri më sot, vetëm një grua është raportuar të jetë plagosur nga mbetje artificiale që kanë rënë nga hapësira.

    Sateliti Van Allen Probe A u lëshua së bashku me satelitin e tij binjak, Van Allen Probe B, nga Cape Canaveral në Florida më 30 gusht 2012. Misioni i tyre ishte studimi i rripave të grimcave të ngarkuara që mbahen nga fusha magnetike e Tokës.

    Të dy satelitët u çaktivizuan në vitin 2019, pasi u shteruan rezervat e karburantit dhe nuk mund të orientoheshin më drejt Diellit. Fillimisht ishte parashikuar që ata të riktheheshin në atmosferën e Tokës rreth vitit 2034, por këto llogaritje rezultuan të pasakta. Sateliti i dytë, sipas parashikimeve aktuale, nuk pritet të hyjë në atmosferë para vitit 2030. /Panorama

  • Kuvendi i Shqipërisë thotë se është goditur nga një sulm kibernetik: Synim, fshirja e të dhënave

    Kuvendi i Shqipërisë thotë se është goditur nga një sulm kibernetik: Synim, fshirja e të dhënave

    Kuvendi i Shqipërisë njoftoi të martën vonë se është goditur nga një sulm kibernetik, si pasojë e të cilit janë fshirë një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

    “Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Kuvendi nuk bëri të ditur se nga ka ardhur sulmi, por më herët gjatë ditës një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, e mori përgjegjësinë për sulmin dhe theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.

    MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.

    Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.

    Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet.

    Ky grup hakerësh edhe më herët ka kryer sulme ka kryer disa sulme kibernetike ndaj disa institucioneve në Shqipëri.

    Sulmi kibernetik i së hënës vjen në një kohë kur në Shqipëri u rritën shqetësimet rreth sigurisë pasi Irani nisi sulme hakmarrëse në vendet ku ekzistojnë baza ushtarake amerikane menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i filluan bombardimet ndaj Teheranit më 28 dhjetor.

    Në të kaluarën, Homeland Justice ka publikuar të dhëna personale të shtetasve shqiptarë dhe ka deklaruar se shkaku i sulmeve kibernetike lidhet me vendimin e Shqipërisë për të strehuar opozitën iraniane, në kampin e Manzës.

    Ndërkohë, hetimet e para rreth sulmit të 10 marsit kanë treguar se infrastruktura kryesore e punës së këtij institucioni nuk është prekur, tha ai.

    Bëhet e ditur gjithashtu se faqja zyrtare e Kuvendit dhe sistemet e tjera që mbështesin veprimtarinë e institucionit vijojnë të punojnë normalisht.

    Pasi është vërejtur incidenti janë marrë masa për neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve, theksoi Kuvendi.

    Grupi i hakerëve i publikoi disa prej dokumenteve të hakeruar më 10 mars.

    Kuvendi i tha se pas sulmit “është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm”.

    Ai gjithashtu ka ngritur një ekip i përbashkët teknik dhe hetimor për të zbuluar burimin e sulmit dhe për të rikthyer të dhënat e prekura./REL