ATV

Author: K.B.

  • Albin Kurti feston ditëlindjen

    Albin Kurti feston ditëlindjen

    Sot është një ditë tejet e veçantë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Më 24 mars shënohet ditëlindja e tij, ndërsa sot Kurti mbushi plot 51 vjet jetë.

    Ditëlindja e tij lidhet edhe me një ngjarje historike të Kosovës, ditën kur nisën edhe bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, në vitin 1999, 24 vjet pasi lindi ai.

  • 28 vjet nga Epopeja e Dukagjinit

    28 vjet nga Epopeja e Dukagjinit

    Sot bëhen 28 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, që ndryshe njihet “Epopeja e Dukagjinit” e zhvilluar me 24 mars 1998.

    Në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.

    Caku besohej të ishte shtëpia e familjes Haradinaj. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

    E për nder të kësaj epopeje, komuna e Deçanit bashkë me OVL-UÇK-në organizojnë disa aktivitete.

    Nga ora 11:00 do zhvillohen homazhe te Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, për të vazhduar më pas me mbajtjen e manifestimit qendror të Epopesë së Dukagjinit nga ora 12:00.

    Në ora 13:00 mbahet program artistik te Kulla e Haradinajve.

  • Sllovenia bëhet anëtarja e parë e BE-së që vendos masën e racionimit të karburantit

    Sllovenia bëhet anëtarja e parë e BE-së që vendos masën e racionimit të karburantit

    Sllovenia është bërë shteti i parë anëtar i BE-së që ka zbatuar racionimin e karburantit, për të përballuar krizën e shkaktuar nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Iranit duke goditur fqinjët në Gjirin Persik – shumica prej tyre akterë kryesorë në tregjet globale të energjisë, raporton “BBC”.

    Shumë vende kanë përjetuar rritje të mëdha të çmimeve të derivateve.

    Në Slloveni, kjo ka çuar në të ashtuquajturin “turizëm të karburantit”, pasi shoferët nga vendet fqinje, veçanërisht nga Austria, kanë udhëtuar e mbushur veturat me karburant në Slloveni, për të përfituar nga çmimet më të lira.

    Sipas masave të reja, drejtuesit privatë në Slloveni do të kufizohen në një blerje maksimale prej 50 litrash karburant në ditë. Bizneset dhe fermerët kanë një kufi më të lartë prej 200 litrash.

    Disa shitës karburanti kanë vendosur tashmë masa të tyre. Kompania hungareze MOL, e cila operon stacione karburanti në të gjithë rajonin, ka vendosur një kufi prej 30 litrash.

    “Më lejoni t’ju siguroj se ka mjaftueshëm karburant në Slloveni, depot janë plot dhe nuk do të ketë mungesë karburanti,” tha kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob gjatë fundjavës.
    Sipas masave të reja të Qeverisë së tij, kufizimet në nivel kombëtar do të zbatohen nga vetë pikat e karburantit, me punonjësit që duhet të sigurojnë se klientët nuk furnizohen mbi sasinë e lejuar.

    Qeveria gjithashtu po inkurajon shitësit e karburantit që të vendosin kufizime më të rrepta për drejtuesit e huaj.

    Çmimi për një litër benzinë “Euro-super 95” në Austri po i afrohet 1.80 euro, ndërsa dizeli është afër 2 euro. Në Slloveni aktualisht është i kufizuar në maksimum 1.47 euro dhe 1.53 euro përkatësisht, megjithëse pritet të rriten çmimet të martën.

    Për disa shoferë austriakë, diferenca e çmimeve është e mjaftueshme për të justifikuar një udhëtim përtej kufirit.

    Politikani i ekstremit të djathtë austriak Herbert Kickl, lideri i Partisë së Lirisë, ka përdorur udhëtimet e tij për furnizim si propagandë politike, duke postuar një foto të një radhe automjetesh me targa austriake që prisnin për t’u furnizuar në një pikë karburanti në Slloveni.

