ATV

Author: K.B.

  • Vrasja në Gjakovë, Prokuroria: I dyshuari është identifikuar dhe po kërkohet

    Vrasja në Gjakovë, Prokuroria: I dyshuari është identifikuar dhe po kërkohet

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda ka bërë të ditur se sot, më datë 16 mars 2026, është raportuar për një vrasje në Gjakovë.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Gjakovë.

    “Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë. Prokurori i Shtetit, ka iniciuar rast për shkak të veprës penale ‘Vrasja e rëndë’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

    Tutje siç thuhet në njoftim në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar dhe ndodhet në kërkim.

    Gjithashtu, janë duke u mbledhur provat dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.

  • Endrit Thaçi kujton gjyshin në përvjetorin e parë të vdekjes

    Endrit Thaçi kujton gjyshin në përvjetorin e parë të vdekjes

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka kujtuar gjyshin e tij, Haxhi Thaçi, në përvjetorin e parë të vdekjes.

    Përmes një postimi në Instagram, ai ka shprehur mungesën e thellë të gjyshit dhe këshillave të tij të vyera.

    “Një vit pa ty, gjysh! Më mungojnë shumë bisedat tona dhe këshillat e tua. Fjala jote e urtë dhe zemra jote e madhe do të mbeten gjithmonë udhërrëfyes për familjen tonë. Do të jetosh gjithmonë në kujtimet tona!”, ka shkruar ai.

  • Rama: 50% e shkollave në Prishtinë kanë çështje të sigurisë ku duhet të intervenohet

    Rama: 50% e shkollave në Prishtinë kanë çështje të sigurisë ku duhet të intervenohet

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se rreth 50% e shkollave kanë çështje të sigurisë ku duhet të intervenohet.

    Rama, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo gjë është bërë e ditur pas raportit të sigurisë i cili është realizuar në shkollat e kryeqytetit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.

    “Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje, kam ftuar në takim drejtorët e të gjitha shkollave të kryeqytetit, së bashku me Policinë e Kosovës, zjarrëfikësit dhe drejtorët e Arsimit, Inspeksionit, Investimeve Kapitale, Transformimit, Mobilitetit, Shërbimeve Publike, si dhe Sigurisë dhe Emergjencave. Qëllimi i këtij takimi është që ta shqyrtojmë në detaje raportin e sigurisë dhe të identifikojmë menjëherë hapat konkretë që duhet të ndërmerren”, ka shkruar Rama.

    Postimi i tij i plotë:

    Raporti i sigurisë i realizuar në shkollat e kryeqytetit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka treguar se rreth 50% e shkollave kanë çështje të sigurisë ku duhet të intervenohet.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje, kam ftuar në takim drejtorët e të gjitha shkollave të kryeqytetit, së bashku me Policinë e Kosovës, zjarrëfikësit dhe drejtorët e Arsimit, Inspekcionit, Investimeve Kapitale, Transformimit, Mobilitetit, Shërbimeve Publike, si dhe Sigurisë dhe Emergjencave. Qëllimi i këtij takimi është që ta shqyrtojmë në detaje raportin e sigurisë dhe të identifikojmë menjëherë hapat konkretë që duhet të ndërmerren.

    Në këtë proces, çdo drejtori do të marrë përgjegjësitë që i takojnë sipas fushës së saj, ndërsa një pjesë e masave do të adresohen edhe nga vetë menaxhmentet e shkollave.

    Siguria në shkolla është një përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore.

    Zero kompromis kur është fjala për sigurinë e fëmijëve tanë.

  • Osmani uron Luana Bajramin për çmimin Oscar: Përfaqëson më të mirën e të rinjve tanë

    Osmani uron Luana Bajramin për çmimin Oscar: Përfaqëson më të mirën e të rinjve tanë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar aktoren me origjinë kosovare Luana Bajrami-Rahmani dhe ekipin e filmit për çmimin Oscar të fituar në ceremoninë e Academy Awards.

    Përmes një postimi në platformën X, presidentja theksoi se kjo arritje është një moment krenarie për Kosovën dhe për të rinjtë e vendit.

    “Urime Luana Bajrami-Rahmanit dhe të gjithë ekipit që rrodhi pas filmit të shkurtër fitues të çmimit Oscar ‘Two People Exchanging Saliva’, fitues i Çmimit të Akademisë për Filmin më të Mirë të Shkurtër me Aksion. Jemi krenarë për këtë arritje të madhe nga Luana, një aktore e patrembur e lindur në Kosovë, e cila përfaqëson më të mirën e të rinjve tanë, talentin, vendosmërinë dhe besimin për të ndjekur edhe ëndrrat më të guximshme”, ka shkruar Osmani.

