ATV

Author: K.B.

  • Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arrijnë rekordin e 500 milionë eurove

    Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arrijnë rekordin e 500 milionë eurove

    Vlera e rezervës së arit të mbajtur nga Banka e Shqipërisë ka arritur nivelet më të larta historike, e nxitur nga rritja e çmimeve, por pjesërisht edhe nga rritja e sasisë së rezervave.

    Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të janarit të këtij viti, vlera e arit në rezervën valutore të vendit arriti në 498 milionë euro, më e larta e regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me një vit më parë, vlera e rezervës së arit është rritur me më shumë se 70%.

    Gjithashtu, pesha specifike e arit në rezervën valutore ka arritur nivelin më të lartë historik në 6.8% të saj, nga 4.65% që zinte një vit më parë. Ari ngelet i vetmi aset fizik në strukturën e rezervës valutore, që në masën dërrmuese përbëhet nga monedha të huaja dhe nga tituj borxhi të denominuara në këto monedha.

    Çmimi i arit ka ardhur në rritje të vazhdueshme gjatë vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti. Aktualisht, ari kuotohet pranë vlerës së 5000 mijë dollarëve amerikanë për onz (njësi e barabartë me 28.35 gramë). Me bazë vjetore, çmimi i arit i shprehur në dollarë është në rritje me afërsisht 65%, ndërsa në Euro rritja e çmimit rezulton rreth 57%.

    Rritja e çmimit të arit është ndikuar faktorë të ndryshëm, duke filluar nga konfliktet gjeopolitike, sidomos tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Përgjithësisht, çmimi i arit tenton të rritet në periudha pasigurie, duke qenë se ai konsiderohet si një aset i sigurt dhe i qëndrueshëm. Një faktor tjetër është edhe rritja e kërkesës për ar, e nxitur sidomos nga blerjet e mëdha që po ndërmerren nga Bankat Qendrore.

    Në një intervistë për “Monitor”, drejtori i departamentit të Operacioneve Monetare në Bankën e Shqipërisë, Marian Gjermeni, u shpreh se qasja e ndjekur nga Banka e Shqipërisë vitet e fundit ka rezultuar e ngjashme me atë të bankave të tjera qendrore, të cilat kanë rritur peshën e arit në rezervat e tyre. Ky fenomen ka rezultuar më i theksuar për bankat qendrore të vendeve me ekonomi në zhvillim, krahasuar me ato të vendeve me ekonomi të zhvilluara.

    “Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë vijojnë të jenë të krahasueshme me bankat qendrore të ngjashme. Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka rritur sasinë e arit në rezervat e saj.

    Kjo qasje do të vijojë të ndiqet në vitet e ardhshme, në rast se do të mbështetet nga ecuria e faktorëve cilësorë dhe sasiorë që vlerësohen nga Banka e Shqipërisë për përcaktimin e peshës së këtij aktivi në rezervat e saj,” tha z.Gjermeni.

    Në tërësinë e vet, rezerva valutore po shënon rritje të shpejtë në vitet e fundit, e mbështetur nga blerjet e vazhdueshme të valutës së Bankës së Shqipërisë, por pjesërisht edhe nga rritja e vlerës së aseteve, siç është shembulli i arit. Në janar 2026, vlera totale e aseteve të rezervës arriti në 7.33 miliardë euro, niveli më i lartë historik dhe në rritje me 16.6% krahasuar me një vit më parë./Monitor

  • Ekspozimi i foshnjave ndaj ekraneve para moshës 2 vjeç mund të shkaktojë dëmtime në tru

    Ekspozimi i foshnjave ndaj ekraneve para moshës 2 vjeç mund të shkaktojë dëmtime në tru

    Një numër në rritje studiuesish po shprehin shqetësime lidhur me përdorimin e ekraneve nga fëmijët shumë të vegjël. Një studim i fundit sugjeron se ekspozimi i shpeshtë ndaj ekraneve para moshës 2 vjeç mund të ndërhyjë në fazat kritike të zhvillimit të trurit.

    Gjatë këtyre viteve të para, truri i foshnjës zhvillohet me shpejtësi duke krijuar lidhje të rëndësishme që mbështesin gjuhën, përqendrimin dhe rregullimin emocional.

    Ekspertët besojnë se ekspozimi i tepërt dhe pasiv ndaj ekraneve mund të zvogëlojë ndërveprimet reale që janë thelbësore për foshnjat. Komunikimi, kontakti me sy, loja dhe eksplorimi fizik ndihmojnë në forcimin e rrjeteve nervore që ndikojnë në të mësuarit dhe sjelljen në të ardhmen.

  • SHBA miraton versionin e ri me dozë më të lartë të injeksioneve Wegovy për humbje peshe

    SHBA miraton versionin e ri me dozë më të lartë të injeksioneve Wegovy për humbje peshe

    Rregullatorët federalë të SHBA’së kanë miratuar të enjten një version të ri me dozë më të lartë të ilaçit të njohur për obezitetin Wegovy, i cili mund t’i ndihmojë përdoruesit të humbin më shumë peshë dhe ta mbajnë atë në normalitet, shkruan ABC News.

    Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi një dozë prej 7.2 miligramësh të semaglutidës së prodhuesit danez të barnave Novo Nordisk. Më parë, doza më e lartë e miratuar e ilaçit, e marrë si një dozë javore, ishte 2.4 miligramë.

    Doza e re mori shqyrtim të përshpejtuar përmes programit ultra të shpejtë të shqyrtimit të barnave të FDA-së. Miratimi u dha 54 ditë pasi u miratua kërkesa për shqyrtim, tha agjencia në një deklaratë.

    Doza e re do të jetë në dispozicion në prill në farmacitë në SHBA, me një çmim që do të shpallet atëherë, sipas kompanisë.

    Rregullatorët evropianë të barnave miratuan versionin me dozë më të lartë të Wegovy në shkurt.

    I quajtur Wegovy HD, ilaçi me dozë më të lartë i ndihmoi pjesëmarrësit në një studim të humbnin rreth 19% të peshës së tyre trupore, ose pothuajse 24 kilogramë, kundrejt rreth 16% të peshës trupore, ose 13 kilogramë me dozën më të ulët gjatë pothuajse 17 muajve.

  • Dyshimet për dallavere me patentë shoferë, Prokuroria dhe Policia zhvillojnë aksion në Prishtinë

    Dyshimet për dallavere me patentë shoferë, Prokuroria dhe Policia zhvillojnë aksion në Prishtinë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke zhvilluar një aksion nën dyshimin për dallavere me patentë shoferë.

    “Betimi për Drejtësi” merr vesh se në këtë aksion pritet të ketë arrestime.

    Po ashtu, bëhet e ditur se në këtë rast ishin zhvilluar masa të fshehta për një kohë.

  • Truri ju paralajmëron: Dhimbja e kokës, marramendja dhe harresa mund të jenë sinjale serioze

    Truri ju paralajmëron: Dhimbja e kokës, marramendja dhe harresa mund të jenë sinjale serioze

    Ekspertët paralajmërojnë për shenjat e hershme të sëmundjeve neurologjike që mund të shpëtojnë jetën nëse njihen me kohë

    Në botë çdo vit shënohet Java e Trurit, një nismë globale që kujton rëndësinë e kujdesit për këtë organ jetik. Ekspertët theksojnë se njohja e hershme e simptomave neurologjike është vendimtare për trajtimin dhe ruajtjen e cilësisë së jetës.

    Sëmundjet neurologjike prekin trurin, palcën kurrizore dhe nervat që kontrollojnë pothuajse të gjitha funksionet e trupit, nga frymëmarrja dhe puna e zemrës, deri te kujtesa, të folurit dhe lëvizja.

    Kur ky sistem çrregullohet, simptomat mund të jenë fizike, mendore ose emocionale.

    Dhimbja e papritur e fortë e kokës si sinjal alarmi

    Një nga simptomat më të rrezikshme është dhimbja e papritur dhe shumë e fortë e kokës, e përshkruar shpesh si “dhimbja më e keqe në jetë”.

    Ky lloj dhimbjeje mund të tregojë gjakderdhje në tru ose aneurizëm dhe kërkon ndihmë të menjëhershme mjekësore.

    Dhimbja e kokës e shoqëruar me temperaturë, ngurtësi të qafës, probleme me shikimin, dobësi apo vështirësi në të folur konsiderohet gjithashtu shenjë serioze.

    Shenjat e mundshme të goditjes në tru

    Dobësia e papritur, mpirja ose therjet në fytyrë, krah apo këmbë, sidomos në një anë të trupit, mund të jenë shenja të goditjes në tru. Këto shpesh shoqërohen me çrregullime në të folur, humbje të shikimit, marramendje dhe humbje të ekuilibrit.

    Në këto raste, duhet kërkuar menjëherë ndihmë urgjente, pasi reagimi i shpejtë mund të parandalojë dëmtime të përhershme.

