ATV

Author: K.B.

  • Ambasada e Gjermanisë: Të respektohet vendimi i Kushtetueses sapo ai të merret

    Ambasada e Gjermanisë: Të respektohet vendimi i Kushtetueses sapo ai të merret

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve që ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sapo ai të merret.

    Ambasada nuk i ka komentuar pretendimet e zyrtarëve të Lëvizja Vetëvendosje se ambasadorët, përmes vizitave të tyre në Kushtetuese, po ndërhyjnë në këtë institucion.

    “Ambasada gjermane nuk komenton proceset aktuale të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ne presim që të gjitha institucionet ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese sapo ai të merret”, ka thënë Ambasada gjermane në një përgjigje për RTV21.

    Ky qëndrim i ambasadës vjen në një moment kur zyrtarët e LVV-së kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë në favor të kërkesës së tyre që dekreti i presidentes Vjosa Osmani të shpallet kundërkushtetues.

  • 89 gra rurale në Mitrovicë, Istog dhe Skenderaj përfitojnë pajisje bujqësore nga FAO dhe UN Women

    89 gra rurale në Mitrovicë, Istog dhe Skenderaj përfitojnë pajisje bujqësore nga FAO dhe UN Women

    Tetëdhjetë e nëntë gra nga zonat rurale të komunave të Istogut, Skenderajt dhe Mitrovicës së Jugut kanë përfituar pajisje bujqësore në kuadër të projektit “Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë”, me një vlerë totale prej 113,000 euro.

    Iniciativa implementohet nga FAO dhe UN Women, me mbështetje financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

    Shpërndarja e pajisjeve u realizua gjatë kësaj jave në secilën nga tri komunat e përzgjedhura, me pjesëmarrjen e grave përfituese, përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe organizatave partnere.

    Kryetarët e komunave, Ilir Ferati në Istog, Sami Lushtaku në Skenderaj dhe Faton Peci në Mitrovicën e Jugut, theksuan rëndësinë e mbështetjes së grave në bujqësi.

    “Partneritete të tilla janë thelbësore për krijimin e mundësive të reja për gratë në zonat rurale dhe për avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm rural në nivel lokal,” tha kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

    Gratë përfituese kanë marrë pajisje bujqësore sipas planeve të tyre të biznesit për të mbështetur aktivitete prodhuese në bujqësi, përfshirë blegtorinë, përpunimin e produkteve ushqimore dhe prodhimin bujqësor.

    “Jam blegtore nga fshati Kqiq i Madh i Komunës së Mitrovicës dhe kam marrë pajisje për përpunimin e qumështit. Kjo do ta lehtësojë punën time dhe do të më ndihmojë ta rris prodhimin”, tha Aurora Alija, njëra nga gratë përfituese.

    Pajisjet synojnë të rrisin kapacitetet prodhuese, të lehtësojnë proceset që kursejnë kohë dhe punë, si dhe të krijojnë mundësi më të qëndrueshme për gjenerimin e të ardhurave.

    Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm rural.

  • “Çmendet” Real Madridi, gati 160 milionë euro për yllin e Bayern Munichut

    “Çmendet” Real Madridi, gati 160 milionë euro për yllin e Bayern Munichut

    Real Madridi po përgatit një ofertë të çmendur për ta transferuar yllin e Bayern Munichut Michael Olise në afatin kalimtar veror.

    Gjiganti spanjoll po përgatitet të përforcojë skuadrën në verë ndërsa Florentino Perez thuhet se është një admirues i madh i futbollistit francez.

    Siç raporton gazeta e madhe gjermane “BILD”, Reali po dëshiron që më patjetër ta sigurojë Olise si dhe është gati ta “thyejë bankën” për ta kompletuar këtë lëvizje.

    Raporti shton se “Galaktikët” janë gati të ofrojnë plot 160 milionë euro për ta bindur Bayernin që ta lejojë lojtarin të largohet nga “Allianz Arena”.

    Megjithatë, marrëveshja shihet si vështirë për t’u realizuar pasi te Bayerni Olise mbetet i paprekshëm dhe pavarësisht çmimit anësori nuk do të largohet.

    Interesim për Olise ka shprehur edhe Liverpooli, të cilët gjithashtu janë gati të shpenzojnë mbi 100 milionë euro për ta transferuar në verë.

