ATV

Author: K.B.

  • Shefi i gjigantit të naftës: Nëse lufta zgjat më shumë se gjashtë muaj, të gjitha ekonomitë botërore do të vuajnë

    Shefi i gjigantit të naftës: Nëse lufta zgjat më shumë se gjashtë muaj, të gjitha ekonomitë botërore do të vuajnë

    Nëse lufta në Lindjen e Mesme zgjat më shumë se gjashtë muaj, ekonomitë në mbarë botën do të pësojnë “ndikime reale”, tha të dielën kreu i gjigantit francez të naftës TotalEnergies.

    “Nëse zgjat më shumë se gjashtë muaj, do të kemi disa ndikime reale. Të gjitha ekonomitë e botës do të dëmtohen”, tha drejtori ekzekutiv Patrick Pouyanne, transmeton Telegrafi.

    Mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit nga Irani në hakmarrje për sulmet SHBA-Izrael kundër tij, ka kufizuar rëndë furnizimin me naftë në botë dhe ka ngritur frikë midis qeverive për inflacion më të lartë dhe rritje më të ulët ekonomike.

    Pouyanne vuri në dukje se, në kohë paqeje, rreth 20 përqind e prodhimit global të naftës kalon nëpër ngushticë, por me “atë që është bllokuar sot, keni 10 milionë fuçi naftë në ditë që nuk mund të dalin” nga Gjiri.

    “Dhe nuk mund ta gjejmë naftën diku tjetër në planet”, tha shefi i energjisë, i cili u intervistua në kuadër të Forumit të Zhvillimit të Kinës në Pekin.

    “Nëse ky konflikt zgjat tre, katër muaj, mund ta gëlltisim. Sot arrijmë ta amortizojmë këtë tronditje sepse kemi inventarë”, tha ai.

    Por, paralajmëroi ai, një konflikt i zgjatur që do të kalojë gjashtë muaj do të ishte një goditje për ekonominë globale.

    “Pra, përsëri, shpresoj se do të gjejmë zgjidhje shpejt për këtë luftë”, tha ai.

  • Asgjësohen 13 kafshë të infektuara, AUV intensifikon masat kundër sëmundjeve zoonotike

    Asgjësohen 13 kafshë të infektuara, AUV intensifikon masat kundër sëmundjeve zoonotike

    Trembëdhjetë kafshë që kanë rezultuar pozitive me brucillozën dhe tuberkulozin e gjedhit janë asgjësuar sot në një fermë në Lubishtë të Vitisë, në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive tek kafshët.

    Lajmin e ka bërë të ditur Bafti Murati, udhëheqës i sektorit të Shëndetit të Kafshëve në Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, i cili theksoi se rasti ishte identifikuar që në muajin dhjetor përmes analizave laboratorike të kryera nga AUV.

    Sipas tij, vonesat në eliminimin e kafshëve kanë ardhur si pasojë e procedurave të tenderimit për përzgjedhjen e kompanisë përgjegjëse për asgjësim.

    “ Afati për ndërhyrje është rreth një muaj, por në mungesë të kontratës me operatorin ekonomik, pati vonesa. Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, Inspektorati Veterinar së bashku me kompaninë kanë dalë në terren dhe kanë realizuar asgjësimin”, deklaroi Murati.

    Ai bëri të ditur se Agjencia zbaton planin vjetor për monitorimin e sëmundjeve të kafshëve, me fokus të veçantë tek sëmundjet zoonotike, si Bruceloza dhe Tuberkulozi i gjedhit, të cilat mund të transmetohen edhe tek njerëzit.

    Ndërhyrja e sotme është realizuar në zonën e Lubishtës, ndërsa aksionet po vazhdojnë edhe në ferma të tjera në komunën e Vitisë.

    Sipas autoriteteve, raste të tjera të kafshëve të infektuara janë identifikuar edhe në Gjilani dhe Novobërda, ku pritet që në ditët në vijim të vazhdojë procesi i asgjësimit.

