ATV

Author: K.B.

  • Gruaja që qëlloi shtëpinë e Rihannës publikonte mesazhe shqetësuese në YouTube, duke e quajtur këngëtaren shtrigë

    Gruaja që qëlloi shtëpinë e Rihannës publikonte mesazhe shqetësuese në YouTube, duke e quajtur këngëtaren shtrigë

    Gruaja e akuzuar për të shtënat me armë në shtëpinë e Rihannës, Ivana Lisette Ortiz, kishte postuar disa mesazhe shqetësuese dhe frikësuese drejtuar këngëtares vetëm disa javë para incidentit.

    Sipas mediave ndërkombëtare, në muajt para ngjarjes, Ortiz e kritikoi ashpër Rihannën në video të publikuara në kanalin e saj në YouTube, të titulluara “Ditari i një gruaje që lutet”.

    “Rihanna, kur të vdesësh, Zoti do të më udhëzojë drejt të ardhmes sime”, u shpreh Ortiz në një video dy muaj më parë, duke shtuar më pas: “Do të më vrasësh? Hesht. Në rregull, hesht. Po, ajo është shtrigë. Ajo është shtrigë. Unë jam roja. Ajo është shtrigë. Largojeni atë vajzë budallaqe që këtej, në rregull”.

    Në një tjetër video, ajo tha: “Rihanna është shumë xheloze atje”, dhe fytyrën e saj e përshkroi si “e djallit”. Ortiz e akuzonte këngëtaren se përpiqej ta vidhte dhe e kritikonte muzikën e saj: “Ajo kurrë nuk publikoi muzikë për të arritur njerëzit. Ajo publikoi muzikën e saj të vogël vetëm që të mund të praktikonte magji. Dhe kështu ajo mund të vidhte nga njerëzit. Prandaj ju lutem, të gjithë ndaloni… mos e dëgjoni, mos e ndiqni… sepse ajo po ju vjedh”.

    Ortiz gjithashtu shprehu zemërim ndaj shumë personazheve të famshëm, duke përfshirë Kim Kardashian, të cilën e quante “budallaqe”.

    Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, kur shtëpia e këngëtares në Beverly Hills u bë cak i të shtënave. Sipas raportit të policisë, Ortiz qëlloi disa herë nga makina e saj drejt shtëpisë së Rihannës, por askush nuk u lëndua. Ajo u arrestua dhe u akuzua për tentativë vrasjeje.

  • Shazam tani mund të përdoret direkt në ChatGPT

    Shazam tani mund të përdoret direkt në ChatGPT

    Tani përdoruesit e ChatGPT mund të identifikojnë këngët e tyre të preferuara pa pasur nevojë të hapin aplikacionin Shazam.

    Apple ka integruar mjetin e njohjes së muzikës direkt në platformën e ChatGPT, duke e bërë më të thjeshtë dhe të shpejtë gjetjen e këngëve që dëgjojmë.

    Përdoruesit mund të shkruajnë fjalët “Shazam, what’s playing?” ose të përdorin komandën /Shazam dhe ChatGPT do t’i tregojë menjëherë: emrin e këngës, artistin, kopertinën e albumit dhe statistikat e identifikimit.

    Pas njohjes së këngës, përdoruesit mund të dëgjojnë paraprakisht këngën, ta ruajnë në bibliotekën e tyre Shazam ose të krijojnë listë të personalizuar në Apple Music. Integrimi është tashmë i disponueshëm në iOS, Android dhe ueb, dhe po shpërndahet gradualisht për të gjithë përdoruesit.

    Ky hap e bën më të lehtë për fansat e muzikës të zbulojnë këngë të reja dhe të ndërveprojnë me ChatGPT në mënyrë më argëtuese dhe të menjëhershme.

  • ‘Grushta e përplasje’ – kuzhinieri shqiptar me famë botërore reagon pas akuzave të rënda nga ish-punonjësit

    ‘Grushta e përplasje’ – kuzhinieri shqiptar me famë botërore reagon pas akuzave të rënda nga ish-punonjësit

    Për vite me radhë, Rene Rexhepi, ka qenë një nga emrat më të mëdhenj në botën e gastronomisë, ndërsa restoranti i tij ‘Noma’ është konsideruar një nga më me ndikim në industrinë e kulinarisë.

