ATV

Author: K.B.

  • Vritet zëdhënësi i Gardës Revolucionare të Iranit

    Vritet zëdhënësi i Gardës Revolucionare të Iranit

    Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) kanë njoftuar të premten se sulmet SHBA-Izrael kanë vrarë zëdhënësin e tyre Ali Mohammad Naini.

    IRGC tha në një deklaratë në faqen e tyre Sepah News se Naini “u martirizua në sulmin kriminal, frikacak dhe terrorist”.

    Para vdekjes së tij, Naini kishte lëshuar një deklaratë duke këmbëngulur se Teherani ende ishte në gjendje të ndërtonte raketa, pavarësisht sulmeve që po vinin nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

    Naini, i cili shërbeu si zëdhënës i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, e kishte marrë atë rol në  vitin 2024 dhe ishte gjithashtu profesor i shkencave shoqërore.

    Ky është një tjetër zyrtar i lartë midis zyrtarëve më të lartë të regjimit iranian që ka humbur jetën, mes konfliktit në rritje që ka shpërthyer pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.

  • Dhunë në familje në Rahovec, vajza sulmohet nga babai dhe motra

    Dhunë në familje në Rahovec, vajza sulmohet nga babai dhe motra

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në Rahovec, ku një vajzë dyshohet se është sulmuar fizikisht nga babai dhe motra e saj.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar.

    Rasti në fjalë ka shkuar në procedurë të rregullt.

  • Falsifikim në tenderin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren: Kompania SCHAFBERGER JR.GMBH dorëzon dokumente të falsifikuara

    Falsifikim në tenderin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren: Kompania SCHAFBERGER JR.GMBH dorëzon dokumente të falsifikuara

    Nga ankesa në OSHP te përjashtimi për mashtrim, kështu u zbuluan dokumentet false në një nga tenderët më të mëdhenj të universitetit “Ukshin Hoti”.

    Një tender me vlerë rreth 650 mijë euro në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren është shndërruar në një rast tipik të dështimit të integritetit në prokurimin publik, pasi një kompani u kap duke aplikuar me dokumente të falsifikuara, ndërsa më pas dështoi edhe në përpjekjen për ta rrëzuar vendimin e autoriteteve.

    Bëhet fjalë për kompaninë “SCHAFBERGER JR. GMBH-Dega Kosovë”, e cila kishte synuar të fitojë kontratën për shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes së objekteve të universitetit, duke dorëzuar dokumente të pavlefshme, shkruan Demokracia.com.

    Më 3 mars 2026, Universiteti “Ukshin Hoti” mori vendim për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të prokurimit “Ofrimi i shërbimeve të pastrimit dhe mirëmbajtjes së objekteve të Universitetit”, pasi grupi i operatorëve ekonomikë “SCHAFBERGER JR. GMBH” dhe “ERIK” SH.P.K. kishte paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

    Sipas vendimit të nënshkruar nga udhëheqësi i Divizionit të Prokurimit, Egzon Kryeziu, procedura u ndal deri në shqyrtimin e plotë të pretendimeve ankimore.

    Por, gjatë vlerësimit të dokumentacionit, autoriteti kontraktues zbuloi shkeljen kryesore.

    Universiteti konstatoi se kompania “SCHAFBERGER JR. GMBH – Dega Kosovë” kishte dorëzuar certifikatën ISO 45001 dhe dëshmi për trajnim të punëtorëve për rrezik në punë në formë të falsifikuar.

    Sipas njoftimit zyrtar, këto dokumente nuk ishin të lëshuara nga autoritetet përkatëse dhe nuk kishin vlefshmëri ligjore. Verifikimet u bënë edhe përmes burimeve zyrtare të kompanisë, duke konfirmuar se ato nuk ishin autentike.

    Si pasojë, kompania u përjashtua nga gara. Pas përjashtimit, kompania tentoi të rikthehej në garë.

    Më 18 shkurt 2026, “SCHAFBERGER JR. GMBH – Dega Kosovë” paraqiti kërkesë për rishqyrtim, duke pretenduar shkelje të disa dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik dhe Rregullores Nr.001/2022, përfshirë nenet 7, 52, 59, 60, 72 dhe 108/A.

    Megjithatë, kjo përpjekje nuk pati sukses.

    Autoriteti kontraktues refuzoi kërkesën për rishqyrtim dhe vërtetoi njoftimin B58 të datës 13 shkurt 2026, duke lënë në fuqi përjashtimin e kompanisë dhe duke hapur rrugën për vazhdimin e tenderit.

    Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është publikuar në platformën zyrtare të e-prokurimit.

    Tenderi me numër 208/91900-25-10811-2-1-1, parashikon shërbime të pastrimit dhe mirëmbajtjes për të gjitha objektet e universitetit, përfshirë:

    Fakultetin Ekonomik

    Fakultetin Juridik dhe të Shkencave

    Fakultetin e Edukimit

    Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit

    Rektoratin dhe amfiteatrin

    Hapësirat e brendshme dhe objektet përcjellëse

    Oborret dhe zonat e gjelbra

    Sipas njoftimit zyrtar të universitetit, ky veprim i kompanisë përbën shkelje të rregullave të tenderimit publik dhe cenon integritetin e procesit të prokurimit.