  • Koci: Skandal në një rast të ngacmimit seksual – viktima në sallë, gjykatësit jo

    Koci: Skandal në një rast të ngacmimit seksual – viktima në sallë, gjykatësit jo

    Avokati Arianit Koci ka raportuar të hënën në mëngjes një skandal në sistemin gjyqësor.

    Koci ka thënë se sot në një rast të ngacmimit seksual në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Fushë Kosovë, gjyqtarët nuk erdhën fare.

    Rastet e ngacmimit seksual kërkojnë që të trajtohen me prioritet të veçantë në bazë të Ligjit, sqaroi avokati në një postim në rrjetet sociale.

    “Realiteti që gjetëm sot në Gjykatën e Fushë Kosovës ishte krejt tjetër”, tha ai.

    Sipas tij, seanca ishte planifikuar të fillonte në orën 09:00. Por, në sallën e gjyqit në orën 09:20 aty ishin vetëm “viktima dhe unë si përfaqësues i saj”.

    “Ndërkohë, duhet me u kujtu një fakt: aktakuza në këtë rast është ngritë para më shumë se dy vitesh. Gjatë kësaj kohe, viktima më ka tregu se që nga dita e parë në Polici është ndi e pashpresë dhe e pakënaqur me trajtimin institucional”, bëri të ditur Koci.

    Koci alarmoi për mesazhin që po u jepet viktimave me këtë sjellje.

  • Izraeli shkatërron aeroplanin e ish-liderit iranian Ali Khamenei

    Izraeli shkatërron aeroplanin e ish-liderit iranian Ali Khamenei

    Forcat Ajrore Izraelite goditën dhe shkatërruan aeroplanin e ish-udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei në aeroportin Mehrabad të Teheranit gjatë natës, ka njoftuar ushtria.

    IDF tha se aeroplani ishte përdorur nga Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë “për të çuar përpara prokurimin ushtarak dhe për të menaxhuar marrëdhëniet me vendet e boshtit përmes fluturimeve vendase dhe ndërkombëtare”.

    Ushtria shtoi se shkatërrimi i “asetit strategjik” është një goditje ndaj “aftësive koordinuese” të Iranit “ndërtimit të fuqisë ushtarake dhe aftësive të regjimit për rehabilitim”.

    Ndryshe, më herët këtë muaj, Forcat Ajrore Izraelite goditën dhe shkatërruan 16 aeroplanë në aeroportin Mehrabad.

    Sipas tyre, ata ishin përdorur nga Forca Quds, krahu i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, për të dërguar armë dhe para në dorë të grupeve terroriste, kryesorja ndër të cilat Hezbollahu në Liban.

    Sipas ushtrisë, Irani kishte zhvendosur disa nga aeroplanët në zonat e magazinimit për aeroplanë jashtë shërbimit, në një përpjekje për ta bërë më të vështirë për Izraelin identifikimin e tyre.

  • Vonesat në paga, punëtorët teknik të spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë fillojnë grevën

    Vonesat në paga, punëtorët teknik të spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë fillojnë grevën

    Punëtorët teknik të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë kanë filluar grevën për shkak të vonesës në pagesa, njofton Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK).

    Sipas kryetarit të FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, qëndrimi i punëtorëve në grevë do të vazhdojë deri sa pagat të përpunohen dhe të shpërndahen në mënyrë të rregullt.

    “Shpresojmë që pagat për këta punëtorë të përcillen sa më shpejtë dhe punëtorët të kthehen në shërbimet e tyre. Përderisa pagat nuk paguhen, punëtorët do të qëndrojnë në grevë”, tha Azemi.

  • Jeton Koca jep dorëheqje nga Prokurori i Shtetit, KPK e miraton

    Jeton Koca jep dorëheqje nga Prokurori i Shtetit, KPK e miraton

    Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme.

    Në këtë mbledhje është trajtuar dorëheqja e Prokurorit të Shtetit, Jeton Koca.

    Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi ka treguar se njoftimin nga Koca për dorëheqje e kishte bërë më 13 shkurt të këtij viti. Ndërsa arsyet i ka cekur të jenë personale.

    “Ju njoftojmë se me 13 shkurt 2026 kemi pranuar nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë zoti Jeton Koca njoftimin për dorëheqjen nga pozita e prokurorit të shtetit. Koca ka njoftuar se arsyet e dorëheqjes janë personale dhe nuk do t’i bëjë publike në këtë dokument”, tregoi Gashi, shkruan EO.