    Së fundmi, po përballet me kritika të reja pas një artikulli të publikuar nga The New York Times, ku ish-punonjës të restorantit kanë treguar për sjellje abuzive në kuzhinë.

    Sipas dëshmive të rreth 30 ish-punonjësve, mes viteve 2009 dhe 2017 në kuzhinë ndodhnin shpesh incidente ku stafi goditej me grusht, shtyhej, apo goditej me mjete kuzhine.

    Një ish-shef që punoi aty në vitin 2012 tha se kuzhinieri me origjinë shqiptare ‘kalonte përgjatë rreshtit dhe i godiste në gjoks’ kuzhinierët, edhe kur gabimi ishte bërë nga dikush tjetër.

    Disa ish-punonjës gjithashtu pretenduan se ai i kishte kërcënuar se do t’i përjashtonte nga industria e restoranteve ose do t’u shkaktonte probleme familjarëve të tyre.

    Pas publikimit të këtij lajmi, Rexhepi reagoi me një deklaratë në Instagram.

    Ai tha se nuk i njeh të gjitha detajet e akuzave, por pranoi se një pjesë e sjelljes së tij në të kaluarën ka qenë e dëmshme për njerëzit që punonin me të dhe kërkoi falje.

    Shpjegoi gjithashtu se në fillimet e karrierës kishte punuar në kuzhina ku bërtitjet, poshtërimi dhe frika ishin pjesë e kulturës, dhe megjithëse kishte premtuar se nuk do të drejtonte kurrë në atë mënyrë, presioni i madh pas hapjes së ‘Noma’-s e bëri të sillet ashtu si shefat që ai vetë kishte kritikuar.

    Rene pranoi se në të kaluarën kishte shpërthime dhe ndonjëherë edhe agresion fizik, duke shtuar se gjatë dekadës së fundit ka punuar për të ndryshuar përmes terapisë, reflektimit dhe duke u larguar nga drejtimi i përditshëm i shërbimit në restorant.

    Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ndara: disa e vlerësuan kërkim-faljen dhe pranimin e gabimeve, ndërsa të tjerë dyshuan për kohën dhe sinqeritetin e saj, duke pyetur edhe nëse viktimat do të marrin ndonjë formë kompensimi.

  • Mira Murati arrin marrëveshje me gjigantin e teknologjisë ‘Nvidia’ për zhvillimin e AI-së

    Mira Murati arrin marrëveshje me gjigantin e teknologjisë ‘Nvidia’ për zhvillimin e AI-së

    Kompania shqiptare e inteligjencës artificiale Thinking Machines Lab, e themeluar nga Mira Murati, ka njoftuar një marrëveshje strategjike me gjigantin teknologjik Nvidia, kompania më e vlefshme në botë.

    Sipas njoftimit të përbashkët, Nvidia do të investojë në Thinking Machines Lab dhe do të sigurojë çipa të avancuar për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të inteligjencës artificiale, raporton Bloomberg.

    Në kuadër të marrëveshjes shumëvjeçare, kompania do të përdorë gjeneratën e re të çipave të inteligjencës artificiale “Vera Rubin” të Nvidias, të cilët pritet të vendosen në përdorim në fillim të vitit të ardhshëm. Këta çipa do të ofrojnë një fuqi kompjuterike prej rreth 1 gigavat, e barabartë me energjinë e nevojshme për të furnizuar rreth 750 mijë shtëpi.

    Drejtori ekzekutiv i Nvidias, Jensen Huang, ka vlerësuar ekipin e Thinking Machines si ekspertë të nivelit botëror që po avancojnë kufijtë e inteligjencës artificiale.

    “Jemi të entuziazmuar të bashkëpunojmë me Thinking Machines për ta realizuar vizionin e tyre për të ardhmen e AI-së”, tha Huang.

    Nga ana e saj, Murati theksoi se partneriteti do të përshpejtojë zhvillimin e teknologjive të AI që përdoruesit mund t’i formësojnë dhe përdorin për të rritur potencialin e tyre.

