ATV

Author: K.B.

  • “Kur vjen radha e frutave, është një shenjë që mysafirët duhet të çohen”, Bebe Rexha shpjegon traditat e mikpritjes shqiptare në emisionin amerikan ‘Delish’

    “Kur vjen radha e frutave, është një shenjë që mysafirët duhet të çohen”, Bebe Rexha shpjegon traditat e mikpritjes shqiptare në emisionin amerikan ‘Delish’

    Bebe Rexha ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin e njohur amerikan Delish Snacks, ku ka ndarë me publikun detaje interesante rreth ushqimeve të saj të preferuara, por edhe për traditat shqiptare të mikpritjes.

    Edhe pse është lindur dhe rritur në New York, këngëtarja me origjinë shqiptare theksoi se është rritur në një frymë të fortë të kulturës shqiptare, veçanërisht kur bëhet fjalë për mënyrën se si priten mysafirët në shtëpi.

    Gjatë bisedës, ajo tregoi se shqiptarët kanë një mënyrë shumë të veçantë të mikpritjes. Sipas saj, gjithçka nis me shërbimin e çokollatave të vogla, për të vazhduar më pas me lëngje frutash apo pije të gazuara. Më pas, në tavolinë vendoset një tabaka me ushqime të kripura si çipsa apo kikirikë, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse.

    Megjithatë, momenti më interesant dhe më humoristik i intervistës ishte kur Bebe Rexha zbuloi një “rregull të pashkruar” të mikpritjes shqiptare.

    Ajo tha se servimi i frutave në fund të vizitës shpesh është një sinjal i heshtur për mysafirët.

    “Është një rregull që nëse e kupton, e kupton vet. Servimi i frutave në fund është diçka si ‘erdhi koha për t’u çuar’”, u shpreh ajo me humor, duke shkaktuar të qeshura në studio.

    Moderatorja e emisionit u habit nga kjo traditë dhe e pyeti: “A është vërtet kështu?”, ndërsa Bebe e konfirmoi me buzëqeshje, duke e bërë momentin edhe më argëtues.

    Krahas këtyre rrëfimeve, artistja shfrytëzoi intervistën edhe për të promovuar albumin e saj të ri, Dirty Blonde, i cili pritet të publikohet i plotë më 12 qershor.

    Me këtë paraqitje, Bebe Rexha jo vetëm që solli më pranë publikun amerikan me kulturën shqiptare, por dëshmoi edhe një herë krenarinë e saj për rrënjët dhe traditat nga vjen.

  • Kosova rikthehet në agjendën e BE-së, lirohen 205 milionë euro

    Kosova rikthehet në agjendën e BE-së, lirohen 205 milionë euro

    Komisioni Evropian ka konfirmuar zyrtarisht heqjen e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për rifillimin e plotë të mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.

    Konfirmimi u bë gjatë një debati në Parlamenti Evropian, ku përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, deklaroi se tashmë janë liruar të gjitha fondet që më parë ishin të bllokuara.

    Ai theksoi se ky vendim shënon një hap drejt riangazhimit të plotë të BE-së me institucionet e Kosovës, me synimin për ta rikthyer vendin në rrugën e integrimit evropian.

    Ndërkohë, një zëdhënës i Komisioni Evropian bëri të ditur se, pas përfundimit të procedurave të brendshme, është miratuar lirimi i rreth 205 milionë eurove ndihmë financiare.

    Këto fonde përfshijnë rreth 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte të financuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

    Sipas zyrtarëve evropianë, në vijim pritet një intensifikim i bashkëpunimit mes Bashkimi Evropian dhe institucioneve të Kosovës, ndërsa theksohet se Prishtina zyrtare duhet të përshpejtojë reformat dhe të përmbushë obligimet që lidhen me procesin e integrimit, përfshirë edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

    BE-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në Kosovë dhe progresin në zbatimin e reformave. /Telegrafi

  • Mbetet e bllokuar rruga Pejë-Kullë-Rozhajë, QKMK del me njoftim

    Mbetet e bllokuar rruga Pejë-Kullë-Rozhajë, QKMK del me njoftim

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se rruga Pejë-Kullë-Rozhajë mbetet e mbyllur për qarkullim.

