ATV

Author: K.B.

  • VIDEO/ Fitoi çmimin Oscar si aktori më i mirë, ylli hollivudian feston triumfin duke ngrënë një hamburger

    VIDEO/ Fitoi çmimin Oscar si aktori më i mirë, ylli hollivudian feston triumfin duke ngrënë një hamburger

    Disa orë pasi mbaruan çmimet Oscar 2026, Michael B. Jordan festoi fitoren e tij duke vizituar një rrjet restorantesh me hamburgerë.

    Në orët e para të së hënës, më 16 mars, aktori spikati në ceremoninë e 98-të të Çmimeve të Akademisë, të mbajtur në Teatrin Dolby në Los Angeles, duke fituar çmimin Oscar për Aktorin më të Mirë për performancën e tij në filmin “Sinners”.

    Më pas, Michael B. Jordan, siç shihet në një video të publikuar në rrjete sociale, e gjeti veten në një rrjet ushqimi të shpejtë In-N-Out në Hollyëood, duke mbajtur statujën e tij të artë, ndërsa shijonte hamburgerin e tij.

  • Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës: Vrasja po hetohet, në vendin e ngjarjes gjetëm gëzhoja dhe një armë të ftohtë, të dyshuarin e njohim

    Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës: Vrasja po hetohet, në vendin e ngjarjes gjetëm gëzhoja dhe një armë të ftohtë, të dyshuarin e njohim

    Policia e njeh dhe është në kërkim të të dyshuarit për vrasjen në Gjakovë, tha zëdhënësi i Policisë për atë rajon, Sheremet Elezaj.

    Ai tha në një konferencë për media se rreth orës 05:30 pranuan një informatë se “në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Gjakovë, dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri”.

    Elezaj tha se “si pasojë e plagëve të marra, njëri prej këtyre personave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij atje”.

    Ndërsa tregoi se njësitet relevante nga Policia dhe Prokuroria po i kryejnë hetimet e para, Elezaj tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja dhe një armë e ftohtë.

    “Atë që mund ta ndajmë tash është se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajme me publikun aktualisht”, tha ai.

    I pyetur nëse i dyshuari është i njohur për Policinë, zëdhënësi tha: “Dorasi, për Policinë, për Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë është i njohur. Do me thënë, ne e njohim”.

  • Ndalja e pensioneve, veterani Luzha: Do t’u drejtohemi organeve të drejtësisë

    Ndalja e pensioneve, veterani Luzha: Do t’u drejtohemi organeve të drejtësisë

    Uran Luzha, veteran i UÇK-së sonte në emisionin “Fol me Arin” ka folur në lidhje me ndaljen e pensioneve për veteranët që punojnë.

    Ai është shprehur se nuk ka mbetur gjë tjetër vetëm t’i drejtohen organeve të drejtësisë, me gjë të cilën po merren.

    Luzha u shpreh se bashkë me kolegët e tij, po merren me grumbullimin e dokumentacioneve.

    “Neve nuk na ka mbetur tjetër vetëm t’u drejtohemi organeve të drejtësisë, që jemi duke i grumbulluar edhe me kolegët e mi. Po e grumbullojmë dokumentacionin”, tha ai.

  • Ushtria izraelite nis operacione tokësore në Liban

    Ushtria izraelite nis operacione tokësore në Liban

    Ushtria izraelite ka deklaruar se trupat e saj kanë filluar operacione tokësore në Libanin jugor, ndërsa luftimet kundër Hezbollahut intensifikohen rreth qytetit strategjik jugor të Khiam.

    Të paktën tre sulme ajrore goditën qytetin e Khiam, raportoi të hënën Al Jazeera Arabic.

    Khiam, një fortesë e Hezbollahut, ka një vendndodhje strategjike dhe shihet si një portë hyrëse për në Libanin jugor.

    Lufta e fundit filloi pasi Hezbollahu qëlloi me raketa në përgjigje të vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

    Hezbollahu nuk e kishte sulmuar Izraelin që nga armëpushimi i vitit 2024, pavarësisht shkeljeve të përsëritura të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara nga Izraeli.

    Ndryshe, sot dy sulme ajrore izraelite shënjestruan qytetin Yater. Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima apo dëme.