    Nën drejtimin e Muratit, e cila më parë ka shërbyer si drejtoreshë e teknologjisë në OpenAI, Thinking Machines ka punësuar dhjetra ekspertë dhe ka lansuar produktin e saj të parë, Tinker, në tetor. Ky shërbim ndihmon përdoruesit të përsosin modelet e mëdha gjuhësore, teknologjinë që fuqizon chatbotet si ChatGPT.

    Megjithatë, kompania ka përjetuar disa largime të stafit në muajt e fundit, duke përfshirë drejtorin e saj të teknologjisë, i cili iu bashkua përsëri OpenAI-së.

  • Arrin në Shkup grupi i dytë i qytetarëve të evakuuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe

    Arrin në Shkup grupi i dytë i qytetarëve të evakuuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe

    Grupi i dytë i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të evakuuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka mbërritur pasditen e sotme në Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

    Sipas njoftimeve zyrtare, qytetarët janë nisur në mënyrë të sigurt nga Dubai, duke u larguar nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Në këtë fluturim ndodheshin gjithsej 150 pasagjerë, prej të cilëve 125 shtetas të Maqedonisë së Veriut, 7 shtetas të Serbisë, 11 shtetas të Kosovës, 2 shtetas të Bosnjë dhe Hercegovinës, 2 shtetas të Shqipërisë, si dhe nga një shtetas i Gjermanisë, Armenisë dhe Malit të Zi.

    Fluturimi u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në bazë të një plani të përgatitur më herët dhe në koordinim me institucionet kompetente. Sipas njoftimit, të gjitha shpenzimet për realizimin e fluturimit janë mbuluar plotësisht nga shteti.

  • Nëse vëreni këto 5 shenja, bojleri mund të shpërthejë – Pasojat mund të jenë shumë të rënda

    Nëse vëreni këto 5 shenja, bojleri mund të shpërthejë – Pasojat mund të jenë shumë të rënda

    Edhe pse rrallë ndodhin, shpërthimet e bojlerit mund të shkaktojnë dëme të mëdha materiale dhe të rrezikojnë seriozisht sigurinë e njerëzve në shtëpi

    Edhe pse shpërthimet e bojlerit janë të rralla, pasojat mund të jenë shumë serioze dhe të rrezikshme. Ekspertët paralajmërojnë se një defekt në këtë pajisje shtëpiake mund të shkaktojë dëme të mëdha materiale, por edhe lëndime, madje në raste të rënda edhe tragjedi për personat që ndodhen pranë. Pikërisht për këtë arsye mirëmbajtja e rregullt e bojlerit është shumë e rëndësishme për sigurinë e shtëpisë, sidomos nëse përdorni një bojler më të vjetër.

    Shpërthimi mund të ndodhë nëse temperatura dhe presioni brenda bojlerit janë shumë të larta ose nëse ndodh rrjedhje gazi. Për të reaguar në kohë dhe për të parandaluar një rrezik të mundshëm, duhet të kushtoni vëmendje disa shenjave paralajmëruese. Nëse i vëreni, mos u përpiqni ta riparoni vetë bojlerin, por kontaktoni një specialist, transmeton Telegrafi.

    Rrjedhje uji te valvula
    Valvula T&P (temperaturë dhe presion) shërben për rregullimin e temperaturës dhe presionit në bojler. Nëse vëreni rrjedhje uji në këtë valvulë, ka shumë gjasa që ajo nuk po arrin të përballojë presionin që krijohet brenda bojlerit.

    Valvula T&P gjithmonë e hapur
    Kur bojleri funksionon normalisht, valvula T&P hapet vetëm kur presioni arrin një nivel të caktuar. Ajo mund të hapet edhe kur temperatura e ujit rritet shumë, duke lejuar përzierjen e ujit të ftohtë me atë të nxehtë për të ulur temperaturën. Por nëse kjo valvulë qëndron gjithmonë e hapur, mund të jetë shenjë e një problemi serioz që mund të çojë në shpërthim.

    Ujë i ndotur ose me ngjyrë kafe
    Uji i ndotur ose me ngjyrë kafe është një nga shenjat që vërehen më lehtë. Prania e tij mund të tregojë se në bojler është grumbulluar shumë sediment. Në disa raste mund të jetë edhe shenjë e gërryerjes së tubave. Në çdo rast, kjo është një shenjë paralajmëruese për një defekt të afërt.