    “Ju njoftojmë se rruga Pejë- PKK Kullë-Rozhajë dhe anasjelltas ende mbetet e mbyllur për të gjitha llojet e automjeteve. Për çdo risi do t’u njoftojmë me kohë” thuhet në njoftimin e QKMK-së.

    Ky segment rrugor u bllokua për qarkullim paraditën e djeshme, për shkak të reshjeve të borës.

    Pikërisht në të njëjtën zonë, dje u bllokuan disa udhëtarë, përfshirë dhe një familje 5-aëtarëshe.

    Për evakuimin e këtyre të fundit u angazhua Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor.

  • Alarmohen autoritetet në SHBA, dron mbi bazat ku qëndron Rubio dhe Hegseth

    Alarmohen autoritetet në SHBA, dron mbi bazat ku qëndron Rubio dhe Hegseth

    Shqetësimi u ngrit në Uashington pasi dronë me origjinë të panjohur u panë mbi një bazë ushtarake ku banojnë zyrtarë të lartë qeveritarë.

    Prania e këtyre dronëve ka ngritur alarmin dhe ka çuar në rritjen e masave të sigurisë, ndërsa autoritetet përpiqen të sqarojnë origjinën e tyre.

    Sipas një raporti të Washington Post , zyrtarët amerikanë kanë vëzhguar vazhdimisht dronë që fluturojnë mbi Fort McNair, një bazë ushtarake në Uashington ku ndodhen Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth. Origjina e dronëve mbetet e panjohur, gjë që ka alarmuar agjencitë përkatëse dhe ka çuar në rritjen e mbikëqyrjes së zonës.

    Fort McNair, ku ndodhen Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare dhe zyrtarët e lartë të Pentagonit, është një vendndodhje kritike sigurie. Edhe pse më parë nuk është përdorur për të strehuar udhëheqës politikë, disa zyrtarë të administratës Trump janë zhvendosur atje për shkak të shqetësimeve të shtuara për sigurinë e tyre. Shfaqja e përsëritur e dronëve natën gjatë dhjetë ditëve të fundit ka çuar në rritjen e masave të sigurisë dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë për të përcaktuar përgjigjen.

    Një zyrtar i lartë qeveritar konfirmoi nivelin e lartë të gatishmërisë, veçanërisht në dritën e sulmeve të fundit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, të cilat po krijojnë një mjedis të tensionuar sigurie. Ekspertët vërejnë se Fort McNair nuk ka të njëjtin nivel mbrojtjeje si instalimet e tjera ushtarake në rajon, gjë që shton shqetësimet në lidhje me sigurinë e zyrtarëve të lartë që banojnë atje.

    Autoritetet amerikane vazhdojnë të hetojnë origjinën e dronëve dhe të forcojnë masat e mbikëqyrjes përreth Fort McNair.

  • Goditje për qytetarët: Rriten çmimet e kafes, mishit dhe qumështit në prag të Bajramit

    Goditje për qytetarët: Rriten çmimet e kafes, mishit dhe qumështit në prag të Bajramit

    Qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë në prag të festës së Bajramit.

    Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi shumë familje kanë vështirësi për të përballuar shpenzimet e nevojshme.

    Çmimet e ushqimeve, si mishi, mielli dhe produktet e tjera të domosdoshme, janë rritur dukshëm, duke rënduar ekonominë e qytetarëve dhe duke ulur fuqinë blerëse të familjeve.

    Në shkurt të 2026-tes, inflacioni vjetor arriti rreth 6%, me një rritje mujore prej rreth 0.6%, duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve që nga viti 2023.