    “Pastaj kemi edhe të identifikuar disa raste në komunën e Gjilanit edhe të Novobërdës dhe përfundon pjesa e regjionit të Gjilanit. Kurse edhe në pjesë tjera, ku i kemi identifikuar kafshët dhe në ditët në vijim do të bëhet agjësimi i tyre”, tha ndër të tjera Murati.

  • Osmani kujton ish-sekretaren Albright në 4-vjetorin e vdekjes: Na ndihmoi ta shkruajmë historinë

    Osmani kujton ish-sekretaren Albright në 4-vjetorin e vdekjes: Na ndihmoi ta shkruajmë historinë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kujtuar ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në katërvjetorin e vdekjes së saj.

    Osmani tha se Albright ndihmoi në shkrimin e historisë së Kosovës.

    “Në kohën vendimtare për fatin e Kosovës, si Sekretare e Shtetit në administratën e Presidentit Bill Clinton, ajo ishte ndër zërat kyç për ndërhyrjen e NATO kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, një vendim që i dha fund luftës dhe hapi rrugën për lirinë e Kosovës”, ka thënë Osmani.

    Sipas saj, vizita e ish-sekretares amerikane, në Kosovë në vitin 1999 dhe rikthimi në Prishtinë dy dekada më vonë, kur e cilësoi ndërhyrjen si të drejtë, dëshmojnë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj kauzës së drejtë të popullit..

    “Busti i saj në zemër të kryeqytetit tonë qëndron si një kujtesë e përhershme për rolin historik që pati në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Ndërkaq, miqësia me Shtetet e Bashkuara mbetet një testament në nderim të trashëgimisë së saj. Mirënjohje e përjetshme për Sekretaren Madeleine Albright!”, u shpreh Osmani.

    Albright vdiq më 23 mars 2022, në moshën 86-vjeçare

  • Rama paralajmëron gjoba dhe konfiskim për automjetet pa kontratë me NPL “Gjelbër”

    Rama paralajmëron gjoba dhe konfiskim për automjetet pa kontratë me NPL “Gjelbër”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se çdo automjet që transporton mbeturina pa kontratë me NPL “Gjelbër” do të gjobitet dhe mund t’i konfiskohet automjeti.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se Inspektorati Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë angazhuar me të gjitha kapacitetet për të luftuar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike.

    Ai ka theksuar se hedhja e mbeturinave ndërtimore dhe vëllimore në qytet është e ndaluar.

    “Hedhja e mbeturinave ndërtimore dhe vëllimore në Kryeqytet është e ndaluar! Çdo automjet që bart mbeturina të çfarëdo lloji dhe nuk ka kontratë me NPL “Gjelbër” do të gjobitet dhe mund t’i konfiskohet automjeti. Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë të angazhuar me të gjitha kapacitetet për të luftuar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike.
    Masat ndëshkuese për shkelësit përfshijnë: gjoba, konfiskim të automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen ilegale të mbeturinave”, ka shkruar Rama.

    Ai po ashtu ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët.

    “Nëse shihni qytetarë ose biznese që hedhin materiale ndërtimore, sanitari, mobilje, goma, xhama apo çfarëdo mbeturinash të natyrës vëllimore dhe ndërtimore në Kryeqytet, ju lutemi ta lajmëroni Policinë ose Inspekcionin e Komunës në 038 220985”, ka përfunduar ai.

  • Mbi 12 mijë raste u parashkruan për pesë vjet, rreth 50 krime të rënda s’u gjykuan

    Mbi 12 mijë raste u parashkruan për pesë vjet, rreth 50 krime të rënda s’u gjykuan

    Mbi 12 mijë raste u parashkruan vetëm gjatë 5 viteve të fundit në Kosovë. Saktësisht 12 mijë e 215 persona apo edhe më shumë të cilët shkelën ligjin, i shpëtuan dënimit për shkak se lënda e tyre u vjetërsua.