    Universiteti ka verifikuar gjithashtu informacionin përmes linkut zyrtar të kompanisë, duke konfirmuar se dokumentet e dorëzuara nuk ishin origjinale. /Demokracia.com/.

  • Pamjet nga Meka, miliona besimtarë festojnë Fitër Bajramin

    Pamjet nga Meka, miliona besimtarë festojnë Fitër Bajramin

    Sot, në ditën e festës së Bajramit, mijëra besimtarë myslimanë nga e gjithë bota janë mbledhur në Xhamia e Madhe në Mekë për të kryer faljen e Bajramit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Atmosfera në qytetin e shenjtë të Meka është karakterizuar nga përkushtimi dhe lutjet e besimtarëve, të cilët u bashkuan në një nga vendet më të shenjta të islamit për këtë moment të rëndësishëm fetar.

    Bajrami, një nga festat më të rëndësishme për myslimanët, shënon fundin e agjërimit njëmujor dhe nisjen e një periudhe reflektimi, solidariteti dhe bashkimi familjar.

  • Ipeshkvi Gjergji shkon për vizitë në BIK me rastin e festës së Bajramit

    Ipeshkvi Gjergji shkon për vizitë në BIK me rastin e festës së Bajramit

    Me rastin e festës së Fitër Bajramit, në ditën e parë, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sipas traditës, po organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

    Në vizitë, pos presidentes Vjosa Osmani, Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij i shkoi edhe Ipeshkvi Dodë Gjergji.

    Nga atje, u përcollën mesazhet e urimeve për festën e Bajramit.

    “Urime të gjithëve. Lutem që ne të gjithë kemi paqe në radhë të parë në zemrat tona”, tha imzot Gjergji.

    Ndër të tjera ai bëri thirrje që njerëzit të luten për më shumë paqe në botë.

  • “Evropa në rrezik bërthamor nga Irani”, alarmon ish-këshilltari i sigurisë i Trumpit

    “Evropa në rrezik bërthamor nga Irani”, alarmon ish-këshilltari i sigurisë i Trumpit

    “ Qëndrimi i Evropës ndaj luftës në Iran rrezikon që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të tërhiqet nga konflikti në Ukrainë”, tha ish-këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, John Bolton, duke kritikuar reagimin e BE-së ndaj situatës në Lindjen e Mesme.

    Në një intervistë me Euronews, Bolton, i cili më parë shërbeu edhe si ambasador i SHBA-së në OKB, e quajti konfliktin e Iranit si “luftën e Evropës”.

    “Evropa është po aq shumë, nëse jo më shumë, në rrezik nga sulmet bërthamore nëse Irani pajiset me armë bërthamore”, tha Bolton.

    “ Ajo ka aftësinë raketore për të goditur Evropën Qendrore dhe Lindore – jo Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

    Gjithashtu, ai e quajti mungesën e vullnetit politik në të gjithë bllokun për të marrë pjesë në luftën kundër Iranit si një “gabim”.

    Komentet e tij erdhën ndërsa lufta SHBA-Izrael në Iran, e cila është përhapur në vende të tjera të Lindjes së Mesme, i afrohet javës së katërt.

  • Pejë: Në natën e Fitër Bajramit, djali kërcënon babain – alarmohet policia

    Pejë: Në natën e Fitër Bajramit, djali kërcënon babain – alarmohet policia

    Në qytetin e Pejë, më 19 mars rreth orës 10:25 është raportuar një rast i dhunës në familje.

    Sipas informacioneve policore, pas një mosmarrëveshjeje, një mashkull kosovar është kanosur nga djali i tij

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa procedurat hetimore po vazhdojnë në mënyrë të rregullt nga autoritetet përkatëse.

    Raporti i plotë:

    DHUNË NË FAMILJE

    Pejë 19.03.2026-10:25. Është raportuar se një mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshje është kanosur nga djali i tij. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

  • Presidentja Osmani uron Fitër Bajramin

    Presidentja Osmani uron Fitër Bajramin

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar festën e Fitër Bajramit.

    Ajo i ka shkuar në vizitë Myftiut Naim Tërnava, nga dhe ua uroi festën të gjithë besimtarëve myslimanë.

    “Urime festën e Fitër Bajramit. Dua ta falënderoj Myftiun dhe bashkëpunëtorët e tij anekënd Kosovës, që ka qenë dhe mbetet në interes të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

  • Tentim-vrasje në Kamenicë, Policia jep detaje

    Tentim-vrasje në Kamenicë, Policia jep detaje

    Një tentim vrasje ka ndodhur të mërkurën në Kamenicë të Gjilanit.

    Sipas policisë, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një tjetër, me ç’rast viktima ka pranuar tretman mjekësor në Spitalin e Gjilanit.

    Nga ana tjetër, dorasi gjendet në arrati, derisa hetimet po vazhdojnë.

    “Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në Spitalin e Gjilanit, ndërsa i dyshuari është në arrati. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e policisë.

  • Aksident në Lipjan, lëndohet një i mitur

    Aksident në Lipjan, lëndohet një i mitur

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së enjtes në fshatin Mirenë të Lipjanit.

    Policia ka bërë të ditur se një i mitur ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e këtij aksidenti.

    “Një veturë me targa vendore, të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar, është përfshirë në aksident. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore ka pësuar viktima mashkull i mitur, i cili ishte pasagjer në veturë”, thuhet në njoftimin e policisë.