ATV

Author: K.B.

  • Hoxhaj: Kosova e paralizuar dhe e përçarë, e pa vlerë sot heqja e masave të BE-së

    Hoxhaj: Kosova e paralizuar dhe e përçarë, e pa vlerë sot heqja e masave të BE-së

    Deputeti dhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën politike në vend.

    Ai shprehet se Kosova po përballet me një krizë të thellë politike, e cila “duket se nuk ka fund”, duke e përshkruar vendin si të paralizuar dhe të përçarë, pa një ndjenjë të përbashkët qëllimi dhe pa një ide që e bashkon.

    Hoxhaj thekson se kjo situatë rrezikon humbjen e shpresës së vetme për të vepruar në mënyrë dinamike në mbrojtjen e interesit shtetëror, veçanërisht në një botë gjithnjë e më të pasigurt dhe me rreziqe të mëdha.

    “Për shkak të krizës politike, e cila duket se nuk ka fund, Kosova është po aq e paralizuar sa edhe e përçarë, pa një ndjenjë të përbashkët qëllimi dhe pa një ide që e bashkon. Kjo rrezikon humbjen e shpresës së vetme për të vepruar në mënyrë dinamike në mbrojtjen e interesit shtetëror në një botë që bëhet çdo ditë më e pasigurt dhe me rreziqe të mëdha. Prandaj, edhe heqja e masave të BE-së sot është pa vlerë dhe pa kuptim, sikurse ishin të dëmshme dhe të pakuptimta kur u vendosën ato.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

  • AAK thërret konferencë për media të mërkurën

    AAK thërret konferencë për media të mërkurën

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njofton se nesër në ora 10:30, Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri do të mbajë konferencë për media.

    Në njoftim thuhet se konferenca do të mbahet në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    “Ju ftojmë ta ndiqni këtë ngjarje”, i thuhet mediave në njoftim.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtij personi, dyshohet për mashtrim në bashkëkryerje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtij personi, dyshohet për mashtrim në bashkëkryerje

    Policia e Kosovës, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi që kërkohet për ‘’mashtrim në bashkëkryerje’’.

    Postimi:

    Kërkesë për bashkëpunim

    Prishtinë, më 17 mars 2026

    Hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, me autorizim nga Prokuroria Themelore Prishtinë, publikojnë foton e të dyshuarit, duke kërkuar ndihmën (bashkëpunimin) me qytetarët në identifikimin e personit në foto.

    Personi në foto dyshohet për përfshirje në veprën penale ‘Mashtrim në bashkëkryerje’.

  • Djathtistët serbë protestojnë në Beograd kundër Ligjit për të huajt në Kosovë

    Djathtistët serbë protestojnë në Beograd kundër Ligjit për të huajt në Kosovë

    Me sloganin “Për Kosovën dhe Metohinë serbe” në Beograd më 17 mars u mbajt një protestë e organizuar nga 13 parti dhe lëvizje të së djathtës, përfshirë edhe grupin ultradjathtist, Obraz.

    Shkak për tubimin ishte Ligji për të huajt dhe Ligji për automjetet, të cilët hyrën në fuqi në Kosovë më 15 mars. Protestuesit thanë se këto ligje do të ndikojnë negativisht tek anëtarët e minoritetit serb në Kosovë, por edhe te sektori i shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat e banuara me serb në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

    Sipas gazetarëve në terren të Radios Evropa e Lirë, qindra persona u mblodhën pranë Presidencës së Serbisë në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, nga ku, pas fjalimeve, nisën një marsh drejt Ambasadës së Federatës Ruse, për ta falënderuar Kremlinin, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

    Rreth 200 të pranishëm valëvitën flamuj të Serbisë, por edhe flamuj me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Nga altoparlantët u dëgjuan këngë nacionaliste, ndërsa të tubuarit brohoritën “Kosovën nuk e dorëzojmë” dhe “Tradhti”.

    Midis të pranishmëve ishte edhe deputeti i Parlamentit të Serbisë, Branimir Nestoroviq, nga partia opozitare parlamentare “Ne, zëri i popullit”.

    Cilat ishin mesazhet e protestës?

    Gjatë protestës, foli edhe Slobodan Samarxhiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se autoritetet në Serbi “kanë lënë pas dore” shëndetësinë dhe arsimin, që siç tha ai, janë nën kontroll në veri të Kosovë.