    Kështu vërtetohet nga mbledhja e të dhënave në pesë raportet që ka publikuar Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga viti 2020.

    Vetëm në 2024-ën, u parashkruan gjithsej 2 mijë e 375 raste. Sipas raportit të KPK-së, në mesin e këtyre rasteve, ishin edhe 17 aktakuza që ishin ngritur nga Departamentet e Krimeve të Rënda të Prokurorive Themelore. Ndërkaq, gjatë atij viti vetëm një rast u parashkrua në fazën e hetimit.

    E numri më i madh i rasteve që u parashkruan në 2024-ën, ishin ato të Departamentit të Përgjithshëm. Sipas raportit të Këshillit Prokurorisë, gjykatat themelore morën vendime për parashkrim të 2 mijë e 357 aktakuzave të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Nga Departamenti i Përgjithshëm ishin gati të gjitha rastet të cilat u parashkruan në 2023-ën. Nga raportet e KPK-së, rezulton se atë vit, u parashkruan gjithsej 2050 raste, 2 mijë e 45 prej të cilave ishin aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Ndërkaq, vetëm pesë nga të gjitha rastet të cilat u parashkruan gjatë 2023-ës, ishin lëndë për Krime të Rënda. Në 2023-ën, asnjë rast nuk u parashkrua në fazën e hetimit.

    Numri më i madh i rasteve të parashkrimit të lëndëve u regjistrua në 2022-ën. Atë vit, bazuar në raportin e Këshillit Prokurorial, u parashkruan 3 mijë e 80 raste.
    Dy prej këtyre rasteve u parashkruan qysh në fazën e hetimit.

    3 mijë e 77 raste të cilat u parashkruan gjatë 2022-ës, ishin aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore. Ndërkaq, njëri nga rastet që u parashkruan në 2022-ën, lidhej me një aktakuzë të Departamentit të Krimeve të Rënda.

    Vjetërsim të krimeve të rënda pati edhe në 2021-ën. Sipas raportit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, atë vit, Gjykatat Themelore vendosën për parashkrimin e 13 rasteve të Krimeve të Rënda.

    Në 2021-ën, 11 raste u parashkruan qysh në fazën e hetimit. Kurse, u parashkruan 2 mijë e 326 aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore, duke e çuar kështu në 2 mijë e 350 numrin e rasteve të cilat u parashkruan në 2021-ën.

    E në 2020-ën, ishin vetëm 10 lëndë më shumë të cilat e vjetërsuan e u parashkruan. Në raportin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, figurojnë gjithsej 2 mijë e 360 raste të parashkruan në atë vit.
    Mbështetur në të dhënat e këtij raporti, në mesin e lëndëve që u parashkruan ishin edhe 11 raste të krimeve të rënda.

    Ndërkaq, vetëm gjatë atij viti, 2 mijë e 331 raste u parashkruan lidhur me aktakuzat e prokurorëve të Departamenteve të Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Në 2020-ën,18 raste u parashkruan qysh në fazën e hetimit. Mirëpo, në këto raporte nuk figuron ndonjë e dhënë për dëmin financiar që i është shkaktuar buxhetit të Shtetit nga të gjitha rastet të cilat janë parashkruar.

  • Rritja e çmimit të naftës, Hoti: Marzha e fitimit nuk është politikë adekuate – ulja e akcizës po

    Rritja e çmimit të naftës, Hoti: Marzha e fitimit nuk është politikë adekuate – ulja e akcizës po

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregoi se inflacioni për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është 6% për shkurtin e vitit 2026, krahasuar me shkurtin e vitit paraprak.

    Në ekonomi inflacioni deri në 2% konsideruar i moderuar, tashmë Kosova ka hyrë në fazën e inflacionit relativisht të lartë, i ndikuar pos nga konfliktet ndërkombëtare edhe nga trendet e rritjes së energjisë elektrike.