  • Shefi i BE-së largohet nga Kosova, Avio Orav merr detyrë të re në Turqi

    Shefi i BE-së largohet nga Kosova, Avio Orav merr detyrë të re në Turqi

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Avio Orav pritet që së shpejti të nis një detyrë të re në Turqi.

    Kështu ka bërë të ditur Matti Maasikas, Sekretar i Përgjithshëm në detyrë në Shërbimin Evropian për Veprime të Jashtme (EEAS), i cili i ka shprehur falënderimet dhe urimet e tij të ngrohta Oravit, për detyrën e re në Turqi.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Maasikas ka shkruar se Orav ka bërë punë të shkëlqyer në Kosovë.

    “Faleminderit Aivo Orav për punën e shkëlqyer të bërë në Kosovë! Do të mungosh shumë. Urime për detyrën tënde të re në Turqi dhe jam shumë i lumtur të vazhdoj të punojmë së bashku – ashtu si kemi bërë gjatë dekadave në role të ndryshme”, ka shkruar Maasikas.

    Në fotografitë e ndara me postimin, Maasikas dhe Orav shihen duke shkëmbyer përshëndetje përpara godinës së EEAS, duke simbolizuar bashkëpunimin e gjatë dhe të frytshëm mes tyre.

    Aivo Orav ka shërbyer si shef i Zyrës së BE-së në Kosovë në një periudhë të rëndësishme për zhvillimet politike dhe integruese të Kosovës, duke mbështetur proceset demokratike dhe bashkëpunimin rajonal.

    Aivo Orav kishte marrë detyrën e tij si drejtues i Zyrës së BE-së në Kosovë më 2 shtator 2024. Para Orav në Kosovë kishte shërbyer Thomas Szunyog.

  • Hapet apeli i ish-presidentit francez Sarkozy kundër dënimit për konspiracion

    Hapet apeli i ish-presidentit francez Sarkozy kundër dënimit për konspiracion

    Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, do të paraqitet në gjykatë të hënën për të apeluar një dënim për konspiracion kriminal lidhur me përpjekjet për të siguruar fonde fushate nga Libia, për të cilat ai mori një dënim me pesë vjet burg vitin e kaluar.

    Kjo e bëri Sarkozin presidentin e parë të Francës pas luftës që u burgos – një rënie tronditëse për një njeri që udhëhoqi vendin nga viti 2007 deri në vitin 2012, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv

    Ai u burgos në tetor në burgun La Sante në Paris dhe u lirua tre javë më vonë, pasi një gjykatë pranoi ta lironte atë nën mbikëqyrje gjyqësore, e cila përfshinte edhe ndalimin e largimit nga Franca.

  • Pacienti i plagosur nga të shtënat në Gjakovë është në gjendje stabile

    Pacienti i plagosur nga të shtënat në Gjakovë është në gjendje stabile

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, ku dy persona janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri ka mbetur i plagosur.

    Pacienti i plagosur u paraqit rreth orës 05:20 në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, ku u pranuar në emergjencë dhe iu nënshtrua të gjitha ekzaminimeve të nevojshme.

    Dr. Ilir Hasanaj, shef i Emergjencës, tha se gjendja e pacientit është stabile.

    “Rreth orës 05:20 në mëngjes sot ka ardhur një pacient i plagosur me armë zjarri. Është pranuar në emergjencë dhe janë bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Pacienti është hospitalizuar në ortopedi për trajtim të mëtejshëm dhe gjendja e tij aktualisht është stabile”, tha Hasanaj për Syri Vision.

    Sipas raportimeve, viktima dhe autori i dyshuari kanë qenë shokë mes veti, ndërsa konflikti dyshohet të ketë nisur brenda një lokali.

    Policia ka identifikuar të dyshuarin, i cili aktualisht ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga forcat e rendit.

    Hetimet nga policia dhe prokuroria po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/

  • Vrasja në Gjakovë, viktima është xhaxhai i Elijona Binakaj

    Vrasja në Gjakovë, viktima është xhaxhai i Elijona Binakaj

    Krismat e armëve të zjarrit kanë alarmuar mëngjesin e sotëm qytetin e Gjakovës, ku një person ka mbetur i vrarë ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”. Sipas të dhënave fillestare, viktima është Rasim Binakaj, 38-vjeçar, i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.

