ATV

Author: K.B.

  • Haxhiu pret në takim Shefen e Zyrës së KE-së, flasin për zhvillimet politike në vend

    Haxhiu pret në takim Shefen e Zyrës së KE-së, flasin për zhvillimet politike në vend

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Mary Ann Hennessey.

    Kuvendi ka njoftuar se në takim është diskutuar për zhvillimet politike në vend, bashkëpunimin me institucionet evropiane dhe rëndësinë e avancimit të reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit.

    “Kryetarja Haxhiu theksoi përkushtimin e Kuvendit për forcimin e institucioneve demokratike dhe për thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftim.

  • “Doki është impulsiv”, Haxhi Avdyli i reagon Donika Gërvallës: Nuk e ka lexuar drejt aktin e dorëheqjes

    “Doki është impulsiv”, Haxhi Avdyli i reagon Donika Gërvallës: Nuk e ka lexuar drejt aktin e dorëheqjes

    Donika Gërvalla në cilësinë e bashkëkryetares së partisë Guxo e cila një ditë më parë tha se Haxhi Avdyli është impulsiv pasi dha dorëheqje nga të gjitha pozitat në parti, ky i fundit ka reaguar.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Avdyli tha se Gërvalla-Schqarz nuk e ka lexuar drejt aktin e dorëheqjes së tij.

    “Për Donika Gërvalla-Schëarz e cila akoma nuk arriti të lexoi drejt aktin e dorëheqjes time nga funksionet në Guxo. Dhe pse kjo dorëheqje nuk është pengesë të jem pjesë e grupit parlamentar të #vetevendosje deri në përfundim të mandatit”, ka shkruar ai.

    Tutje ai ka thënë se në Kuvendin e Kosovës, nuk ka grup VV- Guxo-A, por ka vetëm grup parlamentar të Vetëvendosjes.

    “Nga 7 deputetë të Guxo vetëm dy ishim me funksione partiake e anëtar të forumeve partiake, të tjerët në asnjë forum nuk janë anëtar por kjo si ndalon të jenë deputet te grupit parlamentar te VV-së. Në grupin parlamentar të VV-së janë së paku 3 deputetë që njoh, që kurrë s’kanë pasë librezë partie VV apo Guxo e pas zgjedhjes deputet, e akoma nuk kam dëgjuar të jenë anëtarësuar ne asnjë parti”, ka shkruar Avdyli.

    Për më shumë lexoni të plotë reagimin e Avdylit:

    Për Donika Gërvalla-Schëarz e cila akoma nuk arriti të lexoi drejt aktin e dorëheqjes time nga funksionet në Guxo. Dhe pse kjo dorëheqje nuk është pengesë të jem pjesë e grupit parlamentar të #vetevendosje deri në përfundim të mandatit.

    – Në Kuvendin e Kosovës, nuk ka grup VV- Guxo-A, por ka vetëm grup parlamentar të Vetëvendosjes.

    – Nga 7 deputetë të Guxo vetëm dy ishim me funksione partiake e anëtar të forumeve partiake, të tjerët në asnjë forum nuk janë anëtar por kjo si ndalon të jenë deputet te grupit parlamentar te VV-së

    -Në grupin parlamentar të VV-së janë së paku 3 deputetë që njoh, qe kurrë skanë pasë librezë partie VV apo Guxo e pas zgjedhjes deputet, e akoma nuk kam dëgjuar të jenë anëtarësuar ne asnjë parti.

    Në pranverën e turbulencave të mëdha politike, të vitit 2020, kur bashkë me Vjosa Osmani , votuam kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 e më pastaj as nuk votuam Qeverinë Hoti, ne vazhduam formalisht te jemi pjese e grupit parlamentar te LDK-në deri në zgjedhjet e vitit 2021.

    Për pasojë e këtyre përplasjeve të mëdha politike lindi projekti politik #Guxo, ku themeluese e ideatore i saj ishte Vjosa Osmani, e cila me bashkimin politik me Vetëvendosjen, sollën ndryshimin e madh të 14 shkurtit.

    Edhe pse veq dy orë para mbylljes se listave per deputet, ju u bashkuat kësaj liste të referendumit, unë e vlerësoj kontributin tuaj për këtë kapitull te ri politik që ndodhi në Kosovë .

    – Përkunder këtyre sqarimeve, mjafton një SMS nga Kryetarja e grupit parlamentar Arbërie Nagavci, apo nga sekretariati, që jam i padëshiruar në takimet e grupit parlamentar, sepse sqenkam më nënkryetar në parti, e funksione tjera ne Guxo, atëherë unë nuk marr pjesë as në mbledhje as aktivitete tjera në të cilin më kanë deleguar qytetarët.