    Së fundmi lufta në Iran ka lëvizur shqetësimet për një valë të re inflacioni e ndikuar nga rritja e çmimeve të karburanteve të naftës, Kosova si një ekonomi me deficit tregtar cenohet më së lehti nga inflacioni i importuar.

    Por, Qeveria ka në dispozicion disa mekanizma në variantin më të mirë për të ulur inflacionin në pikën e moderuar apo në variantin më të keq për ta parandaluar inflacionin galopant

    Për këtë çështje, Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që ka shërbyer si kryeministër i Kosovës dhe ministër i Financave më parë, i ka thënë Gazetës Express se çmimi i derivatet përhapet në gjithë ekonominë.

    Kjo për shkak siç thotë Hoti integrimi të madh të tregjeve globale.

    “Rritja e çmimit të derivateve pa dyshim se përhapet në gjithë ekonominë, duke rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve. Më tutje, rritja e këtyre kostove bartet në çmimet e produkteve për konsumatorët dhe në produkte të tjera të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se efektet zinxhirore janë shumë të shpejta. Këtë e kemi parë të ndodhë më parë, dhe po e shohim edhe tani. Kosova nuk përbën përjashtim nga ky rregull”, ka thënë Hoti.

    Qeveria e Kosovës akoma nuk ka ndërmarrë ndonjë masë anti-inflacion, përkundër se Kosova ka një juridiksion që rregullon çështjet emergjente.

    “E vërteta është se ne e ndajmë fatin me të gjithë pjesëmarrësit në tregjet globale, siç edhe përfitojmë kur zhvillimet në tregjet globale janë të favorshme. Por, në rastin konkret të rritjes së çmimeve të derivateve, nuk duhet të pritet që e gjithë kostoja të bartet te konsumatori. Shumë vende evropiane tanimë kanë ndërmarrë masa për të zbutur ndikimin negativ për konsumatorët”, ka thënë Hoti.

    Tutje, ish-kryeministri i Kosovës ka disa rekomandime të cilat Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërmarrë bazuar në ligjet në fuqi. Hoti kërkon aktivizimin më të madh të Inspektoratit të Tregut dhe Komisionit të Konkurrencës.

    “Inspektorati i tregut duhet të monitorojë tregun në vazhdimësi për të konstatuar sa po rritet çmimi i furnizimit dhe deri në çfarë mase kjo rritje po bartet në çmimin për konsumatorët. Duhet të përgatitet raport ditor për këtë çështje, i cili bëhet transparent për publikun”.

    “Komisioni i Konkurrencës duhet të angazhohet plotësisht për të konstatuar nëse ka sjellje të kompanive furnizuese që bien ndesh me parimet e funksionimit konkurrues të tregut. Ky është një rast tipik i situatës në treg ku, për shkak të luhatjeve të mëdha në çmime, Komisioni i Konkurrencës duhet të angazhohet sipas detyrës zyrtare”.

    Hoti ka kërkuar që Qeveria të ul akcizën që do të ndikonte direkt në uljen e çmimit të derivatëve.

    “Qeveria duhet menjëherë të ndërhyjë për të ulur akcizën në derivate. Ulja e akcizës duhet të bëhet bazuar në analiza që balancojnë këta dy faktorë: (a) sa duhet të ulet akciza për të siguruar rritje të kontrolluar dhe të moderuar të çmimit të derivateve për konsumatorët dhe (b) cili është ndikimi në të hyrat buxhetore nga ulja e akcizës. Faktori i dytë siguron më shumë hapësirë veprimi për Qeverinë për ulje të akcizës, pasi të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit. Praktikisht, Qeveria mund të ulë çmimin e derivateve për konsumatorët deri në nivelin kur akciza bie në zero, ndërkaq të hyrat buxhetore mund të mbesin të pandryshueshme për shkak të rritjes së vlerës së TVSH-së”,ka thënë Hoti.

