ATV

Author: K.B.

  • Sllovenia kufizon furnizimin me karburant mes rritjes së kërkesës

    Sllovenia kufizon furnizimin me karburant mes rritjes së kërkesës

    Sllovenia ka njoftuar masa të përkohshme për kufizimin e karburantit, për shkak të rritjes së ndjeshme të kërkesës në pikat e furnizimit, e nxitur nga frika për mungesa si pasojë e luftës në Iran, raportojnë mediat e huaja.

    Qeveria sllovene vendosi që furnizimi të kufizohet në 50 litra në ditë për automjetet private dhe 200 litra për kompanitë dhe fermerët. Kryeministri Robert Golob deklaroi se në vend ka rezerva të mjaftueshme karburanti dhe nuk pritet mungesë, duke theksuar se depozitat janë të mbushura.

    Autoritetet njoftuan gjithashtu se ushtria do të ndihmojë në shpërndarjen e karburantit në pikat e furnizimit, për të garantuar furnizim të rregullt.

    Sipas kompanisë MOL Slovenia, gjatë dy javëve të fundit është regjistruar një rritje e pazakontë e kërkesës, e shkaktuar nga qytetarët që po krijojnë rezerva dhe nga rritja e fluksit të ashtuquajtur “turistë të karburantit” në kufi, të cilët furnizohen në Slloveni për shkak të çmimeve më të ulëta se në vendet fqinje.

  • Harrojeni fërkimin e lodhshëm: Ky produkt heq njollat dhe ndryshkun

    Harrojeni fërkimin e lodhshëm: Ky produkt heq njollat dhe ndryshkun

    Që ta pastroni sobën dhe ta bëni të shkëlqejë, mjafton të përdorni një ushqim nga kuzhina dhe do të mahniteni nga rezultati

    Një mjet ekonomik për pastrimin e sobës që ju shpëton nga fërkimi i lodhshëm është – keçapi. Nuk është sodë buke as uthull, kjo lëndë e lirë pastron sobën dhe largon ndryshkun pa mundim.

    Dihet se disa ushqime mund të ndihmojnë në pastrimin e shtëpisë. Soda e bukës është e shkëlqyer për sipërfaqe, ndërsa uji i gazuar mund të përdoret për zhbllokimin e gypave…

    Por, a e keni ditur se një ushqim që zakonisht konsumohet me patate të skuqura dhe pa të cilin nuk imagjinohet pica, pastron në mënyrë të shkëlqyer sobën? Dhe nuk është sodë buke as uthull.

    Bëhet fjalë për keçapin, i cili largon njollat nga soba si asnjë mjet tjetër. E habitshme, apo jo?

    Për ta pastruar sobën me keçap, mjafton të ndizni furrën dhe pllakat, të aplikoni keçapin dhe, pasi të zbutet pak, ta fërkoni.

    Mos u mundoni më me pastrimin e lavamanëve dhe sipërfaqeve të ndryshkura. Thjesht vendosni një shtresë të trashë keçapi mbi ndryshk dhe lëreni për 10 minuta. Më pas shpëlajeni me ujë të valuar dhe do të shihni se keçapi ka tretur papastërtinë dhe ndryshkun.

    Jemi të sigurt se rezultati përfundimtar do t’ju mahnitë.

  • “Do më kthesh 550 euro” – Ermal Mamaqi tregon si i dha kredi djalit 13-vjeçar

    “Do më kthesh 550 euro” – Ermal Mamaqi tregon si i dha kredi djalit 13-vjeçar

    Ermal Mamaqi ka ndarë një qasje të veçantë për edukimin financiar të fëmijëve, duke treguar se i ka dhënë djalit të tij 13-vjeçar një kredi me interes 10%.

    Në një intervistë në Grida Duma Podcast, Mamaqi rrëfeu një situatë konkrete kur djali i tij i kërkoi një pajisje me vlerë rreth 500 euro. Në vend që t’ia plotësonte menjëherë dëshirën, ai vendosi ta shfrytëzojë rastin si një mësim praktik mbi përgjegjësinë financiare.

    “Nuk i dilnin lekët dhe një ditë më thotë: e gjeta zgjidhjen, duhet të më japësh kredi. Bëmë llogaritë dhe i thashë: Nuk do më kthesh 500, por 550, me 10% interes, si në bankë. Filloi të thoshte duhet të punoj më shumë sepse kam kredi. Ishte hera e parë që kuptoi përgjegjësinë financiare”, u shpreh ai.