    Problemet me lëvizjen dhe kujtesën

    Dobësia e pashpjegueshme e muskujve, dridhjet e duarve ose trupit dhe problemet me ekuilibrin mund të tregojnë çrregullime të sistemit nervor. Dridhja që shfaqet në pushim mund të jetë shenjë e hershme e sëmundjes së Parkinsonit.

    Humbja e shpeshtë e kujtesës për ngjarje të fundit, humbja në vende të njohura apo vështirësia në gjetjen e fjalëve mund të jenë simptoma të hershme të demencës ose sëmundjes së Alzheimerit.

    Rëndësia e parandalimit

    Ekspertët theksojnë se rreziku për shumë sëmundje neurologjike mund të ulet me zakone të shëndetshme jetese. Aktiviteti fizik i rregullt, ushqimi i balancuar, aktivitetet mendore si leximi, gjumi cilësor dhe kontrolli i tensionit të gjakut dhe sheqerit janë thelbësorë për shëndetin e trurit.

    Njohja e hershme e simptomave dhe reagimi në kohë mund të ngadalësojnë ndjeshëm përparimin e sëmundjeve dhe të ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë së jetës.

  • Irani kërcënon se do të vendosë mina në Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e tij sulmohen

    Irani kërcënon se do të vendosë mina në Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e tij sulmohen

    Këshilli i Mbrojtjes i Iranit ka kërcënuar se do të vendosë mina për të bllokuar të gjithë Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e Iranit sulmohen, raportuan mediat shtetërore të hënën, shkruan CNN.

    “E vetmja mënyrë për të kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit për vendet jo-belligerente është koordinimi me Iranin”, thuhet në deklaratën e këtij organi të lartë të sigurisë, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare Fars News.

    “Çdo përpjekje e armikut për t’i sulmuar brigjet ose ishujt iranianë” do të çojë në “minimin me lloje të ndryshme minash detare të të gjitha rrugëve të hyrjes dhe linjave të komunikimit në Gjirin Persik dhe përgjatë brigjeve”, thuhet se ka deklaruar Këshilli i Mbrojtjes.

    “I gjithë Gjiri Persik do të bllokohet në mënyrë efektive, dhe përgjegjësia për këtë do t’i takojë kërcënuesit”, shtohet më tej.

    Ky paralajmërim vjen pasi ushtria iraniane deklaroi se do ta mbyllte Ngushticën e Hormuzit dhe do ta sulmonte infrastrukturën rajonale nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, realizon kërcënimin për t’i bombarduar centralet e saj energjetike nëse kjo rrugë ujore kyçe nuk rihapet deri të hënën në mbrëmje.

  • Trump: ShBA-Iran kanë zhvilluar bisedime këto dy ditë, kam vendosur të shtyjë sulmet kundër termocentraleve iraniane

    Trump: ShBA-Iran kanë zhvilluar bisedime këto dy ditë, kam vendosur të shtyjë sulmet kundër termocentraleve iraniane

    Donald Trump thotë se janë zhvilluar bisedime për një “zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive” me Iranin.

    Ai tha se ka pasur “bisedime produktive” lidhur me një zgjidhje të plotë të konfliktit në Lindjen e Mesme.

    Gjithashtu, ai u shpreh se do të “shtyjë çdo sulm ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane” për një periudhë pesëditore.

    Në një postim në Truth Social, ai shkroi:

    “Jam i kënaqur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit bisedime shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive tona në Lindjen e Mesme.

    Duke u bazuar në frymën dhe tonin e këtyre bisedimeve të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të shtyjë çdo dhe të gjitha sulmet ushtarake kundër centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim. Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje! Presidenti Donald J. Trump.”

  • Washington Post: Mojtaba Khamenei është i plagosur, i izoluar dhe nuk u përgjigjet mesazheve

    Washington Post: Mojtaba Khamenei është i plagosur, i izoluar dhe nuk u përgjigjet mesazheve

    Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është “i plagosur, i izoluar dhe nuk reagon ndaj mesazheve”, thanë zyrtarë të sigurisë amerikane dhe izraelite për The Washington Post.

    Sipas zyrtarëve izraelitë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe disa klerikë kanë forcuar kontrollin e tyre mbi Iranin.

    Portali Axios raportoi të shtunën se Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së, Mossadi i Izraelit dhe agjenci të tjera të inteligjencës po punojnë për të gjurmuar Khamenein, pasi ai ka mbetur “i padukshëm” që kur u shpall udhëheqësi i ri suprem pas vrasjes së babait të tij Ali Khamenei më 28 shkurt.

    Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegsett, deklaroi më 13 mars se Mojtaba Khamenei ishte “i plagosur dhe ndoshta i shpërfytyruar” .

    Mojtaba Khamenei u emërua udhëheqësi i ri suprem i Iranit më 8 mars dhe nuk është shfaqur në publik që atëherë, dhe vetëm më 12 mars, katër ditë pas emërimit të tij, ai dërgoi një mesazh me shkrim përmes medias shtetërore iraniane duke njoftuar vazhdimin e bllokadës së Ngushticës së Hormuzit.

  • FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Mittelmark 2026” në Gjermani

    FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Mittelmark 2026” në Gjermani

    Forca e Sigurisë së Kosovës i është bashkuar shteteve partnere në ushtrimin ndërkombëtar “Mittelmark 2026”, i cili po realizohet në Gjermani.

    Sipas një njoftimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në këtë ushtrim, FSK-ja, me një skuadër transporti nga Komanda e Logjistikës, po realizon operacione duke qenë e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane.

    “Ky ushtrim ka në fokus zhvillimin e kapaciteteve në fushën e transportit dhe mbështetjes logjistike në klasat I, III dhe V. FSK-ja po operon me automjetet e saj logjistike, duke qenë plotësisht e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane. Përmes këtij ushtrimi, pjesëtarët e Komandës së Logjistikës po realizojnë me sukses detyra të mbështetjes në transport, duke dëshmuar profesionalizëm dhe ndërveprueshmëri në mjedis ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

  • Konfirmohet turbekulozi te lopët

    Konfirmohet turbekulozi te lopët

    Në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë, është konfirmuar prania e sëmundjeve infektive te kafshët, konkretisht te lopët, që janë bruceloza dhe tuberkulozi.

    Fermeri Xhevxhet Ferizi, në një deklaratë për Radio Kosovën bëri të ditur se 12 krerë lopë, do të asgjësohen si pasojë e këtyre nsëmundjeve, ndërsa disa të tjera, tashmë kanë ngordhur.

    Rasti i parë i tuberkulozit te lopët është konfirmuar më 3 mars 2026 në fermën e Xhevxhet Ferizit, fermer në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë.

    Ferizi thotë se dëmet janë të mëdha dhe se biznesi i tyre familjar është goditur rëndë. Ai sqaron se fillimisht, ka dyshuar për sëmundjen pasi lopët kanë abortuar viçat, ndërsa diagnoza është konfirmuar me ndihmën e veterinerit.

    “Afër 60 krerë lopë i kam nga të cilat, 12 kanë dalë të sëmura. Nuk kam pajisje që vetë të kujdesem për to. Më kanë thënë të mos t’i lëshoj ne kullota. Edhe pse nuk kam ushqim për kafshë,sepse ushqimi është shtrenjtuar”, ka thënë Ferizi.

    Ndërkaq, bashkëshortja e tij, Nerxhivane Ferizi, thotë se familja e saj ka jetuar kryesisht nga puna në këtë fermë dhe tani përballet me humbje të mëdha, duke shpresuar në mbështetje nga institucionet.

    “Normalisht, është humbje e madhe. Ne prej fermës jetojmë. E kemi biznes familjar. Jemi të brengosur shumë por shpresojmë që do të na ndihmojë qeveria”.

    Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Sadik Sadikheta, ka konfirmuar për Radio Kosovën se në Komunën e Vitisë, janë identifikuar disa ferma me raste të brucelozës dhe tuberkulozit te gjedhët, përkatësisht lopët qumështore.

    “Qëllimi i asgjësimit është ç’rrënjosja e sëmundjes dhe kompensimi i dëmit që u është shkaktuar. Ne si autoritet, fermerëve u kemi dhënë të gjitha këshillat dhe rekomandimet se si të veprojnë në këtë situatë”, ka thënë Sadikheta.

    Sadikheta u ka bërë thirrje fermerëve që të mos krijojnë panik, duke theksuar se sipas dispozitave ligjore, kafshët e infektuara do të asgjësohen me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes, duke shtuar se “fermerët e prekur do të kompensohen për dëmet e shkaktuara”.

    Sipas legjislacionit në fuqi, asgjësimi i kafshëve të infektuara duhet të bëhet brenda një afati 30 ditësh nga konfirmimi i sëmundjes. Bruceloza është sëmundje ngjitëse që transmetohet përmes konsumimit të qumështit të papasterizuar, mishit të papjekur, apo kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara dhe sekrecionet e tyre.