    “A nuk është kjo e trishtueshme”, pyeti ai. “që jetojmë në një vend ku është bërë e nevojshme për shumë njerëz të shkojnë jashtë që jeta të jetë më e lirë?”

    Disa sllovenë i shohin vizitorët si bezdi, duke shkaktuar radhë dhe mungesa për vendasit. Të tjerë, megjithatë, janë më mikpritës – duke theksuar se një pjesë e mirë e “turistëve të karburantit” e kthejnë këtë në një ditë të plotë, duke ngrënë në restorante lokale dhe duke bërë blerje.

  • Sot varroset Ilaz Brahimi që u vra nga e dashura

    Sot varroset Ilaz Brahimi që u vra nga e dashura

    Familja Brahimi nga Obiliqi ka njoftuar se sot do të varroset më i dashuri i tyre, Ilazi, i cili u vra të dielën në Majac të Podujevës.

    Në postimin e një familjari thuhet se të ndjerit do t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e fshatit.

    Ceremonia mortore do të nis nga ora 12:30.

    Ndryshe, viktima u vra nga e dashura e tij, Ardita Gashi, e cila të dielën mbrëma e qëlloi edhe gruan e axhës së saj, 73-vjeçare, në rrethana.

    E plagosura dhe vet e dyshuara, vdiqën të hënën në QKUK. Kjo e fundit u lëndua pasi e plagosi veten.

  • Përvjetori i 27-të i bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe

    Përvjetori i 27-të i bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe

    Sot shënohet përvjetori i 27-të i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

    Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq për një armëpushim.

    “Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, pati thënë presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

    Bill Clinton në Ferizaj, në nëntor të vitit 1999.
    Bill Clinton në Ferizaj, në nëntor të vitit 1999.
    Më pas, ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, i cili i autorizoi sulmet ajrore.

    Kjo fushatë përbënte herën e parë që NATO-ja e përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Fushata përfshiu rreth 1.000 avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani, si dhe aeroplanmbajtësen e vendosur në Detin Adriatik, USS Theodore Roosevelt.

    Avionët kryen mbi 38.000 fluturime – prej të cilave 10.484 fluturime sulmuese – pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve.

    Gjatë fushatës ajrore, shkatërrime ose dëme të rënda pësuan kazerma dhe njësi ushtarake në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, ashtu si edhe sisteme të komandës dhe kontrollit, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastruktura të energjisë dhe komunikimit etj.

    Në përmbyllje të fushatës, presidenti Clinton pati thënë se kërkesat e komunitetit ndërkombëtar ishin përmbushur, përfshirë: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre.

    “Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”.

    Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

    Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

    Beogradi kishte 11 ditë kohë për t’i zhvendosur 40.000 forcat e tij të sigurisë jashtë Kosovës.

    KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur në 4.767 trupa sot, nga 33 vende të botës.

    Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur – mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.

  • Maqedonci: Kosova nis prodhimin e municioneve ushtarake me standard NATO-je në dhjetor

    Maqedonci: Kosova nis prodhimin e municioneve ushtarake me standard NATO-je në dhjetor

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Kosova do të nisë prodhimin e municioneve ushtarake me standard NATO-je në dhjetor të këtij viti.

    Ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka thënë se kjo është një arritje historike për Kosovën e pasluftës dhe shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.

    “Ne tashmë kemi marrë hapa fillestar në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Në fund të këtij viti, në dhjetor, do të kemi prodhimin e municioneve të para të prodhuara ndonjëherë në Kosovë – 7.62 dhe 5.56 mm. Kjo lidhet me fabrikën e municionit, ku kemi një plan zhvillimi dhe zotim nga pala turke, nga fabrika shtetërore e prodhimit të municionit në Turqi, që të realizojmë prodhimin e parë në dhjetor”, ka thënë ai.

    Maqedonci ka sqaruar se bëhet fjalë për dy lloje fishekësh që përdoren më së shumti në ushtritë e vendeve të NATO-s: 5.56 mm, standard për pushkët individuale të ushtarëve, dhe 7.62 mm, standard për armët ekipore të njësive ushtarake.