    Rritja e çmimeve ka ngritur shqetësime tek ekspertët e ekonomisë ku kanë paralajmëruar se disa biznese po shfrytëzojnë këtë periudhë festive për fitim, ndërsa institucionet e tregut duhet të ndërhyjnë për të parandaluar manipulimin e çmimeve.

    Kreu i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale në prag të festës së Bajramit, duke thënë se situata është shqetësuese dhe e përsëritur çdo vit.

    “Në bazë të logjikës së ligjit themelor të ofertës dhe kërkesës të gjithë tregtarët janë të përgatitur për bajram dhe kanë ofertë të mjaftueshme dhe kur ka ofertë dhe kërkesë të mjaftueshme, çmimi duhet të jetë i balancuar jo i rritur. Nëse e kemi këtë dukuri të përsëritur që disa vite duhet të trajtohet këtë situatë”, u shpreh ai.

    Ai shton se rritja e çmimeve në këtë periudhë nuk ka të bëjë me mungesën e ofertës, por me shfrytëzimin e momentit për fitim nga ana e disa tregtarëve.

    “Për bajram duhet të jemi bashkë dhe të na bashkojë dhe çmimi, këtë momentum për ngritjen e çmimit po e shfrytëzojnë të gjithë. Nuk kemi as mekanizma as institucione që mund ta parandalojnë ngritjen e manipulimet e çmimeve”, deklaroi Kaçaniku.

    Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ka kritikuar rritjen e çmimeve të produkteve gjatë festave në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një praktikë të keqe që është krijuar gjatë viteve të fundit.

    Sipas tij, në shumë vende të botës çmimet ulen në periudha festash, derisa në Kosovë ndodh e kundërta.

    Mulaj ka kërkuar ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e çmimeve.

    “Është praktikë e keqe që është krijuar viteve të fundit në Kosovë. Në shumë vende të ndryshme të botës çmimet ulën në rast të festave për shkak se rritët sasia e konsumit dhe tregtarët e bizneseve janë më të interesuar me shitë, në Kosovë ndodh e kundërta në rast të festave rritën çmimet dhe abuzohen me to. Bizneset e shfrytëzojnë këtë situatë. Inspektorati i Tregut është dashur ti kontrollojë këto dhe ti gjobitë”, ka thënë Mulaj për “Front Online”.

    Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti ka folur për “Front Online” lidhur me rritjen e çmimeve në prag të festave.

    Ai tha se zhvillimet e fundit në Lindjën e Mesme dhe rritja e çmimit të naftës kanë filluar të ndikojnë edhe sektorët e tjerë.

    Ahmeti s’ka përjashtuar edhe mundësinë e abuzimeve me çmime në rast të festeve.

    “Kemi një inspektorat të tregut që ka një numër të pamjaftueshëm të punëtorëve dhe nuk mund të përcjellin krejt zhvillimet çka ndodhin, kemi një komision të konkurrencës i cili nuk ka bord ende vetëm po shikon sikur spektator sesa që mundet të merr ndonjë veprim, këta duhet të ndikojnë që mos të abuzojmë me çmimet”, ka thënë Ahmeti.

    Ai ka përmendur sfidat me të cilat përballen inspektoratet e tregut dhe mos ndikimin për ta parandaluar abuzimin me çmime.

    “Kemi një inspektorat të tregut që ka një numër të pamjaftueshëm të punëtorëve dhe nuk mund të përcjellin krejt zhvillimet çka ndodhin, kemi një komision të konkurrencës i cili nuk ka bord ende vetëm po shikon sikur spektator sesa që mundet të merr ndonjë veprim, këta duhet të ndikojnë që mos të abuzojmë me çmimet”, deklaroi Ahmeti.

    Sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, gjatë disa muajve të vitit 2025 inflacioni vjetor në Kosovë ka qenë rreth 4–5 për qind. Në tetor 2025, çmimet e konsumit ishin mesatarisht 5.1% më të larta se në të njëjtin muaj të vitit 2024, ndërsa në nëntor rritja mesatare arriti rreth 5.3% krahasuar me një vit më parë.