    Sipas Mamaqit, në familjen e tij shmangen shprehje të tilla si “nuk kemi para” apo “nuk e përballojmë”. Në vend të tyre, ai promovon një qasje që i nxit fëmijët të mendojnë në mënyrë kreative dhe të gjejnë zgjidhje përmes përpjekjes dhe planifikimit.

    Ai tha se edhe kur një dëshirë nuk mund të realizohet menjëherë, është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë si ta arrijnë atë vetë, duke kuptuar vlerën e parasë dhe rëndësinë e menaxhimit financiar që në moshë të hershme.

  • Prokuroria për vrasjen e dyfishtë në Majac: Motivi ende i panjohur

    Prokuroria për vrasjen e dyfishtë në Majac: Motivi ende i panjohur

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë komunën e Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Majac, dy persona kanë humbur jetën.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, viktimat janë identifikuar me inicialet I.B. dhe M.G. Ndërkohë, e dyshuara për rastin ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës dhe ekipet hetimore, së bashku me prokurorin e shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, për të ndërmarrë veprimet e para hetimore.

    Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja, si dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

    Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.

    Sipas hetimeve preliminare, motivi i kësaj ngjarjeje tragjike ende nuk është i njohur. Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po zhvillon hetime intensive për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

  • Izraeli synon të zgjerojë operacionin ushtarak në Liban

    Izraeli synon të zgjerojë operacionin ushtarak në Liban

    Sipas ushtrisë izraelite operacionet kundër Hezbollahut në Liban “sapo kanë filluar”. Ministri i Mbrojtjes, Katz, madje bën krahasime me Gazën. Presidenti libanez, Aoun, është i alarmuar.

    Që nga fillimi i luftës me Iranin është përshkallëzuar ndjeshëm edhe konflikti midis Izraelit dhe milicisë Hezbollah, të financuar nga Irani. Hezbollahu vazhdon të qëllojë me raketa nga Libani drejt Izraelit, ndërsa ushtria izraelite është përgjigjur me sulme ajrore dhe një ofensivë tokësore. Tani Izraeli synon ta zgjerojë më tej këtë ofensivë. “Operacioni kundër organizatës terroriste Hezbollah sapo ka filluar”, deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Ejal Zamir. Ai theksoi se bëhet fjalë për një “operacion afatgjatë” dhe se ushtria po përgatitet të forcojë sulmet tokësore dhe goditjet sipas një plani të përcaktuar.

    Zamir shtoi se Izraeli ka arritur tashmë “suksese të rëndësishme” javët e fundit: janë goditur më shumë se 2.000 objektiva, janë shkatërruar dhjetëra depo armësh dhe janë vrarë qindra luftëtarë. Ai theksoi: “Nuk do të ndalemi derisa kërcënimi nga kufiri të zhduket dhe të garantohet siguri afatgjatë për banorët e veriut të Izraelit.”

    Shkatërrimi i urave

    Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se ushtria është urdhëruar të “shkatërrojë menjëherë të gjitha urat mbi lumin Litani, të cilat përdoren për aktivitete terroriste”. Qëllimi është të izolohet jugu i Libanitnga pjesa tjetër e vendit dhe të pengohet Hezbollahu të transportojë përforcime dhe armë. Vetëm pak orë pas kësaj deklarate ushtria izraelite shkatërroi një urë të rëndësishme që lidhte jugun e Libanit me pjesën tjetër të vendit.

    Lumi Litani prej kohësh në fokus

    Lumi Litani ka rëndësi të veçantë në përpjekjet e Izraelit për të dobësuar Hezbollahun. Ai ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri me Izraelin. Qeveria libaneze kishte urdhëruar ushtrinë që deri në fund të vitit 2025 të shkatërronte infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut në jug të këtij lumi dhe më pas ta çarmatoste milicinë në gjithë vendin. Sipas Izraelit, kjo nuk është zbatuar në mënyrë të mjaftueshme, prandaj edhe sulmet janë intensifikuar.