    “Atje [në Kosovë] dhuna është e përditshme, njerëzit vuajnë, nuk kanë paratë e tyre. Atje është larguar çdo gjë serbe që mund të hiqej. Dhe tani po përfundojmë me institucionet e arsimit dhe shëndetësisë”, pretendoi Samarxhiq.

    Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe atij për automjete nisi më 15 mars në Kosovë.

    Qeveria e Kosovës ka vendosur të krijojë lehtësira, duke lëshuar leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’ua njohë letërnjoftimet që atyre u lëshohen nga organet serbe, duke lehtësuar kështu ndikimin e zbatimit të Ligjit për të huaj.

    Këto lehtësira u mirëpritën nga Serbia, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Ligji për të huajt do të prekë anëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë. Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut – i cili funksionon sipas sistemit të Serbinë – punojnë ose studiojnë qytetarë të Serbisë, do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.

    Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si paralele dhe të paligjshme.

    Në tubimin në Beograd foli edhe Lluka Arsenijeviq, student i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se të rinjtë e mbajnë Kosovën “në zemër, mendje dhe lutje”.

    “Vazhdojmë të shohim se si do të zgjidhet problemi që kanë krijuar ata që ishin para nesh. Kur ne të marrim pushtetin, një këngë tjetër do të këndohet këtu dhe në Kosovë”, tha ai.

    Në profilin zyrtar në Instagram të “Studentëve protestues” nuk është bërë thirrje për protestën e organizuar nga partitë dhe organizatat e të djathtës ekstreme.

    Në tubim foli edhe udhëheqësi i grupit ultradjathtist serb, Obraz, Mlladen Obradoviq.

    Obradoviq, i cili ka drejtuar organizatën e ndaluar Obraz, tha se njerëzit u mblodhën për të “shpërfaqur gënjeshtrat” e presidentit të Serbisë “se ai ka fituar [ndaj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti] duke detyruar serbët të marrin dokumente separatiste nga Kosova dhe Metohia”.

    “Çfarë fitore është kjo, të detyrosh popullin të marrë dokumente të një shteti tjetër? Ne nuk pranojmë këtë”, tha Obradoviq.

    Pas fjalimeve, protestuesit marshuan drejt Ambasadës së Federatës Ruse në Beograd, për të falënderuar, sipas Obradoviq, “vëllezërit rusë”.

    Obradoviq ka udhëhequr lëvizjen Obraz, e cila nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në vitin 2005 u klasifikua si organizatë fashiste.

    Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi funksionimin e kësaj organizate në vitin 2012. Në Serbi, kjo organizatë veproi fillimisht joformalisht me emër paska të ndryshuar, ndërsa nga viti 2019 është regjistruar zyrtarisht.

    Obradoviq ka qenë një nga organizatorët e disa demonstratave kundër komunitetit LGBT, protestave kundër ekspozitave të artistëve nga Kosova, si dhe tubimeve në mbështetje të të dënuarve nga Gjykata e Hagës, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq.

  • Presidentja Osmani reagon për konfirmimin e heqjes së masave: Ishin të padrejta, dëmtuan qytetarët

    Presidentja Osmani reagon për konfirmimin e heqjes së masave: Ishin të padrejta, dëmtuan qytetarët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi sot në Parlamentin Evropian është konfirmuar heqja e masave ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.

    Osmani ka thënë se Kosova mirëpret një vendim të tillë dhe ka falendëruar vendet aleate për përkrahjen në heqjen e sanksioneve.

    Presidentja Osmani ka thënë se këto masa kanë qenë të padrejta dhe kanë pasur ndikim negativ në jetën e kosovaarëve

    “Bazuar në vendimin e shpallur në dhjetor nga Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von Der Leyen, për të hequr të gjitha masat e BE-së kundër Kosovës, pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ne mirëpresim konfirmimin e sotëm nga Komisioni se ky vendim tani është zbatuar plotësisht.Falënderoj Komisionin dhe të gjithë partnerët tanë nga shtetet anëtare për mbështetjen e tyre në mbylljen e kësaj çështjeje, e cila rezultoi në heqjen e masave të padrejta që ndikuan negativisht në jetën e popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

    “Kosova mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe për të ecur përpara në rrugën tonë drejt statusit të kandidatit të BE-së.”, ka përfunduar ajo.