    Ai ka kritikuar edhe mënryën sesi po caktohet marzha e fitimit, duke thënë se nuk e mbron konsumatorin nga rritja e çmimeve.

    “Masa e caktimit të marzhave të fitimit nuk është adekuate për dy arsye. E para, caktimi i marzhës për biznese nuk e mbron konsumatorin nga rritja e çmimit. Kjo masë vetëm sa e kufizon fitimin e firmave, duke e mbajtur atë brenda një kufiri të caktuar. Ndërkaq, rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare bartet plotësisht te konsumatori. E dyta, caktimi i marzhës përbën ndërhyrje në modelin e operimit të biznesit, e cila çështje është e garantuar me Kushtetutë si liri e veprimit të biznesit. Historia ka dëshmuar se intervenimi i shtetit në çështje të tilla biznesore vetëm sa e përkeqëson situatën, duke nxjerrë kompani nga tregu, gjë që rezulton në përkeqësim të konkurrencës”.

    “Shteti e ka për obligim të sigurojë kushte konkurruese dhe të parandalojë sjelljet e kompanive që bien ndesh me ekonominë e lirë të tregut. Përtej kësaj, për të arritur efektin e dëshiruar, shteti duhet të përdorë instrumentet e politikave fiskale dhe industriale. Në rastin konkret, efekti i dëshiruar është parandalimi apo një rritje e moderuar e çmimit të derivateve. Dhe kjo mund të arrihet lehtësisht duke operuar me ulje të akcizës”, ka thënë Hoti.

  • Këtë javë nis llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë një orë përpara

    Këtë javë nis llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë një orë përpara

    Si çdo vit, ndryshimi nga ora dimërore në atë verore do të ndodhë të dielën e fundit të marsit. Këtë vit, kjo përkon me datën 29, kur akrepat e orës në orën 03:00 duhet të shkojnë një orë përpara dhe të tregojnë 04:00.

    Ora e kursimit të dritës do të mbetet në fuqi deri të dielën e 25 tetorit 2026. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është kursimi i energjisë elektrike. Gjatë shtatë muajve të kohës së verës, falë dritës së diellit, kursejmë rreth 210 orë energji.

    Në vitet 1970, nën ndikimin e krizës së naftës, shumica e vendeve evropiane filluan ta përdornin këtë metodë për të shfrytëzuar më mirë dritën e ditës.

    Që nga viti 1996, Evropa ka një rregullore të përbashkët: në pranverë kthejmë orët një orë përpara, ndërsa në vjeshtë i kthejmë një orë pas. Ndryshimi i parë provë u bë më 1932, nga 6 korriku deri më 1 shtator, kur orët u vendosën një orë përpara.

    Ndryshimi i orës, që synon kursimin e energjisë, zbatohet edhe në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Franca, por ka shkaktuar debate të shumta.

    Kritikët thonë se ndryshimi i orës mund të ndikojë negativisht tek shëndeti, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe probleme të sistemit imunitar, sepse ndërpret ciklin normal të trupit. Ata gjithashtu argumentojnë se kursimi i energjisë nuk është gjithmonë i dukshëm.

  • Bajrami publikon postimin e dikurshëm të Kurtit ku ankohej për naftën e shtrenjtë: A s’po ndjeheni të mashtruar?!

    Bajrami publikon postimin e dikurshëm të Kurtit ku ankohej për naftën e shtrenjtë: A s’po ndjeheni të mashtruar?!

    Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami reagoi ndaj “komenteve me gjuhë vulgare” në një postim të saj në Facebook ku kishte kritikuar qasjen e qeverisë ndaj rritjes së çmimeve të naftës.

    Në një reagim të ri, Bajrami publikoi një postim të kryeministrit Albin Kurti, i cili në vitin 2018 ankohej se çmimi prej 1.20 euro e një litri naftë “kurrë s’ka qenë më shtrenjtë.

