ATV

Author: K.B.

  • Haziri për Osmanin: Nëse do të kandidohej, LDK do ta diskutonte mbështetjen

    Haziri për Osmanin: Nëse do të kandidohej, LDK do ta diskutonte mbështetjen

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kjo parti do ta shqyrtonte mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit për Presidente, në rast se emri i saj propozohet nga partia e parë.

    Sipas Hazirit, në një skenar të tillë, partia do të analizonte nëse është më e arsyeshme të shkohet në zgjedhje apo të jepet mbështetje për kandidaturën e Osmanit, duke kujtuar edhe qëndrimin e mëhershëm të LDK-së në një situatë të ngjashme.

    Haziri në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova vuri në dukje gjithashtu se organizimi i zgjedhjeve në Kosovë është një proces i kushtueshëm.

    “Unë mund ta konfirmoi atë që e ka thënë Lumir Abdixhiku, nëse vjen emri i saj, ne e diskutojmë për ta mbështetur, sikur herën e kaluar, nuk ka qenë diskutimi mos me mbështet. Nëse do ta kandidonte partia e parë, ne do ta vlerësonim a duhet të shkojmë në zgjedhje, apo duhet ta mbështesim Vjosa Osmani dhe këtu LDK-ja do të reagonte me racionalitet, besoj sikur edhe herën e parë. Ne nuk e kemi pasur asnjë arsye ta marrim barrën e përgjegjësisë, në Kosovë po kushton ndarja e pozicioneve Kushtetuese shumë shtrenjt. Zgjedhjet janë shumë të shtrenjta në Kosovë”, u shpreh ai.

  • Gashi: Fyerjet ndaj Osmanit dëmtojnë vetëm Vetëvendosjen

    Gashi: Fyerjet ndaj Osmanit dëmtojnë vetëm Vetëvendosjen

    Avokati Tomë Gashi ka reaguar ndaj sulmeve dhe kritikave që po i bëhen presidentes Vjosa Osmani pas prishjes së raporteve të saj me kryeministrin Albin Kurti.

    Në FIVE në TV Dukagjini, Gashi tha se fyerjet dhe linçimet ndaj Osmanit nga aktivistë apo përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje nuk e dëmtojnë presidenten, por mund të kenë pasoja politike për vetë këtë parti.

    “Nëse fillojnë aktivistët e LVV-së që ta fyejnë Vjosa Osmanin, më së shumti e dëmton LVV-në. Jo Vjosa Osmanin. Unë po them aktivistët që janë më pak se deputet, por nëse fillojnë deputetët ta fyejnë Vjosa Osmanin ata thjesht çojnë vota në të ardhmen për Vjosa Osmanin”.

    “Tash jemi 18 vjet shtet, jemi shtet i pjekur. Jemi në pragun e 27 vjetori të çlirimit nga okupimi serb. Dhe deri dje ka qenë binomi, kanë qenë bashkë Vjosa Osmani e Albin Kurti, sinonim i përparimit të Kosovës, Kosova ka shkuar super mirë”.

    “Dhe ata s’mund të thonë që, ata mund edhe të thonë por jo mi ndez njerëzit, jo mi qit benzinë zjarrit që ta fyejnë njëri tjetrit”, ka thënë Gashi.

  • Mashtrim në testin për patentë-shofer, policia arreston dy persona në Mitrovicë të Veriut

    Mashtrim në testin për patentë-shofer, policia arreston dy persona në Mitrovicë të Veriut

    Policia ka arrestuar dy persona në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për manipulim gjatë procesit të testimit për patentë shofer.

    Rasti është identifikuar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut, pasi dyshohet se një person kishte tentuar të hyjë në testin me shkrim në emër të një kandidati tjetër.

    “Gjatë veprimeve hetimore, policia ka arrestuar të dyshuarit dhe ka sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin, përfshirë dy telefona celularë dhe 2,000 euro para të gatshme. Me vendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Një shqiptare pritet të bëhet Zonja e Parë e Baden-Wurttembergut

    Një shqiptare pritet të bëhet Zonja e Parë e Baden-Wurttembergut

    Partia e Gjelbër fitoi zgjedhjet shtetërore në Baden-Wurttemberg më 8 mars 2026, me 30.2 për qind të votave. Me këtë rezultat, partia e udhëhequr nga kandidati kryesor Cem Ozdemir, (i lindur në Gjermani, nga prindër turq) ka mundur, ndonëse ngushtë, CDU-në, e cila mori 29.7 për qind.

    Kështu, të Gjelbrit do të mbajnë 56 vende në parlamentin e ri të shtetit – saktësisht të njëjtin numër si CDU.

    Me këtë fitore zgjedhore, Cem Ozdemir ka deklaruar qëllimin e tij për t’u bërë kryeministër i ri i Baden-Wurttembergut dhe kështu të pasojë Winfried Kretschmannin, po ashtu nga Partia e Gjelbër, i cili e ka mbajtur për tre mandate këtë post.