    Kjo sbesoj që do ndodh, por supozojmë që ju do ndërhyni e të ndodh, unë prapë se prapë nuk do tentoj që me forcë te futem brenda ne takime si i paftuar.

    E më pak të bëj skena si ju, kur para më shumë se 10 vite, tentove me forcë merrje pjesë në takim te KP te LDK-së ku as nuk ishit anëtar, as nuk kishit ftesë, as drejtë pjesemarrjeje. Dhe për ironi e fatit ishte e vetmja Vjosa Osmani atëbotë, që solidarizua me ju deri ne kacafytje.

    Përkundër ketij solidarizimi të atëhershëm, dhe insistimit të saj shumë mujor në vitin 2021 për aktivizimin tuaj në politikë, gjatë intervistës se mbrëmshme, nuk patët guximin ta thoni së paku një fjalë solidarizimi apo dënim të fjalorit të shpifjeve më të ulëta, e konsipiracioneve më të çmendura, deri te kërcënimet me jetë.

    Të gjitha këto të pasuara pas shprehjes së vullnetit legjitim edhe për nja mandat si Presidente e per vazhdimin e punëve të mira për shtetin e Kosovës, për të cilat publikisht jeni shpreh edhe ju që ishin të tilla.

    #GUXO lindi nga guximi jo vetëm për ballafaqim me keqqeverisjen, por edhe në ringritje për dinjitet e kunder shpifjeve e padrejtësive.

    Sot me dashje apo pa dashje ky projekt politik po shkon drejt zhdukjes, ku ska më as kryesi as këshill të përgjithshëm me kuorum.

    Kjo situatë ka ardhur jo në mënyrë impulsive, por përmes injorimit, mbyllje e të zyreve, nënçmimit, ikjes nga diskutimet me aktivistë e veprimtarë shumë të devotshëm që një nga një, po ikin, shumë nga ta në heshtje.

    Por jam i bindur se ideja e Guxo do jeton shumë gjatë edhe se vetë angazhimi ynë në politikë.

    Sepse kjo ide lindi jo vetëm nga përplasjet politike e karrieriste por nga nevoja per ndryshim, e për kauzën për Kosovën më të mirë, zhvilluar, të drejtë e me mundësi të barabarta për të gjithë.

    Të gjithë përkrahësve pro et kontra, ju siguroj që unë jam po i njëjti, dhe qëndroj në të gjitha deklaratat e kauzat e mëhershme. Shqetësimet më shumicën nga ju i kemi të njëjta, por këndvështrimet ngapak mund ti i kemi të ndryshme, për shkak se edhe informatat nuk i kemi të njejta.

    Për fund, një falenderim për ftesat e shumta për intervista në TV që kam marr.

    Të nderuar gazetarë po kërkoj mirëkuptimin tuaj, për mospjesëmarrje në intervista e debate edhe për një kohë.

  • Konfirmohet heqja e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës

    Konfirmohet heqja e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës. Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian.

    “Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, tha Jiri Plecity, përfaqësues i Komisionit Evropian.

    Gjatë debatit u shpreh keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik që përshkoi tërë vitin 2025.

    Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian theksoi se vendi ishte në një paralizë të plotë politike, e cila kishte pasoja edhe në procesin reformues.

    “Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetike për vetë vendin. Ka shumë qartë fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, tha Riho Terras, raportues për Kosovën në PE.

    Në debat ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve evropiane, të cilët përshëndetën marrëveshjen për Ligjin për të Huajt, të arritur ditë më parë në Prishtinë, raporton rtk.

    “Fundjavën e kaluar në Prishtinë, falë lehtësimit të BE-së, u gjet një rrugë përpara për zbatimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë. Ne i mirëpresim hapat e ndërmarrë nga Kosova në lidhje me ruajtjen e sundimit të ligjit. Kjo do t’u mundësojë serbëve të Kosovës të vazhdojnë të banojnë, studiojnë dhe punojnë në Kosovë ligjërisht, sipas ligjit të Kosovës”, tha Anne Kempainen nga Shërbimi i Jashtëm Evropian (EEAS).

    Kjo marrëveshje, sipas përfaqësuesve evropianë, është edhe një dëshmi se dialogu sjell rezultate. Normalizimi i marrëdhënieve, siç u tha, mbetet kusht kyç si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë për të përparuar në rrugën evropiane.

  • Hamiti: Mbasi lëshoi pe ndaj serbëve, Kurtit po i kërkohet t’i zbatojë Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit

    Hamiti: Mbasi lëshoi pe ndaj serbëve, Kurtit po i kërkohet t’i zbatojë Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit

    Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka komentuar kompromisin e fundit të kryeministri Albin Kurti në raport me serbët e Kosovës.

    Ai ka bërë me dije se pasi lëshoi pe ndaj serbëve, Kurti tani po i kërkohet t’i zbatojë Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit që i ka pranuar në vitin 2023.

    Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka shkruar se këto marrëveshje janë me të këqijat në historinë e dialogut me Serbinë.

    “Mbasi lëshoi pe ndaj serbëve, tash Albin Kurtit po i kërkohet t’i zbatojë Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit që i ka pranuar vetë më 2023 në emër të Kosovës. Për kujtesë, më këto Marrëveshje, më të këqijat në historinë e dialogut me Serbinë, Albin Kurti ka pranuar vetëmenaxhim, domethanë autonomi politike-territoriale për serbët, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kur lëshon pe Kurti ndaj serbëve, bën akte prej burrështetasi në sytë e adhuruesve të vet. Kur Albin Kurti i thuri lavdata Oliver Ivanoviqit, serbit të dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, askush prej përkrahësve të tij patriotikë nuk ia pa për të madhe”, ka shkruar Hamiti.

  • Kushtetuesja ka filluar shqyrtimin e dekretit të presidentes Osmani

    Kushtetuesja ka filluar shqyrtimin e dekretit të presidentes Osmani

    Gjykata Kushtetuese, në fillim të kësaj jave, ka filluar ta shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Kurti dhe të grupit parlamentar të LVV-së lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

    Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, konfirmoi për RTV21 se lënda ka hyrë në fazën e shqyrtimit.

    “Pas pranimit të komenteve nga palët e interesit fundjavën e kaluar dhe kompletimit të dosjes, në fillim të kësaj jave lënda ka kaluar në fazën e shqyrtimit.”, tha Dula.

  • Kusari-Lila: Rritja e çmimit të naftës në Kosovë, reflektim i lëvizjeve në tregun e jashtëm

    Kusari-Lila: Rritja e çmimit të naftës në Kosovë, reflektim i lëvizjeve në tregun e jashtëm

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila thotë se rritjet e fundit të çmimeve të derivateve të naftës në vend po reflektojnë rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

    Ajo tha se masa masa për kufizimin e marzhës së fitimit po e mban situatën nën kontrol.

    “Çmimi tavan apo marzha mbi fitimin në çmimin e naftës është bazuar në çmimin e një ditë përpara të sasive të derivateve të importuara. Dhe përderisa ka ngritje të çmimit në derivatet e importuara, lëviz edhe çmimi brenda tregut të brendshëm. Do të thotë, një blerës me shumicë, gjegjësisht një importues me shumicë mund ta ngrit çmimin mbi çmimin e importit vetëm 2 cent për litër. Prandaj, nëse në një ditë të caktuar, siç ka qenë dy ditë më parë, çmimi për litër të derivatit, në këtë rast të naftës, është importuar me 1 euro e 50 cent, me shumicë ajo mund të shitet më së shumti 1 euro e 52 cent. Përderisa me pakicë shtohet edhe 12 cent mbi çmimin bazë, që do të shkojë në 1 euro e 64 cent”, tha ajo.

    Kusari Lila theksoi se reagimi i saj publik ishte i bazuar në çmimin e publikuar një natë më parë, ndërsa njoftimi për kufirin maksimal të çmimeve përfshin të gjitha derivatet, përfshirë edhe gazin.

    “Reagimi im ditë më parë ka qenë i bazuar mbi çmimin e cili ishte një natë më parë që është edhe i publikuar në postim. Do të thotë, njoftimi për kufirin maksimal të çmimit të naftës apo të benzinës, në këtë rast në përgjithësi çmimi i derivateve, për arsye se hyn edhe gazi këtu, do të jetë në 2 cent në shumicë, 12 cent në pakicë mbi çmimin me shumicë. Prandaj lëvizjet që po ndodhin janë reflektim i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimit në tregun e jashtëm. Ne si vend importues, që nuk kemi rafineri, po ndikon shumë më shumë sesa vendet, për shembull vendet fqinje Greqia, Maqedonia e Veriut, që kanë rafineritë e naftës. Megjithatë, prapë te të gjithë është duke u reflektuar rritja e çmimit e në Kosovë po e ka ndikimin e drejtpërdrejtë”, tha ajo në një deklarim për media.

    Sa i përket rezervave, ministrja tha se situata mbetet e qëndrueshme dhe larg panikut.

    “Po mendoj, kjo si informacion është informacion i cili mbetet për institucionet, por situata është stabile me rezervat mund të them. Në raport me rezervat e importuesve, gjegjësisht kompanive që merren me tregtimin e derivateve, jemi duke i përcjellë edhe rezervat. Nuk ka lëvizje, nuk ka rënie në rezervat e tyre. Do të thotë ende është situatë e menaxhueshme dhe larg situatës së panikut”, tha ajo.

    Ajo përmendi edhe rastin e lirimit të rezervave shtetërore në disa vende, duke theksuar se Kosova nuk ndodhet në një situatë të tillë.