    Era e vezëve të prishura
    Nëse pranë bojlerit ndjeni një erë të ngjashme me vezë të prishura, kjo është një shenjë që nuk duhet injoruar. Zakonisht tregon për rrjedhje gazi dhe kërkon ndërhyrje urgjente. Flaka kontrolluese e bojlerit mund të ndezë gazin e rrjedhur, gjë që mund të shkaktojë shpërthim ose zjarr të rrezikshëm.

    Zhurma kërcitëse
    Shumë njerëz nuk i kushtojnë vëmendje zhurmave që vijnë nga bojleri, por ato mund të tregojnë shumë për gjendjen e tij. Nëse bojleri nuk pastrohet dhe nuk mirëmbahen rregullisht, brenda tij krijohen shtresa sedimenti. Kjo bën që ngrohësit të mos e ngrohin ujin në mënyrë efikase dhe mund të dëgjohen zhurma kërcitëse kur uji nën shtresën e sedimentit fillon të vlojë.

  • Burri në Vushtrri sulmon gruan, strehimorja e merr bashkë me fëmijët

    Burri në Vushtrri sulmon gruan, strehimorja e merr bashkë me fëmijët

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në Vushtrri, ku një burrë e ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

    Incidenti ndodhi mbrëmë rreth orës 21:43.

    Sipas raportit policor, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Nga ana tjetër, viktima ka marrë urdhrin mbrojtës. Bashkë me fëmijët, ajo është dërguar në strehimore.

    Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.

    “Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Ndaj viktimës pas intervistimit është lëshuar urdhëri mbrojtës dhe së bashku me fëmijët është dërguar në strehimore. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • SHBA-ja thotë se 16 anije iraniane që vendosnin mina janë ‘eliminuar’

    SHBA-ja thotë se 16 anije iraniane që vendosnin mina janë ‘eliminuar’

    Komanda Qendrore Amerikane thotë se forcat amerikane kanë “eliminuar” 16 anije iraniane që vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit, pasi presidenti amerikan Donald Trump e paralajmëroi Iranin të mos “vendosë asnjë minë” atje.

    Ndërkohë, dy anije tregtare janë dëmtuar nga “predha të panjohura” në zonë.

    Irani ka rritur sulmet hakmarrëse ndaj Izraelit dhe objektivave amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein, Kuvajt dhe Irak, thotë media shtetërore.

    Ndërkohë, zyrtarët në Katar, Arabinë Saudite dhe Kuvajt raportojnë se kanë kapur më shumë raketa iraniane, raportojnë BBC.

    Izraeli nis sulme të reja ndaj Iranit dhe Libanit, ku ushtria izraelite thotë se po synon infrastrukturën e Hezbollahut në jug të Bejrutit

  • 4 të plagosur pasi 2 dronë ranë në afërsi të aeroportit të Dubait

    4 të plagosur pasi 2 dronë ranë në afërsi të aeroportit të Dubait

    Katër persona u plagosën kur dy dronë ranë në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait të mërkurën në mëngjes, tha Zyra e Medias e Qeverisë së Dubait, raporton CNN.

    Një shtetas indian pësoi lëndime të moderuara, ndërsa dy shtetas ganezë dhe një shtetas i Bangladeshit pësuan lëndime të lehta, thuhet në një postim në X.

    “Trafiku ajror po operon normalisht” shtoi ajo.

    Shkalla e çdo dëmtimi në aeroport ende nuk është e qartë.

  • Gjendet shëndoshë e mirë vajza që u raportua e zhdukur në Ferizaj

    Gjendet shëndoshë e mirë vajza që u raportua e zhdukur në Ferizaj

    Është gjetur vajza e cila u raportua e zhdukur që nga 6 marsi i këtij viti në Ferizaj.

    Sipas njoftimit zyrtar, ajo është në gjendje të mirë shëndetësore.

    “Ferizaj / 06.03.2026 – 14:00. Me 10.03.2026 është raportuar se viktima e cila ishte e zhdukur që nga data e incidentit është kthyer në shtëpinë e saj në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në raportin e policisë.