    Produktet që shtrenjtoheshin më së shumti gjatë vitit 2025, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ishin:

    Energjia elektrike: rreth 15–20% në disa periudha

    Frutat: mbi 15–16%

    Kafe, çaj dhe kakao: rreth 13–17%

    Mishi: rreth 12–13%

    Qumështi, djathi dhe vezët: mbi 7–10%.

  • Irani ekzekuton tre protestues pas trazirave antiqeveritare të janarit

    Irani ekzekuton tre protestues pas trazirave antiqeveritare të janarit

    Irani ka ekzekutuar tre protestues të dënuar për vrasjen e dy efektivëve të policisë gjatë protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë në muajin janar, raportoi agjencia Reuters, duke cituar agjencinë gjyqësore iraniane të lajmeve Mizan.

    Sipas autoriteteve gjyqësore, të dënuarit u shpallën fajtorë për vrasje si dhe për akuzën e “luftës kundër Zotit”, një term i përdorur në sistemin ligjor iranian për vepra të rënda kundër shtetit. Gjithashtu, ata u akuzuan se kishin vepruar në favor të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

    Protestat nisën fillimisht si reagim ndaj gjendjes ekonomike në vend, por më pas u shndërruan në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë iraniane.

    Sipas Agjencisë së Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me bazë në SHBA, rreth 6,488 protestues janë vrarë gjatë këtyre protestave. Kjo shifër nuk përfshin 236 fëmijë, 76 persona që nuk merrnin pjesë në protesta dhe 207 anëtarë të forcave ushtarake dhe qeveritare që gjithashtu humbën jetën.

    HRANA bëri të ditur se po vijon shqyrtimin e rreth 11,744 rasteve të tjera, pas ashpërsimit të ndërhyrjes nga forcat e sigurisë iraniane.

  • Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar, në rend dite 17 pika

    Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar, në rend dite 17 pika

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dë të mbledhë sot kabinetin qeveritar.

    Në rend dite në mbledhjen e sotme janë gjithsej 17 pika.

    Ndër të tjera në rend dite në mbledhjen e sotme të Qeverisë është shqyrtimi i Propozim-vendimit për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, e cila vepron në kuadër të ZKM-së, në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, shqyrtimi i Propozim-vendimit për Themelimin dhe Funksionimin e Sistemit për Zbatimin e Mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

    Në rend dite sot po ashtu është shqyrtimi i Propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, dhënien e autorizimit për Ministren e Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës.

    Në rend dite sot është edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale M25, Prishtinë – Podujevë, shqyrtimi i Propozim-vendimit për mandatin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, e të tjera.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, mbledhja do të fillojë në ora 11:00. /Reporteri.net/

  • U vra nga i dashuri i saj dhe trupi iu fut në një valixhe, autopsia zbulon detaje nga ekzekutimi i influenceres 32-vjeçare

    U vra nga i dashuri i saj dhe trupi iu fut në një valixhe, autopsia zbulon detaje nga ekzekutimi i influenceres 32-vjeçare

    Influencuesja e njohur, Stefanie Pieper, dyshohet se u vra nga ish-i saj pas një grindjeje më 23 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa trupi i saj u gjet i futur në një valixhe në një pyll pranë kufirit Austri-Slloveni.

    Hetuesit thonë se Stefanie mund të ketë qenë gjallë kur u vendos brenda valixhes, megjithëse nuk është e qartë saktësisht koha e vdekjes.

    Autopsia zbuloi mbytje dhe lëndime në fytyrë, të mundshme nga goditjet ose lëvizja brenda valixhes gjatë transportit.