  • Ishte i pamëshirshëm ndaj Dritës, Almir Kryeziu shpallet më i miri i xhiros së 24-të në Superligë

    Ishte i pamëshirshëm ndaj Dritës, Almir Kryeziu shpallet më i miri i xhiros së 24-të në Superligë

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

    Për javën e njëzet e katërt të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Ballkani, Almir Kryeziu, i cili shënoi një gol dhe asistoi në një gol tjetër në ndeshjen kundër FC Drita, e cila përfundoi me rezultatin 3:0.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit. Pasi mori këtë çmim, Kryeziu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.

    ”Ka qenë një ndeshje e vështirë, sepse Drita ka një skuadër shumë të mirë. E kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe jemi shumë të lumtur për këtë fitore. Jemi në vendin e parë me pikë të barabarta, por kemi edhe shumë ndeshje të cilat do t’i luftojmë”.

    “Falënderoj komisionin për vlerësimin, klubin FC Ballkani dhe jam i lumtur që jam në formë dhe po mund ta ndihmoj ekipin”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

  • Eurostat: 24% e familjeve shqiptare nuk paguajnë në kohë faturat dhe qiranë

    Eurostat: 24% e familjeve shqiptare nuk paguajnë në kohë faturat dhe qiranë

    Rreth 24.2% e familjeve në Shqipëri rezultojnë të kenë pagesa të prapambetura që lidhen më qiranë e shtëpisë, fatura shërbimesh (energji, ujë, ngrohje) apo blerje të pronave më këste, sipas të dhënave të Eurostat që i takojnë vitit 2023.

    Kjo do të thotë se afërsisht një në katër familje ka vështirësi reale për të përmbushur në kohë detyrimet në lidhje me menaxhimin e banesës.

    Ky nivel është dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila në 2023 qëndron rreth 9-10%, dhe e pozicionon Shqipërinë ndër vendet me vështirësi të larta për të përballuar kostot e banimit, pas Greqisë, Maqedonisë së Veriut e Turqisë. Krahasuar me vendet e Eurozonës, ku përqindja e familjeve me vonesa në pagesa është rreth 9.5%, situata në Shqipëri është më shumë se dyfish më problematike.

    Kjo përqindje e lartë e familjeve që nuk përballojnë faturat e shtëpisë tregon se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë financiarisht të brishta, të ekspozuara ndaj goditjeve të vogla ekonomike, rritje çmimesh, humbje të ardhurash apo shpenzime të paparashikuara.

    Në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore, si Gjermania, Franca, Holanda apo Austria vetëm 5–10% e familjeve kanë pagesa të prapambetura, çka e vendos Shqipërinë shumë larg standardit europian të përballueshmërisë financiare.

    Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, situata është përgjithësisht më problematike sesa në BE, por Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të vështirësive. Me 24.2%, Shqipëria ka një përqindje, më të lartë se Serbia (17.9%), dhe më afër vendeve me presion të fortë financiar si Turqia (26.3%).

    Shqipëria pozicionohet mbi mesataren rajonale dhe shumë larg BE-së, duke reflektuar një kombinim faktorësh si të ardhurat e ulëta, kostot relativisht të larta të jetesës dhe mungesën e mekanizmave mbrojtës për familjet.

    Të dhëna të tjera të detajuara nga Eurostat tregojnë se Shqipëria ka ende kostot më të ulëta në çmimet e qirave dhe faturave utilitare, por nga ana tjetër ka një përqindje të lartë të familjeve që nuk kanë mundësi të paguajnë në kohë këto fatura.

    Situata në vitet në vijim mund të vijë në përkeqësim për shkak se çmimet e shtëpive në Shqipëri janë duke u rritur më shpejt se pagat. Sakaq kostot e jetesës po rriten në tërësi duke e bërë menaxhimin e faturave që kërkon shtëpia edhe më të vështirë./monitor.al

  • Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

    Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

    Tri raste të dhunës në familje janë përfshirë në raportin 24 orësh të policisë.

    Njëri rast ka ndodhur në Prishtinë, njëri në Graçanicë dhe tjetri në Vushtrri.

    Nga këto raste, policia ka njoftuar se janë arrestuar tre persona.

    Njoftimet e plota:

    Graçanicë / Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka shqetësuar dhe kanosur viktimat kosovarë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë / Është shoqëruar për intervistim i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajte.

    Vushtrri / Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se pas një mosmarrëveshje, dyshohet se kishte shkaktuar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Pas inicimit të rastit viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.