    “Ka pasur vende, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë lëshuar një pjesë të rezervës shtetërore. Ne nuk kemi ardhur në atë pikë. Industria dhe ekonomia jonë nuk janë në atë nivel që është rrezikuar në masë të madhe. Megjithatë, megjithatë më duhet të them se është e pashmangshme ndikimi i mëtejshëm i asaj se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme me reflektimin në çmimin e derivateve. Ne do ta bëjmë maksimumin edhe jemi duke e bërë të përcjellim që nuk ka, të them, fluktuim jashtë normales. Gjegjësisht masa e vendosur ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll, por kontrolli brenda kësaj hapësire e cila po tregohet se po lëviz çmimi, por jo mbi të paimagjinueshmen ose në masë ku mund të ketë ndikim tepër serioz për të keq. Po e them që shkon edhe në një periudhë kohe deri në një stabilitet. Këtu ne nuk jemi akterë, ne jemi konsumues të rrethanave që po ndodhin atje. Por po shpresojmë që sa më parë të ketë një stabilitet. Parashihet në muajt në vijim, në veçanti në periudhën e verës, që do të ketë një stabilitet të çmimit”, tha ajo.

    Ministrja bëri të ditur se ka pasur edhe shkelje të vendimit për marzhën e fitimit, por se Inspektorati i Tregut ka reaguar me masa ndëshkuese.

    “Po, ka pasur dy kompani që kanë shkelur vendimin tonë dhe Inspektorati më ka informuar për dy kompanitë, të cilat kanë masën e parë gjobën, masën e dytë tërheqjen e licencës. Nuk ka ardhur te masa e dytë. Do të thotë janë ndaluar tek dënimi, gjegjësisht reagimi i parë i Inspektoratit të Tregut”, tha ajo.

  • Tërmeti me magnitudë 6 ballësh godet Kubën

    Tërmeti me magnitudë 6 ballësh godet Kubën

    Një tërmet me magnitudë 6 ballë të Rihterit ka goditur Kubën të martën, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Sizmologjike Evropiane Mesdhetare (EMSC).

    Siç është bërë e ditur, tërmeti ka pasur një thellësi prej rreth 15 kilometrash, raportoi Reuters.

    Deri më tani nuk ka raportime të menjëhershme për dëme materiale apo viktima.

    Edhe para rreth 10 ditësh, konkretisht më 8 shkurt është raportuar një tjetër tërmet i fuqishëm në këtë vend.

    Sipas EMSC-së, një tërmet me magnitudë 5.5 ballë ka goditur Kubën atë ditë. Tërmeti ishte në një thellësi prej 15 km.

  • Mesazhet me zë i bezdisin njerëzit më shumë se tekstet e gjata

    Mesazhet me zë i bezdisin njerëzit më shumë se tekstet e gjata

    Shkenca sugjeron se mesazhet me zë shpesh i bezdisin njerëzit më shumë sesa tekstet e gjata.

    Sipas studimeve, ndryshe nga mesazhet e shkruara, mesazhet zanore kërkojnë vëmendje të plotë, pasi nuk mund të lexohen shpejt, të skanohen apo të kontrollohen lehtësisht në publik.

    Për më tepër, ato ia kalojnë kontrollin dërguesit. Teksti i jep lexuesit mundësinë të vendosë ritmin, ndërsa mesazhet me zë e kontrollojnë kohën dhe theksin sipas dërguesit, duke bërë që edhe një regjistrim i shkurtër të duket më i gjatë se një paragraf i tërë.

    Është një ndryshim i vogël në komunikim, por që ndikon ndjeshëm në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë bisedën.

  • Londrimi me projekt të ri muzikor?

    Londrimi me projekt të ri muzikor?

    Fituesi i edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova vazhdon të jetë shumë aktiv në rrjete sociale, ku ndan momente të ndryshme.

    Në një postim të fundit në Instagram, ai shihet në studio muzikore, duke treguar se ka nisur të punojë.

    “Time to work”, ka shkruar ai krahas fotos, duke lënë të kuptohet se një projekt i ri muzikor është në rrugë e sipër.

  • Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve në skandalin e Rezervës Shtetërore

    Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve në skandalin e Rezervës Shtetërore

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari dhe tre të tjerëve Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, në skandalin e Rezervës Shtetërore.

    Lajmi u bë i ditur nga Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate.

    Gashi tha se Departamenti Special, e ka hedhur kërkesën si të pa bazuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e evidentuar me shenjën PPPS.nr.35/2023 të datës 11.11.2025, në çështjen penale kundër të pandehurve R.H., I.L., H.G., për shkak të veprës penale Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, R.M. për shkak të veprës penale Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i pandehuri H.G. për shkak të veprës penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 par.1 të KPRK-së, si dhe të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, deklaroi Gashi.