    I dyshuari, 31 vjeç, u arrestua në Slloveni dhe u ekstradua në Austri. Ai ka pranuar vrasjen dhe ka çuar policinë në vendin ku i hodhi trupin. Avokati i tij tha se klienti është i “thyer dhe penduar thellësisht” dhe pretendon se gjatë ngjarjes ishte nën ndikimin e drogës.

    Hetuesit kishin përdorur dronë dhe qen nuhatës për të gjetur influencuesen, pasi ajo nuk u paraqit në punë dhe telefoni i saj u gjend i hedhur në një shkurre.

  • Alpinistet Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi nderohen me pulla postare

    Alpinistet Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi nderohen me pulla postare

    Ky emetim i veçantë i pullave postare i kushtohet alpinizmit kosovar dhe grave që, me guxim, përkushtim dhe arritje të jashtëzakonshme, kanë lartësuar emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai realizohet në kuadër të promovimit të pullave postare kushtuar alpinisteve Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi.

    Në këtë ceremoni, të mbajtur në prani të dy alpinisteve, u vlerësua kontributi i tyre i jashtëzakonshëm në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes arritjeve në alpinizëm dhe ngjitjeve në majat më të larta të botës.

    Ministrja Rizvanolli përgëzoi Uta Ibrahimin dhe Mrika Nikqin për përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe sukseset e tyre, duke theksuar rëndësinë e promovimit të figurave që, me punë dhe vendosmëri, e përfaqësojnë denjësisht Kosovën në botë.

    Ministri Jagxhiu theksoi rëndësinë e inkurajimit të aktiviteteve në natyrë dhe të promovimit të modeleve frymëzuese për të rinjtë, duke vlerësuar se rrëfimet e suksesit të dy alpinisteve përbëjnë shembull të vyer për brezat e rinj.

    Gjatë ceremonisë, Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi ndanë përvojat e tyre nga ekspeditat malore, sfidat e përballuara dhe motivimin që u japin të rinjve për një jetë aktive, me disiplinë dhe afërsi me natyrën.Pullat postare ju dorëzuan alpinisteve nga Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, e cila theksoi se përfshirja e tyre në filatelinë e Kosovës përfaqëson një vlerësim institucional për arritjet e tyre dhe njëkohësisht shërben në promovimin e vendit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

  • U raportua se kishte vdekur, reagon Rozana Radi: Imagjinoni të isha diku e të mos kisha valë, do ishin çmendur familjarët

    U raportua se kishte vdekur, reagon Rozana Radi: Imagjinoni të isha diku e të mos kisha valë, do ishin çmendur familjarët

    Rozana Radi është bërë së fundmi subjekt i një lajmi të rremë që ka qarkulluar në mediat online, duke shkaktuar reagime të menjëhershme nga vet artistja.

    Një portal shqiptar publikoi një fotografi të këngëtares, të shoqëruar me imazhe të një aksidenti automobilistik dhe titullin tronditës: “Shuhet nga jeta këngëtarja Rozana Radi”, duke ngritur shqetësim të madh te publiku dhe ndjekësit e saj.

    Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, këngëtarja dhe moderatorja e emisionit Goca dhe Gra reagoi përmes një postimi në rrjetin social Instagram, duke e dënuar ashpër këtë dezinformim.

    “ Merreni me mend çfarë janë në gjendje të bëjnë portalet online”, shkroi ajo fillimisht, ndërsa më pas shtoi: “Imagjino të isha diku ku të mos kisha valë. Do ishin çmendur familjarët. Nuk e di si ju mban toka”.

    Ky reagim i Rozana Radit nxjerr në pah shqetësimin për përhapjen e lajmeve të rreme, të cilat mund të shkaktojnë panik dhe pasoja emocionale te familjarët dhe publiku.

    Nuk është hera e parë që figura publike përballen me lajme të tilla të pavërteta, të cilat shpesh përhapen për klikime dhe sensacion. Megjithatë, raste të tilla rikthejnë në vëmendje nevojën për më shumë përgjegjësi dhe etikë në raportimin mediatik.