  • “Netflix” pretendon se ky film horror spanjoll është aq i frikshëm sa pak veta e shikojnë deri në fund

    “Netflix” pretendon se ky film horror spanjoll është aq i frikshëm sa pak veta e shikojnë deri në fund

    Midis shumë filmave horror të disponueshëm në shërbimet e transmetimit, njëri prej tyre spikati për shkak të pretendimit të Netflix se vetëm një përqindje e vogël e shikuesve ishin në gjendje ta shihnin deri në fund.

    Bëhet fjalë për filmin spanjoll “Veronika” të vitit 2017, i cili, sipas pretendimeve, është aq i frikshëm sa shumë njerëz duhet ta fikin para përfundimit të shfaqjes.

    Regjisori rreth filmit

    Filmi i drejtuar nga Paka Plaza është edhe më intrigues sepse bazohet në ngjarje të vërteta. Historia ndjek rastin e Stefania Gutierrez Lazaro, një vajze që vdiq në Madrid në vitin 1992 në rrethana të pashpjegueshme, thuhet se pasi kishte përdorur një tabelë Ouija me shoqet e saj.Për të rritur përshtypjen e autenticitetit, filmi përdor vende, emra, data dhe orare reale, dhe hapet me pamje të një telefonate reale në 911 dhe raportit të policisë. Në titrat e largimit nga filmi madje përfshiheshin edhe foto të vendeve aktuale.

    Pavarësisht kësaj, regjisori Paco Plaza shpjegoi se i lejoi vetes liri artistike dhe se filmi nuk duhej të konsiderohej dokumentar. Duke folur para një audience në Festivalin e Filmit në Toronto, ai shpjegoi qasjen e tij.

    “Në Spanjë, kjo histori është shumë popullore sepse, siç e pohojmë në film, është i vetmi rast i regjistruar në të cilin një oficer policie shënoi në raportin zyrtar se ai ishte dëshmitar i fenomeneve paranormale. Ai dokument me vulën zyrtare të policisë është vërtet mbresëlënës për t’u parë”, tha Plaza.

    “Por unë mendoj se sapo fillojmë të ritregojmë diçka, ajo bëhet histori, edhe nëse është lajm. Mjafton të lexosh gazeta të ndryshme për të kuptuar se sa i ndryshëm është realiteti në varësi të atij që e tregon. Kjo është arsyeja pse e dija që nuk do të përqendroheshim te ngjarjet e vërteta fjalë për fjalë”, shtoi ai.

    “Doja vetëm të krijoja një vizion të tërë… të gjithë historinë e Veronikës, motrave të saj dhe Antonitos së vogël, atij Marlon Brando të vogël me syze, është e gjitha pjesë e atij vizioni.”

    Shikuesit nuk janë të impresionuar.

    Megjithatë, shumë shikues që përdorën mediat sociale nuk u pajtuan me pohimin se filmi ishte shumë i frikshëm për t’u parë.

    “Jo e frikshme! Historia është e shkëlqyer… por padyshim jo e frikshme”, shkroi një përdorues. Një tjetër komentoi: “Nuk ishte aq e frikshme, por u bë mjaft e frikshme në fund kur pamë fotot e vërteta të policisë.” Një i tretë tha shkurt: “Filmi nuk ishte aspak aq i frikshëm.”

  • Momenti kur Netanyahu urdhëron vrasjen e Ali Larijanit, numrit dy të Iranit! Informacioni që i hapi rrugën bombardimit izraelit

    Momenti kur Netanyahu urdhëron vrasjen e Ali Larijanit, numrit dy të Iranit! Informacioni që i hapi rrugën bombardimit izraelit

    Tel Avivi e ka “vulosur” lajmin e vdekjes së numrit 2 të Iranit dhe kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ali Larijani, në një bombardim natën e së hënës ndaj së martës me një foto të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

    “Kryeministri Netanyahu jep urdhër për eliminimin e zyrtarëve të lartë iranianë”, thuhet në mbishkrimin e fotos së publikuar nga zyra e liderit izraelit.

    Sipas mediave izraelite, vrasja e Larijanit ishte planifikuar fillimisht për natën e së dielës deri të hënën, por u shty në minutën e fundit.

    Megjithatë, të hënën pasdite, autoritetet izraelite morën informacion se Larijani do të shkonte në një nga apartamentet që ai po përdorte si strehë, në vend që të shkonte në shtëpinë e tij. Sipas të njëjtit informacion, djali i tij ishte gjithashtu me numrin 2 të Iranit.

    Kush është Ali Larijani, shefi i mbrojtjes së Iranit të cilin Izraeli thotë se e ka vrarë?