    Izraeli gjithashtu nisi bastisje në Burj Qalawiya, Sultaniya dhe Chaqra. Dy bastisje u kryen gjithashtu në qytetet Qantara dhe as-Sawana.

    Raportohet se më shumë se 800,000 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi për shumë lagje në Libanin jugor, si dhe për kryeqytetin, Bejrut.

  • Shtrenjtohet sërish nafta në Kosovë

    Shtrenjtohet sërish nafta në Kosovë

    Deri në 1.60 euro për litër ka arritur çmimi i naftës në tregun me pakicë në Kosovë të hënën.

    Sipas kryetarit të Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, çmimet e naftës varësisht nga kompanitë sillen nga 1.53 deri 1.60 euro për litër, ndërsa i benzinës nga 1.34 deri 1.38 euro për litër.

    Sipas tij çmimi i naftës me shumicë është 1.54 euro për litër.

    Rritja po vazhdon si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

    Më 5 mars ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë (MINT) për caktimin e marzhës tregtare.

    Vendimi përcakton marzhë të fitimit prej 2 cent për shitjet me shumicë dhe 12 centë për shitjet me pakicë. Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të Iranit ndaj vendeve tjera në

    Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli.

    Çmimi i naftës në botë është rritur në nivelin më të lartë që nga korriku i vitit 2022 të dielën në mbrëmje, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump sugjeroi se lufta me Iranin mund të zgjasë edhe disa javë, ndërkaq vetë presidenti i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për cisternat e naftës.

    Nafta brent u shtrenjtua për 2.9% dhe arriti në rreth 106.12 dollarë për fuçi.

  • Lufta në Lindjen e Mesme rrezikon furnizimin me ilaçe për trajtimin e kancerit

    Lufta në Lindjen e Mesme rrezikon furnizimin me ilaçe për trajtimin e kancerit

    Lufta në Lindjen e Mesme po pengon transportin e barnave jetike drejt vendeve të Gjirit, duke rrezikuar furnizimin me ilaçe për trajtimin e kancerit dhe terapi të tjera që kërkojnë ruajtje në temperatura të kontrolluara.

    Sipas Reuters, kompanitë farmaceutike po detyrohen të ndryshojnë rrugët e transportit dhe të gjejnë alternativa për dërgimin e barnave në rajon. Konflikti, i nisur pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit ka mbyllur disa aeroporte të rëndësishme dhe ka penguar qarkullimin e mallrave.

    Aeroporte kryesore si Dubai, Abu Dhabi dhe Doha janë mbyllur pas sulmeve iraniane, duke detyruar kompanitë të përdorin rrugë alternative për transportin e ilaçeve.

    Ekspertët paralajmërojnë se nëse konflikti vazhdon, mund të shfaqen vështirësi më të mëdha në furnizimin me barna, pasi shumë prej tyre kanë afat të shkurtër përdorimi dhe kërkojnë transport të shpejtë në kushte të veçanta.

  • Bllokada në Kuvend rrezikon fatin e marrëveshjeve ndërkombëtare 121-milionëshe

    Bllokada në Kuvend rrezikon fatin e marrëveshjeve ndërkombëtare 121-milionëshe

    Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 31 mars që të ratifikojë marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.

    Por, e gjithë puna e Kuvendit është e ngrirë deri në këtë datë nga Gjykata Kushtetuese, përmes masës së përkohshme të vënë pas kontestimit të dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë.

    Marrëveshja për projektin që prek KEK-un, është njëra nga tetë sosh sa i ka legjislatura aktuale në sirtarët e saj.

    Ndër to është janë edhe:

    Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes
    Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor
    Dy amendamente të marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA
    Dy marrëveshje për kredi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH): njëra për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike dhe për impiante për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë dhe
    Marrëveshja për kredi me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
    Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se afatet për miratimin e këtyre marrëveshjeve janë të ngushta dhe “kërkojnë procedim të shpejtë nga ana e Kuvendit”.

    Nga Banka Evropiane e Investimeve thanë se ratifikimi i marrëveshjes “është i nevojshëm për ofrimin e financimit të propozuar”.