    Si i dyshuar për këtë rast përmendet N.Z., pronari i lokalit “My Place”. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në incident dhe, pas ngjarjes, është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i Rasim Binakajt është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit, ndërsa policia është vënë në kërkim të të dyshuarit Nexhdet Zymberaj.

    Ndërkohë, viktima. Rasim Binakaj. raportohet të jetë xhaxhai i Elijona Binakaj, ish-finalistes së Big Brother VIP Kosova 4.

    Lajmi ka tërhequr vëmendje edhe në rrjetet sociale, pasi Elijona u bë e njohur për publikun gjatë pjesëmarrjes së saj në reality show-n e njohur, ku arriti deri në finale dhe fitoi një numër të madh ndjekësish.

    Deri më tani, Elijona Binakaj nuk ka bërë ende ndonjë reagim publik lidhur me ngjarjen e rëndë.

    Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, 38-vjeçari ka marrë plagë vdekjeprurëse, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe vëllai i tij. /Telegrafi/

  • Këta qilima e bëjnë shtëpinë të duket e vjetruar: Dizajnerët tregojnë çfarë duhet ndryshuar

    Këta qilima e bëjnë shtëpinë të duket e vjetruar: Dizajnerët tregojnë çfarë duhet ndryshuar

    Një qilim mund ta bëjë dhomën më elegante ose ta prishë gjithë pamjen e saj. Ekspertët zbulojnë cilat stile dhe ngjyra po dalin nga moda

    Zgjedhja e qilimit nuk është kurrë vetëm çështje shijeje. Ndryshe nga muret që mund t’i lyeni brenda një fundjave, qilimi zakonisht blihet me idenë që të zgjasë për vite. Pikërisht për këtë arsye dizajnerët e enterierit gjithnjë e më shpesh paralajmërojnë se disa ngjyra dhe stile, që dikur ishin standard, sot mund ta bëjnë hapësirën të duket e vjetruar dhe pa karakter.

    Qilimi është shumë më tepër se një dekorim. Ai lidh mobiliet, përcakton atmosferën dhe shpesh bëhet boshti i gjithë dhomës. Por kur ngjyra nuk është e përshtatshme, në vend të ngrohtësisë mund të krijojë ndjenjë ftohtësie ose rrëmujë vizuale.

    Pikërisht për këtë arsye ekspertët këshillojnë që disa nuanca dhe stile të lihen gradualisht në të kaluarën.

    Qilimi gri nuk duket më neutral

    Për vite me radhë gri konsiderohej zgjedhje e sigurt. Mendohej si neutral, elegant dhe i lehtë për t’u kombinuar. Sot, megjithatë, dizajnerët thonë se ky trend është konsumuar dhe se qilimi gri shpesh e bën hapësirën të duket e ftohtë dhe pa identitet.

    Ndryshe nga muret gri që mund të krijojnë ndjenjë qetësie, qilimi gri shpesh e bën hapësirën të duket i ftohtë dhe i përgjithshëm, pothuajse si një ambient zyre. Nëse dëshironi një bazë neutrale me më shumë jetë, është më mirë të zgjidhni qilim në ngjyrë rëre ose me teksturë natyrore dhe endje të fortë, thotë dizajneri i enterierit Chris Goddard për The Spruce.

    Sipas tij, këto tone i japin hapësirës ngrohtësi dhe pamje më natyrore, ndërsa mbeten mjaft neutrale për t’u kombinuar lehtë me pjesën tjetër të enterierit.

    Printet e mëdha grafike mund ta mbingarkojnë hapësirën

    Qilimat me motive të mëdha gjeometrike ose lulesh ishin shumë të njohur në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Sot ato rikthehen herë pas here si trend retro, por dizajnerët paralajmërojnë se duhet përdorur me kujdes.

    Problemi është se printet e mëdha e dominojnë shpejt hapësirën. Kur dyshemeja bëhet qendra vizuale, gjithçka tjetër në dhomë duhet t’i përshtatet asaj, gjë që shpesh e vështirëson kombinimin e mobilieve dhe dekorit.

    Printet e mëdha grafike ose qilimat me motive të theksuara shpesh bëjnë që hapësira të duket si një kinema ose hotel i lirë, paralajmëron Goddard.

    Për këtë arsye shumë dizajnerë sot u japin përparësi teksturave më të thjeshta dhe motiveve diskrete që nuk e mbingarkojnë enterierin.