    Dhe, te zgjedhja fare realiste e Ozdemirit për kryeministër fillon “rrëfimi rozë”, me interes edhe për publikun shqiptar, shkruan albinfo.ch.

    Ja përse: “Zonja e parë” e republikës pritet të jetë një shqiptare!

    Gruaja në krah të kryeministrit të pritshëm, bashkëshortja me të cilën Ozdemir është kurorëzuar vetëm pak javë më parë, është shqiptarja nga Kanadaja me emrin Flavia Zaka. Ajo punon si avokate dhe është specializuar në çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut.

    Dasma e çiftit “të ri” fillimisht e mbajtur sekret për arsye sigurie, u zhvillua në bashkinë e Tubingenit dy javë para zgjedhjeve shtetërore në Baden-Wurttemberg dhe menjëherë e nxori atë në qendër të vëmendjes: Fotot e dhëndrit, Cem Ozdemir, dhe nuses, e cila mbante një buqetë me trëndafila, ishin thjesht, tepër të bukura për t’u injoruar, shkruan morgenpost.de.

    Por 40-vjeçarja dhe partneri i saj, 20 vjet më i moçëm se ajo, ishin gjithashtu në qendër të vëmendjes së fotografëve në ballon e shtypit shtetëror në Stuttgart në nëntor – dhe ajo u pa duke kërcyer me Ozdemirin.

    Flavia Zaka është shtetase kanadeze dhe mund të bëhet Zonja e Parë e Baden-Wurttemberg pas fitores zgjedhore të Ozdemirit, tranmseton albinfo.ch. Se si do ta formësonte një rol të tillë mbetet për t’u parë: Ajo refuzoi të komentonte publikisht para zgjedhjeve nëse do të merrte përsipër patronazhe apo do të angazhohej në kauza sociale.

    Dasma u zhvillua në bashkinë e Tubingenit dy javë para zgjedhjeve shtetërore. Ajo dha vetëm një intervistë të detajuar për gazetën “Sudkurier” nga Konstanca, ku përshkroi historinë e jetës dhe interesat e saj. Flavia Zaka vjen nga Shqipëria; në moshën dymbëdhjetë vjeçe, ajo emigroi në Kanada me prindërit dhe motrën e saj. Zhvendosja e saj përfundimtare në Baden-Wurttemberg për të qenë me Cem Ozdemirin ishte rastësi e pastër.

    Dhe kjo ndodhi përmes një sërë ngjarjesh të papritura. Gjatë një viti jashtë vendit në vitin 2008 në Konstancë në Liqenin e Konstancës, ajo takoi një mike të re ndërsa studionte drejtësi dhe shkenca politike. Më vonë, në vitin 2023, kur ajo tashmë punonte si avokate e mjedisit dhe të drejtave të njeriut në Toronto, kjo mike e ftoi në një festë ditëlindjeje në Stuttgart. Cem Ozdemir ishte gjithashtu i ftuar.

    Dhe atëherë ndizet shkëndija. “E njoh Stuttgartin më gjatë sesa e njoh Cemin. Por këtu u takuam”, tha Flavia Zaka për gazetën “Sudkurier” në një gjermanishte të rrjedhshme. Vetëm herë pas here ajo e kthen bisedën në anglisht kur u përgjigjet pyetjeve.

    Largimi nga Kanadaja, puna e saj, nga familja e saj dhe qenushi i saj i dashur nuk ishte i lehtë…

    Mundësitë e koalicionit: Një vazhdim i koalicionit ekzistues midis të Gjelbërve dhe CDU-së (këtë herë nën udhëheqjen e Partisë së Gjelbër nga Ozdemir) konsiderohet si opsioni më i mundshëm sipas rezultateve paraprake përfundimtare.

  • 11 fshatra të Klinës nesër pa ujë, kjo është arsyeja

    11 fshatra të Klinës nesër pa ujë, kjo është arsyeja

    fshatra të komunës së Klinës do të mbesin përkohësisht pa furnizim me ujë të pijes për shkak të punimeve që po realizohen në rezervuar.

    Në njoftimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, thuhet se në kuadër të Njësisë Operative në Klinë po kryhen punime gjenerale për pastrim në rezervarin e Pograxhës.

    Për shkak të këtyre punimeve, pa furnizim me ujë do të mbesin të gjitha fshatrat që furnizohen nga ky rezervuar, përfshirë: Pograxhë, Jashanicë, Shtupel, Kerrnicë, Dush, Gjurgjevik i Madh, Ujmire, Shtaricë, Siqevë, Dollc dhe Dresnik.

    “Planifikohet që punimet të përfundojnë nesër deri në mesditë”, thuhet në njoftim.