    “Ratifikimi i marrëveshjes do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara me ndërtimin e njërit prej centraleve të saj më të mëdha fotovoltaike diellore, me një kapacitet deri në 100 megavatë. Projekti pritet të forcojë sigurinë energjetike të vendit duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend dhe duke zvogëluar varësinë nga gjenerimi me bazë qymyri. Ai gjithashtu do të mbështeste qëllimet më të gjera të tranzicionit të gjelbër të Kosovës, pasi centrali pritet të gjenerojë rreth 169 gigavatë energji elektrike në vit dhe do t’i ulte ndjeshëm emetimet e dyoksidit të karbonit sapo të vihet në funksion”.

    Vlera e marrëveshjeve

    Njohës të punës së Kuvendit konsiderojnë se marrëveshjet kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

    “Në thelb, ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nënkupton përshpejtim të investimeve publike, rritje të stabilitetit institucional dhe përfitime konkrete afatmesme dhe afatgjata për qytetarët”, tha për Radion Evropa e Lirë, Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

    Por, sipas hulumtueses së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, situata aktuale “krijon një pasiguri institucionale”.

    “Meqenëse marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen nga Kuvendi me shumicë të kualifikuar prej dy të tretave, çdo bllokim në funksionimin e tij e shtyn automatikisht edhe procesin e ratifikimit. Kjo do të thotë se, derisa të ketë një qartësi për funksionimin e plotë të legjislativit, është e vështirë të parashikohet se kur mund të procedohen këto marrëveshje për miratim”, tha ajo.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, thanë se këto marrëveshje kanë planifikuar t’i miratojnë të premten e 6 marsit, një ditë pas dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri. Seanca nuk u mbajt pasi Osmani nxori në mëngjesin e asaj dite dekretin për shpërndarje të Kuvendit.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i tha Radios Evropa e Lirë se këto katër marrëveshje “kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e efiçiencës energjetike në vend”.

    “Prandaj, miratimi i tyre sa më i shpejtë është në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës. Në rrethana të tilla, është e rëndësishme që këto projekte strategjike të mos mbeten peng i zhvillimeve politike, por të avancohen sa më parë për të sjellë përfitime konkrete për vendin dhe qytetarët”.

    Pasojat e mosratifikimit të marrëveshjeve

    Violeta Haxholli thotë se mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ndikon në vonesat për zbatimin e projekteve dhe në imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

    “Edhe pse partnerët ndërkombëtarë zakonisht i kuptojnë situatat e brendshme politike, vazhdimi i bllokadave institucionale mund të ndikojë në ritmin e bashkëpunimit dhe në besimin për zbatimin e projekteve të përbashkëta”, tha ajo.

    Kolshi sheh pasoja të shumëfishta, edhe brenda edhe jashtë Kosovës.

    “Në një kontekst global të ndryshimeve gjeopolitike dhe rikonfigurimit të prioriteteve të politikës së jashtme të aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë edhe administratën amerikane, është jetike që Kosova të dëshmojë seriozitet institucional dhe kapacitet vendimmarrës për t’i ruajtur dhe forcuar partneritetet strategjike”.

    Radio Evropa e Lirë i ka pyetur edhe institucionet tjera që i sponsorojnë këto marrëveshje – BE-në, BERZH-in dhe Fondin Saudit për Zhvillim – se me çfarë pasojash eventuale mund të përballet Kosova nga pamundësia për t’i ratifikuar dokumentet, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

    Domosdoshmëria e konsensusit politik

    Duke marrë parasysh faktin që për miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, konsensusi politik është kyç.

    Hulumtuesja e KDI-së, Haxholli, përmend se është shumë e rëndësishme që marrëveshjet të trajtohen “përtej interesave të momentumit politik”.

    “Në shumicën e rasteve, këto marrëveshje lidhen me zhvillimin e vendit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Prandaj, është e rëndësishme që debati politik të fokusohet në përmbajtjen dhe përfitimet e tyre, duke siguruar që procesi i ratifikimit të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në kohë”, theksoi ajo.

    E, Kolshi nga IKD-ja thotë se Kuvendi tashmë është përballur me vonesa “të konsiderueshme”.