    Qilimi bezhë zbulon shpejt gjurmët e përdorimit

    Bezhë për dekada ka qenë sinonim i një shtëpie neutrale dhe elegante. Megjithatë, sot kjo nuancë shpesh jep përshtypjen e një enterieri që ka mbetur në estetikën e viteve tetëdhjetë.

    Përveç kësaj, qilimat bezhë kanë edhe një problem tjetër: shumë shpejt tregojnë gjurmët e jetës së përditshme. Pluhuri, njollat dhe shenjat e përdorimit bëhen të dukshme shumë më shpejt se te ngjyrat e tjera.

    – Ngjyrat neutrale të çelëta si bezha duken shumë bukur kur vendosen për herë të parë, por pas disa javësh përdorimi zbulojnë lehtësisht papastërtinë dhe konsumimin e përditshëm, shpjegon Goddard.

    Nuancat blu dhe jeshile mund të jenë zgjedhje e mirë, por me masë

    Nuancat si jeshilja avokado, smeraldi apo tirkizja e fortë shënuan enterieret nga vitet gjashtëdhjetë deri në vitet tetëdhjetë. Sot ato rikthehen herë pas here si trend nostalgjik, por vetëm kur kombinohen me kujdes me pjesën tjetër të hapësirës.

    Goddard mendon se këto ngjyra mund të duken shumë efektive, por vetëm nëse përdoren me mend dhe në harmoni me enterierin.

    – Më pëlqejnë qilimat me ngjyra të thella dhe nuk është keq të luhet me blu dhe jeshile. Ato funksionojnë veçanërisht mirë kur muret dhe elementet dekorative janë në tone të ngjashme, sepse hapësira fiton harmoni dhe thellësi, thotë ai.

    Me fjalë të tjera, problemi nuk qëndron te vetë ngjyra, por te mënyra si ajo përshtatet me tërësinë e hapësirës. Qilimi mund të mbetet një element i fortë vizual, por vetëm nëse nuk përpiqet të jetë ylli i vetëm i dhomës.

  • Gishti tregues dhe gishti i unazës mund të tregojnë më shumë për shëndetin mendor

    Gishti tregues dhe gishti i unazës mund të tregojnë më shumë për shëndetin mendor

    Hulumtimi më i fundit pretendon se disa persona kanë gjasë më të madhe të zhvillojnë ndonjë çrregullim psikiatri

    Studiues në Kanada analizuan gjatësinë e gishtave të vullnetarëve me diagnozë klinike të problemeve psikiatrike, për të përcaktuar nëse psikopatia është “e rrënjosur biologjikisht”. Ekipi zbuloi se tek ata që e kanë gishtin tregues më të shkurtër se gishtin e unazës ekziston gjasë më e madhe për të pasur një çrregullim psikiatrik të diagnostikuar.

    Rezultatet e studimit janë publikuar në numrin e muajit shkurt të revistës shkencore The Journal of Psychiatric Research.

    Ekipi e nisi kërkimin duke vënë në dukje se tashmë dihet që personat me gisht tregues më të shkurtër dhe gisht unaze më të gjatë lidhen më shpesh me tipare të ashtuquajtura të “triadës së errët” dhe me sjellje agresive.

    Për tiparet e “triadës së errët” thuhet se janë “qëndrime shoqërisht shumë të padëshirueshme, si makiavelizmi, narcizmi dhe psikopatia”, shkruan Yahoo.

    Forma e gishtit tregues mund të zbulojë tiparet tuaja të fshehura, kontrolloni cilit tip i përkisni?

    Gjithashtu është konstatuar se personat që marrin rezultate të larta në shkallën e “triadës së errët” shpesh shfaqin qëndrueshmëri të theksuar mendore dhe rezultate të mira sportive, por edhe intolerancë ndaj pasigurisë, ankth të shpeshtë, mungesë empatie dhe prirje manipuluese.

    Në studim morën pjesë 80 vullnetarë, 44 me probleme psikiatrike dhe 36 persona të shëndetshëm pa diagnozë të çrregullimeve mendore.

    Analiza e duarve të tyre konfirmoi se, krahasuar me personat e shëndetshëm, ata me diagnozë klinike të një çrregullimi psikiatrik kanë më shumë gjasa të kenë gisht tregues më të shkurtër dhe gisht unaze më të gjatë.

    Nga ana tjetër, njëri prej autorëve të studimit, Serge Brand, thekson se personat me gisht tregues më të shkurtër nuk duhet të shqetësohen, pasi kjo karakteristikë shpesh gjendet edhe tek njerëz plotësisht të shëndetshëm.