    Paralajmërim për “përshkallëzim të rrezikshëm”

    Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, reagoi i alarmuar ndaj valës së re të sulmeve izraelite. Ai i quajti sulmet ndaj urave një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një “paralajmërim për një pushtim nga toka”. Aoun dënoi “shkatërrimin e infrastrukturës dhe të objekteve me rëndësi jetike në jug të Libanit” dhe i cilësoi sulmet izraelite si “shkelje flagrante të sovranitetit të Libanit.” /DW

  • Ngjarja e rëndë në Podujevë, familja njofton për vdekjen e Ilaz Brahimit

    Ngjarja e rëndë në Podujevë, familja njofton për vdekjen e Ilaz Brahimit

    Ilaz Brahimi është personi që humbi jetën në ngjarjen tragjike të mbrëmshme në Podujevë.

    Familja ka bërë të ditur vdekjen e tij, duke shtuar se më vonë do të njoftohet edhe koha e varrimit.

    “Të Allahu jemi dhe tek Ai do të kthehemi! Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se mbrëmë ndërroi jetë vëllau ynë ILAZ (BAJRAM) BRAHIMI. Lusim Allahun ta ketë marrë në mëshirën e Tij! Sa i përket kohës së varrimit, do t’ju njoftojmë më vonë”, thuhet në njoftimin e familjes.

  • ​Trendi viral që po shqetëson psikologët, si ndikon “AI Crying Food” te fëmijët

    ​Trendi viral që po shqetëson psikologët, si ndikon “AI Crying Food” te fëmijët

    Trendi “AI Crying Food”, ku krijohen video të ushqimeve që duken “të gjalla” dhe shprehin emocione njerëzore, kryesisht duke qarë, bërtitur ose duke u shfaqur të frikësuara, po bëhet gjithnjë e më viral në rrjetet sociale.

    Video të gjeneruara nga inteligjenca artificiale të ushqimeve të ndryshme që u “bërtasin” njerëzve janë kudo në TikTok dhe Instagram. Ato tregojnë fruta, perime dhe sende shtëpiake të animuara me fytyra që u “flasin” përdoruesve dhe japin këshilla.

    Videot – të gjitha me kohëzgjatje rreth një minutë – kanë grumbulluar miliona pëlqime dhe shikime, vetëm një muaj pasi u shfaqën për herë të parë në platformën e mediave sociale.

    Për këto video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, psikologia për fëmijë, Kristina Halilaj, thotë se ndikimi i tyre në psikologjinë e fëmijëve mund të jetë shumë i madh.

    Ajo thotë për KosovaPress, se edhe fëmijët më të vegjël se dy vjeç, të cilët po ekspozohen ndaj telefonit, konsumimi i këtyre përmbajtjeve më vonë mund të ndikojë në konfuzionin e tyre në dallimin mes reales dhe fantazisë.

    “Më mirë me thanë katër deri në shtatë vjet, këto informacione ndikojnë në ankth të braktisjes ose ankthi i ndarjes te fëmija. Marrë parasysh dredhëzën kur e sheh edhe e sheh duke bërtitur dhe qajtur, momentin që ndahet prej dredhëzës tjetër, ai e merr si ndjenjë edhe mundet të filloj të ketë fobi në të ushqyerin e dredhëzës, domethënë për me hangër dredhëzën, sepse ai mendon që ajo po ndjen, ajo ka sy dhe po e din çka po ndodh…. …

    Antropomorfizmi i dhunshëm, duke iu dhënë shpirt objekteve që janë pa shpirt dhe pa ndjenja, duke ju dhënë emocione të forta, fëmija përjeton si shok, edhe pse fillimisht duken si filma të animuar. Fëmija thjesht e kalon automatikisht një shok emocional dhe e lë fëmijën me ankth se çka ka ndodhë me dredhëzën, me pataten ose kur e sheh shpagetin duke u zi, edhe aty vala që del, taman traumatike për fëmijën, duke bërtitur ….. Edhe kur ato bërtasin: Mami ndihmë, kam frikë, çka po ndodh me ne? Ai automatikisht e percepton si ndjenjë të veten dhe fëmija mundet me mendu realisht që çka po ndodh me mua, a ka me pas edhe unë një ndarje me prind të mi, në këtë formë e kështu me radhë”, u shpreh ajo.

    Ekspozimi i fëmijëve ndaj këtyre përmbajtjeve mund të ndikojë edhe në çrregullime të lehta në të ngrënë, ku sipas psikologes ndikojnë edhe në mënyrën se si disa fëmijë i përjetojnë më ndjeshëm situatat reale.