    “Përgjegjësi e veçantë bie edhe mbi Qeverinë aktuale, e cila përveç rolit negociues në marrëveshje ndërkombëtare, duhet të tregojë lidership politik dhe kapacitet për të ndërtuar konsensus institucional dhe stabilitet me Kuvendin dhe aktorët e tjerë politikë”.

    Kjo nuk është hera e parë që Kosova rrezikon t’i humbë fondet nga marrëveshjet ndërkombëtare, për shkak të problemeve të brendshme.

    Legjislatura aktuale mezi i arriti afatet e nevojshme për të përfituar nga marrëveshjet me Bankën Botërore dhe atë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes. Shuma e tri marrëveshjeve në total prek vlerën e rreth 1 miliard eurove. /REL

  • Vdekja e foshnjës dymuajshe në Tiranë, nëna mes lotësh: Duhet të mbahej më gjatë nën kujdes

    Vdekja e foshnjës dymuajshe në Tiranë, nëna mes lotësh: Duhet të mbahej më gjatë nën kujdes

    Dy ditë më parë, një foshnje dymuajshe ka vdekur në Tiranë.

    Nëna e foshnjës, Vjollca Shkëmbi ka folur për A2Cnn, ku mes lotësh ka treguar se fëmijën e ka sjellë në jetë si lindje e parakohshme.

    Sipas saj, mjekët e Tiranës duhet ta mbanin nën kujdesin e tyre për një kohë më të gjatë, gjë të cilën sipas saj nuk e kanë bërë.

    Në të njëjtën linjë është edhe bashkëshorti i saj, Arben Vesholliu i cili thotë se fëmija merrte kujdes të veçantë nga prindërit por kjo nuk mjaftonte për shkak të lindjes së parakohshme dhe kujdesit të munguar mjekësor.

    Ai ka një kërkesë, të sjellin foshnjën në banesë që mund t’i japë lamtumirën e fundit.

    Gjyshja nga nëna tregon me detaje për problemet që fëmija kishte, duke shtuar se fëmija po rritej me vështirësi.

    “Pas gjendjes së rënduar shëndetësore, mjekët e Korçës vendosën ta rikthejnë foshnjën për mjekim më të specializuar në pediatrinë e Tiranës ku dhe ka ndërruar jetë”, tha ajo.

  • Garda Revolucionare e Iranit e vendosur për të eliminuar Netanyahun

    Garda Revolucionare e Iranit e vendosur për të eliminuar Netanyahun

    Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se do të shtojë përpjekjet për të gjurmuar dhe ndoshta eliminuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

    Në një deklaratë të lëshuar të dielën, të transmetuar nga agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit, IRGC tha se fati i pasigurt i kryeministrit “sionist kriminal” dhe mundësia e vdekjes së tij ose arratisjes së familjes së tij nga territoret e pushtuara e thekson më tej krizën aktuale dhe paqëndrueshmërinë midis sionistëve.

    Deklarata shtoi se, në hakmarrje për gjakun e punëtorëve iranianë që u vranë në komplekset industriale në të gjithë vendin gjatë sulmeve SHBA-Izrael, IRGC kreu operacione të kombinuara kundër “objektivave SHBA-sioniste në pozicione në territoret e pushtuara dhe në tre baza amerikane në rajon gjatë valës së 52-të të Operacionit “Premtimi i Vërtetë 4″, duke shkatërruar objektivat me saktësi dhe forcë të madhe”.

    Sipas IRGC, “tingulli i vazhdueshëm i sirenave të ambulancës dhe pranimi nga institucionet sioniste i numrit në rritje të vdekjeve dhe lëndimeve pas sulmeve efektive iraniane demonstrojnë thellësinë e dëmit të shkaktuar në sektorët industrialë në Tel Aviv”.

    Deklarata deklaroi gjithashtu se sektorët industrialë dhe qendrat ku mblidhen forcat amerikane në bazën ajrore al-Harir, si dhe bazat Ali Al Salem dhe Camp Arifjan, u shkatërruan gjithashtu nga raketa dhe dronë të fuqishëm iranianë.