     

  • VIDEO-Tmerrohen turistët në Spanjë, shembet pjesa historike e kalasë së Escalonas

    VIDEO-Tmerrohen turistët në Spanjë, shembet pjesa historike e kalasë së Escalonas

    Një ngjarje e frikshme ndodhi të shtunën në mëngjes në Spanjë, kur një pjesë e kështjellës së Escalonas u shemb papritur, duke lënë turistët të tmerruar. Edhe pse fatmirësisht nuk pati të lënduar, disa makina të parkuara në afërsi pësuan dëmtime materiale.

    Pamjet filmike kapën momentin kur një pjesë e jashtme e ndërtesës u rrëzua, duke hedhur gurë dhe duke ngritur një re pluhuri që mbuloi zonën për disa minuta. Sipas dëshmitarëve, tingulli ishte i fuqishëm dhe paniku i turistëve ishte i menjëhershëm.

    Kalaja Escalona është një pallat i madh i fortifikuar, që përfshin një kishë brenda dhe është ndërtuar në shekullin e 15-të mbi një fortese të vjetër mesjetare. Ky vend ka luajtur një rol strategjik në historinë spanjolle, duke qenë një pikë kyçe gjatë konflikteve kastiliane.

    Oficerët e Gardës Civile dhe zyrtarët e Bashkisë u nisën menjëherë drejt vendngjarjes. Zona u rrethua dhe u kryen ekzaminime për të përcaktuar shkakun e shembjes. Mësohet se reshjet e dendura të shiut të kohëve të fundit mund të kenë dobësuar strukturën e kështjellës, duke kontribuar në rrëzimin e pjesës së saj.

    Aktiviteti turistik në zonë është pezulluar përkohësisht, ndërsa ekspertët po vlerësojnë gjendjen e mbetur të kalasë për sigurinë e vizitorëve. Kalaja Escalona mbetet një atraksion i rëndësishëm historik dhe turistik në rajon, duke tërhequr vizitorë nga e gjithë Spanja dhe jashtë saj.

  • Tragjedia në Afganistan, Pakistani vret 400 persona brenda një spitali

    Tragjedia në Afganistan, Pakistani vret 400 persona brenda një spitali

    Të paktën 400 persona u vranë dhe 250 të tjerë u plagosën në një sulm ajror nga Pakistani në një spital rehabilitimi nga droga në Kabul. Kështu bëri me dije një zëdhënës i qeverisë së talebanëve afganë, në një përshkallëzim të mprehtë të konfliktit midis fqinjëve.

    Pakistani e hodhi poshtë pretendimin si të rremë dhe tha se “shënjestroi me saktësi instalimet ushtarake dhe infrastrukturën mbështetëse të terroristëve” të hënën në mbrëmje. “Shpërthimet dytësore të dukshme pas sulmeve tregojnë qartë praninë e depove të mëdha të municioneve”, tha Ministri Pakistanez i Informacionit Attaullah Tarar në një postim në X.

    Sulmi ajror erdhi disa orë pasi Kina tha se mbeti e gatshme të vazhdonte përpjekjet për të lehtësuar tensionet midis kombeve islamike të Azisë Jugore dhe u bëri thirrje të dyjave të shmangnin zgjerimin e luftës dhe të ktheheshin në tryezën e negociatave.

    Konflikti që filloi muajin e kaluar është më i ashpri ndonjëherë midis fqinjëve që ndajnë një kufi prej 2,600 km. Ai ishte zbehur mes përpjekjeve të vendeve mike, përfshirë Kinën, për të ndërmjetësuar dhe për t’i dhënë fund luftimeve përpara se të ndizej përsëri, këtë herë vetëm disa ditë para festës së Fitër Bajramit që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Përshkallëzimi vjen në mes të një paqëndrueshmërie më të gjerë në lagjen ku sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe hakmarrja e Teheranit e kanë zhytur Lindjen e Mesme në një krizë.

    Në disa vende të Afganistani, ndërtesat ishin shndërruar në grumbuj druri dhe metali, me vetëm disa krevate marinari ende të paprekura në disa prej tyre, ndërsa batanije, sende personale dhe çarçafë ishin të shpërndarë përreth. Dëshmitarët thanë se dëgjuan tre bomba që shpërthenin pikërisht kur njerëzit në spital po përfundonin lutjet e mbrëmjes dhe dy prej tyre goditën dhomat dhe zonat e pacientëve.