    Sipas tij, Kosova do të jetë ndër vendet e para në Ballkan që do të prodhojë këto lloje municionesh me standard NATO-je, duke forcuar

  • Parashikimi i motit për të martën

    Parashikimi i motit për të martën

    Të martën parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurtra me diell, ndërsa lokalisht priten reshje shiu, kryesisht në sasi të pakta. Në zonat malore reshjet do të jenë në formë të borës.

    Era do të fryjë nga verilindja, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-40 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 3 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 11 deri në 14°C. /MeteoKosova

  • Ngriten çmimet e biletave të autobusëve ndërurbanë, kërkohet ndërhyrje nga Qeveria

    Ngriten çmimet e biletave të autobusëve ndërurbanë, kërkohet ndërhyrje nga Qeveria

    Rritja e çmimit të naftës, e cila ka shkuar gati në 1.80 euro për litër, ka ndikuar menjëherë edhe në rritjen e çmimeve të biletave në disa linja ndërurbane.

    Për relacionet Prishtinë–Rahovec nga 3.50 euro sa ishte bileta, tash e tutje do të jetë 4 euro, ndërsa për Prishtinë–Mitrovicë, nga 1.50 euro, çmimi tash është 2 euro.

    Rritje të çmimit të biletave ka edhe për relacionet e tjera.

    Shtrenjtimin e biletave qytetarët e kanë konsideruar të padrejtë dhe të papërballueshëm për ta.

    Ata kanë kërkuar nga shteti që të merren masa.

    “Po, sigurisht ndikon në gjithçka. S’kemi çka me ba, nuk e kemi ne në dorë. Me dalë në protestë, nuk di njeri çka me ba. Si të rritet nafta, rriten të gjitha”, ka thënë Avdi Kodralia, banor në Prishtinë.

    Të shqetësuar me këtë trend të rritjes janë shprehur edhe qytetarët Ganit Hoti e Nazmi Haziraj.

    “Kjo shkon sipas standardit, siç është nafta atje. Nuk e kanë fajin as këta. Ndikon shumë. Nuk kemi kapacitet, rrogat janë shumë të vogla për këtë çmim. Me rroga 500-600 euro nuk mundesh me ba gjë. Edhe unë kam fëmijë që udhëtojnë çdo ditë, duhet me shty si të mundemi”, ka thënë Hoti.

    “S’është e drejtë fare. Nëse e merr situatën momentale në Kosovë, është shumë keq që e kanë bërë këtë shtrenjtim. Ndikon mjaft, sepse dihet çka mund të përballojë një qytetar me këtë shportë. Edhe kjo biletë ndikon – shumë shtrenjtë, shumë keq. Prandaj duhet të merret një iniciativë për t’i rregulluar këto gjëra, sepse nuk shkon që hapi i parë të jetë ngritja e çmimeve”, ka thënë Haziraj.

    Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori” ka theksuar se kjo ngritje e çmimeve të naftës do të ketë efekt edhe në ngritjen e produkteve të tjera.

    “Çdo ngritje e çmimit, kësaj radhe të karburantit, shkakton efekte të ashtuquajtura domino. Kjo rritje e çmimit do të ndikojë në ngritjen e të gjitha çmimeve të tjera, pa marrë parasysh përqindjen e derivatit në një prodhim të caktuar. Në transport, nëse rritja e çmimit të derivateve është 30%, atëherë biletat shkojnë deri në 50%. Kjo nuk është reale, por as 20% nuk është reale, sepse rritja prej 30% e derivatit nuk ndikon në mënyrë proporcionale në çdo çmim të biletës”, ka thënë ai.

    Kaçaniku ka shprehur shqetësimin se pas rënies së çmimit të naftës, çmimet e ngritura nuk do të preken dhe, sipas tij, Qeveria nuk është duke marrë masa.

    E Jakup Berisha, kryetari i Unionit të Shoqatave të Transportit Rrugor, është shprehur se gjendja e transportuesve është e rëndë.