    Si përkujtesë, SHBA-të dhe Izraeli nisën një fushatë gjithëpërfshirëse ushtarake kundër Iranit pas vrasjes së Udhëheqësit të Revolucionit Islamik, Ajatollah Seyed Ali Khamenei, dhe disa komandantëve të lartë ushtarakë dhe civilëve më 28 shkurt.

    Sulmet përfshinin sulme ajrore të gjera mbi objektiva ushtarake dhe civile në të gjithë Iranin, me humbje të konsiderueshme njerëzore dhe dëme të përhapura në infrastrukturë.

    Në përgjigje, forcat e armatosura iraniane kryen operacione hakmarrëse, duke synuar pozicionet amerikane dhe izraelite në territoret e pushtuara dhe bazat rajonale duke përdorur valë raketash dhe dronësh.

  • 22 marsi pushim zyrtar! Berishës i kërkohet të shtyjë datën e protestë, plas debati në PD

    22 marsi pushim zyrtar! Berishës i kërkohet të shtyjë datën e protestë, plas debati në PD

    Partia Demokratike ka njoftuar protestë kombëtare në datën 22 mars. Por kjo datë përkon me një ditë pushimi zyrtar në Shqipëri, pasi shënohet Sulltan Nevruzi, një festë që për shumë qytetarë ka edhe dimension shpirtëror dhe familjar, përcjell Gazeta Express.

    Pikërisht kjo përputhje ka nxitur debat brenda radhëve të opozitës. Sipas burimeve, në Partinë Demokratike janë zhvilluar diskutime, madje edhe me tone të larta, për mundësinë e shtyrjes së protestës në një datë tjetër.

    Një burim i tha Shqip.com se një pjesë e strukturave të PD i kanë kërkuar kryetarit, Sali Berisha që protesta e 22 marsit të anulohet dhe të caktohet një datë tjetër, pikërisht për shkak se përkon me festën e Sulltan Nevruzit. Megjithatë, sipas të njëjtit burim, Berisha nuk e ka pranuar këtë propozim dhe ka qenë i vendosur që protesta të mbahet në datën e paralajmëruar si formë reagimi nga ana e qytetarëve, pasi mazhoranca refuzoi t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut.

    Edhe publikisht, Berisha është shprehur se shqiptarët presin vazhdimin e revoltës dhe se, sipas tij, nuk është koha për festë.

    Por pikërisht këtu lind edhe dilema politike. Se si e mat tempin e revoltës së shqiptarëve Sali Berisha dhe qasjen e tyre festive apo jo, kjo mbetet për t’u parë e kuptuar në vijim. Në një klimë ku pjesëmarrja qytetare shpesh varet nga shumë faktorë socialë dhe ekonomikë, vendosja e një proteste në një ditë feste mbetet një zgjedhje që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

    Në fakt, qëndrime të kësaj natyre, ashtu si edhe retorika e përdorur më herët për “kilometrin e fundit”, duket se i drejtohen kryesisht një segmenti të caktuar të elektoratit opozitar. Ato synojnë të mbajnë të mobilizuar një bazë militante që vazhdon të besojë tek lidershipi aktual i PD.

    Protesta e fundit, ajo e 12 marsit, ishte larg të qenit në kufijtë e revoltës. Për të mos thënë se i ngjante më shumë protestave modeste të Lapajt dhe Qorit sesa një “shpërthimi i madh” opozitar që premtohet prej kohësh.

    Në këtë kuptim, protesta e 22 marsit duket të jetë më shumë një test për opozitën Berishiste, mobilizimin e bazës së tij më besnike, në një kohë kur zgjerimi i mbështetjes përtej këtij rrethi mbetet sfida kryesore politike e cila siç edhe po duket nuk ka gjasa të jetësohet.

    Në prill, PD pritet të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e saj dhe Sali Berisha është kandidat, ndoshta edhe i vetmi në garë. Në këtë kuadër, protesta e 22 marsit mund të lexohet edhe si një mesazh politik brenda radhëve të selisë blu, një demonstrim force për të treguar se Berisha jo vetëm pritet të rifitojë sërish drejtimin e partisë, por ta bëjë këtë pa rivalë realë përballë. Puna ka nisur për të gjetur 1 apo 2 “kukulla” vërdallë nëpër korridoret e PD.