    “Për të gjithë ata që nuk u pajtuan pa e lexuar fare postimin tim të fundit dhe u shfryen në komente me gjuhë vulgare, që ku po ju lë një postim të Albinit në vitin 2018, lexone se besoj ju ka marrë malli. Dhe me tregoni a s’po ndjeheni të mashtruar?!”, shkroi Bajrami.

    “PS. Për fermerët që i paska përmendë atëbotë do të shkruaj një ditë tjetër, se si subvencionet e vonuara po ua merr ATK-ja me gjoba. Shkoni e pyetni fermerët si ju ka ndryshu gjendja prej që ka ardhë Albini në qeveri? A për xhipa të qeverisë nuk komentoj, se realiteti s’do koment”, shtoi ajo.

  • Reagon AGK pas deklaratave për “çanta me pare”: Të ofrohen fakte dhe emra, shqetësuese fushata e VV’së ndaj mediave

    Reagon AGK pas deklaratave për “çanta me pare”: Të ofrohen fakte dhe emra, shqetësuese fushata e VV’së ndaj mediave

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për një valë të re të fushatës kundër mediave dhe gazetarëve të nisur nga zyrtarë të partisë më të madhe politike në vend, Vetëvendosje.

    AGK iu referua deklaratave nga deputetë dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, përfshirë Adnan Rrustemin, Mefail Bajqinovcin dhe Dejona Mihalin, të cilët, siç thuhet, “kanë shkruar dhe shpërndarë materiale që flasin për ‘pagesa me çanta’ në raport me gazetarët”.

    “Fushata të tilla denigruese nga njerëz të partisë në pushtet janë vazhdimësi e një politike armiqësore të Vetëvendosjes dhe Qeverisë Kurti ndaj mediave në Kosovë, dhe që cenojnë seriozisht lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    “Kjo e ditëve të fundit vjen si reagim ndaj deklaratave në një emision televiziv, prodhim i BIRN Kosova ku flitet për atë se si “narrativa dezinformuese për Banjskën u shpërnda edhe në studio të televizioneve kosovare?” dhe “kemi operacion ku paret me çanta të strukturave të BIA-s, janë nxanë në veri të Mitrovicës duke iu dorëzuar agjentit shqiptar, i cili më pas ka pasë mi çu te ni gazetar””, thuhet tutje në reagim.

    AGK-ja konsideron se deklarata të tilla përgjithësuese ndaj “mediave online” dhe “studiove televizive” janë të papërgjegjshme.

    “Deklaratat akuzuese publike duhet të përcillen me fakte, prova dhe emra të përveçëm. AGK-ja i fton të gjitha palët që të përmbahen nga deklarata të tilla që minojnë seriozisht ambientin e zhvillimit medial”, thuhet në reagim.

  • Të arrestuarit për dallavere me patentë shoferë, Basha njofton se u prangos edhe ekzamineria e Ministrisë: E mirëpresim aksionin

    Të arrestuarit për dallavere me patentë shoferë, Basha njofton se u prangos edhe ekzamineria e Ministrisë: E mirëpresim aksionin

    Tre instruktorë dhe një ekzaminere janë arrestuar nën dyshimin për dallavere me patentë shoferë.

    Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha tha se ekzamineria e angazhuar është e këtij dikasteri.

    “Për vepra penale të marrjes së ryshfetit, falsifikimit të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare në procesin e pajisjes me patentë-shoferë, sot nga organet e rendit janë arrestuar 4 persona të dyshuar, ku në mesin e tyre është edhe një ekzaminere e angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Basha tha se e mirëpresin aksionin e zhvilluar dhe shprehu “gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me organet përgjegjëse të drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”.

    “Ne do të jemi të përkushtuar e fort të vendosur në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke garantuar integritet, transparencë dhe besim në institucionet publike”, shkroi ai.