    “Prej tetë deri në dymbëdhjetë vjet, fëmija mundet me e ditë çfarë po ndodh, mundet me e kuptu çfarë është inteligjenca artificiale, por në këtë moshë fëmija ka empati shumë aktive dhe e ndjen që diçka sapo vdiq realisht, në një video, unë po e ha atë. Edhe kur e merr që po e hanë, mundet të filloj të mendoj që mos po ndjen dhe me i klasifiku ushqimet që ky i ka përjetu më shumë në video, qoftë dredhëza, qoftë patatet, qoftë banania, qoftë diçka që ai e ka përjetu më shumë, më thellë, sidomos këta që janë para shtatë vjeç mundën me pas fobi dhe me pas çrregullime të lehta në të ngrënë……

    Ndërsa prej trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeç mundet me pas destabilizim….. Te disa fëmijë mundet me ndiku që edhe ndjenjat reale madje mos m’i përjetu shumë, edhe disa fëmijë tjerë që janë më empatik, pas moshës trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeç, këto mundet me i rritë hiperndjeshmëria, munden të jenë shumë më të ndjeshëm edhe në situata të tjera”, tha Halilaj.

    Ndërkaq, ajo përmend edhe shenjat që prindërit mund t’i vërejnë kur këto përmbajtje ndikojnë te fëmijët.

    “Fëmija në këtë moshë, prej katër vjeç e tutje, zakonisht nënat po i çojnë edhe në kopsht dhe e kalojnë këtë fazën e ankthit të ndarjes, kur ndahet me nënën. Por nëse për një kohë i paraqitet prapë, ose rikthehet ankthi, nëna kur do me dalë ose frika që nëna po shkon dikun, mundet me ditë që diçka nuk është duke shkuar në rregull, sepse duhet me gjet arsyen pse po i ndodh kjo. Ose në momentin kur e selekton një ushqim, thotë jo këtë nuk e ha më, nëse ka hangër ma herët dhe nuk e ha më, nëse e sheh brokolin që e ka hangër edhe u ushqy shëndetshëm me ta dhe kur vendos mos me hëngër atë, ne duhet me ditë rrethanat dhe faktorët pse nuk po e hanë fëmija më”, tha ajo.

    Psikologia këshillon prindërit që të kujdesën se çfarë po shikojnë fëmijët, sepse ndonjëherë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, fëmijët mund t’i shohin ato video për të cilat ndoshta as prindërit nuk janë në dijeni që po ndodh diçka e tillë.

    “E prindërit çka duhet me bërë është që gjithmonë bashkëpunim me fëmijën duhet me pa çka po i jep fëmijës me shiku, pavarësisht që momentin kur e sheh në reels, fëmija deshi apo nuk deshi, ka me dalë diçka që nuk është e përshtatshme, por momentin që na e fokusojmë në YouTube një film të animuar dhe ai e sheh që është për një orë ose njëzet minuta, momentin që ia jep fëmijës e dinë saktë se brenda atyre njëzet minuta çka ka me pa.

    Por kur në momentin ia japim fëmijës telefonin dhe na nuk jemi në dijeni çka po vazhdon, atëherë normal që duhet me u kanë të shqetësuar prindërit, sepse në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta prindi as nuk është i informuar për këtë pjesën se çka po ndodh ose çka janë këto dhe nëse i ka pa ato sekonda, ajo veç e ka tejkalu vetë”, tha Halilaj.

    E në fund, Halilaj thekson dëmin e madh që mund të kenë fëmijët gjatë jetës pas konsumimit të videove të shkurta në përgjithësi, e sidomos të atyre që kanë edhe përmbajtje të Inteligjencës Artificiale.

    “Këto nuk janë filma të animuar që mund ta ndihmojnë fëmijën, sepse janë shumë të shkurta dhe fëmijëve ju krijon një shok emocional…… Reels-at tek zhvillimi kognitiv i fëmijëve ndikojnë domethënë në mosrealizimin e emocioneve, me i shpreh emocionet, sepse ato janë shumë të shkurtra edhe aspekti kognitiv, truni e percepton senet shumë shkurtër dhe çdo informacion që don me marrë fëmija do t’i marrë krejt shkurt. Edhe nëse ne duam të bëjmë një lojë, ai nuk mundet me mbërri me kry një lojë deri në fund, sepse është mësuar për një sekuencë të shkurt me përjetu kënaqësinë ose me marrë informacionin….. Truri i njeriut zhvillohet goxha shumë deri në moshën dyvjeçare dhe prej dyvjeçare nëse me reels-a stagnon edhe fillon mos me kuptu realitetin domethënë me lojë, me socializim, me komunikim me nënën, me ndërveprim social, përpos shikimit të reels-ave, e kufizon shumë trurin, domethënë munden me fol me vonesë, munden me pas probleme në socializim, munden me pas probleme kognitive më vonë, që ndoshta më pas edhe me mendu që ka edhe probleme neurozhvillimore”, tha ajo.

    Përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në rrjetet sociale dhe shpesh arrijnë miliona shikime brenda një kohe të shkurtër.

    Trende të tilla karakterizohen nga video shumë të shkurtra dhe me elemente të forta emocionale, të cilat janë të dizajnuara për të tërhequr menjëherë vëmendjen e shikuesit. /KP/

  • Kërcënoi dëshmitarin në rastin “Brezovica”, ndalohet i dyshuari

    Kërcënoi dëshmitarin në rastin “Brezovica”, ndalohet i dyshuari

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë i dyshuarin R.K, komuna e Skenderajt, pasi i njëjti dyshohet se ka kërcënuar dëshmitarin bashkëpunues në rastin “Brezovica”.

    Në njoftim thuhet se ai dyshohet për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Prokuroria njoftoi se ka kanosur seriozisht dëshmitarin se do ta vras të dëmtuarin i cili ishte i pranishëm në një dasëm, me fjalët “vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lanë”.

    “I pandehuri R.K., më 21 Mars 2026, në restaurantin “Mero” cili gjendet në fshatin Uglar- Komuna -Fushë Kosovë, ka kanosur seriozisht se do ta vras të dëmtuarin i cili ishte i pranishëm në një dasëm, me fjalët “vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lanë”, i cili është edhe dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si “Brezovica” me qëllim të frikësimit të tij që të përmbahet nga dhënia e deklaratave në këtë çështje penale e cila është në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë”.

    “Po ashtu, vlen të theksohet se personi i ndaluar R.K., ka qenë i pandehur edhe në rastin “Brezovica. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Pejë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Gjenden mjete të pashpërthyera në Selishtë të Gjilanit

    Gjenden mjete të pashpërthyera në Selishtë të Gjilanit

    Një person ka hasur mjete të pashpërthyera gjatë gërmimeve në Selishtë të Gjilanit.

    Policia ka bërë të ditur se pasi janë marrë masat për të siguruar vendin njësiti për deminim i EOD-së dhe KFOR-it kanë bërë tërheqjen e mjeteve në mënyrë të sigurt dhe pa ndonjë incident.

    “Është raportuar se një mashkull kosovar derisa ka qenë duke punuar gjatë gërmimeve kishte hasur në disa mjete të dyshuara të pashpërthyera. Njësitë relevante policore kanë siguruar vendin e ngjarjes derisa njësiti për deminim i EOD-së dhe KFOR-it kanë bërë tërheqjen e mjeteve në mënyrë të sigurt dhe pa ndonjë incident”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit që vrau vëllanë në Klinë

    30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit që vrau vëllanë në Klinë

    Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit J.J., për vrasjen e vëllait në Bokshiq të Klinës.

    Udhëheqësja e zyrës për informim dhe komunikim me media në Gjykatën Themelore në Pejë, Agnesë Zeqiraj-Çetaj, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se masa e paraburgimit, të pandehurit mund t’i zgjasë deri më 19 prill.

    “Ju informojmë se të pandehurit J.J. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh. Koha e paraburgimit do të llogaritet nga dita e arrestimit të të pandehurit, më 21.03.2026 në ora 15:30, deri më 19.04.2026”, konfirmoi Zeqiraj-Çetaj.

    Masa e paraburgimit, të dyshuarit iu caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës- Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, të shtunën (21 mars) njoftuan se rreth orës 15:08 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës. Si pasojë e plagëve, një person ka humbur jetën.

    “Policia e Kosovës me të pranuar informatën menjëherë ka dal në vend të ngjarjes dhe ka kuptuar se një person ishte i plagosur me armë zjarri. Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasojë e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës”, thuhej në komunikatë.

    Aty u bë e ditur se Policia në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit u ndalua për 48 orë për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda të cilët kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhej më tej në njoftim.