ATV

Author: K.B.

  • Kërkesa e opozitës për uljen e çmimit të naftës  për “40 centë”, Kusari -Lila u përgjigjet me një akuzë të vjetër të VV’së

    Kërkesa e opozitës për uljen e çmimit të naftës për “40 centë”, Kusari -Lila u përgjigjet me një akuzë të vjetër të VV’së

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj opozitës që po kërkon masa ndaj rritjes së çmimit të naftës.

    Ajo ka thënë se largimi i TVSH-së nuk është zgjidhje sepse nuk ofron asnjë garanci.

    Tutje, i është kundërpërgjigjur opozitës më akuzën e vjetër të Vetëvendosjes për kontestimin e Ligjit për Çmimet Tavan.

    “TVSH shpesh përmendet si zgjidhje e shpejtë për uljen e çmimeve të naftës, por realiteti është më kompleks. Edhe nëse hiqet apo ulet TVSH-ja, nuk ka garanci që kjo do të reflektohet te çmimet finale për qytetarët. Ekziston rreziku real që operatorët ekonomikë të mbajnë të njëjtat çmime, duke mos e reflektuar uljen në çmimin final. Në anën tjetër, mekanizmat mbrojtës të shtetit për efektet te produktet e tjera janë të kufizuara, për shkak të pezullimit të Ligjit për çmimet tavan, pasi i njëjti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese”.

    “Prandaj, diskutimi për çmimet nuk duhet të fokusohet vetëm te TVSH-ja, por në një qasje më të gjerë që siguron transparencë, konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje reale për konsumatorin. Ndërkohë, sot vërehet një rënie e çmimit të derivateve të importuara. Rënia e çmimit për litër, krahasuar me ditën e djeshme, është 0.03 €/l. Inspektorati Qendror dhe Administrata Tatimore, në bashkërendim me Doganat e Kosovës, do të vazhdojnë monitorimin strikt të tregut të brendshëm”, ka thënë ajo.

  • Nesër i jepet lamtumira e fundit Ilaz Brahimit që u vra mbrëmë nga e dashura

    Nesër i jepet lamtumira e fundit Ilaz Brahimit që u vra mbrëmë nga e dashura

    Familja Brahimi nga Obiliqi ka njoftuar se nesër do të varroset më i dashuri i tyre, Ilazi, që vdiq tragjikisht në Majac të Podujevës.

    Në postimin e një familjari thuhet se të ndjerit do t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e fshatit.

    Ceremonia mortore do të nis nga ora 12:30.

    Ndryshe, viktima u vra nga e dashura e tij, Ardita Gashi, e cila të dielën mbrëma e qëlloi edhe gruan e axhës së saj, në rrethana dhe për motive akoma të panjohura.

    E plagosura dhe vet e dyshuara, vdiqën sot në QKUK. Kjo e fundit u lëndua pasi e plagosi veten.

  • Trump: Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt, SHBA-ja e Irani do ta kontrollojnë së bashku

    Trump: Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt, SHBA-ja e Irani do ta kontrollojnë së bashku

    Presidenti amerikan Donald Trump i tha CNN të hënën se Ngushtica e Hormuzit do të jetë “shumë shpejt e hapur”, duke shtuar se do të donte që kjo rrugë jetike detare të ishte nën kontroll të përbashkët të SHBA-së dhe Iranit.

    I pyetur nga Kaitlan Collins e CNN se kur pritet të rihapet ngushtica, Trump tha: “Ajo do të hapet shumë shpejt”, nëse negociatat me Iranin vazhdojnë me këtë ritëm.

    “Ajo do të kontrollohet së bashku”, shtoi ai. “Unë dhe Ajatollahu, kushdo që është Ajatollahu, kushdo që do të jetë Ajatollahu i ardhshëm”.

    “Dhe do të ketë gjithashtu një formë shumë serioze të ndryshimit të regjimit”, tha Trump, duke iu referuar goditjeve në orët e para të konfliktit që eliminuan një pjesë të madhe të udhëheqjes së lartë të Iranit. “Automatikisht ka një ndryshim regjimi”, tha ai, para se të sugjeronte se bisedimet gjatë fundjavës treguan shenja për përfundimin e konfliktit.

    “Por ne po merremi me disa njerëz që unë i konsideroj shumë të arsyeshëm, shumë të qëndrueshëm”, i tha Trump Collins. “Njerëzit brenda e dinë se kush janë, janë shumë të respektuar, dhe ndoshta njëri prej tyre do të jetë pikërisht ai që ne po kërkojmë”.

  • Ngritja e çmimit, Berjani i çon letër Kurtit, Muratit dhe Kusarit: Kërkon heqjen e përkohshme të TVSH-së për derivatet e naftës

    Ngritja e çmimit, Berjani i çon letër Kurtit, Muratit dhe Kusarit: Kërkon heqjen e përkohshme të TVSH-së për derivatet e naftës

    Kryetari i naftëtarëve Fadil Berjani ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë aktualisht janë në lëvizje për shkak të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, duke theksuar se nuk mund të parashikohen çmimet për ditët në vijim.

    Sipas tij, çmimet me pakicë sillen rreth 1.70 deri në 1.78 euro për dizelin dhe 1.30 deri në 1.42 euro për benzinën, ndërsa çmimi furnizues ka qenë rreth 1.74 euro.

    Ndërkohë, Berjani ka bërë të ditur se i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, Hekuran Muratit dhe Mimoza Kusari-Lilës duke kërkuar heqjen e përkohshme të TVSH-së për derivatet e naftës.

    Ai theksoi se kjo masë do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e kostos për qytetarët, në kushtet e rritjes së çmimeve.

    Sipas tij, nga të dhënat e fundit, qytetarët aktualisht paguajnë rreth 0.62 euro për litër në buxhetin e shtetit, krahasuar me rreth 0.52 euro më herët, duke reflektuar rritje të ngarkesës nga TVSH-ja prej 0.10 euro për litër.

    “Kjo masë do të ndikonte drejpërdrejt në uljen e kostos për konsumatorin final, përkatësisht për qytetarët e Kosovës, duke ofruar një lehtësim të menjëherëshëm dhe të prekshëm në kushtet aktuale të rritjes së kostos së jetesës. Bazuar në të dhënat e fundit, me datën 21.03.2026, qytetari paguan rreth 0.62 për litër në buxhetin e shtetin, ndërsa më 21.03.2026, kjo vlerë ishte rreth 0.52.Kjo tregon se përveç rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, është evidentuar edhe një rritje e ngarkesës nga TVSH-ja prej 0.10 euro për litër”, thuhet tutje në letrën që Berjani dërgoi Kurtit dhe ministrave. /GazetaBlic

  • Tahiri i AAK-së bën kërkesë që Qeveria të vendosë masa urgjente për situatën ekonomike

    Tahiri i AAK-së bën kërkesë që Qeveria të vendosë masa urgjente për situatën ekonomike

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Tregtisë për marrjen e masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend pas rritjes së shpejt të çmimit të karburanteve.

    Në këtë kërkesë sugjerohen katër masa urgjente që sipas tyre duhet t’i marrë Qeveria e Kosovës për të evituar pasojat ekonomike si rrjedhojë e shtrenjtimit të derivateve.

    Ndryshe, ekspertët e ekonomisë në vend kanë rekomanduar heqjen e aksizës së naftës dhe uljen e TVSH-së.

    Në anën tjetër, vende si Greqia dhe Kroacia kanë prezantuar pako të masave ekonomike me anë të subvencioneve për të ndihmuar qytetarët në përballimin e shtrenjtimit të çmimeve si pasojë e konfliktit të fundit mes Iranit, Izraelit dhe SHBA.

  • Bie çmimi i naftës në tregjet botërore pasi Trump shtyu sulmet ndaj termocentraleve në Iran

    Bie çmimi i naftës në tregjet botërore pasi Trump shtyu sulmet ndaj termocentraleve në Iran

    Çmimi i naftës ra ndjeshëm të hënën pasi Donald Trump njoftoi se do të shtyjë për pesë ditë sulmet e planifikuara ndaj objekteve energjetike në Iran, shkruan The Guardian.

    Pas këtij lajmi, tregjet u qetësuan dhe nafta ra rreth 7%. Edhe çmimet e gazit shënuan rënie.

    Shkaku kryesor ishte fakti që Trump tha se SHBA dhe Irani kanë zhvilluar bisedime pozitive, duke rritur shpresat se tensionet mund të ulen dhe të shmanget një përshkallëzim i konfliktit.

    Më herët, frika nga një përplasje e mundshme kishte rritur çmimet e naftës, sidomos për shkak të rrezikut që mund të prekej furnizimi global me energji.

    Por tani, vetëm lajmi për negociata ka mjaftuar që tregjet të reagojnë menjëherë dhe çmimet të bien.

  • Pesë të vrarë për një javë në Kosovë, përfshirë autoren e një krimi të rëndë në Podujevë

    Pesë të vrarë për një javë në Kosovë, përfshirë autoren e një krimi të rëndë në Podujevë

    Pesë persona të vrarë është bilanci i një jave të rëndë krimi në Kosovë. Java e kaluar që nisi me një vrasje në qendër të Gjakovës, përfundoi me një vrasje edhe më të rëndë në një fshat të Podujevës, ku humbën jetën 3 persona, përfshirë autoren e cila dyshohet se pas krimit e qëlloi edhe veten.

    Tre persona vdiqën, përfshirë autoren, në një vrasje të rëndë mbrëmë në Majac të Podujevës.

    Një 31-vjeçare me inicialet A.G. dyshohet se pasi vrau I.B (burrë, 45 vjeç) – i cili vdiq në vendin e ngjarjes – e plagosi edhe gruan e axhës së saj, M.G (73-vjeçare), e cila gjithashtu vdiq më pas në QKUK, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.

    Nuk mundi t’i përballojë plagëve as vetë autorja, e cila pasi qëlloi në drejtim të dy viktimave, dyshohet se e qëlloi edhe veten. Ajo vdiq gjithashtu në Qendrën Emergjente në QKUK.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës tha se në vendin e ngjarjes ka sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja si dhe “prova të tjera materiale relevante për rastin”.