    Sipas tij, deri në 75 për qind e të hyrave të kompanive shkojnë për karburante.

    Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për të ndalur rritjen e çmimit të naftës.

    “Atëherë do të duhej që Qeveria të ndërhyjë dhe të ulë ose ta heqë fare akcizën derisa të jetë gjendje emergjente apo gjendje lufte, sepse këto janë kushte të jashtëzakonshme. Shteti duhet të ketë edhe rezerva të naftës, siç ka për grurin, miellin, sheqerin dhe kripën për gjendje emergjente. Atëherë do të duhej të ndërhynte me këto rezerva”, ka thënë Berisha.

    Ai ka paralajmëruar se nëse vazhdon ky trend i rritjes, kompanitë do të detyrohen ta ndalojnë krejtësisht operimin ose t’i rrisin çmimet në të gjitha linjat.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy nga shtetet që kanë ofruar masa ndihmëse. Po ashtu, edhe Kroacia. /Koha

  • Deputetja e LDK-së:  Sa më e lartë është nafta, aq më e lartë do të jetë TVSH-ja

    Deputetja e LDK-së: Sa më e lartë është nafta, aq më e lartë do të jetë TVSH-ja

    Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se rritja e çmimit të naftës ka si pasojë rritjen e TVSH-së, duke theksuar se nëse çmimi i naftës rritet, automatikisht rritet edhe TVSH.

    Ajo ka shtuar se 51 përqindëshi mjafton për të ta formuar Qeverinë, por shqetësimi sipas saj është “mshelja e derës së dialogut dhe injoranca ndaj pagesave tona”.

    Sipas saj, rritja e çmimeve dhe taksave është duke krijuar një pasiguri për qytetarët dhe bizneset.

    “Ish desht me kanë opsionet subvencionet e mundshme. As nuk e ka shqyrtu ndonjë mundësi të shqyrtimit që a bën TVSH me u hek apo nuk bën. Në moment që rritet çmimi rritet edhe TVSH.

    “Nëse po mendohet se po keqpërdoret çmimi atëherë edhe po trashet logjika e Hekuran Muratit në 2022 ku thotë “heqja e akcizës po trash xhepin tregtarëve”, këtu po trashet xhepi veç i shtetit.

    “Në moment që merret nafta, akciza hyn për litër, dhe TVSH hyn për çmim, na i paguajmë, këtë pjesën e TVSH në start merret, i merret biznesit… ne jemi palë e dëmtimit të çfarëdo lloji”, tha Ymeri.

  • Ditët vendimtare për Kuvendin, Gjykata: Vendimi pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të Kurtit

    Ditët vendimtare për Kuvendin, Gjykata: Vendimi pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të Kurtit

    Gjykata Kushtetuese është duke e shqyrtuar ende lëndën për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, derisa kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të masës së përkohshme.

    Nga ky institucion kanë deklaruar se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesën nga pala parashtruese.

    “Vendimi përkitazi me këtë rast do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.”, kanë deklaruar nga Kushtetuesja për RTV Dukagjini.

    Lënda në Kushtetuese u dërgua nga Kryeministri Albin Kurti.

    Kurti në lëndën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ka pretenduar se Dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit “përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues”.

    Sipas Kurtit, lejimi i shpërndarjes së Kuvendit pa një vlerësim paraprak nga Gjykata Kushtetuese krijon një precedent të rrezikshëm të menjëhershëm, por edhe për të ardhmen e stabilitetit institucional dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës, teksa ka kërkuar vendosjen e masës së përkohshme.

    “Veprimet parandaluese në këtë rast nga Gjykata janë të domosdoshme, pasi ndërhyrja vetëm pas materializimit të pasojave do të jetë e vonuar”, thuhet në kërkesën e Kurtit.

    Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit deri më 31 mars, ashtu që Presidentes dhe Kuvendit u ndalohet çdo veprim deri kur masa të jetë në fuqi.

    Vendosjen e kësaj mase, Kushtetuesja e ka arsyetuar duke thënë se është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.