    Nga Zyra për Media e KRU “Hidrodrini”- Pejë kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me ujë, derisa të përfundojnë punimet e planifikuara.

  • Konjufca pret ambasadorin gjerman, flasin për dialogun dhe bashkëpunimin ekonomik

    Konjufca pret ambasadorin gjerman, flasin për dialogun dhe bashkëpunimin ekonomik

    Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka pritur në takim ambasadorin e Germany në Kosovë, Rainer Rudolph.

    Sipas një njoftimi nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, ambasadori Rudolph e uroi Konjufcën për mandatin dhe riafirmoi mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovo.

    Konjufca e Ruolph, diskutuan për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se partneriteti Kosovë–Gjermani tejkalon dimensionin bilateral dhe mbështetet në lidhje të forta politike, ekonomike dhe shoqërore.

    Në këtë kontekst u theksua edhe roli i rëndësishëm i diasporës kosovare në Gjermani, si dhe i bizneseve të shumta që qytetarët e Kosovës kanë ndërtuar atje. Palët theksuan nevojën për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike dhe bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

    Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan gjithashtu zhvillimet rajonale dhe procesi i dialogut, si dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm për stabilitet dhe përparim në rajon.

    Në fund të takimit u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Gjermaninë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

  • Haxhiu takon ambasadorin Guerot, flasin për bashkëpunimin Kosovë-Francë

    Haxhiu takon ambasadorin Guerot, flasin për bashkëpunimin Kosovë-Francë

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi sot takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

    Në takim u diskutua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve tona dhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

    “Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës dhe për kontributin e saj në zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Haxhiu sot gjithashtu ka zhvilluar takim edhe me Ambasadorin Jonathan Hargreaves dhe vajzat e përzgjedhura në kuadër të iniciativës “Ambassador for a Day”.

    “Sot mirëprita Ambasadorin, Jonathan Hargreaves, dhe vajzat e përzgjedhura në kuadër të iniciativës “Ambassador for a Day”, një program që u jep të rejave mundësinë të njihen nga afër me botën e diplomacisë dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre të lidershipit”.

    “Ishte kënaqësi të bisedoj me këto vajza të talentuara, t’u përgjigjem pyetjeve të tyre për sfidat dhe përvojat e rrugëtimit tim politik, por edhe të dëgjoj idetë dhe aspiratat e tyre për të ardhmen. Iniciativa të tilla janë të rëndësishme sepse i inkurajojnë vajzat të besojnë në potencialin e tyre dhe të shohin lidershipin si një mundësi reale për të kontribuar në shoqërinë tonë”, thuhet në njoftim.

  • Dogana konfiskon mallra që dyshohet se janë të kontrabanduara, vlera rreth 800 mijë euro

    Dogana konfiskon mallra që dyshohet se janë të kontrabanduara, vlera rreth 800 mijë euro

    Dogana e Kosovës, ka njoftuar se janë zbuluar mallra të dyshuara për kontrabandë në vlerë rreth 800 mijë euro në rajonin e Prishtinës.

    Siç njofton Dogana, sasia e mallit ka qenë e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, si dhe një sasi e veshjeve nga tekstili, si dhe malli i identifikuar dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Kosovë.

    Njoftimi:

    Dogana e Kosovës zbulon mallra të dyshuara për kontrabandë në vlerë rreth 800 mijë euro në rajonin e Prishtinës

    Sot, më 10.03.2026, në regjionin e Prishtinës, Dogana e Kosovës, duke u bazuar në autorizimet e saj ligjore që rrjedhin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave i Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një operacion kontrolli në pesë lokacione, përkatësisht depo të bizneseve të ndryshme.

    Gjatë këtyre kontrolleve është gjetur një sasi e konsiderueshme e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, si dhe një sasi e veshjeve nga tekstili. Malli i identifikuar dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Republikën e Kosovës. Vlera e përgjithshme e mallit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 800,000 euro.

    Pas evidentimit të rastit është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale. Me autorizimin e tij, personat e dyshuar lidhur me pronësinë e mallit janë duke u intervistuar, ndërsa malli i gjetur është duke u inventarizuar dhe konfiskuar, për t’u transportuar më pas në depot e Doganës së Kosovës.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm në Republikën e Kosovës.

  • OBSH paralajmëron për “shiun e zi” në Teheran: Rrezik për shëndetin e popullsisë

    OBSH paralajmëron për “shiun e zi” në Teheran: Rrezik për shëndetin e popullsisë

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se fenomeni i ashtuquajtur “shi i zi” dhe prania e përbërjeve toksike në atmosferën e Iranit, pas sulmeve ndaj instalimeve të naftës, mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht në sistemin respirator.

    Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, e cila ka zyra në Iran dhe bashkëpunon me autoritetet vendase për çështje emergjente shëndetësore, bëri të ditur se gjatë kësaj jave ka marrë raporte të shumta për reshje shiu të përziera me mbetje nafte.

    Të hënën, Teherani u mbulua nga re të dendura tymi të zi, pasi një rafineri nafte u bombardua, në një përshkallëzim të sulmeve ndaj rezervave energjetike të brendshme të Iranit, në kuadër të fushatës ushtarake amerikano-izraelite.

    Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se fenomeni paraqet rrezik real për shëndetin publik, ka transmetuar Panorama.

    “Shiu i zi dhe shiu acid që e shoqëron përbëjnë vërtet një rrezik për popullsinë, sidomos për sistemin respirator”, tha ai, duke shtuar se autoritetet iraniane u kanë rekomanduar qytetarëve të qëndrojnë brenda në shtëpi.

    Rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve

    I pyetur nëse OBSH mbështet këto rekomandime, Lindmeier u përgjigj se, duke pasur parasysh situatën aktuale, ato janë të arsyeshme.

    “Duke parë rreziqet që ekzistojnë tani – instalimet e naftës dhe rafineritë e goditura që kanë shkaktuar zjarre dhe shqetësime serioze për cilësinë e ajrit – është padyshim një ide e mirë që njerëzit të qëndrojnë në ambiente të mbyllura”, tha ai.

    Sipas tij, bombardimet kanë shkaktuar çlirimin masiv në atmosferë të hidrokarbureve toksike, oksideve të squfurit dhe përbërjeve azotike.

    Ekspertët paralajmërojnë se thithja e tymit ose kontakti me grimcat ndotëse mund të shkaktojë dhimbje koke, irritim të lëkurës dhe syve, si dhe vështirësi në frymëmarrje. Ndërsa ekspozimi afatgjatë ndaj disa prej këtyre substancave mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e disa llojeve të kancerit.

  • Rrahmani: Qeveria e Kurtit në qershor do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”, askush në LVV s’u tërhoq nga kjo

    Rrahmani: Qeveria e Kurtit në qershor do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”, askush në LVV s’u tërhoq nga kjo

    Eman Rrahmani, deputet i Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura, tha se Qeveria në fund të qershorit do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”.

    Ai tha se asnjë nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje “nuk është tërhequr nga kjo agjendë”.

    “Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria e Albin Kurtit kanë njoftuar se ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë do ta sjellin në Kuvend për votim më datë 30.06.2026. Në zgjedhjet e fundit kam parë shumë kandidatë për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje duke deklaruar në fushatë që Albin Kurti nuk e bjen ligjin për me ndërru gjininë, ligjin për me u martu burri me burr e gruja me grua, ligjin për me lind gratë pa burra. Sot të gjithë ata kanë para vetes agjendën legjislative të Albin Kurtit për vitin 2026, ku në dorën e tyre i kanë këto tre ligje me të cilat mashtruan votuesit e tyre dhe qytetarët e vendit. Secili që ka qenë në listë të VV-së e ka ditë që Albini nuk është tërhequr nga kjo agjendë. Ai asnjëherë nuk ka deklaruar se është tërhequr nga këto ligje”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Rrahmani thotë se “ambiciet e ulëta për interesa të ulëta i kanë detyruar këta njerëz me mashtru votuesit e tyre në fushatë, me premtimin që këto ligje nuk vijnë në Kuvend”

    “Sot ata do të duhej të tregonin të vërtetën, a i mashtroi Albini këta deputetë apo këta deputetë mashtruan qytetarët? Fatkeqësisht, në mbështetje publike ka pasur edhe shumë figura me ndikim, intelektualë, profesorë, akademikë, disa hoxhallarë e priftërinj që në mënyrë direkte apo indirekte kanë kërkuar mbështetje për Albin Kurtin. Mbështetje që do të thotë mbështetje për ligjet ku lejohet ndërrimi i gjinisë, martesat burrë me burr e grua me grua, ku lejohet që gratë të lindin pa burr e fëmijët mos me ditë kush e ka nënën e kush babën, pra le ta dijë secili që ka kërkuar votë për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, ka kërkuar votë për me u leju ndërrimi i gjinisë, martesat e të njëjtës gjini, lindja e fëmijëve pa babë”, shkruan ai.

    Rrahmani kërkon që anëtarët e LVV-së dhe “figura politike me ndikim në shoqëri”, të cilët ai thotë se e kanë mbështetur atë ligj, duhet “t’u japin arsyetim qytetarëve”.

    “Besoj që është e udhës që të gjithë këta, si figura publike me ndikim në shoqëri, t’u japin arsyetim qytetarëve, çfarë dobie ka lobimi i tyre për dikë që angazhohet për këtë agjendë, që sipas bindjes time është kundër Zotit, kundër familjes, kundër njeriut, kundër shoqërisë e kundër Kosovës”.