    Prokuroria thotë se po zhvillon hetime intensive lidhur me rastin, duke thënë fillimisht se “motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur”.

    E rezervuar për të dhënë detaje për shkak të fazës preliminare të hetimeve, zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala tha sot në një prononcim për mediat se krimi dyshohet se ndodhi “për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre” (autores dhe 45-vjeçarit).

    Policia e Kosovës bëri të ditur në raportin e saj ditor një burrë u gjet pa shenja jete në një veturë, ndërsa brenda një shtëpie i gjetën dy gra me plagë të rënda.

    Ky krim i rëndë e çoi në pesë numrin e të vrarëve brenda javës së kaluar në Kosovë.

    Një ditë më herët, të shtunën, një person u vra në orët e pasdites në fshatin Bokshiq të Klinës. I dyshuari J.J., i arrestuar në vendin e ngjarjes, Policia tha se është vëllai i viktimës.

    Prokuroria Themelore e Pejës tha se kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në krim dhe prova të tjera relevante.

    Ndaj të dyshuarit u caktua masa e paraburgimit prej një muaji.

    Java e kaluar kishte nisur me një vrasje të rëndë në qendër të Gjakovës. Një person u vra në rrugën “Vëllezërit Frashëri” dhe një tjetër mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në mëngjesin e hershëm të së hënës.

    I dyshuari fillimisht ishte në arrati dhe Policia, që e kishte identifikuar, po e kërkonte, derisa ai dy ditë më pas vendosi të vetdorëzohej.

  • Ministria e Financave nënshkruan marrëveshjet në vlerë 96 milionë euro me Bankën Botërore

    Ministria e Financave nënshkruan marrëveshjet në vlerë 96 milionë euro me Bankën Botërore

    Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar sot dy marrëveshje në vlerë totale prej 96 milionë euro, me qëllim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë.

    Marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) me vlerë prej 50 milionë euro, si dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), i cili përbëhet nga kredi prej 35 milionë euro dhe grant prej 12 milionë euro. Këto projekte synojnë të mbështesin reforma strukturore dhe investime strategjike në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

    Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar, do të mbështetesë themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve kyçe financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.

    Ndërkaq, Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar edhe më tej vendin me rrjetet dhe standardet evropiane.

  • Zara Larsson tregon se humbi kontratë gati 3 milionë euroshe pas një shakaje në TikTok për abortin

    Zara Larsson tregon se humbi kontratë gati 3 milionë euroshe pas një shakaje në TikTok për abortin

    Zara Larsson ka zbuluar se humbi një marrëveshje të madhe prej 3 milionë dollarësh (rreth 2.7 milionë euro) pasi bëri një shaka për abortin në TikTok, e cila shkaktoi reagime të forta online.

    Këngëtarja 28-vjeçare reagoi ndaj kritikave duke theksuar se nuk pendohet për qëndrimin e saj dhe se nuk do të bashkëpunonte me një markë që nuk ndan të njëjtat vlera, shkruan DailyMail.

    “Dua të them, kohët e fundit, shakaja për abortin, e cila është shumë qesharake meqë ra fjala, humba një marrëveshje prej 3 milionë dollarëshe”.

    Ajo shtoi: “Nëse nuk jeni dakord me mendimin tim që gratë duhet të kenë akses në abort ose që mund të bëjmë një bisedë shakaje për këtë, atëherë nuk jemi të destinuar të jemi partnerë”.

    Zara theksoi se nuk ndikohet nga kritikat dhe mbetet e vendosur në bindjet e saj, pavarësisht humbjes financiare.

  • Konsullata e Kosovës në Cyrih – bashkatdhetarëve: S’ka nevojë për termine, mund të vini direkt, ky është orari i punës

    Konsullata e Kosovës në Cyrih – bashkatdhetarëve: S’ka nevojë për termine, mund të vini direkt, ky është orari i punës

    Konsullata e Kosovës në Cyrih të Zvicrës ka njoftuar bashkatdhetarët se po punon pa termine.

    Pasi tha se mori kërkesa për informata lidhur me terminet, Konsullata njoftoi se nga 1 nëntori 2024 ato nuk janë më të nevojshme.

    “Të dashur bashkatdhetarë, Duke marrë parasysh se kemi kërkesa për informata lidhur me terminet, ju njoftojmë se që nga 1 nëntori 2024, nuk ka më nevojë për termine në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih. Mund të vini direkt gjatë orarit të punës”, shkroi Konsullata në një njoftim në Facebook.

    Konsullata e Kosovës në Cyrih njoftoi se punojnë nga e hëna deri të enjtën prej orës 09:00 deri në orën 17:00 dhe të premten nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

    “📧 Kontakti: Email: [email protected]. Tel: +41 43 343 01 71 🚨 Për raste emergjente: +41 43 311 89 00″.

    Konsullata theksoi se “numri i zakonshëm i telefonit nuk është aktiv gjatë festave zyrtare dhe fundjavave”.