    “I gjithë vendi u përfshi nga flakët. Ishte si fundi i botës”, tha Ahmad, 50 vjeç, i cili tha se ishte nën trajtim në objekt dhe dha vetëm emrin e tij të parë. “Miqtë e mi po digjeshin në zjarr dhe ne nuk mundëm t’i shpëtonim të gjithë.”

    Pamjet nga mediat lokale tregojnë flakë që përfshinin një ndërtesë me një kat, ndërsa tymi i dendur dilte nga një pjesë tjetër e të njëjtit kompleks dhe punëtorët merrnin trupa me barela.

    Afganistani i quajti sulmet një shkelje të sovranitetit të tij që synonin civilët dhe nisi sulmet e veta.

    Islamabadi thotë se Kabuli ofron një strehë të sigurt për militantët që nisin sulme ndaj Pakistanit. Talebanët i mohojnë akuzat, duke thënë se përballja me militantizmin është problem i brendshëm i Pakistanit.

  • Fillon zbatimi i ligjeve për të huajt dhe automjetet, 40 vërejtje në veri

    Fillon zbatimi i ligjeve për të huajt dhe automjetet, 40 vërejtje në veri

    Në Kosovë, ka nisur zbatimi strikt i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, ligje këto që sjellin rregulla të reja për qëndrimin e shtetasve të huaj dhe përdorimin e automjeteve me targa të huaja në vendin tonë. Ndërkohë në Mitrovicën e veriut, tashmë policia e Kosovës ka shqiptuar 40 vërejtje për personat që neglizhojnë këto ligje.

    Valon Arifi nga Presheva, i cili jeton prej vitesh në Kosovë, dhe ka nënshtetësi kosovare, thotë se Ligji për Automjete, paraqet problem për shumë banorë të Luginës.

    “Jetojmë këtu, i kemi në përgjithësi kerret e Serbisë, tash unë duhet me shit kerrin se këtu kam të drejtë 3 muaj dhe pastaj kerri duhet të rri 3 muaj në Preshevë. Zgjidhja e vetme kish me qenë m’i pajisë me nënshtetësi të Kosovës banorët e Luginës, që të marrin edhe lejet e vozitjes”, tha ai.

    Arifi bënë thirrje për institucionet e Kosovës, që të punojnë për t’i pajisur me nënshtetësi banorët e Luginës, të cilëve u janë pasivizuar adresat nga ana e Serbisë. Ndërsa, nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, ende nuk ka të dhëna se sa persona kanë aplikuar për leje qëndrimi. Ligji për të Huajt rregullon tri mënyra të qëndrimit në Kosovë, thotë për Radio Kosovën drejtori i departamentit ligjor në MBP, Qëndrim Bytyqi.

    “Mënyra e parë është qëndrimi afatshkurtër që është 90 ditë brenda 180 ditëve, ku çdo i huaj mund të vijë në Kosovë me vizë apo pa vizë për qëllime turistike apo vizitë por pa të drejtë pune. Mënyra e dytë e qëndrimit është ku i huaji pajiset me leje qëndrim të përhoshëm, e një prej llojeve për t’u pajisur me këtë, është lejeqëndrim për qëllim punësimi, dhe mënyra e tretë është të huajt që kanë qëndruar për një kohë të gjatë me leje qëndrim të përkohshëm, mund të pajisjen me leje qëndrim të përhershëm në Republikën e Kosovës”.

    Për sa i përket automjeteve, Bytyqi thekson:

    “Ligji për automjete parasheh që të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë territorit dhe posedojnë një veturë të regjistruar në shtet të huaj, kanë të drejtë të qarkullojnë në Kosovë deri në tre muaj. Por kjo nuk i ndalon të njëjtit që pas daljes nga territori i Kosovës të kthehen prapë. Pra, kufizimet vlejnë për një periudhë tremujore që është e pandërprerë, por nuk kufizohet që ata që kanë vizita më të shpeshta të mund të hyjnë prapë me atë veturë në territorin e Kosovës”.

    Ndërkohë, pas fillimit të zbatimit të këtij ligjit për Automjete, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin në Mitrovicën e veriut, Veton Elshani, tha për Radio Kosovën se tashmë kanë nisur vërejtjet e para.

    “E kemi dhënë një tiketë dhe 40 vërejtje. Nuk ka më vetura me vozit shtetasi i Kosovës, veturë të huaj, p.sh, të Serbisë me autorizim që nuk është adekuat”, tha ai.

    Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka lansuar aplikacionin për deklarimin e adresës për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës.