ATV

Author: K.B.

  • Versioni i plotë për ngjarjen e rëndë në Majac, burri u gjet i vdekur në veturë, të plagosurat brenda shtëpisë, policia jep detaje

    Versioni i plotë për ngjarjen e rëndë në Majac, burri u gjet i vdekur në veturë, të plagosurat brenda shtëpisë, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka dhënë më shumë informacione lidhur me ngjarjen tragjike të një vrasjeje të dyfishtë që ndodhi mbrëmë në fshatin Majac të Podujevës.

    Sipas njoftimit zyrtar, një burrë është gjetur pa shenja jete brenda një veture të parkuar jashtë një shtëpie. Ndërkohë, brenda shtëpisë janë gjetur dy gra të plagosura me armë zjarri, njëra prej të cilave ka ndërruar jetë disa orë më vonë në QKUK, ku ishte duke marrë trajtim mjekësor.

    Policia bën të ditur se fillimisht ka pranuar informacion për një person të pajetë në një veturë në këtë fshat. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore përkatëse, hetuesit dhe forenzika, si dhe janë njoftuar prokurori kompetent dhe ekipet mjekësore.

    “Sipas të dhënave fillestare, vetura (VW) me ngjyrë të bardhë dhe targa lokale (01) rezulton të jetë në pronësi të një mashkulli nga Obiliqi, i cili është identifikuar si viktima e gjetur pa shenja jete në automjet”.

    Gjatë hetimeve, policia ka siguruar informacione se brenda shtëpisë ndodhej një person i gjinisë femërore i armatosur, i cili refuzonte komunikimin dhe paraqiste rrezik për veten dhe të tjerët.

    “Për shkak të situatës, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe ekipet për ndërmjetësim. Pas ndërhyrjes së tyre, situata është vënë nën kontroll dhe brenda shtëpisë janë gjetur dy gra me plagë të rënda, por ende me shenja jete. Ato kanë marrë ndihmën e parë dhe më pas janë transportuar në spital nën përcjellje mjekësore dhe policore”.

    Trupi i pajetë i burrit është tërhequr nga vendi i ngjarjes nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

    Më vonë, në orët e hershme të së hënës, është konfirmuar se njëra nga gratë e plagosura ka ndërruar jetë në QKUK, gjë që është konstatuar nga mjeku kujdestar.

    Lidhur me rastin, prokurori nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti është rikualifikuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

  • Tragjedia në Majac, QKUK jep detaje: Njëra nga gratë humbi jetën, tjetra në gjendje kritike

    Tragjedia në Majac, QKUK jep detaje: Njëra nga gratë humbi jetën, tjetra në gjendje kritike

    Një ngjarje tragjike ndodhi në majac të Podujevës, ku dy gra u plagosën nga arma e zjarrit. Megjithatë, njëra nga të plagosurat nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) njofton se pacienteja e lindur në vitin 1953 ndërroi jetë në orën 03:00 pas mesnate, ndërsa gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po trajtohet intensivisht.

    “Në orët e vona të mbrëmjes, Qendra Emergjente e QKUK-së pranoi dy paciente femra, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra në vitin 1995, të sjella me autoambulancë nga Podujeva pas plagëve nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftim.

    Të dyja pacientet u pranuan në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, duke u intubuar me frymëmarrje të asistuar dhe duke iu nënshtruar ekzaminimeve emergjente.

    Njëra paciente u dërgua në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit vazhdojnë trajtimin intensiv.

    “Megjithë përpjekjet maksimale të stafit mjekësor, pacienteja e lindur në vitin 1953 ndërroi jetë në orën 03:00 pas mesnate”, njofton QKUK.

    Gjendja e pacientes së dytë mbetet kritike, dhe ajo po trajtohet intensivisht nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

  • 37 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

    37 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

    Janë bërë 37 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës.

    Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në kuadër të ish-Federatës jugosllave, duke e lënë atë nën administrimin e Serbisë.

    Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe forca ushtarake, dhe nën një shtetrrethim të ashpër, Serbia dhunshëm ia hoqi Kosovës autonominë.

    Nga 190 delegatët e pranishëm në Kuvend, disa prej tyre, edhe pse nën presionin e shtetrrethimit të hekurt, votuan kundër këtij suprimimi, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

    Para 23 marsit 1989, muaji shkurt i po atij viti u karakterizua nga greva e minatorëve të gjigantit “Trepça”, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

    Në demonstratat kundër suprimimit të autonomisë, me kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës, ranë rreth 30 dëshmorë, qindra u plagosën dhe qindra të tjerë u arrestuan e u dënuan me burg.

    E gjithë fushata kundër Kosovës kishte nisur më herët, në vitin 1987, nga qarqet politike serbe në Fushë Kosovë. Kjo periudhë njihet edhe si fillimi i lëvizjes serbe antishqiptare dhe shënon ngritjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit.

  • Zbulim i ri: Molekula e pitonëve mund të ndihmojë në humbjen e peshës pa efekte anësore

    Zbulim i ri: Molekula e pitonëve mund të ndihmojë në humbjen e peshës pa efekte anësore

    Një zbulim i ri shkencor mbi metabolizmin e jashtëzakonshëm të pitonëve mund të hapë perspektiva të reja për humbje të shëndetshme në peshë dhe për luftimin e humbjes së muskujve që lidhet me moshën.

    Studiuesit në Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar një molekulë të panjohur më parë në gjakun e pitonëve, e cila i sinjalizon trurit kur organizmi ka marrë mjaftueshëm ushqim. Këta gjarpërinj janë të njohur për aftësinë e tyre për të konsumuar vakte shumë të mëdha dhe më pas për të qëndruar pa ushqim për muaj apo edhe vite, pa dëmtime afatgjata në zemër apo muskuj.

    Molekula, e quajtur para-tiraminë-O-sulfat (pTOS), u zbulua nga ekipi i drejtuar nga profesoresha Leslie Leinwand në Universitetin e Kolorados Boulder, në bashkëpunim me studiues nga Stanford Medicine dhe Baylor University. Studimi është publikuar në revistën shkencore “Nature Metabolism”.

    Sipas kërkimit, menjëherë pas ushqimit, metabolizmi i pitonit përshpejtohet ndjeshëm, ndërsa niveli i pTOS në gjak rritet mbi 1,000 herë. Edhe te njerëzit kjo molekulë rritet pas vakteve, por në nivele shumë më të ulëta. (pTOS) prodhohet përmes një procesi që përfshin bakteret e zorrëve dhe më pas dërgon sinjale në tru për të frenuar oreksin.

    Ndryshe nga hormoni GLP-1, i përdorur në ilaçe për humbje peshe si Ozempic apo Wegovy, që shpesh shoqërohen me efekte anësore si të përziera dhe probleme tretjeje, (pTOS) ka treguar rezultate premtuese në studimet me kafshë, duke ulur marrjen e ushqimit dhe peshën trupore pa efekte të theksuara anësore.

    Megjithatë, studiuesit theksojnë se kërkimi është ende në faza të hershme. (pTOS) është testuar vetëm te minjtë dhe efektet e tij te njerëzit mbeten për t’u studiuar. Gjithashtu, tek personat me prediabet ose diabet të tipit 2, ky mekanizëm mund të mos funksionojë në të njëjtën mënyrë.

    Ky zbulim nënvizon rolin e rëndësishëm të baktereve të zorrëve në rregullimin e metabolizmit dhe mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të reja që ndihmojnë në kontrollin natyror të oreksit.

  • Rriten çmimet e biletave të autobusit për linjën Kosovë – Austri

    Rriten çmimet e biletave të autobusit për linjën Kosovë – Austri

    Udhëtarët që frekuentojnë linjën Kosovë – Austri do të përballen me çmime të reja të biletave, si pasojë e rritjes së kostove të operimit.

    Sipas një njoftimi zyrtar nga operatorët ekonomikë që veprojnë në këtë linjë, vendimi për përditësimin e çmimeve vjen si rezultat i rritjes së çmimeve të karburanteve dhe situatës aktuale ekonomike.

    Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi nga data 23 mars 2026 dhe do të aplikohen nga të gjithë operatorët që operojnë në këtë itinerar ndërkombëtar.

  • Tragjedia në Majac të Podujevës, vdes njëra nga gratë e plagosura

    Tragjedia në Majac të Podujevës, vdes njëra nga gratë e plagosura

    Njëra nga gratë që mbeti e plagosur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Majac ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda.

    Rastin e ka konfirmuar Mirlinda Qyalla, zëdhënëse e QKUK-së. “Po njëra nga nga të plagosurat ka vdekur në orën 03:00 në mëngjes”, tha shkurt ajo për Express

    Viktima, e identifikuar si M.G, kishte pësuar lëndime të rënda, kryesisht në pjesën e kokës, dhe po trajtohej në gjendje kritike në Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku një 42-vjeçar, Ilaz Brahimi, dyshohet se është vrarë nga Ardita Gashi, 31-vjeçare, me të cilën raportohet se kishte qenë në lidhje.

    Sipas burimeve, viktima ishte ftuar për takim nga e dyshuara në shtëpinë e saj, ku më pas dyshohet se ajo ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

    Në këtë rast mbeti e plagosur rëndë edhe një grua 73-vjeçare, e cila dyshohet të ketë lidhje familjare me të dyshuarën. Ajo po vazhdon trajtimin në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Pas ngjarjes, e dyshuara thuhet se është mbyllur në shtëpi dhe ka kërcënuar persona të tjerë që tentonin t’i afroheshin, ndërsa më pas është raportuar se edhe ajo vetë ka mbetur e plagosur.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar rastin e vrasjes, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

  • Tri vrasje brenda javës në Kosovë

    Tri vrasje brenda javës në Kosovë

    Kosova është tronditur nga tri raste të rënda vrasjesh që kanë ndodhur brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike dhe rendin në vend.

    Fillimisht të hënën e kaluar qyteti i Gjakovës u tronditën në orët e para të mëngjesit ku një person i moshës 38 vjeçare, humbi jetën pas plagosjes me armë zjarri.

    Autori i ngjarjes ishte në arrati për disa orë por që më vonë u paraqit te organet e rendit. Në këtë rast mbeti i plagosur edhe një 29 vjeçar.

    Rasti i dytë ndodhi të shtunën ku si pasojë e përleshjes midis dy vëllezërve, njëri nga ta humbi jetën.

    Lidhur me këtë rast është arrestuar një person. Ndërsa rasti i tretë ndodhi natën e mbrëmshme në fshatin Majac të Podujevës kur një grua plagosi për vdekje një burrë. Në këtë rast mbeti i plagosur edhe një person.

  • Deputetët marrin paga pa punuar, kosto mbi 200 mijë euro në mars

    Deputetët marrin paga pa punuar, kosto mbi 200 mijë euro në mars

    Derisa po pritet vendimi i Kushtetueses, deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të marrin paga pa punuar. Pavarësisht mosangazhimit të tyre, në fund të muajit mars buxhetit të Kosovës do t`i kushtojnë rreth 200 mijë euro. Shuma totale e pagave të deputetëve gjatë muajit shkurt ka arritur shifrën e 182.000 eurove, ndërsa janë shtuar zërat që kërkojnë rishikimin e ligjit që rregullon përfitimet e deputetëve.

    120 deputetët e legjislaturës së 10-të u betuan më 11 shkurt, në seancën konstituive, duke u zotuar në përmbushjen e detyrave me nder dhe përkushtim.

    Ky akt solemn i hapi rrugën angazhimit të deputetëve për të quar përpara agjendën legjislative, që ishte në pauzë prej më shumë se një viti.

    Shuma totale e pagave të deputetëve gjatë muajit shkurt ka arritur shifrën e 182.067,06 eurove. Ndërsa 26 zyrtarë të lartë personalë të deputetëve gjatë muajit shkurt u paguan 14.634,61 euro. Gjatë muajit mars deputetët do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës rreth 200 mijë euro, ani pse ata nuk janë angazhuar fare prej datës 9 të këtij muaji, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ndaloi çdo veprim të presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe çdo veprim të Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

    Pra, më 31 mars deputetët e Kuvendit, do të marrin pagën e plotë e shumë prej tyre edhe shtesën për shkak të viteve të përvojës. Buxheti i shtetit, gjithashtu, mbulon pagat e asistentëve personalë të deputetëve, të cilët konsiderohen staf mbështetës politik.

    Monitoruesit e punës së Kuvendit e shohin këtë situatë të paprecedentë. Për ta, marrja e pagës së plotë pa asnjë angazhim ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe moralin e përfaqësuesve të qytetarëve.

    Ngjarjet e njëpasnjëshme që kanë quar në bllokadë të punës së të zgjedhurve të popullit e dëmtojnë legjitimitetin e qytetarëve dhe besimin në institucione.

    Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro. Vetëm vitin e kaluar, janë shpenzuar mbi 1 milion euro nga buxheti i shtetit për pagat e 120 deputetëve pa ndonjë rezultat konkret nga puna e tyre, pas ngërçit të stërzgjatur në Kuvend.

  • Mërgimtarët në hall, deri në 6 orë pritje në kufirin Serbi-Kroaci

    Mërgimtarët në hall, deri në 6 orë pritje në kufirin Serbi-Kroaci

    Me përfundimit e Fitër Bajramit, shumë nga mërgimtarët që kishin ardhur për ta kaluar festën në gjirin e tyre familjar kanë nisur të kthehen, në vendet ku punojnë.

    Disa kanë shprehur shqetësimin e tyre se po duhet të presin goxha gjatë në kufirin Serbi-Kroaci.

    Madje ato shkojnë edhe deri në 6 orë.

    Ata i thanit redaksisë se po hasin edhe në maltretime nga policia.

  • Ambasada amerikane në Jerusalem ofron autobusë me qira për qytetarët amerikanë që të largohen nga Izraeli

    Ambasada amerikane në Jerusalem ofron autobusë me qira për qytetarët amerikanë që të largohen nga Izraeli

    Ambasada e SHBA-së në Jerusalem po ofron autobusë të çertifikuar për në Aman, Jordani, duke filluar nga e hëna, ka raportuar BBC.

    Ambasada thotë se shërbimi i autobusëve do t’u ofrohet qytetarëve amerikanë që kërkojnë të largohen nga Izraeli. Autobusët do të udhëtojnë për në Aeroportin Ndërkombëtar të Jordanisë, thuhet në të.

    “Nisjet janë aktualisht të disponueshme nga zona e Jerusalemit dhe zona e Tel Avivit. Udhëtarët janë përgjegjës për rezervimin e udhëtimit të tyre të mëtejshëm, duke përfshirë fluturimet nga aeroporti i Amanit”, thotë ambasada.